Nico dhe grupi “The Velvet Underground”

in Muzikë by

Kishte një fëmijë me Alain Delon-in, i cili nuk e njohu kurrë. Ishte filonaziste dhe raciste. Marrëdhënia me Morrison dhe vdekja e papritur. Bashkëpunoi me muzikantë të mëdhenj të kohës së saj dhe frymëzoi shumë artistë që shkëlqyen në skenën e rrokut në dekadat në vijim.

Nico, zëri femër i “The Velvet Underground“, kishte një jetë të trazuar dhe një vdekje të papritur. Emri i saj i vërtetë ishte Christa Päffgen. U lind në Këln në vitin 1940, por u largua nga qyteti kur ishte dy vjeç. Së bashku me nënën dhe gjyshin e saj u larguan për të shpëtuar nga bombardimet. Babai i saj vdiq në luftë. Disa vite më vonë, u transferua me nënën e saj në Berlin, ku vazhdoi shkollën deri në moshën 13 vjeç. Ishte e bukur, shtatlartë me lëkurë “porcelani” dhe nuk u desh shumë kohë që të bëhej modele. Thuhet se në moshën 15 vjeç, kur punonte për Forcat Ajrore të SHBA-së, e përdhunoi një rreshter amerikan. Thuhet gjithashtu se rreshteri doli para gjykatës ushtarake dhe u dënua me vdekje. Histori këto që nuk janë konfirmuar dhe as mohuar. Nico fliste shtatë gjuhë dhe nuk dëgjonte nga njëri vesh. Një vit më vonë e reja Christa u njoh me fotografin Herbert Tobias në një shfaqje të modës. Tobias i dha emrin Nico për shkak të mikut të tij, regjisorit greko-egjiptian Nikos Papatakis.

Pas një kohe, Nico zhvendoset në Paris ku pozon për Vogue, Elle dhe revista të tjera të njohura të modës. Në moshën 17 vjeç, u punësua nga Coco Chanel për të promovuar produktet, por e lë punën dhe niset për në New York. Nico fillon të shfaqet në ekran, së pari në reklama dhe më pas në filma, duke luajtur role të vogla. Njëri prej tyre ishte në filmin “Dolce Vita”, të Fellini-t. Në të njëjtën kohë merr mësime për aktrim. Në vitin 1962 lidhet me Alain Delon-in dhe patën një djalë, Christian Aaron, të cilin e thërriste Ari. Delon-i, i cili në të njëjtën kohë kishte lidhje me Romy Schneider-in, e mohon atësinë. Por prindërit e aktores së famshme kujdesen për Arin e vogël dhe përfundimisht e adoptojnë duke i dhënë mbiemrin Boulogne. Deputimi i parë i Nico-s si këngëtare ishte në vitin 1963 në një klub të New York-ut, por rruga për diskografi u hap kur u njoh në atë kohë, me kitaristin dhe bashkëthemeluesin e Rolling Stones: Brian Jones, me të cilin regjistroi single-in e saj të parë, produksionin e të cilës e bëri Jed Page i “Led Zeppelin”.

Në atë kohë, Nico njihet me Andy Warhol i cili magjepset nga vajza e bukur. I jep rol në filmin “Chelsea Girls“, dhe pasi ka marrë përsipër menaxhimin e “Velvet Underground”, sugjeron bashkëpunimin e Nico-s me grupin. Albumi i tyre i parë qarkulloi me emrin e Nico në kopertinë. Velvet Underground & Nico renditet në vendin e 13-të në 500 albumet më të mira të Rolling Stone të të gjitha kohërave. Dallimet personale dhe muzikore midis Nico-s dhe grupit çuan në “divorc”, por marrëdhënia zgjati dhe vitet e ardhshme në të cilat pjesëtarët e bandës Lou Reed, John Cale iu bashkuan krijimeve të saj. Njohja dhe marrëdhënia e saj me Jim Morrison-in e ndihmoi të shkruante këngë ashtu siç e inkurajonte këngëtari i Doors-ave. Në vitin 1969, qarkulloi albumin “Marble Index” që mbeti në histori. Në album, Nico interpreton harmonikën, një instrument që e adoptoi për pjesën tjetër të karrierës së saj, dhe John Cale një seri instrumentesh popullore dhe klasike. Dha e vetme koncerte në qytete të ndryshme europiane, por në vitin 1972 u ribashkua me Lou Reed dhe John Cale-n për një koncert në Bataclan.

Në vitet në vijim, Nico luan në filma, regjistron dhe jep koncerte në Europë, Azi dhe Amerikë. Regjistrimi i fundit në studio ishte një duet me Marc Almond, gati një muaj para vdekjes së saj.

Droga dhe vdekja e papritur.

Për më shumë se 15 vite Nico ishte narkotike dhe madje kishte tërhequr dhe djalin e saj, por pak para vdekjes, filloi një program metadoni, ndiqte një mënyrë jetese të shëndetshme, kujdesej për dietën dhe bënte çiklizëm. Më 18 Korrik të vitit 1988, ndërsa ishte në Ibiza me djalin e saj, Nico, teksa po bënte xhiro me biçikletë, pësoi një sulm në zemër, ra dhe goditi kokën. Vdiq disa orë më vonë nga hemorragjia cerebrale.

Ana e errët.

Miqtë dhe bashkëpunëtorët e karakterizojnë Nico-n si raciste. Gazetari amerikan dhe miku i saj Danny Fields përshkruan sjelljen e saj filonaziste dhe përmend një incident ku Nico sulmoi një këngëtare me ngjyrë që gjendej në të njëjtën shoqëri muzikantësh. Ndoshta mund të ketë qenë e dehur, thotë Fields, por mori një gotë verë, e theu dhe bërtiti: ” I urrej zezakët”, duke goditur në sy vajzën, për fat të mirë duke mos e lënduar seriozisht. Gjatë një koncerti në Berlin, Nico ndezi zemërimin e publikut kur këndoi himnin kombëtar të Gjermanisë, duke përfshirë dhe një varg që ishte ndaluar që nga viti 1945. Nico mbase nuk është bërë aq popullore sa këngëtarët e tjerë të kohës, por shumë artistë thonë se u ndikuan nga muzika e saj, si; Patti Smith, Morrisey, Bjork, etj.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Muzikë

Go to Top