Vaclav Havel dhe Letrat e Olgës

in Letërsi by

Vaclav Havel (1936-2011) është ndër shkrimtarët më të rëndësishëm evropianë të kohës sonë. Ai lindi në Çekosllovaki në vitin 1936. Është autor i shumë eseve mbi natyrën e disidencës dhe natyrën e totalitarizmit. Në vitin 1979 ai u dënua me katër e gjysmë vjet burg për përfshirjen në lëvizjen e të drejtave të njeriut “Karta 77”. Në burg u lejua t’i shkruante bashkëshortes, Olgës, një herë në javë. Ai e shfrytëzoi këtë mundësi për refleksione të thella, mbi teatrin, shoqërinë dhe filozofinë. Këto letra përbëjnë një dokument të rëndësishëm, një vepër me vlera të përhershme. Nga letrat e burgut lindi libri “Letra Olgës” (1981), përmbledhje e letrave të shkruara gjatë periudhës 1979 -1982 si i burgosur politik. Këto shkrime shpërfaqin shpiritn e Havelit në një pikë kritike të zhvillimit të disidentit më të famshëm të Çekosllovakisë dhe udhëheqësit të ardhshëm politik, i cili do të zgjidhej si presidenti i parë jokomunist pas dyzetë vjetësh në Dhjetor 1989, pas rrëzimit të regjimit komunist me anë “Revolucionit të kadifenjtë”, protestave të pandalshme paqësore.

Në parathënien e “Letra Olgës”, Haveli rrëfen se ato ishin arratia e e vetme krijuese gjatë kohës në burg. Letrat janë me interes në dritën e rrethanave në të cilën u shkruan. Haveli iu nënshtrua punës së detyruar fizike me normë të përcaktuar qëllimisht, në mënyrë që të ishte e vështirë të realizohej. I lejohej të shkruante katër faqe në javë që mund t’ia drejtonte një personi, dhe ai zgjodhi t’ia drejtonte Olga Havelit, gruas së tij, nga viti 1964 deri kur vdiq në vitin 1996. Censura ishte jashtëzakonisht e rreptë dhe e paparishikueshme. Letrat duhet t’u përmbaheshin specifikave të sakta: Duhej të ishin të lexueshme dhe pa korrigjime, pa citime ose fjalë të huaja. Censorët kishin ndaluar humorin dhe çdo mendim që shkonte përtej asaj që ata e klasifikonin si çështje familjare. Të burgosurit nuk mund të shkruanin dorëshkrime apo të bënin shënime. Nën kushte të tilla të vështira, shkrimi i letrave çdo javë u kthye në një lojë të ankthshme hamendësimesh për interpretime arbitrare të censorëve, të cilët konfiskonin pa mëshirë letrat që nuk përputheshin me kriteret e tyre. Haveli e ushtroi parreshtur këtë mënyrë të vetme të shprehjes intelektuale që i ishte lejuar. Shpesh i fshihte refleksionet e veta mes paragrafëve më abstraktë dhe të pakuptueshëm, si mënyra më e mirë për të kaluar censorët. Pavarësisht nga këto kufizime, letrat e tij shërbejnë gjithmonë për të reflektuar mbi trashëgimin e jetës, letërsisë, luftës për të drejtat e njeriut dhe trashëgimine politike të Vaclav Havelit. Në fluturimet filozofike, komentet befasuese për individin si molekulë anonime, dinamikën e fanatizmit, për besimin, lirinë, fushën e shahut të fuqive politike, natyrën shoqërore të teatrit, shpirti i Havelit jehon nëpër këtë rrugëtim nëpër ferr.

Përktheu: Granit Zela

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top