Author

Admin - page 156

Admin has 1611 articles published.

Vargje për Merilin Monronë – Pierpaolo Pasolini

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Vargje për Merilin Monronë-Pierpaolo Pasolini

 

Prej botës së vjetër e prej botës së re
Kish mbetur veç bukuria, dhe ti
E mjera motërz miturake
Që rend pas vëllezërve më të mëdhenj
Dhe qesh e qan me ta, për t’i imituar,
Ti, motërza më e vogël
Atë bukuri e mbaje veshur me aq përulësi
Dhe shpirti yt prej bije të vegjëlisë
Kurrë nuk e diti se e mbaje veshur
Përndryshe s’do të ish bukuri.

Por bota ta mësoi
Kështu që bukuria jote u bë e botës
Prej së frikshmes botë të vjetër, prej së frikshmes botë të re
Kishte mbetur vetëm bukuria, dhe ti
E more me vete, siç merret një buzëqeshje e bindur.
Bindja lyp shumë lotë të gëlltitur,
T’i jepesh të tjerëve, shumë shikime gazmore
Që kërkojnë mëshirën e vet! Kështu pra
E more me vete bukurinë tënde.

U zhduk si një dromcë pluhur ari.

Prej idiotes botë të vjetër
Dhe prej së pamëshirshmes botë të re
Kishte mbetur një bukuri që nuk turpërohej
Të tregonte gjinjtë e veckël të motërzës
Barkun e vockël, aq lehtësisht të zhveshur.
Pikërisht prandaj ajo qe bukuri, e njëjta
Që kanë vajzat e ëmbla të botës tënde…
Vajzat e tregtarëve
Fituese konkursesh bukurie në Majemi a Londër.

U zhduk si një pëllumbeshë e artë.

Bota ta mësoi
Ndaj bukuria jote nuk ishte më bukuri.
Por ti vazhdove të ishe fëmijë
E papjekur, si lashtësia, mizore si e ardhmja
E mes teje e bukurisë tënde të pronësuar prej Pushtetit
U vendos gjithë idiotësia dhe mizoria e së tashmes.
E mbaje gjithnjë me vete, siç mbahet një buzëqeshje ndër lotë,
E paturp prej përtesës, e pafytyrë, prej bindjes.

U zhduk si një pëllumbeshë e bardhë, e artë.

Bukuria jote e mbijetuar e botës së vjetër
E kërkuar prej botës së ardhme, e pronësuar
Prej botës së tashme, u bë sëmundje vdekjeprurëse.

Tashti vëllezërit e mëdhenj më në fund kthejnë fytyrën
I ndalin për një çast lojërat e tyre të nëmura
Dalin prej shpërqendrimit të tyre të palodhshëm
Dhe pyesin: “A është e mundshme vallë që Merilina
E vockla Merilinë, të na ketë rrëfyer udhën?”

Tani je ti
Ajo që s’vlen më hiç, e mjera, me buzëqeshjen e saj
Je ti e para përtej dyerve të botës
Së braktisur në fatin e saj vdekatar.

Përktheu: Arbër Zaimi

 

Një pyetje e Colbert-it për Clinton-in: “Pse u habitët kur u pyetët për Lëvizjen #MeToo?”/Giovanni Russonello

in Feminizëm by

Clinton, Lewinsky dhe Lëvizja #MeToo

 

Stephen Colbert e detyroi të martën ish-presidentin Bill Clinton të shpjegonte pse mori pozita mbrojtese ndaj pyetjeve në “Today” Show-NBC, në lidhje me çështjen e tij në fund të viteve 1990-të me Monika Lewinsky-n, më vonë interne në Shtëpinë e Bardhë.

Në intervistën, e cila u transmetua të hënën, Clinton-i i tha Craig Melvin-it, NBC, se ai nuk do ta ndryshonte kurre përgjigjen e tij ndaj skandaleve të dala në dritë dhe Lëvizjes #MeToo.

Clinton-i, i cili u shfaq në “The Late Show” për të promovuar romanin e ri, shkruar me James Patterson-in, pranoi se intervista e “Today” nuk ishte një nga orët e tij më të mira. Por më pas ai e zmadhoi në pjesën më të madhe atë që kishte thene.

“Kërkova ndjesë për familjen time, për Monica Lewinsky-n dhe familjen e saj, për popullin amerikan. Ishte e vërtetë atëherë ajo ndjesë, është e vërtetë tani”, tha Clinton-i. “Kam jetuar me pasojat, çdo ditë, që nga ajo kohë. Dhe unë ende besoj se kjo Lëvizje#MeToo është e nevojshme dhe duhet të mbështetet”.

Megjithatë, Colbert-i e vazhdoi me tej, duke i sjellë në vëmendje nëse Clinton-i e kuptoi me të vërtetë shkakun se përse gazetarët dhe aktivistët e Lëvizjes #MeToo mund të jenë të interesuar të rinvestigojnë sjelljen e tij.

“Duket sikur për shpirtin e Lëvizjes #MeToo nuk ka rëndësi se përpara sa kohësh ka ndodhur ngjarja; shembuj të burrave që nuk kanë treguar përgjegjshmëri në sjelljen e tyre – sidomos burrat në pushtet, me gratë e reja, ose njerëzit që punonin për ta – e denjë për t’u lexuar”, theksoi Colbert-i.” Më duket pesimist fakti që u ndjetë i fyer ngaqë u pyetët për këtë gjë, kur – me gjithë respektin, zotëri – sjellja juaj ishte shembulli më i famshëm që kam parë në gjithë jetën time; i një burri të fuqishëm, që abuzon seksualisht në vendin e punës. Dhe si i tillë nuk duhet të duket e habitshme që t’ju bëhet kjo pyetje. Pse ishit i habitur?”

Clinton-i u tërhoq duke thënë se ai kishte mirëpritur pyetje të ngjashme nga intervistues të tjerë se fundmi, por se linjën e pyetjes së Melvin-it e kishte ndjerë te padrejtë.

“Nuk më pëlqeu fakti që filloi me një pohim se në thelb unë nuk kisha kërkuar kurrë falje, sikur nuk isha përpjekur kurrë të përballesha me këtë gjë dhe sikur të mos kishte pasur asnjë përpjekje nga ana ime për ta pranuar përgjegjësine”, tha Clinton-i .

Colbert-i më pas e pyeti Clinton-in nëse e shqetësoi raporti i “The New York Times”-it ku shkruhej se kandidatët demokratë nuk po i drejtohen atij për ndihmë në zgjedhjet e këtij viti, për shkak të së shkuarës së tij jo fort të denjë me gratë.

Clinton-i e luajti mirë pjesën, duke thënë, “Do të isha mirënjohës po të qëndroja jashtë primareve.”

Përktheu: Arlinda Guma

 

Me Michelangelo-n ishte sikur të shkoje në një operacion zemre. Me Federico-n ishte sikur të shkoje në një piknik*/ Charlotte Chandler

in Kinema by

Ata shokët italianë janë njëqind vjet përpara nesh…

Alfred Hitchcock

 Charlotte Chandler

Darkat e mia me Federico-n dhe Michelangelo-n…

Mjeshtrat e filmit; Michelangelo Antonioni dhe Federico Fellini konsideroheshin si kundërshtarë, madje edhe rivalë, prej publikut. Por për autoren që kishte miqësi me të dy, ata jetonin jetë paralele në qasjet ndaj artit dhe romancave të tyre epike.

Në njëfarë mënyre Michelangelo Antonioni dhe Federico Fellini, dy regjisorët më të mëdhenj të filmit, të cilët spikatën në Itali pas Luftës së Dytë Botërore, nxitën një rivalitet në imagjinatën e publikut, që nuk ekzistonte në të vërtetë për asnjërin prej tyre. Entuziastët e kinemasë nganjëherë pyesin: “A je një Fellini apo një Antonioni?”, ashtu siç do të të kërkonin të bënit një zgjedhje tjeter të nevojshme krijuese: “Tolstoi apo Dostojevski?”

Unë kam patur miqësi me të dy këta artistë të shquar dhe me gratë e tyre, për shumë vite. Kam shkruar një libër për një prej tyre – Unë, Fellini (1995) – dhe shpresoj të shkruaj një libër për tjetrin, i cili vdiq në vitin 2007. E vërteta është se ata kanë bërë jetë paralele. Ata e filluan karrierën e tyre si gazetarë, dhe të dy ishin artistë të cilësorë. I riu Antonioni projektoi arkitekturën; Fellini i ri kartonat. Të dy u inkurajuan nga Roberto Rossellini, gjeniu i kinemasë neo-realiste italiane, e cila ishte një mentore në fillim të karrierës së tyre. Edhe pse kurrë nuk u bënë miq të ngushtë, të dy tregonin shumë respek për punën e njëri-tjetrit. Filmi i Fellin-it, i vitit 1952 “Sheiku i bardhë”, u bazua në një histori nga Antonioni, dhe kur Fellini xhironte: “Dhe anija vazhdon të lundrojë”, në vitin 1982, Antonioni e vizitoi atë në setin e Cinecittà-së. Të dy krijuan kryevepra bardh e zi si edhe në ngjyra.

“Fellini dhe Michelangelo ishin dy anët e së njëjtës monedhe”, më rrëfente Enrica, e veja e Antonioni-t. “Njerëzit thoshin se ishin kundërshtarë, por ata ishin binjakë, edhe pse kurrë nuk e ditën këtë. Michelanglo im shihej si një regjisor, i cili donte të bënte filma elitarë për pak vetë, por me të vërtetë ai donte të bënte filma që të gjithë do të donin t‘i shihnin, ashtu si Fellini… si Fellini.”

Antonioni më tha njëherë: “Unë besoj se Federico në filmat e tij ishte më shumë i shqetësuar me jetët e jashtme të publikut. Unë jam i shqetësuar me jetët e tyre të brendshme.”

Fellini më tha: “Ndiej se trashëgimia ime si regjisor filmi anon nga artistikja, ndërsa ajo e Michelangelo-s nga letërsia. Filmat e mi, ashtu si jeta ime, përmblidhen në  cirkun; spageti, seks dhe kinema.”

Të dy këta regjisorë u nderuan nga Shoqata e Filmit të Lincoln Center, në New York – Fellini në vitin 1985, Antonioni në vitin 1992 dhe regjisorë në mbarë botën, që nga Akira Kurosawa te Ingmar Bergman, flisnin për filmat e tyre. Në 1963, Stanley Kubrick tha se “Nata” ishte një nga 10 filmat e tij të preferuar. I riu Steven Spielberg shkroi që t’i tregonte Fellinit se ky i fundit ishte një frymëzim për të. Alfred Hitchcock-u, një admirues entuziast i të dyve tha më të mirën për ta. Në vitin 1978, kur unë shkruaja një biografi të tij, më tha: “Ata shokët italianë janë njëqind vjet përpara nesh!”.

“Duke parë në të shkuarën”, më rrëfente aktori Marcello Mastroianni, në vitin 1993, “Mendoj se Federico dhe Michelangelo ishin kreativisht të ngjashëm, edhe pse punonin ndryshe. Me Michelangelo-n, ishte sikur të shkoje në një operacion zemre, që nuk ishte i yti. Me Federico-n ishte sikur të shkoje në një piknik.”

Mastroianni bëri dy filma me Antonioni-n, “Nata” dhe “Përtej reve”(1995), dhe luajti në katër filma   Fellini-t:“La Dolce Vita”, “8 ½”, “Qyteti i grave”(1980) dhe “Ginger dhe Fred”(1986).

Fellini, i cili shpesh i vizualizonte personazhet e tij në kartona përpara se t’i materializonte me aktorë, më tha se kishte kërkuar që në fillim Mastroiannin për “La Dolce Vita”-n. “Por Marcello donte një skenar. I dhashë atij një dorëshkrim të trashë, secila faqe bosh, përveç të parës. Në të ishte një pikturë që kisha vizatuar, duke treguar karakterin e tij ashtu siç e shihja unë. Mastroianni ishte vetëm në një barkë të vogël në mes të oqeanit dhe kishte përreth saj sirena deti, zonjusha të bukura që notonin. Marcello pa pikturën dhe tha: “Është një pjesë interesante. Do ta bëj!”

Te “Ginger dhe Fred”, Mastroianni luajti kundershtarin e Giulietta Masina-s; gruaja e Fellini-t dhe ylli i katër filmave të tij më të mëdhenj.

Në vitin 1943, Fellini e dëgjoi atë në një serial për radio të shkruar nga ai vetë. I pëlqeu zëri i saj dhe i telefonoi për ta ftuar për darkë. Disa muaj më vonë u martuan dhe mbetën së bashku për 50 vjet. Në fillim të martesës, Masina u rrëzua dhe humbi një fëmijë. Shpejt ajo pati një fëmijë tjetër, të cilin e quajtën Federico, por kur fëmija ishte dy javësh, vdiq. Giuliett-ës iu tha se nuk mund të kishte më fëmijë. “Giulietta ishte aq e re,” më rrëfeu Federico, “dhe dukej më e re seç ishte, një vajzë e pafajshme, derisa foshnja Federico vdiq. Pas kësaj ajo kurrëmë nuk dukej aq e re. Foshnja Federico, që nuk u rrit kurrë, ishte një pengesë midis nesh.”

Në fund të viteve 1950-të, Antonioni zbuloi aktoren Monica Vitti, e cila do të shndriste në katër filmat e tij më të mëdhenj gjatë dekadës së ardhshme: “Aventura”, “Nata”, “Eklipsi” “Shkretëtira e kuqe”. Ashtu si Fellini dhe Masina, ata gjithashtu kishin një marrëdhënie intensive. Antonioni kishte apartamentin e tij të Romës, i cili të çonte në një derë të fshehtë me shkallë në formë spiraleje në banesën e Viti-t, e cila jetonte në katin e poshtëm në mënyrë që ata të mund ta vizitonin njëri-tjetrin pa rënë në sy. Kur marrëdhënia e tyre përfundoi, Antonioni e kishte mbyllur derën në dysheme. Enrica, gruaja e tij e dytë, me të cilën ai u martua pas marrëdhënies me Viti-n, njëherë ngriti qilimin për të ma treguar vendin. Në vitin 1971, Enrica kishte qenë studente artesh në Milano që kërkonte punë në Romë. Pasi kuptoi se ajo kishte “këmbët më të bukura në botë”, Antonioni e punësoi për të punuar si asistente e veshjeve dhe ata qëndruan së bashku deri në vdekjen e tij.

Fellini dhe Antonioni u nderuan të dy me çmimet Oscar, dhe unë isha me të dy kur ata i morën ato çmime. Në vitin 1992, kur Fellini mësoi se do të shpërblehej me këtë Oscar – ai tashmë e kishte marrë një për “Netët e Cabirias” si filmi më i mirë i huaj – ai ishte shumë i lumtur, por mendimi i të fluturuarit deri në Kaliforni për ta marrë çmimin e la shumë të pakënaqur. Në dhimbje të vazhdueshme nga artriti, Fellini kishte frikë nga fluturimi i gjatë dhe nuk mund të përballonte të mbante fjalimin e tij në mbrëmjen galá. Zgjidhja e tij ishte që Giulietta të shkonte dhe ta merrte çmimin për të. Megjithatë shumë shpejt, çdo shofer taksie në Romë filloi t’i thoshte: “Duhet të shkosh, Fefe, për Italinë!” Kështu që ai u zbut. Në një çast të paharrueshëm të mbrëmjes së Oscar-ve, ai vështroi publikun dhe dalloi Giuliett-ën, e cila ishte aq krenare dhe e lumtur, saqë po qante. Ai tha në mikrofon: “Faleminderit e dashur Giulietta! Dhe te lutem mos qaj.” Më vonë ai më tha:“Ai çast shenjoi jetën tone!”

Isha në shtëpinë e Antonioni-t, në Umbria, kur Enrica dëgjoi se Michelangelo ishte duke u konsideruar për Oscar-in e veçantë të vitit 1994. “Ne duhet t’i kërkojmë një bekim Shën Françeskut”, më tha ajo, dhe shkuam në Bazilikën e afërt të Shën Françeskut të Asizit.” Enrica më mori dorën dhe u lutëm së bashku. Sigurisht, përsëri në shtëpi, Michelangelo i bizëqeshur na informoi se sapo kishte mësuar se po e merrte Oscar-in.

Në Hollywood, një shishe shampanjë priste për Antonionët në hotelin e tyre. Një pusullë shkruante”Joy!” Dhe ishte nënshkruar “Jack”. Jack Nicholson luajti në vitin 1975, në “The Passenger”. Ata nuk e hapën shampanjën në hotel, por e morën atë në Romë, ku u shërbye në festën e përfundimit të filmit të ardhshëm të Antonioni-t: “Përtej reve”.

Në vitin 1985, Antonioni pësoi një goditje në tru. Në spital, i pamundur për të folur, ai vuri një unazë në gishtin e Enric-ës, dhe ajo pranoi të bëhej gruaja e tij. Me kalimin e kohës, Antonioni rifitoi disa nga aftësitë e tij për të lëvizur dhe për të folur, edhe pse të dyja me vështirësi. “Kishte një avantazh në atë goditje,” më tha ai. “Që kur isha djalë, unë kam pasur një tik nervor në fytyrë. Goditja e mori me vete.”

Ndonëse ai e shkroi vetë fjalimin e tij të Oscar-it, e dinte se nuk mund ta lexonte, kështu që e rregulloi që Enrica ta lexonte për të. Kur mbaroi, ai kishte planifikuar të thoshte vetëm një fjalë: “Faleminderit!”

Përpara provës për Oscar-in, Jack Nicholson, i cili do të jepte statujën, hyri në dhomën e veshjes së Antonioni-t me një buzëqeshje të madhe. Ata nuk e kishin parë njëri-tjetrin për një kohë të gjatë. Takuan duart dhe Nicholsoni i tha:”Bir kurve!”

Kur Antonioni dhe Enrica prisnin të dilnin në skenë natën e ceremonisë, Nicholson-i i pëshpëriti atij: “Mos u shqetëso të kontrollosh zinxhirin e pantallonave për të parë nëse është i hapur, Mickey. Të gjithë do të shohin Enricën.” Ndërsa Antonioni automatikisht shikoi poshtë, Nicholson-i qeshi dhe i tha:”Ta hodha!”

Çaste më vonë, Antonioni i shqiptoi qartë falënderimet e tij dhe mori shumë ovacione të trazuara prej publikut.

Në vitin 1993, Fellini pati gjithashtu një goditje në tru. Giulietta ishte shumë e sëmurë në atë kohë, prandaj ai ishte i vendosur të largohej nga spitali për aq kohë sa të festonte përvjetorin e 50-të të martesës, i cili ishte vetëm disa javë larg. Ishte e diel dhe të gjithë restorantet e tyre të preferuar ishin mbyllur, por ai më në fund gjeti një të përshtatshëm. Mjeku e kishte paralajmëruar që të mos hante mozzarella, një nga ushqimet e tij të preferuara, por kur e pa në menu, ai shkoi përpara dhe e porositi. U mbyt me një copë, dhe më vonë, po atë ditë pësoi një goditje dhe ra në koma. Nuk iu rikthye më kurrë vetëdija…

Fellini vdiq më 31 Tetor të vitit 1993, në moshën 73 vjeçare. Giulietta vdiq katër muaj më vonë. Fjalët e saj të fundit ishin “Do kaloj Pashkët me Federico-n.”

Antonioni, në dallim nga Fellini mbijetoi për 14 vjet. Humbja e shikimit i mori dhe aftësinë për të pikturuar. Dy ditë përpara se të vdiste, ai i kërkoi Enric-ës ta çonte përreth Romës, në mënyrë që të “shihte” vendet që kishin më shumë rëndësi për të.

“Do telefonoj ndonjë prej miqve tanë të ngasë makinën”, i tha ajo.

“Jo, nuk dua te shoh askënd tjetër atje, përveç teje”- i tha ai.

Ditën tjetër, Enrica e çoi në të gjitha vendet që i kërkoi Michelangelo. Ai i kërkoi t’i tregonte gjithçka që shihte dhe u ul me fytyrën ngjitur në xhamin e dritares së veturës.

Në ditën e fundit të jetës së tij, më 30 Korrik të vitit 2007, ata u ulën pranë dritares së banesës së tyre, duke mbajtur duart e njëri-tjetrit. Ai ishte 94 vjeç.

Enrica, më vonë do të kujtojë:”Michelangelo ishte gjithmonë në kërkim të një vendi ku të mundte të vendoste kamerën, edhe nëse shkonim për një shëtitje apo për të pirë kafe. Ndonjëherë kjo më irritonte, sepse ai nuk më kushtonte vëmendje mua. Kamera ishte “dashnorja” e tij dhe unë kurrë nuk do të mundja të konkurroja me të. Pastaj filloi të humbasë shikimin. Kur Michelangelo nuk shikonte më, u ndal së kërkuari vende për kamerën e tij. U përpoqa t’i sugjeroja vende të mira, por ai nuk u kushtonte vëmendje fare. Gjëja më e çuditshme është se edhe tani, pas vdekjes së tij, unë vazhdoj të kërkoj një vend për të që të vendosë kamerën. Shoh vende dhe mendoj:“Michelangelo, si thua per këtë vend?”

Përktheu: Arlinda Guma

*Titulli është redaksional

 

“Këpucët në breg të Danubit”

in Kronikë në sepia by

“Këpucët në breg të Danubit” – titullohet ky monument, që ndodhet në Budapest, Hungari.

Ai është ndërtuar në kujtim të 3500 të vrarëve nga fashistët gjatë  Luftës së Dytë Botërore.

800 prej tyre ishin hebrenj.

Ata u urdhëruan t’i hiqnin këpucët dhe u qëlluan pranë lumit, në mënyrë që trupat e tyre të binin në ujë dhe t’i merrte rrjedha.

Monumenti paraqet këpucët e tyre të mbetura në breg…

Nga një letër e Aldous Huxley-t për George Orwell-in: – Dystopia ime është më e mirë se e juaja!

in Letërsi by

Më 21 Tetor të vitit 1949, disa muaj pas botimit të “1984”-ës, George Orwell mori një letër nga Aldous Huxley, të cilit “Brave New World” i ishte botuar 17 vjet më parë.

Huxley konkludon:

Brenda gjeneratës së ardhshme, besoj se sundimtarët e botës do të zbulojnë se kushtëzimi i të miturve dhe narko-hipnoza janë më efikase si instrumente të qeverisjes, se sa klubet dhe burgjet, dhe se epshi për pushtet mund të përmbushet kënaqshëm duke u sugjeruar njerëzve të bien në dashuri me skllavërinë e tyre, po aq sa duke i rrahur dhe duke i detyruar të binden. Me fjalë të tjera, mendoj se makthi i “1984”-ës është i destinuar të modifikohet në një makth të një bote që ka më shumë ngjashmëri me atë që unë imagjinova në “Brave New World”. Ndryshimi do të vijë si rezultat i një nevoje të ndjerë për rritjen e efikasitetit. Ndërkohë, natyrisht, mund të ketë një luftë biologjike dhe atomike në shkallë të gjerë – në këtë rast do të kemi edhe makthe të tjera, vështirësisht të imagjinueshme.

Përktheu: Arlinda Guma

 

 

Një buzëqeshje për t’u kujtuar – Charles Bukowski

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Një buzëqeshje për t’u kujtuar – Charles Bukowski

 

Ne kishim ca peshq të kuq,
dhe ata vërtiteshn rreth e rrotull,
në tas, mbi tavolinë, pranë perdeve të rënda,
që mbulonin pamjen që dukej prej dritares.

Nëna ime, gjithmonë duke buzëqeshur,
na donte të gjithëve të ishim të gëzuar.
Më thoshte: – Ji i gëzuar Henri!
Dhe kishte të drejtë,
është më mirë të jesh i gëzuar kur mundesh 
Por babai vazhdonte ta rrihte,
atë dhe mua,
disa herë në javë.
Ai nuk arrinte të kuptonte çfarë e sulmonte së brendshmi.

Nëna ime, peshk’ i shkretë,
donte të ishte e gëzuar,
ashtu e rrahur dy apo tri herë në javë,
duke kërkuar prej meje të isha i gëzuar:
– Buzëqesh Henri!
Përse nuk buzëqesh kurrë?

Pastaj ajo do të buzëqeshte për të më treguar si…
Dhe ishte buzëqeshja më e trishtë që kisha parë ndonjëherë…

Një ditë peshqit e kuq vdiqën, të gjithë, të pestë…
Ata pluskonin mbi ujë me sytë ende të hapur,

dhe kur babai u kthye në shtëpi,
ia hodhi ata maces,

atje në dyshemenë e kuzhinës,

dhe ne pamë se si nëna buzëqeshi…

Përktheu nga anglishtja: Arlinda Guma

Mendimi se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën, në vetvete është një qëndrim politik/ George Orwell

in Letërsi by

George Orwell

     Pse Shkruaj

Qysh në moshë shumë të vogël, ndoshta pesë a gjashtë vjeç, e dija se kur të rritesha do të bëhesha shkrimtar. Dikund mes moshës shtatëmbëdhjetë dhe njëzet e katër vjeçare u rreka ta braktis këtë ide dhe veprova kështu me vetëdijen se po dhunoja karakterin tim të vërtetë dhe se shpejt a vonë do të më duhej të ulesha e të shkruaja libra.

Isha i mesmi i tre fëmijëve, por kishte një diferencë prej pesë vjetësh nga të dy anët dhe rrallë se mund ta shihja babain para moshës tetë vjeçare. Për këtë e arsye të tjera, isha disi i vetmuar dhe shpejt zura të ftilloja manierizma të pakëndshme që më bënë të papëlqyer gjatë kohës sime shkollore. Kisha zakonin e fëmijës së vetmuar që trilloja histori dhe hyja në muhabet me njerëz të imagjinuar dhe mendoj se qysh nga fillimi, ambiciet e mia letrare ishin përzier me ndjenjën e të qenit i izoluar dhe i nënvlerësuar. E dija që kisha lehtësi me fjalët dhe po kështu, forcë për t’u përballur me gjëra të padëshirueshme dhe pata ndjesinë se kjo krijonte njëfarë bote private ku mund të kthehesha prej dështimeve të botës së përditshme. Megjithatë, volumi i shkrimeve serioze – p.s. të menduara seriozisht – që u krijua gjatë gjithë fëmijërisë dhe djalërisë sime nuk e arrinte dot një gjysmë dyzine faqesh. Poezinë time të parë e shkruajta në moshën katër a pesë vjeçare dhe ia diktoja sime ëme. S’më kujtohet ndonjë fragment i saj përveçse ishte për një tigër dhe ky tigri kishte “dhëmbë si karrige” – një frazë goxha e mirë, por ma ha mendja se poezia ka qenë një plagjiaturë e “Tigër, tigër” e Blejkut. Në moshën 11 vjeçare, kur shpërtheu lufta e 1914-1918, unë shkrova një poezi patriotike e cila u botua në gazetën lokale, ashtu si dhe një tjetër dy vjet më vonë, mbi vdekjen e Kitchener-it. Kohë pas kohe, kur isha ca më i madh, shkrova “poezi për natyrën” të shëmtuara dhe shpesh të paçuara deri në fund, në stilin xhorxhian. Po kështu, pothuajse dy herë, u përpoqa të shkruaj një tregim, i cili qe një dështim i frikshëm. Nga tërë ajo vepër serioze që kisha planifikuar, kjo ishte gjithë sa hodha në letër gjatë atyre viteve.

Megjithatë, gjatë tërë kësaj kohe, në njëfarë kuptimi, unë u angazhova në aktivitete letrare. Sa për fillim, ishte një material i porositur të cilin e krijova menjëherë, lehtë dhe pa ndonjëfarë kënaqësie për veten. Përveç punës në shkollë, shkruajta vers d’occasion, poezi gjysmë-komike të cilat i përfundoja me atë që tash më duket shpejtësi tronditëse – në moshën katërmbëdhjetë vjeçare shkruajta një komedi të tërë me rimë, duke imituar Aristofanin, përreth një javë – dhe ndihmoja në botimin e gazetës së shkollës, edhe e shtypur, edhe në dorëshkrim. Këto revista ishin gjërat më mëshirëndjellëse e burleske që mund të imagjinoni ndonjëherë dhe unë merresha me to atëherë po aq sa merrem tani me gazetarinë më të pavlerë. Por krah për krah me gjithë këtë, për pesëmbëdhjetë vjet a më shumë, po mësoja një ushtrim letrar të një natyre mjaft tjetër: kjo ishte krijimi i një “historie” në vazhdim e sipër rreth meje, njëfarë ditari që jetonte vetëm në mendjen time. Mendoj se ky është një zakon i rëndomtë i fëmijëve dhe adoleshentëve. Kur isha shumë i vogël, shpesh përfytyroja se isha, le të themi, Robin Hudi dhe e përfytyroja veten si hero të aventurave drithëruese, por shumë shpejt “historia” ime pushoi së qeni narciziste në një mënyrë mizore dhe u shndërrua përherë e më tepër në një përshkrim të thatë të asaj që bëja dhe gjërave që shihja. Për minuta me radhë kjo farë gjëje më nëpërshkonte mendjen: “Ai shtyu derën dhe hyri në dhomë. Një rreze e verdhë drite, pasi ndërshkoi perdet e muslinit, u përplas mbi tavolinë, ku një kuti shkrepëseje gjysmë e hapur, qëndronte pranë shishes së bojës. Me dorën e djathtë në xhep, ai bëri për nga dritarja. Poshtë, në rrugë, një kafkull breshke po ndiqte një gjethe të vyshkur”, etj., etj. Ky zakon vazhdoi derisa u bëra afërsisht njëzet e pesë vjeç, pikërisht gjatë viteve të mi joletrarë. Edhe pse më duhej të kërkoja, dhe kërkoja në të vërtetë, për fjalën e duhur, më dukej sikur po e bëja këtë përpjekje përshkruese pa vullnetin tim, nën njëfarë shtytjeje nga jashtë. Në atë “histori”, ma merr mendja, duhet të jenë reflektuar stile të disa shkrimtarëve që më pëlqenin sipas ndryshimit të moshës, por me aq sa më kujtohet, ajo kishte përpikmërisht të njëjtën cilësi deskriptive.

Kur isha rreth të gjashtëmbëdhjetave, papritur zbulova ngazëllimin e fjalëve të thjeshta, p.sh. tingujt dhe asociacionet e fjalëve. Vargjet nga Parajsa e Humbur –

Kështu aj me vështirësi e mund të madh

lëvizi para: me vështirësi dhe mund aj të cilët nuk më dukeshin dhe aq të mrekullueshëm, më çonin të dridhura kurrizit; dhe shqiptimi i “aj” për “ai” ishte një kënaqësi më tepër. Sa për nevojën e përshkrimit të gjërave, tashmë për të dija pothuajse gjithçka. Kështu që, është e qartë çfarë lloj librash doja të shkruaja atëherë, për aq sa mund të thuhet se doja të shkruaja libra në atë kohë. Më pëlqente të shkruaja romane natyralistë gjigandë me fund të palumtur, citi me përshkrime të hollësishme dhe buzëqeshje mahnitëse e gjithashtu, plot me pasazhe të purpurt në të cilët fjalët të përdoreshin edhe për hir të tingëllimit të tyre. Dhe në fakt, romani im i parë i plotë, Ditë birmaneze, të cilin e shkruajta në moshën tridhjetë vjeçare, por që e kisha ideuar në mendje shumë kohë më parë, është ai lloj libri.

Gjithë këtë informacion rreth të kaluarës e jap sepse nuk mendoj se dikush mund të vlerësojë motivet e një shkrimtari pa ditur diçka rreth zhvillimeve të tij të hershme. Materiali i subjektit të tij do të përcaktohet nga koha në të cilën ai jeton – të paktën kjo është e vërtetë për periudha të trazuara, revolucionare – si kjo e jona – por para se të fillojë të shkruajë, ai duhet të ketë përvetësuar një qëndrim emocional nga i cili kurrë më s’do të mund të largohet tërësisht. Është detyra e tij, pa dyshim, të disiplinojë temperamentin e vet dhe të shmangë mundësinë e të ngecurit në ndonjë fazë papjekurie apo në ndonjë gjendje shpirtërore perverse: por, edhe në u arratistë nga ndikimet e tij të hershme po kështu, ai mund të ketë vrarë impulset e tij të të shkruarit. Duke lënë mënjanë nevojën për sigurimin e jetesës, unë mendoj se janë katër arsye të mëdha përse shkruhet, të paktën, pse shkruhet prozë. Ato ekzistojnë në nivele të ndryshme te çdo shkrimtar dhe në çdocilin syresh, raporti do të ndryshojë kohë më kohë, sipas atmosferës në të cilën ai jeton. Ato janë:

  1. Egoizmi i mirëfilltë. Dëshira për t’u dukur më i mençur, të flasin të gjithë për ty, të të mbajnë mend pas vdekjes, të rikthehesh prapa te të rriturit që të kanë përkëdhelur në fëmijëri, etj., etj. Janë gjepura pretendimet se kjo nuk është arsye, majde as një arsye e fortë. Shkrimtarët e kanë këtë karakteristikë të përbashkët me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarët, biznesmenët e suksesshëm – shkurt pra, me tërë ajkën e njerëzimit. Masa më e madhe e qenieve njerëzore nuk janë as së tepërmi egoistë. Pasi i kanë kaluar afërsisht të tridhjetat, ata i braktisin ambiciet individuale – në shumë raste, në fakt, ata pothuajse braktisin madje dhe ndjenjën e të qenit individë – dhe kryesisht jetojnë për të tjerët ose thjesht u zihet fryma nga puna angari. Por është gjithashtu, edhe pakica e njerëzve me dhunti e vullnetshumë që janë të vendosur të jetojnë jetët e tyre deri në fund dhe shkrimtarët pikërisht, i përkasin kësaj pakice. Duhet të them se shkrimtarët seriozë përgjithësisht janë më mendjelehtë dhe te vetja-përqendruar se sa gazetarët, megjithëqë, më pak të interesuar kundrejt parave.
  2. Entuziazmi estetik. Perceptimi i bukurisë në botën e jashtme ose, thënë ndryshe, te fjalët dhe te përdorimi i duhur i tyre. Kënaqësia kur dëgjon një tingull apo një tjetër, në qëndrueshmërinë e prozës ose ritmit të mirë të një historie të mirë. Dëshira për të ndarë një përvojë për të cilën mendon se është e vlefshme dhe se nuk duhet humbur. Arsyeja estetike është shumë e dobët te shumë shkrimtarë, por madje dhe një pamfletist ose një hartues tekstesh shkollorë ka fjalë apo shprehje të veçanta që i pëlqejnë atij për arsye jo utilitare; ose ai mund të jetë tepër i dhënë pas tipografisë, apo gjerësia e anëve të faqes, etj. Përveç nivelit të një guide rrugore, asnjë libër nuk është plotësisht i lirë nga gjykimi estetik.
  3. Shtysa historike. Dëshira për të parë gjërat siç janë, të zbulojë më shumë fakte historike dhe t’i ruajë për përdorim të mëvonshëm.
  4. Qëllimi politik – duke e përdorur fjalën “politik” në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Dëshira për të shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idenë e njerëzve mbi llojin e shoqërisë për të cilën ata duhet të rropaten. Edhe një herë, asnjë libër nuk është pafajnisht i çlirët nga ndikimi politik. Mendimi se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën, në vetvete është një qëndrim politik.

Pra, mund të shihet se si këto shtysa të ndryshme duhet të luftojnë me njëra-tjetrën dhe se si ato luhaten nga një njeri te tjetri dhe nga një kohë në një tjetër. Nga natyra – duke e kuptuar “natyrën” tënde si gjendjen ku ndodhesh kur sapo arrin moshën madhore – unë jam një njeri tek i cili tre arsyet e para peshojnë më shumë se e katërta. Në një moshë paqësore, unë mund të kem shkruar libra me lajlelule ose thjesht përshkrues dhe mund të mos i kem vënë re fare anësitë e mia politike. Ashtu siç kam qenë i detyruar të bëhem një lloj pamfletisti. Së pari, kalova pesë vjet me një profesion jo të përshtatshëm (Policia Perandorake Indiane, në Birmani), pastaj provova dhe varfërinë dhe ndjesinë e dështimit. Kjo gjë rriti urrejtjen time të natyrshme të autoritetit dhe për herë të parë, më bëri tepër të vëmendshëm ndaj ekzistencës së klasave punëtore; puna në Birmani më kishte dhënë të kuptoja disi natyrën e imperializmit: por këto përvoja nuk mjaftuan për të më dhënë një orientim të përpiktë politik. Pastaj erdhi Hitleri, lufta civile spanjolle, etj. Aty nga fundi i 1935-ës, nuk ia kisha arritur prapë të merrja një vendim të qëndrueshëm…

Lufta spanjolle dhe ngjarje të tjera në vitin 1936 – e ndryshuan gjendjen dhe paskëtaj, unë e dija ku qëndroja. Çdo rresht i veprës sime të njëmendtë qysh nga viti 1936 e këtej, është shkruar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, kundër totalitarizmit dhe për socializmin demokratik, siç unë i kuptoj. Më duket absurde, në një kohë si kjo e jona, të mendosh se mund të shmangesh nga shkrimi rreth këtyre gjërave. Çdocili shkruan për ta në një mënyrë a në një tjetër. Është një çështje e thjeshtë se anën e kujt mund të mbash dhe çfarë drejtimi të ndjekësh. Dhe sa më shumë i vetëdijshëm te jesh për kahjet e tua politike, aq më shumë mundësi ke të veprosh politikisht pa sakrifikuar tërësinë estetike dhe intelektuale të askujt.

Ajo që kam dashur më shumë të bëj gjatë dhjetë vjetëve të kaluar ishte të shndërroja të shkruarit politik në art. Pika ime e nisjes është gjithmonë një ndjenjë partishmërie, një ndjesi padrejtësie. Kur ulem të shkruaj një libër, nuk është se i them vetes: “Do të krijoj një vepër arti”. Por e shkruaj sepse ka disa mashtrime që dua t’i bëj të ditur, disa fakte në të cilët dua të përqendrohet vëmendja dhe shqetësimi im fillestar është ai i pasurit një dëgjues. Por nuk do të mundja ta bëja punën e shkruar një libër, qoftë edhe një artikull të gjatë reviste, po të mos ishte gjithashtu edhe një përvojë estetike. Kushdo që kujdeset të kontrollojë veprën time, do të mund të vërejë se edhe aty ku ka një propagandë të njëmendtë, përmban shumë nga ajo që një politikan me kohë të plotë do ta quante të parëndësishme. Unë nuk jam i aftë dhe nuk dua të braktis tërësisht botëpamjen që kam përftuar në fëmijëri. Për aq kohë sa të jem gjallë dhe me shëndet do të vazhdoj të ndiej fuqishëm për stilin e prozës, të dashuroj sipërfaqen e tokës, dhe të marr kënaqësi nga sendet e plota dhe nga mbeturinat e dijeve të panevojshme. Nuk ia vlen ta shtyp këtë anë të vetvetes. Detyra është të ripajtoj pëlqimet dhe mospëlqimet e mia të rrënjosura me veprime thelbësisht publike e jo individuale që në këtë periudhë peshon mbi të gjithë ne.

Nuk është e lehtë. Kjo ngre probleme të ndërtimit dhe të gjuhës, po kështu, ngre në një mënyrë të re problemin e vërtetësisë. Më lejoni të jap veç një shembull të llojit më të vrazhdë të vështirësive që ngrihen. Libri im për luftën civile spanjolle, Homazh Katalonjës, sigurisht, duket qartë që është një libër politik, por në më të shumtën është shkruar me njëfarë përgjegjësie dhe kujdesi për formën. Jam përpjekur me njëmend që në të të them gjithë të vërtetën pa vënë dorë mbi instinktet e mia letrare. Por, përveç gjërave të tjera, ai përmban dhe një kapitull të gjatë, dinga me citime gazetash dhe të tilla si këto, ku mbrohen trockistët që ishin akuzuar për komplotim me Frankon. Është e qartë se, një kapitull i tillë, që pas një viti a dy do t’ia bjerrte interesin ndonjë lexuesi të zakonshëm, e shkatërron librin. Një kritik të cilin e respektoj, më lexoi një shkrim për të. “Pse e ke përfshirë gjithë këtë?” më tha. “Ke shndërruar atë që mund të ishte një libër i mirë në gazetari”. Ajo që më tha ishte e vërtetë, por edhe ndryshe s’mund të kisha vepruar dot. Më rastisi të merrja vesh, gjë që pak veta në Angli janë lejuar ta marrin vesh, se po ngriheshin me shpejtësi akuza të pavërteta ndaj disa njerëzve të pafajshëm. Po të mos më kishte ngritur nervat kjo gjë, kurrë nuk do ta kisha shkruar librin.

Në një formë a tjetër, ky problem shtrohet sërish. Problemi i gjuhës është më i hollë dhe do të donte më shumë kohë për diskutim. Do të them vetëm se viteve të vonë jam përpjekur të jem në shkrimet e mia sa më pak piktoresk dhe më shumë i saktë. Gjithsesi, zbuloj se, në momentin që ke përsosur ndonjë stil të shkruari, gjithmonë e ke tejkaluar. Ferma e kafshëve ishte libri i parë në të cilin u përpoqa, me ndërgjegje të plotë të asaj çka po bëja, të shkrija qëllimin politik dhe qëllimin artistik në një të tërë. Nuk kam shkruar ndonjë roman për shtatë vjet, por shpresoj të shkruaj një të tillë shumë shpejt. Është një hap drejt dështimit, çdo libër është një dështim, por e di me njëfarë qartësie se ç’lloj libri kam dëshirë të shkruaj. Kur i kthehem faqes së fundit ose dy të fundit, shoh se kam bërë të duket sikur motivet e mia në shkrim të jenë kryekëput të pushtuara nga ndjenja e qytetarisë. Nuk dua të mbetet kjo përshtypja përfundimtare. Gjithë shkrimtarët janë mendjemëdhenj, egoistë, dembelë dhe mu në zemër të motiveve të tyre fshihet një mister. Të shkruash libër është e tmerrshme, betejë rraskapitëse, si një krizë e gjatë e ndonjë sëmundjeje dhimbjetherëse. Askush nuk do t’i hynte një pune të tillë nëse nuk do të prihej nga ndonjë demon të cilit s’mund t’i rezistonte e as ta kuptonte. Megjithëse e di që demoni është thjesht i njëjti instinkt që e bën një fëmijë të piskatë për përkujdesje. Dhe po kështu, është e vërtetë që nuk mund të shkruash asgjë të lexueshme përveçse përpjekje të përhershme për të fshirë personalitetin tënd. Proza e mirë është si pezuli i një dritareje. S’mund ta them me siguri cila nga shtysat e mia është më e forta, por e di cila syresh meriton t’i vihem prapa. Dhe, kur kthej kokën nga vepra ime, shoh, pavarësisht nga fakti që mund të më mungonte qëllimi politik, se kam shkruar libra të pajetë, i tradhtuar në pasazhe të purpurt, fjali pa kuptim, nga mbiemra zbukurues dhe përgjithësisht, nga gjepura.

(botohet me shkurtime të vogla)

Përktheu nga origjinali anglisht: Elvana ZAIMI

*titulli është redaksional

Marrë nga  http://www.fjalareview.com/

Artisti është një krijesë e shtyrë nga demonët, ai nuk di pse ata e zgjedhin dhe është zakonisht shumë i zënë për t’u habitur përse/Këshilla mbi të shkruarit nga William Faulkner

in Letërsi by

William Faulkner është një nga shkrimtarët më të mirë të Amerikës, me një zë të veçantë dhe një inteligjencë të pamëshirshme që i dha një çmim Nobel në letërsi në moshën 52-vjeçare, për të mos përmendur dy çmime Pulitzer, dy çmime kombëtare të librit dhe dashurinë e pavdekshme të shumë lexuesve.

Ai është një prej atyre shkrimtarëve që mund ta lexoni përsëri dhe përsëri pa e kuptuar në të vërtetë se si ia ka dalë ta bëjë çfarë ka bërë; ai e ka këtë magji. Por kjo nuk frenon askënd të përpiqet të mësojë prej tij. Megjithëse nuk u kujdes shumë për intervistat, ai ka ndarë eksperiencën e tij në disa; ai gjithashtu shërbeu si Shkrimtar në Residencë në Universitetin e Virxhinias në vitin 1957 dhe 1958, dhe disa nga bisedat e tij pedagogjike me studentët atje janë bërë publike. Faulkner lindi në New Albany të Misisipit.

Mos u bëni ‘shkrimtar’, por në vend të kësaj jini të shkruarit. Të jesh “shkrimtar” do të thotë të rrish ndenjur. Akti i shkrimit tregon lëvizjen, aktivitetin, jetën. Kur ndaloni së lëvizuri, jeni të vdekur. Nuk është shumë shpejt që të filloni të shkruani, sapo të mësoni të lexoni.(Nga një intervistë në “Daily Princetonian”, 1958)

Mbajuni amatores. Nuk po shkruani për pará, por për kënaqësi. Duhet të jetë kënaqësi. Dhe duhet të jetë emocionuese. Ndoshta jo ndërsa e shkruani, por pasi të jetë gati duhet të ndjeni entuziazëm, pasion. Kjo nuk do të thotë ndjenjë krenarie; të qëndroni ulur atje mbi atë që keni bërë. Do të thotë që të dini që keni bërë më të mirën tuajën. Herën tjetër do të jetë më mirë.(Nga një intervistë në “Daily Princetonian”, 1958)

Nëntëdhjetë e nëntë për qind talent. . . nëntëdhjetë e nëntë për qind disiplinë. . . nëntëdhjetë e nëntë për qind punë. Një romancier i mirë nuk duhet të jetë kurrë i kënaqur me atë që bën. Ajo kurrë nuk është aq e mirë sa mund të bëhet. Gjithmonë ëndërroni dhe xhironi më lart se sa ajo që dini se mund të bëni. Mos u shqetësoni për të qenë më mirë se bashkëkohësit tuaj ose paraardhësit tuaj. Mundohuni të jeni më mirë se vetja. Artisti është një krijesë e shtyrë nga demonët, ai nuk di pse ata e zgjedhin dhe është zakonisht shumë i zënë për t’u habitur përse. Ai është krejtësisht amoral meqë do të vjedhë, do të marrë hua, do të kërkojë ose do të vjedhë nga dikush, dhe e gjithë kjo për të bërë punën. . .  Përgjegjësia e vetme e shkrimtarit është arti i tij. Ai duhet të jetë plotësisht i pamëshirshëm nëse është i mirë. Ai ka një ëndërr. E shqetëson aq shumë sa duhet ta heqë qafe. Nuk ka paqe deri atëherë. Çdo gjë shkon nga bordi: nderi, krenaria, mirësjellja, siguria, lumturia, të gjitha, për të marrë librin e shkruar. Nëse një shkrimtar duhet të vjedhë nënën e tij, ai nuk do të ngurrojë ta bëjë…(Nga një intervistë e vitit 1956 në “The Paris Review”)

Rregulli i vetëm që kam është ta lë ndërsa është ende e nxehtë. Asnjëherë mos shkruani veten. Gjithmonë lëreni për atëherë kur të shkojë mirë. Më vonë është më e lehtë për ta rimarrë. Nëse rraskapitesh, atëherë do të hysh në një magji të vdekur dhe do të kesh probleme.(Nga një ligjëratë e vitit 1957 me studentët e Universitetit të Virxhinias)

 Nuk duhet të ketë kufizime për atë që shkrimtari përpiqet të shkruajë. Ai duhet ta tregojë atë në termat që di ai. Kjo është. Ai mund të shkruajë për atë që është përtej përvojës së tij, por kushtet e vetme që ai di janë brenda përvojës së tij, vëzhgimit të tij. Por nuk duhet të ketë kufizime për atë që ai përpiqet. Sa më i lartë të jetë qëllimi, aq më mirë. Nëse ai dëshiron të jetë një dështim, le të jetë një bust i mirë, jo vetëm një i vockël.(Nga një ligjëratë e vitit 1957 me Universitetin e Virxhinias)

Një shkrimtar ka nevojë për tre gjëra; përvoja, vëzhgimet dhe imagjinata – secila nga ato, ndonjëherë secila prej të cilave – mund të furnizojë mungesën e të tjerave. Me mua, një histori zakonisht fillon me një ide të vetme, kujtesë ose pamje mendore. Shkrimi i tregimit është thjesht një çështje për të punuar deri në atë çast, për të shpjeguar pse ndodhi ose çfarë e shkaktoi. Një shkrimtar përpiqet të krijojë njerëz të besueshëm në situata të lëvizshme, të besueshme, në mënyrën më të lëvizshme të mundshme. Natyrisht ai duhet të përdorë si një nga mjetet e tij mjedisin që ai njeh. Unë do të thosha se muzika është mjeti më i lehtë për t’u shprehur, pasi erdhi e para në përvojën dhe historinë e njeriut. Por, meqë fjalët janë talenti im, duhet të përpiqem t’i shpreh me lehtësi ato, në vend të asaj që do të kishte bërë muzika më e pastër dhe më e mirë. (Nga një intervistë e vitit 1956 në “The Paris Review”)

Mos e bëni shkrimin punën tuaj. Gjeni një punë tjetër, kështu do të keni pará për të blerë gjërat që dëshironi në jetë. Nuk ka rëndësi se çfarë bëni, për sa kohë që nuk llogarisni pará dhe një afat kohor për shkrimin tuaj. Ju do të keni mundësi të gjeni shumë kohë për të shkruar, pa marrë parasysh sa kohë ju merr puna. Unë kurrë nuk kam takuar ndonjë që nuk mund të gjente kohë të mjaftueshme për të shkruar atë që donte.(Nga një intervistë në “Daily Princetonian”, 1958)

Përktheu: Arlinda Guma

Hans Joackim Lanksch rrëfen për Martin Camajn ende të pazbuluem

in Letërsi/Në kujtim të Hans-Joachim Lanksch/Tirana Review by

BEHAR GJOKA

Libri “Martin Camaj ende i pazbuluem” i Hans Joackim Lanksch, bashkudhëtari i shkrimtarit në disa vite, përkthyesi i poezisë moderne, përçon dy përmasa: Me Camajn, për Camajn!, shkruan në “Panorama” Behar Gjoka.

Fatlumnia me qenë ish-student i Martinit, mik dhe bashkëbisedues, ia ra shorti me pa ngat, fare pranë, si pak të tjerë. Me qenë në shoqënim me vlimet dhe përmallimet njerëzore, që prej dashnie u ngujua në gegnishten, në copën e dheut që mori me vete, ka qenë një shans unik.

Me dasht me ditun për Martin Camajn njeri, shkrimtar dhe albanolog, për mjeshtrin e fjalës shqipe, ky libër, nëpërmjet faktesh dhe këndvështrimesh të befta, hedh dritë mbi aspektet jetësore dhe natyrën e shkrimit letrar dhe shkencor të Camajt. Po kaq, autori i librit ka ndjek pa ndërpremje fatin e krijimtarisë, si është pritur pas botimit të saj në Shqipëri, mënyrat se si është interpretuar dhe sërish me të drejtë sugjeron se, ende vepra e gjerë letrare dhe shkencore e Martin Camajt vijon të mbetet e pazbuleume në vatrat ligjërimore artistike dhe albanologjike.

Rrethana e marrëdhanieve, njerë- zore dhe intelektuale, projekton figurën e Martin Camajt, më përtej legjendarizimit dhe nihilizmit. Pa mëtuar një biografi, ndonëse përmes fakteve dhe kujtimeve, sjell në vë- mendje travëlimet dhe të mbërrimet ma qenësore të Camajt. Qartësimi i rrethanave të ikjes prej atdheut, që kishte ra në komunizëm, daljes në Mal të Zi, Prishtinë e Beograd, i shpërnguljes në Romë në vjetin 1956, i vendosjes në Mynih më 1961, japin udhështegtimet e shkrimtarit.

Faktologjia e shoqëruar me dëshmi kujtimesh dhe bisedash e zbulojnë Camajn të gdhendur në copën e udhës së bame bashkërisht. Udhëtimi kontekstual përkon me kohëzgjatjen dhe interesimet e përbashkëta, për letërsinë dhe gjuhën shqipe. Megjithëse, libri përfshin shkrime, kujtime dhe intervista, realizuar kohë mbas kohe, endet në shqiptimin e të dy anëve. Në përvijimin e linjave të portretizimit të Camajt, por edhe të argumenteve për praninë e vlerave, që sendërgjon vepra gjuhësore, letrare dhe shkencore e Martin Camajt.

Kjo atmosferë, e pranisë së papranishme, një term i U. Eco-s, që e simblimon fatin e Camajt, përcillet përmes titullit që rimerr idenë e Camajt për Kutelin, gjë që e përforcon fatin e mjeshtërve të letrave shqipe, që letnohen në gjallje dhe amshim. Bartja e titullit tregon ecjen në fashën e dritës që pati çelur Camaj, në gjurmim të vlerave letrare të mbetuna në hije. “Martin Camaj ende i pazbuluem”, dëshmi bashkëpërjetimit, është klithëm dhe thirrje për t’u ndalur ma vëmendshëm në tekstet e Camajt.

Larmia e qasjeve me shkrime, kujtime dhe intervista, të cilat paraqesin shestimet e autorit, për të hulumtuar në shtrirje kohore, mbi figurën dhe vlerat shkrimore të Camajt. Përcaktimi: Ai âsht njeni i ma të mëdhejve të letrave shqipe, një klasik i modernes. (2017: 9), shqipton thelbin e veprës si lajmëtim me shiju vatrat e shkrimit letrar. Në mesin e përfundimeve të Lanksch-it, të bën përshtypje theksimi i dikotomisë, kur thekson: “Dysia e të kenët më vete e me të tjerë ishte njiherësh karakteristikë për personin dhe veprën e Camajt. Ai ka kenë edhe shkrimtar, edhe shkencëtar. Si shkrimtar ka kenë edhe poet, edhe prozator…”, e cila skalit dimensionet dhe vlerën e veprës shkrimore, ndërkohë që studimet letrare iu sillen përqark. Njëra prej prurjeve në libër është toni argumentues, në lidhje me mënyrat si është trajtuar vepra nga ana e studimeve letrare dhe gjuhësore.

Shpesh, në faqet e librit, krahas kundërshtisë, ndesh formulime që të japin dorë për të depërtuar prapa magjisë shkrimore të Martin Camajt. Për vlerat e poezisë, shprehet: “Gjuha poetike e Camajt merr hir të shtuem dhe nji element hermetik me përdorimin e leksemave të rralla nga thesari i letërsisë së vjetër shqipe dhe nga idioma shqipe e arbëreshëve t’Italisë”. (2017: 11), që zbulon kodet e ligjërimit të Camajt, por edhe burimet e poetikës së poetit.

Toni polemizues vjen në pohimin: “Martin Camaj nuk ishte shkrimtar i tipit “mërgimtar””. (2017: 25), që nuk lë asnjë mëdyshje, se vepra e shkrimtarit nuk ka lidhje me përpjekjen për ta rreshtuar te mërgata. Me sqimë dhe ironi vjen edhe situata: “Thania se poezia e Martin Camajt asht idilike dhe ruraliste, duket qesharake sapo lexojmë poezitë e tij”(2017: 37), e cila shoqërohet me sjelljen e poezive, që nuk kanë lidhje me keqkuptimin. Theksimi logjik i natyrës së poezisë: “Martin Camaj nuk ngec në botën e kulturës blegtorale malësore, por lëvron botën e psikës njerëzore, temat psikologjike dhe filozofike që s’kanë me ba me nji si poezi ambientale”(2017: 38). Po kaq interes zgjon pohimi: “As në poezi e as në prozë nuk ka shfaqë ndonji orientim që mundet të quhet “katolik” pa lëre që do të kishte përfshi ndonji tematikë katolike”(2017: 42), që thekson pamundësinë për ta keqpërdorur, nëpër qarkëzimet fetare.

Një nga momentet që ka tërhequr interesin e autorit ka qenë gjuha, ku përvijohet vetëdija unike e shkrimit: “…gjuha ka kenë jo vetëm hallka në mes artit letrar dhe shkencës gjuhësore, por edhe hallka ndërlidhëse me vendlindjen”(2017: 48), që pasohet nga argumenti: “Po të bahej asi përkthimi, do të ishte nji zhveshje, një zvetënim sikur këndoheshin kangë popullore shqiptare…”(2017: 70). Libri “Martin Camaj ende i pazbuluem”, një dialogim me shkrimtarin, kohën e dyzuar, e sidomos me larushinë shkrimore, që tashmë është e shpalosur në tekste, ka vlera të shumëfishta:

Së pari: Për gërshetimin e të dhënave jetëshkrimore me etapat e shkrimit letrar të Camajt, duke argumentuar tiparet moderne, vatrat që e mundësojnë poetikën e autorit.

Së dyti: Të shkrimit të librit në dy prani, ku fillimisht ka gjalluar në median e shkruar. Fakti që libri ka mbërritur te lexuesi në bazë të parimit kronologjik, të shtrirë në vite, si dhe në formën e përmbledhjes së shkrimeve, kujtimeve dhe intervistave, pra në formën përfundimtare, dëshmon kontributin e vyer për mënyrën se si është trajtuar në kohë.

Së treti: Të përzgjedhjes së poezive, mbi dhjetë të tilla, të cilat përcjellin vatra antologjike, që shenjëzon poetin e veçantë dhe magjinë e poezive. Libri “Martin Camaj ende i pazbuluem”, shkruar me një shqipe të shlirët, që të përkujton gegnishten tingullore të Camajt, kryen funksionin e kodeksit për të shijuar artin e shkrimtarit. Vlerat e bashkëlidhuna të jetës dhe veprës, të verifikimit dhe mungesës së receptimit të shenjave estetike, mishëruar në faqet e librit, tashmë pjesë e fondit të librave të rëndësishëm, shkruara gjatë kësaj periudhe, që ka në qendër figurën, krijimtarinë shumëpërmasore të Martin Camajt.

 

PROÇEDURAT- Një film dyptik nga Ergys Meta dhe Suela Bako

in Kinema by

PROÇEDURAT

 Një film dyptik nga Ergys Meta dhe Suela Bako

                       Hyrje

Në një shoqëri ku vlerat morale blihen dhe shiten, të gjithë janë gjahtarë dhe viktima të njëri-tjetrit.

                     Sinopsis

PROÇEDURAT është një film me dy histori të shkurtra, faqe të së njëjtës monedhë.

Pjesa e parë ”ME DUAR NË XHEPA” – nga Ergys Meta

OLIVERI ёshtё njё pianist nё moshё tё mesme, i divorcuar dhe i papunё. Ai jeton i vetmuar nё njё garsonierё tё vogёl e tё varfёr, nё pёrpjekje pёr tё mbijetuar, ndёrsa pёrballet pёrditё me vёshtirёsi tё shumta financiare.

Nё njё ditё si tё tjerat, ndёrsa ishte nisur mё kot nё njё intervistё pune, OLIVERI bёhet padashje dёshmitar i njё vjedhjeje tё vogёl, por tё zgjuar, nё autobus. Ai mahnitet nga hajduti dhe e kundron atё gjatё pёr t’i kuptuar manovrat. Ndёrsa situata e tij ekonomike pёrkeqёsohet, OLIVERI e shndёrron veten nё kopjen e pёrkryer tё hajdutit nё autobus.

Hajduti, ndjek OLIVERIN pas njё dite tё lodhshme gjahu dhe i kёrkon shpërblimin pёr kopjimin e mёnyrёs së tij tё vjedhjes. OLIVERI e paguan, edhe pse ёshtё i bindur qe ai do ta persekutojё gjithё kohёs.

Nga ana tjetёr, OLIVERI duket se ёshtё nё kurth edhe nga njё oficer gjyqësor, i cili ka filluar të dyshojё tek ai.

Pjesa e dytë “NJË DITË SI KJO” –  nga Suela Bako

 SONI  së bashku me vjehrrën e saj dhe të bijën marrin autobuzin për të shkuar për ngushëllim tek një i afërmi i tyre.

SONI vë re që një hajdut xhepash vjedh dikë në autobuz, dhe nuk reagon ndaj veprimit të tij. Pasi hajduti, i shoqëruar nga dy shokë të tij, zbresin nga autobusi, SONI zbulon se i kanë vjedhur kuletën edhe asaj. Në autobus krijohet një situatë e tensionuar, pasi edhe disa të tjerë kuptojnë se janë vjedhur.

Pasi ka zbritur nga autobusi, SONI lajmëron policinë, e cila sjell një patrullë me makinë në ndihmë të saj për të kapur hajdutët. Por patrulla e sapoardhur zbulon se vjedhja ka ndodhur në një zonë që nuk është në varësi të saj, ndaj SONI transferohet në një patrullë tjetër policie, përgjegjëse për zonën, e cila në vënd që të vihet në ndjekje të hajdutëve, e percjell atë në rajon tek oficeri gjyqsor.

SONIT, ashtu siç i ndodhi me patrullat e policisë, i duhet t’u përgjigjet gjithmonë të njëjtave pyetje për mënyrën se si ndodhi ngjarja.

ERGYS META ”Me duar në xhepa”

Arsyeja pse zgjodha të bëj pjesë në filmin “Proçedurat”, me segmentin tim “Me duar në Xhepa” , ishte sepse tema që më propozoi  ”Era Film” ngacmoi memorien time kinematografike me filmin “Pickpocket” të Robert Bresson. Ishte një  ngacmim personal qasja me atë film. Për mua arti është i bazuar në  reminishencë dhe menjëherë nisa të shkruaj draftin tim të parë. Doja të krijoja një karakter (OLIVERIN), të ndotur pak nga kompleksi Raskollnikovian, ku ndëshkimi i tij ishte të futej në kurth me gjithçka që e rrethonte. Sigurisht, në një Shqipëri të viteve 2000. Zgjodha ta trajtoj në bardh e zi dhe ta tregoj  historinë nga antiheroi, nga ana e kundërt e medaljes. Ky film është i rëndësishëm për mua sepse më përfaqëson në kinemanë që dua të bëj edhe në vazhdim, krijimi i një nënzhanri neo noir në Shqipëri;  Ku asgjë nuk është vetëm e bardhë dhe asgje nuk është vetëm e zezë, ku nga antimorali krijohet një moral, ku përmes të gabuarës kuptohet e drejta.

Oliveri, një pianist  i talentuar, por në një vend ku nuk  vlerësohet për aftësinë e tij, i vetmuar nga ambjenti që e rrethon, zgjedh të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës duke bërë duart pis.

 SUELA BAKO “NJЁ DITЁ SI KJO”

Pse këtë film?

“Një ditë si kjo” është një film i ngritur i tëri mbi një histori të vërtetë,  e cila më ka ndodhur personalisht. Një ngjarje e rëndomtë, nga e cila pakkush ka shpëtuar.

Ndjesia që kam përjetuar ishte e përafërt me një lloj dhunimi. Sasia e parave në kuletë nuk ishte kurrgjë përpara sendeve qe kisha në të dhe kuletës vetë. Andrralla me mbyllje kartash krediti, humbje kontaktesh njerëzish të çmuar, dhe emocionalisht një ndjesi e pamatë përdhunimi. Një njeri që fut dorën në çantën tënde, është sikur ka futur dorën në stomakun tënd, në shpretkën tënde, në shpirtin tënd.  Ai me lehtësinë më të madhe mund të rrëmbejë çdo gjë e cila i duket me pak vlerë, por që për ty mund te vlejë sa gjithë bota, pasi matësi në këtë rast nuk është aspak vlera monetare.

Në përpjekje për të marrë hak ndaj këtij akti “dhune”,  u vura në kërkim të autorëve pasi i kisha vënë re shumë mirë, dhe kisha bindjen absolute që shteti me ndihmën time do t’i kapte dhe do t’u jepte dënimin e merituar. Këtu fillon historia, e cila as nëpër mend nuk mund të më shkonte pa e provuar. Një kalvar i pafund burokracish, të cilat vetëm të largonin prej fajtorit, sendit të humbur dhe shpresës për ta gjetur ndonjëherë, apo për të dënuar a bërë shembull fajtorin. Ama, unë kurrë nuk humba shpresën për ta treguar këtë histori.

Sa i rëndësishëm është ai për mua?

Çfarë përfaqëson ai për mua në plan social dhe personal?

Të  treguarit e kësaj historie dhe shndërrimi në film m’u bë si detyrë qytetare përpos detyrës artistike. Tani që sapo e kam nxjerrë nga vetja, mund të them me siguri që u kam ardhur në ndihmë shumë të tjerëve si unë, për të nxjerrë jashtë ndjesinë e shëmtuar të të vjedhurit të sendeve kaq personale. E rëndësishme është, që plagët që kemi, të gjejmë mënyrën t’i nxjerrim jashtë duke i ndarë me të tjerë në një formë apo një tjetër. Unë e quaj të rëndësishëm këtë akt, dhe të çuar në fund këtë mision, nëse ndonjëherë, ndonjëri që ka kryer një veprim të tillë do ta shihte filmin tim.

Do të doja ta ndaja me gjithë botën, dhe të mund të merrja mbrapsht sensibilizimin e tyre, lehtësimin e disave dhe ligështimin e disa të tjerëve që kanë guxuar ta kryejnë. Në fund të fundit arti është një katarsis. Këtë dua të bëj; katarsis.

Për të mbërritur sa më thellë tek një histori, është e domosdoshme që ai me të cilin ti e ndan (publiku), të bëhet pjesë e jotja ose thënë ndryshe; të bëhesh njësh me të. Kështu për ta bërë publikun pjesë të pandashme të ndjesisë sime, vendosa “ta marr” atë me vete, ta bëj bashkëudhëtar, në një peripeci të vockël, të treguar në mënyrë të pandërprerë dhe kohë reale. Për këte arsye zgjodha planin sekuencë (të pandërprerë), kamera (publiku), do të ishte ngjitur me personazhin kryesor, dhe do të shihte ekzaktësisht atë qe unë (personazhi) kam parë, pa ndërhyrjen dhe trukun më të vogël, dhe pa asnjë lloj qëndrimi apo ndikimi në mënyrën se si e paraqes realitetin. Publiku ecën me personazhin si të ishte në vendngjarje.

Realiteti paraqitet ashtu siç është “pa” ndonjë trajtim ideor, artistik apo emocional. Le të themi që kjo “pa” përbën në të njëjtën kohë edhe thelbin e trajtimit ideor, artistik dhe emocional, që unë si autore kam zgjedhur.

Mendoj se ky stil të treguari, kjo gjuhë filmike; në mënyrë kronikale apo dokumentareske, është i duhuri,  që godet në palcë publikun dhe problemin.

Në fund të fundit ajo që ndodh në këtë film është e rëndomtë, një kronikë qytetase; ndjesia që përçon e bën të veçantë dhe menyra që zgjedh për  ta treguar e bën universale.

 

 

 

 

1 154 155 156 157 158 162
Go to Top