Author

Admin - page 135

Admin has 1814 articles published.

Udhëheqësi-Radoje Domanović

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Tharm by

Radoje Domanović

Vëllezër dhe miq! I kam dëgjuar të gjitha fjalimet tuaja, prandaj tani kërkoj të më dëgjoni. Të gjitha diskutimet dhe bisedat tona nuk kanë fare vlerë për sa kohë rrimë në këtë vend shterp. Në këtë tokë ranore dhe në këto shkëmbinj asgjë nuk ka mundur të rritet, madje edhe kur ka pasur vite me shi, e jo më në këtë thatësirë që askush nga ne s’ka parë të ketë ndodhur kurrë më parë. Edhe sa kohë do të mblidhemi si sot dhe të flasim më kot? Kafshët po ngordhin pa ushqim, dhe shumë shpejt, si ne edhe fëmijët tanë, do të vdesim nga uria. Duhet të gjejmë një zgjidhje tjetër më të mirë dhe më të arsyeshme. Mendoj se më e mira do të ishte të largoheshim nga kjo tokë e ashpër  dhe të endemi nëpër botë për të gjetur një tokë më të mirë dhe më pjellore, sepse kështu nuk jetohet më.

Kështu një banor i një krahine jopjellore u dëgjua të flasë njëherë me zë të lodhur në njërin prej këtyre takimeve. Se ku dhe kur ndodhi kjo, them se nuk ka rëndësi për ty dhe as për mua që po të rrëfej. Rëndësi ka të më besoni se ka ndodhur diku në një vend shumë kohë më parë, dhe kaq mjafton. Për të qenë i sinqertë, në një çast mendova se e kisha sajuar njëfarësoj gjithë këtë histori, por pak nga pak u çlirova nga ky iluzion i poshtër. Tani besoj fort se do të tregoj se çfarë ka ndodhur me të vërtetë dhe duhet të ketë ndodhur diku dhe dikur se unë s’do mundesha kurrë të sajoja diçka të tillë. Dëgjonjësit “me f’tyra të zbeta edhe sy t’jeshilta” që rrinin si hije, me shikime të pakuptimta, me duart që u vareshin poshtë, duket se u trazuan nga këto fjalë prej të mençmi. Secili prej tyre tashmë po përfytyronte sakaq sikur kishin sosur në një lloj toke magjike, parajsore, ku shpërblimi i rropatjes fizike u shpërblye ashtu siç nuk e kishin menduar kurrë.

Për besë, ka të drejtë! Të drejtë ka! – u dëgjuan zëra të lodhur që vinin nga të gjitha anët. – Të jetë ky vend këso… ane? – u dëgjuan disa zëra të ndrojtur andej nga një cep.

Vëllezër! – ia priti një tjetër me zë disi më të fortë.  – T’ia vëmë veshin kësaj këshille sa nuk është vonë se kështu nuk shtyhet më. Jemi rraskapitur a katosur, por gjithçka doli pesë me hiç. Mbollëm në arë farë që mund ta kishim përdorur për haje, por ujërat vërshuan dhe na e fshinë farën nga faqja e dheut bashkë me dherat duke na lënë një tokë djerrë. A duhet të rrimë në jetë të jetëve këtu duke punuar, prej në të aguar gjer në të perënduar, vetëm e vetëm që të vuajmë për bukë e ujë, të zhveshur dhe të zbathur? Duhet të dalim dhe të kërkojmë një tokë më të mirë dhe më pjellore e cila do të na e shpërblejë djersën e derdhur me të korra të begata.

Nisemi! Nisemi që tani sepse prej këtij vendi duhet ikur një orë e më parë! Murmurimat u shtuan, dhe të gjithë filluan të ikin pa e peshuar shumë se ku po shkonin.

Prisni, vëllezër! Ku veni kështu? – ua preu hovin sërish ai që foli i pari. Sigurisht që duhet të ikim, por jo kështu. Duhet ta dimë se ku po po vemi. Përndryshe mund të biem nga shiu në breshër, në vend që të shpëtojmë bëhet edhe më keq. Propozoj të zgjedhim një Udhëheqës të cilit t’i bindemi të gjithë dhe ai do të na dëftejë rrugën më të mirë dhe më të shkurtër.

Ta zgjedhim! Ta zgjedhim dikë që tani, – u dëgjuan të thonë të gjithë me një zë.

Atypari nisën të zihen mes tyre, rrëmujë hesapi. Secili molloiste për qejf të vet dhe asnjë s’mbante vesh e nuk mund të dëgjonte. Nisën të ndaheshin në grupe, secili duke i bërë hyzmet të tijës, dhe pastaj edhe grupet u shpërndanë. Dy e nga dy, filluan t’i flasin tjerit përballë, duke e kapur për krahu, me zë të ngritur, a thua se donin ta bindnin për ndonjë gjë, ndërsa e tërhiqnin njëri-tjetrin për mëngësh dhe tundnin duart lart. Pastaj u bënë grumbull sërish, ashtu, duke folur pa pushim.

Vëllezër! – kumboi befas një zë më i fuqishëm i cili mbyste të gjitha zërat e tjerë të ngjirur dhe të topitur. Kështu s’do biem kurrë në një mendje. Gjithkush po flet dhe askush s’po dëgjon. Hajt t’zgjedhim një udhëheqës! Cilin nga ne do të zgjedhim? Kush prej nesh ka udhëtuar aq sa t’i njoh të gjitha rrugët? Ne të gjithë e njohim mirë njëri-tjetrin, por unë nuk do t’ia besoja fatin tim dhe fëmijëve të mi asnjërit prej jush si udhëheqës. Më mirë, më thoni kush e njeh atë udhëtarin atje, i cili rri ulur nën hije buzë të rrugës qysh në pikë të mëngjesit?

Kudo u bë heshtje. Të gjithë u kthyen nga i huaji duke e peshuar me sy nga koka tek këmbët. Udhëtari, një mesoburrë, me fytyrë të zymtë, e cila mezi dukej për shkak të mjekrës dhe flokëve të gjata, qëndroi ulur dhe i heshtur si më parë, i zhytur në mendime duke i rënë tokës me bastun herë pas here.

Dje e pashë atë, të njëjtin njeri me një djalë të ri. Ata po mbanin njëri-tjetrin për dore dhe po çapiteshin në rrugë. Dhe mbrëmë djali u largua nga fshati, por i huaji qëndroi këtu.

Vëllezër, le t’i harrojmë këto çikërrima e të mos humbim kohë. Kushdo që të jetë, ai ka ardhur nga larg pasi asnjëri prej nesh nuk e njeh dhe ai me siguri e di rrugën më të shkurtër dhe më të mirë për të na udhëhequr. Sipas gjykimit tim ai është njeri shumë i mençur sepse është ulur atje dhe rri në heshtje dhe duke u menduar. Kushdo tjetër do të kishtekishte futur tashmë hundët në punët tona sa e sa herë ose do të kishte filluar të bisedoj me njërin prej nesh, por ai ka ndjenjur atje ulur gjatë gjithë kohës fare vetëm dhe duke mos thënë asgjë.

– Natyrisht, njeriu është ulur në heshtje, sepse ai mendon për diçka. Nuk mund të jetë ndryshe, përveçse është shumë i zgjuar, – miratuan të tjerët dhe filluan ta këqyrin përsëri të huajin. Secili prej tyre zbuloi tipar të shkëlqyer tek ai, dëshmi të inteligjencës së tij të jashtëzakonshme.

Nuk u harxhua më kohë më kot duke folur, dhe më në fund të gjithë  ranë dakord se se do të ishte më mirë të pyetej ky udhëtar, të cilin, dukej se Perëndia e kishte dërguar për t’i udhëhequr ata nëpër botë për të kërkuar një territor më të mirë dhe tokë më pjellore. Ai duhej të ishte udhëheqësi i tyre dhe ata do ta dëgjonin dhe do t’i bindeshin me besim absolut. Zgjodhën dhjetë burra nga mesi i tyre që duhej të shkonin te i huaji për t’ia shpjeguar vendimin e tyre. Ky delegacion kishte detyrë t’ia shpjegonte atij gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodheshin dhe t’i kërkonte të ishte udhëheqësi i tyre. Kështu, të dhjetët shkuan dhe përkulën para tij me përulësi. Njëri prej tyre filloi të fliste për tokën joprodhuese të zonës, për vitet e thata dhe mjerimin në të cilin të gjithë ishin katandisur. Ai përfundoi me këto fjalë:

– Këto kushte na detyrojnë të lëmë shtëpitë dhe tokën tonë dhe të shtegtojmë nëpër botë për të gjetur një atdhe më të mirë. Pikërisht në këtë çast kur kemi rënë të gjithë dakord për këtë, duket se Perëndia tregoi mëshirë për ne, sepse ju dërgoi tek ne, juve, një i huaj i mençur dhe i denjë  që do të na udhëheqë dhe do të na çlirojë nga mjerimi. Në emër të të gjithë banorëve këtu, ju kërkojmë që të jeni udhëheqësi ynë. Ngado që të shkosh, ne do të ndjekim nga pas. Ti i njeh rrugët dhe me siguri ke lindur në një atdhe më të lumtur dhe më të mirë. Ne do t’ju dëgjojmë dhe do t’i bindemi çdo urdhri. A do të pranoni ju i huaj, i mençur, të shpëtoni kaq shumë shpirtra nga rrënimi? A pranoni të jeni udhëheqësi ynë?Gjatë gjithë kohës që mbahej ky fjalim përgjërues, i huaji i mençur nuk e ngriti kokën as edhe një herë të vetme. Gjatë gjithë kohës qëndroi në të njëjtin pozicion që e gjetën. Kokën e mbante të ulur, fytyrëngrysur, ai nuk tha asgjë. Ai vetëm godiste me shkop tokën kohë pas kohe dhe  mendohej. Kur mbaroi fjalimi, ai murmuriti fare pak dhe ngadalë pa e ndryshuar pozicionin e tij: Pranoj!A mund të shkojmë me ty atëherë dhe të kërkojmë një vend më të mirë?- Po, mundeni! – vazhdoi pa ngritur kokën.Entuziazmi dhe shprehjet e vlerësimit u përhapën sakaq, por i huaji nuk bëri asnjë koment për këtë.Të dhjetët e informuan turmën për suksesin e arritur, duke shtuar se vetëm tani ata e kuptuan mençurinë e madhe të këtij njeriu. – Ai as nuk lëvizi fare nga vendi madje as kokën s’e ngriti për të parë të paktën kush po bisedonte me të. Vetëm rrinte ulur zhytur në heshtje duke medituar. Pas gjithë atij fjalimi të gjatë ai u përgjigj vetëm me katër katër fjalë. – Një i urtë e vërtetë! Inteligjencë e rrallë! – bërtitën ata të lumtur nga të gjiths anët duke thirrur se vetë Perëndia e kishte dërguar si engjëll nga qielli për t’i shpëtuar ata. Të gjithë ishin të bindur njëqind për qind  për suksesin e një udhëheqësi të tillë, të cilin asgjë në botë nuk mund ta shpërqendronte. Dhe kështu u vendos për t’u nisur për rrugë ditën e nesërme në agim.

Të nesërmen u grumbulluan të gjithë ata që kishin guximin për t’u nisur në  në një udhëtim të gjatë. Më shumë se dyqind familje erdhën në vendin e caktuar. Vetëm pak qëndruan në shtëpi për t’u kujdesur për vendbanimet e vjetra. Ishte me të vërtetë e trishtueshme të shihje atë grumbull njerëzish të mjerë, të cilët fatkeqësia e hidhur i kishte detyruar të braktisnin vendin në të cilin ata kishin lindur dhe në të cilën kishin varrezat e paraardhësve të tyre. Fytyrat e tyre ishin të drobitura, të lodhura dhe të djegura nga dielli. Vuajtja e shumë viteve të gjata dhe të vështira kishte lënë gjurmët e veta dhe kishte krijuar një tablo mjerimi dhe dëshpërim të madh. Por krejt papritur, ishte shfaqur rrezja e parë e shpresës, bashkë me mallin për shtëpitë, sigurisht.

Një lot shkau teposhtë fytyrës së rrudhur të një plaku, i cili psherëtiu me dëshpërim dhe tundi kokën në ajër duke parndjerë diçka të keqe. Ai do të qëndronte atje për sa kohë i kishte mbetur jetë, sepse donte të vdiste mes atyre shkëmbinjve në vend që të kërkonte një atdhe më të mirë. Shumë gra ankoheshin me zë të lartë dhe i dhanë lamtumirën të dashurve të tyre të vdekur, varrezat e të cilave po i braktisnin.

Burrat po përpiqeshin të krijonin një grup guximtarësh dhe thërrisnin: Doni të vazhdoni të vdisni urie në këtë tokë të mallkuar dhe të jetoni në këto kasolle?

Në të vërtetë më e mira për ta ishte të mund ta mbartnin me vete atë tokë të mallkuar, po të ishte e mundur. Kudo mbizotëronte zhurma dhe rrëmja e zakoshme turma të mëdha me njerëz. Si burrat dhe gratë ishin të shqetësuar. Fëmijët qanin me të madhe në djepet në shpinat e nënave të tyre. Edhe kafshët ishin paksa të trazuara. Nuk kishte shumë bagëti, një viç aty-këtu dhe pastaj një karrocë rrangallë dhe e pistë mbi të cilat ata kishin ngarkuar qilima të vjetra, çanta dhe madje edhe dy thasë mbi samar, kështu që mushkës së gjorë më kokë të madhe i dridhedhin këmbët nën peshën e tyre. Megjithatë, arrinte ta tërhiqte dhe hingëllinte herë pas here. Të tjerët po ngarkonin gomarët; fëmijët po tërhiqnin qentë për rripi. Dëgjoheshin tek flsnin, bërtisnin, mallkonin, qanin, të lehura, hingëllima, të gjitha njëherësh. Madje edhe gomar pëlliti disa here me radhë pa pushim. Por udhëheqësi nuk tha asnjë fjalë, sikur e gjithë kjo nuk kishte të bënte me të. Një njeri vërtetë i mençur! Ai vetëm u ul mendueshëm dhe në heshtje, me kokën ulur. Herë pas herë pështynte, vetëm kaq. Por për shkak të kësaj sjelljes së tij të çuditshme, popullariteti i tij u rrit aq shumë saqë të gjithë do të kalonin nëpër shi e breshër, siç thoshnin ata, për të. Biseda si këto dëgjoheshin kudo:

Duhet të jemi të lumtur që kemi një njeri të tillë. Ku do të mbyteshim pa të, Perëndisë i qofshim falë! Do të kishim zhdukur. Ai ka inteligjencë të vërtetë, po ju them! Është i heshtur. Nuk ka thënë ende një fjalë! – tha njëri duke shikuar udhëheqësin me respekt dhe krenari. – Çfarë duhet të thotë ai? Kushdo që bisedon shumë nuk mendon shumë. Është i zgjuar, kjo është e sigurt! Ai vetëm mendon dhe nuk thotë asgjë, – shtoi një tjetër, dhe ai gjithashtu e shikoi udhëheqësin me frikë të përzier me nderim.

– Nuk është e lehtë të udhëheqësh kaq shumë njerëz! Ai duhet ta vrasë gjerë e gjatë mendjen, sepse barra që ka marrë përsipër është e madhe, – tha i pari përsëri. Ka ardhur koha për t’u nisur. Megjithatë, ata pritën pak për të parë nëse dikujt do t’i ndryshonte mendjen dhe t’ua bashkohej atyre, por meqë nuk u pa njeri tjetër, ata nuk mund të rrinim kot aty më.

– A mos duhet të nisemi? – e pyetën udhëheqësin.

Ai u ngrit pa thënë asnjë fjalë. Burrat më të guximshëm u mblodhën rreth tij për t’iu gjendur pranë nëse ai vihej në rrezik apo i duhej ndihmë. Udhëheqësi, i vrenjtur në fytyrë, me kokën e ulur poshtë, bëri ca hapa, duke prekur me shkop tokën para vetes në mënyrë dinjitoze.

Turma e njerëzve nisi ta ndjekë nga pas duke bërtitur herë pas here: “Rroftë udhëheqësi ynë!”

Ai bëri disa hapa të tjerë përpara dhe u përplas me gardhin para sheshit të fshatit. Aty, natyrisht, u ndal; kështu që edhe turma u ndal. Udhëheqësi më pas bëri pak pas dhe goditi lehtë disa herë me shkop gardhin.

– Na thuaj çfarë të bëjmë? – e pyetën. Ai nuk tha asgjë. – Çfarë na thua të bëjmë?

Ai nuk nxori asnjë fjalë.

– Çfarë të bëjmë? Të shkulim gardhin! Kjo është ajo që duhet të bëjmë! A nuk i keni sytë në ballë e nuk e shihni se ai sapo na tregoi me shkop se se çfarë duhet të bëjmë? – bërtitën ata që ishin shtrënguar rreth e rrotull udhëheqësit.

– Ja ku është porta! Ja ku është porta! – bërtitën fëmijët dhe treguan me gisht portën që qëndronte në anën  përballë tyre.

– Sus, asnjë fjalë fmëijë!

– Perëndia na ndihmoftë, s’po marrim vesh çfarë po ndodh? – thanë disa gra duke bërë kryqin.

– As edhe një fjalë të mos u dëgjohet! Ai e di se çfarë duhet bërë.

– Shkuleni gardhin!

Sa hap e mbyll sytë gardhi u bë petë a thua se nuk kishte patur gardh aty. E kaluan gardhin. Nuk kishin bërë as njëqind njëqind hapa kur udhëheqësi u përball me një shkurre të madhe gjembaçe dhe ai u ndal. Me shumë zor arriti të sprapsej dhe nisi të tundte shkopin ngado. Askush nuk lëvizi. . Po tani çka ju gjeti? – bërtitën ata që në ishin nga fundi.

Priteni shkurretn! – bërtitën ata që qëndronin rrotull udhëheqësit.

Atje ka rrugë, pas shkurreve me gjemba! Ja ku ështwë! – bërtitën fëmijët dhe madje shumë njerëz nga fundi.

Atje ka rrugë! Atje ka rrugë! – ua kthyen me të tallur ata rrotull udhëheqësit, duke i përqeshur gjithë zemërim. Dhe si mund ta dimë ne të verbërit se për ku po na udhëheq ai? S’mund të japin urdhra të gjithë. Udhëheqësi e di rrugën më të mirë dhe më të drejtë. Pritini shkurret! I madh e i vogël iu futën pastrimit të udhës nga shkurret.

Ah! bërtiti njëri që i hyri një gjemb në dorë kurse një tjetër bërtiti se u gërvisht në fytyrë nga një degë manaferre.

Vëllezër, nuk arrihet asgjë pa mund e djersë. Duhet të sakrifikosh që t’ia dalësh, – u përgjigj njeriu më i guximshëm në grup.

Çanë përmes shkurreve pas shumë përpjekjeve ecën përpara. Pas u endën pak më tej, hasën në një grumbull me trungje pemësh Edhe ato u hodhën mënjanë. Pastaj vijuan rrugën. Shumë pak rrugë bënë gjatë ditës së pare, sepse u desh të kapërcejnë disa pengesa të tilla. Dhe i përballuan të gjitha këto me fare pak ushqim, sepse disa kishin marrë me vete vetëm bukë e djathë, ndërsa të tjerët kishin vetëm pak bukë sa për të shuar urinë. Disa nuk kishin asgjë për të ngrënë. Për fat të mirë ishte verë ndaj dhe herë pas here hasnin në ndonjë pemë frutore.

Kështu, edhe pse në fund të ditës së parë vetëm pak rrugë kishin bërë, ndiheshin shumë të lodhur. Nuk u përballën me rreziqe të mëdha dhe nuk pati as aksidente. Natyrisht, në një ndërmarrje kaq të madhe, ngjarje të tilla duheshin parë si të papërfillshme: një gjemb i futur në syrin e majtë të një gruaje, të cilën ajo e mbuloi me një leckë të lagur; një fëmijë që ulëriu se i zuri këmbët një trung, duke mbetur i çalë; një plak u rrëzua mbi një shkurre dhe ndrydhi kyçin e këmbës; pasi i vunë qepë sipër, ai e duroi trimërisht himbjen dhe, i mbështetur mbi shkop, çalonte përpara trimërisht pas udhëheqësit.

(E sigurt, thanë disa sosh, plaku po gënjen për kyçin e këmbës, thjesht po hiqet me gjasme se do të gjej një shkak për t’u kthyer pas.) Shumë shpejt zor se gjeje ndonjë që të mos i kishte hyrë një gjemb në krah apo të mos ishte gërvishtur në fytyrë. Burrat e duruan gjithçka me heroizëm, ndërsa gratë mallkuan orën kur u nisën, fëmijët qanin me të madhe, natyrisht, sepse nuk e kuptonin atë ndërmarrje të madhe dhe se ajo dhimbje do të shpërblehej shumëfish në fund fare. Për të mos e prishur lumturinë dhe gëzimin e të gjithëve, asgjë nuk i ndodhi udhëheqësit. Për të qenë të sinqertë, nëse duam të themi të vërtetën, ai ishte shumë i mbrojtur, por sidoqoftë, thjesht ishte me fat.

Në natën e parë të kaluar në kampin e ngritur, të gjithë u lutën dhe e falënderuan Perëndinë se udhëtimi gjatë ditës kishte qenë i suksesshëm dhe se asgjë, as më e vogla fatkeqësi nuk e kishte prekur udhëheqësin. Pastaj njëri prej burrave më trima filloi të fliste. Fytyrën ia kishte gërvishtur një degë manaferre, por thjesht nuk e vriste fare mendjen për këtë.

– Vëllezër, – filloi ai. – Udhëtimin një ditor e hodhëm pas krahëve me sukses, falë të madhit Zot. Rruga nuk është e lehtë, por ne nuk duhet të dorëzohemi sepse të gjithë e dimë se kjo rrugë e vështirë do të na sjellë lumturinë. Perëndia e plotfuqishme e mbroftë udhëheqësin tonë nga çdo rrezik që të mund të vazhdojë të na udhëheqë me sukses. – Nesër mund ta humbas edhe syrin tjetër nëse gjërat shkojnë si sot! – tha njëra nga gratë gjithë zemërim.

– Ah! Më shkele këmbën! – bërtiti plaku, i nxitur nga  ajo që tha gruaja.

Fëmijët nuk reshtnin të qarat, dhe nënat nuk arrinin t’i bindnin të mos qanin në mënyrë që të mund ta dëgjonin zëdhënësin.

– Po, do të humbasësh syrin tjetër, – shpërtheu ai gjithë zemërim, – mund t’i humbësh të dy! Nuk është ndonjë fatkeqësi e madhe për një grua që të humbasë sytë për një kauzë kaq të madhe. Turp ta dëgjosh! A nuk mendoni ndopak për mirëqenien e fëmijëve tuaj? Edhe sikur gjysma prej nesh t’i humbin sytë, e çfarë pastaj! Çfarë ndryshimi bën ai? E çfarë qenka një sy? E kujt i hynë në punë sytë e tu kur është dikush po kërkon dhe po na çon drejt lumturisë? A duhet ta lëmë këtë rrugë në mes thjesht për shkak të syrit tënd dhe këmbës së atij plakut?

– Ai po genjen moré! Plaku gënjen! Po shtiret vetëm e vetëm që të kthehet, – shpërthyen zëra nga të gjitha anët.

– Vëllezër, kushdo që nuk dëshiron të vazhdojë më tutje, – tha zëdhënësi përsëri, – le të kthehet pas në vend që të ankohet dhe të shkurajojë të tjerët. Për sa më përket mua personalisht, do ta ndjek këtë udhëheqës të mençur deri në pikën e fundit të fuqisë!- Pas na ke! Do ta ndjekim nga pas deri sa të marrim frymë!Udhëheqësi rrinte i heshtur. Të gjithë filluan të shohin nga ai dhe të pëshpëritni:- Është zhytur në mendime!- Njeri i mençur fort!- Shihja ballin!- Dhe gjithmonë me fytyrë të ngrysur!- Sa serioz!- Duket që është trim! S’ja bën syri tërr!- Pikës i ke rënë! Gjerdhe, trungje e ferra nuk e ndalën dot, çau mes për mes tyre. I zymtë prek lehtë me shkop tokën,  duke mos thënë asgjë, dhe veç ta marrësh me mend se çfarë duhet të  ketë në mendje!Kështu ku dita e parë dhe po ashtu edhe ditë të tjera me të njëjtat suksese. Nuk ndodhi ndonjë gjë e rëndësishme, ndodhi të vogla: Ranë hundë e buzë në një hendek, pastaj morën nëpër një luginë; bënë përpara përmes gjithfarë gjerdhesh, shkurresh e ferash, shkelnin në copa xhami shishesh të thyera, dia pësuan fraktura në kokë. Por të gjitha vuajtjet u përballuan. Disa të moshuar mbetën të vdekur gjatë rrugës. “Do të kishin vdekur edhe nëse do rrinin në shtëpi, nuk është faji i rrugës!” – u tha zëdhënësi, duke i nxitur të tjerët të vazhdonin. Disa fëmijë më të vegjël, rreth një deri në në dy vjeç, humbën. Prindërit i shtypën me durim dobësitë e ndjenjave sepse ishte vullneti i Perëndisë. “Dhe sa më të vegjël fëmijët, më i vogël pikëllimi. Kur nuk janë rritur, hidhërohesh më pak. Perëndia i mbroftë fëmijët që arrijnë moshën e martesës. Por nëse është shkruar të vdesin në këtë moshë, atëherë shumë më mirë të vdesin të vegjël. Se atëherë pikëllimi nuk është aq i madh!” – i ngushëlloi zëdhënësi prindërit. Disa mbështollën kryet me lecka, dhe vendosën kompresa mbi plagë. Të tjerë kishin fashuar krahët.Të gjithë çapiteshin në mënyrë të çrregullt dhe të hallakatur. Rrobat u vareshin si zhele, por ata gjithsesi  për fatin e mirë vetëm ecnin përpara. E gjitha kjo do të durohej shumë më letë po të mis i grinte uria. Por ata duhej të vazhdonin.Një ditë ndodhi diçka më e rëndësishme.Udhëheqësi po ecte përpara, i rrethuar nga burrat më trima të grupit. (Dy prej tyre kishin humbur, dhe askush nuk e dinte se ku ishin.) Shumica mendonin se ata e kishin tradhtuar kauzën dhe ia kishin mbathur. Në një rast zëdhënësi tha diçka në lidhje me tradhtinë e tyre të turpshme. Vetëm pak besonin se të dy kishin vdekur rrugës, por ata nuk shprehnin mendimin e tyre në mënyrë që të mos kishin telashe me të tjerët.) Pjesa tjetër e grupit ndiqte në rresht pas tyre. Papritmas, para tyre u shfaq një grykë mali jashtëzakonisht e madhe dhe e thellë, shkëmbore, humnerë e vërtetë. Shpati ishte kaq i pjerrët sa asnjëri nuk guxoi të bënte as edhe një hap përpara. Edhe trimi më i çartu u ndal ne vend dhe nguli sytë tek udhëheqësi.I zymtë, zhytur në mendime, me kokën ulur, ai bëri para me guxim duke prekur lehtë me shkop para tij, pastaj majtas, siç bënte zakonisht. Shumë thanë se kjo e bënte të dukej edhe më dinjitoz. Ai nuk pa nga asnjëri prej tyre dhe as nuk tha asgjë. Në fytyrë nuk i dallohej asnjë reagim apo gjurmë frike edhe pse i afrohej gjithnjë e më shumë greminës. Edhe burrat më të guximshëm u sterrosën në fytyrë, por askush nuk guxonte ta paralajmëronte udhëheqësin trim dhe të mençur. Edhe dy hapa të tjerë dhe ishte mu në zgrip. Të pushtuar nga një frikë e tmerrshme dhe me sytë e shqyer nga habia të gjithëve iu rrënqeth shtati. Më të guximshmit ishin gati duke e penguar udhëheqësin, edhe nëse kjo do të përbënte shkelje të disiplinës, kur ai hodhi hapin e parë, të dytin dhe humbi në luginë. Njerëzia u shushatën,  u dëgjua piskamë, rënkime, frika u hyri në palcë të gjithëve. Disa filluan të ikin me vrap. – Ndaluni, vëllezër! Pse nguteni? A kështu e mbani fjalën? Duhet ta ndjekim këtë njeri të mençur, sepse ai e di atë që po bën. Do të ishte i çmendur të bënte diçka për të shkatërruar veten. Përpara, pas tij! Ky është rreziku më i madh dhe ndoshta i fundit, pengesa e fundit. Ku i dihet? Ndoshta në anën tjetër të kësaj lugime do të gjejmë një tokë madhështore dhe pjellore, të cilën Perëndia na e ka taksur neve. Përpara! Pa sakrificë, nuk shkojmë do askund! – kjo ishte këshilla e zëdhënësit dhe ai gjithashtu mori dy hapa përpara, duke u zhdukur në luginë. E ndoqën më të guximshmit dhe pastaj të gjithë të tjerët u zhdukën sakaq në luginën e thellë.Kishte ah e oh-e, rënkime, njerëz që rrëzoheshin në pjerrësinë e madhe të kësaj gryke të madhe mali. Ka nga ata që do të betoheshin se asnjëri prej tyre nuk do të dilte prej andej i gjallë kurrën e kurrës, dhe aq më pak i palënduar dhe si njeri sakllam, por jeta njerëzore është e pambarimtë. Udhëheqësi ishte jashtëzakonisht me fat. Ai kapej për shkurresh ndaj kurdo që rrëzoehj nuk vritej. Ai arriti ta mblidhte veten dhe të kacavarej.Ndërsa atje poshtë ulërisnin. Rënkonin e qanin, ai u ul diku, dhe qëndroi pa lëvizur, i heshtur dhe i menduar. Disa që ishin katandisur si mos më keq u zemëruan, filluan ta mallkonin, por ai nuk u kushtoi vëmendje.

Ata që për fat të mirë ia dolën të kapeshin tek ndonjë shkurre apo pemë, kur rrëshqisnin fillonin të kacavireshin me duar e këmbë përsëri duke u përpjekur me shpirt ndër dhëmbë për t’u ngjitur. Disa kishin të çara në kokë ndaj dhe planga gjaku u mbulonin fytyrat. Askush nuk kishte shpëtuar pa ndonjë lëndim përveç udhëheqësit. Të gjithë papritmas panë vëngër nga ai dhe rënkuan në agoni, por ai as nuk e ngriti kokën. Ai rrinte i heshtur dhe mori pozën reflektuese të një të urti të vërtetë!

Kaloi ca kohë. Numri i shtegtarëve po bëhej gjithnjë e më i vogël. Çdo ditë humbin diçka a ndokënd. Disa e lanë grupin dhe u kthyen pas. Nga një grumbull i madh njerëzish që kishin qenë në fillim të udhëtimit, tani kishin mbetur vetëm rreth njëzet. Fytyrat e dobësuara, të rraskapitura pasqyronin shenja të dëshpërimit, dyshimit, lodhjes dhe urisë, por askush nuk nxori asnjë fjalë. Ata ishin po aq të heshtur sa udhëheqësi i tyre dhe vijuan të çapiteshin bashkë me të. Edhe përfaqësuesi entuziast tundte kokën me dëshpërim. Rruga ishte vërtet e vështirë. Ata bëheshin gjithnjë e më pak në numër derisa mbetën vetëm dhjetë. Me fytyra të brengosura ata vetëm rënkonin dhe ankoheshin në vend që të bisedonin. Më shumë ngjanin me sakatë se sa me njerëz normal. Disa prej tyre ecnin me paterica prej druri. Disa kishin lidhur krahët e fashuar rreth qafës. Edhe në duar kishin fasha. Edhe sikur të donin të bënin sakrifica të reja, nuk mundnin sepse nuk kishte gati asnjë vend në trupat e tyre për ndonjë plagë të re.

Edhe më i forti dhe trimi ndër ta e kishin humbur besimin dhe shpresën, por ata ende vijuan rropatjen e tyre më tej me stërmundim dhe përpjekje të mëdha, të paepur nga dhimbja. E çfarë rruge tjetër kishte përveç kthimit? Por a ia vlente ta braktisnin rrugëtimin pas aq shumë sakrificave?

Ia behu muzgu. Duke u çapitur në paterica, papritmas ata panë se udhëheqësi nuk ishte më para tyre. Një hap tjetër dhe të gjithë përfunduan në një luginë tjetër të pjerrët.- Oh, këmba! Oh, dora! – u dëgjuan piskama dhe rënkime. Një zë i dobët madje e mallkoi udhëheqësin e denjë, por pastaj heshti.

Kur doli dielli, ja ku u ul udhëheqësi, i njëjtë si në atë ditë kur u zgjodh. Nuk kishte as ndryshimin më të vogël në pamje.

Zëdhënësi u ngjit nëpër luginë, i ndjekur nga dy të tjerë. Të shpërfytyruar dhe të përgjakur, ata kthyen kokat pas për të parë se sa kishin mbetur, por nuk kishte njeri tjetër përveç tyre. Frika dhe dëshpërimi kishte pushtuar zemrat e tyre për vdekje. Terreni ishte i panjohur, kodrinor, shkëmbor, pa kurrfarë shtegu. Dy ditë më parë  kishin ardhur nëpër një shteg, por e kishin lënë tashmë pas. Udhëheqësi i udhëhoqi në atë drejtim.

Ata menduan për sa e sa miq dhe të afërm të cilët kishin vdekur gjatë këtij udhëtimi fantastik. Një ndjenjë trishtimi më e fortë se dhimbja që ndjenin në gjymtyrë i mbyti. Kishin parë se si ata u rrënuan me sytë e tyre.

Zëdhënësi u ngjit tek vendi ku rrinte ulur udhëheqësi dhe filloi të fliste me një zë të lodhur që i dridhej, plot dhimbje, dëshpërim dhe hidhërim.- Ku po shkojmë tani?Udhëheqësi nuk foli.- Ku na po na çon dhe pse na solle këtu? Ne vendosëm veten dhe fatij e familjeve tona në duart tuaja dhe ju ndoqëm, duke lënë prapa shtëpitë dhe varret e paraardhësve me shpresën që të shpëtonim veten nga shkatërrimi në atë tokë shterpë. Por ti na rrënove edhe më keq. Kishte dyqind familje pas teje dhe tani shiko se sa ka!

– Doni të thoni që nuk janë këtu të gjithë? – murmuriti udhëheqësi pa e ngritur kokën.

– Si mund ta bëni një pyetje të tillë? Ngrije kokën dhe shiko! Na numëro sa kemi mbetur në këtë udhëtim të pafat! Shikoni në çfarë gjendje jemi katandisur! Më ë mirë të kisha vdekur se sa i sakatuar në këtë farë feje.

– Nuk mund të të shoh!

– Po pse?

– Jam i verbër.

Pllakosi një heshtje e rëndë si kapak varri.

– Doni të thoni se e humbët shikimin gjatë udhëtimit?

– Kam lindur i verbër!

Të tre varën kryet të dëshpëruar.

Era e vjeshtës fryu ndjellakeqe në mal dhe rrëzoi përtokë gjethet e thara. Një mjegull mbuloi tejendanë kodrat, dhe përplasja e krahëve të një korbi çau ajrin e ftohtë dhe të mjegullt. U dëgjua një krrokamë ogurzezë. Dielli u fsheh prapa reve, të cilat dyndeshin tutje dhe tutje-tëhu.

Të tre shikuan në njëri-tjetrin krejt të pushtuar nga tmerri.

– Nga t’ia mbajmë tani? – foli mbyturazi njëri prejt tyre me zë të sertë.

– Nuk e dimë.

______

Radoje Domanović (1873 – 1908) është shkrimtar serb i njohur më së shumti për tregimet satirike. Që i ri u përball me sëmundjen e tuberkulozit. Kjo rrethanë e jetës dhe dhembshuria që ngjalli tek ata që e njihnin, krijoi një aureolë romanticizmi dhe sentimentalizmi, e cila është krejt e kundërt me arritjet e tij letrare si satirist dhe kritik i fuqishëm i shoqërisë bashkëkohore serbe. Domanović si tregimtar është quajtur Jonathatn Sëift-i i Serbisë për shkak të aftësisë së rrallë për tregime satirike. Ai jetoi vetëm 35 vjeç dhe i la të gjitha tregimet në dorëshkrim.

Përktheu: Granit Zela

Trekëndëshi i dashurisë që çoi Ernest Hemingway-n drejt vetëvrasjes

in Letërsi/Në kohërat e kolerës by

Ernest Hemingway ishte padyshim një nga shkrimtarët më të rëndësishëm amerikanë të shekullit të 20-të, me një jetë po aq aventureske dhe të trazuar sa librat e tij. Më 2 Korrik të vitit 1961, i dha fund jetës me një armë gjuetie, në moshën 61 vjeç. Në pjesët e panjohura të jetës së tij hedh dritë libri i Aaron Edward Hochner “Hemingway In Love”, i cili flet për jetën komplekse personale të shkrimtarit të famshëm dhe trekëndëshin erotik që e ndoqi deri në ditët e fundit të jetës së tij. Siç zbulon Hochner-i, i cili pati mundësinë ta njohë Hemingway-n nga afër, është personi i fundit i gjallë që mund të thotë atë që ndodhi me të vërtetë: “Për një kohë të gjatë, madje edhe Ernest shmangte të fliste për të. Por në vitin 1954, një aksident pothuajse fatal në Afrikë e bëri të rivlerësojë jetën e tij. Papritur, asgjë nuk dukej më e rëndësishme sesa rishqyrtimi i atyre viteve kur lejoi dashurinë e tij të vetme të vërtetë të ikte. Kështu që filloi të më tregonte, në kaseta, në letra dhe shpesh në biseda të gjata, për përvojën e tij të dhimbshme të jetës, i dashuruar me dy gra në të njëjtën kohë dhe se si Pauline shkatërroi martesën e tij të parë dhe më të lumturën”.

Në atë kohë, Hemingway jetonte me Handley-n dhe djalin e tyre të porsalindur, Jack në Paris. Ndërsa përpiqej të fitonte famë si shkrimtar, jetonin në varfëri, por të lumtur në mënyrë idilike. “E adhuroja pamjen dhe ndjesinë e të qenit të saj në shtrat”, thoshte Hemingway për Handley-n, me të cilën ndante emocionet e tij për shëtitjet, skitë dhe peshkimin. Në atë kohë, historitë e shkurtra të tij kishin filluar të tërhiqnin vëmendjen e ajkës së Parisit, përfshirë romancierin Francis Scott Fitzgerald.

Ishte viti 1925 dhe Scott Fitzgerald sapo kishte botuar kryeveprën e tij, “The Great Gatsby”. Të dy shkrimtarët takoheshin shpesh për një pije në Ritz. Shumë kohë më parë, Fitzgerald e njohu atë me rrethin e pasur dhe në rënie të miqve të tij, duke përfshirë dy motra; Pauline dhe Jinny Pfeiffer. Pasi darkuan me Hemingway-n vetëm një herë, motrat Pfeiffer filluan të interesohen për jetën dhe familjen e tij, duke blerë dhurata të shtrenjta për djalin e tij dhe duke ftuar gruan e tij për shfaqjet e modës dhe çaj në hotelin Crillon. Herë pas here, të dyja motrat e nxirrnin Hemingway-n jashtë, por ai ishte i papërkulshëm: “Nuk më interesonin. Jeta me Hadley ishte e mrekullueshme”, kujtonte ai.

Pas një viti rrethimi të vazhdueshëm, Jinny dha dorëheqjen, por jo Pauline. Ftonte familjen në restorante të shtrenjtë, duke e ditur që Handley nuk mund ta linte fëmijën e saj vetëm, kështu që me zgjuarsi arrinte të dilte vetëm me Hemingway-n, i cili ende rezistonte. Marrëdhënia e tyre filloi kur Pauline e ftoi në apartamentin e saj, një ditë. Shumë shpejt, siç pranoi vetë, seksi me të ishte bërë si një lloj droge”. Megjithëse e urrej ta pranoj, isha aq i fiksuar me të, po aq sa edhe me Handley-n”, shpjegonte. Atë verë, Ernest dhe Handley u ftuan të qëndronin në një nga dy vilat fqinje në jug të Francës. Megjithatë, pak pas mbërritjes së tyre, Jack-u i vogël u diagnostikua me pertussis dhe familja hyri në karantinë. Pauline menjëherë ofroi ndihmë, duke thënë se ishte imune ndaj sëmundjes. Ernest u pajtua me këtë, megjithëse e dinte që do të pendohej. Siç pritej, Pauline qëndroi dhe kur djali ishte jashtë rrezikut. Një ditë, Hemingway u përpoq t’i rrëfejë problemin Scott Fitzgerald-it. Por romancieri dukej se e dinte tashmë sekretin e tij. “Kam sy”, i tha ai. “Mënyra se si të shikon. Po flirton me ty. Dhe tani shfaqet këtu. Je ngatërruar me një grua të rrezikshme. Kur arrita për herë të parë në Paris, dëgjova rreth saj se kërkonte dëshpërimisht një burrë. Ajo të dëshiron për veten e saj dhe do të bëjë gjithçka për të të patur”. Hemingway pranoi se i donte të dy gratë dhe Fitzgerald-i e paralajmëroi se do shkatërronte martesën dhe se duhej ta largonte atë: “Një burrë që do dy gra në fund përfundon duke i humbur të dyja”. Fjalët e shkrimtarit dolën profetike, pasi Pauline kishte filluar të zotëronte jetën e tij në shkallë alarmante. Atë dimër familja Hemingway organizoi të shkonte për ski në Austri. Pauline i ndoqi dhe mbylli një dhomë, ndërsa i kërkoi Hemingway-it t’i japë mësime skijimi. Por, duke parë sjelljen e Pauline të ndryshojë dhe të bëhet agresive dhe ironike ndaj saj, Handley filloi të kuptojë. Kërkoi, duke qarë nga burri i saj t’i thotë të vërtetën dhe i ofroi t’i jepte kohë për të sqaruar situatën. Si rrëfeu vetë më vonë, dëshironte t’i mbante të dyja sa më shumë që të ishte e mundur. Marrëdhënia e tij me Pauline vazhdoi dhe Handley i tha që sapo të ktheheshin, do të kërkonte divorc dhe do të qëndronte në një shtëpi tjetër me fëmijën. “Ishte sikur të kisha lexuar dënimin tim me vdekje”, pranoi shkrimtari para Hochner-it. Herën tjetër, u zhyt në alkool, u përpoq të lutej, megjithëse nuk ishte njeri fetar, dhe në disa raste mendoi të bënte vetëvrasje. I mpirë nga historia, Hemingway bënte tashmë atë që dëshironte Pauline, e cila vendosi dhe rregulloi vetë dasmën e tyre.

Martesa e tij e re sigurisht që nuk ishte e lulëzuar, por a ishte nusja e tij e lumtur? “Çfarëdo që bëja ose nuk bëja, ishte e lumtur. Kishte kaluar nëpër ferr për të më patur dhe më trajtonte si një trofe”, i kishte thënë Hochner-it. Në mënyrë të pamenduar, pranoi të kthehej në SHBA për të jetuar me të në Pigot, një periudhë e jetës së tij që e kujton si “veçanërisht të zymtë”. Zymtësia e tij u intensifikua kur Scott Fitzgerald i shkruajti se Handley ishte rimartuar. “Endërroja që ajo të më priste përgjithmonë dhe se do të gjeja forcën për të lënë Pauline dhe të kthehesha në familjen time të dashur”, i zbuloi Hochner-it. Që nga divorci, i shkruante shpesh për t’i thënë se sa shumë e donte. Por si përfundim Handley i shkruajti se letrat e tij po shqetësonin burrin e saj të ri, kështu që korrespodenca u ndal. Pauline dhe Hemingway patën dy djem, Patrick dhe Gregory. Duke nxituar për t’u larguar nga familja e tij e zymtë dhe foshnjat histerike, Hemingway u nis për në Kubë dhe atje pati një lidhje me një 22-vjeçare nga New York-u. Madje me dashakeqësi i tregoi Paulinës gjithçka për të dhe i tregoi një foto të saj. Por Pauline nuk ishte e gatshme të jepte dorëheqjen. Për të garuar me kundërshtaren e saj, i tha burrit të saj se kishte parë një kirurg plastik për të korrigjuar hundën, buzët dhe veshët e saj të mëdhenj. “Atëherë e dija që doja divorc. Marrëdhënia jonë ishte e mërzitshme. Nuk ngjisnim, nuk kishim asgjë për të diskutuar. U përpoq të përdorte pasurinë e saj për të më mbajtur, por nuk pati sukses”. Përfundimisht, edhe Pauline kokëfortë duhej të pranonte se martesa e tyre kishte mbaruar. Pas kohësh më vonë, në Paris, rastësisht, Hemingway u takua përsëri me të dashurën e tij Handley. Po dilte nga një taksi kur e diktoi, “aq të bukur si e kujtonte”. Vrapoi dhe e përqafoi. Disa minuta më vonë, piu shampanjë me të në një restorant. “Do të të dua gjithmonë”, i tha asaj. Ngriti gotën e saj, e trokiti me të tijën dhe i tha që duhej të largohej. Ndërsa prisnin në qoshe që të ndryshonin semaforët, i tha: “Dua ta dish Handley, ti do të jesh pjesa e vërtetë e çdo gruaje për të cilën do të shkruaj. Do ta kaloj pjesën tjetër të jetës time duke të kërkuar. Kur semafori u kthye i gjelbër, Handley i dha puthjen e lamtumirës dhe përshkoi rrugën. Kurrë nuk e pa përsëri. Sa për Hemingway-n, hera e fundit që Hochner e pa  ishte në vitin 1961, kur ishte nën vëzhgim psikiatrik për depresion dhe paranojë, dhe ende mendonte për dashurinë e tij të humbur. Dy javë para se të kryente vetëvrasje, pati kontaktin e tij të fundit me Hochner-in:”Më trego këtë. Si e kupton një i ri kur dashurohet për herë të parë, si mund ta dijë se do të jetë dashuria e vetme e vërtetë e jetës së tij? Si mund ta dijë? ” e pyeti. Vështroi Hochnerin me këmbëngulje sikur po kërkonte një përgjigje dhe më pas i tha që do të flinte. “Me pak fat,” tha, “mbase ëndërroj Parisin”.

Përktheu: Shpendi Shakaj

PAMJE ME NJË KOKËRR RËRE- Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

PAMJE ME NJË KOKËRR RËRE- Wislawa Szymborska-Nobel 1996

 

E quajmë kokrrizë rëre.

Por ajo nuk i thotë vetes as kokrrizë as prej rëre.

E lë mënjanë çdo emërtim

të përgjithshëm a të përveçëm,

kalimtar a të qëndrueshëm,

të rremë a të vërtetë.

 

Si ta prekim si ta vështrojmë

ajo nuk ndihet as e këqyrur as e prekur.

Dhe kur bie mbi parmakun e dritares –

është aventura jonë, jo e saj.

Për të është njëlloj si të binte kudo,

pa asnjë siguri se pati rënë

apo se do bjerë sërish.

 

Nga dritarja ka një pamje të bukur mbi liqen,

por kjo pamje nuk e sheh vetveten.

E pangjyrë dhe pa formë,

pa zë, pa aromë

dhe pa dhimbje është ekzistenca e saj në botë.

 

Fundi i liqenit për të nuk ka fund

dhe bregu nuk ndihet aspak breg.

Uji për vetveten s’është as i thatë as i njomë.

Dallgëve s’u duket vetja as një as shumë.

Ato ushëtijnë të shurdhra ndaj ushtimës së vet,

mbi shkëmbinj që s’e dinë veten as të mëdhenj as të vegjël.

 

Dhe e gjitha kjo nën një qiell nga natyra pa qiell,

ku dielli perëndon pa perënduar aspak

dhe fshehet pa u fshehur mbas një reje pa vetëdije

që era e çon nga çdo drejtim pa arsye.

 

Ikën një sekondë.

Një e dytë.

Një e tretë.

Por këto nuk janë tjetër veç tri sekondat tona.

 

Koha ikën si një lajmës që ka një lajm urgjent.

Por ky s’është tjetër veç krahasimi ynë.

Personazhi është fiktiv, nguti i tij i rremë

dhe lajmi nuk është njerëzor.

Përktheu: Alket Cani

Me çdo libër të ri, shkrimtari bën gabime të reja/Një intervistë e Julian Barnes

in Letërsi by

Kur shkruani për dikë si  Shostakoviçi, e kupton se çfarë jete relativisht pa andralla ke si shkrimtar në Perëndim, me përjashtim të rasteve kur flet kundër Putinit  apo diçka të tillë. Dua të them se nuk besoj se do të isha romancier rus që shkruan një roman satirik për Putinin. Them se në raste të tilla përfundon i vdekur në një urë-Julian Barnes

 Julian Barnes: Provova ta shkruaj në vetën e parë, shkruajta rreth katër faqe për një burrë që qëndron jashtë banesës, rrëfim në vetën e parë dhe pastaj thjesht s’shkruajta më. S’e dija pse nuk po ecte shkrimi, s’po shkruaja dot më dhe kjo sepse nuk kisha gjetur mënyrën e duhur të rrëfimit. Iu riktheva afro nëntë muaj më vonë dhe fillova ta rrëfej në vetën e tretë.

John Freeman: A ju kishte ndodhur më parë të ndryshonit rrëfimin nga veta e pare në të tretën?

Julian Barnes: Jo, mendoj se është e vërtetë që me çdo libër të ri, shkrimtari bën gabime të reja. Dhe në rastin tim, unë e fillova romanin me një fjali të Floberit, i cili thotë se jeta moderne nuk ka heronj apo përbindsha dhe për këtë arsye letërsia s’duhet të ketë heronj dhe përbindsha dhe kështu libri fillonte me pohimin se përbindëshat ishin kthyer përsëri dhe përbindëshat i kishin vrarë të gjithë heronjtë, kështu që ne jetojmë në një botë plot me përbindësha dhe pa heronj. Por përfundimisht e hoqa qafe këtë fillim romani sepse ishte shumë deklamues, ishte tepër joromanor. Pra shkrimtari nis me tone të ndryshme rrëfimi derisa ngadalë gjen të duhurin.

A e strukturuat romanin qëllimisht si simfoni?

Jo. s’është strukturuar ashtu. Libri ka fituar disa cilësi muzikore prej përsëritjeve dhe motivit. Por mendoj se forma muzikore ndryshon nga forma letrare. Fjalët funksionojnë ndryshe. Ndodh një proces dhe përftohet muzikalitet. Mund të përsëritësh motivin, të shtjellosh një temë, por ato s’mund të përputhen kaq lehtë si në muzikë. Kjo do të thotë se romani ka hyrje të ngadaltë lëvizja e pare nuk vonon. S’kam menduar kurrë se po shkruaja një roman muzikor.

Edhe pse Shostakoviçi është  muzikant.

Po, edhe pse ai është kompozitor. Shkruaj shesh kështu, me motive dhe fraza që të përsëriten. Dhe kjo është një mënyrë për të ndërtuar strukturën.

A është stili në njëfarë mënyre bartës i çdo gjëje?

E pra, unë mendoj se romani del të jetë në mënyrë të pashmangshme historik dhe biografik, ashtu si dhe i trilluar, kështu e shoh unë, kështu është romani sipas meje, sepse si i tillë ai i përshtatet jo vetëm estetikës por edhe interesave të mia si shkrimtar, fryma e tij kriohet më së mkri me anë të stilit, nëpërmjet përdorimit të frazave, të ngjyresave të imëta të frazave, të cilat nganjëherë ngjajnë shumë me një tekst të përkthyer. Zhurma ishte aq e lartë sa mund të shkallmonte xhamat e dritares ngjan me një lloj përkthimi nga gjuha ruse, duket jo e natyrshme. Ne do të thoshim shkallmon dritaret, diçka të tillë, por jo “shkallmonte xhamat e dritares ”. Kjo për mua krijon për lexuesit ndjenjën e kohës dhe vendit të cilat janë ndryshe. Besoj se nuk më interesojnë jashtëzakonisht shumë fjali të tilla si “ai u çapit poshtë aksh e aksh rruge dhe u kthye majta ku përballë tij pa ëmbëltoren e kahershme, këtë apo atë lloj dyqani”. Unë s’e përdor këtë mënyrë të krijimit të kohës apo për të përcaktuar vendin dhe atmosferës. Mendoj se proza të jep mundësi shumë më të mira për të përmbushur pikësynime të tilla.

Në këtë libër kam gjetur vazhdimisht fjalë që duket sikur janë përkthyer nga një roman i Lermontovit.

Po, ka disa fjalë të tilla. Përdoret një shprehje si Rusia është atdheu i elefantëve. Është shprehje mirëfilli ruse dhe mendoj se është vërtetë e mrekullueshme. Dhe flitet për gjëra të tilla si të luash në piano me katër duar. Tani, ne do të thoshim duete që luajnë me katër duar, por rusët thonë se luajti piano me katër duar. Gjithkush që e lexon e di për çfarë bëhet fjalë, është mjaft e qartë se çfarë do të thotë, por është vetëm pak ndryshe nga të folurit normal, dhe ti mendon se, “Po, unë jam në Rusi tani”. Të paktën kjo është ajo që shpresoj se ndjeni ju.

A ishte procesi i krijimit të personazhit të Shostakoviçit ndryshe nga ai I krijimit të figurave të tjera historike që ju keni pasur në romanet tuaja?

Po. Mendoj se gjëja kryesore ishte se, edhe pse kam bërë rusisht në shkollë për dy vjet e dy semestra në universitet, Rusishtja ime është shumë pasive. Frëngjishtja ime është e mirë, e flas goxha mirë, kështu që unë s’pata asnjëherë problem me romanin tim “Papagalli i Floberit”  dhe për “Arturi dhe Xhorxhi” gjithçka është në anglisht. Deri diku, me Shostakoviçin isha i kufizuar nga ajo që kishte dalë në gjuhën angleze. Por më ndihmoi shumë gjithashtu Elizabeth Wilson, e cila është eskpertja kryesore anglishtfolëse për Shostakoviçin. Ajo më dërgonte letra që gjente dhe unë merrja nga ato ndonjë frazë a diçka e tillë.

Ai zotërohet kaq shumë nga urrejtja për veten.

Po, mendoj se në fund të jetës së tij, ai ishte një njeri i thyer. Ai u thye nga shteti. Në njëfarë mënyre, ai në fund mendon se kishte jetuar tepër dhe duhjt të kishte vdekur më parë. Siç thotë në fillim të pjesës së tretë: “Koha më e rrezikshme nuk është koha kur ekziston rreziku më i madh. Por është koha ku është në rrezik shpirti i tij”. Në një mënyrë, ashtu si e lexoj unë, në fund, ai mezi pret të vdesë dhe kështu do të jetojë vetëm muzika e tij. Pas kësaj s’do t’i duhet të merret me këtë gjë të vështirë të quajtur jetë, dhe sidomos me këto gjëra të tmerrshme të quajtura politikë dhe pushtet. Kurse muzika do t’i tejkalojë rrethanat shoqërore të kohës kur u krijua.

Si shkrimtar, a ndjeni dhembshuri për të? Është e dukshme që rrethanat

Oh, ndiej dhembshuri të madhe për të. Mendoj se ai është një hero, në kuptimin që ai mbijetoi, bëri gjithçka që mund të bënte për të ndihmuar të tjerët, për të mbrojtur familjen e tij. Ai ishte shumë i zoti për t’i kërkuar shtetit dhe autoriteteve ndihmë për të tjerët, por këtë s’mundi ta bëjë për vete.

 Po, shkroi shumë letra për të ndihmuar të tjerët.

Po, dhe ai u vu në një pozitë të pamundur. Miku im Ian McEwan e lexoi librin dhe tha: “Nuk e kishte kuptuar se sa shumë kujdeseshin ata për muzikën dhe kompozitorët”. “Kujdeseshin” është përdorur pak me ironi, në kuptimin e “mbikqyrjes” së vazhdueshme. Ju mendoni se ata ndiqnin nga pas disidentët më të dukshëm apo njerëzit të cilët ishin kundër tyre, po e kanë bërë edhe këtë, ata kishin si qëllim mbikqyrjen e gjithçkaje. Kështu, në të vërtetë kishte dy zgjidhje: njëra, të heshtje plotësisht dhe të mos krijoje muzikë, dhe tjetra ishte të protestoje në një mënyrë të tillë që të dërgoheshe në një kamp pune dhe pas teje do të ishte familja jote që do të vinte menjëherë pas teje në kampin e punës. Pra, të kthehesh në hero duket joshëse derisa të kuptosh  se të jesh një hero do të thotë të sakrifikosh familjen dhe miqtë e tu. Kur shkruani për dike si  Shostakoviçi, e kupton se çfarë jete relativisht pa andralla ke si shkrimtar në Perëndim, me përjashtim të rasteve kur flet kundër Putinit  apo diçka të tillë. Dua të them se nuk besoj se do të isha romancier rus që shkruan një roman satirik për Putinin. Them se në raste të tilla përfundon i vdekur në një urë.

Më pëlqejnë shumë pesë librat e tu të fundit. Ka një zhvendosje nga struktura e madhe e ndërlikuar e “Arturi dhe Xhorxhi” apo nga  st¡rhollimet e librave tuaj të mëparshëm.

Mendoj se është ndikimi i moshës dhe të pëlqyerit e kompaktësisë.

 Është e pabesueshme. Ky libër dhe “Shtresat e jetës”,  mendoj se të bëjnë të përjetosh koha, si e ndjen njeriu kohën..

Mendoj se koha është tjetër gjë. Me kalimin e viteve, ti e kupton kohën, e kupton edhe më mire kohën e trilluar, si të lëvizësh në kohë, si të lëvizësh nëpër kohë me anë të letërsisë. Për shembull, te romani “Fundi i një engime”, lexuesi arrin në fund të pjesës kur personazhi është 21 apo 22 vjeç, dhe pastaj 40 vjet kalojnë me një paragraf. S’do ta kisha bërë këtë kur isha shkrimtar i ri. Por është diçka të cilës ia merr dorën. Mendoj se një shkrimtare e madhe e cila lëviz nëpër kohë ndërkohë që  ti nuk e dallon këtë është Elis Munro (Alice Munro). Ajo është e jashtëzakonshme. Po lexon një tregim me 25 faqe dhe krejt papritur të kalon para syve jeta e plotë e njeriut.. Si ia ka dale ta bëjë këtë? As që e vë re kalimin e kohës dhe ja ku papritur ke të gjithë jetën para teje. Po kështu edhe Apdajku (Updike), në vepar e tij të fundit, ia mori dorën shumë mire duke luajtur me kohën në mënyrë dinake, duke u treguar mjeshtër i urtë dhe  i mençur. Kështu mësojmë edhe ne disa truke të reja.

Përktheu: Granit Zela

Amerika, projeksion i mendjes evropiane/Paul Valéry

in Letërsi by

Paul Valéry

[…] Nëse bota moderne nuk duhet të arrijë deri në një rrënim universal e të pandreqshëm të të gjitha vlerave të krijuara nga shekuj të tërë kuturisjesh dhe eksperimentesh të të gjitha llojeve, dhe nëse (pas nuk di ç’trazimesh e tallandish) ajo duhet të arrijë njëfarë ekuilibri politik, kulturor dhe ekonomik, duhet parë si mundësi që rajonet e ndryshme të globit, në vend që t’i kundërvihen njëri-tjetrit për dallimet e të gjitha llojeve mes tyre, të plotësojnë njëri-tjetrin nëpërmjet këtyre dallimeve. Ata do të mund të jenë më tepër vetvetja nëse do të marrin pjesë më lirisht e më racionalisht në veprën e përbashkët të jetës. Për shembull, nuk do të shohim më kombe të krijojnë dhe të mbajnë industri krejtësisht artificiale, që nuk jetojnë tjetër veçse me subvencione dhe proteksion. Veç kësaj, vetë ndarja e territorit të banueshëm në kombe të përcaktuara politikisht është krejtësisht empirike. Kjo ndarje është historikisht e shpjegueshme: ajo nuk është bërë në mënyrë organike, sepse vija e hequr mbi hartë dhe mbi tokë që përbën një kufi është rezultante e një vargu aksidentesh të vulosur me traktate. Në shumë raste, kjo vijë e mbyllur vizatohet çuditshëm; ajo ndan vise që ngjajnë me njëri-tjetrin, apo bashkon vise të tjerë që ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri; si dhe ndërfut në marrëdhëniet njerëzore vështirësi dhe ndërlikime, ku lufta që buron prej këtej nuk është asnjëherë një zgjidhje, por, përkundrazi, një molepsje e re.

Më e habitshmja e këtij përkufizimi historik e tradicional të kombeve është si vijon: konceptimi i sotëm i grupimit të njerëzve në kombe është krejt antropomorfik. Një komb karakterizohet nga të drejta sovraniteti dhe pronësie. Ai zotëron, blen, shet, ndeshet, përpiqet të jetojë dhe të begatohet në kurriz të të tjerëve; është ziliqar, krenar, i pasur ose i varfër; një komb kritikon të tjerët; ka miq dhe armiq, ka simpati; është ose nuk është artist; etj. Shkurt fjala, kombet janë persona dhe ne u veshim atyre ndjenja, të drejta dhe detyrime, cilësi dhe të meta, dëshira dhe përgjegjësi, simbas një zakoni të stërlashtë thjeshtimi.

Nuk është nevoja të shtjelloj pasojat e këtij identifikimi grupesh njerëzorë me qenie të mirëpërcaktuara.

Por transformimi modern i tokës vazhdon të ndodhë dhe sistemi i ri i jetës që duhej të përkonte me këtë modifikim të pamatë ndeshet me strukturën politike që sapo skicova. Le të kujtojmë me dy fjalë tiparet kryesore të këtij transformimi, siç i sinjalizova te libri “Vështrime mbi botën e sotme”.

Para së gjithash, e gjithë toka është zënë: nuk ka më tokë të lirë. Më tej, barazia teknike në rritje e popujve – prej nga vjen një dobësim i arsyeve të përparësisë së kombeve të tipit evropian. Pastaj, nevoja gjithnjë në rritje për energji fizike dhe, për rrjedhojë, për lëndë që e prodhojnë këtë energji nga transformimi i tyre (qymyr, naftë). Në fund, rritje e shpejtë dhe fantastike e mjeteve të komunikimit dhe të transmetimit.

E gjitha kjo konfirmohet, del në pah dhe vepron gjithnjë e më shumë, nga dita në ditë. E gjitha kjo kombinohet me trashëgiminë e rëndë të botës së vjetër dhe të politikës së vjetër e primitive. Gjasat për konflikt janë shtuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Paqëndrueshmëria e ekuilibrit botëror ka arritur kulmin. Askush nuk mund të mburret më se është në gjendje të parashikojë. Politikanët më të mëdhenj, kokat më të thella nuk janë të afta të përllogaritin asgjë. Një shpikje e papritur mund të ndryshojë nesër të gjitha kushtet e fuqisë ekonomike apo ushtarake.

Kështu, nga njëra anë, kemi konceptime primitive dhe antropomorfike; personalitete kombëtare, sovrane dhe pronarë territoresh të konturuar arbitrarisht. Nga ana tjetër, varësi në rritje të rajoneve, nevoja shkëmbimesh dhe ekuilibresh, ndërvarësi teknike apo ekonomike të pashmangshme. Në një luftë moderne, njeriu që vret një njeri vret njëherësh një prodhues të asaj që ai konsumon, apo një konsumator të asaj që ai prodhon.

Është e kotë të përshkruash efektet e kobshme të këtij stadi të gjërave. Fatkeqja Evropë është kapur nga një krizë tejet e dukshme marrëzie, lehtëbesimi dhe brutaliteti. Nuk është e pamundur që kultura jonë e vjetër dhe tejet e pasur të degradohet deri në pikë të fundit vetëm në disa vjet. Para njëzet vjetësh pata shkruar: “ Ne, qytetërimet, e dimë tashmë që jemi të vdekshëm…” Gjithë çka kaluar që nga ajo kohë, s’ka bërë gjë tjetër veçse ka rritur rrezikun vrastar që pata lajmëruar.

Po vij tani tek Amerika. Sa herë që mendimi më errësohet dhe dëshpërohem nga Evropa, gjej pak shpresë vetëm duke menduar për Kontinentin e Ri. Evropa, në të dyja Amerikat, dërgoi mesazhet e saj, krijimet e komunikueshme të mendjes së saj, atë çka ajo zbuloi si më pozitiven, dhe, shkurt fjala, atë që mund të prishej më pak nga transportimi dhe nga largimi prej kushteve të përgjithshme. Kemi të bëjmë me një “përzgjedhje natyrore” të vërtetë, që ka vepruar dhe ka qëmtuar produktet me vlerë universale të mendjes evropiane, teksa gjërat me përbërje tepër konvencionale apo tepër historike mbeteshin në Botën e Vjetër.

Nuk po them se gjithë më e mira e kaloi Oqeanin, dhe as se më e keqja nuk e kapërceu atë. Sepse kështu nuk do të ishte më një përzgjedhje natyrore. Po them se janë gjërat më të afta për të jetuar nën qiej tejet të largët nga qiejt e tyre të origjinës ato që kaluan Oqeanin e që hodhën rrënjë në një tokë që në pjesën më të madhe ishte e virgjër.

Për ta mbyllur, le të marrim parasysh dy ide që mund të rrjedhin nga vëzhgime tepër të përmbledhura.

Së pari, toka amerikane kishte raca dhe gjurmë jetësh të mëparshme të llojeve të ndryshme. Nuk është e pamundur që ndërveprime të rëndësishme të shfaqen një ditë si pasojë e kontaktit dhe depërtimit të faktorëve europianë. Nuk do habitesha, për shembull, që kombinime fatlume të mund të rezultojnë nga veprimi i ideve tona estetike të ndërfutura në natyrën e fuqishme të Artit autokton meksikan. Në zhvillimin e arteve, shartimi është një metodë nga më pjelloret. Çdo art klasik, le ta pohojmë, është një produkt shartimi.

Ideja e dytë është e një rendi krejt të ndryshëm nga e para. Nëse Europa duhet të shohë si tretet dhe venitet kultura e saj; nëse qytetet tanë, muzetë, monumentet, universitetet tona duhet të shkatërrohen në furinë e luftës së kryer shkencërisht; nëse ekzistenca e njerëzve të mendimit dhe e krijuesve bëhet e pamundur apo mizore nga rrethana politike apo ekonomike brutale, atëherë njëfarë ngushëllimi, njëfarë shprese ekziston në idenë se veprat tona, kujtimi i punimeve tona, emrat e njerëzve tanë më të mëdhenj të mos jenë sikur nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, dhe se do të ketë, aty-këtu, në Botën e Re, disa mendje në të cilat do të jetojnë një jetë të dytë disa prej krijimeve të mrekullueshme të evropianëve fatkeqë.

1938.

Përktheu: Alket Çani

ZOG GJËMË-Hilde Domin, përkthyer nga Hans-Joachim Lanksch

in Letërsi/Në kujtim të Hans-Joachim Lanksch/Përkthim/Tharm by

ZOG GJËMË-Hilde Domin                                 

 

Zogu pa kambë âsht gjëmë

e s’ka as rremb as dorë as çerdhe.

 

Zogu që fluturon deri në mahisje

në ngushtësi

zogu që tretet

në gjanësi

zogu që mbytet

në det.

Zogu

që âsht zog

që âsht gur

e bërtet.

 

Zogu memec

që s’e ndëgjon askush.

 

Përktheu nga originali: Hans-Joachim Lanksch

Nico dhe grupi “The Velvet Underground”

in Muzikë by

Kishte një fëmijë me Alain Delon-in, i cili nuk e njohu kurrë. Ishte filonaziste dhe raciste. Marrëdhënia me Morrison dhe vdekja e papritur. Bashkëpunoi me muzikantë të mëdhenj të kohës së saj dhe frymëzoi shumë artistë që shkëlqyen në skenën e rrokut në dekadat në vijim.

Nico, zëri femër i “The Velvet Underground“, kishte një jetë të trazuar dhe një vdekje të papritur. Emri i saj i vërtetë ishte Christa Päffgen. U lind në Këln në vitin 1940, por u largua nga qyteti kur ishte dy vjeç. Së bashku me nënën dhe gjyshin e saj u larguan për të shpëtuar nga bombardimet. Babai i saj vdiq në luftë. Disa vite më vonë, u transferua me nënën e saj në Berlin, ku vazhdoi shkollën deri në moshën 13 vjeç. Ishte e bukur, shtatlartë me lëkurë “porcelani” dhe nuk u desh shumë kohë që të bëhej modele. Thuhet se në moshën 15 vjeç, kur punonte për Forcat Ajrore të SHBA-së, e përdhunoi një rreshter amerikan. Thuhet gjithashtu se rreshteri doli para gjykatës ushtarake dhe u dënua me vdekje. Histori këto që nuk janë konfirmuar dhe as mohuar. Nico fliste shtatë gjuhë dhe nuk dëgjonte nga njëri vesh. Një vit më vonë e reja Christa u njoh me fotografin Herbert Tobias në një shfaqje të modës. Tobias i dha emrin Nico për shkak të mikut të tij, regjisorit greko-egjiptian Nikos Papatakis.

Pas një kohe, Nico zhvendoset në Paris ku pozon për Vogue, Elle dhe revista të tjera të njohura të modës. Në moshën 17 vjeç, u punësua nga Coco Chanel për të promovuar produktet, por e lë punën dhe niset për në New York. Nico fillon të shfaqet në ekran, së pari në reklama dhe më pas në filma, duke luajtur role të vogla. Njëri prej tyre ishte në filmin “Dolce Vita”, të Fellini-t. Në të njëjtën kohë merr mësime për aktrim. Në vitin 1962 lidhet me Alain Delon-in dhe patën një djalë, Christian Aaron, të cilin e thërriste Ari. Delon-i, i cili në të njëjtën kohë kishte lidhje me Romy Schneider-in, e mohon atësinë. Por prindërit e aktores së famshme kujdesen për Arin e vogël dhe përfundimisht e adoptojnë duke i dhënë mbiemrin Boulogne. Deputimi i parë i Nico-s si këngëtare ishte në vitin 1963 në një klub të New York-ut, por rruga për diskografi u hap kur u njoh në atë kohë, me kitaristin dhe bashkëthemeluesin e Rolling Stones: Brian Jones, me të cilin regjistroi single-in e saj të parë, produksionin e të cilës e bëri Jed Page i “Led Zeppelin”.

Në atë kohë, Nico njihet me Andy Warhol i cili magjepset nga vajza e bukur. I jep rol në filmin “Chelsea Girls“, dhe pasi ka marrë përsipër menaxhimin e “Velvet Underground”, sugjeron bashkëpunimin e Nico-s me grupin. Albumi i tyre i parë qarkulloi me emrin e Nico në kopertinë. Velvet Underground & Nico renditet në vendin e 13-të në 500 albumet më të mira të Rolling Stone të të gjitha kohërave. Dallimet personale dhe muzikore midis Nico-s dhe grupit çuan në “divorc”, por marrëdhënia zgjati dhe vitet e ardhshme në të cilat pjesëtarët e bandës Lou Reed, John Cale iu bashkuan krijimeve të saj. Njohja dhe marrëdhënia e saj me Jim Morrison-in e ndihmoi të shkruante këngë ashtu siç e inkurajonte këngëtari i Doors-ave. Në vitin 1969, qarkulloi albumin “Marble Index” që mbeti në histori. Në album, Nico interpreton harmonikën, një instrument që e adoptoi për pjesën tjetër të karrierës së saj, dhe John Cale një seri instrumentesh popullore dhe klasike. Dha e vetme koncerte në qytete të ndryshme europiane, por në vitin 1972 u ribashkua me Lou Reed dhe John Cale-n për një koncert në Bataclan.

Në vitet në vijim, Nico luan në filma, regjistron dhe jep koncerte në Europë, Azi dhe Amerikë. Regjistrimi i fundit në studio ishte një duet me Marc Almond, gati një muaj para vdekjes së saj.

Droga dhe vdekja e papritur.

Për më shumë se 15 vite Nico ishte narkotike dhe madje kishte tërhequr dhe djalin e saj, por pak para vdekjes, filloi një program metadoni, ndiqte një mënyrë jetese të shëndetshme, kujdesej për dietën dhe bënte çiklizëm. Më 18 Korrik të vitit 1988, ndërsa ishte në Ibiza me djalin e saj, Nico, teksa po bënte xhiro me biçikletë, pësoi një sulm në zemër, ra dhe goditi kokën. Vdiq disa orë më vonë nga hemorragjia cerebrale.

Ana e errët.

Miqtë dhe bashkëpunëtorët e karakterizojnë Nico-n si raciste. Gazetari amerikan dhe miku i saj Danny Fields përshkruan sjelljen e saj filonaziste dhe përmend një incident ku Nico sulmoi një këngëtare me ngjyrë që gjendej në të njëjtën shoqëri muzikantësh. Ndoshta mund të ketë qenë e dehur, thotë Fields, por mori një gotë verë, e theu dhe bërtiti: ” I urrej zezakët”, duke goditur në sy vajzën, për fat të mirë duke mos e lënduar seriozisht. Gjatë një koncerti në Berlin, Nico ndezi zemërimin e publikut kur këndoi himnin kombëtar të Gjermanisë, duke përfshirë dhe një varg që ishte ndaluar që nga viti 1945. Nico mbase nuk është bërë aq popullore sa këngëtarët e tjerë të kohës, por shumë artistë thonë se u ndikuan nga muzika e saj, si; Patti Smith, Morrisey, Bjork, etj.

Përktheu: Shpendi Shakaj

MËSUESIT-Agota Kristof

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Agota Kristof

Gjatë viteve të shkollës, ndieja një dashuri të madhe për mësuesit e mi. Ata më frymëzonin aq admirim e respekt, saqë ndihesha i detyruar t’i mbroja nga vrazhdësia e shokëve të klasës.

Torturimi i kotë i mësuesve më revoltonte pa masë. Edhe kur ata na vinin nota të këqija. Notat e këqija nuk kanë asnjë rëndësi. Atëherë përse duhen lënduar ato qenie të brishta e të pambrojtura?

Më kujtohet njëri nga shokët që rrëshkiste shkathtësisht mbrapa mësuesit tonë të biologjisë dhe, nga shtylla kurrizore, i tërhiqte atij nervat për të na i shpërndarë ne të tjerëve.

Me ato nerva mund të sajoje objekte të ndryshme si, për shembull, instrumente muzikorë. Sa më i përdorur të ishte nervi, aq më delikat delte tingulli.

Mësuesi i matematikës ishte shumë i ndryshëm nga ai i biologjisë. Nervat e tij ishin tërësisht të papërdorshme. Por ai kishte një kafkë krejt të shogët, çka bënte të mundur t’i vizatoje përsipër rrathë të përsosur me kompas. Rrathë të cilëve ua shënoja gjithë kujdes perimetrin në fletoren time, në mënyrë që të nxirrja përfundime më vonë.

Shokët e mi, injorantë vulgarë, natyrisht që nuk gjenin asgjë tjetër më të mirë për të bërë sesa të shenjonin rrathët e mi me hobetë e tyre – të fabrikuara me nervat e përmendura më sipër -, tinëzisht, teksa mësuesi na kthente shpinën për të vizatuar trekëndëshin kënddrejtë të teoremës së Pitagorës mbi dërrasën e zezë.

Do them tani edhe disa fjalë për mësuesin tonë të talentuar të letërsisë. Shkurtimisht, sepse e di që kujtimet shkollore të të tjerëve janë të mërzitshme për ata që i dëgjojnë.

Një herë, pra, ky mësues më goditi me shkumës në kokë për të më zgjuar nga gjumi mëngjesor i zakonshëm. E kam tmerr të më zgjojnë kështu, por, duke qenë se dashuria ime për mësuesit dhe shkumësin ishte mjaft e thellë, nuk u zemërova aspak. Për shkak të mungesës së kalciumit, në atë kohë unë haja një sasi të madhe shkumësi. Kjo gjë më shkaktonte ethe, por kurrë nuk përfitova nga ky fakt për të shpërfillur shkollën, sepse – nuk e resht së përsërituri – i doja mësuesit dhe veçanërisht mësuesin (tejet të talentuar) të letërsisë.

Pikërisht kjo ishte arsyeja që, nga përdëllimi për atë fatkeq, pas një poeme të masakruar nga nxënësit e tij, saktësisht në orën dymbëdhjetë e tridhjetë, në parkun përbri shkollës, me anë të një litari të harruar prej disa vajzave që luanin, u dhashë fund vuajtjeve të tij.

Akti im humanitar u shpërblye me shtatë vite burg. Por nuk u pendova kurrë, kaq të pasura qenë ato vite me mësime të të gjitha llojeve, kaq e madhe ishte dashuria ime për gardianët dhe për drejtorin e burgut.

Por kjo është një histori tjetër.

Përktheu: Alket Çani

Stratiotët që luftuan për kurorën franceze-Luan Rama

in Në kohërat e kolerës by

Luan Rama

Për historinë e stratiotëve shqiptarë është shkruar nga historianë të ndryshëm, veçanërisht për luftërat e Italisë në shekujt XVI-XVII, por bëmat e tyre i kaluan kufijtë e principatave italiane duke përfshirë dhe territoret e mbretërive të Francës, të Anglisë apo Gjermanisë së kohës së perandor Maksimilianit. Philippe de Commynes, (1447-1511), diplomat i njohur në Europë, ambasador në Venecie dhe këshilltar i mbretit të Francës, në kujtimet e tij Memoires, shkruan për famën e stratiotëve:«Ata ishin shqiptarë nga Duras, (Durrësi) dhe shqiptaro-grekë që vinin nga Morea, që në atë kohë ishte nën zotërimin e venedikasve». Commynes-i i kishte parë ata në Venedik, kur 1500 stratiotë kishin zbarkuar në ishull dhe kishin bërë një paradë madhështore, pranë abacisë Saint-Nicolas. Atëherë stratiotët njësoheshin me «Cavalerie Albanoise» dhe Perëndimi kishte shumë nevojë për ta, pasi shpesh ishte kavaleria ajo që vendoste fatin e betejave të mëdha. Ata ishin luftëtarë të armatosur gjer në dhëmbë, me kostume hekuri dhe me mansheta të gjata prej rrjete çeliku, që mbanin një heshtë me dy maja, të gjatë tre metra, të cilën e përdornin me të dyja duart dhe që luftonin mbi kuaj gjithnjë në këmbë. Heshta e tyre quhej «zagayé». Nga kronistët e kohës ata cilësoheshin «luftëtarë të tmerrshëm». Stratiotët ishin në fakt një trupë mercenarësh, por tepër të krishterë dhe nuk dyshohet që në luftën kundër turqve, ky element fetar të ketë luajtur një rol të dorës së parë. Të detyruar të braktisnin trojet e tyre, në fillim ata luftuan në krah të Venedikut, kundër ushtrive të mbretit të Francës, ku siç shkruhet në tekstet e vjetra historike, «për çdo kokë francezi, ata paguheshin 1 dukat». Sidoqoftë, më pas, lidhja me mbretërit francezë do të jetë e qëndrueshme, përgjatë më shumë se një shekulli.

Mbreti i Francës Henri II, e forcoi kavalerinë e tij duke thirrur një numur të madh stratiotësh, për të cilët bëhet fjalë në dy urdhëresa mbretërore të vitit 1549 dhe 1553, ku përcaktohet numri i stratiotëve për çdo kompani, pagesa e tyre, etj. Në vitin 1552, Henri II kishte 3000 kalorës të lehtë me stratiotë, kompanitë e të cilëve komandoheshin nga senjorët më të njohur. Kavaleria e tij quhej atë kohë «Argoulets», ndërsa stratiotët, francezët i quanin herë «Albanais» dhe herë «Estradiots». Në shekullin e XVI, tri kavaleri ishin më me emër në gjithë Europën: së pari, stratiotët shqiptarë, së dyti, kalorësit spanjollë «genetiaires» dhe, së treti, kalorësit gjermanë të quajtur «reîtres». Madje në atë kohë, në Francë përdorej dhe shprehja «chevaucher comme un Albanais» («të kalërosh si një shqiptar»). Edhe mbreti tjetër francez, François I, (Fransua i Parë), një nga mbretërit më përparimtarë të Francës, futi në ushtrinë e tij shumë kalorës stratiotë. Ata i gjeje gjer në truprojen e tij, ndërsa mbretërit Henri IV dhe Louis XIII, (Luigji XIII) i kishin në përbërje të ushtrive të tyre. Po kështu dhe Henri I de Montmorency, një nga dukët dhe mareshallët e njohur të Francës, truprojen e kishte vetëm me shqiptarë. Pikërisht këta shqiptarë të familjeve Bua, Buziki, Bokali, Frasina, Reneshi, Maneshi, Muzaka, Frata, Albanese, Castriota, etj, që qëndruan në Francë dhe që i shërbyen Francës, përbëjnë dhe valën e parë të emigracionit shqiptar në tokën franke.

Në librin Nobiliaire ou Armorial général de la Lorraine historiani Ambroise Pelletier shkruan: «Andrea Maneshi, (André Manessy), kapiten «Albanois», u fisnikërua nga Franca dhe u përjashtua nga të gjitha taksat, sipas shkresave të dorëzuara në Nancy nga oborri mbretëror më 24 Nëntor të vitit 1599”. Në shkresë thuhet: «Fisnikërohet në sajë të shërbimeve që u ka bërë mbretërve dhe princërve kristianë kundër turqve. Ka katër djem dhe veç një shtëpi në Ville-Neuve si dhe një shtëpi-fermë të trashëguar në Saint-Maixe. Familja Maneshi konsiderohet fisnike duke u përjashtuar nga taksat, sipas dhe shkresës së dërguar më 1580 nga perandori Charles Quint pjesëtarëve të familjes së tyre që janë tërhequr më pas në Coron dhe Lipare, ku kanë shkuar sipas kërkesës së Domentio Maneshit, i cilësuar gjithashtu «noble» (fisnik) sipas «Trésor des Chartres», fl. 10, vers. Régistr. 1600». Emblema është në fushë të kaltërt, me një palmë, në këmbë të së cilës gjëndet një turk i vrarë dhe figura e një atleti të xhveshur me një brez gjethesh, duke mbajtur diçka të argjëndë të mbështetur mbi tokë. Mbi kokën e tij shihen tri yje, dy prej të cilëve janë vendosur mbi të tretin. Andrea Maneshi ka qënë padyshim babai i të krishterit Maneshi që banon në Nancy, i cili u bë gjykatës i mbretit në Goudreville-s në Gushtin e vitit 1623, meqë kishte dhënë dorëheqjen Philippe Maillot”. Po në këtë libër të vjetër jepen dhe të dhënat e tjera rreth familjes Manessy: “François de Manessy, përgjegjës i kalorësisë, u bë mjeshtër-këshilltar i Dhomës së Financës së Lorraine-s më 22 Nëntor 1968. Fëmija i tij, Charles de Manessy, ishte gjykatës i mbretit dhe oficer i pyjeve të Chaligny-së. Nicolas-François de Manessy, senjor i Mage.” Në një dokument tjetër për François de Manessy shkruhet se është “d’une famille d’origine albanaise – 1719” (nga një familje shqiptare).

Të tjerë pinjollë të kësaj familje ishin të shquar, kryesisht në zonën Merthe et Moselle, në Haute-Savoie, Nancy apo dhe në rajone të tjera të Francës, të shpërndarë gjatë shekujve, siç i gjeje ata dhe në Chambery, Annecy, Chaumont, Saint-Maurice-de-Rumilly, Pont-Saint Vincent, La Guillotière, Digney, Toul, Bar (Lorraine), etj., ku sipas regjistrave të lindjes, këta pinjollë të kësaj familje të madhe kanë jetuar në shekujt XVII-XVIII e më pas, gjer në ditët tona. Po kështu, Claude-Joseph de Manessy ishte senjor i Maixe, kapiten kalorësie dhe gjykatës i mbretit në Chaligny. Edhe nipi i tij, Charles-Christophe de Manessy, sipas librit Les Lorrains et l’Empire, të Alain Petiot, ishte gjykatës, kapiten dhe shef i policisë së kontesë së Chaligny-së. Një tjetër personazh interessant në historinë e kishës ishte Antoine Gabriel de Manessy, prift dhe më pas superior i “Congregation des soeurs” (1740) e më vonë superior kanonik i katedrales së qytetit Toul, i cili në kohën e Revolucionit Francez u fsheh në Nancy, meqë ata u masakruan nga komitetet revolucionare. Ndërkohë në Lyon, një pjestare e kësaj familje, edhe pse në moshën 63 vjeçare, ishte dënuar me vdekje nga Komiteti Revolucionar i qytetit Lyon sepse kishte strehuar ruajalistë, armiq të Revolucionit. Ish superiori i katedrales, i cili konsiderohej si një shenjt, u rikthye në katedrale kur feja në Francë u lejua më 1802, por po atë vit ai vdiq, siç tregohet dhe në librin e shkruar për të (Vie de M. Antoine-Gabriel de Manessy, Lenfant, curé de Favieres, Diocèse de Nancy, Ed. Chez Hissette, Nancy, 1804). Fisniku i fundit, deri në kohën e shpërthimit të Revolucionit francez ishte Charles-François De Manessy, avokat i oborrit mbretëror e më pas kryetari mbretëror i bashkisë së qytetit të Nancy-së, nga viti 1783 deri në 1790. Ai kishte titullin “Messire”, sipas fisnikërisë franceze.

Roger de Bussy-Rabutin, një kalorës fisnik i famshëm francez dhe i afërt me mbretin Charles VIII, memorialist i njohur dhe libertin, në librin e tij Les Mémoires de Messire Roger de Rabutin, comte de Bussy, shkruan: «Kalorësia e lehtë u shfaq në Francë kur Charles VIII, (Karli VIII) shkoi në Itali dhe kur një fisnik shqiptar i quajtur Gjergj Kastrioti[1] u bashkua me të bashkë me 400 kalorës… Ata quheshin stratiotë. Gjergj Kastrioti kishte lënë dukën e Mantovës dhe u vu në shërbim të mbretit duke i kërkuar komandën e kalorësisë. Dhe mbreti pranoi…» Në radhët e kalorësisë franceze të Louis XII, të François I, e më pas, u shquan edhe dy stratiotë të tjerë shqiptarë: Teodor Maneshi dhe Teodor Bedenji. Maneshi kishte 200 kalorës stratiotë, shkruan Jean Serres në librin Inventar i përgjithshëm i historisë së Francës. Në një burim tjetër historik, shkruhet se Teodor Bedenji, nën kryesinë e dukës De Brissac, që luftonte atëherë në Hollandë, kishte qindra stratiotë shqiptarë. Në vitin 1556, kapitenin Teodor Bedenjin e gjejmë në shërbim të sieur Henri I Montmorency, që më vonë do të quhej Marechal Domville, i cili do të luftonte krah Henri de Navare kundër mbretit Henri III. Por Henri de Navare do të fitonte në këtë betejë duke u bërë mbreti i Francës, Henri IV. Në një botim të vjetër, shkruhet se pikërisht në kështjellën ku banonte mareshalli Domville kishte vdekur aksidentalisht dhe një nga djemtë e kapitenit Bedenji “albanois”, i quajtur Bernardini, i cili kishte rënë me gjithë kalë në greminë. Ai jetonte në zotërimet e mareshallit të Francës.

Charles Théodor Beauvais, në studimin e tij të gjatë Victoires, conquëtes, désastres, revers et guerres civiles des Français, lidhur me ngjarjet në Térouanne, jo larg Lille-s shkruan ndër të tjera: «Perandori Maximilian me një kavaleri gjermane erdhi në Calais të bashkohej me ushtrinë angleze… Mbreti Louis XII ishte i sëmurë ndaj edhe u afrua deri në Amiens, i shtrirë në shtrat, që të vëzhgonte nga afër operacionet luftarake. Henry VIII donte të sulmonte Boulogne-n ose Abbeville-n, por Maximilian-i e këshilloi që të marshonte drejt Térouanne-s, qytet pothuaj i lidhur me arkidukën Charles d’Autriche, sovran i Vendeve të Ulëta (Pays-Bas) që më pas do të quhej Charles Quint. Aty ishte një garnizon prej 200 ushtarësh dhe 2000 këmbësorësh, por ata s’kishin barut. Louis XII e urdhëroi Segneur de Piennes, guvernator i Picardie-s që të dërgonte atje ca rezerva, por ndërkohë duhej të shmangte që popullsia të dëmtohej nga kjo ndërmarrje. Për këtë, Piennes ngarkoi segneur De Fontrailles. Dhe ai, bashkë me shqiptarët e tij, kaloi me galop përmes anglezëve dhe njerëzit e tij (800) i kaluan rezervat në garnizon dhe u tërhoqën pastaj të ndjekur nga armiku. Kjo përpjekje e guximshme ngriti moralin e ushtrisë franceze. Por rezervat ishin të pamjaftueshme. Pra duheshin të tjera. Në Këshillin e Luftës u vendos që De Fontrailles, në krye të shqiptarëve të tij, të shkonte sërish me më shumë rezerva. Maximilian-i dhe Henry VIII u njoftuan për këtë ndërmarrje të re nga disa dezertorë. Henry VIII forcoi pikat nga do të kalonin shqiptarët dhe dha urdhër që t’u binin nga pas. Shqiptarët i ndeshën ata gjatë kalimit. Por anglezët ishin të shumtë. Shfaqja e anglezëve e kapi në befasi dukën De Longeville dhe pasuesit e tij që kishin ardhur të shoqëronin shqiptarët me rezervat e caktuara për në Térouanne, por jo të luftonin. Meqë ishte vapë, ata i kishin zbritur kuajt dhe ishin shtrirë në bar. Por ja kur panë “lansquenets”-ët gjermanë dhe anglezët që po afroheshin. Xhandarët francezë ia mbathën. I famshmi Bayard e frenoi sulmin e tyre të parë dhe u dha mundësi të iknin, por ai vetë u kap rob. Kjo disfatë hyri në histori me emrin «journée des éperons», (“dita e ushtave”), sepse francezët përdorën vetëm ushtat, (éperons). Ata pësuan disa të vrarë dhe njëqind robër. Pastaj anglezët pushtuan Térouanne e më pas Tournai, i cili kapitulloi…»

Në librin e tij Shënime mbi Kavalerinë, gjenerali de Warnery ka theksuar se «Mareshalli de Fleuranges, shkruante në “Kujtimet” e tij se «Luigji XII, në ushtrinë që printe në Itali për të ndëshkuar revoltën e gjenovezëve, kishte me vete 2000 stratiotë». Kjo trupë ishte e komanduar nga Mercurio Bua (Mërkur Bua Shpata), i cili qëndroi në shërbim të Francës deri në mbretërimin e Henri IV. Në enciklopedinë ushtarake Encyclopédie méthodique – Art Militaire të Louis Félix dhe Guynement de Kerallo, shkruhet se «Zotërinjtë du Bellay dhe Brantôme mendojnë se Franca mori si model kalorësinë «albanoise». Ishin këto vlera të shqiptarëve që e kishte shtyrë Louis XII që të krijonte kalorësinë e lehtë franceze, për çka na shkruan dhe Montluc në Komentet, (Commentaires) e tij, ku, duke iu referuar De Fontrailles dhe ku shkruan se «ai ishte gjeneral i 1200 kalorësve të lehtë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë». Historiani Brantôme, në librin e tij Quinziesme Discours, duke i bërë lavde gjeneralit frëng De Frontailles-it, shton se «Mbreti i dha zotit De Fontrailles gradën e gjeneral-kolonelit të shqiptarëve, të cilët i kishte nën urdhërat e tij dhe se ishin ata që na sollën formën e kavalerisë së lehtë, e cila deri në atë kohë nuk çmohej dhe aq në Francë». Edhe René II, duka i Lorenës, në luftën kundër Robert de la Marck-ut, zotit të Sedanit, i cili kërkonte të fuste nën pushtetin e tij dhe krahinën e Metz-it, ndër mercenarët që mblodhi në luftë kundër Robertit, (1493-1497), ishin dhe «Albanés», shqiptarët. Mareshalli De Fleuranges në kujtimet e tij ka shkruar se Louis XII kur do të sulmonte Gjenovën që ishte rebeluar kundër tij, kishte 2000 stratiotë të udhëhequr nga Merkur Bua Shpata, (Mercurio Bua).

Saga e lavdishme e familjes Muzaka

Sipas studiuesit të njohur të historisë së Greqisë dhe shqiptarëve të Greqisë, Carl Hopf, në librin e tij Chroniques greco-romaines, shkruhet për të birin e Gjon Muzakës, Adrianin, i cili ishte kapiten i kalorësisë së lehtë në shërbim të mbretit francez. Ai kishte fillimthi nën komandën e tij një trupë prej 300 stratiotësh dhe me ta luftoi kundër anglezëve të Veri të Francës. Por më pas mësohet se i helmuar, ai vdiq në Picardie, në vitin 1526. Por ndërkohë, vëllai i tij, i quajtur Konstantin, siç shkruan historiani Paolo Petta në librin e tij Despotë të Epirit dhe të Maqedonisë, (Despoti d’Epirio e principi di Macedonia), ishte nga të pakët komandantë që e shpëtoi trupën e tij dhe në krye të tyre mori rrugët drejt Francës. Cilët ishin këta prijësa të mëdhenj dhe cila ishte jeta e tyre? Vallë Konstandini mbeti përfundimisht në Francë? Ku vallë? Pranë oborrit mbretëror?…  Petta përmend dhe një dorëshkrim ku shkruhet se Adriani ishte “një djalosh trup pakët, por shumë i gjallë e i gëzuar dhe falë këtyre vetive të tij që e bënin mjaft të pëlqyeshëm për damat, mundi të realizojë një martesë të suksesshme. Më vonë, pasi iu shterën pasuritë e së shoqes, mori nga Prosper Marc Anton Colonna komandën e një trupe prej 200 stratiotësh”.

Memorie-n e tij, Gjon Muzaka u kujtonte bijve të vet, por dhe historisë, se «kur u pushtua Shqipëria nga osmanët, ai shkoi në Napoli, tek mbreti Ferrante i Aragonës, ku ai e priti në oborrin e tij dhe i premtoi mjaft toka në Apicie». Ai kujton gjithashtu se kur ikën në Napoli «biri i tij Theodhori ishte një vjeç e gjysmë, Adriani, një muajsh, ndërsa Konstandini lindi në Napoli». Gjon Muzaka, i cili nuk pranoi të ndryshonte fenë, siç ia kërkoi sulltani, e përshkruan ikjen e tij dhe të familjes së tij në mënyrë romaneske… Ai iku fshehurazi natën, pa e parë kush, aty nga viti 1476, duke marrë një anije për tu hedhur në brigjet e jugut të Italisë. «Gruaja ime dhe nëna juaj, Maria Dukagjini, ishte shtatzënë me Don Adrianin dhe në muajt e fundit të barrës u detyrua të ikë në Durrës, duke mos treguar se kush ishte dhe u strehua në shtëpinë e disa fisnikëve, miqve tanë, ku dhe solli në jetë Adrianin. Ai u çua në kishë të pagëzohej si një fëmijë i gjetur i ndonjë fshatari, aq sa dhe kumbarët nuk e dinin se biri i kujt ishte… Pas ndonjë muaji, fisnikët e mësipërm, bashkë me disa burra të mirë që ishin vasalët tanë, morën me qera një anije, ku hipën nënën bashkë me fëmijët dhe i shoqëruan ata shëndoshë e mirë deri në Pulje».

Në vitin 1550, shumë vite më vonë, pas vdekjes së atit të tij Gjon Muzaka, Konstandini shtoi në këtë «memorie» dhe shënime të tjera që i përkisnin familjes dhe se çfarë ndodhi më pas me ata, si dhe princat e tjerë ku flitet dhe për birin e Skënderbeut, Gjon Kastrioti dhe nënën e tij. Konstandini kishte lënë Francën shumë vite më vonë i ndihmuar nga familja e madhe gjenoveze e Doria-s, aleatë të spanjollëve. «Ta dini se im vëlla Adriani, kishte një kalorësi të lehtë prej njëqind kalorësish në shërbim të mbretit të Francës dhe se paguhej mirë si në luftë ashtu dhe në paqe. Dhe ky i quajturi Zot Adrian Muzaka, vdiq në dhjetë të muajit Maj, i helmuar nga ca zotërinj francezë që shërbenin në Monsinjori Vendôme, për t’i marrë vendin dhe paratë dhe se ai kishte nën vete 12.000 këmbësorë. Të tjerë i morrën kuajt dhe paratë. Ai ishte vendosur në qytetin e Biville-s që është në provincën e Picardie-s, ku i përmenduri mbret i kishte dhuruar një kështjellë me emrin Mundi, pranë Monrosë dhe Biville-s. Pra ai vdiq në dhjetë të muajit Maj të vitit 1526». Në Histoire de la Maison Royale de France et des Grands officiers de la Couronne, historianët Anselme de Sainte-Marie dhe A. de Sainte Rosalie (1733), shkruajnë për «Jean, senjor d’Estrées, kapiten i 150 shqiptarëve, të cilët i kishte patur më parë i ndjeri Adrien de Musarq de Pirotée». (Adrian Muzaka i Epirit, L.R.)

Gjatë luftërave fetare, të cilat lanë gjurmë të mëdha në historinë e Francës, vend i cili pothuaj u shkatërrua gjatë mëse një shekulli luftërash vëllavrasëse, shkruhet dhe për një stratiot tjetër me famë të quajtur Thoma Frata, i cili ishte në shërbim të Dukës De Guise, aleat i Henri de Navare-s, në luftë me Henri III, në atë kohë mbret i Francës. Duke shkuar në luftë, duka marshonte përpara dhe i sigurt sepse ishte i shoqëruar nga shumë afër prej 30 kalorësve fisnikë dhe 60 kalorësve shqiptarë. Pas tyre vinte ushtria dhe në fund artileria. Interesant është fakti që na sjell historiani Jean Rousset de Missy në librin e tij Cérémonial diplomatique des cours de l’Europe, i cili midis të tjerash tregon edhe rreth një kronike historike kur mbreti anglez Henry VIII erdhi për vizitë në Francë, në një ballo me maska të organizuar për nder të tij, «ai shoqërohej nga 12 senjorë të veshur si Albanois».

Shqiptarët lanë gjurmë në historinë e qyteteve dhe të krahinave të ndryshme franceze ku u instaluan për një periudhë të gjatë kohe dhe shumë prej tyre përfundimisht. Historiani Charles d’Aigrefeuille, në librin e tij mbi historinë e qytetit të Montpellier, shkruan se «më 1605 ishin atje dy vëllezër të quajtur Luquisses, të cilët premtuan se do të çlironin qytetet Leucate, Narbonne dhe Besiers. Thonë se ata ishin bijtë e një shqiptari të cilin «konetabli» Montmorency e çmonte shumë. Kështu pensionin e të atit, Montmorency ua jepte djemve të tij». Kuptohet se kur dy vëllezër shqiptarë merrnin përsipër të çlironin qytete me emër si Leucate, Narbonne dhe Besiers në Jug të Francës, kemi të bëjmë me personazhe të jashtëzakonshëm, të cilët duhej të udhëhiqnin si strategë të mëdhenj. Në librin Historia e Luftrave Civile të Francës, H. C. Davila dhe J. Baudoin, shkruajnë për një betejë të zhvilluar në Roche-Chalais ku kavalerinë e printe Merkur Bua dhe kapiteni Montigny me 2500 kalorës. Trupat e Henri de Navarre qëlluan me artileri dhe aty u plagos dhe Merkur Bua (Domines Mercurio Bua). Po në këtë libër, autorët shkruajnë se pas kësaj fitoreje, Henri de Navarre marshoi të sulmonte drejt Parisit, ku qëndronte mbreti Henri III. «Ushtria e Henri de Navarre donte të shpartallonte kapitenin Frata, shqiptar, (Albanois), i cili bashkë me kapitenin Vins komandonin që të dy kalorësinë e lehtë…» Një përleshje e madhe u bë në afërsi të qytetit të Montargis rreth 150 km larg Parisit. Në librin Kujtimet mbi Ligën, historianët S. Goulart dhe C. P. Goujet, duke shkruar për ushtrinë e senjorit de Mayenne, duka i Mayenne-s, pohojnë se në vitin 1586, në ushtrinë e tij kishte dhe 400 kalorës «albanois»… Nën drejtimin e Siena de Malicorne «ishin shqiptarët ata që ruanin garnizonin e kështjellës Château de Salai, pranë Rochelle-s»… Në librin Histoire Universelle, J. A. de Thon shkruan për kalorësin Demetrio Albanois gjatë sulmit të mareshallit de Brissac në Vercueil. Po në këtë libër shkruhet dhe për një «albanois» tjetër, Demetrio Capusamati…. Kapuzamati përmendet dhe në një burim tjetër historik në Collection des mémoires relatifs à l’histoire de France, por kësaj rradhe i vëllai i tij Gjergji (Georges), u printe 200 kalorësve shqiptarë.

Ishin shqiptarët ata që më 1525 shkuan në ndihmë të Antoine, duka i Lorraine-s, nipit të René d’Anjou-së. Në librin Histoire de la Lorraine, Augustin Calmet shkruan se «kapiteni i shqiptarëve, de Beaulieu, bashkë me shqiptarët e tij nxitoi në ndihmë të Antoine, duka i Lorraine-s, duke përndjekur armiqtë». J. A. de Thon në Histoire Universelle, shton dhe «betejën e 50 shqiptarëve më 3 Gusht 1589, kur të komanduar nga kapiteni Louis Gaucour, marshuan drejt Gamaches, ku i shpartalluan armiqtë. Të burgosurit u çuan në Bourges. Ishte një betejë tepër e përgjakëshme…» Sigurisht, veç betejës së Marignano-s, ku stratiotët i dhanë fitoren mbretit François I kundër gjermanëve e zviceranëve, një nga betejat më të mëdha të stratiotëve shqiptarë ishte “Beteja e Coutra”-s (20 tetor 1587) ku shqiptarët pothuaj u shuan nën flamurin e katoliçizmit. Që nga ajo kohë, kronikanët nuk flasin më për “Chevalerie Albanoise”, edhe pse stratiotët do t’i gjejmë sërish në gardat mbretërore dhe trupat speciale, por ata tashmë ishin të pakët në numur gjersa më së fundi do të shuheshin në mjegullat e kohës. Pas betejës së Coutra-s, në botimet e tij (Kopshti shkëmbor i Europës jug-lindore), Faik Konica na kujton se beteja e fundit e shqiptarëve heroikë në shërbim të Francës ishte ajo e Pavias në vitin 1590. «Jean d’Auton, – shkruante ai, – i përshkruan me hollësi mënyrat e luftimit të këtyre mercenarëve shqiptarë. Porsa jepej shenja nga Komandanti i Përgjithshëm, ata lëshoheshin mbi kuaj në mes të radhëve të armikut, duke mbajtur heshta të gjata me një flamur të vogël në majë, jepnin një goditje të fuqishme dhe shkaktonin një panik në radhët e kundërshtarit; pastaj i qëndronin besnik kodit të tyre të nderit dhe nuk harronin parimin sipas të cilit «koka e falur nuk pritet». Sidoqoftë, kalorësit shqiptarë vazhdojnë dhe pas kësaj periudhe të qëndrojnë dhe të jetojnë në rajone të ndryshme të Francës, emrat e të cilëve i gjejmë aty këtu nëpër librat e historisë, në regjistrat e vjetër, etj. Në regjistrat e bashkisë së Parisit, të vitit 1586 është dhe një qarkore drejtuar banorëve të lokaliteteve në një largësi deri 20 lega nga Parisi, që të ndihmojnë kompaninë e një kapiteni të quajtur Gjon Shqiptari, Jean l’Albanois. Me kalimin e viteve, këta shqiptarë do të asimilohen gradualisht dhe pinjollët e tyre, brez pas brezi do të ruajnë veç kujtimin e rrënjëve të tyre shqiptare, apo mbiemrin Albanois.

Një nga stratiotët e njohur ishte dhe Bokali për të cilin ende nuk kemi shumë të dhëna si dhe rreth itinerarit të kësaj familje stratiote të emigruar në More nga Shqipëria. Më pas, me pushtimin e Moresë nga turqit, dhe luftërave nën flamurin venecian kundër tyre, ata hynë në shërbim të Venedikut duke ikur në Itali. Nga arkivi i senatit të Vendikut ka një shkresë të 22 Shtatorit të vitit 1480 edhe për familjen Bokali. Për të shkruhet se Senati ka vendosur «një pension për familjen e të ndjerit Dhimitër Bokali, i cili ka lënë në varfëri gruan dhe një vajzë 7 vjeçare, i cili ishte një prej stratiotëve të dërguar në Durrës bashkë me 300 stratiotë të tjerë për të ndihmuar Krujën. T’i jepen gruas 3 dukate në muaj dhe vajzës 150 dukate për prikën e saj». Sigurisht, meshkujt e familjes së tij ishin angazhuar nëpër luftërat e Italisë, por ne nuk e dimë ende se cilët ishin ata. Në një burim historik rreth Mërkur Buas, flitet se më 1527, në krah të Gjergj Buzikit, i cili ishte shpallur «Kalorës i Shën Markut», luftonte dhe Teodor Bokali. Dimë gjithashtu se gruaja e parë e Mërkur Buas ishte Maria Bokali, bija e Nikollë Bokalit dhe vajzë e Katerina Arianiti (e familjes së Skënderbeut), martesë kjo e vitit 1524, kur Mërkur Bua ishte dyzet vjeçar dhe një kalorës me famë tashmë. Për arkondët Bokali të Greqisë, shkruan dhe historiani i njohur Jacob Philipp Fallmeyer.

______

[1] Pas vdekjes së Skënderbeut ka qenë edhe një tjetër kalorës i famshëm, stratiot, i quajtur Skënderbeu i Ri, i cili spikati në luftërat e Italisë dhe më pas dha kontributin e tij në Francë. Ishte ai që nga Italia i solli mbretit të Francës Louis XII, 400 stratiotë, duke krijuar kështu bërthamën e parë të «chevalerie albanoise».

FYTYRA PREJ TEJE-MARIO BENEDETI

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

FYTYRA PREJ TEJE-MARIO BENEDETI

 

Kam një vetmi 

kaq të shpeshtë

mbushur me kaq nostalgji

dhe fytyra prej teje

me lamtumira të dikurshme

dhe puthje të mirëpritura

me takime të para

dhe vagonë të fundit.

Kam një vetmi 

kaq të shpeshtë

saqë mund ta organizoj 

si një kortezh

sipas ngjyrave

madhësive 

dhe premtimeve

sipas epokave

prekjeve

dhe shijeve.

Pa u dridhur më

përqafoj mungesat e tua

që vijnë dhe më vizitojnë

me fytyrën time prej teje.

Jam i mbushur plotë hije

net dhe dëshira

qeshje dhe ndonjë

mallkim.

Mysafirët e mi vijnë

vijnë si ëndrra

me inatet e tyre të reja

me djallëzinë e tyre

unë pas derës 

u vendos një fshesë

sepse dua të jem vetëm

me fytyrën time prej teje.

Por fytyra prej teje

sheh tjetërkund

me sytë e saj të dashurisë

që nuk dashurojnë më

si ushqimet rezervë

që kërkojnë urinë e tyre

shohin e shohin

dhe e shuajnë ditën time.

Ikin muret

ngelet nata

ikin nostalgjitë

s’ngelet asgjë.

Tani fytyra ime prej teje

mbyll sytë

dhe është një vetmi

kaq e shkretuar.

 

Përktheu: Erion Karabolli

 

1 133 134 135 136 137 182
Go to Top