Watt-Samuel Beckett (fragment)

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Samuel Beckett

[…] Kështu Watt-i s’e shihte kurrë Zotin Knott gjatë orëve të vakteve. Sepse Zoti Knott s’ishte kurrë në orar për vaktet e tij. Por ndodhte rrallë që vonesa e tij të kalonte njëzet minuta, ose gjysmë ore. Dhe si ta zbrazte tasin, si të mos e zbrazte, kjo nuk zgjaste kurrë më shumë se pesë minuta, ja e shumta shtatë. Kështu që Zoti Knott s’ishte kurrë në sallën e ngrënies kur Watt-i sillte tasin dhe nuk ishte kurrë aty as kur Watt-i kthehej për të marrë tasin. Kështu Watt-i s’e shihte kurrë Zotin Knott, kurrë kurrë Zotin Knott gjatë orëve të vakteve.
Zoti Knott hante me një lopatëz të larë me argjend, si ato që përdorin ëmbëltorët, tregtarët e erëzave dhe ata të çajit.
Këto shprehi përfaqësonin një kursim të madh pune. Pa folur pastaj për kursimin e qymyrit.
Kujt, pyeste veten Watt-i, i detyrohemi për këto shprehi? Vetë Zotit Knott? Apo ndonjë tjetri, ndonjë shtëpiaku të vjetër gjenial për shembull, apo ndonjë dietetisti profesionist? Dhe në mos vetë Zotit Knott, por ndonjë tjetri, apo sigurisht të tjerëve, a e dinte Zoti Knott se shprehi të tilla ekzistonin apo nuk e dinte?
S’e dëgjoje kurrë Zotin Knott të ankohej për ushqimin e tij, edhe nëse nuk e hante gjithmonë. Ai herë e zbrazte tasin, duke ia skërmitur faqet dhe fundin me lopatëzën e tij, gjersa e fekste krejt, herë e linte gjysmën pa e prekur, apo pjesë të tjera, dhe herë e linte të gjithën.
Dymbëdhjetë mundësi iu paraqitën Watt-it, lidhur me këtë.
1. Z. Knott ishte përgjegjës për këto shprehi dhe e dinte që ishte përgjegjës për këto shprehi dhe e dinte se shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
2. Z. Knott nuk ishte përgjegjës për këto shprehi, por e dinte kush ishte përgjegjës për këto shprehi dhe e dinte se shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
3. Z. Knott ishte përgjegjës për këto shprehi dhe e dinte që ishte përgjegjës për këto shprehi, por nuk e dinte se shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
4. Z. Knott nuk ishte përgjegjës për këto shprehi, por e dinte kush ishte përgjegjës për këto shprehi, por nuk e dinte se shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
5. Z. Knott ishte përgjegjës për këto shprehi, por nuk e dinte kush ishte përgjegjës për këto shprehi, as që shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
6. Z. Knott nuk ishte përgjegjës për këto shprehi, as nuk e dinte kush ishte përgjegjës për këto shprehi, as që shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
7. Z. Knott ishte përgjegjës për këto shprehi, por nuk e dinte kush ishte përgjegjës për këto shprehi dhe e dinte se shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
8. Z. Knott nuk ishte përgjegjës për këto shprehi, as nuk e dinte kush ishte përgjegjës për këto shprehi dhe e dinte se shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
9. Z. Knott ishte përgjegjës për këto shprehi, por e dinte kush ishte përgjegjës për këto shprehi dhe e dinte se shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
10. Z. Knott nuk ishte përgjegjës për këto shprehi, por e dinte se ishte përgjegjës për këto shprehi dhe e dinte se shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
11. Z. Knott ishte përgjegjës për këto shprehi, por e dinte kush ishte përgjegjës për këto shprehi, por nuk e dinte se shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.
12. Z. Knott nuk ishte përgjegjës për këto shprehi, por e dinte se ishte përgjegjës për këto shprehi, por nuk e dinte se shprehi të tilla ekzistonin dhe ishte i kënaqur.»

Përkthimi: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top