Faik Konica dhe gjuha letrare shqipe/Janet Byron

in Letërsi by

Sipas Konicës, gjuha dhe karakteri pasqyrojnë njëri-tjetrin. Prandaj ndryshimi në gjuhë krijon ndryshimin në karakter.

Janet Byron

Në gjuhësinë moderne, standardizimi i gjuhës është një fushë me rëndësi. Kësaj fushe i përket përmirësimi i gjuhës për qëllime letrare e shkencore. Gjatë periudhës së Rilindjes në Shqipëri, shumë shkrimtarë dhe mendimtarë janë shprehur mbi çështjen e një gjuhe letrare të njësuar, e Faik Konica ishte një nga këta.

Për shkak të punëve të shumta në letërsi, në botime, etj., Konica nuk i zhvilloi të plota mendimet e tij mbi përmirësimin e gjuhës shqipe. Me gjithë këtë, mendimi i Konicës mbi zhvillimin e gjuhës mbetet me rëndësi, është një fushë që duhet të studiohet.

Konica iu drejtua dy herë çështjes së gjuhës së njësuar, bazës së saj dialektore (do të kufizoj shënimet e mia rreth kësaj pike); një herë në vitin 1898, pastaj në vitin 1905, në të përkohshmen “Albania”.

Sipas Konicës, gjuha dhe karakteri pasqyrojnë njëri-tjetrin. Prandaj ndryshimi në gjuhë krijon ndryshimin në karakter. Toskërishtja, sipas tij, është si diçka e shpejtë dhe e epur: gegërishtja, përkundrazi, është si diçka e ngadalshme dhe e rëndë. Konica propozoi që të dy dialektet të përdoren ndryshe nga njëri-tjetri. Toskërishtja, sipas tij, do të ishte e aftë për prozë, ndërsa gegërishtja do të ishte e aftë për poezi. Por një propozim i tillë nënkupton që shkrimtari tosk duhet të mësojë gegërishten për të shkruar poezi, ndërsa shkrimtari geg duhet të mësojë toskërishten për të shkruar prozë. Duhet shënuar se qëllimi i këtij plani  ishte që gjuha shqipe të njësohej me anën e përdorimit të dy dialekteve nga çdo shqiptar ose, se paku nga çdo shkrimtar shqiptar.

Sidoqoftë Konica u bind më në fund që kjo mënyrë veprimi nuk do të ishte e zbatueshme. Për këtë arsye ia drejtoi vërejtjen gjuhës vetë, dhe ai vendosi që gjuha mund të njësohej më së miri me anën e bashkimit të fjalorit shqip, të pasurisë së fjalëve. Konica kishte ndër mend që çdo fjalë dialektore të përdoret, ose sipas pozitës në fjali, ose sipas kuptimit. Për shembull forma gege “nji” të shkruhet përpara një emri femëror, ndërsa forma toske “një” të shkruhet përpara një emri mashkullor; kështu “nji” çantë, por “një” hov. Ky shembull tregon përdorim të ndryshëm të fjalëve sipas pozitës se tyre në fjali. Por kuptimi i fjalës “një” ose “nji” nuk do të ndryshonte sipas Konicës. Nga ana tjetër, përdorimi i fjalëve sipas kuptimit të ndryshëm nënkupton që çdo shkrimtar do të përdorte fjalë toske dhe gege, por jo në të njëjtin kuptim. Për shembull, forma gege “i vorfën” do të kishte kuptimin jetim, ndërsa forma toske “i varfër” do të kishte kuptimin “i vobektë”. Punën e bashkimit të dialekteve në këtë mënyrë do ta ndërrmerrnin gramatikanët dhe albanologët sipas Konicës.

Gjuha moderne letrare që është zhvilluar pas vdekjes së Konicës, bazohet mbi toskërishten. Kjo ndodhi nga arsye politike. Megjithatë gjuha letrare nuk është thjesht toskërishte. Për arsye të takimit të ngushtë midis dy grupeve dialektore të Shqipërisë, dialektet kanë ndikuar njëri-tjetrin. Përveç kësaj, dialektet shqip kanë më shumë përngjasime se ndryshime. Për këtë arsye nuk mund të themi që gjuha letrare shqiptare është thjesht toske. Në fushën e fjalorit ndeshim disa dublete (siç themi në gjuhësi) nga dialektet e ndryshme, p.sh., “duke qenë se” nga toskërishtja dhe “meqenëse” nga gegërishtja. Gjejmë edhe ndikimin e gegërishtes në formimin e disa emrave dhe mbiemrave të gjuhës letrare; p.sh., “mesues” (në vend të “mësonjës”), “i besueshëm” në vend të “i besuar”. Prandaj sistemi normal i gjuhës letrare pasqyron nga ana morfologjike dy dialekte. (Por kjo ndodhi nga arsye gjuhësore historike.) Megjithatë elementi tosk mbizotëron në gjuhën letrare. Konica përkundrazi nuk pranoi mbizotërimin e një dialekti të vetëm në gjuhën letrare. Ai mbrojti kompromisin. Për shembull, ai mbrojti dialektin e Elbasanit si zgjidhje e problemeve të veçanta gjuhësore. Por ai nuk do ta pranonte këtë dialekt si bazë të gjuhës letrare. Përveç kësaj, si botues, Konica pranoi artikuj nga shkrimtarët e një radhe të gjerë mendimesh.

Konica është i rëndësishëm sot si shembull i jashtëzakonshëm i një njeriu që mundi të vështronte gjuhën si nga pikëpamja e folësit, si dhe nga pikëpamja e gjuhës vet. Kjo pasuri mendimi shpesh mungon tani në diskutimet mbi gjuhën, si në Shqipëri dhe në vendet e tjera.

Si shkrimtar i ndritur, Konica solli në fushën e diskutimeve gjuhësore një mendje shumë të pasur e të ndjeshmë. Ndonëse Konica nuk mundi të ndikonte për zhvillimin e pastajmë të gjuhës letrare, prapëseprapë ai mbetet i rëndësishëm si ideal gjuhësor, një njeri që mund të bashkonte aftësinë thjesht letrare me aftësinë gjuhësore. Një bashkim i jashtëzakonshëm.

1982

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top