Hans-Joachim Lanksch
1. Jeta
Rose Ausländer (Roze Auslender) u lind si Rosalie Beatrice Ruth Scherzer më 11 maj 1901 në Czernowitz (Çernovic) resp. Cernăuţi (Çernëuc), kryeqytet i Bukovinës (= dheu i ahëve) në Republikën e sotme të Moldovës (Moldavisë) që i përkiste herë Austrisë, herë Rumanisë, herë Rusisë. Ishte një trevë ku “jetonin njerëz dhe libra”, siç tha poeti Paul Celan, i lindur dhe i rritur në Çernëuc. Çernëuci ishte vendshkrirje shumë popujsh e kulturash tek bashkëjetonin banorët rumunë, hebré, austriakë, ukrainas, polakë dhe magjarë. Ngërtheheshin kulturat e tyre, fliteshin rumanishtja, gjermanishtja, jidishtja, ukrainishtja. Te popullata hebréje, që përbënte më se një të tretë të afro 160 000 banorëve të qytetit në peizazhin idilik rrëzë Karpateve, ishte e gjallë tradita e lashtë gojore e urtisë hebréje, e gojëdhanave hasidike. Çernëuci ishte “një botë idesh dhe idealesh” siç do ta quante më 1977 poetja Rosa Ausländer në “Kujtimet për një qytet” ku shkruante mes të tjerash: “Lexohej shumë. Jo vetëm gazeta, revista, libra informativë dhe letërsi argëtuese, por letërsi e mirë, e dorës së parë. Diskutohej me plot zjarm, bëhej muzikë, këndohej. Teatri i qytetit vizitohej rregullisht. Një pjesë e konsiderueshme e rinisë shquhej për mendjegjerësi dhe kërshëri të pangishme. Interesimi kryesor i shumë intelektualëve nuk ishte planifikimi ambicioz i karrierës për të fituar një jetesë teknikisht më të ngritur, por ishte përpjekja për të fituar njohje dhe njohuri, qoftë në lëmin e shkencës, filozofisë, politikës qoftë në përjetimin e mistikës, artit, poezisë dhe muzikës. Një pjesë e rinisë intelektuale ishte e angazhuar politikisht – nuk ishte fjala për një angazhim “salloni”. Të rinjtë bënin sakrifica nga më të mëdhatë, futeshin në zindan, keqtrajtoheshin dhe torturoheshin nga policia me mizori të hatashme – dhe prapë nuk i tregonin shokët e tyre. Një pjesë tjetër e rinisë interesohej për artët e bukura. Kur takoheshin miqtë, filluan të diskutonin me afsh për çështje filozofike, letrare, artistike – deri në agim.”
Çernëuci ishte qytet i skulptorëve, piktorëve, muzikantëve, poetëve. Ishte edhe qytet i entuziastëve dhe idhtarëve që hallin e kishin te “interesi i mendimit dhe jo te mendimi i interesit”. Qytetarët jepeshin pas mendimeve të mendimtarëve Schopenhauer, Nietzsche, Spinoza, Kant, Marx, Freud, Karl Kraus, Constantin Brunner dhe digjeshin për poetët dhe shkrimtarët Hölderlin, Rilke, Stefan George, Trakl, Else Lasker-Schüler, Thomas Mann, Hesse, Benn, Brecht, si dhe për letërsitë klasike dhe moderne në gjuhët frënge, ruse, angleze. Çernëuci është “një qytet i perënduar, një botë që shkoi” (siç e ka quajtur Rose Ausländer) që përftoi një sërë shkrimtarësh të shquar si Alfred Margul-Sperber – përndryshe përkthyes i pashoq i klasikut të pozisë rumune, Mihai Eminescu (Eminesku), dhe i poetëve të tjerë të mëdhenj rumunë – Alfred Kittner, Moses Rosenkreuz, Immanuel Weissglas, Elieser Steinbarg, Paul Celan, Itzig Manger etj. Në qytetin e brumosur nga aso atmosfere, njeriu i kultivuar, tha R. Ausländer, ishte “pothuaj i detyruar” të merrej me probleme të filozofisë, politikës, letërsisë a të artit. Ashtu dhe e reja Rosalie Scherzer e cila studionte filozofi e letërsi në universitetin e qytetit të saj dhe merrte pjesë në qarqe të ndryshme letrare e filozofike ku merrej sidomos me filozofinë e mendimtarit hebré Spinoza dhe me atë të filozofit bashkëkohas Constantin Brunner si dhe me veprën e edhe një dijetari hebré, Sigmund Freud. Mendësia e filozofit C. Brunner, më vonë, do të linte gjurmë të thella në krijimtarinë poetike të Rose Ausländer.
Rreth vitit 1920 vdiq babai i Rosalie Scherzer, tregtari Sigmund Scherzer. Një vit më pas, e shtrënguar nga skamja ekonomike, Rosalie Scherzer emigron në SHBA, bashkë me mikun e saj Ignaz Ausländer me të cilin martohet më 1923. Krahas me punën në një bankë në New York, Rose Ausländer punon edhe si redaktore në periodikun letrar gjermanofon në të cilin fillojnë ta shohin dritën e botimit, për herë të parë, disa vjersha të saj. Rose Ausländer mban letërshkëmbim me filozofin C. Brunner dhe është ndër themeluesit e një qarku që merret me filozofinë e tij. Martesa me Ignaz Ausländer dështon pas 3 vjetësh. Më 1927, poetja e re udhëton në Europë për t’u takuar me C. Brunner në Berlin, kalon edhe afro një vit në Çernëuc për t’u kujdestuar për nënën e sëmurë, pastaj kthehet në New York. Më 1930 divorcohet martesa me Ignaz Ausländer. Poetja vazhdon së botuari vjersha në shtypin gjermanofon në Amerikë dhe përfundon ciklin poetik New York. Një vit më pas, Rose Ausländer kthehet në vendlindje, jep mësime të anglishtes dhe punon gazetare në Czernowitzer Morgenblatt. Njëkohësisht fillon të botojë vjersha në revista letrare në Çernëuc, Braºov (Brashov resp. Kronstadt në Transilvani) dhe në Pragë. 1934-1939 jeton në Bukuresht dhe punon si nëpunëse e ndërmarrjes Vacuum Oil Company. Prapë merr pjesë në një qark filozofik për veprën e C. Brunner dhe mban letërshkëmbim intensiv me shkrimtarin Margul-Sperber.
Më 1939, miqtë e Rose Ausländer nga Amerika i mundësonin asaj të shkonte në SHBA për t’i shpëtuar rrezikut nazist. Sapo mbërriti poetja në New York, nëna e saj përsëri u sëmur rëndë. E bija e braktis vendstrehimin e sigurtë dhe kthehet në Çernëuc. Disa muaj më parë, në Çernëuc e kishte parë dritën e botimit libri i parë i Rose Ausländer, Der Regenbogen (“Ylberi”). Kritika letrare e Bukovinës, shtypi rumun si dhe ai zviceran, e priti vëllimin me entuziazëm, ndërsa Gjermania nën zgjedhën fashiste nuk e mori dot në dijeni librin e autores me prejardhje hebréje. Gjermania dhe Rumania u bënë aleatë, filloi terrori nacionalsocialist kundër hebrenjve në Rumani (pas Luftës së Parë Botërore, Bukovina, deri më atëherë nën Austri, i ishte bashkëngjitur Rumanisë). Me okupimin e qytetit nga ushtria e Gjermanisë naziste në verë të vitit 1941, ia behu hataja e persekutimit të egër të afro 60 000 hebrenjve të Çernëucit. Një lagje e vogël u shpall geto në të cilën u futën 45 000 shpirtra. Aty rrinte e ngujuar edhe familja e R. Ausländer. Gjatë 18 muajve që pasonin, deportoheshin afro 55 000 hebrenj në Transnistri në kampe shfarosjeje. Dimri i ashpër në fillim të 1942-shit e ndërpreu deportimin – dhe e shpëtoi Rose Ausländer me nënën dhe vëllaun e saj. Më 1962, ajo do të shënojë: “Në Czernowitz kam pësuar vuajtje të rënda nga persekutimi i hebrenjve. Jo vetëm që u isha nënshtruar kufizimeve të njohura çnjerëzore, por detyrohesha edhe për punë tepër të rënda të detyrueshme. Në geto në Czernowitz më mbanin në kushte të llahtarshme dhe johigjienike. Puna e detyruar që e ushtroja në punë kanali, në punë ngarkim-shkarkimi etj., ishte tepër rraskapitëse, ndërkaq trajtohesha në mënyrë mizore dhe çnjerëzore. Shpeshherë më keqtrajtonin rëndë dhe më kërcënonin me vdekje. Jetoja në mjerim të papërfytyrueshëm dhe me frikë nga fati im i mëtejshëm dhe nga deportimi në Transnistri me të cilin më kërcënonin gjithnjë .”
Pasi ishte ish-shtetase amerikane, poetja përpiqej më 1942 të merrte leje emigrimi për në SHBA. Ambasada e Zvicrës që përfaqësonte SHBA-të, iu përgjigj: “E vetmja mundësi verifikimi e shtetësisë suaj amerikane nga autoritetet amerikane është të paraqitni kërkesë për kthim në SHBA, kërkesë kjo që duhet ta parashtroni në moment tek do të jetë përsëri i mundur një udhëtim i tillë, gjë që sipas gjasës vallë nuk do të jetë para përfundimit të luftës. Me keqardhje se nuk mund t’ju përcjell njoftim më të mirë po ju tërheq vëmendje se pyetje të tjera nga ana juaj do të jenë të tepërta. Me respekt të veçantë.”
Ndër ata afro 5000 hebrenj që mezi i mbijetonin ferrit nazi-fashist, ishin Rose Ausländer me nënën dhe vëllaun e saj. Forcën shpirtërore për të mbijetuar ia jepnin marrja me filozofinë dhe krijimi letrar. Marsin e vitit 1943 Roza dhe nëna e saj e kalonin të fshehura në bodrume të ndryshme sepse iu tërhoq leja e punës, gjë që zakonisht paralajmëronte deportimin e shpejtë në Transnistri – në fund marsi ushtria ruse e çliroi Çernëucin. Okupatori rus e shpalli gjermane familjen Scherzer – Ausländer e cila i shpëtoi deportimit për punë të detyruar në minierat e Ukrainës lindore vetëm për shkak se të dyja femrat ishin aq të sëmura saqë ishin të paafta për punë.
Qysh në vitet e persekutimit, Rose Ausländer u njoh me poetin e ri Paul Antschel (Ançel) që e njohim më mirë me pseudonimin e tij të mëvonshëm, Paul Celan, dhe angazhohej për poezinë e tij. Disa prej poetëve që e kishin mbijetuar llahtarin nazist, themeluan një qark letrar ku takoheshin edhe Immanuel Weissglas, Paul Antschel dhe Rose Ausländer për të lexuar e shqyrtuar krijimet e tyre.
Më 1945, Çernëuci dhe një pjesë e Bukovinës u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Më 1946, Rose Ausländer me gjithë nënën dhe vëllaun e saj emigron në Rumani. Sapo mbërriti në Bukuresht, miqtë e saj amerikanë ia mundësuan emigrimin në Amerikë. Me shpresë se do të mund shpejt ta marrë edhe nënën, Roza udhëton në SHBA. Për shkak të shëndetit të saj të prishur, nuk mund të punësohet me punë të përhershme. Më 1947 vdes e ëma, e bija pëson një kolaps të rëndë psikik që zgjat më se gjysmë viti. Ngadalë fillon të riorientohet dhe të marrë pjesë në jetën kulturore të komunitetit gjermanishtfolës në New York. Prej vitit 1947 merret prapë me shkrimin e poezisë, kësaj radhe në gjuhën angleze. Më 1948 e rimerr shtetësinë e Amerikës, punësohet si përkthyese në një ndërmarrje ndërkombëtare transporti deri më 1961, me ndërprerje të gjata si pasojë e shëndetit të lig. 1949-1956 shkruan poezi vetëm në anglishte. Fillon ta braktisë formën konvencionale të poezisë. Në New York Rose Ausländer nuk ka banesë të saj, shpërngulet shpesh nga një dhomë të marrë me qira në tjetrën, gjithnjë në kushte fukarallëku. Më 1957, një shoqe i dhuron një biletë anijeje për të shkuar në Europë. Në Paris, rrugës për në Vjenë, takohet me poetin Paul Celan që e njofton me poezinë moderne gjermane kështu që përforcohet prirja e saj për të zhvilluar dhe më tej stilin e saj të ri në frymën e modernes. Roza udhëton nëpër disa vende të Europës, duke evituar hyrjen në Gjermani dhe duke u entuziazmuar veçanërisht për Italinë. Pas gjysmë viti kthehet në New York ku merr pjesë aktivisht në jetën kulturore dhe letrare. E rigjen gjuhën amtare dhe shkruan vetëm në gjermanishte. Më 1963 kthehet definitivisht në Europë, në Vjenë ku has në antisemitizëm të hapur. Më 1965 shpërngulet në qytetin e poetit Heinrich Heine, në Düsseldorf (Dyseldorf) të Gjermanisë. Prapë jeton pa banesë të saj, nëpër dhoma në hotele të lira ose te miq. Më 1966 shteti gjerman i njeh një pension modest si viktimë e regjimit nazist kështu që poetja 65-vjeçare është në gjendje t’i plotësojë vetes ëndrrën për të udhëtuar dhe udhëton në Francë, Itali, Zvicër. Në qytete të ndryshme të Gjermanisë fillojnë ta ftojnë për takime letrare. Rose Ausländer merr disa shpërblime letrare. Më 1968 e viziton vëllaun në Amerikë e kthehet pas një viti.
Më 1972 thyen këmbën aq keq saqë i duhet përkujdesje e vazhdueshme, ajo pranohet në azilin e pleqve të komunitetit hebré në Düsseldorf. Prej 1978-shit nuk e braktis më dhomën e saj. Më 1981 dhe 1982 nuk ishte më në gjendje as të shkruante. Vjershat, tani, i diktonte … Pastaj e mori veten në mënyrë që vazhdonte së shkruari. Gjithnjë e më shumë zhytej në izolimin e vetdëshiruar dhe në krijimin e poezisë. Çmime të larta letrare, si ajo e Akademisë së Arteve të Bukura të Bavarisë, e gëzonin poeten vetëm pak – ajo dëshironte ta vazhdonte punën e vet krijuese në qetësi … Më 1986 e përfundoi dhe e rrumbullaksoi veprën e saj letrare, la amanet çfarë mund të botohet në të ardhmen dhe tha: “Mjaft.” Pastaj, me qetësi të madhe, e priste vdekjen. Më 3 janar 1988 poetja ndërroi jetë.
Vjersha e fundit që e kishte shkruar, është:
Dorëzohu
Ëndrra
e jeton
jetën time
deri në fund
II. Puqje
E paraqitëm biografinë e Rose Ausländer aq gjerësisht jo vetëm për shkak se përshkrimi i jetës së saj tragjike mund të duket sikur të ishte vetë letërsi dhe t’i shembëllente lëndës romani, por edhe për arsye se fati i poetes i ngjan fatit të hidhur shqiptar. Vepra e saj pasqyron përvoja individuale dhe kolektive të ngjashme me ato të shumë shqiptarëve.
Poezia e Rose Ausländer, në njërin e niveleve tematike, flet si për traumat e kombit të saj të shumëvuajtur ashtu dhe për vuajtjet e shumta personale siç janë: ikjet, shtypja, persekutimi, privimi nga të drejtat elementare, mjerimi material, rrezikimi nga shfarosja, mërgimi, të qenët në dhé të huaj, jeta prej Ahasveri, malli për vendlindjen e humbur.
Njëkohësisht, poezia e saj mund të jetë mësim dhe shembull i qëndrimit ndaj viktimizimit: vuajtjet dhe trajtimet çnjerëzore nuk i ka lënë harresës por i ka kujtuar, ndonëse pa paushallizim, pa mëri dhe pa u dhënë pas urrejtjes, qëndrim ky që e ka të përbashkët me autorët e viktimizuar nga diktatura e Shqipërisë pas lufte. Në vend që të mbyllej në hidhërim, ajo këndonte poezinë e pajtimit – ndonëse jo me torturuesit e personit, familjes e kombit të saj, jo me “bishën bionde njeriun”. Nuk është e rastit që titulli i një libri të saj, ashtu si dhe një sërë poezish të veçanta, flet për pajtim – për pajtimin me jetën, botën, me njerëzit njerëzorë. Roza e këndonte përputhjen me krijesat e bukura, dashurinë për kozmosin, natyrën, njeriun, gjuhën, për gjithçka që jeton, lëviz, merr frymë. Simbolet e shpeshta – lulet, bimët, era, fryma, yjet, dielli, qielli, engjëjt shpesh ngërthehen me atë të pluhurit, simbolit të natyrës kalimtare dhe mashtruese e të tretshmërisë së gjithshkahes. Përshkrimet e saj poetike të vuajtjeve të hatashme duken sikur gjak nën pëlhurë të hollë kadifeje të zezë.
Është edhe një element që mund t’ia afrojë lexuesit shqiptar opusin letrar të R. Ausländer – tekstura eliptike e poezisë së saj dhe ngërthimi i tekstit poetik me simbolikë të pasur e të fortë. Shumë nga vjershat e saj, sidomos nga faza e pjekurisë së saj të plotë krjijuese, mund të duken si përkthime nga opusi i një poeti shqiptar. Petku i jashtëm i poezisë së Rozës bëhej gjithnjë e më shumë lapidar derisa, vjetve të fundit, reduktohej pothuaj deri në ashtin e esencës së saj dmth., në fjalë kyçe.
III. Vepra
Poetja Rose Ausländer është ndër rastet të rralla krijuesish që i janë ngjitur majës më të lartë të Parnasit jo në rini, por në pleqëri të thellë. Vajza erudite dhe elegante kishte filluar si poete e talentuar vjershash sipas mostrave konvencionale metrike e të rimës, e ndikuar, siç ka thënë ajo vetë, nga Goethe e Heine dhe, më vonë e më fort, nga Hölderlin, Rilke, Trakl, Kafka. Gjatë procesit 50-vjetësh zhvillimi, poetja e talentuar është bërë poete e mirë, poete fort e mirë dhe më në fund, në pleqëri, poete e madhe. Struktura e rregullt e vjershave të saj u shemb për herë të parë nga mërgimi i parë në Amerikë ku poetja ballafaqohej me struktura plotësisht të reja, me një jetë e botë tjetër nga ajo e deriatëhershme. Struktura e rregullt e krijimit të saj u shemb për herë të dytë nga një çrregullsi ende shumë më radikale, ajo më e llahtarshme dhe ekstreme në jetën e saj – nga katër vjet tmerri e terrori nën zaptimin nazist. Më vonë, poetja rrëfeu se gjatë asaj kohe shkrimi ishte mjet për të mbijetuar: “Ose i dorëzoheshe deshpërimit ose shpërnguleshe në realitet tjetër, atë shpirtëror. Ne, hebrenjtë e dënuar për vdekje, ishim nevojtarë pa masë për ngushëllim. Dhe, sa e prisnim vdekjen, disa nesh banonin në fjalë ëndrrash – në vatrën tonë traumatike të të qenët pa vatër. Shkrimi ishte jeta. Ishte mbijetimi.” Përjetimet e skajshme prej ferri e tundnin thellë baraspeshën e poezisë së saj tradicionale, e thjeshtësonin dhe e qëronin formën e saj. Vuajtjet skëterre, poetja i jepte troç e pa patetikë, pa sentimentalitet.
Pas lufte
Pasi që kishim shitur badihava
se ç’kishim akoma
për t’u ngopur
mbeteshim të trishtuar
ndonëse jo pa shpresë
Të afërmit na vizitonin
dhe na flitnin
për gajret
Pas lufte
do të shihemi
me gëzime
Me këtë përshëndetje
shëndetin neve na lanë
e u vranë
Rose Ausländer ishte ndër ata 5000 shpirtra prej gjithsejt 60 000 hebrenjve të Çernëucit që i mbijetuan periudhës së persekutimit e të shfarosjes. Kjo do të thotë se gjuha amtare, gjuha e poezisë së saj, ishte edhe gjuha e dorasvë të kombit të saj. Poetja jo vetëm se e braktisi “rimën gjermane” por konstatoi edhe: “Fjalë lulesh veniteshin … Fjalori i vjetër duhej të shndërrohej. Yjet – nuk kam mundur t’i hiqja nga poezia ime pas lufte – dukeshin në një konstelacion tjetër.”
Shembjen e tretë e pësoi poezia e Rozës gjatë mërgimit të dytë në Amerikë, 1946-1963, ku njihej me poezinë e mikes Marianne Moore, me poezinë e E.E. Cummings, Wallace Stevens e T.S. Eliot, në SHBA ku për gati 20 vjet nuk ka mundur të zinte vend por ka mbetur një e huaj. Pasi që fill pas lufte, siç tha vetë poetja, disa vjet nuk ishte në gjendje të hidhte në letër dhe as një varg, në New York papritmas filloi, pa shkas, pa shtysë të jashtme, të shkruante “poezi amerikane” dmth., në anglishte “deri sa impulsi i brendshëm për këtë u zhduk po aq papandehur sa qe dukur .”
Gjatë udhëtimeve nëpër Europë (më 1957), poetja u njoh me poezinë e atëhershme moderne të kontinentit të vjetër, sidomos me atë në gjuhën gjermane të cilën ia afroi veçanërisht miku Paul Celan. Njohja me veprën e autorëve Paul Celan, Günther Eich, Ingeborg Bachmann, Marie Luise Kaschnitz, Karl Krolow, Peter Huchel, Nelly Sachs, Hilde Domin etj. shkaktoi reperkusionin e katërt të thellë mbi krijimtarinë poetike të R. Ausländer – ajo kaloi përfundimisht te vargu i lirë, poezia e saj bëhet gjithnjë e më e drejtpërdrejtë dhe gjithnjë e më e ngjeshur. Në fund të viteve të 50-ta del në dritë tonaliteti aq specifik dhe stili i saj i kursyer dhe gjithnjë e më i kristalizuar, stil ky që mund të përshkruhet me fjalët e poetit Oskar Loerke se poeti “duhet të ketë në vesh peshoren e peshës së fjalëve.” Jashtëzakonisht shpesh poetja e tematizonte fjalën, gjuhën. Terrori nazist e kishte traumatizuar dhe e kishte dëbuar autoren nga vendlindja e saj, e kishte shkatërruar kulturën në të cilën ishte rritur poetja. Hataja e fashizmit gjerman ia kishte shpartalluar dhe vjedhur gjithçka – lirinë, vendlindjen, shëndetin, pronën materiale dhe shpirtërore, me përjashtim të asaj që nuk mund të vidhet: gjuha. Kështu, është mjaft afër mendsh që gjuha bëhej pasuria e patjetërsueshme e poetes. Përveç kësaj, siç rrjedh nga biografia e saj, ajo çonte një jetë në të vërtetë prej Ahasveri dhe nuk lëshonte rrënjë asgjëkundi. Dëshmia më tronditëse për këtë është vendimi i saj më 1978 që të mos çohej më nga shtrati në të cilën u tërhoq për të mos bërë më gjë tjetër veç krijimit të vjershave. Me këtë, më në fund, në pleqëri të thellë të jetës së saj tragjike, e gjeti të vetmin atdhe dhe mëmëdhe që e kishte: gjuhën, fjalën.
Për procesin e kompozimit të poezive e të ndërthurjes së fjalëve në to, poetja është shprehur kështu: “Fjalët më diktojnë: shkruajna. Ato duhen lidhur me njëra-tjetrën, sikundër aleatë. Fjalë me fjalën. Një falangë fjalësh për mua, disa sosh kundër meje. Shpeshherë kam qëndrim skeptik, nuk dua t’i përkulem diktaturës së fjalëve dhe i hedh në ajër. Nëse janë më të forta nga ajri, kthehen te unë, më shkundin dhe më mundin deri sa të lëshoj pé. Tani, lërmani në paqe. Mirëpo, fjalët nuk janë figura të zëvendësueshme me të cilat mund të procedosh sipas qejfit. Unë i paskam keqkuptuar, më thonë ato, ato e paskan pasur fjalën për diç tjetër. Nuk janë të vendosura në vendin e duhur, më qortojnë. Të shenjta janë ato, sa për sy e faqe, duke qëndruar në faqen e bardhë paqedashëse dhe të palëvizshme. Punë iluzioni. Të ashpra janë ato, bile edhe ato nga më të butat. E shikojmë njëra-tjetrën. E dashurojmë njëra-tjetrën. O pemët e mia, yje të mia, vëllezër të mi – me këtë stil bisedoj me to. Ato, ndërkaq, ma kthejnë mbrapsht stilin, më mësyjnë e më detyrojnë t’i shtyj andej-këndej deri sa të besojnë se janë të vendosura në vend që u takon.” Për ritmin e punës së saj krijuese, poetja tha vetë: “Në të shumtën e rasteve, versioni i parë i një teksti shkruhet mbrenda pak minutave. Pastaj fillon puna, përpunimi që zgjatet ditë, javë dhe nganjëherë dhe vite të tëra. Për disa vjersha punoj njëzet versione deri sa të më kënaqë njëri i versioneve – ose asnjë.” Versionin e parë e hidhte me stenografi në një pusullë. Pas disa ditëve, me distancë të mjaftueshme kohore, e shikonte versionin e parë i cili zakonisht shënonte një mendim, një mendjeshkrepje. Me rastin e shikimit, ose e linte tekstin ashtu siç ishte, ose e përpunonte, zëvendësonte fillimin me fundin, korrigjonte, përmirësonte. Më vonë vendosi nëse teksti ishte për t’u hedhur a për t’u ruajtur.
Në vjershat e R. Ausländer trajtohen “të gjithat – e përgjithshmja dhe veçantja. Koha, përkohëshmëria, ëndrra, kozmikja, kritika e kohës sonë, pejsazhet, sendet, njerëzit, atmosfera, gjuha – të gjitha mund të jenë motive”, siç është shprehur autorja më 1976 në pasthënien e vëllimit të vjershave të zgjedhura, Gesammelte Gedichte. Poezia e saj merret me persekutimet e pësuara, me përvojat e mërgimit dhe të humbjes së vendlindjes, me ankthin e vetminë, me “kohën tonë çnjerëzore dhe çnjerëzuese”, me pajtimin dhe paqen, me misteret e kozmosit. Në qendër të rrethit tematik të poezisë së R. Ausländer, para së gjithash, qëndrojnë meditime për vdekjen dhe, në fazat e vonshme, për dashurinë. Dashuria, në këtë mes, nuk duhet të kuptohet vetëm në vështrimin e fjalës si dashuri vëllazërore për njerëzit, por edhe në vështrimin erotik siç na e tregon p.sh. kjo vjershë që është ndër poezitë më të bukura për dashuri në letërsinë gjermane:
Dashuri VI
Do ta rigjejmë njëri-tjetrin
në liqen
ti si ujë
unë si lule lotusi
Ti do të më mbajsh
unë ty do të pi
Do t’i takojmë njëri-tjetrit
në sy të të gjithëve
Bile yjtë
do të çuditen:
Dy këtu
janë rishndërruar
në ëndrrën e vet
që ata i zgjodhi
Kështu, rrumbullaksohet rrethi tematik i poetes thelbin e të cilit e përbën binomi vdekje-dashuri, alpha et omega e lashtë e poezisë, EROS-THANATOS:
Nuk heq dorë
Nuk heq dorë
unë
nga lulet dhe muzika
nga dufi im
nga uria e mijërave
nga buzëqeshja e një njeriu
nga fjalë të ashpra e të buta
nga të qenët
në një botë të pakapshme
Me gjithë qejf
unë heq dorë
nga vdekja
që nuk heq dorë
nga unë
Stili i Rose Ausländer është i veçantë. Kontakti me rrymat e ndryshme letrare i jeptë shtysa poetes sonë. Kështu, fryma e poezisë gjermane të viteve 50-të pasqyrohej në vjershat e Rozës dhe konciziteti i vjershërimit të fazës së saj të pjekurisë poetike mund të duket si jehonë e largët e vargjeve lapidare të Marianne Moore, William Carlos Williams a të autorëve të tjerë të Modernes amerikane. Megjithëkëtë, R. Ausländer kurrë nuk imitonte autorë të tjerë, por ishte poete plotësisht më vete dhe poezitë i thoshte gjithnjë me zë të pangatërrueshëm. Marie Luise Kaschnitz, njëra e poeteve më të njohura të letrave gjermane të pasluftes, kur u njoh me Rozën, i tha asaj të fundit: “Rose Ausländer, shih, ju shkruani vjersha shumë më të mira se unë.”
I vetmi ndikim i drejtpërdrejtë mbi poezinë e Rose Ausländer që do konstatuar dhe që mund të ndiqet në tërë opusin e saj letrar që nga fillimi deri te momenti i fundit, është ai i filozofisë së Constantin Brunner. Sipas Brunner-it, qëllimi më i lartë i jetës dhe i mendimit është “epshi kreativ për të vërtetën”. Etja e poetes për të vërtetën shkaktoi se religjioziteti i saj ishte mbikonfesional dhe larg çdo dogme, feja e saj nuk ishte izraelite dhe as krishtere por esenca e të gjitha feve. Filozofi Brunner e kategorizon mendimin në tri shkalla: “mendimi relativ” ose “arsyeja praktike” merret me punët e botës materiale dhe me orientimin në të, mendim ky që ngel në sipërfaqe, në realitetin banal, dhe nuk është në gjendje për të njohur dimensionin më të lartë të qenies gjë që do të thotë se percipimet e shiseve janë mashtrim. Në këtë kontekst, Brunner mohon dhe ekzistimin e kohës e të hapësirës. E përparmja dhe e përmbrapja, e poshtmja dhe e sipërmja e hapësirës, e mëparshmja dhe e mëvonshmja e kohës janë vetëm “pjesë të njëllojshme të Njërës hapësire dhe të Njërës kohe” kështu që zhbëhet polariteti i hapësirës dhe i kohës ashtu si dhe polariteti i subjektit dhe i objektit. Njohja, sipas filozofit Brunner, është e mundur vetëm me anë të “mësimit për lëvizjen” (“Bewegungslehre”) që do të thotë se rrënja e përbashkët e larmisë së sendeve qenka lëvizja (pasi në të vërtetë nuk ekziston as koha dhe as hapësira) kështu që lëvizja është shkaku i puqjes së qenësisë së të gjitha dukurive, gjë që konstituon ndërlidhurinë kozmike të të gjithave që ekzistojnë si dhe fokusin tjetër të “mësimit për lëvizjen” dth. konstanten e përjetshme të shumës së të gjitha lëvizjeve ekzistuese: “Tërësia e sendeve të kryehershme të lëvizura, me gjithë ndryshimin e ndërlidhjeve të tyre në shpejtësi e numër dhe me gjithë rritjen dhe humbjen (që shkaktohet asisoj) të sendeve të veçanta të përbëra, nuk mund as të shtohet dhe as të pakësohet; shuma e lëvizjes që ekziston amshueshëm, me gjithë rritjen dhe humbjen e shpejtësisë të lëvizjeve të veçanta që shkrihen me njëra-tjetrën, nuk mund të shtohet dhe as të pakësohet por mbet e pandryshuar dhe e njëjta për jetë të jetëve .” Konform këtij ligji të ruajtjes së energjisë, vdekja nuk është fundi, por vetëm kalimi prej një shkalle lëvizjeje në tjetrën. Vdes vetëm trupi si një formë specifike e lëvizjes për t’u shndërruar në formë tjetër lëvizjeje ashtu siç lumi derdhet në oqean pa u përfunduar ekzistenca e tij. Për këtë, për poeten Rose Ausländer, vdekja nuk është shkëputja e fillit të jetës por një dukuri që i paraprin domosdo lindjes, koncept ky që përputhet me pre-ekzistencializmin e Platonit si dhe me filozofinë budiste. Simboli aq i shpeshtë i frymës a frymëmarrjes në poezinë e R. Ausländer, kësisoj, është metaforë e lëvizjes, e jetës dhe e shndërrimit të vazhdueshëm e të pafund.
Kategoria e dytë mendimi, është “mendimi absolut” dmth., të menduarit për të vërtetën absolute, gjë që është një si instinkt i mendjes së njeriut dhe tipar arketipik i njeriut. Në poezinë e R. Ausländer, trëndafili simbolizon mendjen e njeriut ndërsa gjembi (ose shpata a kama) simbolizon materien. Sipas Brunnerit, të menduarit është absolutja a thelbi i gjithë asaj që ekziston dhe kështu edhe thelbi i Unit të vërtetë sepse qenësia (= mendimi) e të gjitha sendeve dhe dukurive pasqyrohet pandërprerë në thelbin e ekzistencës së Unit: “Unë jam në të gjithë botën, e gjithë bota është në mua .” Brunner kërkon kthimin e Unit nga brenda për të kërkuar në brendësi “të menduarit” dth. Unin e vërtetë. Këtë proces na e simbolizon motivi i shpeshtë i pasqyrës në poezinë e Rozës. Në shumë vjersha të R. Ausländer del sheshit koncepti i shkrirjes së të gjitha sendeve, koncepti i unitetit i të gjithave, koncepti i pakufishmërisë së gjithë qenies. Rrjedhja e përjetshme e lëvizjeve resp. e formave të ekzistencës, shndërrimi dhe kalimi i pafund i dukurive paraqiten me simbolet e ujit dhe të detit. E vërteta absolute, sipas Brunnerit, është e vërteta e të menduarit absolut, njohja e qenies në lindjen e saj, e së përhershmes në të përkohshmen, e unitetit në shumëllojshmërinë, gjë për të cilën mjetet e zakonshme të gjuhës nuk mjaftojnë – andej lind përdorimi aq i shpeshtë i shprehjeve paradoksale në poezinë e Rose Ausländer.
Kategorinë e tretë të mendimit, Brunneri e quan “analogon”. “Analogoni” është fuqia më e fortë dhe konstante në botë, fuqi kjo që përfton lufta, persekutime, shtypje, fanatizma, terror, gjenocid. Ky “analogon” është pseudo-mendimi, mashtrimi i të menduarit, ngatërrimi i së vërtetës me pseudo-të vërtetën. Ky parim elementar, mendimi i mbrapshtë, konfondimi i mendjes me mendësinë e mbrapshtë, simbolizohet në poezinë e Rose Ausländer me anë të motiveve siç janë: tymi, pluhuri, hiri, mjegulla.
Në fund, vlen të theksohet se krijimtaria poetike e Rose Ausländer, me gjithë elementin tepër të rëndësishëm filozofik, shquhet për harmoninë e saj mes formës dhe brendisë, mes emocionit dhe mendimit, mes zemrës e mendjes. Ta themi me fjalën e mikut të poetes sonë, Alfred Margul-Sperber: në poezinë e saj “qëndron një peizazh mendor që na trondit shpirtërisht, një zemër mendimtare që këndon.”