Prerësja e Purove-Niels Hav

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Prerësja e Purove-Niels Hav


Si një dhuratë të veçantë, gjyshi im më dha një prerëse purosh;
cilësia më e mirë, prej mogani dhe hekuri të pandryshkur.
Ai kishte plane të mëdha për mua.
Ai vetë ishte anëtar i këshillit të qarkut dhe i bordit të bankës;
drejtonte një korporatë dhe ishte në gardën kombëtare
– gjithnjë i dhënë pas puros së mirë.
Ai e ndërtoi shtëpinë e tij në mes të qytetit,
atje, ulej në zyrën e tij me pamje nga rruga kryesore
i hidhte një sy trafikut ndërsa merrej me biznes
dhe tymoste puro. Përshëndeste me mirësjellje njerëz
të shtresës së lartë apo të ulët dhe u ofronte puro nga kutia e fortë.
Për të prerësja e purove ishte një vegël e vlefshme.

S’ka dyshim se e kam zhgënjyer. Unë asnjëherë nuk u bëra
me të vërtetë i rëndësishëm, në përgjithësi isha krejt pa pretendime
për duhanin që pija dhe s’arrita të bëhem anëtar i një bordi banke.
Lashë fshatin me kokën plot me plane të turbullta dhe u bëra
një prej fjalëshumëve të Kopenhagenit.
Fjalët janë të lehta, po ku të çojnë ato?
E vetmja formë e dashurisë dhe respektit që kam
vjen nga familja ime. Të cilën kurrë nuk e meritova.
Gjyshi im vdiq pa më parë të përmbush ndonjë synim që ia vlente.

Prerësen e purove e mbaj ende. Me pak modifikim
mund të përdoret edhe për të hapur shishet e birrës. Jam i mirë për këtë.
Por në çaste intime, ka raste që ndihem me turp.
Nuk ka kuptim të justifikohem: “I Dashur Gjysh, bota ka ndryshuar,
duhani nuk lejohet më, madje edhe drejtori i bankës qëndron jashtë
në shi tani dhe tymos fshehtas si një nxënës shkolle.”
Nuk do të ma besojë. Një shfajësim kaq i trashë nuk vlen asgjë,
sepse nuk më takon mua. Unë jam dështimi i vetes time.

Gjyshi im më shikon skeptik nga një fron i lartë në qiell,
pret majën e një puroje “Kubane”, pastaj e lag me pështymë
dhe e ndez me një çakmak të derdhur në granit.
Fatmirësisht, ai i gropos përrallisjet e mia konfuze në retë e stërmëdha
të tymit të bardhë. Ai nuk flet
por unë e di çfarë po mendon dhe thellë brenda vetes sime
bie dakord me të.


Përktheu: Kujtim Morina

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Librashitësi-Rozafa Shpuza

Librashitësi-Rozafa Shpuza Kapakë historish të zverdhunastivon përditë n’thembër t’bulevardit, e njajtë me
Go to Top