Veprat e hershme të Lucian Freud-it, të lëna në harresë për një kohë të gjatë, janë gati të rishfaqen/Samuel McIlhagga

in Pikturë by

Samuel McIlhagga

Nga studimet e hershme akademike të Picasso-s në vitet 1890, deri tek albumi debutues i David Bowie-t i vitit 1967, ka shumë qoshe të anashkaluara dhe të nënvlerësuara, që mund të gjenden në fillimet e karrierës së artistëve dhe muzikantëve. Kombinimi kompleks i famës bashkëkohore, ndryshimet rrënjësore në stil dhe kërkesa e fortë e tregut për stenografi estetike lehtësisht të kuptueshme, kanë bërë që shumë artistë të mëdhenj të refuzojnë, edhe në mënyrë retrospektive, punën e tyre të hershme. Një artist i madh që i përshtatet këtij përshkrimi është i ndjeri Lucian Freud (1922–2011).
“Freud-i ishte shumë i etur për t’u larguar nga stili vizatimor i pikturave të tij të hershme, thotë Brian Balfour-Oatts, drejtor në galerinë e Londrës Archeus/Post-Modern. “Ai mendoi se ai lloj stili po e pengonte në ecjen përpara. Ai ndoshta i dha shtysë një lloj paragjykimi të tij ndaj punës së tij të hershme, sepse donte të çlirohej prej saj.”
Freud-i madje shkoi aq larg saqë mohoi autorësinë e pikturës së tij të hershme, të titulluar: “Njeriu me kravatë të zezë” (1940). Piktura u verifikua si e Freud-it nga një ekip gazetarësh dhe historianësh të artit të BBC-së në vitin 2016. Megjithatë, refuzimi i tij ndaj veprës mendohet se erdhi nga një armiqësi e gjatë me pronarin e saj, Denis Wirth-Miller-in, dhe jo nga një mbrojtje strategjike për të ruajtur vlerën e tregut nëpërmjet kufizimit të ofertës apo të qëndrimit parimor për estetikën.

Freud-i që nga fillimet e tij.

Puna e hershme e Freud-it fillon në vitin 1937, vit kur ai realizoi “Kalin me tri këmbë“, deri rreth vitit 1958, kur ai ndaloi përdorimin e furçave delikate të prodhuara prej gëzofit të dhelprës dhe filloi në kavalet me furçën e prodhuar prej qimeve të derrit. “Pjesërisht nën ndikimin e Francis Bacon-it, Freud-i adoptoi një qasje më piktoreske, duke prodhuar si rezultat penelata më të mëdha dhe më të guximshme,” thotë Tessa Lord, specialiste e Christie-t në artin e pasluftës dhe atë bashkëkohor.
Stili më i lirshëm i pikturave me vaj nudo të Freud-it do të bëhej tipari i tij dallues publik, pasi ai u largua nga qasja lineare që i kishte dhënë një titull si “Ingres-i i ekzistencializmit” në Artin Bashkëkohor Britanik të Herbert Read-it (1951). Megjithatë, vepra e hershme e Freud-it merr ende vlerësime nga shumë njerëz.
Me të vërtetë që i kam dashur gjithmonë pikturat e hershme të tij.… [Ato ishin] aq magjike dhe tregonin një lloj Londre në të cilën do të doje të jetoje, e cila dukej si boheme,” thotë artisti David Austen në dokumentarin Lucian Freud: Autoportret (2020 ). “Mitologjia rreth tyre ishte shumë grishëse për artistët e rinj.”
Christie e ka quajtur 2019-ën si “viti i Lucian Freud-it”. Shtëpia e ankandeve rendit ekspozitën e Akademisë Mbretërore “Lucian Freud: Autoportete“, një katalog paraprak raisonné dhe Jetën e Lucian Freud-it: Rinia 1922–1968 (pjesa e parë e biografisë së artistit William Feaver) si çast kyç. Gjithashtu atë vit, Galeria Acquavella në New York organizoi një ekspozitë të madhe të portreteve të tij të fuqishëm nudo.
Megjithë furinë e mëvonshne të Freud-it, Balfour-Oatts është skeptik për ripërtëritjen e interesit kritik për punët e tij të hershme, i cili vjen me kërkesën e koleksionistëve. “Të shikosh Freud-in e hershëm është paksa sikur të shikosh një Mjeshtër të Vjetër,” thotë ai. “Është ndoshta diçka për të cilën njerëzit nuk janë gati të harxhojnë kohë për të mësuar nëse ato janë të reja në treg.”


Megjithatë, Tom Eddison, drejtor dhe specialist i artit bashkëkohor në Sotheby’s, mendon se vlera do të zmadhohet me rritjen e të kuptuarit kritik. “Katalogu raisonné do të publikohet në vitin 2022, në kohën e 100-vjetorit të lindjes së Freud-it,” tha ai. “Sapo të vendoset gjithçka në bardh e zi, ne do ta kuptojmë mirë punën, periudhën, evolucionin e praktikës së tij artistike.”
Eddison-i gjithashtu vuri në dukje se puna e Freud-it ka një tërheqje të tërthortë, duke zgjeruar shtrirjen e mundshme të bazës së tij të koleksionistëve përtej entuziastëve të punës moderne dhe bashkëkohore. “Mund të kesh dikë, veçanërisht në rastin e Freud-it, me ndjeshmërinë e tij evropiano-veriore, holandeze, i cili qëndron jashtëzakonisht mirë brenda një koleksioni të Mjeshtërve të Vjetër,” përfundoi ai.
“Arratisjet e ndryshme të Freud-it kanë një ndikim në mënyrën se si ngjanin pikturat dhe vizatimet e tij në vitet e hershme”, tha Feaver-i, i cili e botoi pjesën e dytë të biografisë së tij në shtator. “Ato nuk e shpjegojnë dot veten, por e ndriçojnë atë.”

Portret i një tregu.

Gjatë viteve të tij të mëvonshme, Freud-i gjeneroi tituj në shtypin kryesor për çmimet rekord në ankand të fituara nga nudot e tij monumentale. Piktura e tij në vaj e vitit 1995 “Benefits Supervisor Sleeping” ishte vepra më e shtrenjtë e shitur nga një artist i gjallë në tregun dytësor kur arriti 33.6 milionë dollarë në një ankand të Christie-t në vitin 2008. Në vitin 2015, “Benefits Supervisor Resting” (1994) shënoi një rekord të ri për një vepër të Freud-it në ankand, duke u shitur për 56 milionë dollarë, përsëri nga Christie. Kohët e fundit, “Portrait On a White Cover” (2002–03) u shit për 22.4 milionë £ (29.7 milionë dollarë) në Sotheby në vitin 2018, duke siguruar rezultatin e katërt më të lartë të ankandit për një vepër.
Këto çmime mbresëlënëse kanë errësuar tregjet e ndryshme parësore dhe dytësore për punën dhe veprat e hershme të Freud-it në letër. Në tregun sekondar, pikturat e hershme përgjithësisht shiten më pak se pikturat e mëvonshme, megjithëse ka përjashtime. Për shembull, Sotheby’s shiti pikturën “Koka e një djali” (1956) për 7.5 milionë dollarë në 2019-ën dhe ‘Man with a Feather” (1943) në 2005 për 6.7 milion dollarë.


Krahasimi i dimensioneve 151,3 me 219 centimetra të pikturês “Benefits Supervisor Sleeping me “Koka e një djali”, me 18 centimetra, të bën të kuptosh se sa të vogla janë disa nga punët e tij të hershme,” argumentoi Eddison-i. “Është e vështirë të bësh një krahasim të drejtpërdrejtë për çmimin, por nëse po flasim në terma financiarë, këto janë shumë pará për inç².”
Megjithëse nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme me pikturat, veprat e hershme të Freud-it në letër, së fundmi nuk kanë arritur të dalin mbi vlerësimet e ankandit: Në vitin 2018, dy portrete me ngjyra të Francis Bacon-it nuk arritën të rrëzonin vlerësimet prej 500,000 deri në 700,000 £ (650,000 deri në 911,000 dollarë). Megjithatë, gravurat në tregun parësor janë më konkurruese. Për shembull, Matthew Marks Gallery në New York ofron oikturën “Biseda” (1998) për 15,000 dollarë dhe Archeus/Post-Modern “Libri egjiptian” (1994) për 22,500 dollarë.
Kanë filluar të dalin në treg edhe artikujt e jashtëzakonshëm, duke përfshirë një “Kthinë me shtatë kartolina” të sjella tek Christie në vitin 2020, e cila u shit për 5,250 £ (7,273 dollarë) dhe “Koka e një peshku” (1944), një pikturë me bojëra uji që i atribuohet Freud-it, e cila nuk arriti të shitej vitin e shkuar në Elite Auctioneers, pasi nuk arriti të vlerësohej prej 3,000 deri në 5,000 dollarë. Kjo është në mënyrë të pjesshme, sepse “pikturat kryesore nga vitet e hershme janë jashtë qarkullimit dhe janë kryesisht me Tate, British Council dhe Arts Council. Dhe kjo vendos një limit të vështirë të tregut”, tha Feaver-i. “Vepra e hershme u përket njerëzve të përkushtuar, tani të moshuar ose u përket muzeve – kështu që nuk ka shumë prej tyre përreth.”

Një përmbysje e ardhshme?

Eddison-i shtoi se oferta në tregun sekondar aktualisht është relativisht e pakët. “Pikturat e tij janë nxjerrë në ankand, pa përsëritur zbritjen e çmimit, 144 herë, që është një shumë tepër e vogël për një artist të kalibrit të tij në krahasim me dikë si Picasso, i cili ka dalë në ankand rreth 2000 herë”, tha ai.


Tregjet parësore dhe dytësore për punën e hershme, vizatimet dhe gravurat e Freud-it, janë strukturuar nga një sërë forcash. Pavarësisht nga aftësia dhe bukuria e dukshme e stilit të Freud-it, gravurat e tij nuk kanë përjetuar të njëjtën rritje në vlerë si vizatimet dhe pikturat. “Pothuajse të gjitha pikturat e Lucian-it janë të paarritshme për blerësit. Është një treg shumë i ralluar,” thotë Balfour-Oatts. “Normalisht, kur është kështu, printimet, gravurat dhe vizatimet, rriten në vlerë sepse njerëzit mund ta përballojnë të blejnë me aq. Por kjo nuk po ndodh.”
Balfour-Oatts dhe Eddison-i bien dakord që printimet e Freud-it janë aktualisht një tregblerës i nënvlerësuar. “Ai është një nga printuesit më të mëdhenj të shekullit të 20-të. Unë mendoj se [ai] është i nënvlerësuar në krahasim me printuesit e tjerë”, tha Eddison-i. Edhe Balfour-Oatts ishte me këtë mendim: “Ka pasur një kombinim rrethanash, në të cilat vlera nuk është rritur aq shumë. Kjo duhet të ndryshojë, ai është një artist fantastik dhe i rëndësishëm.”

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top