Etyd-Frederik Rreshpja
Etyd-Frederik Rreshpja
Degët e drurëve lëkunden fluror
Mbi ballin e pjerrët të çative,
S’ka gjë në mos rëntë kësaj nate dëborë
Do bjerë në kujtesën e fëmijëve!
Etyd-Frederik Rreshpja
Degët e drurëve lëkunden fluror
Mbi ballin e pjerrët të çative,
S’ka gjë në mos rëntë kësaj nate dëborë
Do bjerë në kujtesën e fëmijëve!
Leximet poetike-Wislawa Szymborska
Të jesh boksier, apo të mos jesh fare aty. O Muzë, ku janë turmat tona të vrullshme që ngjishen e shtyhen?
Gjithë-gjithë; dymbëdhjetë persona në dhomë; tetë karrige
bosh
erdhi koha ta fillojmë këtë çështjen kulturore.Gjysma hyri brenda se filloi të binte shi, pjesa tjetër janë kushërinj. O Muzë.
Gratë e pranishme këtu do të donin të shanin dhe të përdhosnin,
por në boks ndodh kjo. Këtu ato duhet të sillen mirë.Ferri i Dantes është rreshti i parë në ditët e sotme.
Po kështu edhe Parajsa e tij. O Muzë.
Oh, të mos jesh boksier, por poet,
i dënuar përjetë me shpërfillje të rënda,
për mungesë muskujsh, i detyruar t’i tregosh botës
sonetet që renditen në listat e leximit të shkollave të mesme
dhe kjo, nëse je me fat. O muzë,
O Pegasus, ti engjëll bishtprerë.Në rreshtin e parë, gërhitja e butë e një plaku të lezetshëm:
ai sheh në ëndërr sikur gruaja e tij është gjallë sërish. Dhe për më
tepër, ajo po i gatuan atë tartën që piqte zakonisht.
Të përndezur, por me kujdes – të mos e djegim tartën e tij!
ne fillojmë të lexojmë. O Muzë.Përktheu: Arlinda Guma
Zonja Coppola, Michael Douglas ka thënë njëherë se për pesëmbëdhjetë vitet e para të karrierës së tij ai ndihej sikur të ishte “i mallkuar për të qenë suksesshëm” vetëm për shkak të babait të tij. A është kjo një ndjenjë që ju e kuptoni ndërsa ndiqni gjurmët e babait tuaj si regjisore?
Sofia Coppola: Unë mendoj se si bijë nuk ndjen shumë presion, sepse, në njëfarë mënyre, pritet më pak nga ti. Nuk ndjeva presion aspak dhe e zhvillova zërin tim shumë herët. Sigurisht që jam krenare për babain tim dhe prej nga vij, por unë kam mënyrën time të punës, stilin tim.
A ju ka dhënë mësime babai?
Sofia Coppola: Jo. Dua të them që ai gjithmonë më fliste për reaizimin e filmave dhe skenarin, që në moshë të re, por mendoj se kjo për të ishte më tepër emocionuese sesa të ishte dëshira për t’ua mësuar fëmijëve të tij.
Si e gjetët rrugën tuaj?
Sofia Coppola: M’u desh pak kohë; Unë thjesht provova gjëra të ndryshme. U largova nga shtëpia, shkova në kolegj dhe, madje themelova kompaninë time të veshjeve që kishte partnerë në Japoni, por sapo bëra filmin tim të parë të shkurtër, e gjeta se çfarë doja. Dhe hasja e librit “Vetëvrasjet e Virgjëreshës” ishte pika e kthesës në fakt, sepse e doja atë libër dhe ndihesha paksa mbrojtëse ndaj tij.
Fragment nga filmi “Të humbur në përkthim”.
Babai juaj ju shtyu disi të zëvendësonit Winona Ryder-in dhe të merrnit një rol në filmin “Kumbari 3”. Ishte kjo një përvojë traumatike?
Soffia Coppola: Ishte e vështirë sepse isha 18 vjeç dhe gjëja e fundit që dëshiron të bësh në atë moshë është të dëgjosh se çfarë të thonë prindërit. Babai im ishte regjisor në filmin ku unë luaja, kështu që ishte e sikletshme sepse unë nuk jam natyrshëm aktore, por thjesht doja të provoja gjithçka dhe nuk prisja që ta shikonin kaq shumë njerëz. Unë u rrita me “Kumbarin” si një gjë e njohur, por për mua nuk ishte kjo kryevepër ikonë. Ishte një përvojë që të mësonte, por duke qenë se nuk doja kurrë të bëhesha aktore, nuk ishte shkatërrues për mua fakti që njerëzit në përgjithësi nuk e pëlqenin shumë që unë të isha në të. Në fund të fundit ishte diçka e mirë sepse këto lloj përvojash të bëjnë më të fortë.
Pra, edhe pasi ishit pjesë e një film aq të madh nuk ju shkoi kurrë në mendje të vazhdonit me filmin si karrierë? Ndoshta do të kishte qenë shumë e lehtë…
Soffia Coppola: Nuk e doja kurrë, as më parë dhe as më pas, ndërkohë kisha planifikuar të shkoja në shkollën e artit. Por përvoja e ndihmon tani punën time me aktorët. Të paktën e kam pak idenë se çfarë po kalojnë qëkur babai im ishte regjisor në filmin kur unë luajta.

“Kur doktori u tha atyre se unë isha vajzë, babai im hodhi kamerën sepse ishte shumë i befasuar.”
A është e vërtetë që babai juaj e ka filmuar lindjen tuaj?
Sofia Coppola: Po, babai im e ka filmuar lindjen time. Sot shumë njerëz po e bëjnë këtë gjë, por mendoj se atëherë ishte pak më e pazakontë. Unë në fakt e kam parë lindjen time dhe për fat është xhiruar në mënyrë mjaft diskrete. Në fakt është vërtet qesharake. Kur doktori u tha se isha vajzë, babait e hoqi kamerën sepse ishte shumë i befasuar. Filmi është çështja jonë familjare.
Sa e rëndësishme është familja për ju në ditët e sotme, pasi jeni rritur me kaq shumë të afërm?
Sofia Coppola: Shumë e rëndësishme. Të gjithë jemi rritur me idenë që familja është shumë e rëndësishme. Është ndoshta një gjë italiane nga ana e babait tim.
Pra, është e natyrshme që të punoni me vëllain tuaj si producent?
Sofia Coppola: Më pëlqen të punoj me vëllain tim dhe është gjithashtu ai që e drejton kompaninë e produksionit të familjes sonë. Jemi shumë me fat që mund të punojmë së bashku edhe pse jemi vëlla e motër dhe është vërtet e mrekullueshme të kesh vëllain tënd të madh në xhirime.
A ka një mirëkuptim mes jush që vetëm vëlla dhe motër mund të kenë?
Sofia Coppola: Po, ai më njeh aq mirë saqë mund të marrë vendime në emrin tim, sepse ai e di se çfarë më pëlqen.
Si e ndryshoi mëmësia jetën tuaj?
Sofia Coppola: Fillimisht mora një vit pushim pasi lindi vajza dhe kur fillova të shkruaja, kuptova se gjërat kishin ndryshuar sepse dikur rrija zgjuar gjithë natën duke shkruar dhe papritmas m’u desh ta ndryshoja këtë me një orar të ngjeshur. Tani ata thjesht vijnë me ne.
Regjisorët thonë shpesh se të realizosh një film tëndin është sikur të rritësh një fëmijë. A jeni dakord me këtë?
Sofia Coppola: Unë mendoj se çdo proces krijues mund të lidhet me këtë. Por prapë është shumë e vështirë t’i krahasosh njëri me tjetrin.
Jeni më e rreptë si regjisore apo si nënë?
Soffia Coppola: Unë jam e rreptë në të dyja rrethanat. Regjisorët janë zakonisht të çuditshëm e kontrollues dhe duan që gjithçka të ndodhë sipas mendimit të tyre, por personaliteti im nuk ndryshon. Unë nuk jam tip që bërtas, por megjithatë e di sesi dua të jenë gjërat dhe sigurohem që të kem rreth meje njerëz që mund ta bëjnë këtë. Mësova të ndjek intuitën time dhe përpiqem t’i bindem.
Përktheu: Arlinda Guma
Dua që të gjitha qëniet para meje të ndihen të çmendura, delirante, fajtore, të gjymtuara, të plagosura, të sëmura dhe veçanërisht të vdekura, fizikisht dhe trupërisht të vdekura.
Njeriu që ka shqiptuar fjalët e mësipërme quhet Antonin Artaud dhe vlerësohet si gjeni, martir, shenjt, profet, i çmendur (ka qëndruar nëntë vjet në një spital për të sëmurët mendorë). Është ai për të cilin Andre Bretoni ka thënë: Rinia do ta njohë si të sajin këtë flamur të kalçinuar.
Këto ditë është botuar vepra e tij e plotë prej njëzetë e gjashtë vëllimesh dhe pothuajse i gjithë shtypi parizian ka shkruar për të. “Diamante në hi”, “Artaud-ja rebel”, e me dhjetëra tituj të tjerë, janë disa orvatje për të ftilluar veprën e tij, fjala, kjo shumë e paaftë për të shprehur intensitetin e asaj që shkruhet nën penë, në kërkim të një Arti Total.
Dorëshkrimet e tij janë të nxirë nga shenjat, janë të grisur, duke qëmtuar aty trajta magjish të zeza, gjen në ta sintagmën obseduese: ãtonέ aRto. Kur lexon Artaud-në s’ke si të mos falenderosh Zotin e lumë që ende ka në botë një letërsi të tillë që të shkakton kënaqësi, përqethje dhe mornica.
Shkrimi i mëposhtëm është shkëputur nga një essé e gjatë e Paskal Raux-së për veprën e Artaud-së.
– Shkronjat furracake: rasti i k-së-
Shkronja k, që në veçoritë e shtypura grafikisht nuk është e formuar veçse prej vizash dhe nuk zotëron asnjë kurbë, bën pjesë tek shkronjat e larta dhe të majëzuara përpara. Shenja k është e formuar prej thyerjesh tipografike të mprehta si tehe, ka një formë të ngjashme me gërshërët, (ashtu si kappa greqisht shenjon pëllëmbën dhe kaf fenikisht paraqet parakrahun), pra, është fjala për një shkronjë tredhëse, prerëse, mprehëse. K-ja glosolalike do të presë kuptimin në gjuhë, do të këputë kordonin kërthizor të mbjellë tek shenja, po ashtu dhe trupin e tekstit, dhe, në një masë tjetër, prania e saj tekstuale, do ta plagosë lexuesin. Duke e prerë atë që tejkalohet dhe duke ndarë organin edhe një herë (ashtu si ai ndan le cul/de cul), Artaud-ja imponohet me figurën e tredhësit, por për një çlirim, për një lindje të re. Për Artaud-në privimi është fillimi i kësaj vdekjeje që gjakon. Po çfarë imazhi të bukur ka një tredhës. Dhe, veç të tjerave, si mund të tridhet më mirë një fjalë përveçse me k-në:
Armatosem
I zgjuari e braktis problemin
dhe thërras (invoque)
( n’ évok)
mosekzistues
K-ja si satër pret zgjatimin e jashtëm gjenital “que“, ose bishtin (queue), shkakton çfjalëzimin, çkryefjalëzimin, e zhvesh nga gjithçka organin e fjalës, ose ajo që mbetet nga fjala “n’évok” bëhet e parrezikshme, e padepërdueshme, “mosekzistuese”.
Në ringjalljen e trupit tjetër, k-ja do të jetë sinjal i cullakësisë, i shqyrtimit organik/tekstual. Në Lettrat e Rodezit, të shkruara për Jean Paulhan-in, Artaud-ja e këput një vazhdimësi organesh, ai grumbullon pjesët e trupit për të denoncuar “urinë greminore të qenies që nuk mëton ngjitjen e saj, por seksin anal, kraumatiquen, chromatiquen e thellë”. Kalimi i “krau” në “chro” ilustron funksionin e “k”-së, një këputje me enumeracionin organik që e paraprin, për të riintegruar grafinë korrekte të termit “chromatique“, fshirëse e mutit të saj. Sepse fjala e saktë përpara “kraumatique” është “bythë”. Dhe s’mund të flasim për shkronjën k pa përmendur shqiptimin e saj “ka” që është gjysma e fjalës “kaka”.
Duke qenë e formuar prej subjektit mut, k-ja e zhvendos shkrimin, e identifikohet atë gjatë udhëtimit nëpër rropulli, në ravgimin trupor në një trup që s’ mëton tjetër veçse të jetë një, k- ja mbyll baxhatë e trupit. Shkrimi “kaka” përfaqëson derdhjen që lejon trupi të zbrazet për shfaqjen e “ka-ka”-së, Kutisë së vjetër të dashurisë ka-ka:
dëshira e magmës: ka-ka
Dhe duhma e ka-së në ka mbaron me mbytjen e virgjëreshës.
Pas kësaj do të shikohet.
Duhma e /ka/-së në /ka/s’ është gjë tjetër veç lirimi i ajrit të ujdisur nga muskujt grykorë dhe analë. Kthehemi një çast drejt fonimit të k-së. Fonegi shpjegon që “mbyllja grykore lejon të ushtrohet një presion i fortë mbi diafragmën dhe, thërthorazi, edhe mbi ropullitë. Vuajtësit nga laringu në fillim kanë shumë vështirësi në evakuimin dhe duhet t’ iu shërbejë një pllakë për zevëndësimin e muskujve zanorë.
Shumë herë jashtëqitja është e shoqëruar me emetime tingullorë që i korrespondojnë tingujve laringitalë shpërthyes, ose fërkues. (Analogjia biologjike ftillon përse libidoja anale zhvendoset lehtësisht tek muskujt analë, ose tek muskujt grykorë”.)
Por “ka”-ja është edhe një fjalë fetare egjiptiane që dikur ishte përkthyer “dyfish”, ajo dëfton pushtetin përftues që tek njeriu është mbështetja jetësore. Në kërkimin e amshuar drejt një shfaqjeje të re, k-ja, në këtë rast, mund të identifikohet në “qendër-nyje”. Ndërtimi i saj nuklear që shtëllitet përmes ka-ve të shumta, do të mbartë shenjën e kryefjalës. Dhe nuk mund të mos përmendim ka-në e Neneka, “njëra nga të gjashtë vajzat e gjakueshme për t’ u lindur. (ashtu si edhe Catherine-a), as atë të Kabul-it, të cilën Elah Catto do ta kishte përkthyer Arti dhe Vdekja në Afgan. Analogji biologjike, biografike, fetare, semantike, fonetike k, ka,/ka/, ka-ka, zgjatimi i rrugëtimit nëpër rropulli nga shkruesi. Shtriqja e caca-së në ka-ka është bërë pafundësisht udha e Historisë, kthim i ka-së së fundit në ka-në e fillimtë dhe e kundërta. Kësaj i thonë të bëhesh zot i Historisë, zot i rrjedhjeve fekale, për të mos iu përkitur dhe për të mos qenë trup i rrezikuar
Përktheu nga origjinali: Balil Gjini
balilgjini@yahoo.com
Çfarë më kujtojnë Krishtlindjet-Shpëtim Selmani
Një ushtar amerikan, paqeruajtës,
me buzët prej qumështi, që më përbuzte.
Krishtlindjet më japin ndjenjën e inferioritetit,
ndjenjën e europianizmit dhe të familjeve të përsosura,
që shpërndajnë dhuratat të lumtur,
të mallëngjyer dhe të gatshëm për sfida,
të gjithë me psikologjinë e suksesit në duar.
Krishtlindjet më kujtojnë një familje
skandinave, e cila më kishte pranuar në
gjirin e saj të ngrohtë, gjithnjë duke
më vështruar me dyshim,
nuk ka ashpërsi më të poshtër sesa ajo që shfaqet në festa.
Krishtlindjet më kujtojnë plakun anglez,
që me ftonte të luaja Golf, oh Zot,
ca lojëra nuk janë për fëmijët e luftës,
lërini të qetë brenda rregullave të traumës.
Krishtlindjet më kujtojnë whiskey-n irlandez
dhe copat e akullit në fundin e gotës
angleze, copa akulli kudo në zemrat njerëzore.
Krishtlindjet dhe ti, që qaje rrëzë bredhit,
e pabesueshme që qaje,
dhe ato drita, që herë pas here, butësisht, ndriçonin fytyrën tënde.
Faqja e fundit e ditarit-Brikena Qama
Asnjëherë nuk munda
të gjej atë skutën e fshehtë
për këpucët e mikut.
Ç’arrija, ishte thjesht
një vonesë
shoqëruar me ngazëllimin e tyre
e zhgënjimin tim,
deri kur kuptova se
kurrfarë vlere s’kishte ajo skutë.
Kush do të ikë
e bën dhe pa këpucë._________
(“Titulli i kujtimeve të mia”, Brikena Qama, 2016)
Nuk ka parti që të mos jetë tërbuar kundër atdheut.
* * *
Nuk duhet të hezitosh së bëri atë që të shkëput nga vetja gjysmën e përkrahësve dhe që trefishon dashurinë e pjesës tjetër.
* * *
Çdo politikë bazohet mbi indiferencën e shumicës së të interesuarve, pa të cilën nuk ka politikë të mundshme.
* * *
Politika fillimisht ishte arti i të penguarit të njerëzve për t’u përzier në atë që u përket.
Më vonë, iu shtua arti i detyrimit të njerëzve për të marrë vendime mbi gjëra që nuk i kuptojnë.
Ky princip i dytë kombinohet me të parin.
Midis kombinimeve të tyre, është edhe ky: Ekzistojnë sekrete shtetërore në vendet ku bëhen zgjedhje të përgjithshme. Kombinim i domosdoshëm dhe, tekefundit, i qëndrueshëm; por që nganjëherë krijon shtrëngata të mëdha e që detyron qeveritë të bëjnë pa pushim manovrime. Pushteti është përherë i detyruar të lundrojë në kah të kundërt të principit të tij. Ai qeveris sa më pranë të mundet kundër principit, drejt pushtetit absolut.
* * *
Rezultati i luftërave politike është të turbullojë, të falsifikojë, në mendjet e njerëzve, nocionin e rendit të rëndësisë së çështjeve dhe të rendit të urgjencës.
Jetësoren e maskon ajo që është thjesht mirëqenie. Të ardhmen, e menjëhershmja. Të domosdoshmen e maskon tejet e ndjeshmja. Të thellën e të ngadaltën e maskon eksituesja.
Gjithçka që ka të bëjë me politikën praktike është domosdoshmërisht sipërfaqësore.
* * *
Nuk mund të bësh politikë pa u shprehur rreth çështjesh që kurrëfarë njeriu me mendje të shëndoshë nuk mund të thotë se i njeh. Duhet të jesh pafundësisht idiot apo pafundësisht injorant që të guxosh të kesh një mendim rreth shumicës së problemeve që ngre politika.
* * *
Kur kundërshtari na i ekzagjeron forcat, synimet, thellësinë; kur, për të ngritur të tjerët kundër nesh, na vizaton me ngjyra të frikshme, – atëherë ai punon për ne.
* * *
Ekzistenca e fqinjëve është e vetmja mbrojtje e kombeve ndaj një lufte civile të përhershme.
* * *
Ujku varet nga qengji, i cili varet nga bari.
Bari është relativisht i mbrojtur nga ujku. Mishngrënësi mbron barin (që, tërthorazi, i shërben si ushqim).
* * *
Midis ujqish të vjetër beteja është më e ashpër, më e zhdërvjellët, por ka njëfarë vetëpërmbajtjeje.
* * *
Ngjarjet e mëdha ndoshta janë të tilla vetëm për mendjeshkurtrit.
Për njerëzit më të vëmendshëm ato që kanë vërtet rëndësi janë ngjarjet e pandjeshme dhe të vazhdueshme.
Ngjarjet lindin nga etër të panjohur. Nëna e tyre është domosdoshmëria.
Përktheu: Alket Çani

Ajo nuk ishte derë, qenë thjesht ca dërrasa mbërthyer lirshëm së bashku dhe mbyllej nga një lak prej teli, varur mbi një gozhdë në shtyllën e derës.
Burri ndali dhe priti. Është vërtet turp, mendoi ai, që një grua duhet t’i rritë fëmijët e saj aty. Ai ngriti ngadalë lakun e telit nga gozha, shtyu derën e hapur – dhe u befasua kur pa fëmijën të shtrirë në kashtë; e ëma, shumë e re, e ulur përtokë, i buzëqeshte fëmijës… Më tej, përballë murit, rrinte dikush, të cilin burri nuk guxoi ta shihte nga afër, mund të ishte nga ata që barinjtë i merrnin për engjëj. Silueta e mbështetur pas murit kishte veshur një mantel ngjyrë gri të murrët dhe mbante lule në të dyja duart; zambakë të hollë ngjyrë kremi. Burri ndjeu frikën ta kaplonte dhe mendoi: “Në fund të fundit, ndoshta ka një fije të vërtete në përrallat primitive që barinjtë rrëfejnë në qytet.
Gruaja e re ngriti sytë, i hodhi atij një shkim miqësor pyetës dhe burri i ri tha butësisht:
– A jeton këtu mjeshtri marangoz?
Gruaja e re tundi kokën:
– Ai nuk është mjeshtër marangoz – është thjesht marangoz.
– Mos ma vini re, – tha burri. – Besoj se ai do të mundë të rregullojë një derë po të sjellë me vete veglat.
– Duhet ta rregullojë, – tha Maria, – ai rregullon dyer. E bënte këtë edhe atje në Nazaret.
Ja pra, ata qenkeshin me të vërtetë nga Nazareti.
Silueta që mbante lulet në duar hodhi sytë nga burri dhe tha: – Mos kini frikë. Zëri ishte aq i bukur, saqë sërish burri u trondit dhe i hodhi një gjysmë shikimi siluetës, veshur me mantel ngjyrë gri të murrët, që dukej dashamirëse, por edhe e trishtuar.
– E ka fjalën për Jozefin, – tha gruaja e re. – Do të shkoj ta zgjoj. A e kërkon që të të rregullojë derën?
– Po, tek bujtina me emrin “Njeriu i kuq”, thjesht ta nivelojë dhe të kontrollojë kërcitjen. Dera nuk hapet. Do të pres jashtë nëse nuk e ke bezdi ta lajmërosh.
– Je i mirëpritur të presësh këtu, – tha gruaja e re.
– Jo, më mirë po pres jashtë. Ai hodhi një shikim të shpejtë nga silueta e veshur me mantel ngjyrë gri të murrët, e cila tundi kokën nga ai me një buzëqeshje. Pastaj u tërhoq duke ecur mbrapsht; mbylli derën me kujdes duke ngritur lakun e telit mbi gozhdë. Burri me lulet i ishte dukur komik, por silueta me mantelin ngjyrë gri të murrët nuk ngjante si burrë dhe as si grua, e, sigurisht, nuk i ishte dukur komike.
Kur doli Jozefi, bashkë me kutinë e tij të veglave, i riu e kapi për krahu dhe i tha: – Këtej, duhet të kthehemi majtas. Ata u kthyen majtas dhe më në fund i riu mori mjaft guxim për të thënë atë që kishte dashur t’i thoshte gruas së re, por kishte patur frikë sepse silueta me lulet rrinte atje.
– Barinjtë, – tha ai, – po rrëfejnë përralla të çuditshme për ju. Por Jozefi, në vend që të përgjigjej, tha mekur: – Shpresoj që të paktën të kesh një daltë – doreza e times është thyer. Apo ka më shumë dyer?
– Vetëm një, – tha burri, – dhe nuk kemi daltë. Na duhet ta rregullojmë menjëherë derën. Do të strehojmë disa ushtarë në shtëpi.
– Ushtarë? Tani? Nuk kam dëgjuar për manovra.
– Jo, nuk ka manovra, por një kompani e tërë ushtarësh do të mbërrijë në Betlehem. Dhe shtëpia jonë, – tha ai me krenari, – shtëpia jonë do të marrë kapitenin. Barinjtë…. Por ai e ndërpreu fjalën, ndaloi; edhe Jozefi ndaloi. Në cepin e rrugës qëndronte silueta me mantelin ngjyrë gri të murrët, me krahun plot me lule; zambakë të bardhë, duke ua dhënë fëmijëve të vegjël, të cilët sapo ishin ngritur në këmbë; mbërritën shumë e shumë fëmijë të tjerë, po aq edhe nëna me fëmijë në krah, dhe burri që kishte ardhur për Jozefin dukej shumë i alarmuar, sepse silueta me mantelin ngjyre gri të murrët ishte duke qarë; zëri, sytë e kishin alarmuar, por lotët e tij ishin edhe më shqetësues. Silueta prekte gojët e vogëlusheve, ballin, me dorën e shtrirë; i puthte duart e tyre të vogla e të pista dhe i jepte çdo fëmije nga një zambak.
– Po të kërkoja, – i tha Jozefi siluetës me mantel ngjyrë gri të murrët. – Mu tani, ndërsa flija, unë pashë në ëndërr…
– E di, – tha silueta me mantel ngjyre gri të murrët, – ne duhet të largohemi menjëherë.
Ai priti një çast, derisa një vajzë shumë e vogël dhe e pistë erdhi tek ai.
– Përfundimisht, a duhet ta rregulloj atë derën për kapitenin?
– Jo, duhet të largohemi menjëherë.
Silueta u largua nga fëmijët dhe e mori Jozefin për krahu, e Jozefi i tha burrit që kishte ardhur për të: – Më vjen keq, nuk e ndreq dot derën.
– Oh, s’ka gjë, – tha burri. Ai i shoqëroi me vështrim të dy ata ndërsa ktheheshin në ahur, pastaj pa në rrugë fëmijët e qeshur që po vraponin me zambakët e mëdhenj të bardhë. Në atë çast ai dëgjoi trokthin e kuajve pas tij, u kthye dhe pa kompaninë që po vinte drejt qytetit nga rruga kryesore.
Do ta kap prapë, mendoi ai, se dera mbeti pa rregulluar.
Fëmijët qëndronin në buzë të rrugës, duke tundur lulet në drejtim të ushtarëve. Kështu që ushtarët kalëruan nëpër Betlehem midis dy rreshtash me zambakë të bardhë, dhe burri që kishte ardhur për Jozefin, mendoi:
“Them se barinjtë kushin të drejtë për të gjitha ato që na rrëfyen…
Përktheu: Arlinda Guma
Nga studimet e hershme akademike të Picasso-s në vitet 1890, deri tek albumi debutues i David Bowie-t i vitit 1967, ka shumë qoshe të anashkaluara dhe të nënvlerësuara, që mund të gjenden në fillimet e karrierës së artistëve dhe muzikantëve. Kombinimi kompleks i famës bashkëkohore, ndryshimet rrënjësore në stil dhe kërkesa e fortë e tregut për stenografi estetike lehtësisht të kuptueshme, kanë bërë që shumë artistë të mëdhenj të refuzojnë, edhe në mënyrë retrospektive, punën e tyre të hershme. Një artist i madh që i përshtatet këtij përshkrimi është i ndjeri Lucian Freud (1922–2011).
“Freud-i ishte shumë i etur për t’u larguar nga stili vizatimor i pikturave të tij të hershme, thotë Brian Balfour-Oatts, drejtor në galerinë e Londrës Archeus/Post-Modern. “Ai mendoi se ai lloj stili po e pengonte në ecjen përpara. Ai ndoshta i dha shtysë një lloj paragjykimi të tij ndaj punës së tij të hershme, sepse donte të çlirohej prej saj.”
Freud-i madje shkoi aq larg saqë mohoi autorësinë e pikturës së tij të hershme, të titulluar: “Njeriu me kravatë të zezë” (1940). Piktura u verifikua si e Freud-it nga një ekip gazetarësh dhe historianësh të artit të BBC-së në vitin 2016. Megjithatë, refuzimi i tij ndaj veprës mendohet se erdhi nga një armiqësi e gjatë me pronarin e saj, Denis Wirth-Miller-in, dhe jo nga një mbrojtje strategjike për të ruajtur vlerën e tregut nëpërmjet kufizimit të ofertës apo të qëndrimit parimor për estetikën.

Freud-i që nga fillimet e tij.
Puna e hershme e Freud-it fillon në vitin 1937, vit kur ai realizoi “Kalin me tri këmbë“, deri rreth vitit 1958, kur ai ndaloi përdorimin e furçave delikate të prodhuara prej gëzofit të dhelprës dhe filloi në kavalet me furçën e prodhuar prej qimeve të derrit. “Pjesërisht nën ndikimin e Francis Bacon-it, Freud-i adoptoi një qasje më piktoreske, duke prodhuar si rezultat penelata më të mëdha dhe më të guximshme,” thotë Tessa Lord, specialiste e Christie-t në artin e pasluftës dhe atë bashkëkohor.
Stili më i lirshëm i pikturave me vaj nudo të Freud-it do të bëhej tipari i tij dallues publik, pasi ai u largua nga qasja lineare që i kishte dhënë një titull si “Ingres-i i ekzistencializmit” në Artin Bashkëkohor Britanik të Herbert Read-it (1951). Megjithatë, vepra e hershme e Freud-it merr ende vlerësime nga shumë njerëz.
Me të vërtetë që i kam dashur gjithmonë pikturat e hershme të tij.… [Ato ishin] aq magjike dhe tregonin një lloj Londre në të cilën do të doje të jetoje, e cila dukej si boheme,” thotë artisti David Austen në dokumentarin Lucian Freud: Autoportret (2020 ). “Mitologjia rreth tyre ishte shumë grishëse për artistët e rinj.”
Christie e ka quajtur 2019-ën si “viti i Lucian Freud-it”. Shtëpia e ankandeve rendit ekspozitën e Akademisë Mbretërore “Lucian Freud: Autoportete“, një katalog paraprak raisonné dhe Jetën e Lucian Freud-it: Rinia 1922–1968 (pjesa e parë e biografisë së artistit William Feaver) si çast kyç. Gjithashtu atë vit, Galeria Acquavella në New York organizoi një ekspozitë të madhe të portreteve të tij të fuqishëm nudo.
Megjithë furinë e mëvonshne të Freud-it, Balfour-Oatts është skeptik për ripërtëritjen e interesit kritik për punët e tij të hershme, i cili vjen me kërkesën e koleksionistëve. “Të shikosh Freud-in e hershëm është paksa sikur të shikosh një Mjeshtër të Vjetër,” thotë ai. “Është ndoshta diçka për të cilën njerëzit nuk janë gati të harxhojnë kohë për të mësuar nëse ato janë të reja në treg.”

Megjithatë, Tom Eddison, drejtor dhe specialist i artit bashkëkohor në Sotheby’s, mendon se vlera do të zmadhohet me rritjen e të kuptuarit kritik. “Katalogu raisonné do të publikohet në vitin 2022, në kohën e 100-vjetorit të lindjes së Freud-it,” tha ai. “Sapo të vendoset gjithçka në bardh e zi, ne do ta kuptojmë mirë punën, periudhën, evolucionin e praktikës së tij artistike.”
Eddison-i gjithashtu vuri në dukje se puna e Freud-it ka një tërheqje të tërthortë, duke zgjeruar shtrirjen e mundshme të bazës së tij të koleksionistëve përtej entuziastëve të punës moderne dhe bashkëkohore. “Mund të kesh dikë, veçanërisht në rastin e Freud-it, me ndjeshmërinë e tij evropiano-veriore, holandeze, i cili qëndron jashtëzakonisht mirë brenda një koleksioni të Mjeshtërve të Vjetër,” përfundoi ai.
“Arratisjet e ndryshme të Freud-it kanë një ndikim në mënyrën se si ngjanin pikturat dhe vizatimet e tij në vitet e hershme”, tha Feaver-i, i cili e botoi pjesën e dytë të biografisë së tij në shtator. “Ato nuk e shpjegojnë dot veten, por e ndriçojnë atë.”
Portret i një tregu.
Gjatë viteve të tij të mëvonshme, Freud-i gjeneroi tituj në shtypin kryesor për çmimet rekord në ankand të fituara nga nudot e tij monumentale. Piktura e tij në vaj e vitit 1995 “Benefits Supervisor Sleeping” ishte vepra më e shtrenjtë e shitur nga një artist i gjallë në tregun dytësor kur arriti 33.6 milionë dollarë në një ankand të Christie-t në vitin 2008. Në vitin 2015, “Benefits Supervisor Resting” (1994) shënoi një rekord të ri për një vepër të Freud-it në ankand, duke u shitur për 56 milionë dollarë, përsëri nga Christie. Kohët e fundit, “Portrait On a White Cover” (2002–03) u shit për 22.4 milionë £ (29.7 milionë dollarë) në Sotheby në vitin 2018, duke siguruar rezultatin e katërt më të lartë të ankandit për një vepër.
Këto çmime mbresëlënëse kanë errësuar tregjet e ndryshme parësore dhe dytësore për punën dhe veprat e hershme të Freud-it në letër. Në tregun sekondar, pikturat e hershme përgjithësisht shiten më pak se pikturat e mëvonshme, megjithëse ka përjashtime. Për shembull, Sotheby’s shiti pikturën “Koka e një djali” (1956) për 7.5 milionë dollarë në 2019-ën dhe ‘Man with a Feather” (1943) në 2005 për 6.7 milion dollarë.

Krahasimi i dimensioneve 151,3 me 219 centimetra të pikturês “Benefits Supervisor Sleeping me “Koka e një djali”, me 18 centimetra, të bën të kuptosh se sa të vogla janë disa nga punët e tij të hershme,” argumentoi Eddison-i. “Është e vështirë të bësh një krahasim të drejtpërdrejtë për çmimin, por nëse po flasim në terma financiarë, këto janë shumë pará për inç².”
Megjithëse nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme me pikturat, veprat e hershme të Freud-it në letër, së fundmi nuk kanë arritur të dalin mbi vlerësimet e ankandit: Në vitin 2018, dy portrete me ngjyra të Francis Bacon-it nuk arritën të rrëzonin vlerësimet prej 500,000 deri në 700,000 £ (650,000 deri në 911,000 dollarë). Megjithatë, gravurat në tregun parësor janë më konkurruese. Për shembull, Matthew Marks Gallery në New York ofron oikturën “Biseda” (1998) për 15,000 dollarë dhe Archeus/Post-Modern “Libri egjiptian” (1994) për 22,500 dollarë.
Kanë filluar të dalin në treg edhe artikujt e jashtëzakonshëm, duke përfshirë një “Kthinë me shtatë kartolina” të sjella tek Christie në vitin 2020, e cila u shit për 5,250 £ (7,273 dollarë) dhe “Koka e një peshku” (1944), një pikturë me bojëra uji që i atribuohet Freud-it, e cila nuk arriti të shitej vitin e shkuar në Elite Auctioneers, pasi nuk arriti të vlerësohej prej 3,000 deri në 5,000 dollarë. Kjo është në mënyrë të pjesshme, sepse “pikturat kryesore nga vitet e hershme janë jashtë qarkullimit dhe janë kryesisht me Tate, British Council dhe Arts Council. Dhe kjo vendos një limit të vështirë të tregut”, tha Feaver-i. “Vepra e hershme u përket njerëzve të përkushtuar, tani të moshuar ose u përket muzeve – kështu që nuk ka shumë prej tyre përreth.”
Një përmbysje e ardhshme?
Eddison-i shtoi se oferta në tregun sekondar aktualisht është relativisht e pakët. “Pikturat e tij janë nxjerrë në ankand, pa përsëritur zbritjen e çmimit, 144 herë, që është një shumë tepër e vogël për një artist të kalibrit të tij në krahasim me dikë si Picasso, i cili ka dalë në ankand rreth 2000 herë”, tha ai.

Tregjet parësore dhe dytësore për punën e hershme, vizatimet dhe gravurat e Freud-it, janë strukturuar nga një sërë forcash. Pavarësisht nga aftësia dhe bukuria e dukshme e stilit të Freud-it, gravurat e tij nuk kanë përjetuar të njëjtën rritje në vlerë si vizatimet dhe pikturat. “Pothuajse të gjitha pikturat e Lucian-it janë të paarritshme për blerësit. Është një treg shumë i ralluar,” thotë Balfour-Oatts. “Normalisht, kur është kështu, printimet, gravurat dhe vizatimet, rriten në vlerë sepse njerëzit mund ta përballojnë të blejnë me aq. Por kjo nuk po ndodh.”
Balfour-Oatts dhe Eddison-i bien dakord që printimet e Freud-it janë aktualisht një tregblerës i nënvlerësuar. “Ai është një nga printuesit më të mëdhenj të shekullit të 20-të. Unë mendoj se [ai] është i nënvlerësuar në krahasim me printuesit e tjerë”, tha Eddison-i. Edhe Balfour-Oatts ishte me këtë mendim: “Ka pasur një kombinim rrethanash, në të cilat vlera nuk është rritur aq shumë. Kjo duhet të ndryshojë, ai është një artist fantastik dhe i rëndësishëm.”
Përktheu: Arlinda Guma
Udhëtim-Herman Çuka
Të gjithë kemi brenda
një Mekë, të cilës i falemi
për mëkatet, dhe të ardhme,
një Jerusalem, ku vëmë
pusullkat e lutjeve t’ëndrrave,
në vrimat e mureve.Një Holokaust loti
e mërmërimash, për humbjet
prej vdekje vdekjes,
e vdekjes prej njeriut.Një mashtrim prej Eden-i
që na mbush boshllëkun
me dritën e çasteve, kujtuar
të lumtura e menduar
se është dhe dashuria.
…
E mbi të gjitha,
njeriun e vetmuar,
parë shëmbëlltyrën,
që në bark të nënës,
e der’ në portën e fundit…