NDOSHTA ËSHTË EDHE KËSHTU-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Janis Ricos

Me kalimin e viteve, miqtë dhe të njohurit largohen nga njëri – tjetri. Njerëzit bëhen më të komunikueshëm por më pak njerëzorë. Humbasin veçoritë e tyre, asetet e veçanta që i karakerizojnë dhe defektet e tyre pothuajse i nivelojnë. Miqësitë vyshken. Më e çuditshmja… sjellja e tyre me të tjerët. Kohët e fundit tek njerëzit vihet re se edhe veshjet, madje edhe krehjet e tyre ngjajnë së tepërmi. Duket sikur kanë braktisur të veçantat dhe ndryshimet e tyre.

Ndërkohë që ndjen se janë kaq të ndryshëm, madje, këto të fundit duket sikur janë shtuar. Të gjithë veç, të ndarë në shtresa formaliteti dhe ftohtësie të butë.

Ashtu sikurse edhe shtëpitë. Ato një, dy, tre-katëshet e bukura me stolitë e tyre, oxhakët, me lulet e bahçeve, burimet, secila me shijet dhe paraqitjen e tyre, çuditë dhe pakujdesitë e tyre, i dhanë rëndësi monotonisë dhe pafytyrësisë së çimentos, duke fshehur Akropolin, Shën Jorgjin në Likavito, duke shkulur pemët, manat, pishat, kujtimet e fëmijërisë sonë, balonat, telat ku nënat tona ndernin rrobat, yjet, këmbëzbathurit që luanin futboll, bisedat  e mbrëmjes nga dritarja në dritare, nga njëra avlli në tjetrën, aromën e barbarozit dhe vasilikosë, dhjozmës me mbi vete qiellin detar vendas me Hënën, me një copë djathë dhe pjepër të freskët.

Ah, ikën, ikën endacakët, profesionet, zanatet, ustallinjtë e kosit dhe qumështit, të ombrellave dhe jorganëve, të karrikeve e të zarzvateve, druvarët me karrocat dhe kuajt e tyre që transportonin domate e tranguj, pjeshkë e dardhë, trëndafilë që aromatisnin rrugët dhe sokakët, pulat dhe këndesët që kakaritin për të panjohurën e padiskutueshme. As që kishim atëherë nevojë për orët me zile të zgjoheshim, pasi nga njëra anë kishim yjet, nga ana tjetër këndesët që kishin marrë përsipër kohën dhe parashikimin e motit me saktësi, por dhe me përgjegjësi të mençur disi.

Dhe njerëzit u mbyllën ne familje, dhe familjet brenda këtyre kutive të shkurtra, në krah të njëra- tjerës, as njihen, as shihen, as përshëndeten. Në vend të pemëve kanë antenat e televizorit, vetëm pasqyrat e gjata të ashensorëve mbajne ca kujtime erotike të mbrëmjes që shkoi.

Dhe jo të thuash se njerëzit nuk bisedojnë sot. Njerëzit fjalë dhe asgjë, shumë fjalë por nuk bisedojnë, nuk thonë asgjë të tyren, intime, personale, të veçantë. Vetëm fjalë, të huaja, mekanike, gazetareske të interesimit të përgjithshëm, tituj të mëdhenj gazete, sepse…. në të vërtetë shfletojnë shumë gazeta… duke lexuar vetëm shkronjat e mëdha apo titujt e lajmeve ku flitet për krime apo vetëvrasje. Dëgjojnë njëkohësisht lajmet e orës 9.00 dhe 12.00 në televizor (me ngjyra tashmë). Njerëz mjaft të informuar, shumë të pranishëm (këtu dhe sot), por… tërësisht mungon vetja e tyre, e kaluara e tyre, e ardhmja e tyre dhe natyrisht e tashmja e tyre, larg prej të tjerëve…

Përktheu: Nilda Baxha

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top