Stratiotët që luftuan për kurorën franceze-Luan Rama

in Në kohërat e kolerës by

Luan Rama

Për historinë e stratiotëve shqiptarë është shkruar nga historianë të ndryshëm, veçanërisht për luftërat e Italisë në shekujt XVI-XVII, por bëmat e tyre i kaluan kufijtë e principatave italiane duke përfshirë dhe territoret e mbretërive të Francës, të Anglisë apo Gjermanisë së kohës së perandor Maksimilianit. Philippe de Commynes, (1447-1511), diplomat i njohur në Europë, ambasador në Venecie dhe këshilltar i mbretit të Francës, në kujtimet e tij Memoires, shkruan për famën e stratiotëve:«Ata ishin shqiptarë nga Duras, (Durrësi) dhe shqiptaro-grekë që vinin nga Morea, që në atë kohë ishte nën zotërimin e venedikasve». Commynes-i i kishte parë ata në Venedik, kur 1500 stratiotë kishin zbarkuar në ishull dhe kishin bërë një paradë madhështore, pranë abacisë Saint-Nicolas. Atëherë stratiotët njësoheshin me «Cavalerie Albanoise» dhe Perëndimi kishte shumë nevojë për ta, pasi shpesh ishte kavaleria ajo që vendoste fatin e betejave të mëdha. Ata ishin luftëtarë të armatosur gjer në dhëmbë, me kostume hekuri dhe me mansheta të gjata prej rrjete çeliku, që mbanin një heshtë me dy maja, të gjatë tre metra, të cilën e përdornin me të dyja duart dhe që luftonin mbi kuaj gjithnjë në këmbë. Heshta e tyre quhej «zagayé». Nga kronistët e kohës ata cilësoheshin «luftëtarë të tmerrshëm». Stratiotët ishin në fakt një trupë mercenarësh, por tepër të krishterë dhe nuk dyshohet që në luftën kundër turqve, ky element fetar të ketë luajtur një rol të dorës së parë. Të detyruar të braktisnin trojet e tyre, në fillim ata luftuan në krah të Venedikut, kundër ushtrive të mbretit të Francës, ku siç shkruhet në tekstet e vjetra historike, «për çdo kokë francezi, ata paguheshin 1 dukat». Sidoqoftë, më pas, lidhja me mbretërit francezë do të jetë e qëndrueshme, përgjatë më shumë se një shekulli.

Mbreti i Francës Henri II, e forcoi kavalerinë e tij duke thirrur një numur të madh stratiotësh, për të cilët bëhet fjalë në dy urdhëresa mbretërore të vitit 1549 dhe 1553, ku përcaktohet numri i stratiotëve për çdo kompani, pagesa e tyre, etj. Në vitin 1552, Henri II kishte 3000 kalorës të lehtë me stratiotë, kompanitë e të cilëve komandoheshin nga senjorët më të njohur. Kavaleria e tij quhej atë kohë «Argoulets», ndërsa stratiotët, francezët i quanin herë «Albanais» dhe herë «Estradiots». Në shekullin e XVI, tri kavaleri ishin më me emër në gjithë Europën: së pari, stratiotët shqiptarë, së dyti, kalorësit spanjollë «genetiaires» dhe, së treti, kalorësit gjermanë të quajtur «reîtres». Madje në atë kohë, në Francë përdorej dhe shprehja «chevaucher comme un Albanais» («të kalërosh si një shqiptar»). Edhe mbreti tjetër francez, François I, (Fransua i Parë), një nga mbretërit më përparimtarë të Francës, futi në ushtrinë e tij shumë kalorës stratiotë. Ata i gjeje gjer në truprojen e tij, ndërsa mbretërit Henri IV dhe Louis XIII, (Luigji XIII) i kishin në përbërje të ushtrive të tyre. Po kështu dhe Henri I de Montmorency, një nga dukët dhe mareshallët e njohur të Francës, truprojen e kishte vetëm me shqiptarë. Pikërisht këta shqiptarë të familjeve Bua, Buziki, Bokali, Frasina, Reneshi, Maneshi, Muzaka, Frata, Albanese, Castriota, etj, që qëndruan në Francë dhe që i shërbyen Francës, përbëjnë dhe valën e parë të emigracionit shqiptar në tokën franke.

Në librin Nobiliaire ou Armorial général de la Lorraine historiani Ambroise Pelletier shkruan: «Andrea Maneshi, (André Manessy), kapiten «Albanois», u fisnikërua nga Franca dhe u përjashtua nga të gjitha taksat, sipas shkresave të dorëzuara në Nancy nga oborri mbretëror më 24 Nëntor të vitit 1599”. Në shkresë thuhet: «Fisnikërohet në sajë të shërbimeve që u ka bërë mbretërve dhe princërve kristianë kundër turqve. Ka katër djem dhe veç një shtëpi në Ville-Neuve si dhe një shtëpi-fermë të trashëguar në Saint-Maixe. Familja Maneshi konsiderohet fisnike duke u përjashtuar nga taksat, sipas dhe shkresës së dërguar më 1580 nga perandori Charles Quint pjesëtarëve të familjes së tyre që janë tërhequr më pas në Coron dhe Lipare, ku kanë shkuar sipas kërkesës së Domentio Maneshit, i cilësuar gjithashtu «noble» (fisnik) sipas «Trésor des Chartres», fl. 10, vers. Régistr. 1600». Emblema është në fushë të kaltërt, me një palmë, në këmbë të së cilës gjëndet një turk i vrarë dhe figura e një atleti të xhveshur me një brez gjethesh, duke mbajtur diçka të argjëndë të mbështetur mbi tokë. Mbi kokën e tij shihen tri yje, dy prej të cilëve janë vendosur mbi të tretin. Andrea Maneshi ka qënë padyshim babai i të krishterit Maneshi që banon në Nancy, i cili u bë gjykatës i mbretit në Goudreville-s në Gushtin e vitit 1623, meqë kishte dhënë dorëheqjen Philippe Maillot”. Po në këtë libër të vjetër jepen dhe të dhënat e tjera rreth familjes Manessy: “François de Manessy, përgjegjës i kalorësisë, u bë mjeshtër-këshilltar i Dhomës së Financës së Lorraine-s më 22 Nëntor 1968. Fëmija i tij, Charles de Manessy, ishte gjykatës i mbretit dhe oficer i pyjeve të Chaligny-së. Nicolas-François de Manessy, senjor i Mage.” Në një dokument tjetër për François de Manessy shkruhet se është “d’une famille d’origine albanaise – 1719” (nga një familje shqiptare).

Të tjerë pinjollë të kësaj familje ishin të shquar, kryesisht në zonën Merthe et Moselle, në Haute-Savoie, Nancy apo dhe në rajone të tjera të Francës, të shpërndarë gjatë shekujve, siç i gjeje ata dhe në Chambery, Annecy, Chaumont, Saint-Maurice-de-Rumilly, Pont-Saint Vincent, La Guillotière, Digney, Toul, Bar (Lorraine), etj., ku sipas regjistrave të lindjes, këta pinjollë të kësaj familje të madhe kanë jetuar në shekujt XVII-XVIII e më pas, gjer në ditët tona. Po kështu, Claude-Joseph de Manessy ishte senjor i Maixe, kapiten kalorësie dhe gjykatës i mbretit në Chaligny. Edhe nipi i tij, Charles-Christophe de Manessy, sipas librit Les Lorrains et l’Empire, të Alain Petiot, ishte gjykatës, kapiten dhe shef i policisë së kontesë së Chaligny-së. Një tjetër personazh interessant në historinë e kishës ishte Antoine Gabriel de Manessy, prift dhe më pas superior i “Congregation des soeurs” (1740) e më vonë superior kanonik i katedrales së qytetit Toul, i cili në kohën e Revolucionit Francez u fsheh në Nancy, meqë ata u masakruan nga komitetet revolucionare. Ndërkohë në Lyon, një pjestare e kësaj familje, edhe pse në moshën 63 vjeçare, ishte dënuar me vdekje nga Komiteti Revolucionar i qytetit Lyon sepse kishte strehuar ruajalistë, armiq të Revolucionit. Ish superiori i katedrales, i cili konsiderohej si një shenjt, u rikthye në katedrale kur feja në Francë u lejua më 1802, por po atë vit ai vdiq, siç tregohet dhe në librin e shkruar për të (Vie de M. Antoine-Gabriel de Manessy, Lenfant, curé de Favieres, Diocèse de Nancy, Ed. Chez Hissette, Nancy, 1804). Fisniku i fundit, deri në kohën e shpërthimit të Revolucionit francez ishte Charles-François De Manessy, avokat i oborrit mbretëror e më pas kryetari mbretëror i bashkisë së qytetit të Nancy-së, nga viti 1783 deri në 1790. Ai kishte titullin “Messire”, sipas fisnikërisë franceze.

Roger de Bussy-Rabutin, një kalorës fisnik i famshëm francez dhe i afërt me mbretin Charles VIII, memorialist i njohur dhe libertin, në librin e tij Les Mémoires de Messire Roger de Rabutin, comte de Bussy, shkruan: «Kalorësia e lehtë u shfaq në Francë kur Charles VIII, (Karli VIII) shkoi në Itali dhe kur një fisnik shqiptar i quajtur Gjergj Kastrioti[1] u bashkua me të bashkë me 400 kalorës… Ata quheshin stratiotë. Gjergj Kastrioti kishte lënë dukën e Mantovës dhe u vu në shërbim të mbretit duke i kërkuar komandën e kalorësisë. Dhe mbreti pranoi…» Në radhët e kalorësisë franceze të Louis XII, të François I, e më pas, u shquan edhe dy stratiotë të tjerë shqiptarë: Teodor Maneshi dhe Teodor Bedenji. Maneshi kishte 200 kalorës stratiotë, shkruan Jean Serres në librin Inventar i përgjithshëm i historisë së Francës. Në një burim tjetër historik, shkruhet se Teodor Bedenji, nën kryesinë e dukës De Brissac, që luftonte atëherë në Hollandë, kishte qindra stratiotë shqiptarë. Në vitin 1556, kapitenin Teodor Bedenjin e gjejmë në shërbim të sieur Henri I Montmorency, që më vonë do të quhej Marechal Domville, i cili do të luftonte krah Henri de Navare kundër mbretit Henri III. Por Henri de Navare do të fitonte në këtë betejë duke u bërë mbreti i Francës, Henri IV. Në një botim të vjetër, shkruhet se pikërisht në kështjellën ku banonte mareshalli Domville kishte vdekur aksidentalisht dhe një nga djemtë e kapitenit Bedenji “albanois”, i quajtur Bernardini, i cili kishte rënë me gjithë kalë në greminë. Ai jetonte në zotërimet e mareshallit të Francës.

Charles Théodor Beauvais, në studimin e tij të gjatë Victoires, conquëtes, désastres, revers et guerres civiles des Français, lidhur me ngjarjet në Térouanne, jo larg Lille-s shkruan ndër të tjera: «Perandori Maximilian me një kavaleri gjermane erdhi në Calais të bashkohej me ushtrinë angleze… Mbreti Louis XII ishte i sëmurë ndaj edhe u afrua deri në Amiens, i shtrirë në shtrat, që të vëzhgonte nga afër operacionet luftarake. Henry VIII donte të sulmonte Boulogne-n ose Abbeville-n, por Maximilian-i e këshilloi që të marshonte drejt Térouanne-s, qytet pothuaj i lidhur me arkidukën Charles d’Autriche, sovran i Vendeve të Ulëta (Pays-Bas) që më pas do të quhej Charles Quint. Aty ishte një garnizon prej 200 ushtarësh dhe 2000 këmbësorësh, por ata s’kishin barut. Louis XII e urdhëroi Segneur de Piennes, guvernator i Picardie-s që të dërgonte atje ca rezerva, por ndërkohë duhej të shmangte që popullsia të dëmtohej nga kjo ndërmarrje. Për këtë, Piennes ngarkoi segneur De Fontrailles. Dhe ai, bashkë me shqiptarët e tij, kaloi me galop përmes anglezëve dhe njerëzit e tij (800) i kaluan rezervat në garnizon dhe u tërhoqën pastaj të ndjekur nga armiku. Kjo përpjekje e guximshme ngriti moralin e ushtrisë franceze. Por rezervat ishin të pamjaftueshme. Pra duheshin të tjera. Në Këshillin e Luftës u vendos që De Fontrailles, në krye të shqiptarëve të tij, të shkonte sërish me më shumë rezerva. Maximilian-i dhe Henry VIII u njoftuan për këtë ndërmarrje të re nga disa dezertorë. Henry VIII forcoi pikat nga do të kalonin shqiptarët dhe dha urdhër që t’u binin nga pas. Shqiptarët i ndeshën ata gjatë kalimit. Por anglezët ishin të shumtë. Shfaqja e anglezëve e kapi në befasi dukën De Longeville dhe pasuesit e tij që kishin ardhur të shoqëronin shqiptarët me rezervat e caktuara për në Térouanne, por jo të luftonin. Meqë ishte vapë, ata i kishin zbritur kuajt dhe ishin shtrirë në bar. Por ja kur panë “lansquenets”-ët gjermanë dhe anglezët që po afroheshin. Xhandarët francezë ia mbathën. I famshmi Bayard e frenoi sulmin e tyre të parë dhe u dha mundësi të iknin, por ai vetë u kap rob. Kjo disfatë hyri në histori me emrin «journée des éperons», (“dita e ushtave”), sepse francezët përdorën vetëm ushtat, (éperons). Ata pësuan disa të vrarë dhe njëqind robër. Pastaj anglezët pushtuan Térouanne e më pas Tournai, i cili kapitulloi…»

Në librin e tij Shënime mbi Kavalerinë, gjenerali de Warnery ka theksuar se «Mareshalli de Fleuranges, shkruante në “Kujtimet” e tij se «Luigji XII, në ushtrinë që printe në Itali për të ndëshkuar revoltën e gjenovezëve, kishte me vete 2000 stratiotë». Kjo trupë ishte e komanduar nga Mercurio Bua (Mërkur Bua Shpata), i cili qëndroi në shërbim të Francës deri në mbretërimin e Henri IV. Në enciklopedinë ushtarake Encyclopédie méthodique – Art Militaire të Louis Félix dhe Guynement de Kerallo, shkruhet se «Zotërinjtë du Bellay dhe Brantôme mendojnë se Franca mori si model kalorësinë «albanoise». Ishin këto vlera të shqiptarëve që e kishte shtyrë Louis XII që të krijonte kalorësinë e lehtë franceze, për çka na shkruan dhe Montluc në Komentet, (Commentaires) e tij, ku, duke iu referuar De Fontrailles dhe ku shkruan se «ai ishte gjeneral i 1200 kalorësve të lehtë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë». Historiani Brantôme, në librin e tij Quinziesme Discours, duke i bërë lavde gjeneralit frëng De Frontailles-it, shton se «Mbreti i dha zotit De Fontrailles gradën e gjeneral-kolonelit të shqiptarëve, të cilët i kishte nën urdhërat e tij dhe se ishin ata që na sollën formën e kavalerisë së lehtë, e cila deri në atë kohë nuk çmohej dhe aq në Francë». Edhe René II, duka i Lorenës, në luftën kundër Robert de la Marck-ut, zotit të Sedanit, i cili kërkonte të fuste nën pushtetin e tij dhe krahinën e Metz-it, ndër mercenarët që mblodhi në luftë kundër Robertit, (1493-1497), ishin dhe «Albanés», shqiptarët. Mareshalli De Fleuranges në kujtimet e tij ka shkruar se Louis XII kur do të sulmonte Gjenovën që ishte rebeluar kundër tij, kishte 2000 stratiotë të udhëhequr nga Merkur Bua Shpata, (Mercurio Bua).

Saga e lavdishme e familjes Muzaka

Sipas studiuesit të njohur të historisë së Greqisë dhe shqiptarëve të Greqisë, Carl Hopf, në librin e tij Chroniques greco-romaines, shkruhet për të birin e Gjon Muzakës, Adrianin, i cili ishte kapiten i kalorësisë së lehtë në shërbim të mbretit francez. Ai kishte fillimthi nën komandën e tij një trupë prej 300 stratiotësh dhe me ta luftoi kundër anglezëve të Veri të Francës. Por më pas mësohet se i helmuar, ai vdiq në Picardie, në vitin 1526. Por ndërkohë, vëllai i tij, i quajtur Konstantin, siç shkruan historiani Paolo Petta në librin e tij Despotë të Epirit dhe të Maqedonisë, (Despoti d’Epirio e principi di Macedonia), ishte nga të pakët komandantë që e shpëtoi trupën e tij dhe në krye të tyre mori rrugët drejt Francës. Cilët ishin këta prijësa të mëdhenj dhe cila ishte jeta e tyre? Vallë Konstandini mbeti përfundimisht në Francë? Ku vallë? Pranë oborrit mbretëror?…  Petta përmend dhe një dorëshkrim ku shkruhet se Adriani ishte “një djalosh trup pakët, por shumë i gjallë e i gëzuar dhe falë këtyre vetive të tij që e bënin mjaft të pëlqyeshëm për damat, mundi të realizojë një martesë të suksesshme. Më vonë, pasi iu shterën pasuritë e së shoqes, mori nga Prosper Marc Anton Colonna komandën e një trupe prej 200 stratiotësh”.

Memorie-n e tij, Gjon Muzaka u kujtonte bijve të vet, por dhe historisë, se «kur u pushtua Shqipëria nga osmanët, ai shkoi në Napoli, tek mbreti Ferrante i Aragonës, ku ai e priti në oborrin e tij dhe i premtoi mjaft toka në Apicie». Ai kujton gjithashtu se kur ikën në Napoli «biri i tij Theodhori ishte një vjeç e gjysmë, Adriani, një muajsh, ndërsa Konstandini lindi në Napoli». Gjon Muzaka, i cili nuk pranoi të ndryshonte fenë, siç ia kërkoi sulltani, e përshkruan ikjen e tij dhe të familjes së tij në mënyrë romaneske… Ai iku fshehurazi natën, pa e parë kush, aty nga viti 1476, duke marrë një anije për tu hedhur në brigjet e jugut të Italisë. «Gruaja ime dhe nëna juaj, Maria Dukagjini, ishte shtatzënë me Don Adrianin dhe në muajt e fundit të barrës u detyrua të ikë në Durrës, duke mos treguar se kush ishte dhe u strehua në shtëpinë e disa fisnikëve, miqve tanë, ku dhe solli në jetë Adrianin. Ai u çua në kishë të pagëzohej si një fëmijë i gjetur i ndonjë fshatari, aq sa dhe kumbarët nuk e dinin se biri i kujt ishte… Pas ndonjë muaji, fisnikët e mësipërm, bashkë me disa burra të mirë që ishin vasalët tanë, morën me qera një anije, ku hipën nënën bashkë me fëmijët dhe i shoqëruan ata shëndoshë e mirë deri në Pulje».

Në vitin 1550, shumë vite më vonë, pas vdekjes së atit të tij Gjon Muzaka, Konstandini shtoi në këtë «memorie» dhe shënime të tjera që i përkisnin familjes dhe se çfarë ndodhi më pas me ata, si dhe princat e tjerë ku flitet dhe për birin e Skënderbeut, Gjon Kastrioti dhe nënën e tij. Konstandini kishte lënë Francën shumë vite më vonë i ndihmuar nga familja e madhe gjenoveze e Doria-s, aleatë të spanjollëve. «Ta dini se im vëlla Adriani, kishte një kalorësi të lehtë prej njëqind kalorësish në shërbim të mbretit të Francës dhe se paguhej mirë si në luftë ashtu dhe në paqe. Dhe ky i quajturi Zot Adrian Muzaka, vdiq në dhjetë të muajit Maj, i helmuar nga ca zotërinj francezë që shërbenin në Monsinjori Vendôme, për t’i marrë vendin dhe paratë dhe se ai kishte nën vete 12.000 këmbësorë. Të tjerë i morrën kuajt dhe paratë. Ai ishte vendosur në qytetin e Biville-s që është në provincën e Picardie-s, ku i përmenduri mbret i kishte dhuruar një kështjellë me emrin Mundi, pranë Monrosë dhe Biville-s. Pra ai vdiq në dhjetë të muajit Maj të vitit 1526». Në Histoire de la Maison Royale de France et des Grands officiers de la Couronne, historianët Anselme de Sainte-Marie dhe A. de Sainte Rosalie (1733), shkruajnë për «Jean, senjor d’Estrées, kapiten i 150 shqiptarëve, të cilët i kishte patur më parë i ndjeri Adrien de Musarq de Pirotée». (Adrian Muzaka i Epirit, L.R.)

Gjatë luftërave fetare, të cilat lanë gjurmë të mëdha në historinë e Francës, vend i cili pothuaj u shkatërrua gjatë mëse një shekulli luftërash vëllavrasëse, shkruhet dhe për një stratiot tjetër me famë të quajtur Thoma Frata, i cili ishte në shërbim të Dukës De Guise, aleat i Henri de Navare-s, në luftë me Henri III, në atë kohë mbret i Francës. Duke shkuar në luftë, duka marshonte përpara dhe i sigurt sepse ishte i shoqëruar nga shumë afër prej 30 kalorësve fisnikë dhe 60 kalorësve shqiptarë. Pas tyre vinte ushtria dhe në fund artileria. Interesant është fakti që na sjell historiani Jean Rousset de Missy në librin e tij Cérémonial diplomatique des cours de l’Europe, i cili midis të tjerash tregon edhe rreth një kronike historike kur mbreti anglez Henry VIII erdhi për vizitë në Francë, në një ballo me maska të organizuar për nder të tij, «ai shoqërohej nga 12 senjorë të veshur si Albanois».

Shqiptarët lanë gjurmë në historinë e qyteteve dhe të krahinave të ndryshme franceze ku u instaluan për një periudhë të gjatë kohe dhe shumë prej tyre përfundimisht. Historiani Charles d’Aigrefeuille, në librin e tij mbi historinë e qytetit të Montpellier, shkruan se «më 1605 ishin atje dy vëllezër të quajtur Luquisses, të cilët premtuan se do të çlironin qytetet Leucate, Narbonne dhe Besiers. Thonë se ata ishin bijtë e një shqiptari të cilin «konetabli» Montmorency e çmonte shumë. Kështu pensionin e të atit, Montmorency ua jepte djemve të tij». Kuptohet se kur dy vëllezër shqiptarë merrnin përsipër të çlironin qytete me emër si Leucate, Narbonne dhe Besiers në Jug të Francës, kemi të bëjmë me personazhe të jashtëzakonshëm, të cilët duhej të udhëhiqnin si strategë të mëdhenj. Në librin Historia e Luftrave Civile të Francës, H. C. Davila dhe J. Baudoin, shkruajnë për një betejë të zhvilluar në Roche-Chalais ku kavalerinë e printe Merkur Bua dhe kapiteni Montigny me 2500 kalorës. Trupat e Henri de Navarre qëlluan me artileri dhe aty u plagos dhe Merkur Bua (Domines Mercurio Bua). Po në këtë libër, autorët shkruajnë se pas kësaj fitoreje, Henri de Navarre marshoi të sulmonte drejt Parisit, ku qëndronte mbreti Henri III. «Ushtria e Henri de Navarre donte të shpartallonte kapitenin Frata, shqiptar, (Albanois), i cili bashkë me kapitenin Vins komandonin që të dy kalorësinë e lehtë…» Një përleshje e madhe u bë në afërsi të qytetit të Montargis rreth 150 km larg Parisit. Në librin Kujtimet mbi Ligën, historianët S. Goulart dhe C. P. Goujet, duke shkruar për ushtrinë e senjorit de Mayenne, duka i Mayenne-s, pohojnë se në vitin 1586, në ushtrinë e tij kishte dhe 400 kalorës «albanois»… Nën drejtimin e Siena de Malicorne «ishin shqiptarët ata që ruanin garnizonin e kështjellës Château de Salai, pranë Rochelle-s»… Në librin Histoire Universelle, J. A. de Thon shkruan për kalorësin Demetrio Albanois gjatë sulmit të mareshallit de Brissac në Vercueil. Po në këtë libër shkruhet dhe për një «albanois» tjetër, Demetrio Capusamati…. Kapuzamati përmendet dhe në një burim tjetër historik në Collection des mémoires relatifs à l’histoire de France, por kësaj rradhe i vëllai i tij Gjergji (Georges), u printe 200 kalorësve shqiptarë.

Ishin shqiptarët ata që më 1525 shkuan në ndihmë të Antoine, duka i Lorraine-s, nipit të René d’Anjou-së. Në librin Histoire de la Lorraine, Augustin Calmet shkruan se «kapiteni i shqiptarëve, de Beaulieu, bashkë me shqiptarët e tij nxitoi në ndihmë të Antoine, duka i Lorraine-s, duke përndjekur armiqtë». J. A. de Thon në Histoire Universelle, shton dhe «betejën e 50 shqiptarëve më 3 Gusht 1589, kur të komanduar nga kapiteni Louis Gaucour, marshuan drejt Gamaches, ku i shpartalluan armiqtë. Të burgosurit u çuan në Bourges. Ishte një betejë tepër e përgjakëshme…» Sigurisht, veç betejës së Marignano-s, ku stratiotët i dhanë fitoren mbretit François I kundër gjermanëve e zviceranëve, një nga betejat më të mëdha të stratiotëve shqiptarë ishte “Beteja e Coutra”-s (20 tetor 1587) ku shqiptarët pothuaj u shuan nën flamurin e katoliçizmit. Që nga ajo kohë, kronikanët nuk flasin më për “Chevalerie Albanoise”, edhe pse stratiotët do t’i gjejmë sërish në gardat mbretërore dhe trupat speciale, por ata tashmë ishin të pakët në numur gjersa më së fundi do të shuheshin në mjegullat e kohës. Pas betejës së Coutra-s, në botimet e tij (Kopshti shkëmbor i Europës jug-lindore), Faik Konica na kujton se beteja e fundit e shqiptarëve heroikë në shërbim të Francës ishte ajo e Pavias në vitin 1590. «Jean d’Auton, – shkruante ai, – i përshkruan me hollësi mënyrat e luftimit të këtyre mercenarëve shqiptarë. Porsa jepej shenja nga Komandanti i Përgjithshëm, ata lëshoheshin mbi kuaj në mes të radhëve të armikut, duke mbajtur heshta të gjata me një flamur të vogël në majë, jepnin një goditje të fuqishme dhe shkaktonin një panik në radhët e kundërshtarit; pastaj i qëndronin besnik kodit të tyre të nderit dhe nuk harronin parimin sipas të cilit «koka e falur nuk pritet». Sidoqoftë, kalorësit shqiptarë vazhdojnë dhe pas kësaj periudhe të qëndrojnë dhe të jetojnë në rajone të ndryshme të Francës, emrat e të cilëve i gjejmë aty këtu nëpër librat e historisë, në regjistrat e vjetër, etj. Në regjistrat e bashkisë së Parisit, të vitit 1586 është dhe një qarkore drejtuar banorëve të lokaliteteve në një largësi deri 20 lega nga Parisi, që të ndihmojnë kompaninë e një kapiteni të quajtur Gjon Shqiptari, Jean l’Albanois. Me kalimin e viteve, këta shqiptarë do të asimilohen gradualisht dhe pinjollët e tyre, brez pas brezi do të ruajnë veç kujtimin e rrënjëve të tyre shqiptare, apo mbiemrin Albanois.

Një nga stratiotët e njohur ishte dhe Bokali për të cilin ende nuk kemi shumë të dhëna si dhe rreth itinerarit të kësaj familje stratiote të emigruar në More nga Shqipëria. Më pas, me pushtimin e Moresë nga turqit, dhe luftërave nën flamurin venecian kundër tyre, ata hynë në shërbim të Venedikut duke ikur në Itali. Nga arkivi i senatit të Vendikut ka një shkresë të 22 Shtatorit të vitit 1480 edhe për familjen Bokali. Për të shkruhet se Senati ka vendosur «një pension për familjen e të ndjerit Dhimitër Bokali, i cili ka lënë në varfëri gruan dhe një vajzë 7 vjeçare, i cili ishte një prej stratiotëve të dërguar në Durrës bashkë me 300 stratiotë të tjerë për të ndihmuar Krujën. T’i jepen gruas 3 dukate në muaj dhe vajzës 150 dukate për prikën e saj». Sigurisht, meshkujt e familjes së tij ishin angazhuar nëpër luftërat e Italisë, por ne nuk e dimë ende se cilët ishin ata. Në një burim historik rreth Mërkur Buas, flitet se më 1527, në krah të Gjergj Buzikit, i cili ishte shpallur «Kalorës i Shën Markut», luftonte dhe Teodor Bokali. Dimë gjithashtu se gruaja e parë e Mërkur Buas ishte Maria Bokali, bija e Nikollë Bokalit dhe vajzë e Katerina Arianiti (e familjes së Skënderbeut), martesë kjo e vitit 1524, kur Mërkur Bua ishte dyzet vjeçar dhe një kalorës me famë tashmë. Për arkondët Bokali të Greqisë, shkruan dhe historiani i njohur Jacob Philipp Fallmeyer.

______

[1] Pas vdekjes së Skënderbeut ka qenë edhe një tjetër kalorës i famshëm, stratiot, i quajtur Skënderbeu i Ri, i cili spikati në luftërat e Italisë dhe më pas dha kontributin e tij në Francë. Ishte ai që nga Italia i solli mbretit të Francës Louis XII, 400 stratiotë, duke krijuar kështu bërthamën e parë të «chevalerie albanoise».

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Në kohërat e kolerës

Go to Top