Zonja Coppola, Michael Douglas ka thënë njëherë se për pesëmbëdhjetë vitet e para të karrierës së tij ai ndihej sikur të ishte “i mallkuar për të qenë suksesshëm” vetëm për shkak të babait të tij. A është kjo një ndjenjë që ju e kuptoni ndërsa ndiqni gjurmët e babait tuaj si regjisore?
Sofia Coppola: Unë mendoj se si bijë nuk ndjen shumë presion, sepse, në njëfarë mënyre, pritet më pak nga ti. Nuk ndjeva presion aspak dhe e zhvillova zërin tim shumë herët. Sigurisht që jam krenare për babain tim dhe prej nga vij, por unë kam mënyrën time të punës, stilin tim.
A ju ka dhënë mësime babai?
Sofia Coppola: Jo. Dua të them që ai gjithmonë më fliste për reaizimin e filmave dhe skenarin, që në moshë të re, por mendoj se kjo për të ishte më tepër emocionuese sesa të ishte dëshira për t’ua mësuar fëmijëve të tij.
Si e gjetët rrugën tuaj?
Sofia Coppola: M’u desh pak kohë; Unë thjesht provova gjëra të ndryshme. U largova nga shtëpia, shkova në kolegj dhe, madje themelova kompaninë time të veshjeve që kishte partnerë në Japoni, por sapo bëra filmin tim të parë të shkurtër, e gjeta se çfarë doja. Dhe hasja e librit “Vetëvrasjet e Virgjëreshës” ishte pika e kthesës në fakt, sepse e doja atë libër dhe ndihesha të isha disi mbrojtëse ndaj tij.
Fragment nga filmi “Të humbur në përkthim”.
Babai juaj ju shtyu disi të zëvendësonit Winona Ryder-in dhe të merrnit një rol në filmin “Kumbari 3”. Ishte kjo një përvojë traumatike?
Soffia Coppola: Ishte e vështirë sepse isha 18 vjeç dhe gjëja e fundit që dëshiron të bësh në atë moshë është të dëgjosh se çfarë të thonë prindërit. Babai im ishte regjisor në filmin ku unë luaja, kështu që ishte e sikletshme sepse unë nuk jam natyrshëm aktore, por thjesht doja të provoja gjithçka dhe nuk prisja që ta shikonin kaq shumë njerëz. Unë u rrita me “Kumbarin” si një gjë e njohur, por për mua nuk ishte kjo kryevepër ikonë. Ishte një përvojë që të mësonte, por duke qenë se nuk doja kurrë të bëhesha aktore, nuk ishte shkatërrues për mua fakti që njerëzit në përgjithësi nuk e pëlqenin shumë që unë të isha në të. Në fund të fundit ishte diçka e mirë sepse këto lloj përvojash të bëjnë më të fortë.
Pra, edhe pasi ishit pjesë e një film aq të madh nuk ju shkoi kurrë në mendje të vazhdonit me filmin si karrierë? Ndoshta do të kishte qenë shumë e lehtë…
Soffia Coppola: Nuk e doja kurrë, as më parë dhe as më pas, ndërkohë kisha planifikuar të shkoja në shkollën e artit. Por përvoja e ndihmon tani punën time me aktorët. Të paktën e kam pak idenë se çfarë po kalojnë qëkur babai im ishte regjisor në filmin kur unë luajta.
“Kur doktori u tha atyre se unë isha vajzë, babai im hodhi kamerën sepse ishte shumë i befasuar.”
A është e vërtetë që babai juaj e ka filmuar lindjen tuaj?
Sofia Coppola: Po, babai im e ka filmuar lindjen time. Sot shumë njerëz po e bëjnë këtë gjë, por mendoj se atëherë ishte pak më e pazakontë. Unë në fakt e kam parë lindjen time dhe për fat është xhiruar në mënyrë mjaft diskrete. Në fakt është vërtet qesharake. Kur doktori u tha se isha vajzë, babait e hoqi kamerën sepse ishte shumë i befasuar. Filmi është çështja jonë familjare.
Sa e rëndësishme është familja për ju në ditët e sotme, pasi jeni rritur me kaq shumë të afërm?
Sofia Coppola: Shumë e rëndësishme. Të gjithë jemi rritur me idenë që familja është shumë e rëndësishme. Është ndoshta një gjë italiane nga ana e babait tim.
Pra, është e natyrshme që të punoni me vëllain tuaj si producent?
Sofia Coppola: Më pëlqen të punoj me vëllain tim dhe është gjithashtu ai që e drejton kompaninë e produksionit të familjes sonë. Jemi shumë me fat që mund të punojmë së bashku edhe pse jemi vëlla e motër dhe është vërtet e mrekullueshme të kesh vëllain tënd të madh në xhirime.
A ka një mirëkuptim mes jush që vetëm vëlla dhe motër mund të kenë?
Sofia Coppola: Po, ai më njeh aq mirë saqë mund të marrë vendime në emrin tim, sepse ai e di se çfarë më pëlqen.
Si e ndryshoi mëmësia jetën tuaj?
Sofia Coppola: Fillimisht mora një vit pushim pasi lindi vajza dhe kur fillova të shkruaja, kuptova se gjërat kishin ndryshuar sepse dikur rrija zgjuar gjithë natën duke shkruar dhe papritmas m’u desh ta ndryshoja këtë me një orar të ngjeshur. Tani ata thjesht vijnë me ne.
Regjisorët thonë shpesh se të realizosh një film tëndin është sikur të rritësh një fëmijë. A jeni dakord me këtë?
Sofia Coppola: Unë mendoj se çdo proces krijues mund të lidhet me këtë. Por prapë është shumë e vështirë t’i krahasosh njëri me tjetrin.
Jeni më e rreptë si regjisore apo si nënë?
Soffia Coppola: Unë jam e rreptë në të dyja rrethanat. Regjisorët janë zakonisht të çuditshëm e kontrollues dhe duan që gjithçka të ndodhë sipas mendimit të tyre, por personaliteti im nuk ndryshon. Unë nuk jam tip që bërtas, por megjithatë e di sesi dua të jenë gjërat dhe sigurohem që të kem rreth meje njerëz që mund ta bëjnë këtë. Mësova të ndjek intuitën time dhe përpiqem t’i bindem.
Përktheu: Arlinda Guma