Brodski-Claude Simon

in Letërsi by

Claude Simon

~~~
Lagjia Xherxhinski. Qyteti i Leningradit, rruga Vosstania, 36. Gjykatësi: Savelieva: 18 Shkurt, 1964.
Gjykatësi: Çfarë profesioni keni?
Brodski: Shkruaj poezi, bëj përkthime. Supozoj që…
Gjykatësi: Mbaji për vete supozimet! Pa rri drejt! Drejt, thashë, mos u mbështet tek muri! Vështro gjykatësin! Përgjigju siç duhet në një gjyq. (Një ndihmësgjyqtari:) Ndalojeni saora të mbajë shënime ose do t ju nxjerr përjashta! (Brodskit:) A ke një punë të rregullt?
Brodski: Mendoj se ajo është një punë e rregullt.
Gjykatësi: Përgjigju pyetjes!
Brodski: Shkruaj poezi. Mendoj se ato do të botohen. Supozoj që…
Gjykatësi: S’kemi ç’t’i duam supozimet e tua. Përgjigju pyetjes: përse nuk punon?
Brodski: Po unë punoj. Shkruaj poezi.
Gjykatësi: Kjo nuk na intereson.
~~~
Gjykatësi: Në mënyrë të përgjithshme, cili është specialiteti yt?
Brodski: Jam poet. Poet përkthyes.
Gjykatësi: Kush e ka vendosur të jesh poet? Kush të ka klasifikuar përmes poetëve?
Brodski: Askush…
~~~
Gjykatës: Ku ke studiuar për këtë qëllim?
Brodski: Për çfarë qëllimi?
Gjykatësi: Për t’u bërë poet. A s’je orvatur të bësh studime të larta për t’u përgatitur… për të mësuar…
Brodski: Nuk mendoj se kjo mund të mësohet.
Gjykatësi: E si bëhesh poet, atëherë?
~~~
Trupi gjykues zuri vend dhe gjykatësi lexoi vendimin e arrestit:
“Siç e provojnë ndryshimet e vazhueshme të punës, Brodski i është fshehur sistematikisht detyrës si qytetar sovjetik, me anë të së cilës duhej të prodhonte të mira materiale dhe të siguronte ekzistencën. (…) Nga raportet e komisioneve të punës me autorë të rinj, del se Brodski nuk është poet. (…) Si rrjedhojë, duke përdorur dekretin e 4 Majit të vitit 1961, gjyqi vendosi që Brodski të dënohet pesë vjet me punë të detyruar, në një krahinë të largët.”
~~~
“Ja, pra, portreti i trishtueshëm i një njeriu që, sipas gjasave, nuk kënaqej së shkruari poezi ku alternoheshin pesimizmi, pornografia dhe gadra-budrat, por shestonte plane tradhëtie.
“Ndërkaq, duke e gjykuar që Brodski ishte shumë i ri, e falëm goxha. Me të u zhvillua një punë e rëndësishme edukuese dhe i kujtuam më se një herë përgjegjësitë që kishte duke zhvilluar veprimtari antisocialiste.
“Brodski nuk ka nxjerrë konkluzionet e duhura. Ai vazhdon të bëjë një jetë parazitare.”
(Leningrad, mbrëmje)

Shënim: Pjesa e mësipërme është përkthyer nga romani: “Kopshti i bimëve”, botuar më 1977, struktura kompozicionale e të cilit, sipas fjalëve të vetë autorit, është imitim i Kopshtit të Bimëve të Parisit. Titulli i fragmentit është i përkthyesit.)

Homazhe për Claude Simon-in

Claude Simon ndërroi jetë më 5 Korrik, 2005 në Paris, në moshën 91 vjeçare. Ishte një nga kryemjeshtrat e romanit të Ri, një lëvizje letrare që e ka zanafillën në vitet ‘50-60, e cila mëtonte çshenjtërimin e letërsisë si dhe dhënien e dutkave formave të vendosura.
Së bashku me Alain Robbe-Grillet, Nathalie Sarraute dhe Michel Butor, ka bërë të vizllojë kronologjia tradicionale, duke sajuar lojrat e pikësimit dhe duke pëlqyer përshkrimin objektiv të dalldive psikologjike.
Ja si kanë reaguar disa nga figurat e famshme franceze:

Jacques Chirac (president i Republikës):

Zhdukja e Claude Simon-it, “i ka hequr Francës një nga shkrimtarët madhorë, një figurë të famshme të romanit të Ri. Vepra e tij, e njohur në shkallë botërore, e kurorëzuar me Çmimin Nobel, do të vazhdojë të na flasë për vlerën kryesore të kujtesës për të jeratisur kaosin që ka lidhje me universin dhe historinë”

Dominique de Villepin (kryeministër):

“Claude Simon-i, gjer tek romani i mbramë, “Tramvaji”, i botuar më 2001, ka ravguar të njëjtën hulli në letërsi, por po ashtu edhe në gjuhën franceze. Përmes frazave të gjera të “Bari”, apo “Rruga e Flandrës”, përmes fjalëve me një përkorje të përkryer, ka arritur të nasqerisë përmes shkrimit rëndësinë e kundrimit dhe kujtimit, por edhe ndërprershmërinë e perceptimit. Përtej narracionit të tjetërfartë, romanet e Claude Simon-it ndërtojnë një vizion të mëvetësishëm dhe tronditës të shekullit të fundit, vizionin e njeriut të shënjuar hatashëm nga luftrat dhe dhuna e historisë”

Renaud Donnedieu de Vabres (ministër i kulturës):

Claude Simon-i mishëron ardhangien e letërsisë franceze të pasluftës. Ai bën pjesë tek ajo falangë që kërkimi universitar, gjithmonë në hulumtim të kategorive, i vënë në garamet për klasifikimin, e këtillon roman i Ri. Lindja dhe rilindja e stilit, këmbëngulja dhe fama botërore e letërsisë feanceze, ja ajo çka janë sot për ne romanet e tij si “Era: mëtim i ngritjes së një ngrehine baroke” (1957), “Rruga e Flandrës” (1960), “Historia”, apo “Gjeorgjikat” 1981. Flakja e konvecioneve, apo më mirë origjinaliteti i njeriut, janë palca e veprës së tij, shtysat e krijimit. Librat e tij janë për ne prova e gjallë, e pavdekshme, e kapërcimit të vetes përmes letërsisë.

Përgatiti: Balil Gjini

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke
Go to Top