Ernest Hemingway dhe Afrika

in Letërsi/Në kohërat e kolerës by

U rrëzua me aeroplan në ujëvarë, u dogj në zjarr, u plagos rëndë. Aksidentet e njëpasnjëshme të shkrimtarit Ernest Hemingway gjatë safarit në Afrikë, në luftë me kohën që po ikte.

Në vitin 1954, Ernest Hemingway kishte fituar tashmë famë ndërkombëtare si shkrimtar. Në moshën 55-vjeçare, pavarësisht lexueshmërisë dhe suksesit, ishte i pasigurt. Donte të provonte se mbetej gjithmonë në formë dhe i fuqishëm.

Safari në Afrikë dhe rënia e avionit

Në Janar të vitit 1954 udhëtoi për në Afrikë me gruan e tij, Mary Wells dhe miqtë për të bërë safari. Megjithatë, gjatë një fluturimi nga Kenia në Kongon Belge, filluan të ndodhin ngjarje, të cilat nëse vendoste t’i përfshinte në ndonjë roman, do akuzohej për ekzagjerim. Aeroplani ra mbi një tufë zogjsh të egër. Helika u dëmtua dhe avioni u rrëzua në ujëvarat “Victoria”. Pasagjerët nuk u plagosën. Hemingway dalloi me cep të syrit një anije të lidhur në skelën e Nilit. Me atë, u zhvendosën në zonën Moutiba dhe vendosën të shkonin në Entebbe me një avion më të vogël. Asgjë nuk paralajmëronte se diçka do të shkonte keq këtë herë. Megjithatë, pak para se avioni të ngrihej, rrotat goditën mbi gurë dhe gropa dhe shpërtheu flakë. Hemingway arriti të hapë derën me një lugë, por u plagos rëndë dhe u dërgua në spital në Nairobi. Aty u diagnostikua se kishte humbje të përkohshme të dëgjimit në veshin e majtë, humbje të përkohshme të shikimit në syrin e majtë, paralizë të nervave të njërës dorë, zhvendosje shpatulle dhe këmbe, një rruazë të thyer dhe dëmtime në mëlçi dhe veshkë. Shkrimtari nuk u dorëzua. Fati, megjithatë, i ruante aventura të tjera.

Një muaj pas shërimit, shkrimtari ra në zjarr dhe pësoi djegie të-shkallës së dytë në gjithë trupin. Paralelisht me trajtimin e tij në një spital të Venecias, “terapia” që aplikonte ishte auto-sarkazma për gjithçka që i kishte ndodhur. Pavarësisht situatës së rëndë, sfidoi mjekët dhe udhëtoi për në Milano dhe Madrid për të ndjekur shfaqje teatrale. Në vazhdim, edhe pse ishte i rraskapitur, u gjend në Saragozë për të marrë pjesë në luftimin e demave.

Megjithatë, këto udhëtime kishin si rezultat rëndimin e gjendjes shëndetësore të tij. Hemingway nuk ishte më në gjendje të udhëtonte për në Suedi disa muaj më vonë për të marrë Çmimin Nobel. “Shkrimtari duhet të përpiqet të shkojë aty ku nuk mund të arrijë, aty ku askush nuk mund ta ndihmojë”, shkruante ndër të tjera në letrën që i dërgoi Akademisë Suedeze për ta lexuar në ceremoninë e çmimeve.

Në vitet e fundit të jetës së tij, forca fizike e kishte braktisur, jo vetëm për shkak të aksidenteve të përsëritura, por edhe për shkak të konsumit të tepërt të alkoolit. Thuhet se çdo mëngjes pinte shampanjë të ftohur për të fuksionuar. Hemingway refuzonte të pranonte realitetin e ashpër të plakjes. Ishte mbyllur brenda vetes dhe shpesh pushtohej nga fiksimet. “Preferoja njëqind herë të bëhesha copa, si në Afrikë, sesa të kisha këtë ndjenjë,” u kishte rrëfyer miqve të tij.

Diagnostikimi se vuante nga hypertrophy e mëlçisë dhe diabeti, ishin pika që derdhi gotën. Në mëngjesin e 2 Korrikut të vitit 1961, Ernest Hemingway u vetëvra me një pushkë gjahu në shtratin e tij. Siç kishte thënë: “Kushdo që vdes këtë vit, është i përjashtuar për vitin tjetër”.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Republika e gomerëve-Granit Zela

Granit Zela                        Në republikën e Zullumhanes ndodhi diçka e rrallë: një gomar
Go to Top