Author

Admin - page 170

Admin has 1899 articles published.

Rajmond Dunkan dhe historia e jashtëzakonshme shqiptare /Luan Rama

in Letërsi by

Luan Rama

Raymond Duncan (Rajmond Dunkan) bën pjesë në atë elitë amerikane e cila u shfaq në Parisin e lirë e antipuritan që në fillimet e shekullit XX, ku veç poetit Oscar Wilde, filozofit Ezra Pound, autorit të “Uliksit” James Joice, që u botua së pari në Paris nga amerikania tjetër Silvya Beach, drejtuese e librarisë “Shakespeare and Company”, ishin më pas dhe Hemingway, Dos Pasos, Anderson, Miller, Orwell, Man Ray e shumë të tjerë. Në 31, Rue de la Seine, në zemër të Parisit, dy hapa nga hoteli ku atëherë jetonte Oscar Wilde, ka një pllakë përkujtimore sipër portës së një ndërtese, ku shkruhet: «Në këtë shtëpi, ku më 1831 ka jetuar George Sand, ka banuar gjithashtu dhe Raymond Duncan, nga viti 1926 deri në vitin 1966, ku krijoi «Akademinë».

Pikërisht në Paris Rajmond Dunkan, bashkë me të motrën, balerinën e famshme Isadora Dunkan, shpalosi personalitetin e tij filozofik dhe artistik dhe u bë një nga figurat interesante parisiane të gjysmës së parë të shekullit XX, jo vetëm me krijimin e kësaj akademie, por dhe me krijimtarinë e tij piktoriale dhe letrare, duke botuar libra poetikë, drama për teatër, etj. Jo më kot, kur «New York Helard Tribun» dërgoi regjisorin e famshëm Orson Wells, për një film dokumentar të titulluar «Përreth botës», një nga intervistat ishte ajo me Rajmond Dunkan, çka tregon dhe për prestigjin e këtij intelektuali të dorës së parë.

Ai u bë spikatës në jetën parisiane edhe për faktin se gjithë jetën e tij, pas zbulimit të Greqisë gjatë vizitës së tij të parë atje, ai u vesh me një tunikë të gjatë të bardhë, vuri në këmbë sandalet, të cilat i prodhonte vetë dhe nuk i hoqi ato kurrë nga këmbët deri sa vdiq. Por Rajmond Dunkan, ky artizan i profesioneve të para të botës njerëzore dhe artist i rafinuar, pati një lidhje të fuqishme me Shqipërinë dhe shkak për këtë ishte Lufta Ballkanike, si dhe beteja për Janinën midis turqve dhe grekëve, kur mijëra refugjatë shqiptarë do të rendnin udhëve drejt Sarandës.

Por cili ishte Rajmond Dunkan?
Rajmond Dunkan lindi në San Francisco, më 1874, në një familje ku i ati ishte bankier dhe nëna e tij, Mary Dora Gray, motra e një senatorit të Kalifornisë, ishte muzikante. Që në fëmijërinë e tij ata mbetën pa mbështetjen e të atit, i cili iku me një grua tjetër duke e lënë familjen e tij në mjerim. Jeta e Dunkanëve ishte një jetë e varfër dhe e trishtë, në një rrugë të humbur dhe të errët në lagjet e irlandezëve, në “Geary Street” dhe në “Taylor Street”, ku më 1878 kishte lindur Dora Angela Duncan dhe pas saj Rajmondi dhe vëllai me motrën tjetër.

Rajmondit i kishin mbetur të fiksuara fytyrat fëminore të Isadorës e Elisabetës dhe vëllait të tij, Agustinit. Sa herë e kishte pyetur të ëmën për gjyshërit e tij, të cilët kurrë nuk i kishte parë, e ëma i përgjigjej se ata kishin ardhur në Amerikë në kohën e urisë së madhe në Irlandë, në vitin 1848.

Meqë jeta e tyre u bë e vështirë, për disa kohë ata u vendosën në New York dhe Rajmondi, bashkë me nënën dhe të motrën luanin teatër në mjediset popullore. Ishin të varfër dhe për t’u ngrohur në dimrin e ashpër shpesh dilnin të ecnin në “Central Park” që të mbanin trupin në lëvizje. Pastaj ata vendosën të nisen drejt Europës dhe fillimthi drejt Londrës. Por edhe aty vështirësitë ishin të mëdha dhe me spektaklet e pakta të nënës dhe Isadoras me pjesë teatrale, ata s’mund të jetonin. Madje disa kohë përfunduan në “Green Park”, ku mblidheshin të pastrehët, lypësit… Atëherë, në vitin 1898, ata ndërmorën udhëtimin drejt Athinës, ku vendosën të jetonin si spartanë. Ishte Rajmondi ai që punonte dhe krijonte gjithçka me duart e tij; enët prej balte, qilimat, mobiljet prej druri, hapja e ujit të pishëm, zbulimi i këngëve bizantine e gregoriane të kishave ortodokse, etj.

Gjithë familja merrej me art. Rajmondi atje u dashurua me një athinase të quajtur Penelopa Sikelianu dhe më pas gjithë familja e la Athinën. Një pjesë u kthye drejt Amerikës, ndërsa Rajmondi, Penelopa dhe Isadora shkuan ca kohë në Berlin.

Duke kujtuar qëndrimin e tyre në Paris, gjatë kohës së ekspozitës universale më 1900, Isadora kujtonte pasionin e madh të vëllait për vizatimin, pikturën, ku me orë e ditë të tëra vizatonte figurat antike në vazot e vjetra, mermerët e lashtë, etj. Madje më vonë ato u botuan të gjitha. Më 1909, Rajmondi bëri një turne të gjatë nëpër Amerikë me spektaklet e tij të dansit antik grek, përzier me poetikën dhe këngët tradicionale. Po atë vit, Isadora zbarkoi në skenat parisiane, në teatrot e “Rue Gaité” të Montparnasse, ku në skenë kërcente zbathur dhe me tunikën e saj të hapur si në teatrot antike.

Më 1911 Rajmondi zbriti në një nga stacionet e trenit në Paris. Një epokë e re niste për të. Por shpejt, një ngjarje do ta tërhiqte përsëri drejt Ballkanit; tragjedia e së motrës, Lufta Ballkanike dhe Shqipëria.

Shqipëria në zi

Deri tani nuk kam gjetur shkrime e kujtime te Rajmond Dunkanit rreth Shqipërisë dhe qëndrimit të tij atje. Të gjitha informacionet janë marrë nga kujtimet e motrës së tij Isadora Dunkan, e cila për nga frymëzimet antike dhe sharmi i trupit të saj, ishte nga balerinat më me emër në Paris. Në librin e saj me kujtime “Jeta ime”, të shkruar në vitet ‘20 të shekullit XX, ndër të tjera, pasi përshkruan qëndrimin dhe udhëtimet e familjes së saj nëpër Greqi, kujton dhe ardhjen e tyre në Jug të  Shqipërisë. Në fakt, asaj sapo i ishin mbytur aksidentalisht në lumin e Senës dy fëmijët e saj të vegjël, bashkë me shërbyesen e tyre. Isadora donte të vriste veten dhe të hidhej në Seine, por Rajmondi erdhi në Paris ta marrë dhe ta çojë në një vend ku vuajtjet dhe tragjeditë njerëzore ishin më të mëdha. “Rajmondi erdhi nga Shqipëria. Si zakonisht ishte gjithë entuziazëm. – Atje, i tërë ai vend është në një mjerim të plotë. Fshatrat janë shkretuar, fëmijët vdesin urije. Si mund të kesh një qëndrim kaq egoist?- më tha ai, – eja të na ndihmosh t’i ushqejmë fëmijët e t’u japim shpresë atyre grave… Fjalimi i tij pati efekt. Vesha sandalet dhe rrobën time të gjatë greke dhe e ndoqa Rajmondin në Shqipëri. Në një mënyrë shumë origjinale ai kishte menduar të ngrinte një kamp për të ndihmuar refugjatët shqiptarë.”
Tek Rajmondi kishte një lidhje të çuditshme me natyrën, një lidhje mjaft të fortë e të qenësishme dhe kjo gjë Isadorës i pëlqente shumë. Ashtu si dhe të tjerët, edhe Isadora e konsideronte atë si “bir të natyrës”. Të ecje zbathur, të ngroheshe rreth zjarrit në natyrë, të qulleshe në shi, për të ishte diçka shumë njerëzore. Njeriu kishte lindur i zhveshur përballë natyrës… Çdo gjë tjetër Rajmondit i dukej konvencion, prandaj dhe ai kërkonte t’i thjeshtonte gjërat gjithnjë. Një jetë e thjeshtë dhe sokratike. Madje i mjaftonte dhe një trung për të mbështetur kokën për të fjetur edhe pse bota atë kohë njoftonte shpikje të mëdha; ballona gjigande «Zepellin» që udhëtonin në qiell, elektrokardiografi, radio, llampa prej mërkuri, ajri i kondicionuar, kamera me ngjyra, madje dhe frigoriferi… Po, Rajmondi nuk e njihte frikën e vdekjes. Vdekja për të ishte po aq normale sa dhe lindja. “E di se kur do të iki një ditë nga kjo botë, unë do të iki i gëzuar“, – thoshte shpesh ai.
Nga të gjithë njerëzit e familjes, madje dhe më shumë se nëna, për Isadorën, Rajmondi ishte njeriu më i afërt, më intimi dhe që e kuptonte më shumë botën e saj. Rajmondi ishte një tip special dhe mjaft i thjeshtë. Mbante flokë të gjata që i binin mbi supe, rrinte zbathur me sandale dhe në trup mbante të hedhur një rrobë të madhe si veshjet e grekëve të lashtë të kohës së Antikitetit. Por mbi të gjitha ishte një natyrë artisti; shkruante poezi, pjesë teatri, luante teatër me Isadorën në Amerikë dhe Angli. Madje, ashtu si dhe në Greqi ku shkuan përsëri më pas, në fshatin Kapamos, në malin Hymet, në një nivel me Akropolin, ndërtuan një shtëpi guri, ai vazhdonte të prodhonte mobiljet e thjeshta prej druri, etj. Ishte një bir i vërtetë i natyrës. Isadora kujtonte shpesh përpjekjet e Rajmondit për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve shqiptarë që i largoheshin të tmeruar ushtrisë greke dhe fronteve të luftës, e cila atëherë ishte një luftë territoresh dhe Shqipëria ishte thjesht një tokë pa zot, një shesh-beteje. Si mund t’i ndihmonte ata të mjerë që donin të mbanin frymën me një kothere bukë?
“Rajmondi shkoi në pazarin e Korfuzit, bleu lesh, e ngarkoi atë në një anije të vogël që e kishte marrë me qera dhe e transportoi në Santa Quaranta, në portin kryesor ku ishin mbledhur refugjatët.

– Po si do t’i ushqesh gjithë këta të urritur? Me lesh? – i thosha Rajmondit. – Dora, prit dhe do të shohësh… Po t’u sjell bukë, ajo do të ishte e mjaftueshme veçse për një ditë, por unë u sjell lesh, sepse dua të bëj diçka për të ardhmen e tyre…

Ne shkuam në bregun shkëmbor të Santa Quarantës, ku Rajmondi kishte ngritur kampin e tij për fshatarët. Në një afishe ai kishte shkruar: “Ato që duan të tjerrin lesh, do të shpërblehen me një dhrahmi në ditë”. Kështu, në molin e Skelës (Sarandë), Rajmondi zbarkoi një mori dëngjesh me lesh. Shumë shpejt Rajmondi u rrethua nga gratë e mjera. Lajmi kishte marrë dhenë. Gratë, shumica të veshura në të zeza, qëndronin të heshtura duke fshehur padurimin e tyre dhe dramën e madhe që përjetonin.
“Shumë shpejt u krijua një radhë e atyre grave të dobëta kockë e lëkurë dhe të uritura. Me paratë që fitonin, blinin misrin që qeveria greke e shiste në port. Në Sarandë unë isha dëshmitare e shumë skenave tragjike. Një ditë, një nënë, ishte ulur rrëzë një peme me foshnjën e saj në krahë dhe tri-katër fëmijë të tjerë të vegjël i ngjiteshin rrotull, të urritur dhe pa mbrojtje. Shtëpia e tyre ishte djegur. I ati dhe i vëllai i saj ishin vrarë nga turqit, bagëtinë ua kishin vjedhur, prodhimet bujqësore ua kishin shkatërruar. Ajo nënë e mjerë kishte ngelur e vetme me fëmijët që i kishin mbetur. Pikërisht për këta fatkeqë Rajmondi shpërndante thasë me patate. Në kampin buzë detit ne ktheheshim të dërrmuar nga lodhja. Por një lumturi e habitshme më depërtonte gjithë qenien. Fëmijët e mi kishin ikur njëherë e përgjithmonë, por tashmë kishte të tjerë fëmijë që vuanin dhe kishin uri. A nuk duhej të jetoja për ta?
Padyshim që është e vështirë ta rikrijosh imazhin e atij gjiri të vogël me pak shtëpi, Skelën (Sarandë siç do të quhej më vonë) ku herë pas here një anije vinte nga Korfuzi për të sjellë herë ndonjë gazetar, herë protestanë amerikanë që vinin nga Korça, herë ndonjë zyrtar, e herë grupin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Tendën e tyre ata e kishin vendosur në shpat, jo larg nga bazilika e rrënuar e Santa Quaranta-s, por që muret e saj kishin mbetur ende në këmbë në mënyrë madhështore.
“- Rajmondi,- vazhdon në kujtimet e saj Isadora Dunkan, – vëllai im i vogël dhe Penelopa kishin shkuar në këmbë në Epir, në Janinë Ç’kurajë!… Nëse do të jetë e mundur ne do të lançojmë një thirrje për t’i ndihmuar ata njerëz. Si mendon? Thonë se janë njëmijë familje që po vdesin nga uria. Mendoj se mund të shkoja edhe unë atje dhe të bëja diçka. Madje kam ëndërruar të krijoj një shkollë dansi, një koloni artistësh. Para meje, nga ana tjetër, shtrihen malet e larta që duket sikur lundrojnë në kaltërsinë midis qiellit dhe Parajsës. Duket si një imazh i Tokës së Premtuar. Nganjëherë, kur i vështroj këto male, më duket sikur dhe unë kam vdekur bashkë me fëmijët e mi, më duket sikur jemi në Parajsë, por duke i ndjerë pranë, atëherë dhimbja rivjen. Sytë e mi nuk do t’i shohin ata kurrë më. Duart e mia kurrë s’do t’i prekin më, dhe unë i rishoh ende, që të dy, tek më bëjnë shenjë me duart e tyre të vogla nga vetura. Dhe atëherë dua të klith. Por në fakt është jeta që vuan?…”
Ishte kohë lufte dhe refugjatët me mijra vazhdonin të dyndeshin drejt Sarandës dhe fshatrave përreth. Në një letër që i dërgonte Helenës, nënës së Tedit, ish-burrit të saj, ndër të tjera Isadora i shkruante: “E shtrenjta Elenë. Ç’lumturi që mora letrën tuaj. Gjithmonë kam menduar për ju, por një ditë do t’ua tregoj se si, pasi nuk mund t’ua përshkruaj. Bashkë me vëllain, Rajmondin, kemi udhëtuar maleve rreth 50 milje në ditë, duke fjetur në qiell të hapët. Kemi parë shumë fshatra të djegur. Ata të mjerë, shtëpitë dhe drithi i të cilëve janë shkrumbuar, do të vdesin urie nëse nuk i ndihmon ndokush. Po përpiqem të ngre streha për fëmijët. Ah të mjerët vogëlushë me ata sy të trishtë. Po kështu dhe ato gra që s’kanë asgjë për t‘u dhënë…”

Pikërisht në këtë kohë, duke shitur qilimat dhe mbulesat e bukura, Rajmondi ngriti dhe një furrë buke ku gatuhej me miell gruri. Një dashuri e çuditshme e kishte lidhur me këta njerëz që nuk i kërkonin asgjë Zotit të tyre veç të jetonin në paqe në trojet e tyre të lashta dhe larg luftrave.
Tani, pas më shumë se një shekulli, përpiqem të imagjinoj atë skenë prekëse në Skelën e mjerë, kur ajo furrë e vogël prej balte filloi të prodhojë bukët e para për ata njerëz të uritur. Me paratë e qylymave që punonin ato gra dhe që shiteshin në Korfuz e Londër, Rajmondi blinte miellin që të prodhohej buka e tyre, pasi në ato kohë lufte fushat ngado ishin të shkretuara dhe dergjeshin në zi. Vetë jeta dhe fëmijëria e tij e varfër e kishin mbushur shpirtin e këtij njeriu më një humanizëm të skajshëm.
Më së fundi pas gjashtë muajsh, përballë asaj tragjedie të madhe të këtij populli dhe jetës që përsëri po lulëzonte, Isadora e ndjeu se dhe tek ajo po lindte përsëri dashuria për jetën dhe artin, për skenën. Një dëshirë e çuditshme e kapi për të rendur drejt skenave të Parisi. Kështu, një ditë, Rajmondi me Penelopën e përcollën në Korfuz, ku me një anije ajo u nis drejt Italisë, prej nga do të shkonte drejt Marsejës. Rajmondi u kthye përsëri në skelë të vazhdonte jetën më atë popull, që pas kaq vuajtjesh po shikonte disa ditë të bardha.
Pikërisht në këtë periudhë Rajmondi do të shoqëronte Ambasadorin Amerikan që ishte në Athinë gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Ishte Rajmondi që e priti në Korfuz dhe e shoqëroi në Vlorë e Durrës për të takuar krerët e qeverisë së re shqiptare për të parë nga afër gjendjen e vërtetë të këtij vendi të vogël që orë e çast kërcënohej nga synimet shoviniste të fqinjëve të saj. Vallë a e kishin takuar Ismail Qemalin? Me cilët qeveritarë të tjerë ishin takuar? Në atë kohë Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit vazhdonte inspektimet e tij dhe ata padyshim do të jenë takuar me të. Kjo vizitë e Ambasadorit Amerikan për Shqipërinë ishte vendimtare, pasi raportet e ambasadorit do të ndikonin në vendimet e mëpasme të Amerikës për të mbrojtur trojet shqiptare.
Disa muaj më vonë edhe Rajmondi u nda me banorët e Skelës për t’u larguar përfundimisht. Padyshim që do të ketë diçka prekëse për banorët e kësaj qyteze ndarja me këtë njeri të madh. Nga Shqipëria, Rajmondi zbarkoi përsëri drejt Parisit, metropolit të kulturës së botës. Ai s’do të kthehej më kurrë në Shqipëri.
Në librin me kujtime “Autobiografia e Alice Toklas”, Gertrude Stein, mike e afërt në ato vite me Rajmond Duncan, shkruante:“… Në këtë kohë, Rajmondi, vëllai i Isadora Duncan, mori me qera një atelier në Rue de Fleurus. Ai sapo ishte kthyer nga udhëtimi i parë në Greqi dhe kishte sjellë me vete një greke si dhe rroba që veshnin grekët. Punonte si agjent publiciteti i Emma Nevada-s, e cila atë kohë bënte një turne me Pablo Casals, violinçlist, që atë kohë ishte i panjohur. Familja Duncan kishte filluar lidhjen shpirtërore me poezitë e Omar Khajamit dhe ende merrej me të. Ata akoma nuk e kishin bërë Greqinë e vjetër të tyren. Pastaj erdhën dhe u vendosën në Paris në Rue de Fleurus, kohë kur iu kushtuan Greqisë. Isadora ishte disi e ftohtë ndaj gruas greke të vëllait të saj, ndoshta pse e gjykonte si jo moderne. Por Rajmondi s’kishte asnjë të ardhur dhe gruan e kishte shtatzënë. I dhamë qymyr për t’u ngrohur dhe një karrige, ku Penelopa të mund të ulej. Pjestarët e tjerë të familjes uleshin mbi ca arka dërrasash. Ata kishin dhe një mike tjetër që i ndihmonte, Kathleen Bruce, një angleze shumë e bukur dhe tepër sportive, e cila ishte skulptore. Më vonë ajo do të martohej me Scott, zbuluesin e Polit të Jugut, por mbeti vejushë pas vdekjes së tij. Edhe ajo në këtë periudhë nuk kishte pará dhe çdo mbrëmje, gjysmën e ushqimit të saj ia jepte Penelopës, e cila më së fundi lindi një fëmijë që u quajt po Rajmond, sepse ditën që vëllai im dhe Rajmondi shkuan në bashkinë e Parisit të deklaronin lindjen e fëmijës ata ende nuk kishin zgjedhur një emër, dhe kështu e quajtën Rajmond. Por tani atë e thërrasin Menalkas. Por duhet të jetë diçka e gëzueshme për të që emri i tij i vërtetë është Rajmond. Një ditë, Rajmondi, Penelopa dhe motra e saj e veshur si parisiane, bashkë me një grek shtatlartë me një fytyrë të nxirë nga dielli, kishin ardhur për darkë te ne. Kur hyri, greku që po shikonte tablotë nëpër mure tha duke qeshur: «Unë jam një grek, d.m.th., kam një shije të vërtetë. Këto tablo janë të neveritshme!»… Që nga ajo ditë Rajmondi me gruan, kunatën, dhe kushëririn grek nuk u dukën më në shtëpinë tonë në Rue de Fleurus…»
Që nga ajo kohë Rajmondi nuk do ta linte më Parisin. Me këtë qytet u lidh gjithë jeta e mëpasme e tij; arti, letërsia, bota intelektuale franceze e botërore, humanizmi dhe idetë utopike të një shoqërie rë re e solidare. Leximet e Platonit, Sokratit dhe Marksit i kishin hapur horizonte të reja. Që në fillim ai i mbështeti korrentet e reja letrare e artistike që lindën në Francë pas Luftës së Parë Botërore, duke filluar me dadaistët, surrealistët, etj. Krijimi i Akademisë mblodhi rreth vetes artistë e intelektualë të njohur. Ja pse dhe Orson Wells do ta zgjidhte si një nga personazhet spikatëse të botës amerikane në Paris, të cilin do ta intervistonte dhe do ta vizitonte në Akademinë e tij. Ky film u shfaq në vitin 1955 dhe pati një jehonë të jashtëzakonshme me xhirimet e ndryshme, ku shohim dhe personazhe të tjerë si Jean Cocteau, Beauvoir, Juliette Greco, etj.

Në moshën 73 vjeçare, Rajmond Dunkan hodhi idenë që diku në mes të Atlantikut të krijohej një qytezë simbolike “New-Paris-York”, si ideal i bashkëpunimin internacional ndëratlantik.

Rajmond Dunkan vdiq në Cavalaire-sur-mer (Côte d’Azur) në vitin 1966. Me rastin e 100 vjetorit të Akademisë së krijuar në Paris, në shumë veprimtari u kujtua roli humanizmi i Dunkanit. Një medalion u krijua me portretin e tij. Qytetarët e sotëm të Sarandës apo çdo shqiptar, duhet ta njohin historinë e këtij njeriu dhe duhet ta përkujtojnë këtë njeri humanist, që në ditët më të vështira u gjend pranë tyre, pranë tragjedisë së një populli.

Dimri i Michiganit-Anita Zela

in Letërsi/Tharm by

Anita Zela

Mara Gjoni hyri në restorantin Amore da Roma në Detroit, fiks në orën 7 e gjysmë të së dielës. Kisha arritur aty rreth 20 minuta më parë.

Atë mëngjes isha zgjuar si çdo ditë herët dhe me plogështinë e një të diele me borë të ngrirë në çdo cep, kisha pirë kafen pas xhamit të verandës i përhumbur në kujtimet e borës së qytetit tim në Shqipëri. Zilja e telefonit më kishte trembur. Krejt i shushatur kisha parë emrin e saj mbi ekran dhe më ishin dashur disa sekonda dhe një frymëmarrje e thellë para se ta hapja.

– Mirmëngjes!

I njëjti zë i ulët i saj sikur fliste diku aty afër teje… pas më shumë se pesë vjetësh.

– Shpresoj nuk të zgjova unë.

– Jo, jo, – nxitova të them. Pastaj një frymëmarrje tjetër dhe… – Si të kam?

– A mund të shihemi diku për një kafe?

– Patjetër. Ku?

Ajo propozoi Starbuks-in e rrugës Rusel dhe unë e mblodha mendjen të përpiqem për më shumë.

– Mara, a mund ta lëmë për drekë ose darkë diku? Unë kam një takim me një amerikan rreth orës 9 e gjysmë që nuk mund ta anulloj.

Ajo heshti pak e pastaj tha:

– Po mirë, pasdite. Kur?

Duke u përpjekur shumë të mos e shpreh në zë egzaltimin i propozova Amore da Roma dhe orën 7 e gjysmë dhe ajo vetëm pëshpëriti një “okay” dhe mbylli telefonin. Unë ktheva me fund gjysmën e kafes së ftohtë që mbaja në dorë.

Mara Gjoni është nga ato gra që je me fat nëse i takon vetëm një herë në jetë. Për t’i harruar pas kësaj nuk bëhet fjalë. Kjo kishte ndodhur me mua.

Ajo hyri dhe njësoj unë ndjeva si më ngushtoi fytin emocioni. Kishte një kapele të zezë mbi flokët e gjatë dhe në fytyrën meit feksnin vetëm buzët e kuqe flakë. Erdhi ngadalë, as që ma zgjati dorën megjithëse isha ngritur në këmbë, hoqi pallton, kapelen e çantën dhe u ul me një buzëqeshje në cepat e buzëve. Sikur kishim qenë bashkë para dy orësh.

Kishim qënë para pesë vjetësh në një darkë si kjo. Më pas ishim parë rrallë, gjithsej 3-4 herë në ambjente shqiptarësh ku veçse ishim përshëndetur (me kujdesin e veçantë të saj që të gjendej sa më larg meje) dhe kishim dy vjet pa e parë anjëherë njëri-tjetrin.

U ula pas saj dhe u mbështeta mbi tavolinë. Ishte padyshim më e bukur se pikturat e saj. Desha ta gjeja aty në cepat e buzëve përgjigjen pse më kishte thirrur, por veç buzëqeshjes s’kishte gjë tjetër. Sytë. Piklat e dritës në retinën kafe, qerpikët hije mbi fytyrën pa gjak, shikimi i mbledhur në një pikë diku në ballin tim…

Kishte diçka të gënjeshtërt në atë që tregonte! E kuptova dhe u mbështeta pas. Qëndruam pa folur, unë duke parë borën e ngrirë brenda bukurisë pa fre përballë meje e ajo duke menduar borën e saj me sytë ngulur tek unë.

– Është i ftohtë dimri këtu.

– Sot po mendoja për rosat e egra. Disa prej tyre nuk largohen asnjëherë drejt vendeve të ngrohta?

– Mendoj që ato emigrojnë në dimër.

– Vetëm disa nuk ikin.

Ajo shikoi nga dritarja dhe unë ndoqa shikimin e saj. Kishte filluar të binte borë. Një vajzë e re erdhi të marrë porosinë dhe ne ramë dakord të merrnin verë. Mbeta duke fiksuar buzëqeshjen në cepat e buzëve të Marës. Ajo kishte harruar që e kishte aty.

– A je i plotë këtu Idlir?

– Mirë jam, ti e di. Pse të ankohem? Kam punë, pará, shokë. Kam dëgjuar se edhe ti ke ecur mirë.

– A ndihesh i plotë, jo a je mirë. Të ecësh mirë ka vetëm kuptimin të bësh pará?

– I plotë? Çfarë do të thotë të ndihesh i plotë? Të jesh mirë, të jetosh një jetë të mirë, të kesh mundësi të bësh gjërat që do, t’u sigurosh diçka fëmijëve. Pse ti nuk ndihesh e plotë?

Ajo shikoi përsëri nga ditarja. Bora kishte shtruar mirë dhe vazhdonte të binte me flokë të vegjël por të dendur.

– Unë s’jam e plotë që prej shumë kohësh dhe jo vetëm këtu, – tha.

Qesha pak, megjithëse brenda fjalëve të saj kishte më shumë pengje se sa mund të thoshin fjalët.

– Mara Gjoni, nëse nuk je ti e plotë, unë nuk e di çfarë mbetet të thonë të tjerët.

– Secili flet për vete Idlir. Unë nuk ndihesha e plotë në Shqipëri e ika. Kur e mora e kuptova se s’ishte asgjë në krahasim me atë që më mungonte.

– Çfarë të mungonte?

– Një cope zemre, kishte mbetur atje në rrugët me gropa e pluhur të Shqipërisë.

– Të gjithëve na mungon vendlindja.

Ajo më shikoi paksa gjatë.

– Mbase, por nuk është vetëm kjo.

Atëherë unë e shikova gjatë.

Mara Gjoni në një moment dobësie, kurioziteti a inati (s’kisha mundur ta kuptoja kurrë) më kishte dhënë trupin e saj për një natë pesë vjet më parë. Pas asaj ne kishim folur me njëri-tjetrin pak herë. Çdo herë që e kisha thirrur ishte sjellë me sportivitetin e dikujt që nuk pendohet për çfarë ikën, edhe sikur të bindet se ka qënë gabim, por… ajo më kishte shpërfillur me një indiferencë të ftohtë si akulli, e të ndritshme si bora. Kur kishte qëlluar të shiheshim në ambjente të përbashkëta kishim folur, madje edhe ishim përqafuar si të gjithë kur takohemi (i ishte përgjigjur duke qeshur përqafimit tim dmth.). Ato çaste kisha marrë zemër por… që mbas dy javësh nga ajo natë ajo nuk ma kishte hapur më kurrë telefonin deri atë mëngjes.

Kishte porositur vetëm një sallatë nga e cila mori saktësisht tre herë, qëndroi pa folur derisa unë e mbarova roston dhe sallatën, nuk bëri asnjëherë gëzuar dhe e mbaroi gotën e saj me sytë disa herë mbi ballin tim e më shumë herë nga dritarja.

Mbarova dhe iu ktheva gotës.

– Ta pimë për atë vendin e poshtër që kemi por që na mungon si dreq, – tha.

– Gëzuar, – ia ktheva dhe pasi piva e lashë gotën, u mbështeta pas.

Ajo vazhdoi dhe pak çaste të shihte jashtë e pastaj u kthye nga unë.

– E di si jam ndjerë në këtë vend? Sikur koha nuk ikën. Çdo ditë ka filluar e njëjta ditë si më pare. Nuk e kam fjalën për rutinën, sepse ajo ka ndryshuar shumë që nga koha kur erdha.

E shikoja në buzët e lyera dhe desha t’i them “Koha ka ndalur vërtet për ty e dashur” por ajo me sytë ngulur në gotën e saj vazhdoi:

– Më duket se kam mbetur në të njëjtën datë, vetëm duke menduar kthimin. Çdo mëngjes kam qënë në atë moshë që kam ikur. Mendoj se në atë moshë janë të gjithë atje. Janë në të njëjtën gjendje edhe sendet, edhe qilimi i prindërve, edhe kapela e tim eti, edhe sheshi i qytetit, madje edhe pemët anash rrugëve. E di që s’është e vërtetë, por e vërtetë nuk është as ajo “mirë” që më tregon ti. Jo vetëm për ty, për të gjithë ne. Këtu asgjë nuk është e plotë, as mërzia. Nëse dëgjoj sëmundjen e dikujt, mendoj se malli e ka sëmurur, nëse mësoj dështimin e dikujt, mendoj se mërzia e ka mbytur, nëse dëgjoj fjalë të këqija të dikujt, mendoj se mungesa i është kthyer në inat… Jemi përgjysmë këtu, ndaj sillemi në të njëjtin qark plogështie pa munduar as të gëzojmë e as të vuajmë plotësisht.

Ja mbusha gotën. S’e dija në isha dakord. Doja të dija pse më kishte zgjedhur mua për t’m’i thënë. Doja të dija në do të vinte me mua pas darkës…

– E gjithë Amerika u ndërtua dhe jeton nga refugjatët Mara. Të gjithë këta njerëz në kohë të ndryshme kanë lënë nga një tokë diku.

– Prandaj të gjithë ata nuk kanë dalë kurrë nga kompleksi i inferioritetit.

Unë qesha me zë.

– Ata janë mbretërit e botës, vetëm inferiorë nuk duken.

Ajo ngriti vetullat lart dhe tundi kokën në shenjë mohimi.

– Unë mendoj se jo, Idlir. Ata kanë nevojë të ndihen kudo si mbretërit por në fakt brenda tyre ndihen të paplotë. Kanë nevojë për një emër të madh. Hyjnë në luftëra që nuk janë të tyret, blejnë çdo mendje të ndritur, madje dhe sistemin e matjeve e mbajnë të ndryshëm. Janë thjesht ca dreq mendjemëdhenjsh që u pëlqen të mburren, e për mua kjo është forma më e hapur e të ndjerit inferior brenda, aty ku askush nuk të sheh.

– Shikoji, – ajo bëri me kokë nga dritarja duke qeshur pak, – ata pothuaj të gjithë kanë makina të mëdha. Ky vend s’ka asnjë rrugë me gropa dhe malet jane mijëra milje larg që këtu. Jam e bindur që të gjithë kanë edhe nga një flamur në makinë.

Qesha përsëri me idenë e saj. Nuk e kisha menduar kurrë ashtu dhe as nuk e besoja atë që thoshte, por mënyra si ajo fliste të detyronte të mos e kundërshtoje edhe sikur të ishte 1000 përqind gabim.

– Gëzuar! Për Amerikën, – tha ajo dhe piu duke qeshur.

Trokita gotën dhe e pyeta:

– Pse deshe t’më takosh Mara?

– Ah, dua të të jap një porosi, – tha sikur deri atë çast kishte harruar se pse më kishte kërkuar.

– Patjetër, – thashë.

– Kam disa piktura që dua t’i fal në biznese shqiptarësh, a mundet ta bësh ti për mua?

– Po patjetër që unë mund ta bëj por… Pse do t’i falësh pikturat? Ti mund të bësh një ekspozitë e shqiptarët mund t’i blejnë aty.

Ajo qeshi pak dhe anoi kokën në njërën anë duke më parë. E djeva atë “sa i vogël je” deri në mes të gjoksit dhe më erdhi keq që kisha folur pa menduar.

– Harroje, – i thashë e ula sytë.

– Unë e kam arritur atë shumën që kam dashur për të jetuar mirë Idlir, dhe e kam luksin dhe mendjen të them “mjaft” ende pa u bërë rob i saj.

U ndjeva edhe më i vogël nga buzëqeshja me të cilën m’i tha ato fjalë se sa nga vetë fjalët…

– A mund t’i dërgoj pikturat në biznesin tënd? – vazhdoi ajo, – sipër do kenë të gjithë emrat ku dua t’i dërgosh, s’ka nevojë ta bësh për një ditë. Heshta.

Ishte e bindur që më pare se do e pranoja porosinë e saj, madje edhe që do e bëja sa më shpejt të mundja… Unë nuk e dija pse ajo grua më kishte shmangur në pesë vjet. Nuk e dija as ç’kuptim kishte për të më prezantonte tek të gjithë shqiptarët si mikun e saj. Atë çast nuk i dija as fjalët për t’i thënë se doja të paktën edhe një natë të vetme me të, aq më shumë pas asaj darke. Mbeta me sytë jashtë disa çaste kur ndjeva karrigen e saj.

– Po iki, – tha para se ta pyesja. – Do të t’i dërgoj nesër në adresën e biznesit.

U ngrita në këmbë. Vuri pallton dhe çantën në krah, kapelen e mori në dorë dhe qëndroi përballë meje. Më rrahu pak gjoksin në vendin e zemrës dhe u kthye dhe iku pa më dhënë dorën e pa më thënë “natën e mirë”. U ula përsëri dhe prita për llogarinë.

Kot të them që fjeta atë natë. Mara Gjoni më kishte hyrë me çdo fije floku në çdo qelizë të trurit e trupit.

Mëngjesi shënonte 5 gradë Fahrenheit. Uf. Mara Gjoni. Sistemi i matjes së amerikanëve. E ktheva edhe telefonin në grade celcius!!!

Sorra të zeza fluturonin afër borës e bërtisnin me atë zërin e çjerrë krrokamë. Liqeni i Michiganit ishte mbuluar e zbardhur nga akulli si një pistë gjigande patinazhi dhe unë ngava ngadalë drejt zyrës në biznesin tim duke kthyer gotën e madhe me kafe e duke ndezur cigaret njëra pas tjetrës. Zakonisht atë rrugë e bëja duke folur në telefon me furnitorët, por atë mëngjes nuk iu përgjigja asnjë thirrjeje.

Ora ishte rreth 11-tës kur menaxheri më gjeti duke biseduar me një prift amerikan që drekonte shpesh tek ne.

– Më fal Idlir,shoferi i një uberi thotë se ka një porosi për ne nga Mara Gjoni.

– E di, – i thashë dhe nxora nga xhepi çelësin e zyrës. – Dërgo dy nga çunat t’i marrin e t’i dërgojnë në zyrën time.

Pastaj deri në gjashtë pasdite bëra gjithçka për të mos shkelur atje!!!

Hyra më në fund. Në tokë, mbështetur pas dy kolltukëve, përballë tavolinës sime ishin 16 piktura të veshura secila me plastikë të zezë e me nga një etiketë me emrin dhe adresën ku ishte caktuar. I pashë me radhë të gjitha etiketat. Njëra kishte vetëm emrin. Idlir Osmani. Nuk e hapa, vetëm e ngrita nga toka dhe e vura në tavolinë.

Pastaj mora vetëm atë që kishte emrin e Gjergjit, shokut tim të ngushtë e dola për të shkuar tek ai.

Pikturat u shpërndanë për dy ditë. Disa i kishte dërguar një nga punëtorët e mi, por pesë prej tyre i kisha dërguar vetë sepse ishin për miqtë e mi. I kisha parë të gjitha. Peizazhe të Detroidit, akuj e liqene, zogj të mëdhenj, kalimtarë të vetmuar rrugëve të ngrira, bredha të mbuluar me borë, kolube të ndriçuara me dru për zjarr anash (piktura ishte caktuar për Zef Prelën nga Malësia e Dukagjinit)… Kishte në secilën një copë Shqipërie… madje edhe kur piktura tregonte një violinë pa zot mbi një tavolinë. Ajo ishte për Gjergjin sigurisht…

Nuk e di a i lexonin si unë edhe të tjerët, por mua secila më hiqte edhe një copë tjetër nga ajo që Mara Gjoni e kishte quajtur “I plotë”. E lexova në të gjithë fytyrat e tyre kur i shihnin.Mara ma kishte thënë.

Nuk e hapa pikturën time për një javë. Çdo ditë u përpoqa të flas me të. Doja vetëm t’i thosha a mund të vinte për të qënë me mua kur ta shihja. Pas një jave u dorëzova. Jo se kisha hequr dorë nga dëshira për të parë Marën e pikturën në të njëjtën kohë, por sepse shpresova se ndoshta do mund të flija përsëri si më parë po ta shihja.

Ishte përsëri mëngjes i ftohtë. Minus 14 gradë celcius. Si të gjithë dimrat e Detroitit. Ngava shpejt, mora gotën e kafes me vete e shkova drejt e në zyrën time. Plastikën e grisa me dhëmbë në njërin cep e pastaj e shqeva të gjithë. Nuk e di sa minuta qëndrova aty… E njihja atë peizazh… Atje e kisha parë për herë të parë Mara Gjonin… Nuk e njihja vajzën e vogël, kapur pas dorës së saj, ndërsa ecnin mbi urën që humbte në mjegull…

Dola të ec në rrugët e ngrira me mjegull të Detroitit…

Nëntor, 2018

Gjuha e fluturave-Manuel Rivas

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Manuel Rivas

Pas funeralit, në varrezat San Amaro, shkuam në bar Huevito e pastaj tek Davidi për të kthyer ndonjë gotë për nder të të ndjerës.

Kishte vdekur e ëma e Fontanës.

Ai ishte i përhumbur, sikur të kishte akoma arkivolin mbi shpatulla, dhe kishte atë pamjen e fajtorit që kanë zakonisht fëmijët kur humbasin nënën.

Nëna e tij ishte e sëmurë me Alzheimer dhe e ngatërronte të birin me atë burrin që jepte parashikimin e motit në televizion. “Shikojeni sa serioz dhe sa bukur është veshur”, thoshte. E i dërgonte një puthje me dorë dhe e drejtonte nga ekrani.

Fontanta e shikonte sëmundjen e saj si shenjë proteste, si një akuzë ndaj pritjeve të saj të gjata. Ishte beqar si të gjithë ne dhe i pëlqente të dilte dhe të argëtohej. Filloi madje të kishte edhe një lloj ndjenje xhelozie ndaj burrit që prezantonte motin. Deri sa edhe filloi të na dukej se i ngjante.

Një herë Fontana veshi një kostum të zi dhe shkoi afër së ëmës e i tha: – Mama jam unë.

– E shikoj që je ti. Jam lutur kaq shumë që një ditë të lejonin të dilje nga ekrani.

Në banak ishte ulur Corea. Ishte një pijanec i vetmuar, të cilit nuk i afrohej askush. Ama ato pak herë që fliste, i dilnin nga goja apokalipse të mëdha, të shoqëruara me një zë të plotë e të trashë. Ndaj kur ju aftua Fontanës, të gjithë u afruam ta dëgjonim.

Por Corea i vuri dorën mbi shpatulla dhe e ngushëlloi në një mënyrë të habitshme: – Të vdekurit duhet t’i lesh të lirë. Nuk duhet t’i mbajmë gjatë. I hiqet një tjegull çatisë, që shpirti të gjejë vendin e tij.

Pa shtuar asnjë gjë tjetër, Corea u kthye tek banaku dhe piu atë që i kishte mbetur në gotë.

Në mbetëm të heshtur. Tani ishte momenti të ngrinim një dolli për shpirtin. Për shpirtin!

Përktheu: Blerina Berberi

Fjalimi i shkrimtarit amerikan William Faulkner me rastin e marrjes së çmimit Nobel

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Ishin vitet 50-të. Shkrimtarët shkruanin në Epokën e Bombës Atomike. Nën kërcënimin e projekteve distopike që sillte epoka e ankthit;  një fenomen kulturor i llojit: “Sot u gdhiva gjallë dhe shëndoshë e mirë.”

Në këtë fjalim Faulkner-i thekson se sa toksik bëhet kreativiteti kur shkrimtari shkruan në ankth dhe frikë.

Kur ai e mbajti fjalimin, për shkak të cilësisë së keqe të zërit dhe oviacioneve në sallë, nuk u kuptua mirë, por të nesërmen kur bota e lexoi në gazeta, ajo kuptoi se sa i thellë dhe brilant kishte qenë.

____________

William Faulkner

Zonja dhe Zotërinj!

Ndiej se ky çmim nuk më takon mua si person, por i takon punës sime-punë e një jete të tërë në agoninë dhe stërmundin e shpirtit njerëzor, jo për lavdi dhe aq më pak për përfitim, por për të krijuar nga materialet e shpirtit njerëzor diçka që nuk ka ekzistuar më parë.

Kështu ky çmim po më besohet mua. Nuk do të jetë e vështirë të gjej një dedikim për pjesën që i takon paráve, konform qëllimit dhe kuptimit të origjinës së tij. Por do të doja gjithashtu të bëja të njëjtën brohoritje, duke e shfrytëzuar këtë çast si një kreshtë nga ku mund të dëgjohem prej vajzave dhe djemve të rinj që i jane dedikuar tashmë të njëjtit ankthi dhe stërmundi, ku në mes të të cilëve është patjetër dikush që ndonjë ditë do të jetë këtu ku jam unë tani.

Tragjedia jonë e sotme është frika e përgjithshme fizike uiniversale, e përzgjatur në kohë deri më tani, që ne madje edhe mund të durojmë. Nuk ka më probleme shpirtërore. Është vetëm pyetja: – Kur do të hidhem në erë? Për shkak të kësaj, ai djali i ri dhe ajo vajza e re që sot shkruan, i ka harruar problemet e shpirtit njerëzor në konflikt me veten, të cilat e bëjnë të mirë të shkruarin, sepse vetëm për këtë ia vlen të shkruash, vetëm për këtë vlen agonia dhe mundi.

Ai duhet t’i mësojë ato sërish. Ai duhet t’i mësojë vetes se baza e  të gjitha gjërave është që të ketë frikë; dhe, duke ia mësuar vetes këtë, ai e harron përgjithmonë atë, duke mos lënë vend në punën e tij për asgjë tjetër përveç të vërtetave të vjetra dhe të vërtetës së zemrës; të vërtetat e vjetra universale, pa të cilat çdo rrëfim është kalimtar dhe i dënuar – dashuria dhe nderi, mëshira dhe krenaria, dhembshuria dhe sakrifica.

Derisa ta bëjë këtë, ai përpiqet si nëpër një mallkim. Ai nuk shkruan për dashurinë por për epshin, për disfatat ku askush nuk humbet asgjë me vlerë, për fitoret pa shpresë, dhe më e keqja e të gjithave; pa mëshirë apo dhembshuri. Brengat e tij nuk vuhen në asnjë eshtër universale, duke mos lënë asnjë plagë. Ai nuk shkruan nga zemra, por nga gjëndrat.

Derisa t’i rilindë këto gjëra, ai do të shkruajë sikur të qëndronte në mes dhe të kundronte fundin e njeriut. Unë refuzoj të pranoj fundin e njeriut. Është e lehtë të thuhet se ai është i pavdekshëm thjesht sepse ai do të durojë: se kur dingdongu i fundit i dënimit ka rënë pa dobi i bjerrur prej shkëmbit, pas të cilit mbërthehet fort në mbrëmjen e fundit, të përskuqur, të vdekur, edhe atëherë do të ketë prapë një tingull më shumë; ai e zërit të tij të palodhur, ende duke folur.

Unë refuzoj ta pranoj këtë. Unë besoj se ai nuk do të durojë, por do të mbizotërojë. Ai është i pavdekshëm, jo ​​sepse  i vetëm midis krijesave ka një zë të pashtershëm, por sepse ka një shpirt, një shpirt të aftë për dhembshuri, sakrificë dhe durim.

Detyra e poetit, e shkrimtarit, është të shkruajë për këto gjëra. Është privilegji i tij ta ndihmojë njeriun të durojë duke ia ngritur peshë zemrën, duke i kujtuar atij guximin, nderin dhe shpresën; krenarinë, dhembshurinë, mëshirën dhe sakrificën, të cilat kanë qenë lavdia e së shkuarës së tij. Zëri i poetit nuk duhet të jetë thjesht gjurma e njeriut, por ai mund të jetë një nga provat dhe shtyllat për ta ndihmuar atë të durojë dhe të mbizotërojë.

Përktheu: Arlinda Guma

Sot-Humberto Ak’Abal

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Sot-Humberto Ak’Abal

Sot u zgjova jashtë vetes

E dola ta kërkoja.

 

Eca nëpër rrugë e nëpër rrugica,

Derisa e gjeta…

 

Mbi një dru të myshkur,

Nën këmbët e një vreshti,

Duke biseduar me mjegullën,

 E duke u munduar të harroj atë që nuk mundem ta harroj…

Nën këmbët e mia.

Gjethe…. vetëm gjethe.

 

Përktheu: Blerina Berberi

MBI URË-Heinrich Böll

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Heinrich Böll

M’i ndreqën disi këmbët dhe më dhanë një punë ku mund të qëndroj ulur: duhet të numëroj njerëzit që përshkojnë urën e re. Ngaqë u pëlqen të provojnë, nëpërmjet statistikave, dobinë e zellit të tyre, ata dehen me një mbledhje të pakuptimtë shifrash dhe kjo është arsyeja që gjithë ditën e ditës goja ime lëviz heshturazi; nëpërmjet një mbledhjeje të ngadaltë njësish duhet të fitoj një shumë që çdo mbrëmje ia paraqes gjithë triumf shefave të mi. Fytyrat u shndrisin kur u them rezultatin: sa më e lartë të jetë shifra, aq më tepër ata ngazëllehen dhe, veç kësaj, kanë arsye të flenë rehat, sepse çdo ditë janë me mijëra njerëzit që përshkojnë këtë urë.

Por statistikat e tyre çalojnë. Keq më vjen por kështu është. Unë nuk jam një njeri të cilit mund t’i zësh besë, ndonëse e kam aq aftësi sa të tjerëve t’u dukem i ndershëm.

Ka raste kur më kap një kënaqësi dashakeqe për të hequr ndonjë kalimtar dhe, herë të tjera, kur më ndjellin mëshirë, për të shtuar. Lumturia e shefave varet prej meje. Kur më zë tërbimi, ngaqë më mbaron duhani, u tregoj vetëm një mesatare, madje më pak se mesatarja; përkundrazi, kur zemra më çohet peshë nga gëzimi, dashamirësia ime e papërmbajtur shprehet me një numër prej pesë shifrash.

Në raste të tilla, ata i pushton një gëzim i paparë. Çdo mbrëmje ma rrëmbejnë rezultatin nga duart, sytë u shkreptijnë dhe, të bindur për besnikërinë time, më rrahin shpatullat. Pastaj zënë të shumëzojnë, të pjestojnë, të bëjnë përqindjet e ku di unë çfarë tjetër. Përllogarisin numrin e njerëzve që kanë kaluar urën në aksh ditë gjatë një minute dhe numrin e atyre që i bie ta kenë kaluar në dhjetë vjet. Kanë një parapëlqim për të parashikuar të ardhmen, parashikimi i së ardhmes është specialiteti i tyre e, megjithatë, me keqardhje e them se e gjitha kjo çalon.

Kur mbërrin vajza që dua – ajo kalon dy herë në ditë – zemra më resht së rrahuri. Tik-taku i palodhshëm ndalet derisa ajo të kalojë urën e të më humbë nga sytë. Të gjithë ata që kalojnë në atë kohë, i lë pa numëruar. Janë dy minuta që më përkasin mua, nuk i lë dot të më ikin. Në mbrëmje, kur ajo kthehet nga dyqani i akulloreve, ku kam marrë vesh se punon, dhe kur shkon në anën tjetër të trotuarit, para buzëve të mia memece që kanë për mision të numërojnë pa pushim, zemra më resht edhe njëherë dhe punës i rikthehem vetëm kur nuk arrij ta shoh më. Të gjithë ata që kanë fatin të kalojnë gjatë atyre dy minutave, nën vështrimin tim të verbër, të gjithë ata nuk do të hyjnë kurrë në mbretërinë e përjetshme të shifrave: fantazma të gjora burrash a grash, qenie të kushtuara hiçit që, në të ardhmen e statistikave, nuk do të enden me të tjerët…

Është e sigurt që e dua. Por ajo nuk di asgjë dhe unë nuk dua që ajo ta dijë. Ajo nuk duhet të dyshojë se në ç’mënyrë të llahtarshme e bën rrëmujë numërimin; fluturoftë shend e verë te dyqani i akulloreve, me ato flokët e gjatë ngjyrë gështenje dhe me ato kyçet e holla, dhe fitoftë sa më shumë bakshishe! E dua, s’ka asnjë dyshim që e dua!

S’ka kaluar shumë nga koha kur më mbikëqyrën. Por shoku në postin përballë meje mbi urë, i ngarkuar të regjistrojë mjetet automobilistike, më lajmëroi në kohë dhe unë u bëra shumë i vëmendshëm. Numërova si i marrë, as ndonjë numërues automatik s’do kishte qenë më i aftë. Mbikëqyrësi i Institutit të Statistikave ishte vendosur në anën tjetër të urës për të krahasuar, përgjatë një ore, shifrën e tij me timen: dallimi ishte vetëm me një njeri. Ç’është e vërteta, vajza që dua kaloi dhe për asgjë në botë nuk do doja që ajo bukuroshe e ëmbël të lërë të tashmen për të ardhmen e statistikave, qoftë kjo e shumëzuar, e pjestuar, e reduktuar në asgjënë e përqindjeve. Më pikoi në zemër që s’munda ta shoqëroj me sy dhe i jam shumë mirënjohës atij shokut përballë që numëron automobilat. Po luhej me bukën e gojës, s’i thonë shaka.

Mbikëqyrësi më rrahu shpatullat, duke pohuar se unë isha një njeri i mirë, i sigurt, besnik në atë post. “Një gabim vetëm për një njeri, shtoi ai, nuk ka asnjë rëndësi. Sidoqoftë, ne marrim gjithmonë parasysh njëfarë përqindjeje jashtëlëniesh. Do t’ju propozoj për numërimin e pajtonëve.”

Kjo është një punë e bekuar. Tani më tepër se kurrë. Pajtonë mund të ketë, e shumta, njëzet e pesë në ditë dhe të shkoqitësh shifrat në tru për çdo gjysmë ore s’ka si bëhet më mirë!

Ditë të bukura më presin. Midis orës katër dhe tetë, kur mbi urë ndalohet të kalojnë pajtonët, mund të bëj një shëtitje, të shkoj deri te dyqani i akulloreve, ta kundroj për qejf, pastaj ta përcjell një copë udhë, atë vajzë të dashur e të paregjistruar…

Përktheu: Alket Çani

Giacometti: “Ah ky Paris i pafundmë!”-Luan Rama

in Pikturë by
  • Luan Rama 

Shtëpia e Giacometti-t në lagjen time ka vizitorë të rrallë. Një shtëpi e ulët njëkatëshe me një oborr të vogël gjithnjë të gjelbëruar, me atë portë druri dhe karrigen e tij, pallton, dyshekun dhe cigaren e fundit.

Një thjeshtësi jete, strehe e rruge që i dha frymë piktorit të ri zviceran Alberto Giacometti, I cili, 21 vjeçar, zbarkoi në Paris në vitin 1922 dhe shpejt u bë nxënësi i skulptorit të famshëm Antoine Bourdell. Këtë artist, pranë të cilit dy hapa më larg banonte kitaristi dhe poeti Georges Brassens, e gjeje gjithnjë në kafetë e Montparnasse, në Selecte, Le Dome, La Rotonde, ku dhe vizatonte në fletoret e tij, gjithnjë i mrekulluar për Parisin, ashtu si dhe Hemingway apo më pas fotografi i madh Man Ray. Në fletoren e tij ai vizatonte fytyrën e qytetit. Botuesi i tij greko-francezi Teriade, i kishte kërkuar t’i ilustronte librin “Lufta e Peloponezit” e Tuqididhit, por shpejt ai do ta braktiste atë projekt për ngasje dhe kujtimet e tij parisiane. Një ditë, duke dalë me të nga kafeneja dhe duke parë tutje nga rruga plot njerëz, gati sa nuk kishte klithur i ngazëllyer: “Ah, ky Paris… Parisi i pafundmë”. Dhe që atë ditë ai nisi të vizatonte, të krijojë fotografi e “eaux-fortes” me imazhet e kujtimeve të tij parisiane, me masturbimet fëminore, prostitutat, kafenetë, jetën dhe imazhin prezent të vdekjes. Një fletore e madhe që pas vdekjes së tij do të botohej me 625 punime të panjohura deri para pak kohësh. “Kisha kohë që kisha dashur të shkruaja rreth kujtimeve të mia, – shkruante ai në këtë fletore, – kur në vitet 1923-1924, bridhja netëve në Paris, në kërkim të ndonjë prostitute. Femrat e tjera nuk ekzistonin për mua, veç prostitutat, të cilat më mrekullonin… doja t’i takoja të gjitha, t’i shihja të gjitha dhe çdo natë të rifilloja udhëtimet e mia fillikate nëpër rrugë…”

Giacometti, të cilin e njohim aq mirë nga skulpturat e tij origjinale, tashmë e shohim në këto gjurmë të lëna shkarazi, në kafenetë e mbrëmjes në bulevardin Montparnasse apo ajo kafene e vogël sapo dilte nga shtëpia e tij… Giacometti duke vëzhguar atë jetë njerëzore dehej dhe mrekullohej… Pas luftës, duke u endur nëpër kafenetë e Montparnasse dhe të Saint-Germain-dès-Près, Giacometti njihet një ditë me çiftin e njohur Sartre dhe Simone de Beauvoir që rrinin zakonisht në “Café de Flore”. “Ne na tërhiqte në veçanti Giacometti, – kujtonte De Beauvoir më pas në librin “Forca e kohës”, – ai njeri me atë fytyrë të ashpër dhe flokë të shpupuritura, me ata sy në dukje bosh, që gjithë natën shëtiste bulevardit, i vetëm apo i shoqëruar me ndonjë femër të bukur. Ai kishte pamjen e fortë të një shkëmbi dhe njëherësh atë të njeriut të çlirët…” Sartre, duke parë vizatimet e tij si dhe një pikturë në vaj për të vëllain, Diego Giacometti-n, ashtu, të zhveshur nga detajet, vetëm figura, në tekstin e tij “Pikturat e Giacometti-t”, shkruante: “Si mund ta pikturosh boshllëkun?… Nga tablotë e tij Giacometti fillon të largojë njerëzit, botën; ja vëllai i tij Diego, i vetëm, i humbur në një hangar; kjo mjafton. Jo, Diegon nuk e shkëput dot nga sfondi i atij muri gri, ai është atje. Dhe muri është atje. Ja pra ku është gjithçka dhe ku asgjë nuk e shtrëngon atë, asgjë nuk e mbështet, nuk e përmban; ai shfaqet ashtu i vetëm, me figurën e tij në kuadrin bosh. Në secilën nga tablotë Giacometti na çon në çastin e tij të krijimit “ex nihilo”; secila nga ato përsërit pyetjen e vjetër metafizike:-Përse ka diçka? Ka një shfaqje kokëfortë, të pajustifikueshme dhe të panevojshme. Ky personazh i pikturuar është haluçinant sepse ai shfaqet në formën e një figure pyetëse…”

Disa portrete në skulpturë dhe tablo, me portretin e Karolinës, janë nga frymëzimet e fundit të Giacometti-t para se ai të sëmurej me kancer dhe të operohej me urgjencë. Në Tetor të vitit 1959, ai e kishte takuar atë në një nga baret e Montparnasse. Alberto ishte 58 vjeçar ndërsa ajo veç 21 vjeç. Një vajzë mjaft e gjallë, e cila shkrihej së qeshuri gjithnjë, që siç shkruan Giacometti, ishte si një “djalë çapkën i rrugëve”, një femër e lirë, e cila hyri fuqishëm në jetën e tij. Pothuaj çdo natë ajo shkonte në atelierin e tij dhe pozonte, duke u bërë kështu modelja e domosdoshme gjer në vdekjen e artistit. Dhe jo vetëm modelja…“Karolina, në këmbë, në botën e gangsterëve, – shkruante Giacometti. – Ajo është e çmendur pas makinave sportive. Dhe meqë më ka shërbyer duke qëndruar me orë të tëra pa lëvizur, sigurisht që do ta shpërblej shumë. Edhe pse i kam dhënë jo pak, mendoj se nuk i kam dhënë dhe aq, pasi koha e saj ka po aq vlerë sa dhe koha ime. Natë pas nate ne kemi punuar bashkë dhe ajo më thoshte: “Kësaj rradhe Alberto duhet të më blesh një makinë “Ferrari”. Dhe unë përgjigjesha: – E pse jo?… Por na duhet të punojmë tani. Unë s’mund ta ndërprisja punën me të pasi kisha përparuar shumë mirë…”

Jeta e Giacometti-t ishte nata, pasi dita ishte ajo e atelierit, e materjes, baltës, ngjyrës, punës krijuese. Nata ishte ajo e dehjes, jetës njerëzore, vëzhgimit të kësaj bote në lëvizje. Në tekstin “Parisi pa fund“ ai shkruante: “Ka kaluar ora tre e natës në La Coupole dhe meqë kalova darkën, nisa të lexoja e pastaj të dremisja. Endrrat e deformonin dhe e trasnformonin atë ç’kisha lexuar më parë… një radhë, dy rreshta gazete dhe sytë të mbyllen. Jashtë është era e ftohtë. I ftohti dhe lodhja më bënë të përgjumesha, edhe pse nuk doja. Heshtje. Jam vetëm. Jashtë është nata. Gjithçka është e palëvizshme dhe gjumi më kap përsëri. Nuk e di se cili jam, nëse jam plak apo i ri, apo ndoshta kam ende për të jetuar qindra mijra vjet gjer në vdekjen time. E kaluara ime mbytet në një shpellë gri; isha gjarpër dhe ja ku jam si një krokodil me gojën hapur. Isha unë që ecja me gojën hapur. Klithja dhe ulërija që ajri të dridhej dhe shpresat e rëna poshtë ngjisnin me anije lufte në një det gri…”

Pikërisht në atë kohë, tek po kalonte një trotuar, një makinë e përplasi. Por ai shpëtoi mrekullisht dhe ashtu me këmbën në allçi, ditët e muajt që ishte i gozhduar të mos lëvizte, nisi të imagjinonte për serinë e ardhshme të skulpturave të tij, ashtu të stërholla, burra, gra, të gjatë sikur donin të preknin qiellin me kokat e tyre, ndryshe nga skulpturat që kishte krijuar në kohën surrealiste për të cilat “çmendej” Andre Breton, shumë prej tyre onirike, që siç thoshte ai, “unë i krijoj ato për veten time, pa menduar se ç’duan të përfaqësojnë apo tregojnë”. Kështu ai do të krijonte statuetën e tij të famshme “Njeriu që bie” në të njëjtën frymë siç do të ishte “Njeriu që ecën” (“L’Homme qui marche”). Ishte koha e refleksionit për një skulpturë novatore, origjinale, ku secili vizitor, i çdo kohe, të mund të thoshte: “Ah, ky është një Giacometti!”

Giacometti jetoi gjithnjë thjesht dhe pa zhurmë. Ai e krijoi artin e tij të madh larg publicitetit edhe pse gjithnjë i rrethuar nga miqtë e mëdhenj artistë, që nga koha kur filloi me kërkimet surrealiste bashkë me Breton e Aragon, dhe më pas me Matisse, Genet, etj. Shumë prej tyre i vizatoi, siç na kanë mbetur portretet e Sartre, Aragon, Genet, Matisse, Samuel Becket, etj. Pikëtakimet me Matisse ishin gjithnjë të paqta, siç i kujtonte ai në shënimet e tij më 1 Prill 1953:“…Vitin e kaluar në Nëntor, disa herë radhazi pashë Matisse-n. Isha në shtëpinë e Teriade në Cap Ferrat. Matisse vinte pasdite tek ne, pothuajse çdo ditë. E sillnin me makinë. Për miqësinë që kishin, Teriade i kërkoi t’i bënte një vitrazh për sallonin e shtëpisë. Dhe Matisse iu vu menjëherë punës dhe me çfarë energjie! Edhe pse i sëmurë, ai nuk u lodh, duke punuar me pasion. Me një kujtesë të habitshme ai na kujtonte rininë e tij dhe risillte dialogjet me të atin…»

Në kujtimet e shkrimtarit dhe dramaturgut Jean Gënet, mikut të skulptorit të madh, i cili krijoi dhe një bust të tij, mbetën të paharruara ato imazhe të asaj shtëpie të ulët, me atë rrëmujë ku jetonte artisti. Për të rëndësi kishte arti, jo mobiljet, zbukurimet, sallonet moderne… Gênet, njeriu i burgut dhe rrugëve, shkroi një nga tekstet më të bukura për atelierin e Giacometti-t duke kujtuar atë kaos të atelierit ku ai krijoi kryevepra që strukeshin në çrregullsinë më të madhe, si të lëna pas dore. «Atelieri, në katin përdhes, duket se do të shëmbet nga çasti në çast. Ёshtë prej druri, me trarët që i ka zënë krimbi, mbuluar nga një pudër gri; statujat prej allçie pikasen nga një litar apo një fill hekuri dhe tablotë janë pikturuar në një ngjyrë gri. Gjithçka duket se do të shpërbëhet, gjithçka noton. E megjithatë gjithçka duket se është kapur në një realitet absolut. Kur e lashë atelierin dhe dola në rrugë, pikërisht atëherë ndjeva se ajo çka kisha përreth nuk ishte e vërtetë… ajo ishte atje pas. Në atë atelier një njeri po vdes, po fiket dhe në sytë tanë gjithçka e krijuar prej tij merr trajta hyjnore…»

Kishte gjithnjë një lloj trishti në fytyrën e ashpër të Giacometti-t, kishte një indiferencë për jetën e vetvetes dhe një ndjeshmëri të jashtëzakonshme për nënën, gruan e tij Anette, të cilës i kushtoi një mori portretesh në skulpturë e pikturë, për vëllain e tij të shtrenjtë, për miqtë e tij dhe ato prostituta pas të cilave ai dehej në shtrat dhe në krijim, pasi shumë prej tyre ishin modele të çastit. Njëherë, kur kishte qenë në një kafene në bulevardin «Barbes Rochechouart», ai kishte shkruar një tekst të trishtë : «Endrra, Sfinksi dhe vdekja e T.» T. ishte Tonio, rojtari besnik i atelierit të tij, i cili u prek nga kanceri dhe vdiq. «… Prostituta… gjymtyrë skeletike, të shtrira, këmbë të hapura  si të flakura përtej trupit, koka e hedhur pas, goja e hapur… Natën e mëpasme, duke hyrë në dhomën time kisha përshtypjen e vagët se kisha tmerr të ndjeja dorën e ftohtë e akull të Tonios mbi krahun tim. Kalova korridorin me përpjekje të jashtëzakonshme dhe kjo më bëri pastaj të mendoja për dimensionin e kokave, të objekteve, të raportit të objekteve me qeniet njerëzore… Papritur pata përshtypjen se të gjitha ngjarjet rreth meje ekzistonin në mënyre simultane ; koha bëhej horizontale dhe rrethore, një hapësirë me të njëjtën kohë që unë përpiqesha ta vizatoja…».

Kështu Giacometti përpiqej të gjente enigmën e kohës dhe hapësirës, i përhumbur në vizatimet e tij. A mund të vizatohej koha?

Dhe unë kthehem sërrish në shtëpinë e dikurshme të tij të pasnesërmen, një javë më vonë.

I afrohem tashmë shtëpisë. Bëj të njëjtën rrugë si ai, duke kaluar kryqëzimin në “Rue Alesia”, në prag shiu… Dera është e hapur. Porta e atelierit «la caverne-atelier» e mbyllur. Dhe sipër atij muri të vogël mbuluar në jargavanë, në rue Hyppolyte Maindron, ndjej një lloj fryme që vjen deri tek unë… Dhe ajo frymë më përcjell pastaj gjer në kryqëzimin e Montparnasse atje ku bota njerëzore gëlon. M’u shfaqën figurat e atyre femrave të dobëta e të hajthme dhe kujtova mikun tim piktor Omer Kaleshi, i cili gjithashtu i pëlqente femrat si Giacometti.

NJI POETI TË SOTËM-Martin Camaj

in Letërsi/Tharm by

NJI POETI TË SOTËM-Martin Camaj

Rruga jote â e mirë:
Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme
të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,
por për rrasa guri e ballë njerzorë
me rrudha shumë e për dashuninë.

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
e jo para mikrofonit
si të çetës së poetëve tjerë,

zemra 
ndonëse nën shtatë lëkura
akull,

akull
ndonëse nën shtatë lëkura.

Elyar, poeti i dashurisë dhe i lirisë-Luan Rama

in Letërsi by

Luan Rama

Sapo kisha filluar studimet në vitin e parë të universitetit për gazetari, kur në Bibliotekën Kombëtare, duke kërkuar disa libra poetikë, të cilët më pëlqenin në veçanti, më ra në duar dhe një botim i «Pleiade» në frëngjisht me gjithë veprën e Paul Eluard-it, (Pol Elyarit). Për herë të parë pas disa poezive të botuara në shqip, të gjitha të karakterit revolucionar e luftarak, po zbuloja tek ky poet i madh i Francës poezi të periudhës surrealiste, tepër sensuale, të thella dhe universale. Shumë prej tyre ishin ilustruar me disa skica të shkëlqyera të fotografit dhe artistit amerikan dhe mikut të tij Man Ray, i cili jetonte atë kohë në Paris. Që atëherë, në sytë e mi Elyari kishte fituar dimensione të tjera dhe më shfaqej si figura më e madhe e poezisë franceze pas Rembosë, Bodlerit apo Apolinerit. Me Elyarin më afroi akoma më shumë botimi i vëllimit poetik “Duart e lira”, përkthyer nga poeti ynë i shquar Dritëro Agolli dhe me një vështrim kritik në vënd të parathënies. Dukej se Agolli e kishte ndër poetët e tij të preferuar, ashtu siç dhe ishte për poetët e asaj gjenerate. Ai e cilësonte atë një nga poetët më të mëdhenj, aq sa për epokën e tij surrealiste, ai shikonte anën më pozitive të shkollës së surrealizmit. “Pol Elyari i donte njerëzit me një dashuri të pakufishme, me një dashuri të shqetësuar”, shkruante Agolli, duke shoqëruar vargjet e Elyarit:

“O vëllezërit e mi të humbur!
Unë shkoj drejt jetës, unë kam pamje njeriu,
Që të vërtetoj se bota
Ёshtë bërë pas shtatit tim
Dhe unë s’jam vetëm,
Se mijra fytyra të mia shumojnë
Dritën time…”

Një piktakim tjetër me Elyarin ishte ai i një viti më vonë, në Marsin e vitin 1983, kur bashkë me miqtë e mi; regjisoren Xhanfize Keko dhe skenaristin Kiço Blushi, shkonim për të prezantuar kinematografinë shqiptare në Paris. Në bisedat me shoqërueset tona të Ministrisë së Kulturës, të cilat çuditërisht, që të dyja quheshin Marie-Claire, ne iu folëm aq shumë për Pol Elyarin, saqë ato na çuan ta vizitonim shtëpinë e tij, diku në Saint Denis e që tashmë ishte kthyer në një shtëpi-muze. Ishte një muze modest, por mjaft simpatik, gjithnjë plot njerëz, ku spikasnin fotografitë, dorëshkrimet e tij dhe ilustrimet e Picasso-s me pëllumbat e Paqes. Edhe varri i tij në “Père Lachaise” ishte i paqtë, gdhendur me vargje dhe i vendosur pranë monumenteve të ngritur për luftëtarët e Rezistencës Franceze, të vrarë në kampet naziste të përqëndrimit.
Vizioni poetik i Elyarit ishte DASHURIA dhe LIRIA; liria që ai e shkruante me germë të madhe në poezinë Liberté. Ishin humanizmi dhe paqja. Vargjet e tij J’ecris ton nom Liberté, (Shkruaj emrin tënd Liri), ishin vendosur dhe në hollin e madh të pallatit të Këshillit të Evropës, në Strasburg:

“Në fletoret e shkollës
Mbi bango dhe pemët
Mbi rërë dhe dëborë
Shkruaj emrin tënd Liri!…”

Kur Elyari vdiq, Picasso, një ndër miqtë më të afërt, ishte tek koka e tij. Ishte viti 1952. Elyari ishte ndër figurat më të mëdha të intelektualëve përparimtarë francezë dhe evropianë.

Eugène Grindel

Eugène Grindel ishte emri i vërtetë i Paul Eluard-it. Ai lindi në vitin 1895, në Saint Denis, kryeqytetin mesjetar të Francës, i cili pas shekullit XII u zhvendos disa kilometra më tutje, në Paris, apo Lutece-in e vjetër. Ai lindi në një kohë kur ndërtohej kulla Eiffel. Që adoleshent u sëmur nga tuberkulozi, sëmundje kjo që do ta ndiqte gjithë jetën e tij. Shkrimet e para janë ato të viteve 1914 kur ishte në front dhe kur nga sanatoriumet pranë Davos në Zvicër, ai kishte njohur një ruse të bukur të quajtur Gala, apo Helena Diakonova. Ndoshta ishte dashuria dhe magjepsja pas kësaj vajze sensuale ajo që dhe e shtyu të bëhej poet dhe të hidhej në krahët e poezisë:

“Një qenie e vetme bëri të shkrihej dëbora e pastër
Bëri të çelin lulet mbi lëndinë
Dhe dielli të shpërthejë.”

Në vitin 1917, në kulmin e luftës, ai u kthye vetëm për tre ditë pranë familjes që të mund të martohej dhe pastaj të kthehej me urgjencë drejt Frontit. Kështu filloi dhe një nga aventurat më të mëdha të dashurive të Pol Elyarit; një himn i vërtetë poetik kushtuar dashurisë. Bashkë të dy, ata lexonin poezitë e Nerval, Baudelaire, Lautrémont apo Apollinaire.
Pikërisht pas lufte, në vitet 1918-1919, ai u njoh me një brez të ri poetësh e artistësh të tjerë, mes të cilëve me André Breton, Louis Aragon, Philippe Soupault apo Tristan Tzara, të cilët do të lançojnë shkollat e para moderniste dhe avanguardiste të fillimit të shekullit; Tzara që lançoi dadaizmin, (1916, ku Elyari ishte një nga pjestarët më aktivë) dhe Breton e Elyar që lançuan më pas surrealizmin, etj.
Elyari e donte shumë pikturën edhe pse vetë nuk pikturonte. Ishte kjo ndjesi që e lidhi ngushtë me piktorin Max Ernst dhe gruan e tij. Gala ishte një grua intelektuale, me shumë kulturë e moderne. Ajo nuk e kishte për gjë të pozonte dhe nudo para Max-it, me të cilin shpejt do të binte në dashuri. Por sidoqoftë Gala ishte një nga frymëzimet e mëdha të Elyarit, edhe pse ai e dinte se ajo e donte mikun e tij. Por dhe Elyari e çmonte shumë Max Ernst-in.

“Ajo është në këmbë mbi qepallat e mia
Dhe flokët e saj tek të miat janë
Ajo ka formën e duarve të mia
Ka ngjyrën e syve të mi
Ajo humbet në hijen time
Si një gur nëpër qiell.”

E dashur Gala…

Letrat e dashurisë që Elyari i dërgon Galas janë letra të bukura dhe një himn i vërtetë poetik, një kumt i bukur, edhe pse do të ishte një udhëtim që do të ndërpritej. Ato fillojnë që në ditët e para të njohjes së tyre në malet alpine të Zvicrës, dhe vazhdojnë gjer në pragun e luftës. Më 16 Janar, 1930, ai i shkruante: “Po çmendem nga dëshira. Po vdes nga ideja se do të takoj, se do të shoh dhe përqafoj. Më 15 Prill, 1932, ai i shkruante sërish: “Së shpejti do të jemi bashkë dhe meqë s’kemi humbur shijen e njëri-tjetrit, ne do t’i gëzojmë qeniet tona. Gala dorogaja, (Gala e dashur, në rusisht), i shkruante Elyari me pasion. Ajo ishte për të një copë qiell i shndritshëm, një diell përvëlues, ëndërr e nderur, erë apo shi i nxehtë…
Letrat e tij të kujtojnë letrat sensuale që Apolineri u shkruante të dashurave të tij. Gala ishte gjithçka për të. Por dhe Elyari kishte dashuritë e tij kalimtare, siç ishte Alice, vajza e dramaturgut Carl Streheim, e cila meqë ishte shumë e bukur, ai e thërriste “Pomme” (Mollë). Por shpejt ai filloi ta ndjejë veten të braktisur nga Gala, edhe pse ajo ishte gjëja më e çmuar e tij.
Në vitin 1924, papritur ai u zhduk mistershëm. Gala dhe miqtë e tij e kujtuan të vdekur diku, të humbur ashtu si gjysmë shekulli më parë, kur miqtë e Rembosë kishin kujtuar se ai kishte vdekur diku jashtë France, ndërkohë që Rembo ishte zhdukur mbi dhjetë vjet në brigjet e Arabisë, në Detin e Vdekur.
Por Elyari ishte gjallë, edhe pse në Paris flitej se poeti kishte vrarë veten. Shtatë muaj ai udhëtoi rreth botës. Kjo ishte ikja e tij, udhëtimi i poetit për të parë botë të tjera dhe për të mpiksur plagët e tij. Në fund, ai u bë i gjallë. Gala dhe Max Ernst shkuan ta marrin larg në Singapur për ta sjellë në Francë. Elyari rikthehej…
Pak vite më vonë, në shoqërinë e tyre hyri piktori i ri Salvador Dali, miku i Federico Lorca-s. Ishte Gala ajo që do t’i thoshte Elyarit se tashmë ajo donte Dalinë e “çmendur” edhe pse ishte dhjetë vjet më i vogël. I tha qetësisht se “martesa e tyre nuk kishte më vlerë”.
Dali u vendos në shtëpinë e tyre dhe Elyar u detyrua të largohej miqësisht dhe pa zhurmë në apartamentin tjetër në Rue Fontaine, pranë sheshit Place Blanche. I sëmurë, i lodhur, dhe i vrarë nga kjo ndarje, Elyari shkruan poezitë e tij të dhimbjes dhe të melankolisë. Megjithatë, fotografinë nudo të Galas e mbante gjithnjë në kuletën e tij. Jo rrallë ai ua tregonte miqve të tij të afërt; Gala, me trupin e saj të bukur, lakuriq…

Revolucioni surrealist

Revolucioni rus, filozofia marksiste dhe lëvizja trockiste në atë kohë do të linin gjurmë në ndërgjegjen e intelektualëve dhe artistëve të rinj europianë. Në një atelier të Rue de Grenelle, një grup intelektualësh francezë do të shkruanin Manifestin e surrealizmit, i cili do të hapte një epokë më vete për artet e Europës së pas Luftës së Parë Botërore. Elyar, Breton dhe të tjerë fillojnë të botojnë revistën e njohur Revolucioni Surrealist, ku ata shpalosin idetë e tyre novatore për artin, një art që shkëputej në mënyrë të zhurmshme nga tradita e mëparshme artistike. Bashkë me Bretonin dhe artistët e tjerë, ai donte të zbulonte subkoshiencën. Në këtë revistë do të botojnë veprat e tyre artistë që më pas do të hynin në historinë e artit botëror. Kur Elyari botoi numrin e parë të revistës “Surrealizmi në shërbim të Revolucionit”, bashkë me Bretonin, pikërisht atëherë ai gjeti dashurinë e tij të dytë, vajzën ezmere dhe simpatike Maria Benz, apo Nusch, siç do ta quante ai, për të cilën që në fillim ai do t’i shkruante Galas: “Meqë jam vetëm dhe i braktisur, nuk do të ishte keq që ajo të ishte gruaja ime“.
Megjithatë imazhi i Galas ishte gjithnjë e fuqishme në botën dhe imagjinatën poetike të tij:

“Gruaja me të cilën kam jetuar/ Gruaja me të cilën jetoj/ gruaja me të cilën do jetoj/ Gjithnjë e njëjta/ Të duhet një pallto e kuqe/ Doreza të kuqe, një maskë e kuqe/ Dhe të mbathura të zeza/ Ja pse dua të të shoh lakuriq.”

Aq shumë e donte ai Galan, saqë atë ditë kur Gala dhe Salvador Dali ishin në Spanjë në shtëpinë e Dalisë, Elyari kishte shkuar në krevatin e saj dhe ishte hedhur me dënesa. Kishte qarë aq shumë sa menjëherë e kishte zënë një krizë astme. Por megjithatë, shumë shpejt dhe Nusch do të hynte në zemrën e tij. Kjo vajzë nga Alsace, kishte qënë më parë akrobate e më pas modele e Picasso-s apo Man Ray-it, por dalëngadalë ai do të ngrinte obeliskun e saj poetik:

“Besim kristali/ Mes pasqyrash/ Natën sytë e tu humbën/ Për të pikëtakuar zgjimin e dëshirës…”

“Ajo vajzë që zbulova në përgjumje, – do të shkruante Elyar në librin e tij La Vie immediat, (Jeta menjëherë), – ishte si një yll i zi në harresën e ditës… i jepem, i dorëzohem realitetit të një pasqyre që nuk reflekton dukjen time. I dhënë pas dëshirave të saj. Më duket se jam prehë. Pa të djeshme, pa të nesërme. Kjo fytyrë e pastër, rifillon te unë. Gjithnjë, dita më e madhe e jetës sime.”
Ai fillon ta dashurojë, ta dashurojë shumë, duke i kërkuar dhe vajzës së tij, Cecile, që ta donte dhe ajo, siç i shkruante dhe në një letër:“Ti mund t’i shkruash një fjalë Nusch-it. Nëse më do, duaje dhe atë, pasi ajo ka qënë dhe është për mua një mbështetje e madhe. Pa të jeta ime do të ishte e pamundur.”
Gjatë epokës surrealiste, Elyari do të bëjë të tijën moton e poetit Lautremont, i cili thoshte se “poezia shkruhet në ekip”, pra me të tjerë. Kështu, bashkë me Benjamin Peret, ai shkroi 152 poezi dashurie; me Bretonin shkroi vëllimet poetike Au defaut du silence dhe L’immaculé conception; me René Char dhe Breton botoi vëllimin poetik Relentir travaux. Tani Elyari banonte në 54, Rue Legendre, pranë Place de Clichy.
Ishte koha kur Hitleri ishte në fuqi dhe kur qeveria franceze përzuri Trockin nga territori i saj. Më 1934, Elyari u martua me Nusch-in, edhe pse një ditë më parë ai i shkruante Galas: “Sidoqoftë çdo natë mendoj për ty.”
Elyari nuk shkoi në Luftën e Spanjës, meqë ishte mjaft i sëmurë. Në fakt, kur zhvillohej Lufta Civile, Elyari priste të shkonte në Brigadat Internacionale, siç e dëshmonte dhe një miku i tij i afërt, Louis Parrot, të cilit Eyar i kishte shkruar: “Endërroj të nisem për t’u vënë në shërbim të spanjollëve republikanë. Kur do ta formojmë një “Legjion të huaj?…”
Edhe pse nuk arriti të shkonte, Elyari pohonte se “Lufta e tij më e mirë ishte në fushën e poezisë”. “Në Spanjë luhet fati i botës”, shkruante ai. Dhe poeti kishte të drejtë, sepse pas Spanjës, fashizmi dhe nazizmi do ta kthenin botën në rrënojë, duke mbjellë vdekjen ngado.

Poeti i Rezistencës

Pas vëllimeve të njohura poetike Capital de la Douleur, (Kryeqyteti i dhimbjes) dhe Mourir pour ne pas mourir, (Të vdesësh që të mos vdesësh), në vitet 30’ Elyari botoi dhe disa vëllime të tjera poetike si “Jeta menjëherë”, (1932), “Trëndafili publik”, (1934), “Sytë pjellorë” dhe më vitin 1938, vëllimin “Kursi natyror”, ku është dhe një nga poezitë e famshme të tij “Fitorja e Guernica-s”, (e frymëzuar nga tabloja me të njëjtën titull të Picasso-s). Kur Gjermania naziste sulmoi Francën, Elyar sapo ishte mobilizuar si leitnant dhe me kompaninë e tij u tërhoq drejt jugut, në Carcassone. Më pas, bashkë me Nusch ai erdhi në Paris. U vendosën në shtëpinë e nënës së tij në 35, Rue de la Chapelle dhe menjëherë u angazhua me “Frontin Kombëtar të Shkrimtarëve“. Shumë shpejt kërkoi të rifutej në Partinë Komuniste dhe drejtoi një revistë klandestine të titulluar L’Eternelle revue, (Revista e përjetshme). Gjatë kësaj periudhe lufte, ai do të bëhej një nga poetët më të mëdhenj të Rezistencës Franceze. Në mënyrë klandestine ai arriti të botojë edhe vëllimin “Poezia dhe e Vërteta”, e cila përfshinte dhe poemën e famshme “Liria”, të cilën avionët anglezë e shpërndanin nga qielli mbi fushat dhe malet e Francës:

“Mbi imazhet e praruara/ Mbi armët e luftëtarëve/ Mbi kurorën e mbretërve/ Shkruaj emrin tënd Liri!”…“Mbi gjithë faqet e lexuara/ Mbi gjithë faqet e bardha/ Mbi gur, mbi gjak, mbi letër apo hi/ Shkruaj emrin tënd Liri!”

Dhe poezia Kurajo, (1942), ishte një nga më të njohurat e asaj kohe:

“Parisi ka ftohtë, Parisi ka uri/ Parisi nuk ha më gështenja në rrugë… – shkruante ai dhe më pas vazhdonte:

“Një rreze ndizet në venat tona/ Drita jonë rivjen/ Më të mirët mes nesh janë vrarë për ne/ Dhe ja ku gjaku i tyre rigjen zemrën tonë/ Dhe përsëri mëngjesi është një mëngjes parizian/ Ёshtë çasti i çlirimit/ Hapësira e pranverës që po lind…”

Çlirimi i Francës e gjeti Elyarin si një nga poetët më të dashur dhe më popullor të francezëve bashkë me Louis Aragon, mikun e ngushtë të tij. Të dy ishin të afërt me aventurën komuniste dhe internacionalizmin. Poema Liria ishte kthyer në një lloj himni ndërkombëtar dhe kishte pushtuar shpirtrat e botës së etur për liri. Ai kishte qënë kronisti i dhimbjes dhe i kurajës. Kur Parisi u çlirua, Elyari shkroi:

“Në mes të muajit Gusht ne harrojmë dimrin,
Siç harrojmë mirësjelljen e fitimtarëve,
Përshëndetjet e tyre të mjerimit dhe vdekjes,
Ne harrojmë dimrin siç harrojmë turpin,
Në mes të muajit Gusht ne hamë municionet tona,
Me arsye, dhe arsyeja është urrejtja jonë…

Poeti i Rezistencës ftohej ngado nëpër konferencat e botës. Më 28 Nëntor të vitit 1946, gjatë një qëndrimi në Zvicër, një telefonatë e njoftoi për vdekjen e papritur të Nusch-it, gruas së tij, nga një “kongjestion pulmonary”. Ato ditë ajo kishte shkuar për të ndihmuar nënën e tij të sëmurë, pa e imagjinuar se po shkonte kaq papritur nga kjo botë. Plot dhimbje, ato ditë ai shkruante:

“Viti njëmijënëntëqindedyzetegjashtë
Ne nuk do të plakemi bashkë
Ja dhe një ditë më shumë: koha kaloi cakun e vet
Dashuria ime e lehtë ka marrë peshën e një lutjeje…”

Kjo vdekje e trishtoi aq shumë sa një moment ai mendoi të vriste dhe veten. Dukej sikur i kishte ndërprerë marrëdhëniet me botën e të gjallëve. Madje ai i kishte deklaruar Aragonit se “dëshpërimi mund t’i shkaktojë mohimin e poezisë”, pra të hiqte dorë nga poezia, ndërsa Man Ray-it i kishte shkruar: “Do të të shkruaj përsëri kur të filloj të ndjej dëshirën e jetës”.

“Në trupin tim janë rrënojat e dashurisë
Dhe vdekja ime me petkun dhe jakën e përgjakur është…”

Por bota e thërriste poetin e lirisë, poetin e dashurisë dhe të Paqes. Një botë e re që rilindte nga gërmadhat e luftës. Edhe pse luftërat ende nuk kishin mbaruar, imazhi i Nusch-it ndërkohë nuk i shqitej nga sytë:

“Ka partizanë me ngjyrën e gjakut të Spanjës/ Ka partizanë me ngjyrën e qiellit të Greqisë/ Buka, gjaku, qielli dhe e drejta për të shpresuar / Ti që të dua gjithnjë, ti që më krijove/ Këndoje duke ëndërruar lumturinë mbi tokë/Ёndërroje të ishe e lirë dhe unë po të ndjek pas…“

Në Qershor të po atij viti, ai botoi “Poema politike” dhe në një konferencë internacionale në Meksiko, ai do të takonte dashurinë e tij të tretë; Dominique-n. Ishte ajo që do ta risillte atë përsëri në jetën e gëzuar, në lëmin e poezisë, siç do ta lexojmë dhe në poezinë e tij “E dashuruara”:

“Ajo i ka gjithnjë sytë e hapura/ Sy që s’më lënë të flë/ Ёndrrat e saj në mes të ditës/ Bëjnë të avullojnë diejtë/ Ato më bëjnë të qesh, të qaj e të qesh/ Të flas dhe kur s’kam asgjë për të thënë.”

Nga Tirana në Gramoz

Shumë e shumë vite më parë Elyari kishte dëgjuar për Shqipërinë. Në një letër që i shkruante vajzës së tij Cecile (Sesilja), në pranverën e vitit 1939, ai i fliste për pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste dhe se ai ishte i pranishëm në Shqipëri, një fakt ky i panjohur më parë nga shqiptarët. Në Prill të vitit 1948, ai u ftua në Wroclau të Polonisë, për Kongresin Botëror të Intelektualëve të Paqes, bashkë me Picasso-n, Seghers, I. J. Curie, etj. Picasso foli atje në mbrojtje të Nerudës së persekutuar. Në Maj të atij viti, Elyari shkoi në Greqi, në Athinë dhe Selanik, ku u prit me entuziazëm, sidomos nga demokratët, studentët e forcat e majta të Athinës. Në letrën që i dërgonte vajzës së tij, ai shkruante: “Bëra një udhëtim të mrekullueshëm në Greqinë e lirë. Po jetoj një epokë të jetës sime. Në Athinë recituan poezitë e mia. Ishte një manifestim për paqen botërore”.
Më 1949, rrugës për në Pragë, atë e shoqëroi një nga figurat e njohura të së majtës franceze, Ives Farge. Kësaj radhe misioni i tij ishte një mision i fshehtë. Pak njerëz e dinin. Në atë kohë në Shqipëri, shumë pak intelektualë e njihnin madhështinë e figurës së Elyarit. Një nga këta ishte shkrimtari, poeti dhe eseisti ynë i shquar Dhimitër Shuteriqi, i cili e kishte pritur dhe shoqëruar Elyarin në Tiranë, e që më pas kishin marrë udhën drejt Bilishtit.
Që kur ishte student në universitetin e Grenoblës, Shuteriqi kishte njohur Yves Farge, kur ai drejtonte gazetën La depeche dauphinoise. Ky ishte dhe shkaku që ishte pikërisht ai që do t’i priste ata në Tiranë. Në kujtimet e tij, Shuteriqi kujtonte ato ditë kur Elyari i kishte dhuruar disa libra me poezi, të cilat ai i kishte lexuar për gjithë natën. – Natën, – kujtonte Shuteriqi, – Elyari kishte dëshirë të shëtiste vetëm. Duke parë qiellin, një mbrëmje ai i kishte thënë: «Kurrë nuk kam parë një qiell kaq të qartë. E megjithatë furtuna po shkatërron gjithçka rreth vendit tuaj. Qielli i përngjan qiellit…”
Në librin Paul Eluard, un frère voyant, (Pol Elyar, një vëlla profet), Jean Charles Gateau shkruante: “Më 26 Maj, 1949, një avion e çoi Elyarin në Pragë. Që andej, një tjetër avion e mori atë dhe Ives Farge, drejt Jugosllavisë, tashmë e armiqësuar me Shqipërinë e kuqe të Enver Hoxhës. Objektivi i tyre ishin partizanët grekë të gjeneralit Markos në frontin greko-shqiptar, në veri të Pindit, krahinë e Gramozit dhe e malit Verno. Nga Tirana, një kamion i vjetër “Fiat” i çoi vizitorët në qytezën e Bilishtit. Që andej ata e kaluan kufirin me një xhips dhe me nga një çantë shpine, ku brënda ai kishte futur libra me poezi… Partizanët i pritën dhe i përqafuan në shtëpitë mbi liqenin e Prespës. U ofruan raki. Pastaj ca të rinj i shoqëruan të hipur mbi mushka përgjatë përrenjve nëpër pyje, rrëpira, qafa e gërxhe të «Greqisë së lirë». Po të mos kishte të shtëna topi që dëgjoheshin herë pas here, ky udhëtim do t’i ngjante një eskursioni kampistësh të gëzuar».
«Po bëj një udhëtim të mrekullueshëm në «Greqinë e lirë», – do të shkruante Elyari ato ditë. – Luftëtarët dhe luftëtaret janë të mbushura gjithë shpresë e kurajë… Natën e kaluar 4.000 fshatarë e ushtarë me mitroloza përjetonin triumfin e tyre. U lexuan poemën time “Athina”. Ishte një miting për paqen botërore. Të gjithë kërcenin, këndonin. Këndonin gjatë gjithë kohës.”
Dhe në vazhdim, dora e Elyarit kishte shkruar një poezi:

“Nëse Greqia do të çlirohej / Nga armiqtë e gjithë njerëzimit/ Nëse nakra do ishte e xhveshur/ Nga burgu i guackës së saj/ Nga qefini i saj opak e gri/ Nëse ngjyra do të tregonte gjinjtë e saj/ Nëse do të luanim bashkë të njëjtën lojë/ Njeriu do të gjente frymën e vetvetes”…

Mali i Gramozit ngrihej hijerëndë e madhështor në sytë e poetit francez, mal që disa muaj më vonë, në Gusht të vitit 1949, do të përgjakej dhe me gjakun e ushtarëve shqiptarë. Në kthim të udhëtimit të tij, në Qershor, mes të tjerave, ai do të shkruante dhe poezinë me titull Mali i Gramozit:

“Mali i Gramozit është i ashpër / Por njerëzit e zbusin atë/ Barbarët ne i vrasim / Për të shkurtuar errësirën dhe natën tonë/ Më budallenj se vetë baruti i topave / Armiqtë tanë nuk e njohin forcën tonë/ Ata nuk e njohin njeriun / As pushtetin e tij fisnik/ Zemrat tona zbusin dhe gurin.”

Në një fotografi të botuar në atë kohë në shtypin francez, rrëzë një peme duket Elyari, me një kapuç bariu në kokë, duke iu drejtuar me megafon ushtarëve të qeverisë greke që ta linin luftën vëllavrasëse. 200 megafonë shpërndanin njëherësh thirrjet e tij: “Bij të Greqisë, ju drejtohem juve, fshatarë, punëtorë, intelektualë, juve që ju kanë detyruar t’i shërbeni ushtrisë qeveritare… Unë jam një dëshmitar i shtyrë vetëm nga e vërteta dhe pasioni për Paqen. Një luftë vëllavrasëse si kjo e juaja, është nga luftrat më mizore, nga e cila përfitojnë veç ata që e udhëheqin atë.”
Të nesërmen ai takoi nënat dhe të vejat e partizanëve të vrarë, një moment mjaft prekës që ai do ta përshkruajë më vonë përmes vargjeve të tij të dhimbshme si në poezitë “Lutja e vejushave” dhe nënave, etj. “Në malin Gramoz, – shkruan Dominique Eludes, – ata janë të pranishëm në fitoret e një ushtrie adoleshente. Ata shohin vajza 25 vjeçare që hidhen në sulm”. “Më 1 Qershor 1949, – tregonte Ives Farge, – ne ndezëm zjarr me dru pishe në shtëpinë e një fshatari grek. Elyari zbrazi çantën e përgatitur me aq kujdes në Tiranë.”
Poezitë që dëshmojnë për këto ditë janë prekëse dhe humane. Në poezinë Qivuri i Dhimos, (Le Cercueil de Dimos), duke parë luftëtarin që po vdiste nga plagët, ndër të tjera ai shkruante:

«Dhe zogjtë do të kalojnë/ Edhe bilbilat e pyllit/ Vajzat e bukura do të vijnë gjithashtu / Dhe do të thonë: «Mirëdita Dhimo!».

Në një tjetër ditë ai takohet me kapitenin Jotis, i cili nga plagët e mëdha është në prag të vdekjes. Por Jotis do të shijojë trimërisht dhe ditën e fundit të tij:

«Po ngrihem, ndihmomëni të ulem/ Dua të pi një verë të ëmbël/ Dua verë që të dehem/ Verë që të këndoj më mirë/ Këngët e mia janë të dhimbshme…»

Pas kthimit nga Shqipëria dhe Greqia e përfshirë në flakët e luftës vëllavrasëse, zemra e poetit ishte e revoltuar nga tragjedia e këtij populli. Por poezitë më të bukura ishin ato kushtuar komunistëve dhe luftëtarëve të Rezistencës, Asteris dhe Janopulos, të ekzekutuar nga qeveria greke një vit më parë. Në Qershor, ai botoi përmbledhjen kushtuar Greqisë Për të mos qënë vetëm apo Grèce, ma rose de raison, (Greqi, trëndafili im i së drejtës).
Nga udhëtimi i shkurtër në Tiranë, veç kujtimeve të Dhimiter Shuteriqit, kanë mbetur dhe disa vargje e një fotografi e asaj kohe, ku Elyari ka dalë në Tiranë. Shumë më vonë, në vëllimin poetik “Duart e lira”, Dritëro Agolli do na përcillte në shqip dhe vjershën “Të bërtasësh, ku Elyar këndonte”:

«E di se nën mburojat e armiqësisë/ Valojnë e ziejnë dhe në zemër hyjnë/ Pranvera, vera, vjeshta, dimri,/ Dhe njerëzit dhe yjet,/ Nga gëzimi dridhen duke njohur/ Të ngrohtën afërsi»

Një tjetër shqiptar e bëri atë mikun e tij. Ky ishte piktori Ibrahim Kodra, për të cilin Elyari do të shkruante: «Kodra, ky primitiv i një qytetërimi të ri».

Zhgënjimi

Pol Elyar vdiq i ri, por prodhimtaria e tij poetike ishte e madhe, duke e vendosur atë si një nga poetët më të mëdhenj të shekullit të tij. Vëllimet e tij poetike u përkthyen në shumë gjuhë të botës, siç u përkthyen ato dekada me radhë dhe në letrat shqipe, të botuara në disa vëllime, ashtu siç u përkthye dhe Zhak Prever apo Luis Aragon. Në vitin 1952, prej disa vitesh Elyari banonte në periferi të Parisit, në Charenton. Dhe ai filloi të zhgënjehej nga ajo kohë kur fillonte një tjetër luftë; një «Luftë e Ftohtë»! Dhe populli ishte i përçarë. Ideologjitë kishin zbritur në fushën e betejës. Por ai e ndjente veten të lodhur. Sëmundja e gjatë e kishte drobitur trupin e tij. Në 25 Tetor të atij viti, Elyarit i duhej të shkonte për të prezantuar disa botime të reja të tij, por ai e ndjeu se e kishte të pamundur. Atëherë ai u kërkoi miqve të tij aktorë, Iv Montan, Zherar Filip dhe Simon Sinjore që ta përfaqësonin atë në këtë veprimtari.
Por ditët për të bëheshin gjithnjë e më të vështira. Poeti dukej se e ndjen fundin e tij. Më 18 Nëntor të atij viti, në mëngjes, një krizë e fortë bëri që zemra e tij të pushojë së rrahuri. Nga frika e protestave të mëdha, qeveria nuk e shpalli ditë zije kombëtare dhe nuk i lejoi njerëzit të ndiqnin në kortezh trupin e tij, siç kishte ndodhur me pararendësit e mëdhenj të poetit, Viktor Hygo dhe Pol Valeri… Sidoqoftë turma e madhe popullore nuk mungoi të mblidhej në varrezat e Père Lachaise për të përshendetur për herë të fundit poetin e preferuar të tij, të shtrirë atje, përballë «Murit të Komunarëve», luftëtarëve të pushkatuar të Komunës së Parisit. «Këtë ditë, gjithë bota ishte në zi», – do të shkruante poeti tjetër Robert Sabatier.
Edhe pas vdekjes së tij, poezia e Elyarit mbeti një nga poezitë më të fuqishme të shekullit XX, një poezi me një evolucion të veçantë, duke kaluar nga dadaizmi e surrealizmi dhe duke u kthyer në poezinë e angazhuar. Por edhe e angazhuar ajo tingëllonte tepër njerëzore, humane, e brishtë, pasi Elyari ishte tokësor e jetësor dhe fjalët e tij ishin njeri, qiell, dhé, erë, bukë apo gjak, dashuri dhe ëndërr… Aty ishte metafora e fuqishme e tij, brenda njeriut dhe dhimbjes së tij. Ёshtë ngjizja e një bote të ëndërruar. Ja pse poezitë e tij tingëllojnë sot aq të ndjera, të pështjellin dhe të marrin me vete në një udhëtim jo të zakontë:

“Çdo hidhërim ka një dritare të hapur
Një dritare të ndezur
Ka një ëndërr që lind
Ka një dëshirë që pret të përmbushet
Ka një uri që pret të shuhet
Ka një zemër fisnike
Ka dhe një dorë të zgjatur
Ka dhe dy sy në pritje
Ka dhe një jetë që hyn në një jetë…
Edhe një buzëqeshje.”

Po, Pol Elyar ishte një jetë që hyri në jetët tona.

Shkëputur nga libri: “Parisi letrar”

PRES-MARIO BENEDETI

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

PRES-MARIO BENEDETI
(Montevideo, 1920 – 2009)

Të pres kur nata të ketë aguar,
psherëtima shpresash të copëtuara.
Nuk besoj se do të vish, e di,
e di se s’do të vish.
E di se largësia të lëndon,
e di se netët më të ftohta janë,
e di se tanimë ti nuk je.
Mendoj se di gjithçka për ty.
E di se papritur dita të bëhet natë:
e di se ëndërron me dashurinë time, por fshehur e mban,
e di se jam një idiot që të pres,
pasi e di se ti më nuk vjen.
Të pres kur natën qiellin të vështrojmë të dy:
ti aty, unë këtu, të malluar për ditët e shkuara
kur një puthje, lamtumirën e vendosi
ndoshta përgjithmonë.
Është e trishtë të flas kështu.
Kur dita më bëhet terr,
dhe hëna diellin rrëzëllues e fsheh.
Ndihem vetëm, e di,
kaq mirë në jetën time nuk dita asgjë tjetër,
vetëm di se jam fare i vetëm,
dhe se nuk jam aty.
Më fal nëse ndihem kështu,
të të fyej s’ka qenë kurrë qëllimi im.
Të të doja s’e pata ëndërruar kurrë,
e as të ndihesha në këtë mënyrë.
Si uji në shkretëtirë po shteron fryma ime.
Mungesa jote jetën po ma shkurton.
Ti je shpresa e jetës sime,
dhe unë me ty s’jam.
Do të pyesësh. Pse nuk jam aty?
Pse nuk marr atë autobusin që tek ty më çon?
Sepse bota që kam këtu nuk më lejon të jem aty.
Sepse duke menduar për ty torturohem përnatë.
Pse thjesht mos të të harroj ty?
Pse thjesht mos të jetoj kështu? 
Pse thjesht…?

Përktheu: Erion Karabolli

 

1 168 169 170 171 172 190
Go to Top