Benjamín Labatut
Në një analizë mjekësore në prag të Gjyqeve të Nurembergut, doktorët vunë re se thonjtë e këmbëve dhe duarve të Hermann Göringut kishin një ngjyrë të kuqe gjak, pasojë e mvarësisë prej dihidrokodeinës, analgjezikut nga i cili pinte deri në 100 hapa në ditë. William Burroughsi e përshkruan si të ngjashëm me heroinën, dy herë më të fortë se kodeinën, por me një efekt elektrizues si të kokainës, andaj mjekët amerikanë ndien detyrimin që ta shëronin Göringun prej mvarësisë para se ta linin të dilte para gjyqtarëve. Kjo s’qe gjë e lehtë. Kur e zunë forcat aleate, udhëheqësi nazist tërhiqte pas vetes një baule me mbi njëzet mijë doza, praktikisht gjithë stokun e mbetur prej prodhimit të atij bari në Gjermani në fund të Luftës së Dytë Botërore. Mvarësia e tij s’qe aspak e jashtëzakonshme, sepse çdokush në Wehrmacht, si rregull, merrte Pervitinë si pjesë të racioneve ditore. Këto ishin tableta metamfetamine që ushtarët i përdornin për të ndenjur zgjuar me javë të tëra, duke luftuar si të çmeritur, herë me furi prej maniaku e herë të mpirë si në ndonjë makth, me një stërmundim që shkaktonte te shumëkush sulme euforie të pafre. “Sundon një heshtje absolute. Gjithçka bëhet e huaj dhe e pakuptimtë. Ndihem komplet i papeshë, a thua se po qëndroj pezull përmbi aeroplanin tim,” shkruante një pilot i Luftwaffes vite më pas, a thua se po sillte ndërmend fanepsjen nemitëse të ndonjë vizioni hyjnor, e jo ditët shtazarake të luftës. Shkrimtari gjerman Heinrich Bölli i shkruante letra familjes nga fronti e u kërkonte t’i dërgonin më shumë doza: “Është fort rëndë këtu,” u shkruante prindërve më 9 nëntor 1939, “dhe uroj ta kuptoni se s’mundem t’ju shkruaj më shpesh se çdo dy-tre ditë. Sot po ju shkruaj kryesisht për të kërkuar ca më shumë Pervitinë… ju dua, Heini.” Më 20 maj 1940 u shkruajti një letër të gjatë e plot mall që mbaronte me të njëjtën lutje: “A mund të siguroni një çikë më shumë Pervitinë për mua, që të kem dhe ca rezervë?” Dy muaj më pas prindërit e tij morën një letër me vetëm një rresht: “po pati mundësi dërgomëni me postë më shumë Pervitinë.” Amfetaminat ishin burimi energjik i blitzkriegut të pandalshëm gjerman dhe shumë ushtarë pësonin sulme psikotike teksa ndjenin hapat e hidhura t’u shkriheshin mbi gjuhë. Mirëpo udhëheqësit e Reichut ndjenë krejt tjetër shije kur lufta e rrufeshme u shua nga vetimat e zjarrta të bombarduesve aleatë, kur dimri rus ngriu zinxhirët e tankeve e kur Führeri urdhëroi që të shkatërrohej çdo gjë me vlerë që kishte Reichu, për të mos i lënë asgjë pos tokës së shkrumbuar trupave kundërshtare që përparonin. Ballë për ballë me mposhtjen e pashmangshme, të çoroditur prej frikës nga ai tmerri i ri që vetë ata ia kishin prurë botës, zgjodhën një rrugëdalje të shpejtë, duke kafshuar kapsula cianidi e duke u asfiksuar gjer në vdekje nga aroma e ëmbël e bajameve që lëshon helmi.
Një valë vetëvrasjesh vërshoi Gjermaninë anembanë në muajt e mbramë të luftës. Në një muaj të vetëm, në prill të 1945, tremijë e tetëqind njerëz vranë veten në Berlin. Banorët e qytezës së vogël të Demminit, nja tre orë në veri të kryeqytetit, i kaploi një panik kolektiv kur trupat gjermane në tërheqje e sipër hodhën në erë urat duke i lënë banorët të ngecur në atë siujdhesë, të rrethuar prej tre lumenjsh e të pambrojtur para vërshimit dërrmues të Ushtrisë së Kuqe. Qindra burra, gra e fëmijë ia morën shpirtin vetes brenda tre ditësh. Familje të tëra ecën me këmbët e tyre në ujërat e Tollensesë, lidhur me njëri-tjetrin në brez me konopë, a thua se po luanin ndonjë lojë makabre me tërheqje litari, fëmijët e vegjël me çantat e shkollës në shpinë mbushur plot gurë. U bë një kaos i atillë sa që trupat ruse – të cilat gjer në atë kohë zakonisht plaçkitnin shtëpi, digjnin ndërtesa dhe përdhunonin gra – morën urdhrin që t’i jepnin fund kësaj epidemie vetëvrasjesh; në tre raste të ndryshme u desh t’ia prisnin litarin një gruaje që përpiqej të vetëvarej prej degëve të një rrapi të madh që kishte në oborr e nën rrënjët e të cilit tashmë i kish varrosur tre fëmijët e saj të cilëve ua kishte lyer ëmbëlsirat, në një akt të mbramë dashurie, me helm minjsh. Gruaja mbijetoi, po ushtarët s’arritën ta shpëtojnë një vajzë të re që vdiq prej humbjes së gjakut pasi hapi venat me të njëjtin brisk që kish prerë kyçet e prindërve. Një dëshirë e tillë për vdekje i kaploi edhe majat e hierarkisë naziste: pesëdhjetë e tre gjeneralë ushtrie, katërmbëdhjetë të flotës ajrore e njëmbëdhjetë nga flota detare bënë vetëvrasje, bashkë me ministrin e arsimit Bernhard Rustin, ministrin e drejtësisë Otto Thierackun, feldmarshallin Walter Modelin, “dhelprën e shkretëtirës Erwin Rommelin dhe sigurisht, vetë Führerin. Të tjerë, si puna e Hermann Göringut, hezituan dhe u zunë të gjallë, por kjo vetëm sa e shtyu pakëz të pashmangshmen. Kur mjekët e shpallën më në fund të aftë për t’u paraqitur në gjyq, Göringu u gjet fajtor nga Gjykata e Nurembergut dhe u dënua me varje. Ai kërkoi të pushkatohej: dëshironte të vdiste si ushtar e jo si kriminel ordiner. Kur mësoi se ia kishin refuzuar këtë dëshirë të fundit, ai vrau veten duke kafshuar flakonin me cianid që kishte fshehur në një kuti me pomadë pranë së cilës kishte lënë një shënim se preferonte të vdiste “si Hanibali i madh”. Aleatët u përpoqën të shuajnë çdo gjurmë të ekzistencës së tij. Ia hoqën prej buzëve grimcat e qelqta të flakonit dhe teshat, sendet personale e kufomën ia dërguan në krematoriumin bashkiak te varrezat Ostfriedhof në Mynih, ku ndezën njërën prej furrave gjigande për ta shkrumbuar Göringun, duke ia përzier hirnat me ato të mijëra të burgosurve politikë dhe kundërshtarëve të regjimit nazist të cilëve u qe prerë koka në burgun e Stadelheimit, bashkë me hirnat e fëmijëve handikapë dhe pacientëve psikiatrikë që ishin vrarë prej programit eutanazik Aktion T4, e bashkë me viktimat e panumërta të sistemit të kampeve të përqendrimit. Mbetjet e tij i hodhën natën vonë në ujërat e Watzenbachut, një përroi të vockël të përzgjedhur krejt rëndom në një hartë. Mirëpo tërë këto përpjekje shkuan dëm: sot e kësaj dite koleksionistë nga e gjithë bota vazhdojnë të shkëmbejnë suvenirë prej të fundmit udhëheqës të lartë nazist, komandantit të Luftwaffes që qe pasardhësi i natyrshëm i Hitlerit. Në qershor 2016 një argjentinas pagoi më shumë se tre mijë euro për një palë brekë të mëndafshta të Reichmarshallit. Ca muaj më vonë po i njëjti shpenzoi njëzet e gjashtë mijë euro për cilindrin prej zinku e bakri ku dikur ishte fshehur flakoni i qelqtë që theu me dhëmbë Göringu më 15 tetor 1946.
Elitës së partisë Nacional Socialiste iu dhanë kapsula të tilla në fund të koncertit të mbramë që dha Filarmonia e Berlinit para se të binte qyteti, më 12 prill 1945. Albert Speeri, ministri i armatosjes e i prodhimit luftarak, si dhe arkitekti zyrtar i Reichut të Tretë, kishte organizuar një program special që përfshinte Koncertin për Violinë në Re Mazhor të Beethovenit pasuar nga Simfonia e Katërt e Brücknerit e duke përfunduar siç i kishte hije, me arien e Brünnhildes që mbyll aktin e tretë të Götterdammerungut të Richard Wagnerit, ku Valkyria vetëdigjet në një zjarr të madh funerar, flakët e të cilit aq shumë përhapen sa që nuk djegin vetëm botën e vdekatarëve por edhe hollet e Valhallës bashkë me gjithë panteonin e hyjnive. Kur publiku u rreshtua për të dalë nga salla me klithmat e agonisë së Brünnhildes që ende gjëmonin në veshë, anëtarë të Deutsches Jungvolk – një sektori të Rinisë Hitleriane që përbëhej nga fëmijë nën dhjetë vjeç meqenëse më rriturit tashmë qenë duke vdekur nëpër barrikada – shpërndanin kapsula me cianid nga ca shporta të vockla, a thua se po shpërndanin dhurata të shenjta në ndonjë meshë. Göringu, Goebbelsi, Bormanni dhe Himmleri i përdorën këto kapsula për t’u vetëvrarë, por shumë nga udhëheqësit nazistë vendosën t’ia hiqnin me kobure vetes po në atë çast që kafshonin flakonin, nga frika se mos ua kishte sabotuar dikush helmin, e se mos kapsulat nuk u jepnin atë vdekje të menjëhershme dhe pa dhimbje për të cilën ishin prodhuar, por ndonjë agoni të ngadaltë ashtu siç e kishin merituar. Hitlerit vetë aq shumë i ishte mbushur mendja se i kishin dhënë flakon të prishur, sa që vendosi ta provonte efektivitetin e helmit te Blondi i tij i dashur, qeni gjerman që e kishte shoqëruar deri në Führerbunker e që zakonisht flinte në këmbët e tij…
Përktheu: Arbër Zaimi