Fragment nga romani “Mercier dhe Camier”-Samuel Beckett

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Samuel Beckett

[Takimi ishte lënë për në orën nëntë.]
Kamieja mbërriti i pari në takim. Domethënë se kur ai mbërriti, Mersieja nuk ishte aty. Në fakt, Mersieja kish ardhur dhjetë minuta më parë. Ishte pra Mersieja, dhe jo Kamieja, që kish mbërritur i pari në takim. Pasi kish pritur pesë minuta, duke shqyrtuar me imtësi rrugët e ndryshme që mund të kish marrë miku i tij për të ardhur, Mersieja u nis të bënte një xhiro që zgjati një çerek ore. Kamieja, duke parë që Mersieja nuk po vinte, u nis pas pesë minutash të bënte një xhiro të vogël. Mbërritur në vendin e takimit çerek ore më vonë, e kërkoi më kot me sy Mersienë. Dhe kjo kuptohet vetiu. Sepse Mersieja, pasi kish pritur pesë minuta të tjera në vendin e takimit, ishte rinisur për të shpirë këmbët, sa për të përdorur një shprehje që e kish për zemër. Kamieja pra, mbas pesë minutash pritjeje të topitur, iku përsëri, duke thënë me vete, Ndoshta do ta ndesh në ndonjë nga rrugët këtu rrotull. Shi në atë çast Mersieja, që po kthehej nga shëtitja e tij e vogël, e cila kësaj here s’i kish kaluar dhjetë minutat, pa si po largohej një siluetë që nëpër mjegullën e mëngjesit ngjasonte vagët me atë të Kamiesë e që në të vërtetë ashtu ishte. Fatkeqësisht silueta u zhduk, si e gëlltitur nga kalldrëmi, dhe Mersieja u ndal në vendtakim. Por mbas pesë minutash që tashmë po bëheshin ndërkohë të rregullta, e la vendtakimin ngaqë kishte nevojë për të lëvizur. Gëzimi i tyre ishte për një çast i jashtëzakonshëm, gëzimi i Mersiesë dhe ai i Kamiesë, kur mbas përkatësisht pesë dhe dhjetë minutash zvarritjeje shqetësuese, duke ia behur njëkohësisht në shesh, u gjendën ballë për ballë, për të parën herë që prej natës së kaluar. Ora ishte nëntë e pesëdhjetë.

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke
Go to Top