Si e ndryshoi Raymond Carver artin e rrëfimit

in Letërsi by

Për çfarë flasim kur flasim për dashurinë?

Shkruar nga: Mattia Madonia

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: The Vision

Është viti 1990 dhe në aeroportin e Romës, regjisori Robert Altman sapo ka marrë avionin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas dështimit të projektit të tij për të xhiruar një film për Rossellini-n, të cilin ia kishte besuar Mario Monicelli-t. Altman ka me vete një përmbledhje me tregime  që ia ka dhënë sekretarja për të kaluar kohën gjatë fluturimit. Nga ato që mund t’i shfletosh pavëmendshëm dhe pastaj të bësh diçka tjetër. Altman hap librin dhe lexon të gjithë tregimet pa arritur të shkëputet një çast. Ulet në Los Angeles me idetë e qarta; do të realizojë një film, jo me një, por me nëntë prej këtyre tregimeve. Filmi “Amerika sot” do të dilte në vitin 1993 dhe do të fitonte Luanin e Artë në Festivalin e Kinemasë së Venecias. Tregimet që magjepsën Altman-in ishin të Raymond Carver-it.

Në foto: Robert Altman

Kur mendon për ndjesinë e pezulltisë në arte, të vjen ndër mend Edward Hopper në pikturë, John Cage në muzikë, apo Andrej Tarkovskij në kinema. Në letërsi kjo ndjesi shpesh korrespondon me Raymond Carver-in. Askush nuk ka arritur ta përshkruajë si ai banalitetin e ekzistencës, dhe ta bazojë narracionin mbi të pashkruarën, duke krijuar një version të ri të minimalizmit letrar. Carver-i ka formëzuar në faqet e tij ato që Pierre Michon i quan “jetë të vogla”, duke theksuar detajet e vogla të përditshmërisë. Shkrimtarit amerikan i detyrohet termi Carver Country, i cili përshkruan atë Amerikën që jeton jashtë metropoleve të mëdha, alienët dhe të alienizuarit, shpërndarë midis periferieve gjalluar nga shpirtra të turbullt, burra të dhunshëm, gra të trishtuara dhe një kohë që rrjedh pa lënë gjurmë. Carver-i e ka përshkruar në përsosmëri atë Amerikë për një motiv të thjeshtë; ai e ka jetuar.

Carver-i jo vetëm që vinte nga një familje modeste, me një nënë kamariere dhe një baba punëtor, sharrtar, por ai vetë ka qenë pjesë e klasës së varfër punëtore, duke u përpjekur vazhdimisht të lajë borxhet në mënyre që të mundte të shkruante. Qysh 19 vjeç kishte një grua dhe një djalë të sapolindur dhe e ndante kohën e tij midis kurseve të shkrimit që nuk ia lejonte xhepi dhe punëve të çdo lloji; fatorino, punëtor, bibliotekar. Pa një drejtim të përhershëm – ndërroi disa shtete të SHBA-së në kërkim të fatit – për të gjithë vitet 50-të dhe 60-të, gjurma e tij në letërsinë amerikane është kufizuar në publikimin e ndonjë tregimi të botuar në revista të vogla të pavarura apo në ato universitare. Ditën punonte, natën shkruante, me koston e pagjumësisë dhe të arratisjes në lehtësinë e alkoolit.

Në vitin 1967 u takua me Gordon Lish-in, redaktor i Revistës Esquire, me të cilin filloi një raport dashurie-urrejtjeje që do të zgjaste deri në vdekjen e shkrimtarit. Megjithë publikimet e para, Carver-i nuk arrinte të linte pas krahëve vështirësitë ekonomike, që e detyronin të jetonte me punë paorar dhe të keqpaguar. Personazhet që Carver-i krijonte për tregimet e tij flisnin per të përditshmen e tij, ato përfshinin çiftet që shkonin drejt ndarjes, heshtjet martesore dhe kuzhinat e zbrazëta. Me këtë material, shkrimtari krijoi një seri tregimesh. Në fazën e redaktimit, Gordon Lish, i cili në kontratë kishte fuqinë për të ndryshuar rëndshëm tekstin e Carver-it, vuri në praktikë një nga më të mëdhenjtë transfigurime të letërsisë amerikane. Lindi kështu:“Për çfarë flasim kur flasim për dashurinë?”

Në foto: Gordon Lish

Carver-i i dërgoi disa letra Lish-it, i terrorizuar nga ndryshimet e botuesit.“Të them të vërtetën, këtu është në lojë ekuilibri im mendor”, i komunikon ai në një nga këto letra. Bëri gjithçka për të bindur Lish-in që t’i publikonte tregimet në versionin origjinal. “Shiko nuk dua të bëj melodramatikun, por unë vërtet isha kthyer nga vdekja kur rifillova shkrimin e tregimeve. Dhe tani kam një frikë të madhe, një frikë për vdekje, ndiej se nëse libri publikohet në formën e rishikuar aktuale, unë nuk do të mund të shkruaj më një tregim tjetër, Zoti nuk do ta donte këtë”, shkruante Carver-i gjatë raportit të tij epistolar me botuesin e tij. Lish-i nuk e dëgjoi; ai hoqi 70% të punës së Carver-it, ndryshoi titullin dhe finalet e dhjetë tregimeve nga trembëdhjetë që qenë. Libri doli në vitin 1981 dhe Carver-i u bë babai i minimalizmit, pa e dashur këtë.

Për çfarë flasim kur flasim për dashurinë?” u bë menjëherë një tekst refereues për sa i përket transformimit të narrativës së shkurtër botërore. Me stilin e tij të thate, edhe falë shkurtimeve që bëri Lish-i, ai kalon nga një emocion në tjetrin në çastin kur këto emocione nuk janë ende të shprehura; një dramë që ende nuk ka ndodhur, por që ndihet në ajër, përshkrim i një sekonde para shpërthimit, shpirtrat e ankthshem që nuk u japin formë atyre vështirësive që megjithatë lexuesi arrin t’i kapë me intuitë. Në një tregim të Carver-it nuk ndodh asgjë, dhe kështu ndodh gjithçka. Për ngjarjen nuk je në dijeni as më parë dhe as më pas, ndërsa finalja mund të mbërrijë në çdo çast. Lexuesi i Carver-it bëhet pjesë integrale e vorbullës së emocioneve, duke marrë frymë dhe duke plotësuar hapësirat e zbrazëta, duke jetuar faqe pas faqeje me një ndjesi pritjeje, që ndoshta është vete pritja e jetës apo e vdekjes.

Tregimet e Carver-it jane ende burim frymëzimi për teatrin dhe kinemanë dhe për këdo që do të tregoje SHBA-të, të cilat në shumë zona të saj janë kristalizuar në një të tashme që zgjat prej 40 vjetësh. Përtej kufijve të Amerikës, treguar nga kinemaja e Hollivudit, ajo e metropoleve të mëdha dhe e Amerikës së Madhe, gjendet ajo tjetra, e kapur nga pena e Carver-it.

Shkrimtari e shijoi suksesin e tij për më pak se një dekadë, për shkak të kancerit që e mundi në vitin 1988. Ai pati kohë të publikonte përmbledhjen:“Katedralja nga po thërras”, poezi të ndryshme, dhe të mësojë procesin e shkrimit në universitet, temë që përballet me “Mjeshtërinë e të shkruarit”.

Talenti i tij u njoh me nominimin për Çmimin Pulitzer në vitin 1984, pas atij të Çmimit Kombëtar të Librit në vitin 1977, por arritja më e madhe e tij qe publikimi pas vdekjes, në vitin 2009, i librit “Fillestarët”, gjithashtu dhe publikimi i versionit origjinal – pa ndryshimet e Lish-it:“Për çfarë flasim kur flasim për dashurinë?”

Kush druhej se Carver-i në këtë version mund të humbiste stilin që e bëri të famshem,  e quajti ate të përsosur kur lexoi kompozicionin nudo të veprës. Në atë version origjinal dolën në sipërfaqe aspekte të reja të saj, një Carver me më shumë nerv, por në të njëjtën kohë më esencial, ku detajet e bëjnë akoma më të brendshme atë pritje, atë pezullti të kohës dhe hapësirës, që e bën mesazhin e tregimeve të tij universal.

Në foto: Raymond Carver

Ajo që sot mbetet nga Carver-i, është një mënyrë e veçantë e të përshkruarit të një tregimi; një histori, fragmente të jetës. Carver-i është një trup nudo në një dhomë bosh, ndërsa bota jashtë rrjedh, i pakapshëm por i perceptueshëm për ata që kanë kohë të dëgjojnë. Mbetet dashuria, nevoja, urgjenca obsesive për shkrimin. Për shkrimin dhe jetën, ashtu si Carver-i shpjegon në parathënien e përmbledhjes “Nga po thërras”:“Nëse jemi me fat, nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për shkrimtarin apo lexuesit, do t’i mbarojmë rreshtat e fundit të një tregimi dhe do të qëndrojmë ulur një çast ose dy në heshtje. Në versionin ideal do të bëjmë një reflektim mbi atë që sapo kemi shkruar apo lexuar; ndoshta zemra dhe mendja jonë do të bëjnë një hap të vogël përpara në krahasim me atë që ishin para leximit. Temperatura e trupit do të rritet apo do të zbresë një gradë. Pastaj, pasi do të kemi rifilluar të marrim frymë rregullisht, do të rikthehemi, nuk ka rëndësi se si; si shkrimtarë apo si lexues, do të ngrihemi dhe si “krijesa të gjakut dhe nervit të ngrohtë”, siç thotë një personazh i Çehovit, do të kalojmë në impenjimin tonë të radhës: Jetën! Gjithmonë jetën!”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top