PROÇEDURAT
Një film dyptik nga Ergys Meta dhe Suela Bako
Hyrje
Në një shoqëri ku vlerat morale blihen dhe shiten, të gjithë janë gjahtarë dhe viktima të njëri-tjetrit.
Sinopsis
PROÇEDURAT është një film me dy histori të shkurtra, faqe të së njëjtës monedhë.
Pjesa e parë ”ME DUAR NË XHEPA” – nga Ergys Meta
OLIVERI ёshtё njё pianist nё moshё tё mesme, i divorcuar dhe i papunё. Ai jeton i vetmuar nё njё garsonierё tё vogёl e tё varfёr, nё pёrpjekje pёr tё mbijetuar, ndёrsa pёrballet pёrditё me vёshtirёsi tё shumta financiare.
Nё njё ditё si tё tjerat, ndёrsa ishte nisur mё kot nё njё intervistё pune, OLIVERI bёhet padashje dёshmitar i njё vjedhjeje tё vogёl, por tё zgjuar, nё autobus. Ai mahnitet nga hajduti dhe e kundron atё gjatё pёr t’i kuptuar manovrat. Ndёrsa situata e tij ekonomike pёrkeqёsohet, OLIVERI e shndёrron veten nё kopjen e pёrkryer tё hajdutit nё autobus.
Hajduti, ndjek OLIVERIN pas njё dite tё lodhshme gjahu dhe i kёrkon shpërblimin pёr kopjimin e mёnyrёs së tij tё vjedhjes. OLIVERI e paguan, edhe pse ёshtё i bindur qe ai do ta persekutojё gjithё kohёs.
Nga ana tjetёr, OLIVERI duket se ёshtё nё kurth edhe nga njё oficer gjyqësor, i cili ka filluar të dyshojё tek ai.
Pjesa e dytë “NJË DITË SI KJO” – nga Suela Bako
SONI së bashku me vjehrrën e saj dhe të bijën marrin autobuzin për të shkuar për ngushëllim tek një i afërmi i tyre.
SONI vë re që një hajdut xhepash vjedh dikë në autobuz, dhe nuk reagon ndaj veprimit të tij. Pasi hajduti, i shoqëruar nga dy shokë të tij, zbresin nga autobusi, SONI zbulon se i kanë vjedhur kuletën edhe asaj. Në autobus krijohet një situatë e tensionuar, pasi edhe disa të tjerë kuptojnë se janë vjedhur.
Pasi ka zbritur nga autobusi, SONI lajmëron policinë, e cila sjell një patrullë me makinë në ndihmë të saj për të kapur hajdutët. Por patrulla e sapoardhur zbulon se vjedhja ka ndodhur në një zonë që nuk është në varësi të saj, ndaj SONI transferohet në një patrullë tjetër policie, përgjegjëse për zonën, e cila në vënd që të vihet në ndjekje të hajdutëve, e percjell atë në rajon tek oficeri gjyqsor.
SONIT, ashtu siç i ndodhi me patrullat e policisë, i duhet t’u përgjigjet gjithmonë të njëjtave pyetje për mënyrën se si ndodhi ngjarja.
ERGYS META ”Me duar në xhepa”
Arsyeja pse zgjodha të bëj pjesë në filmin “Proçedurat”, me segmentin tim “Me duar në Xhepa” , ishte sepse tema që më propozoi ”Era Film” ngacmoi memorien time kinematografike me filmin “Pickpocket” të Robert Bresson. Ishte një ngacmim personal qasja me atë film. Për mua arti është i bazuar në reminishencë dhe menjëherë nisa të shkruaj draftin tim të parë. Doja të krijoja një karakter (OLIVERIN), të ndotur pak nga kompleksi Raskollnikovian, ku ndëshkimi i tij ishte të futej në kurth me gjithçka që e rrethonte. Sigurisht, në një Shqipëri të viteve 2000. Zgjodha ta trajtoj në bardh e zi dhe ta tregoj historinë nga antiheroi, nga ana e kundërt e medaljes. Ky film është i rëndësishëm për mua sepse më përfaqëson në kinemanë që dua të bëj edhe në vazhdim, krijimi i një nënzhanri neo noir në Shqipëri; Ku asgjë nuk është vetëm e bardhë dhe asgje nuk është vetëm e zezë, ku nga antimorali krijohet një moral, ku përmes të gabuarës kuptohet e drejta.
Oliveri, një pianist i talentuar, por në një vend ku nuk vlerësohet për aftësinë e tij, i vetmuar nga ambjenti që e rrethon, zgjedh të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës duke bërë duart pis.
SUELA BAKO “NJЁ DITЁ SI KJO”
Pse këtë film?
“Një ditë si kjo” është një film i ngritur i tëri mbi një histori të vërtetë, e cila më ka ndodhur personalisht. Një ngjarje e rëndomtë, nga e cila pakkush ka shpëtuar.
Ndjesia që kam përjetuar ishte e përafërt me një lloj dhunimi. Sasia e parave në kuletë nuk ishte kurrgjë përpara sendeve qe kisha në të dhe kuletës vetë. Andrralla me mbyllje kartash krediti, humbje kontaktesh njerëzish të çmuar, dhe emocionalisht një ndjesi e pamatë përdhunimi. Një njeri që fut dorën në çantën tënde, është sikur ka futur dorën në stomakun tënd, në shpretkën tënde, në shpirtin tënd. Ai me lehtësinë më të madhe mund të rrëmbejë çdo gjë e cila i duket me pak vlerë, por që për ty mund te vlejë sa gjithë bota, pasi matësi në këtë rast nuk është aspak vlera monetare.
Në përpjekje për të marrë hak ndaj këtij akti “dhune”, u vura në kërkim të autorëve pasi i kisha vënë re shumë mirë, dhe kisha bindjen absolute që shteti me ndihmën time do t’i kapte dhe do t’u jepte dënimin e merituar. Këtu fillon historia, e cila as nëpër mend nuk mund të më shkonte pa e provuar. Një kalvar i pafund burokracish, të cilat vetëm të largonin prej fajtorit, sendit të humbur dhe shpresës për ta gjetur ndonjëherë, apo për të dënuar a bërë shembull fajtorin. Ama, unë kurrë nuk humba shpresën për ta treguar këtë histori.
Sa i rëndësishëm është ai për mua?
Çfarë përfaqëson ai për mua në plan social dhe personal?
Të treguarit e kësaj historie dhe shndërrimi në film m’u bë si detyrë qytetare përpos detyrës artistike. Tani që sapo e kam nxjerrë nga vetja, mund të them me siguri që u kam ardhur në ndihmë shumë të tjerëve si unë, për të nxjerrë jashtë ndjesinë e shëmtuar të të vjedhurit të sendeve kaq personale. E rëndësishme është, që plagët që kemi, të gjejmë mënyrën t’i nxjerrim jashtë duke i ndarë me të tjerë në një formë apo një tjetër. Unë e quaj të rëndësishëm këtë akt, dhe të çuar në fund këtë mision, nëse ndonjëherë, ndonjëri që ka kryer një veprim të tillë do ta shihte filmin tim.
Do të doja ta ndaja me gjithë botën, dhe të mund të merrja mbrapsht sensibilizimin e tyre, lehtësimin e disave dhe ligështimin e disa të tjerëve që kanë guxuar ta kryejnë. Në fund të fundit arti është një katarsis. Këtë dua të bëj; katarsis.
Për të mbërritur sa më thellë tek një histori, është e domosdoshme që ai me të cilin ti e ndan (publiku), të bëhet pjesë e jotja ose thënë ndryshe; të bëhesh njësh me të. Kështu për ta bërë publikun pjesë të pandashme të ndjesisë sime, vendosa “ta marr” atë me vete, ta bëj bashkëudhëtar, në një peripeci të vockël, të treguar në mënyrë të pandërprerë dhe kohë reale. Për këte arsye zgjodha planin sekuencë (të pandërprerë), kamera (publiku), do të ishte ngjitur me personazhin kryesor, dhe do të shihte ekzaktësisht atë qe unë (personazhi) kam parë, pa ndërhyrjen dhe trukun më të vogël, dhe pa asnjë lloj qëndrimi apo ndikimi në mënyrën se si e paraqes realitetin. Publiku ecën me personazhin si të ishte në vendngjarje.
Realiteti paraqitet ashtu siç është “pa” ndonjë trajtim ideor, artistik apo emocional. Le të themi që kjo “pa” përbën në të njëjtën kohë edhe thelbin e trajtimit ideor, artistik dhe emocional, që unë si autore kam zgjedhur.
Mendoj se ky stil të treguari, kjo gjuhë filmike; në mënyrë kronikale apo dokumentareske, është i duhuri, që godet në palcë publikun dhe problemin.
Në fund të fundit ajo që ndodh në këtë film është e rëndomtë, një kronikë qytetase; ndjesia që përçon e bën të veçantë dhe menyra që zgjedh për ta treguar e bën universale.