Maria dhe çështje tjera të pakëndshme (fragment)-Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Shpëtim Selmani

Maria ishte një grua e ashpër. E thinjur. Neurotike. Austriake. E frustruar. E saktë si vdekja. E shpifur. Nervoze. E mprehtë. E padurueshme. Evropiane. E ngutshme. Si një orë. Si një mjegull. Si një stuhi kot. Si një tullë. Si një fëmijë i padurueshëm. Aspak seksuale. Aspak njerëzore. Aspak e qetë. Aspak joshëse. Aspak mirëkuptuese. Aspak empatike. Aspak sensitive. Maria. Ishte gjëja më e pështirë që më ka ndodhur në Graz. Kisha marrë paralajmërime për natyrën e saj aspak të lehtë. Dhe isha sjellë mirë me të deri në çastin që durimi im i kishte kaluar kufijtë. Nëse kemi kufinj të tillë. Në fund të muajit i gjithë Graz m’u pështiros. I gjithë Grazi m’u duk fytyra e Marias, prandaj isha i lumtur që po largohesha nga aty. Nuk kisha shkruar gjë siç më ndodh rëndom gjatë programeve të tilla. Inspirimi ishte mediokër. Nuk ia vlente as edhe një varg për atë Zot. Le që pastaj kritikët ishin gati të qëllonin në shenjë. Duke e quajtur letërsinë time si një letërsi e programeve letrare. Maria ma kishte dhier. Maria ma kishte shkatërruar kënaqësinë e të qenit atje. Shën Maria e cila ma bëri me dije se kisha nisur të bëhesha një njeri pa mister. Një njeri si të gjithë bashkëkohorët dhe këto kukulla kapitalise. Maria ma bëri me dije. Më në fund isha njëri prej tyre. Njëri nga Gruberët, njëri nga Mayerët. Një Schmidt i mërzitur nga puna e tij. Nuk kishte asgjë të bukur në Graz. Ende kishte idiotë të fuqishëm. Përqeshës dhe ksenofobë të mjerë. (Nëna e Jezusit më kishte thënë mos i ha dredhëzat që ishin atypari në oborrin e Cerrini Castle. Mos i ha se janë dredhëza të helmuara. Hera e parë që kisha dëgjuar diçka të tillë).

Që nuk të lejojnë të fotografosh anëtarët e kult bendit The Tiger Lillies në koncertin e tyre në njërin nga tunelet e dikurshme. Oh, më qëlloni, për vdekje. Më qëlloni derisa qaj. Më qëlloni përderisa jam i zi. Digjeni shtëpinë time o austriakë. Digjeni se nuk do të bëj zë. Do t’ju dua. Do t’ju dua deri në vdekje. The Tiger Lillies ishin teper mashështorë për austriakët. Që si hunj gardhi rrinin dhe sodisnin kot njëri-tjetrin. Të gjithë më dukeshin si Maria. Vetmitarë të përdhosur. Që fanatikisht ruajnë diçka që nuk ka kuptim. Të gjithë më dukeshin përqeshës dhe tallës të atyre që nuk ishin austriakë. Isha i lumtur që më kishte ardhur dita të kthehesha në shtëpi. Dhe po, nuk kam asgjë për të thënë për ju. Nuk jam më i impresionuar nga peisazhet e bukura tuaja. Ka diçka të poshtër, përtej së bukurës. I lumtur kthehem në Vjenë pasi refuzoj dy tri ftesa nga dy revista të ndryshme letrare. E pra, ja, duhet ta themi. Ishte një çast kur i thashë nënës së Zotit;
– Nuk dua më asgjë nga ju.
Isha njëri nga ata. Për të plotësuar raportet e tyre financiare para dikujt. Unë isha një arsye e radhës. Për punët e tyre. Nuk ndihesha qenie njerëzore. Më shumë ndihesha emigrant. Më shume ndihesha refugjat. E vetmja gjë e bukur ishte vizita e Isabelës (e cila pati një diskutim aspak të këndshëm me Marian lidhur me nazizmin) dhe Lirit. Liri e kishte për të parën herë udhëtimin me aeroplan dhe udhëtimin me tren. Ishte i lumtur.
Kjo më bënte të ndihesha Ok. Dhe isha rropatur për të gjetur muze të ndryshëm në mënyrë që t’i vizitonim bashkë me Lirin. Isha kthyer në Vjenë dhe Safo i mirë më priste me njërën nga Pizzat më të mira në botë. Në duar. Në xhep kisha biletën e koncertit të The Tigel Lillies. Si një shenjë e bukur. Po kthehesha si gjithmonë. Evropa nuk më ngjallte më kureshtje. Francezët ishin të terrorizuar. Gjermanët. Holandezët. Belgët. Zvicerranët. Suedezët. Anglezët. Italianët. Të gjithë po dridheshin nga ankthi pubeve të natës. Dhe po mundoheshin ta riparonin veten e tyre. Kishin marrë fund. Çdo gjë kishte marrë fund. Më së miri ishte në ndonjë ishull të vetmuar diku në Maldive. I vetëm mes peshqve papagaj, peshqve kllounë, peshqve engjuj, peshqve flutura dhe peshkaqenëve infermierë. Më së miri aty. E gjithë pjesa tjetër e botës le ta kurojë veten nga paturpësia, fashizmi dhe egërsia e pashoqe, e cila është gati ta çojë në greminën e demonëve që presin këtë çast me shekuj dhe ende nuk po ndodh. Oh, për atë Zot, le të ndodhë. Njëherë e mirë. T’ia nisim nga e para.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

NË MAL-Du Fu

NË MAL-Du Fu (712-770) Në mes të pjerrinës së kaltër Pavijoni i
Go to Top