Amerika, projeksion i mendjes evropiane/Paul Valéry

in Letërsi by

Paul Valéry

[…] Nëse bota moderne nuk duhet të arrijë deri në një rrënim universal e të pandreqshëm të të gjitha vlerave të krijuara nga shekuj të tërë kuturisjesh dhe eksperimentesh të të gjitha llojeve, dhe nëse (pas nuk di ç’trazimesh e tallandish) ajo duhet të arrijë njëfarë ekuilibri politik, kulturor dhe ekonomik, duhet parë si mundësi që rajonet e ndryshme të globit, në vend që t’i kundërvihen njëri-tjetrit për dallimet e të gjitha llojeve mes tyre, të plotësojnë njëri-tjetrin nëpërmjet këtyre dallimeve. Ata do të mund të jenë më tepër vetvetja nëse do të marrin pjesë më lirisht e më racionalisht në veprën e përbashkët të jetës. Për shembull, nuk do të shohim më kombe të krijojnë dhe të mbajnë industri krejtësisht artificiale, që nuk jetojnë tjetër veçse me subvencione dhe proteksion. Veç kësaj, vetë ndarja e territorit të banueshëm në kombe të përcaktuara politikisht është krejtësisht empirike. Kjo ndarje është historikisht e shpjegueshme: ajo nuk është bërë në mënyrë organike, sepse vija e hequr mbi hartë dhe mbi tokë që përbën një kufi është rezultante e një vargu aksidentesh të vulosur me traktate. Në shumë raste, kjo vijë e mbyllur vizatohet çuditshëm; ajo ndan vise që ngjajnë me njëri-tjetrin, apo bashkon vise të tjerë që ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri; si dhe ndërfut në marrëdhëniet njerëzore vështirësi dhe ndërlikime, ku lufta që buron prej këtej nuk është asnjëherë një zgjidhje, por, përkundrazi, një molepsje e re.

Më e habitshmja e këtij përkufizimi historik e tradicional të kombeve është si vijon: konceptimi i sotëm i grupimit të njerëzve në kombe është krejt antropomorfik. Një komb karakterizohet nga të drejta sovraniteti dhe pronësie. Ai zotëron, blen, shet, ndeshet, përpiqet të jetojë dhe të begatohet në kurriz të të tjerëve; është ziliqar, krenar, i pasur ose i varfër; një komb kritikon të tjerët; ka miq dhe armiq, ka simpati; është ose nuk është artist; etj. Shkurt fjala, kombet janë persona dhe ne u veshim atyre ndjenja, të drejta dhe detyrime, cilësi dhe të meta, dëshira dhe përgjegjësi, simbas një zakoni të stërlashtë thjeshtimi.

Nuk është nevoja të shtjelloj pasojat e këtij identifikimi grupesh njerëzorë me qenie të mirëpërcaktuara.

Por transformimi modern i tokës vazhdon të ndodhë dhe sistemi i ri i jetës që duhej të përkonte me këtë modifikim të pamatë ndeshet me strukturën politike që sapo skicova. Le të kujtojmë me dy fjalë tiparet kryesore të këtij transformimi, siç i sinjalizova te libri “Vështrime mbi botën e sotme”.

Para së gjithash, e gjithë toka është zënë: nuk ka më tokë të lirë. Më tej, barazia teknike në rritje e popujve – prej nga vjen një dobësim i arsyeve të përparësisë së kombeve të tipit evropian. Pastaj, nevoja gjithnjë në rritje për energji fizike dhe, për rrjedhojë, për lëndë që e prodhojnë këtë energji nga transformimi i tyre (qymyr, naftë). Në fund, rritje e shpejtë dhe fantastike e mjeteve të komunikimit dhe të transmetimit.

E gjitha kjo konfirmohet, del në pah dhe vepron gjithnjë e më shumë, nga dita në ditë. E gjitha kjo kombinohet me trashëgiminë e rëndë të botës së vjetër dhe të politikës së vjetër e primitive. Gjasat për konflikt janë shtuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Paqëndrueshmëria e ekuilibrit botëror ka arritur kulmin. Askush nuk mund të mburret më se është në gjendje të parashikojë. Politikanët më të mëdhenj, kokat më të thella nuk janë të afta të përllogaritin asgjë. Një shpikje e papritur mund të ndryshojë nesër të gjitha kushtet e fuqisë ekonomike apo ushtarake.

Kështu, nga njëra anë, kemi konceptime primitive dhe antropomorfike; personalitete kombëtare, sovrane dhe pronarë territoresh të konturuar arbitrarisht. Nga ana tjetër, varësi në rritje të rajoneve, nevoja shkëmbimesh dhe ekuilibresh, ndërvarësi teknike apo ekonomike të pashmangshme. Në një luftë moderne, njeriu që vret një njeri vret njëherësh një prodhues të asaj që ai konsumon, apo një konsumator të asaj që ai prodhon.

Është e kotë të përshkruash efektet e kobshme të këtij stadi të gjërave. Fatkeqja Evropë është kapur nga një krizë tejet e dukshme marrëzie, lehtëbesimi dhe brutaliteti. Nuk është e pamundur që kultura jonë e vjetër dhe tejet e pasur të degradohet deri në pikë të fundit vetëm në disa vjet. Para njëzet vjetësh pata shkruar: “ Ne, qytetërimet, e dimë tashmë që jemi të vdekshëm…” Gjithë çka kaluar që nga ajo kohë, s’ka bërë gjë tjetër veçse ka rritur rrezikun vrastar që pata lajmëruar.

Po vij tani tek Amerika. Sa herë që mendimi më errësohet dhe dëshpërohem nga Evropa, gjej pak shpresë vetëm duke menduar për Kontinentin e Ri. Evropa, në të dyja Amerikat, dërgoi mesazhet e saj, krijimet e komunikueshme të mendjes së saj, atë çka ajo zbuloi si më pozitiven, dhe, shkurt fjala, atë që mund të prishej më pak nga transportimi dhe nga largimi prej kushteve të përgjithshme. Kemi të bëjmë me një “përzgjedhje natyrore” të vërtetë, që ka vepruar dhe ka qëmtuar produktet me vlerë universale të mendjes evropiane, teksa gjërat me përbërje tepër konvencionale apo tepër historike mbeteshin në Botën e Vjetër.

Nuk po them se gjithë më e mira e kaloi Oqeanin, dhe as se më e keqja nuk e kapërceu atë. Sepse kështu nuk do të ishte më një përzgjedhje natyrore. Po them se janë gjërat më të afta për të jetuar nën qiej tejet të largët nga qiejt e tyre të origjinës ato që kaluan Oqeanin e që hodhën rrënjë në një tokë që në pjesën më të madhe ishte e virgjër.

Për ta mbyllur, le të marrim parasysh dy ide që mund të rrjedhin nga vëzhgime tepër të përmbledhura.

Së pari, toka amerikane kishte raca dhe gjurmë jetësh të mëparshme të llojeve të ndryshme. Nuk është e pamundur që ndërveprime të rëndësishme të shfaqen një ditë si pasojë e kontaktit dhe depërtimit të faktorëve europianë. Nuk do habitesha, për shembull, që kombinime fatlume të mund të rezultojnë nga veprimi i ideve tona estetike të ndërfutura në natyrën e fuqishme të Artit autokton meksikan. Në zhvillimin e arteve, shartimi është një metodë nga më pjelloret. Çdo art klasik, le ta pohojmë, është një produkt shartimi.

Ideja e dytë është e një rendi krejt të ndryshëm nga e para. Nëse Europa duhet të shohë si tretet dhe venitet kultura e saj; nëse qytetet tanë, muzetë, monumentet, universitetet tona duhet të shkatërrohen në furinë e luftës së kryer shkencërisht; nëse ekzistenca e njerëzve të mendimit dhe e krijuesve bëhet e pamundur apo mizore nga rrethana politike apo ekonomike brutale, atëherë njëfarë ngushëllimi, njëfarë shprese ekziston në idenë se veprat tona, kujtimi i punimeve tona, emrat e njerëzve tanë më të mëdhenj të mos jenë sikur nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, dhe se do të ketë, aty-këtu, në Botën e Re, disa mendje në të cilat do të jetojnë një jetë të dytë disa prej krijimeve të mrekullueshme të evropianëve fatkeqë.

1938.

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top