Goja e humbjes-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Goja e humbjes-Sueton Zhugri

Nuk i kemi më dhëmbët në gojën e humbjes,
përtypim perëndime të buta
e klishe të qarta mëngjesore

Artizane,
drita diellore ngul fotone
mbi irisin e syve,
si rrobaqepësja me gjilpërë
fije të arta
mbi lëkurën e topit të shpuar.
Unë mbledh antikuare çastesh të tilla,
si atëherë kur ti solle një gomar
vizatuar nga vajzukja e komshijes
dhe mu lute përulësisht:
– të pëllitja!

Nuk di a bëmë gjithçka
me jetët tona
të stërpërdorura,
por di
që nuk i kemi më
as dhe një borxh dhimbjes.

Duke parë qiellin
i lexoj aeroplanët bombardues
dhe dronet vrasës
si hieroglife të padeshifruara egjiptiane

Në sallën e OKB-së ambasadori palestinez
thotë se nuk i ka mbetur tjetër veç të qajë.
Nativët e Amerikës këtë të fundit e kuptojnë fare mirë,
ashtu si kilianët Pinoçetin e tyre.

Dhe nuk di, pse unë e ndiej veten si jeniçer,
të cilit konkubina i shkëputet nga duart,
e hidhet në greminë…

Dhe nuk i kam më dhëmbët,
përtyp si supë lajme të ringrohura…

Më shpëtoftë antibluja nga çmenduria,

Nëse ka një qiell të tillë…

Dhe ti shpirt qofsh e parajsës.

6.1.2025

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

NË MAL-Du Fu

NË MAL-Du Fu (712-770) Në mes të pjerrinës së kaltër Pavijoni i
Go to Top