Ata shokët italianë janë njëqind vjet përpara nesh…
– Alfred Hitchcock
Charlotte Chandler
Darkat e mia me Federico-n dhe Michelangelo-n…
Mjeshtrat e filmit; Michelangelo Antonioni dhe Federico Fellini konsideroheshin si kundërshtarë, madje edhe rivalë, prej publikut. Por për autoren që kishte miqësi me të dy, ata jetonin jetë paralele në qasjet ndaj artit dhe romancave të tyre epike.
Në njëfarë mënyre Michelangelo Antonioni dhe Federico Fellini, dy regjisorët më të mëdhenj të filmit, të cilët spikatën në Itali pas Luftës së Dytë Botërore, nxitën një rivalitet në imagjinatën e publikut, që nuk ekzistonte në të vërtetë për asnjërin prej tyre. Entuziastët e kinemasë nganjëherë pyesin: “A je një Fellini apo një Antonioni?”, ashtu siç do të të kërkonin të bënit një zgjedhje tjeter të nevojshme krijuese: “Tolstoi apo Dostojevski?”
Unë kam patur miqësi me të dy këta artistë të shquar dhe me gratë e tyre, për shumë vite. Kam shkruar një libër për një prej tyre – Unë, Fellini (1995) – dhe shpresoj të shkruaj një libër për tjetrin, i cili vdiq në vitin 2007. E vërteta është se ata kanë bërë jetë paralele. Ata e filluan karrierën e tyre si gazetarë, dhe të dy ishin artistë të cilësorë. I riu Antonioni projektoi arkitekturën; Fellini i ri kartonat. Të dy u inkurajuan nga Roberto Rossellini, gjeniu i kinemasë neo-realiste italiane, e cila ishte një mentore në fillim të karrierës së tyre. Edhe pse kurrë nuk u bënë miq të ngushtë, të dy tregonin shumë respek për punën e njëri-tjetrit. Filmi i Fellin-it, i vitit 1952 “Sheiku i bardhë”, u bazua në një histori nga Antonioni, dhe kur Fellini xhironte: “Dhe anija vazhdon të lundrojë”, në vitin 1982, Antonioni e vizitoi atë në setin e Cinecittà-së. Të dy krijuan kryevepra bardh e zi si edhe në ngjyra.
“Fellini dhe Michelangelo ishin dy anët e së njëjtës monedhe”, më rrëfente Enrica, e veja e Antonioni-t. “Njerëzit thoshin se ishin kundërshtarë, por ata ishin binjakë, edhe pse kurrë nuk e ditën këtë. Michelanglo im shihej si një regjisor, i cili donte të bënte filma elitarë për pak vetë, por me të vërtetë ai donte të bënte filma që të gjithë do të donin t‘i shihnin, ashtu si Fellini… si Fellini.”
Antonioni më tha njëherë: “Unë besoj se Federico në filmat e tij ishte më shumë i shqetësuar me jetët e jashtme të publikut. Unë jam i shqetësuar me jetët e tyre të brendshme.”
Fellini më tha: “Ndiej se trashëgimia ime si regjisor filmi anon nga artistikja, ndërsa ajo e Michelangelo-s nga letërsia. Filmat e mi, ashtu si jeta ime, përmblidhen në cirkun; spageti, seks dhe kinema.”
Të dy këta regjisorë u nderuan nga Shoqata e Filmit të Lincoln Center, në New York – Fellini në vitin 1985, Antonioni në vitin 1992 dhe regjisorë në mbarë botën, që nga Akira Kurosawa te Ingmar Bergman, flisnin për filmat e tyre. Në 1963, Stanley Kubrick tha se “Nata” ishte një nga 10 filmat e tij të preferuar. I riu Steven Spielberg shkroi që t’i tregonte Fellinit se ky i fundit ishte një frymëzim për të. Alfred Hitchcock-u, një admirues entuziast i të dyve tha më të mirën për ta. Në vitin 1978, kur unë shkruaja një biografi të tij, më tha: “Ata shokët italianë janë njëqind vjet përpara nesh!”.
“Duke parë në të shkuarën”, më rrëfente aktori Marcello Mastroianni, në vitin 1993, “Mendoj se Federico dhe Michelangelo ishin kreativisht të ngjashëm, edhe pse punonin ndryshe. Me Michelangelo-n, ishte sikur të shkoje në një operacion zemre, që nuk ishte i yti. Me Federico-n ishte sikur të shkoje në një piknik.”
Mastroianni bëri dy filma me Antonioni-n, “Nata” dhe “Përtej reve”(1995), dhe luajti në katër filma të Fellini-t:“La Dolce Vita”, “8 ½”, “Qyteti i grave”(1980) dhe “Ginger dhe Fred”(1986).
Fellini, i cili shpesh i vizualizonte personazhet e tij në kartona përpara se t’i materializonte me aktorë, më tha se kishte kërkuar që në fillim Mastroiannin për “La Dolce Vita”-n. “Por Marcello donte një skenar. I dhashë atij një dorëshkrim të trashë, secila faqe bosh, përveç të parës. Në të ishte një pikturë që kisha vizatuar, duke treguar karakterin e tij ashtu siç e shihja unë. Mastroianni ishte vetëm në një barkë të vogël në mes të oqeanit dhe kishte përreth saj sirena deti, zonjusha të bukura që notonin. Marcello pa pikturën dhe tha: “Është një pjesë interesante. Do ta bëj!”
Te “Ginger dhe Fred”, Mastroianni luajti kundershtarin e Giulietta Masina-s; gruaja e Fellini-t dhe ylli i katër filmave të tij më të mëdhenj.
Në vitin 1943, Fellini e dëgjoi atë në një serial për radio të shkruar nga ai vetë. I pëlqeu zëri i saj dhe i telefonoi për ta ftuar për darkë. Disa muaj më vonë u martuan dhe mbetën së bashku për 50 vjet. Në fillim të martesës, Masina u rrëzua dhe humbi një fëmijë. Shpejt ajo pati një fëmijë tjetër, të cilin e quajtën Federico, por kur fëmija ishte dy javësh, vdiq. Giuliett-ës iu tha se nuk mund të kishte më fëmijë. “Giulietta ishte aq e re,” më rrëfeu Federico, “dhe dukej më e re seç ishte, një vajzë e pafajshme, derisa foshnja Federico vdiq. Pas kësaj ajo kurrëmë nuk dukej aq e re. Foshnja Federico, që nuk u rrit kurrë, ishte një pengesë midis nesh.”
Në fund të viteve 1950-të, Antonioni zbuloi aktoren Monica Vitti, e cila do të shndriste në katër filmat e tij më të mëdhenj gjatë dekadës së ardhshme: “Aventura”, “Nata”, “Eklipsi” “Shkretëtira e kuqe”. Ashtu si Fellini dhe Masina, ata gjithashtu kishin një marrëdhënie intensive. Antonioni kishte apartamentin e tij të Romës, i cili të çonte në një derë të fshehtë me shkallë në formë spiraleje në banesën e Viti-t, e cila jetonte në katin e poshtëm në mënyrë që ata të mund ta vizitonin njëri-tjetrin pa rënë në sy. Kur marrëdhënia e tyre përfundoi, Antonioni e kishte mbyllur derën në dysheme. Enrica, gruaja e tij e dytë, me të cilën ai u martua pas marrëdhënies me Viti-n, njëherë ngriti qilimin për të ma treguar vendin. Në vitin 1971, Enrica kishte qenë studente artesh në Milano që kërkonte punë në Romë. Pasi kuptoi se ajo kishte “këmbët më të bukura në botë”, Antonioni e punësoi për të punuar si asistente e veshjeve dhe ata qëndruan së bashku deri në vdekjen e tij.
Fellini dhe Antonioni u nderuan të dy me çmimet Oscar, dhe unë isha me të dy kur ata i morën ato çmime. Në vitin 1992, kur Fellini mësoi se do të shpërblehej me këtë Oscar – ai tashmë e kishte marrë një për “Netët e Cabirias” si filmi më i mirë i huaj – ai ishte shumë i lumtur, por mendimi i të fluturuarit deri në Kaliforni për ta marrë çmimin e la shumë të pakënaqur. Në dhimbje të vazhdueshme nga artriti, Fellini kishte frikë nga fluturimi i gjatë dhe nuk mund të përballonte të mbante fjalimin e tij në mbrëmjen galá. Zgjidhja e tij ishte që Giulietta të shkonte dhe ta merrte çmimin për të. Megjithatë shumë shpejt, çdo shofer taksie në Romë filloi t’i thoshte: “Duhet të shkosh, Fefe, për Italinë!” Kështu që ai u zbut. Në një çast të paharrueshëm të mbrëmjes së Oscar-ve, ai vështroi publikun dhe dalloi Giuliett-ën, e cila ishte aq krenare dhe e lumtur, saqë po qante. Ai tha në mikrofon: “Faleminderit e dashur Giulietta! Dhe te lutem mos qaj.” Më vonë ai më tha:“Ai çast shenjoi jetën tone!”
Isha në shtëpinë e Antonioni-t, në Umbria, kur Enrica dëgjoi se Michelangelo ishte duke u konsideruar për Oscar-in e veçantë të vitit 1994. “Ne duhet t’i kërkojmë një bekim Shën Françeskut”, më tha ajo, dhe shkuam në Bazilikën e afërt të Shën Françeskut të Asizit.” Enrica më mori dorën dhe u lutëm së bashku. Sigurisht, përsëri në shtëpi, Michelangelo i buzëqeshur na informoi se sapo kishte mësuar se po e merrte Oscar-in.
Në Hollywood, një shishe shampanjë priste për Antonionët në hotelin e tyre. Një pusullë shkruante”Joy!” Dhe ishte nënshkruar “Jack”. Jack Nicholson luajti në vitin 1975, në “The Passenger”. Ata nuk e hapën shampanjën në hotel, por e morën atë në Romë, ku u shërbye në festën e përfundimit të filmit të ardhshëm të Antonioni-t: “Përtej reve”.
Në vitin 1985, Antonioni pësoi një goditje në tru. Në spital, i pamundur për të folur, ai vuri një unazë në gishtin e Enric-ës, dhe ajo pranoi të bëhej gruaja e tij. Me kalimin e kohës, Antonioni rifitoi disa nga aftësitë e tij për të lëvizur dhe për të folur, edhe pse të dyja me vështirësi. “Kishte një avantazh në atë goditje,” më tha ai. “Që kur isha djalë, unë kam pasur një tik nervor në fytyrë. Goditja e mori me vete.”
Ndonëse ai e shkroi vetë fjalimin e tij të Oscar-it, e dinte se nuk mund ta lexonte, kështu që e rregulloi që Enrica ta lexonte për të. Kur mbaroi, ai kishte planifikuar të thoshte vetëm një fjalë: “Faleminderit!”
Përpara provës për Oscar-in, Jack Nicholson, i cili do të jepte statujën, hyri në dhomën e veshjes së Antonioni-t me një buzëqeshje të madhe. Ata nuk e kishin parë njëri-tjetrin për një kohë të gjatë. Takuan duart dhe Nicholsoni i tha:”Bir kurve!”
Kur Antonioni dhe Enrica prisnin të dilnin në skenë natën e ceremonisë, Nicholson-i i pëshpëriti atij: “Mos u shqetëso të kontrollosh zinxhirin e pantallonave për të parë nëse është i hapur, Mickey. Të gjithë do të shohin Enricën.” Ndërsa Antonioni automatikisht shikoi poshtë, Nicholson-i qeshi dhe i tha:”Ta hodha!”
Çaste më vonë, Antonioni i shqiptoi qartë falënderimet e tij dhe mori shumë ovacione të trazuara prej publikut.
Në vitin 1993, Fellini pati gjithashtu një goditje në tru. Giulietta ishte shumë e sëmurë në atë kohë, prandaj ai ishte i vendosur të largohej nga spitali për aq kohë sa të festonte përvjetorin e 50-të të martesës, i cili ishte vetëm disa javë larg. Ishte e diel dhe të gjithë restorantet e tyre të preferuar ishin mbyllur, por ai më në fund gjeti një të përshtatshëm. Mjeku e kishte paralajmëruar që të mos hante mozzarella, një nga ushqimet e tij të preferuara, por kur e pa në menu, ai shkoi përpara dhe e porositi. U mbyt me një copë, dhe më vonë, po atë ditë pësoi një goditje dhe ra në koma. Nuk iu rikthye më kurrë vetëdija…
Fellini vdiq më 31 Tetor të vitit 1993, në moshën 73 vjeçare. Giulietta vdiq katër muaj më vonë. Fjalët e saj të fundit ishin “Do kaloj Pashkët me Federico-n.”
Antonioni, në dallim nga Fellini mbijetoi për 14 vjet. Humbja e shikimit i mori dhe aftësinë për të pikturuar. Dy ditë përpara se të vdiste, ai i kërkoi Enric-ës ta çonte përreth Romës, në mënyrë që të “shihte” vendet që kishin më shumë rëndësi për të.
“Do telefonoj ndonjë prej miqve tanë të ngasë makinën”, i tha ajo.
“Jo, nuk dua te shoh askënd tjetër atje, përveç teje”- i tha ai.
Ditën tjetër, Enrica e çoi në të gjitha vendet që i kërkoi Michelangelo. Ai i kërkoi t’i tregonte gjithçka që shihte dhe u ul me fytyrën ngjitur në xhamin e dritares së veturës.
Në ditën e fundit të jetës së tij, më 30 Korrik të vitit 2007, ata u ulën pranë dritares së banesës së tyre, duke mbajtur duart e njëri-tjetrit. Ai ishte 94 vjeç.
Enrica, më vonë do të kujtojë:”Michelangelo ishte gjithmonë në kërkim të një vendi ku të mundte të vendoste kamerën, edhe nëse shkonim për një shëtitje apo për të pirë kafe. Ndonjëherë kjo më irritonte, sepse ai nuk më kushtonte vëmendje mua. Kamera ishte “dashnorja” e tij dhe unë kurrë nuk do të mundja të konkurroja me të. Pastaj filloi të humbasë shikimin. Kur Michelangelo nuk shikonte më, u ndal së kërkuari vende për kamerën e tij. U përpoqa t’i sugjeroja vende të mira, por ai nuk u kushtonte vëmendje fare. Gjëja më e çuditshme është se edhe tani, pas vdekjes së tij, unë vazhdoj të kërkoj një vend për të që të vendosë kamerën. Shoh vende dhe mendoj:“Michelangelo, si thua per këtë vend?”
Përktheu: Arlinda Guma
*Titulli është redaksional