Author

Admin - page 36

Admin has 1825 articles published.

Laureati më kontroversal i Nobelit në Letërsi/Ruth Franklin

in Letërsi by

Mbrojtësit e Peter Handke-s argumentojnë se pikëpamjet e tij për Serbinë nuk kanë lidhje me arritjet e tij letrare, por një lexim më nga afër i punës së tij tregon të kundërtën.

    Ruth Franklin

Në vitin 2019, Handke, i zëshëm në mbështetjen e tij për Slobodan Milošević-in, fitoi Çmimin Nobel.
Më 10 Dhjetor, 2019, shkrimtari austriak Peter Handke mori çmimin Nobel në Letërsi. Nëse ndiente krenari apo triumf, ai nuk e tregonte. Me papionin e tij  të shtrembër sipër një këmishë të bardhë të papërshtatshme, me sytë e tij që nuk qeshnin pas syzeve të rrumbullakëta, Handke dukej i dorëzuar dhe stoik, sikur po i nënshtrohej një procedure mjekësore të bezdisshme.
Ndërsa mori çmimin, disa nga të pranishmit – jo të gjithë nga ata që duartrokitën – u dukën po aq të zymtë.
Handke e filloi karrierën e tij në vitet gjashtëdhjetë, si provokator, me vepra teatrale absurde, që shmangnin veprimin, karakterin dhe dialogun, sipas fjalëve të një kritiku, “sharje anonime, kërcënuese”.
Një nga shfaqjet e tij të hershme, me titull “Të fyesh publikun”, përfundon me fyerjet e aktorëve ndaj spektatorëve. Në dekadat në vijim, teksa prodhoi dhjetëra drama dhe romane, ai i ktheu eksperimentet e tij me gjuhën së brendshmi, duke eksploruar mundësitë dhe kufizimet e tyre në evokimin e ndërgjegjes njerëzore
W. G. Sebald-i, i cili ishte thellësisht i ndikuar nga Handke, shkroi: “Zanri specifik narrativ që ai zhvilloi pati sukses për shkak të saktësisë së tij plotësisht origjinale gjuhësore dhe imagjinative.”
Romanet e Handke-s, të cilët ai i ka quajtur “ekskursione narrative apo ekspedita vetjake”, shpesh paraqesin një njeri që ndan karakteristika me autorin, teksa ai reflekton për atë që sheh ndërsa udhëton nëpër një peizazh.
Episodike, me shtrirje të gjata, në të cilat ka pak ose aspak veprim, rrëfimet lindin nga një sërë takimesh – me njerëz, kafshë ose me thjesht ide – që gradualisht fitojnë kuptim.
Në “Repetition” (1986), e konsideruar shpesh si kryevepra e Handke-s, mjedisi është atdheu i nënës së tij – Sllovenia, atëherë pjesë e Jugosllavisë komuniste. Në romanin e tij të fundit që do të shfaqet në anglisht, “The Fruit Thief” (Farrar, Straus & Giroux), i cili u botua në gjermanisht në vitin 2017 dhe që është përkthyer nga Krishna Winston, jemi në fshat në veri të Parisit, jo shumë larg periferisë ku Handke ka jetuar për tridhjetë vitet e fundit.
Këto romane, në fokusin e tyre mikroskopik në trillet  e perceptimit të narratorit, janë pothuajse në mënyrë agresive jopolitike, por është politika ajo që e ka bërë Handke-n famëkeq, duke shkaktuar rrudhje vetullash në ceremoninë e Çmimit Nobel.
Në fillim të vitit 1996, gjashtë muaj pasi serbët masakruan më shumë se tetë mijë myslimanë boshnjakë në Srebrenicë – mizoria më e madhe në tokën evropiane që nga Holokausti – Handke bëri një udhëtim nëpër Serbi.
Në udhëtimin e tij, i cili u botua në anglisht me titullin “Një Udhëtim drejt lumenjve: Drejtësi për Serbinë”, Handke u mbush me përbuzje për gazetarët perëndimorë që raportonin nga Jugosllavia, duke i akuzuar ata për paragjykim dhe korrupsion. Në rrëfimin e tij, serbët shfaqen si mikpritës simpatikë, të kulturuar, ushqimi i tyre i shijshëm, baritorja e fshatit, rrethanat e tyre politike të ngatërruara dhe të pamerituara.
Pati zemërim nga gazetarët dhe kritikët, por Handke e dyfishoi këtë. Në pranverën e vitit 1999, ndërsa SHBA-ja dhe aleatët e NATO-s filluan një fushatë bombardimi që synonte të dëbonte serbët nga Kosova, ai vizitoi Beogradin për të demonstruar mbështetjen e tij për regjimin e Slobodan Milošević-it. Disa muaj më vonë, sipas gazetarit amerikan Peter Maass, Handke-s iu dha një pasaportë jugosllave. Kur Millosheviqi vdiq, në vitin 2006, Handke mbajti një eulogji në funeralin e tij.
Njëzet e tre vjet pasi Handke u fut për herë të parë në këto ujëra të trazuara, shpallja e fitimit të Çmimit Nobel solli një kor të mëtejshëm denoncimi. Studiuesja e Holokaustit Deborah Lipstadt shprehu shqetësimin se çmimi do t’i jepte legjitimitet pretendimeve të tij të rreme; ish-ambasadorja e OKB-së, Samantha Power, e cila kishte raportuar për Srebrenicën si gazetare, shkroi në Twitter se gjenocidi ishte një “fakt i pamohueshëm”.
Një anëtar i Akademisë Suedeze njoftoi se do t’i bojkotonte procedurat. Handke-s nuk i bëri përshtypje. Kur Maass-i u përball me të në konferencën për shtyp të Nobel-it, Handke i hodhi poshtë pyetjet e tij si “boshe dhe injorante”.
Mbrojtësit e Handke-s argumentojnë se aventura e tij serbe është në thelb një bullungë, me pak ndikim në punën e tij. E përditshmja austriake Die Presse mendonte se, duke qenë se vepra e Handke-s ishte “konsideruar prej kohësh pjesë e letërsisë botërore”, fakti i trishtuar që ai “kishte humbur rrugën në gjirin e Ballkanit” nuk duhej ta skualifikonte atë nga Nobel-i. Megjithatë, ndoshta cilësia më e veçantë e artit të Handke-s është se ai ka qenë gjithmonë i pandashëm nga personaliteti i krijuesit të tij.
Një koleksion i ri i eseve të tij, “Vendet e qeta” (Farrar, Straus & Giroux), demonstron se, pavarësisht nëse Handke e etiketon një vepër fiction apo jofiction, teknika e tij mbetet pothuajse e njëjtë – toni diskursiv, rrëfimet gërvishtëse dhe ndërlidhëse, këndvështrimi i brendshëm dhe subjektiv.
Në të vërtetë, Handke ka thënë se ai ka shkruar për Serbinë “pikërisht siç i kam shkruar gjithmonë librat e mi, letërsinë time: një rrëfim i ngadaltë, kërkues; çdo paragraf trajton dhe rrëfen një problem, të përfaqësimit, të formës, të gramatikës – të së vërtetës estetike.
Në vend të një largimi nga vepra e tij letrare, pozicioni i Handke-s për Serbinë mund të jetë një pjesë e tij – një pasojë logjike e eksperimentimit postmodern, për të cilin ai është bërë i njohur prej kohësh.
“Fillimi i shkrimit tim”, ka thënë Handke, ishin “historitë që tregonte nëna ime”. I lindur në vitin 1942 në një qytet provincial të varfër në Austrinë jugore, djali i paligjshëm i nënës së tij dhe i dashnorit të saj të martuar, ai u rrit nga nëna dhe nga njerku abuziv.
Ngushëllimi i tij si fëmijë ishin rrëfimet e saj për njerëzit nga vendlindja e saj, të njohur vetëm si Stara Vas, ose si Fshati i Vjetër. Handke ka për zemër të tregojë dy nga historitë e nënës së tij, ato shfaqen në disa nga veprat e tij, duke përfshirë “The Fruit Thief“.
Në njërën, vëllai më i vogël i nënës së tij ikën nga një shkollë me konvikt dhe shkon në këmbë në shtëpi, një udhëtim prej rreth dyzet kilometrash. Ai mbërrin në mes të natës të shtunën, që është dita që fshihet oborri. Kështu djali merr një fshesë dhe fshin deri në agim kur familja e zbulon.
Historia tjetër ka të bëjë me një djalë foshnje, fëmijën e një “mjelëseje të vonuar mendërisht” që punon në një fermë lokale dhe që u përdhunua nga fermeri. Fermeri dhe gruaja e tij e adoptojnë fëmijën dhe mjelëses i thuhet t’i qëndrojë larg djalit, i cili rritet duke menduar se gruaja e fermerit është nëna e tij. Një ditë, mjelësja dëgjon djalin duke bërtitur për ndihmë: ai është ngatërruar në një gardh me tela me gjemba. Ajo vrapon dhe e shkëput andej. Më vonë, djali i vogël pyet nënën e tij të supozuar: “Pse vajza budallaqe ka duar aq të buta?”
Të dy tregimet kanë cilësinë e përrallës: djali që fshin oborrin natën, si i magjepsur; fëmija i gjetur që ruan një lidhje me nënën e tij edhe pse të tjerët përpiqen t’ia fshehin atë. Dhe të dyja kanë të bëjnë me hendekun midis prindërve dhe fëmijëve, dhe me përpjekjet shpesh të kota për ta kapërcyer atë hendek – temat që ndjekin punën e Handke-s. Handke shpesh thekson jo një ngjarje, por një çast në dukje të vogël, rëndësinë e të cilit personi që e përjeton as nuk e njeh.
Në vitin 1971, disa vjet pasi Handke botoi romanin e tij të parë, nëna e tij, e cila vuante nga dhimbjet e kokës dhe depresioni, vrau veten në moshën pesëdhjetë e një vjeç. Pas kësaj, Handke nxori prej vetes tekstin e trazuar “Një pikëllim përtej ëndrrave”, i cili mbetet libri për të cilin ai njihet më shumë në anglisht.
Ashtu si shumë prej romaneve që do të pasonin, ai kronikon një udhëtim si jashtë ashtu edhe brenda: kthimi i Handke-s në qytetin e tij të lindjes për funeralin e nënës së tij dhe gjithashtu hetimi i tij  për jetën e saj, i cili shpejt bëhet një hetim i kufijve të gjuhës për të shprehur atë që ai dëshiron të komunikojë.
I përfunduar në vetëm dy muaj, teksti ka një cilësi të furishme dhe nxitëse. “Nëna ime ka vdekur prej gati shtatë javësh; Më mirë të nisja  punën para se të më shuhej nevoja për të shkruar për të, të cilën e ndjeva aq fort në funeralin e saj dhe të bie përsëri në pagojën e shurdhër me të cilën reagova ndaj lajmit të vetëvrasjes së saj”, thotë ai në fillim.
Kjo “pagojësi”, bëhet e qartë shpejt, ajo është një karakteristikë e jetës bashkëkohore dhe e letërsisë bashkëkohore. Handke kishte shkruar tashmë një dramë, “Kaspar” (1967), frymëzuar nga historia e jetës reale e Kaspar Hauser,-it një djalë adoleshent që u shfaq në mënyrë misterioze në Bavarinë e fillim shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke ditur vetëm një fjali të vetme, me sa dukej i rritur pa gjuhë.
Në “Një pikëllim Përtej Ëndrrave”, rrëfimi sjell ndarjen e gjuhës dhe të formës ndërsa Handke përpiqet të tregojë faktet e jetës së nënës së tij – lidhjen e saj me të atin, nëpunës banke; pakënaqësia e saj me ndonjë dashuri të mëvonshme; mundimet e saj fizike teksa plaket. Strategjitë konvencionale narrative si përshkrimi ose karakterizimi e frustrojnë.
“Ajo nuk pranon të izolohet dhe mbetet e padepërtueshme; fjalitë e mia përplasen në errësirë ​​dhe shtrihen të shpërndara në letër”, shkruan ai.
Me pasion, Handke raporton për pasionin e tij; ai është i interesuar për historinë e nënës së tij më tepër si një eksplorim i karakterit të saj sesa si një ushtrim intelektual. Në një hyrje të një ribotimi të librit të vitit 2006, Jeffrey Eugenides shkroi: “Gjëja më e habitshme në lidhje me librin është shkëputja e disiplinuar e Handke-s nga subjekti i tij, një mënyrë kërkimi që nuk ofron asgjë korrigjuese apo zemërngrohëse”.
Edhe kështu, ka çaste kur një imazh apo një episod ngrihet nga teksti me emocion përndritës. Këtu është Handke për marrëdhënien e nënës së tij:
Ajo vetë e mendoi komike që dikur kishte dashuruar dikë, veçanërisht një burrë si ai. Ai ishte më shtatshkurtër se ajo, shumë vite më i madh dhe pothuajse tullac; ajo ecte përkrah tij me këpucë me taka të ulëta, gjithmonë me dhimbje për ta përshtatur hapin e saj me të tijin, duke e hequr vazhdimisht dorën nga krahu i tij jomikpritës; një çift i papërputhur, qesharak. E megjithatë, njëzet vjet më vonë, ajo ende dëshironte të nduente për dikë atë që kishte ndier atëherë për atë kartë kursimi.
Ky imazh i çiftit të papërputhshëm – burri një objekt aq i pamundur dëshire – ka një pathos të pafuqishëm, të denjë për Çehovin.
Përsëritja” u frymëzua gjithashtu nga jeta e nënës së Handke-s, edhe pse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Ai ndjek protagonistin, Filip Kobal, në një udhëtim nëpër Slloveni në kërkim të një vëllai më të madh, i cili është zhdukur prej dy dekadash, që prej dezertimit nga ushtria gjermane.
Për Filip-in, dhe në të vërtetë, për gjithë familjen, Sllovenia përfaqëson një lloj parajse të humbur. “Çfarë mund të thotë dikush për të shprehur përvojën e njëkohshme të fëmijërisë dhe peizazhit?” pyet Handke. Ka një fjalë gjermane për këtë, natyrisht: Kindschaft, e cila mund të përkthehet në këtë kontekst si “peizazh fëmijëror”, dhe ky është terreni që mbulon Filip-i.
Romani shpaloset me një ritëm gjarpërues, me një cilësi që Sebald-i e karakterizoi si “lehtësi”. Ai donte të thoshte “jo se rrëfimtari është i shkujdesur apo zemërgur; por në vend që të flasë për barrën e tij, ai kthehet në shqisat e tij për të prodhuar diçka që mund ta ndihmojë atë dhe lexuesin e tij – i cili gjithashtu mund të ketë nevojë për ngushëllim – që t’i rezistojë tundimit të melankolisë.
Këto përshkrime shqisore, të realizuara gjallërisht, përfshijnë përvojat e narratorit (nata që ai kalon në një tunel treni është po aq e gjallë sa dashuria e nënës së Handke-s për “kartën e bankës së kursimit”) dhe përshtypjet e tij për njerëzit që has.
Njëri është një mjeshtër rrugor, i cili ndriçon dritën e hënës si një piktor shenjash, të cilin Sebald-i e shihte si një analog për shkrimtarin, duke kryer “punën e tij të mundimshme ditë pas dite”, praktikisht të padukshme për botën në përgjithësi. Tregimtari e shikon atë duke pikturuar një shenjë, “duke sjellë në mendje shkronjën tjetër nga sipërfaqja e zbrazët, sikur të kishte qenë aty gjatë gjithë kohës dhe ai vetëm sa po e gjurmonte”.
Tregimet e Handke-s kanë një cilësi të ngjashme: në rastin më të suksesshëm, ato japin përshtypjen se ato ekzistojnë tashmë në natyrë dhe puna e shkrimtarit është vetëm t’i gërmojë ato. Puna e tij duket se konfirmon aforizmin e famshëm të Wittgenstein-it “Kufijtë e gjuhës sime nënkuptojnë kufijtë e botës sime”.
Prodhimi më i fundit i Handke-s vazhdon pothuajse me të njëjtën metodikë, duke ekzistuar nga çasti në çast, me tregimtarin që mediton në mënyrë bashkëshoqëruese për çdo gjë që vëzhgon. Nëntitulli i “The Fruit Thief” është “Einfache Fahrt ins Landsinnere“, një lojë fjalësh të dyfishta. Einfache Fahrt do të thotë “udhëtim i thjeshtë” dhe “udhëtim njëdrejtimësh” dhe Landsinnere është një nga ata emra të përbërë gjermanisht, për të cilët asnjë gjuhë tjetër nuk ka një ekuivalent:  Land  do të thotë vend, fshat, territor; innere është brenda ose e brendshme. Është një udhëtim i njëanshëm në brendësi të diçkaje: në vendin ose në mendjet e personazheve. Por është gjithashtu “e thjeshtë”, në kuptimin që është ajo që duket të jetë. Lexuesi që kërkon një kuptim themelor do të jetë i frustruar – më mirë të shkojë me rrjedhën.
Veprimi, ashtu siç ai është, ndjek një tjetër tregimtar të ngjashëm me Handke-n, nga shtëpia e tij në periferi të Parisit në fshat, ku fokusi kalon te gruaja e re tek e cila rrëfyesi po udhëton për ta takuar. E njohur si Alexia (i cili mund të jetë ose jo emri i saj aktual), ajo është në fund të të njëzetave ose në fillim të të tridhjetave dhe marrëdhënia e saj me rrëfimtarin fillimisht është e padeklaruar.
Ai e quan atë “hajdutja e frutave” sepse që nga fëmijëria ajo nuk ka mundur t’i rezistojë joshjes së frutave të pjekur në një pemë: dardhë, mollë, pjeshkë. Alexia është një vagabonde, që lëviz nga një vend në tjetrin – Siberi, Alaskë – me sa duket në kërkim të nënës së saj, e cila disi ka humbur për të. Ka episode në të cilat Alexia duket se thyhet, por emocioni që ngjalli Handke në veprën e tij të hershme mungon këtu. Kjo është padyshim një zgjedhje narrative e qëllimshme për të përcjellë gjendjen e saj mendore. “Ajo u ndje sikur ishte në [dy] vende, me gjithçka rreth saj edhe thellësisht më e pranishme,” shkruan Handke. “E shkëputur, gjithçka atje u bë më e dendur, më e dallueshme dhe kjo e përfshiu atë, si pjesë të gjithçkaje atje.” Në mungesë të ndjenjës, kjo ndjenjë e pranisë së dendur është parimi drejtues i librit. Ngjarjet e plotit duken arbitrare, madje të rastësishme. Alexia noton, peshkon në Lumin Oise, përshëndet me dorë turistët kinezë në një varkë turistike, sheh një peshk të madh, ndiqet nga një qen dhe më pas nga një korb.
Kjo ishte ajo që kërkonte historia,” ndërhyn Handke.) Ajo shkatërron një funeral dhe e kalon natën me familjen e të ndjerit; ajo takon një djalë me motoçikletë dhe udhëton me të për pak kohë. Në këto pasazhe të gjata ripërtypjesh dhe përshkrimesh, vetë koha duket se zgjerohet: “Janë ndërkohë, zgjatimet ndërmjet tyre, që gjërat ndodhin, marrin formë, zhvillohen, vijnë në ekzistencë”.
Është e vështirë të përshkruash çfarë saktësisht fillon të ekzistojë këtu. “Ngjarjet që rrëfen kjo histori bëhen të tilla vetëm falë narratorit,” shkruan Handke. Rrëfimtari, duke nxjerrë në pah artificet e fiksionit, nuk na lë kurrë të harrojmë se ai është rrëfyes. “Prite”.
“Skena tjetër,” shkruan Handke kur dëshiron t’i lëvizë gjërat. Kur ka ndonjë detaj faktik që ai nuk mund ta kujtojë, ai i thotë lexuesit ta “kërkojë në internet”. Është kënaqësi ta shikosh këtë rrëfim teksa ecën me nge drejt një përfundimi, por në faqet e tij mbi treqind, të mbushura dendurisht, duket se duhet shumë kohë për të mbërritur atje.
Një nga esetë në “Vendet e qeta” titullohet “Ese për një maniak kërpudhash”. Një mik i vjetër i Handke-s fiksohet pas kërkimit të kërpudhave për ushqim. I painteresuar për ndonjë gjë tjetër, ai ndalon së lexuari ndonjë libër tjetër përveç atyre për kërpudhat, nuk shkon më në kinema apo udhëtime dhe lë pas dore detyrimet familjare dhe profesionale. Kërpudhat, shkruan Handke, “ishin aventura përfundimtare dhe ai ishte profeti i tyre”.
Në këtë pikë – rreth tri të katërtat e rrugës përmes kësaj eseje gati njëqind faqeshe –  “Po filloj të pyes veten nëse kjo ka të bëjë vërtet me kërpudhat”. Kisha filluar ta shihja jehonën e obsesionit të Handke-s me Serbinë. Gjuetari i kërpudhave është avokat, puna e të cilit shfajëson kriminelët e luftës dhe rrëfimi përfundon me diçka si një pranim gabimi: “Kërkimi i kërpudhave dhe kërkimi i çdo lloji, bëri që fusha e shikimit të tkurrej…  Dhe si sytë e rëndonin kokën kur qëndronin të ngulur në tokë dhe mpiheshin.”
Por Handke nuk ka treguar asnjë pendim për gabimin e tij, nuk ka pranuar se linja e tij e vetme e hetimit mund ta ketë zvogëluar perspektivën e tij. Ai vazhdon të pohojë se nuk ka bërë asgjë të keqe, se pyetjet që ka bërë — për motivet e masakrës së Srebrenicës, të cilat ai i konsideron të pashpjegueshme; në lidhje me paragjykimet që ai percepton mes gazetarëve perëndimorë që raportuan agresionin serb dhe vuajtjet e Bosnjës – i shërbejnë qëllimit të “drejtësisë”.
Mbrojtësit e tij kanë argumentuar se, duke qenë se ai shkruan “dialektikisht”, është e lehtë që fjalitë individuale, të nxjerra jashtë kontekstit, të keqkuptohen. Kur fillova të lexoja “Një udhëtim drejt lumenjve”, u përgatita të besoja se Handke ishte keqinterpretuar, por libri ishte edhe më i çmendur sesa mund ta imagjinoja. Handke shprehet qartë se ai rrallë u bën pyetje njerëzve me të cilët ndeshet, duke u mbështetur në imagjinatën dhe në supozimet e tij.
Disa admirues të dikurshëm të Handke-s janë përpjekur ta shpjegojnë fiksimin e tij me Serbinë si të nxitur nga zhgënjimi për shpërbërjen e “Jugosllavisë së madhe”, që tregimet e nënës së tij e kishin bërë atë ta çmonte. “Pas vitit 1991, Handke kishte nevojë për një mit të ri dhe ai e zbuloi atë në Serbi,” shkroi J. S. Marcus në The New York Review of Books në vitin 2000.
Handke preferon të identifikohet me të dobëtin, pasi ai e perceptoi Serbinë si përballë Perëndimit. Dhe ai ka thënë se kur Sllovenia shpalli pavarësinë ishte “sikur të kisha humbur shtëpinë time, e cila u bë një shtet, kur në të vërtetë kishte vetëm një popull dhe një peizazh”.
Megjithatë, në njëfarë mënyre, “Një udhëtim drejt lumenjve” nuk është më çmenduri sesa fiction-i i Handke-s, i cili mbështetet në një dialektikë të ngjashme të shtytjes dhe tërheqjes, duke mohuar zgjidhjen ose realitetin për një botë që duket se dëshiron të krijohet përmes gjuhës.
Dhe si e tillë ajo formon një pikë përfundimtare logjike, nëse duhet të na vijë keq, për idetë e Handke-s. Siç ka vënë në dukje Eugenides, postmodernizmi amerikan, i praktikuar nga shkrimtarë si John Barth, Thomas Pynchon dhe Robert Coover, ishte i natyrës politike: mosbesimi i këtyre shkrimtarëve ndaj gjithëdijshmërisë narrative ishte i lidhur me mosbesimin e tyre ndaj qeverisë së SHBA-së.
Në të kundërt, fiksioni i Handke-s, megjithëse i ngjashëm në pamje – stili i rrotullimit dhe i riqarkullimit, refuzimi i konventave letrare – ishte përqendruar gjithmonë te gjuha dhe jo te politika. “Postmodernistët amerikanë hoqën dorë nga rrëfimi tradicional për shkak të një nxitjeje në thelb lozonjare, optimiste, revolucionare”, shkruan Eugenides. “Handke e dëshpëron narrativën prej dëshpërimit të plotë.”
Në universin letrar të Handke-s, vetëm vetja mund të jetë arbitri përfundimtar i kuptimit. Syri shikon nga dritarja dhe regjistron atë që sheh, ndërsa pranon se një vëzhgues tjetër mund të shohë diçka ndryshe. Kur luan pak muzikë në “The Fruit Thief“, na thuhet, “Nuk kishte shumë rëndësi se çfarë muzike ishte.
Kushdo që e lexon këtë është i mirëpritur të imagjinojë çdo muzikë që duket se i përshtatet.” Por ideja se faktet e një situate mund të jenë çfarëdo që të themi se janë, tingëllon ndryshe tani nga mënyra sesi mund të ketë tingëlluar tridhjetë apo dyzet vjet më parë. Disa realitete – varret masive në Srebrenicë, ose, më së fundi, rezultati i një zgjedhjeje të zhvilluar ligjërisht – nuk mund të trajtohen “në mënyrë dialektike”.
Një rresht tjetër nga Wittgenstein-i të vjen në mendje, ai që shpesh thirret për të shprehur rreziqet e përpjekjes për të përshkruar madhështinë e Holokaustit: “Çfarë nuk mund ta flasim, duhet ta kalojmë në heshtje”.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga The New Yorker

Ilustrimi: Isabel Seliger

Poezi nga EDUARDO GALEANO

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Poezi nga EDUARDO GALEANO

 

Nga minjtë, mësuam të bëjmë tunele.

Nga kastorët mësuam të bëjmë diga.

Nga zogjtë mësuam të bëjmë shtëpi.

Nga merimangat mësuam të thurim.

Nga trungu që rrokullisej poshtë kodrës, mësuam të bëjmë rrotën.

Nga trungu që lundronte larg, mësuam të bëjmë anijen.

Nga era mësuam të bëjmë velën.

Po kush na i mësoi truket e këqija?

Nga kush mësuam të mundojmë fqinjin tonë dhe të poshtërojmë botën?

 

Përktheu: Bajram Karabolli

Një faqe e vjetër-Franz Kafka

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Franz Kafka

Me sa duket e kemi lënë pas dore mbrojtjen e atdheut. Deri tani s’jemi marrë me këtë gjë, të zënë nga puna jonë, por ngjarjet e fundit na shtyjnë të jemi të kujdesshëm.
Unë kam një tregtore këpucari në sheshin para pallatit perandorak. Sapo hap tregtizën në mëngjes, vë re se kryet e të gjitha rrugëve që dalin në shesh janë zënë nga njerëz të armatosur. Nuk janë ushtarët tanë, po nomadë të veriut. Kushedi si kanë mundur të mbërrijnë në kryeqytetin tonë, i cili ndodhet shumë larg kufijve. Sidoqoftë janë aty dhe numri i tyre më duket se shtohet çdo mëngjes.
Janë rregulluar jashtë sipas natyrës së tyre sepse nuk i durojnë dot banesat. Mprehin shpata e majat e shigjetave, bëjnë ushtrime me kuaj; sheshin e qetë, të pastruar me kujdes, e kanë kthyer në stallë. Nganjëherë dalim nga tregtoret dhe mundohemi të mbledhim plehrat më të mëdha, por gjithnjë e më rrallë e kryejmë këtë punë, pasi nuk ia vlen barra qiranë dhe mund të na shtypin kuajt e tyre, apo të hamë ndonjë kamzhik.
Me nomadët nuk mund të flitet. Ata s’e dinë gjuhën tonë, por edhe nuk mund të thuash se kanë ndonjë gjuhë të tyre. Merren vesh si sorrat dhe tërë ditën dëgjohet një krakitje e pandërprerë. Nuk i kuptojnë zakonet dhe institucionet tona, s’kanë asnjë interesim, prandaj as kanë dëshirë që t’u flasësh me shenja. Mund të dërrmosh nofullat, mund të copëtosh pulset, ata s’të kuptojnë, kurrë s’do të të kuptojnë. Shpesh bëjnë ngërdheshje, tregojnë të bardhën e syrit, nxjerrin shkumë nga goja, por me këtë nuk duan të shprehin asgjë, as të trembin: bëjnë ashtu siç e kanë zakon. Kur kanë nevojë për ndonjë send, e marrin. Nuk mund të thuash se përdorin forcën, ne hiqemi në një anë para se të na hidhen dhe u lëmë gjithçka.
Edhe mua më janë marrë mjaft gjëra. Por nuk mund të qahem, kur mendoj për shembull çfarë i ka ngjarë kasapit përballë. Ky sapo e vari mishin dhe nomadët e shqyen dhe e hëngrën. Edhe kuajt e tyre hanë mish; shpesh shihet një kalorës që rri shtrirë pranë kalit të tij, duke kafshuar po atë copë mishi bashkë me kafshën. Kasapi ka frikë dhe nuk guxon ta mbyllë tregtizën. Ne jemi të arsyeshëm, mbledhim të holla dhe e ndihmojmë. Sikur nomadët të mos kenë mish çfarë do bënin? Po kushedi çfarë do bëjnë edhe po të hanë mish përditë.
Kohët e fundit kasapi mendoi se do t’i kursente vetes mundimin për ta çarë mishin dhe solli një ka të gjallë. S’do ta bëjë më një gjë të tillë. Ndenja më shumë se një orë i shtrirë gjatë e gjerë në fund të tregtizës sime pasi u mbulova me tërë teshat që kisha, batanije e nënkresa, që të mos dëgjoja ulërimën e kaut, të cilin nomadët e kishin sulmuar nga të gjitha anët: e shqyenin me kafshime dhe merrnin copa nga mishi i vakët. Nuk pata guxim të dilja jashtë, dola vetëm atëherë kur ishte kthyer qetësia: ata ishin shtrirë të sfilitur përreth tepricave të kaut, si të dehurit rreth një voze.
Pikërisht atëherë m’u duk se shquajta perandorin vetë në një dritare të pallatit; zakonisht ai nuk shkel kurrë në dhomat e jashtme, se apartamenti i tij i parapëlqyer është te një kopsht i fshehtë; po atë ditë m’u duk se po rrinte në dritare dhe kokulur vështronte se çfarë po ndodhte para kështjellës.
– Çfarë do të ndodhë? – pyetëm të gjithë. – Deri kur do ta durojmë këtë mendim? Pallati perandorak i ka joshur nomadët por nuk mund t’i largojë. Dera e madhe është e mbyllur; roja që më parë hynte e dilte hijerëndë, tani rri pas dritaresh të mbrojtura nga hekurat. Shpëtimi i atdheut ka mbetur në dorë të artizanëve dhe tregtarëve, por ne nuk jemi në lartësi të një detyre të tillë dhe kurrë s’do të mburremi për këtë. Ky keqkuptim do të na çojë drejt shkatërrrimit.

Përktheu: Gjergj Vlashi

Poezia & paraja-Niels Hav

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Poezia & paraja-Niels Hav

A ka para në poezi?
– pyesin xhaxhallarët e hareshëm.
Ne mbetemi gojëhapur, duke admiruar makinat e tyre të reja,
secila prej tyre ka kushtuar afër njëqind mijë.
Duke ruajtur formalitetet e mirësjelljes, ata interesohen për poezinë në vija të përgjithshme.

Jo. Rallë fitohet pará me poezi,
kjo dihet. Shumica e praktikuesve të këtij profesioni
përdorin transportin e mjerueshëm publik. Madje disa prej nesh
kanë biçikleta ose mësohen me
autobusët dhe trenat.

Kjo është e mërzitshme. Por ndoshta ka në fund të fundit
njëfarë baraspeshe në jetë; edhe unë për të qenë i sjellshëm,
nuk dua t’i pyes xhaxhallarët me makina të shtrenjta për të kundërtën;
A ka poezi në pará?

Përktheu: Kujtim Morina

Foto © ► chuuubaka

A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?/Ajkuna Dakli

in Esé/Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?
A mund të mësohet shkrimtaria?
Një përgjigje erdhi nga Ajkuna Dakli.

Ajkuna Dakli

Këndo o Muzë mninë e Akil Pelidit” .. kështu nisin këngët e Iliadës, kryeveprës së mitologjisë greke, që përcolli për shekuj me radhë bashkë me historinë e luftës së Trojës dhe historinë e njerëzimit, dhe hodhi themelet e letërsisë duke mos e humbur kurrë magjinë e saj ndër shekuj.
Në kohën kur njerëzimi ua blatonte perëndive fatkeqësitë dhe mrekullitë,  Muzat ishin hyjnitë e frymëzimit, që trupëzonin besimin se arti i të rrëfyerit është dhunti dhe si i tillë është jashtë vullnetit të të vdekshmëve të zakonshëm.
Por edhe sot, pas shekujsh, kur Muzat kanë zbritur tashmë nga Olimpi, të shkruarit mbetet një impuls që vjen së brendshmi, një dëshirë ose nevojë ku e ka zanafillën çdo krijim letrar.
“Nuk ka agoni më të madhe sesa të mbartësh me vete një histori të parrëfyer”, thotë Maya Angelou.
Askush nuk mund të shkruajë letërsi nëse nuk e ka këtë shkëndijë brenda vetes. Kjo dëshirë a nevojë, mbetet e lidhur me skutat e fshehta të shpirtit, një lloj magjie që është në thelb po aq hyjnore sa në kohën e grekëve të lashtë dhe, si e tillë, nuk mund të mësohet.
Nga impulsi i parë, rrugëtimi i një libri është i gjatë dhe i vështirë, një sfidë me veten dhe më pas me lexuesin, një akt që kërkon kurajë dhe besim te vetja dhe trajektorja e kësaj rruge nuk mund të futet në korniza dhe të përshkruhet me hapa.
Por nëse të shkruarit nuk mund të mësohet, pse duhen kurset letrare?
Që nga mitologjia greke, shumë nga perlat e letërsisë botërore, përfshirë këtu edhe përallat dhe legjendat e folklorit, janë përcjellë në shekuj pa u shkruar gjëkundi, por megjithatë duke i qëndruar  kohës, sepse rrëfimi e ka jetën të mbrujtur në forcën e në bukurinë e fjalës dhe të mendimit që përcjell.
Legjendat, përrallat, këngët e folklorit dhe më pas librat, sjellin me vete botën e tyre, që me kohë e zgjerojnë botën e shkrimtarit, lëmojnë e përsosin kurbat e mendimit të tij, konceptet etike e morale dhe idenë për të bukurën. Nëse të shkruarit është një lundrim, një vepër letrare e shkruar mirë është për një shkrimtar një dritë fari që i tregon drejtimin nga ndodhet bregu.
“Nuk ka rregulla sesi të shkruash. Ndonjëherë vjen lehtë dhe në mënyrë të përsosur, ndonjëherë është si të shposh në një gurore dhe më pas ta hedhësh në erë ” .
Kjo thënie e Hemingway-t e përshkruan rrëfimin si një art figurativ. Një shkrimtar e gdhend fjalën për të shfaqur në fund para lexuesve idetë e tij nëpërmjet ngjarjeve e personazheve që ka në mendje. Fjala e gdhendur do jetojë gjatë ose do kthehet shumë shpejt në pluhur.
Të shkruarit shpesh është një kalvar, dhe motivet për të qëndruar në këmbë shkrimtari duhet t’i gjejë  brenda vetes. Po kur ai njihet me veprën e të tjerëve para tij, të atyre që e kanë nisur këtë kalvar me të njëjtat dëshira e shpresa, me degëzimet e shtigjet e rrugëve, me kurbat e fjalëve dhe të mendimit  të tyre, mund të gjejë te historia e tyre fitoret ose dështimet, një dritëz që t’ia ndriçojë më shumë  rrugën e gjatë në të cilën është nisur. 

Nga poezia japoneze klasike

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Murgu Manzei
(shek. VIII)

Me çfarë ta krahasosh
Jetën tonë në këtë botë?
Me varkën e nisur
Qysh herët në mëngjes
E që shkon pa lënë gjurmë.

Minamoto no Tokiwa
(812-854)

Thonë se bilbili
Thur një kapelë
Me lulet e kumbullës.
Do mbledh ca dhe une e do zbukuroj kryet:
Ndoshta do ma fshehin pleqërinë.

Ariwara no Narihira
(825-879)

O lule të qershisë
Shpërndahuni si re
Aq të dendura sa pleqërisë
Që, siç duket, po afrohet,
T’ia mbuloni udhën.

Ono no Komachi
(shek. IX)

Tej bregut të peshkatarëve
Nga ta çojë rrjedha
Shkon barka pa timon.
Kështu shkova edhe unë në jetë.
O trishtim!

Yoshimine no Munesada
(816-890)

Fatziu
U strehua
Poshtë një peme
Por nuk ia lanë hijen e shpresuar
Gjethet e kuqe që ranë.

Ariwara no Munehari
(shek. IX)

Ka ardhur pranvera
Por asnjë lule s’e mbush me aromë
Fshatin malor.
Dhe bilbili këndon
Një këngë melankolike.

Oe no Chisato
(shek. X)

Më shpejt seç na kap syri
Të fluturojnë në erë
Gjethet e panjës
Kalon, çastësore,
Jeta e njeriut.

Ise
(shek. X)

Lule të qershisë
Në fshatin malor
Ku askush s’vjen t’u shohë,
Çelni pra më vonë
Kur të tjerat të kenë rënë!

Oshikochi no Mitsume
(shek. X)

Kuturimthi
Desha ta këput,
Por ngrica e bardhë
Që e mbulonte
Ma fshehu krizantemën e bardhë.

Ki no Tsurayuki
(shek. X)

Lulet e kumbullës
Ende s’kanë rënë
Por në fund të ujit që rrjedh
Shohim të pasqyrohet
Imazhi i tyre ikanak.

Mibu no Tadamine
(shek. X)

Qysh nga ndarja jonë
Kur ajo më shfaqi një fytyrë
Të ftohtë si hëna e agut,
Asgjë s’më ngjan aq i trishtë
Sa mëngjesi.

Fujiwara no Takamitsu
(shek. X)

Në hënën e dhjetë
Kur era shpërhap
Gjethet e kuqe,
Pa ndonjë arsye tjetër
Gjithçka duket e trishtë.

Fujiwara no Kunifusa
(shek. XI)

Kundër këtij trishtimi
Ç’mund të bësh?
Mbi kodra
Lisat i lënë gjethet të varen
Dhe prapë do bjerë dëborë.

Fujiwara no Sadaie (alias Teika)
(1162-1241)

Edhe në merr një tjetër nënkresë
Për të vënë kryet
Mos e harro kujtimin
E dritës së hënës që binte
Mbi këtë mëngë të larë nga lotët tanë.

Përktheu: Alket Çani

Piktura: William D. Higginson

Ne refugjatët- Hannah Arendt

in Esé/Filozofi by

Me sa duket askush nuk do t’ia dijë se historia bashkëkohore ka krijuar një lloj të ri qeniesh njerëzore – llojin që çohet në kampe përqendrimi nga armiqtë e tij dhe në kampe internimi nga miqtë e tij.

  Hannah Arendt

Në radhë të parë nuk na pëlqen të quhemi “refugjatë”. Vetë ne e quajmë njëri-tjetrin “të ardhur” apo “emigrantë”. Gazetat tona janë gazeta për “Amerikanët e gjuhës gjermane”; dhe, me sa di unë, nuk ka dhe nuk ka patur kurrë ndonjë klub të themeluar nga njerëz të persekutuar nga Hitleri, emri i të cilit do tregonte se anëtarët e tij ishin refugjatë.
Një refugjat dikur ishte një person i detyruar të kërkonte strehim për shkak të një akti të kryer apo të ndonjë mendimi politik. Hëm, është e vërtetë që na është dashur të kërkojmë strehim; por nuk kemi kryer asnjë akt dhe shumica prej nesh as nuk e kemi ëndërruar të kemi ndonjë mendim radikal.
Tek ne ka ndryshuar kuptimi i termit “refugjat”. Tani “refugjatët” janë ata prej nesh që kanë qenë aq të pafat sa mbërritën në një vend të ri pa gjë prej gjëje dhe duhej të ndihmoheshin nga Komitetet e Refugjatëve.
Para se të shpërthente kjo luftë ne ishim edhe më të ndjeshëm kur na quanin refugjatë. Ne bëmë të pamundurën për t’u treguar njerëzve të tjerë se ishim thjesht emigrantë të zakonshëm. Ne deklaruam se ishim larguar me vullnetin tonë të lirë për në vendet e zgjedhura dhe e mohuam që situata jonë të kishte të bënte me “të ashtuquajturat probleme hebreje”.
Po, ne ishim “emigrantë” apo “të ardhur”, që ishim larguar nga vendi ynë sepse, një ditë të bukur, nuk na përshtatej më qëndrimi, apo thjesht për arsye ekonomike. Ne donim ta rindërtonim jetën tonë, kjo ishte e gjitha. Për ta rindërtuar jetën e vet, njeriu duhet të jetë i fortë dhe optimist. Pra, ne jemi shumë optimistë. Optimizmi ynë, në të vërtetë, është i admirueshëm, edhe nëse ne vetë e themi këtë. Më në fund u bë e njohur historia e luftës sonë. Ne humbëm shtëpinë, që do të thotë familjaritetin e jetës së përditshme. Ne e humbëm profesionin tonë, që do të thotë besimin se jemi të dobishëm në këtë botë. Kemi humbur gjuhën, që do të thotë natyralitetin e reagimeve, thjeshtësinë e gjesteve, shprehinë e paprekur të ndjenjave. Ne lamë të afërmit tanë në getot polake dhe miqtë tanë më të mirë u vranë në kampe përqendrimi, dhe kjo do të thotë thyerje e jetës sonë private.
Megjithatë, sapo shpëtuam – dhe shumica prej nesh duhej të shpëtoheshim disa herë – ne filluam jetën tonë të re dhe u përpoqëm të ndiqnim sa më shumë që të ishte e mundur të gjitha këshillat e mira që na dhanë shpëtimtarët tanë. Na thanë të harronim; dhe ne harruam më shpejt sesa mund të imagjinohej. Në mënyrë miqësore na kujtuan se vendi i ri do të bëhej një shtëpi e re; dhe pas katër javësh në Francë apo gjashtë javësh në Amerikë, ne shtireshim se ishim francezë apo amerikanë. Madje, më optimisti prej nesh do të shtonte se e gjithë jeta e tyre e mëparshme kishte kaluar në një lloj mërgimi të pavetëdijshëm dhe vetëm vendi i tyre i ri u mësoi tani sesi është një shtëpi në të vërtetë. Është e vërtetë që ndonjëherë ngremë kundërshtime kur na thonë ta harrojmë punën tonë të mëparshme; dhe idealet tona të mëparshme zakonisht janë të vështira për t’u hedhur poshtë nëse standardi ynë shoqëror është në rrezik.
Me gjuhën, megjithatë, nuk hasim vështirësi: pas një viti të vetëm optimistët janë të bindur se e flasin anglishten si gjuhën e tyre amtare; dhe pas dy vjetësh ata betohen solemnisht se flasin anglisht më mirë se çdo gjuhë tjetër – gjermanishtja e tyre është një gjuhë aq e vështirë sa mezi e mbajnë mend. Për të harruar në mënyrë më efikase, më mirë shmangim çdo aludim për kampet e përqendrimit apo ato të internimit që kemi përjetuar në pothuajse të gjitha vendet evropiane – kjo mund të interpretohet si pesimizëm apo si mungesë besimi në atdheun e ri. Veç kësaj, sa shpesh na kanë thënë se askujt nuk i pëlqen t’i dëgjojë të gjitha këto; ferri nuk është më një besim fetar apo një fantazi, por diçka e vërtetë si shtëpitë, gurët dhe pemët. Me sa duket askush nuk do t’ia dijë se historia bashkëkohore ka krijuar një lloj të ri qeniesh njerëzore – llojin që çohet në kampe përqendrimi nga armiqtë e tij dhe në kampe internimi nga miqtë e tij. Edhe midis nesh nuk flasim për këtë të shkuar. Në vend të kësaj, kemi gjetur mënyrën tonë për të zotëruar një të ardhme të pasigurt. Meqenëse të gjithë planifikojnë, dëshirojnë dhe shpresojnë, kështu bëjmë edhe ne. Megjithatë, përveç qëndrimeve të përgjithshme njerëzore, ne përpiqemi ta sqarojmë të ardhmen në mënyrë më shkencore. Pas kaq shumë fati të keq ne duam një drejtim, aq të sigurt sa një armë. Prandaj e lëmë tokën me të gjitha pasiguritë e saj mbrapa dhe i hedhim sytë drejt qiellit. Yjet na tregojnë – në vend të gazetave – kur Hitleri do të mposhtet dhe kur do të bëhemi qytetarë amerikanë. Ne mendojmë se yjet janë këshilltarë më të besueshëm se të gjithë miqtë tanë; ne mësojmë nga yjet kur duhet të hamë drekë me bamirësit tanë dhe në cilën ditë kemi shanset më të mira për të plotësuar një nga këta pyetësorë të panumërt që shoqërojnë jetën tonë të tanishme. Ndonjëherë ne nuk mbështetemi as tek yjet, por te vijat e dorës apo te shkrimi ynë i dorës. Kështu mësojmë më pak për ngjarjet politike, por më shumë për veten tonë të dashur, edhe pse psikanaliza ka dalë disi nga moda. Ato kohë më të lumtura kanë kaluar kur zonjat dhe zotërinjtë e mërzitur të shoqërisë së lartë bisedonin për prapësitë gjeniale të fëmijërisë së tyre të hershme. Ata nuk duan më histori fantazmash; janë përvojat reale ato që ua ngjethin mishin.. Nuk është më e nevojshme për ta magjepsur të shkuarën; ajo është mjaft e magjepsur nga realiteti. Kështu, pavarësisht nga optimizmi ynë i shprehur, ne përdorim të gjitha llojet e trukeve magjike për të ngjallur shpirtrat e së ardhmes. Unë nuk e di se cilat kujtime dhe cilat mendime janë çdo natë në ëndrrat tona. Nuk guxoj të kërkoj informacion, pasi edhe unë do të isha optimiste. Por ndonjëherë imagjinoj se të paktën çdo natë mendojmë për të vdekurit tanë ose se kujtojmë poezitë që dikur i kemi dashur. Unë madje arrija ta kuptoja sesi miqtë tanë të bregut perëndimor, gjatë orës policore, duhej të kishin patur ide aq interesante sa të besonin se ne nuk jemi vetëm “qytetarë të mundshëm”, por jemi “të huaj armiq”. Në dritën e ditës, sigurisht, ne bëhemi vetëm “teknikisht” të huaj armiq – të gjithë refugjatët e dinë këtë. Por kur arsyet teknike të pengonin të dilje nga shtëpia, sigurisht që nuk ishte e lehtë të shmangeshin disa spekulime të errëta në lidhje me marrëdhënien midis teknikës dhe realitetit.
Jo, ka diçka që nuk shkon me optimizmin tonë. Ka nga ata optimistë të çuditshëm mes nesh që, pasi kanë mbajtur shumë fjalime optimiste, shkojnë në shtëpi dhe lënë ndezur gazin ose përdorin një rrokaqiell në një mënyrë krejt të papritur. Ata duket se vërtetojnë se gëzimi ynë i shpallur bazohet në një gatishmëri të rrezikshme për vdekje. Të rritur me bindjen se jeta është e mira më e lartë dhe vdekja shqetësimi më i madh, ne u bëmë dëshmitarë dhe viktima të tmerreve më të këqija se vdekja – pa mundur të zbulonim një ideal më të lartë se jeta. Kështu, megjithëse për ne vdekja e humbi tmerrin e saj, nuk u bëmë as të gatshëm dhe as të aftë që ta rrezikonim jetën për një kauzë. Në vend që të luftojnë – apo të mendojnë sesi të bëhen të aftë për të luftuar – refugjatët janë mësuar të urojnë vdekjen për miqtë apo të afërmit; nëse dikush vdes, ne me gëzim imagjinojmë të gjitha problemet nga të cilat ai ka shpëtuar. Më në fund, shumë prej nesh përfundojnë duke dëshiruar që edhe ne të mund të shpëtojmë nga ndonjë telash dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat. Që nga viti 1938 – që nga pushtimi i Austrisë nga Hitleri – ne kemi parë sa shpejt optimizmi elokuent mund të shndërrohej në pesimizëm pa fjalë. Me kalimin e kohës, ne bëheshim më keq – edhe më optimistë dhe, edhe më të prirur për vetëvrasje. Hebrenjtë austriakë nën Schuschnigg-un ishin një popull aq i gëzuar – të gjithë vëzhguesit e paanshëm i admironin. Ishte aq e mrekullueshme sesa të bindur ishin ata se asgjë nuk mund t’u ndodhte. Por kur trupat gjermane pushtuan vendin dhe fqinjët johebrenj filluan trazirat në shtëpitë e hebrenjve, hebrenjtë austriakë filluan të kryenin vetëvrasje. Ndryshe nga vetëvrasjet e tjera, miqtë tanë nuk lënë asnjë shpjegim për veprën e tyre, asnjë aktakuzë, asnjë akuzë kundër një bote që e kishte detyruar një njeri të dëshpëruar të fliste dhe të sillej si i gëzuar deri në ditën e tij të fundit. Letrat e lëna prej tyre janë dokumente konvencionale, të pakuptimta. Kështu, fjalimet funerale që mbajmë në varret e tyre të hapura janë të shkurtra, të sikletshme dhe shumë shpresëdhënëse. Askujt nuk i interesojnë motivet, ato duket se janë të qarta për të gjithë ne. Unë flas për fakte të panjohura; dhe kjo i bën gjërat edhe më keq, se, për ta vërtetuar mendimin tim, nuk disponoj as argumentet e vetme që u bëjnë përshtypje njerëzve modernë – figurat.
Edhe ata hebrenj që e mohojnë me furi ekzistencën e popullit hebre, na japin një shans të drejtë për të mbijetuar për sa i përket shifrave – si mund ta vërtetojnë ndryshe se vetëm disa hebrenj janë kriminelë dhe se shumë hebrenj po vriten si patriotë të mirë në kohë lufte? Nëpërmjet përpjekjeve të tyre për të shpëtuar jetën statistikore të popullit hebre, ne e dimë se hebrenjtë kishin shkallën më të ulët të vetëvrasjeve mes të gjithë kombeve të qytetëruar. Jam shumë e sigurt që këto shifra nuk janë më të sakta, por nuk mund ta vërtetoj me shifra të reja, edhe pse, sigurisht që mundem ta vërtetoj me përvoja të reja. Kjo mund të jetë e mjaftueshme për ata shpirtra skeptikë që kurrë nuk ishin plotësisht të bindur se masa e kafkës së dikujt jep idenë e saktë të përmbajtjes së saj, ose se statistikat e krimit tregojnë nivelin e saktë të etikës kombëtare. Sidoqoftë, kudo që jetojnë hebrenjtë evropianë sot, ata nuk sillen më sipas ligjeve statistikore. Vetëvrasjet nuk ndodhin vetëm në mesin e njerëzve të prekur nga paniku në Berlin dhe Vjenë, në Bukuresht apo Paris, por në Nju Jork dhe Los Anxhelos, në Buenos Aires dhe Montevideo.
Nga ana tjetër, është raportuar paksa për vetëvrasjet në geto dhe në vetë kampet e përqendrimit. Vërtet, kishim shumë pak raportime nga Polonia, por ne kemi qenë të informuar mjaft mirë për kampin e përqendrimit gjerman dhe francez. Në kampin Gurs, për shembull, ku pata mundësinë të kaloja pak kohë, dëgjova vetëm një herë për vetëvrasje, dhe ky ishte sugjerimi i një veprimi kolektiv, me sa dukej një lloj proteste për të zemëruar francezët. Kur disa prej nesh thanë se na kishin dërguar atje “pour crever” (për të vdekur) sidoqoftë, gjendja shpirtërore e përgjithshme u kthye papritur në një guxim të dhunshëm të jetës. Opinioni i përgjithshëm mendonte se njeriu duhej të ishte anormalisht asocial dhe i pashqetësuar për ngjarjet e përgjithshme nëse dikush arrinte ende ta interpretonte të gjithë aksidentin si fat të keq personal dhe individual dhe, në përputhje me rrethanat, t’i jepte fund jetës së tij personalisht dhe individualisht. Por të njëjtët njerëz, sapo u kthyen në jetën e tyre individuale, duke u përballur me probleme në dukje individuale, ndryshuan edhe një herë në këtë optimizëm të çmendur që është pranë dëshpërimit. Ne jemi hebrenjtë e parë jofetarë të persekutuar – dhe jemi të parët që, jo vetëm në ekstrem, përgjigjemi me vetëvrasje. Ndoshta kanë të drejtë filozofët që na mësojnë se vetëvrasja është garancia e fundit dhe supreme e lirisë njerëzore; Duke mos qenë të lirë ta krijojmë jetën tonë apo botën në të cilën jetojmë, ne megjithatë jemi të lirë ta hedhim tej jetën dhe të largohemi nga bota. Hebrenjtë e devotshëm, sigurisht, nuk mund ta kuptojnë këtë liri negative: ata e perceptojnë vrasjen në vetëvrasje, domethënë shkatërrimin e asaj që njeriu nuk mund ta bëjë kurrë, ndërhyrjen në të drejtat e Krijuesit. Adonai nathan veadonai lakach (“Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë”); dhe ata do të shtonin: baruch shem adonai (“i bekuar qoftë emri i Zotit”). Për ta, vetëvrasja, ashtu si vrasja, do të thotë një sulm blasfemues ndaj krijimit në tërësi. Njeriu që vret veten pohon se jeta nuk ia vlen të jetohet dhe nuk ia vlen që bota ta strehojë. Megjithatë, vetëvrasësit tanë nuk janë rebelë të çmendur që hedhin sfida ndaj jetës dhe botës, që përpiqen të vrasin në vetvete të gjithë universin. E tyrja është një mënyrë e qetë dhe modeste për t’u zhdukur; ata duket se kërkojnë falje për zgjidhjen e dhunshme që kanë gjetur për problemet e tyre personale. Sipas mendimit të tyre, në përgjithësi, ngjarjet politike nuk kishin të bënin me fatin e tyre individual; në kohë të mira apo të këqija ata do të besonin vetëm në personalitetin e tyre. Tani ata gjejnë disa mangësi misterioze në vetvete, të cilat i pengojnë të ecin. Duke qenë se e kanë ndier të drejtën që në fëmijërinë e hershme për një standard të caktuar shoqëror, në sytë e tyre ata janë të dështuar nëse ky standard nuk mund të mbahet më. Optimizmi i tyre është përpjekja e kotë për ta mbajtur kokën mbi ujë. Pas këtij fronti gëzimi, ata vazhdimisht luftojnë me dëshpërimin për veten e tyre. Në fund, vdesin nga një lloj egoizmi. Nëse shpëtohemi, ndihemi të poshtëruar dhe nëse ndihmohemi, ndihemi të degraduar. Ne luftojmë si të çmendur për ekzistencën private me fate individuale, pasi kemi frikë të bëhemi pjesë e asaj shumice të mjerë të përfituesve, të cilët, shumë prej nesh ish-filantropët, i kujtojmë shumë mirë. Ashtu siç dikur nuk arritëm ta kuptonim se i ashtuquajturi përfutues ishte simbol i fatit hebre dhe jo një shlemihl, po kështu sot nuk ndihemi të drejtë për solidaritetin hebre; nuk mund ta kuptojmë se vetë ne nuk jemi aq të shqetësuar sa i gjithë populli hebre. Ndonjëherë kjo mungesë e të kuptuarit është mbështetur fuqishëm nga mbrojtësit tanë. Kështu, më kujtohet një drejtor i një koncerni të madh bamirësie në Paris, i cili sa herë merrte kartën e një intelektuali gjermano-hebre me të pashmangshmen “Dr”. mbi të, zakonisht thërriste me zë të lartë, “Zotëri Doktor, Zotëri Doktor, Zotëri Parazit Zotëri Parazit!Përfundimi që nxorëm nga përvoja të tilla të pakëndshme ishte mjaft i thjeshtë. Të ishe doktor i filozofisë nuk na kënaqte më; dhe mësuam se për të ndërtuar një jetë të re, së pari duhet të përmirësosh atë të vjetrën. Një përrallë e vogël e bukur është shpikur për të përshkruar sjelljen tonë; një dachshund emigrant i dëshpëruar, në pikëllimin e tij, fillon të flasë: “Një herë, kur isha Shën Bernardi …”
Miqtë tanë të rinj, mjaft të mbingarkuar nga kaq shumë yje dhe burra të famshëm, vështirë se e kuptojnë se në bazë të të gjitha përshkrimeve tona të shkëlqimeve të së shkuarës, qëndron një e vërtetë njerëzore: dikur ishim dikush për të cilin njerëzit interesoheshin, na donin miqtë dhe madje ne njiheshim nga pronarët pasi e paguanim qiranë rregullisht. Dikur mund të blinim ushqime dhe të hipnim në metro pa na thënë se ishim të padëshirueshëm. Tani jemi bërë paksa histerikë qëkur gazetarët filluan të na zbulonin dhe të na thoshin publikisht që të mos jemi të vrenjtur kur blejmë qumësht dhe bukë. Ne pyesim veten sesi mund të bëhet kjo; tashmë jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në çdo çast të jetës sonë të përditshme për të shmangur që dikush të hamendësojë se kush jemi, çfarë lloj pasaporte kemi, ku janë plotësuar certifikatat tona të lindjes – dhe se Hitleri nuk na pëlqente. Ne përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi për t’u përshtatur në një botë ku duhet të kesh një lloj mendësie politike kur blen ushqimet. Në rrethana të tilla, Shën Bernardi bëhet gjithnjë e më i madh. Nuk mund ta harroj kurrë atë të ri, i cili, kur pritej që ai të pranonte një lloj pune, psherëtiu: – Ju nuk e dini se me kë po flisni; Unë isha menazher-seksioni në Karstadt’s [Një dyqan i madh në Berlin]. Por është edhe dëshpërimi i thellë i atij burrit të moshës së mesme, i cili, duke kaluar nëpër ndërrime të panumërta komitetesh të ndryshme për të shpëtuar, më në fund thirri: – Dhe askush këtu nuk e di se kush jam unë! Meqenëse askush nuk do ta trajtonte atë si një qenie njerëzore dinjitoze, ai filloi t’u dërgonte kabllograme personaliteteve të mëdha dhe marrëdhënieve të tij të mëdha. Ai mësoi shpejt se në këtë botë të çmendur është shumë më e lehtë të pranohesh si një “njeri i madh” sesa si një qenie njerëzore. Sa më pak të jemi të lirë të vendosim se kush jemi apo të jetojmë ashtu siç duam, aq më shumë përpiqemi të krijojmë një front, të fshehim faktet dhe të luajmë role. Na dëbuan nga Gjermania sepse ishim hebrenj.
Por duke kaluar me vështirêsi kufirin francez, ne u shndërruam në “boches“. Madje, na u tha se duhej ta pranonim këtë emërtim nëse ishim vërtet kundër teorive racore të Hitlerit. Gjatë shtatë viteve ne luajtëm rolin qesharak të përpjekjes për të qenë francezë – të paktën, qytetarë të mundshëm; por në fillim të luftës ne u internuam si “boches” po njësoj. Megjithatë, ndërkohë, shumica prej nesh ishin bërë vërtet francezë besnikë, saqë nuk mund të kritikonim as një urdhër qeveritar francez; kështu që e deklaruam si të drejtë që të internoheshim. Ne ishim të parët “të burgosur vullnetarë” që ka parë ndonjëherë historia. Pasi gjermanët pushtuan vendin, qeverisë franceze i duhej vetëm të ndryshonte emrin e firmës; pasi ishim burgosur sepse ishim gjermanë, nuk u liruam sepse ishim hebrenj. Është e njëjta histori në të gjithë botën, e përsëritur vazhdimisht. Në Evropë, nazistët konfiskuan pronat tona; por në Brazil ne duhet të paguajmë 30% të pasurisë sonë, si anëtari më besnik i Bund der Auslandsdeutschen. Në Paris nuk mund të dilnim nga shtëpitë pas orës tetë, sepse ishim hebrenj; por në Los Anxhelos jemi të kufizuar sepse jemi “alienë armiq”. Identiteti ynë ndryshon aq shpesh sa askush nuk mund ta zbulojë se kush jemi ne në të vërtetë. Fatkeqësisht, gjërat nuk duken më mirë kur takohemi me hebrenjtë. Hebrenjtë francezë ishin absolutisht të bindur se të gjithë hebrenjtë që vinin nga përtej Rinit ishin ata që ata i quanin polakë – ata që hebrenjtë gjermanë i quanin Ostjuden. Por ata hebrenj që vërtet erdhën nga Evropa Lindore nuk mund të pajtoheshin me vëllezërit e tyre francezë dhe na quajtën Jaeckes. Djemtë e këtyre urrejtësve Jaecke – brezi i dytë i lindur në Francë dhe tashmë i asimiluar siç duhet – ndanë mendimin e klasës së lartë hebreje franceze. Kështu, në të njëjtën familje, ju mund të quheni Jaecke nga babai dhe polak nga i biri. Që nga shpërthimi i luftës dhe katastrofa që i ka ndodhur hebrenjve evropianë, fakti i thjeshtë i të qenit refugjat e ka penguar përzierjen tonë me shoqërinë vendase hebreje, disa përjashtime që vetëm vërtetojnë rregullin. Këto ligje të pashkruara shoqërore, edhe pse nuk pranohen kurrë publikisht, kanë forcën e madhe të opinionit publik. Dhe një mendim dhe praktikë e tillë e heshtur është më e rëndësishme për jetën tonë të përditshme sesa të gjitha shpalljet zyrtare të mikpritjes dhe vullnetit të mirë. Njeriu është një kafshë shoqërore dhe jeta nuk është e lehtë për të kur ndërpriten lidhjet shoqërore. Standardet morale mbahen shumë më lehtë në strukturën e një shoqërie. Shumë pak individë e kanë forcën për ta ruajtur integritetin e tyre nëse statusi i tyre social, politik dhe juridik, është plotësisht i ngatërruar. Në mungesë të guximit për të luftuar për një ndryshim të statusit tonë shoqëror dhe ligjor, ne kemi vendosur në vend të kësaj, shumë prej nesh, qê të provojmë ndryshimin e identitetit. Dhe kjo sjellje e çuditshme i bën gjërat edhe më keq. Konfuzioni në të cilin jetojmë është pjesërisht puna jonë. Një ditë dikush do të shkruajë historinë e vërtetë të këtij emigrimi hebre nga Gjermania; dhe ai do të duhet të fillojë me një përshkrim të atij Zotit Cohn nga Berlini, i cili ka qenë gjithmonë një gjerman 150%, një super-patriot gjerman. Në vitin 1933, Zoti Cohn gjeti strehim në Pragë dhe shumë shpejt u bë patriot çek i bindur – një patriot çek i vërtetë dhe besnik po aq sa kishte qenë patriot gjerman. Koha vazhdoi dhe rreth vitit 1937 qeveria çeke, tashmë nën një presion nazist, filloi t’i dëbonte refugjatët e saj hebrenj, duke shpërfillur faktin që ata ndiheshin aq fort si qytetarë të mundshëm çekë. Zoti ynë Cohn më pas shkoi në Vjenë; për t’u përshtatur atje kërkohej një patriotizëm i caktuar austriak. Pushtimi gjerman e detyroi Zotin Cohn të largohej nga ai vend. Ai mbërriti në Paris në një çast të keq dhe nuk e mori kurrë një leje qëndrimi të rregullt. Pasi kishte fituar tashmë një aftësi të madhe në të menduarit e gatshëm, ai nuk pranoi të merrte seriozisht masa administrative, i bindur se jetën e tij të ardhshme do ta kalonte në Francë. Prandaj, ai përgatiti përshtatjen e tij me kombin francez duke e identifikuar veten me paraardhësin “tonë” Vercingetorix. Mendoj se do të ishte më mirë të mos zgjerohesha në aventurat e mëtejshme të Zotit Cohn. Për sa kohë që Zoti Cohn nuk mund të vendosë të jetë ai që është në të vërtetë; hebre, askush nuk mund t’i parashikojë të gjitha ndryshimet e çmendura që ai do të duhet të kalojë. Një njeri që dëshiron ta humbasë veten e tij zbulon, në të vërtetë, mundësitë e ekzistencës njerëzore, të cilat janë të pafundme, po aq të pafundme saç është krijimi. Por rikuperimi i një personaliteti të ri është po aq i vështirë – dhe po aq i pashpresë – sa një krijim i ri për botën. Çfarëdo që bëjmë, çfarëdo që pretendojmë se jemi, nuk zbulojmë asgjë përveç dëshirës sonë të çmendur për të ndryshuar, për të mos qenë hebrenj. Të gjitha aktivitetet tona janë të drejtuara për të arritur këtë qëllim: ne nuk duam të jemi refugjatë, pasi nuk duam të jemi hebrenj; ne pretendojmë se jemi anglishtfolës, pasi emigrantët gjermanishtfolës të viteve të fundit janë shënuar si hebrenj; ne nuk e quajmë veten pa shtetësi, pasi shumica e njerëzve pa shtetësi në botë janë hebrenj; ne jemi të gatshëm të bëhemi hottentotë besnikë, vetëm për të fshehur faktin që jemi hebrenj.
Nuk kemi sukses dhe nuk mund të kemi sukses; nën mbulesën e “optimizmit” tonë, mund të dallosh lehtësisht trishtimin e pashpresë të asimiluesve. Tek ne nga Gjermania fjala asimilim mori një kuptim “të thellë” filozofik. Vështirë se mund ta kuptoni sesa seriozë ishim në lidhje me të. Asimilimi nuk nënkuptonte përshtatjen e nevojshme me vendin ku u lindëm dhe me njerëzit, gjuhën e të cilëve rastësisht flisnim. Ne përshtatemi në parim me gjithçka dhe me të gjithë. Ky qëndrim m’u bë fare i qartë dikur nga fjalët e një bashkatdhetarit tim, i cili me sa dukej dinte t’i shprehte ndjenjat e tij. Sapo mbërriti në Francë, ai themeloi një nga këto shoqëritë e përshtatjes, në të cilën hebrenjtë gjermanë i pohonin njëri-tjetrit se ata tashmë ishin francezë. Në fjalimin e tij të parë ai tha: – Ne kemi qenë gjermanë të mirë në Gjermani dhe për këtë arsye do të jemi francezë të mirë në Francë. Publiku duartrokiti me entuziazëm dhe askush nuk qeshi; ishim të lumtur që mësuam sesi ta vërtetonim besnikërinë tonë. Nëse patriotizmi do të ishte një çështje rutine apo praktike, ne duhej të ishim njerëzit më patriotë në botë. Le të kthehemi te Zoti Cohn; ai me siguri i ka mposhtur të gjitha rekordet. Ai është ai emigranti ideal që gjithmonë dhe në çdo vend në të cilin e ka shtyrë një fat i tmerrshëm, sheh dhe do malet vendase. Por meqenëse patriotizmi nuk besohet ende të jetë një çështje praktike, është e vështirë të bindësh njerëzit për sinqeritetin e transformimeve tona të përsëritura. Kjo luftë e bën shoqërinë tonë kaq jotolerante; ne kërkojmë afirmim të plotë pa grupin tonë, sepse nuk arrijmë ta marrim atë nga vendasit. Vendasit, të përballur me qenie të tilla të çuditshme siç jemi ne, bëhen dyshues; nga këndvështrimi i tyre, si rregull, është e kuptueshme vetëm një besnikëri ndaj vendeve tona të vjetra. Kjo na e bën jetën shumë të hidhur. Ne mund ta kapërcejmë këtë dyshim nëse mund të shpjegojmë se, duke qenë hebrenj, patriotizmi ynë në vendet tona të origjinës kishte një aspekt të veçantë. Megjithëse ishte vërtet i sinqertë dhe me rrënjë të thella. Ne shkruam vëllime të mëdha për ta vërtetuar këtë; paguam një burokraci të tërë për të eksploruar lashtësinë e tij dhe për ta shpjeguar statistikisht. Ne kishim studiues që shkruanin disertacione filozofike mbi harmoninë e paracaktuar midis hebrenjve dhe francezëve, hebrenjve dhe gjermanëve, hebrenjve dhe hungarezëve, hebrenjve dhe … Besnikëria jonë e sotme kaq e dyshuar ka një histori të gjatë. Është historia e njëqind e pesëdhjetë viteve të hebreizmit të asimiluar që ka arritur një sukses të paprecedentë: edhe pse duke provuar gjatë gjithë kohës johebreizmin e tyre, ata ia dolën të mbeteshin po aq hebrenj. Konfuzioni i dëshpëruar i këtyre endacakëve të Uliksit, të cilët, ndryshe nga prototipi i tyre i madh, nuk e dinë se kush janë, shpjegohet lehtësisht nga mania e tyre e përsosur e refuzimit të ruajtjes së identitetit të tyre. Kjo mani është shumë më e vjetër se dhjetë vitet e fundit që zbuluan absurditetin e thellë të ekzistencës sonë. Ne jemi si ata njerëzit me një ide fikse që nuk mund të mos përpiqen vazhdimisht të maskojnë një stigmë imagjinare. Kështu që, jemi të interesuar në mënyrë entuziaste për çdo mundësi të re, e cila, duke qenë e re, duket e aftë të bëjë mrekulli. Ne jemi të magjepsur nga çdo kombësi e re në të njëjtën mënyrë siç një grua me përmasa të rregullta kënaqet me çdo fustan të ri që i premton asaj belin e dëshiruar. Por fustani i ri i pëlqen vetëm për sa kohë që beson në cilësitë e tij të mrekullueshme dhe zbulon se ai nuk e ndryshon shtatin e saj, ose, për këtë çështje, statusin e saj. Dikush mund të habitet që padobishmëria e dukshme e të gjitha maskimeve tona të çuditshme nuk ka mundur të na shkurajojë. Nëse është e vërtetë që njerëzit rrallë mësojnë nga historia, është gjithashtu e vërtetë se ata mund të mësojnë nga përvoja personale, të cilat, si në rastin tonë, përsëriten herë pas here. Por, para se të na hidhni gurin e parë, mbani mend se të qenit hebre nuk jep asnjë status ligjor në botë. Nëse duhet të fillojmë të themi të vërtetën se ne nuk jemi gjë tjetër veçse hebrenj, kjo do të thotë se i ekspozohemi fatit të qenieve njerëzore, të cilat, të pambrojtura nga ndonjë ligj apo konventë politike specifike, nuk janë gjë tjetër veçse qenie njerëzore. Nuk mund të imagjinoj një qëndrim më të rrezikshëm, pasi ne jetojmë në një botë në të cilën qeniet njerëzore si të tilla kanë pushuar së ekzistuari për një kohë të gjatë, pasi shoqëria ka zbuluar diskriminimin si armën e madhe shoqërore me të cilën mund të vriten njerëz pa gjakderdhje; meqenëse pasaportat apo certifikatat e lindjes, dhe ndonjëherë edhe faturat e tatimit mbi të ardhurat, nuk janë më dokumente formale, por çështje të dallimit shoqëror. Është e vërtetë që shumica prej nesh varen tërësisht nga standardet shoqërore, humbasim besimin në vetvete nëse shoqëria nuk na miraton; ne jemi – dhe kemi qenë gjithmonë – të gatshëm të paguajmë çdo çmim për t’u pranuar nga shoqëria. Por është po aq e vërtetë që shumë pak prej nesh që janë përpjekur të shkojnë mirë pa të gjitha këto marifete dhe shaka të rregullimit dhe asimilimit, kanë paguar një çmim shumë më të lartë sesa mund ta përballonin: ata rrezikuan ato pak mundësi që edhe ligjet tona u japin në një botë të turbullt. Qëndrimi i këtyre pak njerëzve, të cilët, pas Bernard Lazare-t, mund t’i quajmë “të dëbuarit e vetëdijshëm”, mund të shpjegohet po aq pak nga ngjarjet e fundit si qëndrimi i Zotit Cohn, i cili u përpoq me çdo mjet të bëhej një fillestar. Të dy janë bij të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të cilët, duke mos njohur ligjvënësit ligjorë apo politikë, njihnin shumë mirë të dëbuarit socialë dhe homologun e tyre, parvenunë social. Historia moderne hebraike, duke filluar me hebrenjtë e oborrit dhe duke vazhduar me milionerët dhe filantropët hebrenj, është e dhënë ta harrojë këtë prirje tjetër të traditës hebraike – traditën e Heine-s, Rahel Varnhagen-it, Sholom Aleichemn-it, të Bernard Lazare-t, Franz Kafka-s apo edhe të Charlie Chaplin-it. Është tradita e një pakice hebrenjsh që nuk kanë dashur të bëhen fillestarë, të cilët preferojnë statusin e “të dëbuarit të ndërgjegjshëm”. Të gjitha cilësitë e lavdëruara hebreje – “zemra hebreje”, humanizmi, humori, inteligjenca bujare – janë cilësi të dëbuara. Të gjitha mangësitë e hebrenjve – mungesa e taktit, marrëzia politike, komplekset e inferioritetit dhe kopracia – janë karakteristikë e fillestarit. Gjithmonë ka patur hebrenj që nuk e kanë menduar se ia vlente ta ndryshonin qëndrimin e tyre njerëzor dhe njohuritë e tyre natyrore ndaj realitetit për ngushtësinë e shpirtit të kështjellës ose për jorealitetin thelbësor të transaksioneve financiare. Historia e ka sforcuar statusin e të jashtëligjshmëve ndaj të dyve, të të dëbuarve dhe të parvenuve. Këta të fundit nuk e kanë pranuar ende urtësinë e madhe të “On ne parvient pas deux fois” (nuk ia dalim dy herë) të Balzakut; kështu ata nuk i kuptojnë ëndrrat e lira të të parëve dhe ndihen të poshtëruar kur ndajnë fatin e tyre. Ata pak refugjatë që këmbëngulin të thonë të vërtetën, madje deri në pikën e “paturpësisë”, marrin në këmbim të jopopullaritetit të tyre një avantazh të çmuar: historia nuk është më një libër i mbyllur për ta dhe politika nuk është më privilegj i johebrenjve. Ata e dinë se nxjerrja jashtë ligjit e popullit hebre në Evropë është ndjekur nga afër nga nxjerrja jashtë ligjit e shumicës së kombeve evropiane. Refugjatët e dëbuar, nga një vend në tjetrin, përfaqësojnë pararojën e popujve të tyre – nëse ata e ruajnë identitetin e tyre. Për herë të parë historia hebraike nuk është e ndarë, por e lidhur me atë të të gjithë kombeve të tjerë. Miqësia e popujve evropianë u copëtua atëherë kur dhe për shkak se ata lejuan që anëtari më i dobët i saj të përjashtohej dhe të persekutohej.

1 Janar, 1943

Përktheu: Arlinda Guma
 
Ndalohet riprodhimi i këtij përkthimi.

HOPKINS FOREST-Yves Bonnefoy

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

HOPKINS FOREST-Yves Bonnefoy

 

Kisha dalë
Të merrja ujë në pus, pranë pemëve,
Dhe isha në praninë e një tjetër qielli.
Të zhdukura yjësitë e një çasti më parë,
Tre të katërtat e kupës qiellore ishin bosh,
Mbretëronte veç e zeza më e dendur,
Por në të majtë, mbi horizont,
Përzier me majat e lisave,
Ishte një luzmë yjsh kuqëlues
Si një prush nga ngjitej dhe tymnaja.

U ktheva
Dhe hapa librin mbi tryezë.
Fletë mbas flete,
Kish vetëm shenja të padeshifrueshme,
Agregate formash pa kurrfarë kuptimi
Ndonëse përsëriteshin marrtas,
Dhe nga poshtë një bardhësi humnere
A thua se ajo që quajmë mendje binte aty, pa zhurmë.
Si dëborë.
Megjithatë i ktheja fletët.

Shumë vite më parë,
Në një tren në kohën e agut
Midis Princeton Junction dhe Newark-ut,
Dy vende rastësore për mua,
Dy shigjeta ranë prej kurrkund,
Udhëtarët lexonin, të heshtur,
Në dëborën që fshinte xhamat gri,
Dhe befas,
Në një gazetë të hapur dy hapa larg meje,
Një fotografi e Baudelaire-it,
Një faqe e tërë
Siç zbrazet qielli në fund të botës
Për të rënë dakord me rrëmujën e fjalëve.

Këtë ëndërr e afrova me kujtimin
Kur eca, më parë gjatë gjithë vjeshtës
Në pyje ku së shpejti ishte dëbora
Që triumfoi, në shumë nga ato shenjat
Që marrim, kundërshtimisht,
Nga bota e shkretuar prej fjalëve.
Merrte fund konflikti i dy parimeve,
Më dukej, përziheshin dy drita,
Mbylleshin buzët e plagës.
Masa e bardhë e ftohmës binte me shkulm
Mbi ngjyrën, por një çati së largu, një dhogë
E lyer, mbështetur pas një kangjelle,
Ishte ende ngjyra, dhe e mistershme
Si dikush që do dilte nga varri e duke qeshur:
“Jo, mos më prek”, do i thoshte botës.

I detyrohem vërtet shumë Pyllit Hopkins,
E ruaj në horizontin tim, në pjesën e tij
Që braktis të dukshmen për të padukshmen
Përmes fërgëllimës së blusë së largësive.
E dëgjoj, përmes zhurmave, e madje nganjëherë,
Në verë, duke shtyrë me këmbë gjethet e rëna
Të viteve të shkuar, të qarta në gjysmëterr
Të lisave krejt të ngjeshur midis gurëve,
Ndalem, më duket se dheu hapet
Në pafundësi, se ato gjethe bien atje
Pa ngut, apo ringjiten, lart, poshtë,
Duke mos qenë më, as zhurma, përveçse
Pëshpërima e lehtë e flokëve të dëborës që shpejt
Shumohen, afrohen, puqen,
– Dhe shoh atëherë krejt qiellin tjetër,
Hyj për një çast në dëborën e madhe.

 

Përktheu: Alket Çani

Nxitje-Niels Hav

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Nxitje-Niels Hav

A nuk ju duket një mendim ngacmues
që në disa dekada ne,
dhe e gjithë kjo epokë konfuze
me presidentët e saj me të meta,
debatet e kota
prezantueset e spitullosura të televizionit,
gazetarët mediokër
dhe koret jubilare
do të mbarojnë njëherë e mirë?
Ne do të zhdukemi.
Ata do të zhduken.
Unë do të zhdukem.
Ju do të zhdukeni
Do të zhduket gjithçka.
Urraaa!

Përktheu: Kujtim Morina

1 34 35 36 37 38 183
Go to Top