Më mirë të jesh çoban, i kuptueshëm prej kopesë se berrave, sesa poet, i kuptuar gabim prej njerëzve!-Soren KIERKEGARD*

in Letërsi by

 Soren Kierkegard- Filozof i madh danez, teolog, shkrimtar, paraprijës i ekzistencializmit bashkëkohor, ushtroi një ndikim mbi shumë shkrimtarë e artistë europianë e rusë, veçanërisht tek Dostojevskij.

Fragmente nga leximet personale

x x x

Çfarë është poeti? – një Fatkeq që përjeton tortura të rënda shpirtërore; klithmat dhe rrënkimet shndërrohen në buzët e tij në muzikë të madhnueshme. Shortin e tij mund ta krahasosh me shortin e atyre njerëzve, të cilët i digjnin përsëgjalli në një zjarr të ngadaltë brenda demit të bakërrt Falaris: flitë nuk arrinin ta trondisnin veshin e tiranit me klithmat e tyre, që për të tingëllonin si kumbi i një muzike të ëmbël.

Dhe mblidhen përreth poetit, duke përsëritur: “këndo, këndo dhe pak!”, thënë ndryshe

– le të dërmishet shpirti yt ndër dhimba, mjafton që klithma e dalë prej shpirtit tënd, ta na tallazitë po si më parë dhe të na kënaqë me harmoninë e madhnueshme.

Kërkesën e turrmës e përkrahin kritikët: kjo është e vërtetë, kështu i takon sipas ligjeve të estetikës! Kritiku, sidoqoftë, – është po ai poet, por në zemrën e tij nuk ka të tilla vuajtje, dhe në buzë, nuk ka të tillë muzikë. Së këndejmi, them se më mirë të jesh çoban, i kuptueshëm prej kopesë se berrave, sesa poet, i kuptuar gabim prej njerëzve!

x x x

Ç’njerëz të çuditshëm! Duke mos e ushtruar asnjëherë lirinë e jeratisun për ta në një sferë, i bien gurit e drurit, plasin së kërkuari atë në një sferë tjetër:  u është dhënë liria e mendimit, por mezallah… jepu më mirë veç lirinë e fjalës!

x x x

Asgjë nuk më behet mbarë… Të udhëtoj s’ma ka qejfi –  lëvizje tepër e madhe:

Nuk më ecet – lodhesh; të shtrihesh?  – të vjen të rrokullisesh më të thatë ose të ngrihesh prapë,  e mua s’ma kanda as njërën, as tjetrën… Me një fjalë, s’më heq ana për asgjë.

x x x

Ka asi insektesh që vdesin fill pas kryqëzimit seksual. Kështu dhe gëzimet tona:

Çasti i kënaqësisë më të plotë – tretet bëhet fir!

x x x

Një këshillë e vyeshme për shkrimtarët:  ia vlen t’i hedhin meditimet e tyre si t’u vijnë dhe t’i japin t’i botojnë ashtu siç janë; gjatë  leximeve të korrekturës mund të vijnë një palë mend më të mira. Kështu, atyre, të cilëve gjer më tash u ka munguar guximi të botojnë, – o burra! Nuk ia vlen të përfillësh as gabimet tipografike; të shndrish nga mendjemprehtësia, – të paktën falë gabimeve tipografike, – kjo është më së paku e drejta e ligjshme e shkrimtarit! …

x x x

Papërsosuria më kryesore e natyrës së njeriut qëndron në qëllimin e dëshirave tona –  gjithëherë në të kundërt. Mund të sjellësh një mori të tërë shembujsh që psikologut t’i ziejë koka. Kështu, Hipokondriku është veçanërisht i ndjeshëm ndaj humorit, dashnori romantik flet me sqimë për idilet, perversi – për moralin dhe skeptiku – për besimin. Paj dhe shenjtëria nuk se mbërrihet ndryshe, përpos se nëpërmjet mëkatit.

x x x

Përveç  të njohurve të shumtë, unë kam dhe një shok tjetër – trishtimin. Midis haresë së bujshme dhe në çastet e punës zellshumë ai ia beh e më therret, englediset me vetmine e tij, dhe unë i shkoj përmbas, anipse, në thelb, nuk luaj vendit.

Kurrëherë zemra ime nuk ka patur një mik më besnik – më të mençur ndofta, të cilit i përkas me gjithë zemër!

x x x

Se çfarë trishtimi të paskaj ndjen para njeriut, të vetmuar tek pullë në botë. Këto dita kam parë një vashë të tillë të gjorë, – ajo shkonte drejt këtij pohimi e vetme, tek pullë!

x x x

Pleqëria, siç dihet, realizon ëndërrimet e djalërisë; për shembull –  Suifti: në djalëri ai pati ndërtuar një shtëpi për të çmendurit, ndërsa në pleqëri u bë një banor i rëndomtë i saj.

x x x

Thjesht mund të të trembë fakti se me çfarë thellësie të errët mendore e kanë zbuluar anglezët në lashtësi dyfishësinë (ambivalencën) në themel të së qeshurës. Ja se ç’na thotë, për shembull, doktor Hartli: “E qeshura qëkur shfaqet tek fëmijët është zanafilla e një të qare që e grish dhimbja, ose dhimbja e ndrysur menjëherë që përsëritet pas intervalesh të shkurtra të shprehjes së ndjenjës së dhimbjes ”… Çfarë do të ndodhte, nëse gjithçka në botë do të kishte qenë vetëmse një ngatërresë, nëse e qeshura do të kishte qenë, në thelb, e qarë!

x x x

Korneli Nepot rrëfen, se si komandanti i një regjimenti të madh kavalerie, i kyçur nga armiku në një  kështjellë që i urdhëruar t’u grahte me kamzhik kuajve çdo ditë, me qëllim që të mos squlleshin nga qëndrimi i gjatë dhe nga mungesa e veprimit…

Unë gjithashtu rroj tani si një i izoluar dhe, që të mos vuaj nga mosveprimi i gjatë, qaj, qaj, gjersa të ndalem.

x x x

Forca madhështore dhe e pavenitshme e poezisë sonë të vjetër popullore ka vetëm një sekret, dhe sekreti qëndron në forcën e dëshirimit. Por dëshirat e kohës sonë janë veçse mëkatare dhe banale – dëshira jonë reduktohet – të jetojmë vetëm për hesap të të afërmit. Poezia popullore e di për mrekulli që i afërmi nuk e ka atë çka ajo dëshiron, për çka ajo është e etur, dhe prandaj, nëse në një rast tjetër ndodh të paraqesë ndofarë dëshire mëkatare, atëherë ajo është aq madhështore, aq vikatëse në kupë të qiellit, sa të përqethet shtati. Kjo poezi nuk bën pazar në kërkesat e veta me reflektimet e ftohta të arësyes së esëllt. Gjer më tash, për shembull, Don Zhuani kalon para nesh në skenë me “1003 dashnoret”, – dhe askush nuk guxon të vërë buzë në gaz, – tashmë nga nderimi për gojdhanën. Dhe të bëjë vaki të krijojë poeti diç të tillë të ngjashme në kohën tonë, atë me siguri do ta bëjnë gazin e botës.

Përktheu: Agron TUFA

http://www.fjalareview.com/ 

Titulli është redaksional

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top