Martin Camaj i ende i pazbuluem-Hans-Joachim Lanksch/Fragment nga libri

in Letërsi by

Hans-Joachim Lanksch

Mâ shumë se ndamja prej vendlindjes atë e dëshpëronte fati i poezive të tij. Në periudhën e “kthesës” në Shqipëri ai tha: “Në Shqipëri kanë filluar të interesohen për poezitë e mia”. Ky interesim e gëzonte dhe e turbullonte. “Nuk e di nëse ishte mâ mirë kur poezitë e mia ishin të ndalueme. Tash të gjithë munden me i lexue ato. Dhe kanë me fillue me i interpretue”. Ai i urrente interpretimet e poezive të tij, sidomos ata që u veshnin atyne nuanca politike.

Në nji prej poezive të tij bâhet fjalë për një kukull me nji pê të kuq në qafë, tek nji monument herët në mëngjes. Nji interpretues shkruente: “Peri i kuq është komunizmi”. Martin Camaj u zemërue dhe tha, shkurt e prerë, siç e kishte zakon: “Peni i kuq âsht nji pê i kuq”.

Martin Camaj nuk ishte nji poet politik. Ai ka shkrue shumë pak poezi me tematikë politike. Në to ai nuk pozicionohet por merret me temën e dhunës. Ai ishte nji njeri fund e krye paqësor. Për vite me radhë ai vinte çdo javë tek unë-edhe kjo asht tipike për Martin Camajn: profesori dhe mësuesi shkon tek nxanënësi-dhe nuk ka pasur asnjiherë grindje! Camaj nuk i ka thurur lavde komunizmit si shumë të tjerë, dhe nuk ka shkrue poezina urrejtjeje ndaj komunizmit si shumë të tjerë.

Camaj nuk ka kenë nji poet kombtar, lirika e tij përfshin tema psikologjike dhe filozofike. Ai ban pjesë tek ato raste të jashtëzakonshne lirikësh shqiptarë, të cilët, si Lasgush Poradeci, nuk i thurin vargje tematikës kolektive kombtare, por trajtojnë tema individuale dhe universale e në të njëjtën kohë tue mbetë në mënyrë imanente e të pashembullt autorë shqiptarë.

Në mbyllje edhe diçka në lidhje me klishenë që e konsideron Camajn si nji tradicionalist të vjetruem dhe poet idilik atdhetar. Tue futë vargun e lirë, shkallën e naltë të abstraksionit dhe të simbolikës, Martin Camaj-bashkë me Zef Zorbën-ishte i pari poet modern në letërsinë shqiptare.

Tue u mbështetë mbi inventarin tradicional-mbi metrikën e kangëve popullore shqiptare dhe mbi koloritin e pejsazhit malor shqiptar- Camaj shkroi lirikë moderne. Në poezitë e tij nuk gjen vetëm koloritin e malit dhe të shkambit, por edhe një spektër të gjanë motivesh dhe temash, që nga kanuni e deri tek ambienti urban.

Natyra dhe pejsazhi në poezitë e Camajt, me disa përjashtime të pakta, janë kërcënuese. Vargjet e Fatis Arapit, i cili gjithashtu asht shkëputë prej vargut të rimuem, të ftojnë të shtriqesh në detin Jon të poezive të tij të bukura. Në pjesën dërrmuese të poezive të Camajt mbi natyrën nuk ka rehati. Apo do të kërkonit prehje nëpër Qafa malesh përreth/të mbylluna me dhambë uhqish/n’jerm?

Botuar nga Shtëpia Botuese “Albas”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top