Author

Admin - page 168

Admin has 1904 articles published.

Pse nuk është detyrë e grave që t’i shpëtojnë burrat/Alice Oliveri

in Feminizëm by

Kanye West do të kishte nevojë për udhëheqjen shpirtërore të Mama Michelle Obama-s për të gjetur rrugën e arsyes dhe për të hequr atë kapelë prej një idioti trumpian nga koka. Ai do të kishte nevojë për një “mama te bukur, të madhe, të mire”, që ta siguronte duke e mbajtur në gjoksin e saj dhe duke i pëshpëritur se ishte vetëm një ëndërr e keqe, dhe se tani gjërat do të jenë mirë. 

    Alice Oliveri

  Përktheu: Arlinda Guma

Mendoj se u ka ndodhur pothuajse të gjitha grave, të paktën një herë në jetë, t’u duhet të interpretojnë rolin e shpëtimtares në çift. Është kjo bindja e çuditshme, e trashëguar prej shekujsh nënshtrimi dhe përjashtimi të dinamikave “serioze” të jetës, për të cilën vajzat nga natyra janë të mençura, të kujdesshme, të përkushtuara, mirëpritëse, të përgjegjshme, ëngjëllushet e famshme të vatrës së ngrohtë familiare, që ndërkohë kur gjahtarët jetojnë botën jashtë, ato përgatisin një pjatë të ngrohtë për ta.

Dhe nuk është e nevojshme të shkojmë shumë larg për të kërkuar shembuj konkretë të këtij mentaliteti. Në një klasë të shkollës së mesme, ka shumë mundësi që nxënëset më të ndjeshme të jenë vajzat ato që nuk harrojnë kurrë të bëjnë detyrat, dhe ato prej të cilave të tjerët kopjojnë detyrat-ndërkohë që zakonisht nxënësi brilant, por i torturuar, ai i zgjuari që nuk impenjohet, do të jetë sigurisht një djalë. Edhe në marrëdhënie shpesh vendoset kjo dinamikë, në të cilën pjesa femërore luan rolin pozitiv dhe konstruktiv, sa herë kemi dëgjuar shprehje si: – Po vajzat piqen më shpejt! Djemtë janë të gjithë kalamaj, dihet…

Nga njëra anë tentohet të justifikohet papjekuria e një gjinie me një lloj reduktimi që legjitimon tendencën personale për t’ia mbathur nga impenjimet dhe përgjegjshmëria, nga ana tjetër glorifikohet feminiteti për sa i përket mbartjes së parimeve të shëndosha dhe vlerave mëmësore. Të dyja vlerësimet, nuk më duket e pavlerë ta them, janë frute steriotipesh që i hasim kudo, dhe të dyja janë të mbarsura me seksizëm; si grua, në ka gjë që më bezdis më shumë është ky përfaqësim në stilin “E Bekuara Virgjëresha Mari”, që inkuadron gjininë femërore brenda një paragjykimi në të cilin ne jemi ato të mirat dhe të drejtat. Një mënyrë të menduari përveç të tjerash tipike mashkullore, derivat i tipit të argumentit: “Por gratë janë superiore, gratë kanë një marsh me shumë, gratë, ato po që janë më përpara!” Thua se të qenit grua më garanton një biletë prioriteti për në parajsë, sepse personaliteti im është përcaktuar tashmë prej aparatit riprodhues që natyra më ka lejuar që të kem, duke minimizuar kështu jo vetëm fitoret e mia dhe meritat që kam marrë pavarësisht gjinisë sime dhe duke ia atribuar vetëm faktit të të qenit grua të gjitha cilësitë e mia, por gjithashtu duke nënkuptuar që në këtë përkatësi të llojit femëror unë duhet të kem patjetër pjekurinë dhe superioritetin e një shpirti suprem. Edhe sepse kjo ide e bollëkut shpirtëror dhe e të ashtuquajturit superioritet nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë hipokrite dhe e pandershme për të nënvizuar varësinë e gruas ndaj burrit, dhe nuk ka gjë më irrituese se një mburravec që ekzalton miken e tij duke e mbytur me komplimente, i vetëdijshëm që është ai që komandon.

Nuk është kështu: gratë janë të këqija, të shtirura, përfituese, të pandershme, hajdutë, vrasëse, po aq sa mund të jenë edhe burrat.

T’i vizatosh si mbartëse të shëndetshme të ëmbëlsisë dhe mirëkuptimit është njësoj sikur të konfirmosh edhe një herë kafazin në të cilin janë vërtititur prej shekujsh, atë të gjinisë delikate nëse do të përdorja një shprehje nderuese, apo të gjinisë së dobët, për të përdorur në të vërtetë përkthimin që të gjithë kanë në mendje. Një grua nuk është grua aq sa është nënë, dhe as një kujdestare sentimentale për burrat e shthurur. Mëmësia dhe i ashtuquajturi shpirt i Kryqit të Kuq-duke e nënkuptuar në kuptimin e saj negativ, është ajo që i shtyn disa gra të kërkojnë marrëdhënie toksike me gjininë tjetër, në mënyrë që të plotësojnë këtë nevojë për t’u kujdesur për dikë- janë dy elementet që mund të bëjnë pjesë të një personi, ashtu siç nuk mund ta përcaktojnë a priori.

Diferencat e llojit femëror në krahasim me ato mashkullore, ekzistojnë, por ashtu siç nuk mund t’i konsiderojmë as dobësi e as defekt, ato as nuk mund të shihen si një virtyt që në mënyrë të pashmangshme trashëgohet nga momenti që gratë vijnë në këtë botë

Në marrëdhëniet heteroseksuale shpesh mund të ndodhe që kjo ide të marrë formën e një misioni për të shpëtuar- gruaja si superiore ka për detyrë t‘u gjejë rrugën e drejtë deleve të humbura – është disi edhe efekt anësor i asaj që në anglisht përcaktohet si Efekti Nightingale.

Përvoja ime prej gruaje në këtë fushë është mjaft e thjeshtëzuar: kujtoj një herë në një pagëzim; unë dhe i dashuri im ishim në humor për të bërë gjëra të këndshme dhe shkuam të bënim “komunionen” para të gjithë të ftuarve në ceremoni. As ai dhe as unë nuk kishim të drejtën ta bënim atë gjest blasfemues, duke patur parasysh faktin që unë as nuk jam pagëzuar dhe për këtë komentet jashtë kishës ishin të gjithë shumë të ngjashme; të afërmit e tij kishin kujtuar se unë e kisha bindur për të gjetur Perëndinë dhe besimin. Ekuacioni “Gratë baraz me ëngjëjt” ishte aktivizuar automatikisht në mendjet e pothuajse të gjithëve, të vetmit që i ikën kësaj kishin qenë ata më dinakët, të cilët e dinin mirë se gjesti mund të më kualifikonte më tepër si një të marrë të parespektueshme, se sa si një Nënë Tereza e Kalkutës.

E njëjta dinamikë investon sidomos marrëdhëniet publike, ato që lindin pikërisht nën syrin e publikut kureshtar, gjithmonë i gatshëm për të vënë gojën e tij – veçanërisht pasi filluan të ekzistojnë rrjetet sociale – mbi marrëdheniet e yjeve të artit, me argumentin e zakonshëm se në qoftë se keni zgjedhur ta bëni të dukshme jetën tuaj për të gjithë, atëherë është e lejueshme që të gjithë të komentojnë mbi të ashtu siç preferojnë.

Kohët e fundit, një rast ishte veçanërisht emblematik, ai i Ariana Grande-s dhe Mac Miller-it. Të dy artistët amerikanë kanë qenë së bashku nga viti 2016 deri në pranverën e vitit 2018, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin në disa raste edhe si këngëtarë. Në Shtator 2018, Mac Miller u gjet i vdekur për shkak të një përzierjeje vdekjeprurëse droge, por fundi i tij tragjik, edhe pse tronditës për botën e muzikës, nuk mbërriti nëpërmjet lajmeve në mënyrë krejtësisht të papritur, duke ditur që varësia dhe shqetësimet e tij ndaj drogës tashmë ishin manifestuar në mënyrë të përsëritur nga reperi. Reagimi i shumë fansave për vdekjen e Mac Miller-it, megjithatë, ishte ndër më të këqijët që mund të pritej; shumë prej tyre në fakt e kanë akuzuar Ariana Grande-n se ishte ajo shkaku i këtij fundi dramatik, si e dashura egoiste që kishte lënë burrin e saj për t’u lidhur me një tjetër.

Në të vërtetë, edhe përpara se reperi të vdiste, legjionet e fansave, të verbuar nga ideja se çdo gjë që ndodh në botën e argëtimit është subjekt i mundshëm i Fanfiction-it, e kishin kritikuar këngëtaren se kishte lënë vetëm një njeri që vuante. Përgjigjia e Ariana Grande-s ka qenë gjithmonë shumë e qartë, sidomos pas vdekjes së ish-partnerit: “Unë nuk jam një kujdestare fëmijësh, dhe as nëna e tij.”Marrëdhënia që jetuan të dy ishte e thënë të ishte e ndotur nga një situate toksike e rrezikshme dhe zgjedhja e saj për ta lënë ishte një akt force. Vendimi për të ndihmuar një person me të cilin je i dashuruar dhe që gjendet në vështirësi, duhet të jetë një mision i cili vjen prej rolit që shoqëria të ka dhënë – në këtë rast, infermierja e gatshme për të shpëtuar botën me një buzëqeshje dhe “pak sheqer “- por mbi të gjitha, nuk mund të ketë si pasojë shkatërrimin e dy jetëve. Ariana Grande do të ketë pasur arsyet e saj për të lënë Mac Miller-in, dhe se si ishin gjërat, këtë e dinë vetëm atë dy të prekurit nga kjo. Por reagimet masive japin zë në ndjesinë e përbashkësise, dhe publiku, për të dy yjet amerikanë tepër të suksesshëm, duhet të marrë përsipër detyrën që të mos hidhet në vlerësime të gabuara. Sepse ato njëqind mijë twitter-a mbi këtë temë, shumica përmbajnë brenda tyre embrionin e një mendimi të vjetër, radikal dhe të gabuar.

Nuk është një episod shumë i ndryshëm nga historia e famshme e Kurt Cobain-it dhe Courtney Love, e cila prej kohësh është akuzuar se është përgjegjëse për vetëvrasjen e burrit të saj. Në atë rast ishte vetë Courtney Love, e cila ishte në një gjendje të dramës ekzistenciale dhe të varësisë nga droga po aq sa dhe Cobain: pse atëherë do të pritej lëvizja e saj shpëtuese në shpirtin e humbur të këngëtarit? Po ashtu, por me role të kundërta, Yoko Ono, për dekada me radhë është identifikuar si rrënimi i John Lennon-it. Në praktikë nëse je grua dhe nëse je në kontakt me një njeri problematik, reflektimi automatik i mendimit të përbashkët është se ti nuk je gjë tjetër përveç elementit që përcakton suksesin apo humbjen e atij personi – për të mos përmendur akuzat kundër Asia Argento-s pas vdekjes së shokut të saj Anthony Bourdain. Ose je grua e famshme e madhe që qëndron prapa një njeriu të madh, ose je magjistare që i ngatërron shqisat e tij dhe e tërheq vogëlushin në ferrin e humbjes. Kjo sepse, edhe pse gjërat po ndryshojnë dhe marrëdhëniet mes dy gjinive po mbërrijnë gjithnjë e më shumë drejt barazisë, femërorja interpretohet si një lloj vartëseje, bashkëprotagoniste e narrativës kryesore, që është ajo mashkullore.

Pra, siç na tregon Donald Glover në videon  “Ndihet sikur është verë”, Kanye West do të kishte nevojë për udhëheqjen shpirtërore të Mama Michelle Obama-s për të gjetur rrugën e arsyes dhe për të hequr atë kapelë prej një idioti trumpian nga koka. Ai do të kishte nevojë për një “mama te bukur, të madhe, të mire”, që ta siguronte duke e mbajtur në gjoksin e saj dhe duke i pëshpëritur se ishte vetëm një ëndërr e keqe, dhe se tani gjërat do të jenë mirë.

Nëse flitet për historitë e të famshëmve ose ato të jetës sonë si qenie njerëzore pa miliona followers-a, pika mbetet e pandrysheshme. Stereotipet gjinore janë të këqija, sepse, si të gjitha stereotipet, ata i mbërthejnë nëpër kafaze njerëzit dhe i kthejnë në karikatura. Nëse ata janë gra, burra apo trans, duke pritur që një individ të reagojë në përputhje me një model të paramenduar, bën që kjo të anulojë lirinë e shprehjes së secilit prej nesh dhe të na dhurojë një rol të parapaketuar. Gratë nuk janë të gjitha të krijesa te përsosura, të mira, të kujdesshme dhe të gatshme për të shpëtuar çdo qenie njerëzore nga mundimet dhe vuajtjet e shpirtit. Ashtu si nuk janë vetëm burrat që nuk kryejnë detyrat e shtëpisë ose rrezikojnë të korruptojnë pastërtinë e vajzave tuaja. Do të jetë më mirë nëse të gjithë ta fusim në kokë këtë, kështu që ndoshta – si meshkujt, si femrat, edhe pse në rastin e fundit është qartësisht më e zakonshme të ndodhë – mund të shmanget të drejtuarit në atë lloj qarku emocional të shkurtër të tipit “por ai ka nevojë për mua, unë po e shpëtoj”, dhe pastaj të gjithë përfundojnë në dhomën e urgjencës, me infermiere dhe infermierë të vërtetë, e jo me ata që thjesht luajnë rolin e tyre.

Marrë nga The Vision

ZEMRA E HUMBUR-EMILIA PARDO BAZÁN

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

EMILIA PARDO BAZÁN

Një buzëmbrëmje, duke shëtitur rrugëve të qytetit, shikoj një objekt të kuq; ulem për ta parë më mirë: ishte një zemër e përgjakur, por me jetë. E mora plot kujdes. «Duhet t´i ketë humbur ndonjë gruaje», mendova, duke vrojtuar pastërtinë dhe delikatesën e atij organi të dashur, që, me ta prekur me gishta, ndjeva regëtimat e saj, sikur të ishte në gjoksin e së zonjës. E mbështolla me kujdes në një shami të bardhë dhe, për ta mbajtur ngrohtë, e futa nën rroba, pranë gjirit tim. Pastaj nisa të kërkoj se cila ishte ajo grua së cilës i kishte humbur zemra në rrugë. Për të hetuar më mirë, sigurova një palë syze të posaçme e të mrekullueshme për këtë punë, të cilat do të më lejonin që përmes rrobave, sutienave, mishit dhe brinjëve – si në ato bustet e shenjta që kanë një dritarez prej kristali në gjoks – të shihja vendin ku ndodhet zemra.
Me të vënë syzet magjike, gjithë gjakim vëzhgova gruan e parë që më kaloi pranë. Ajo nuk kishte zemër. E gjeta, pra! Sigurisht, kjo duhet të jetë pronarja e gjetjes sime. Po kur i thashë se kisha gjetur zemrën e saj dhe isha gati t´ia jepja, nëse e edonte, ajo, për çudi, e indinjuar, u betua e stërbetua se nuk kishte humbur ndonjë gjë të tillë; se zemra e saj ishte në vendin e zakonshëm dhe ndihej mirë që vazhdonte të punonte, duke thithur e lëshuar gjak. Duke parë qëndrimin kryeneç të saj, e lashë atë dhe iu ktheva një tjetre. Ishte e re, e bukur, joshëse dhe e gëzuar. O Zot! Në gjoksin e saj të bardhë pashë po atë zgavër bosh, po atë gojëz ngjyrë trëndafili, brenda së cilës nuk kishte asgjë, asgjë. Pra, nuk kishte zemër! Dhe kur, plot respekt, i tregova se atë që kishte humbur ia kisha gjetur unë, kurrsesi nuk deshi ta pranojë. Madje shtoi se po e ofendoja rëndë, duke i thënë se i mungonte zemra. Si mundej që ajo të qenkësh aq e pakujdesshme sa të humbiste zemrën në rrugë dhe të mos e vinte re?!
Kaluan qindra gra, të vjetra e të reja, të bukura e të shëmtuara, flokëzeza e flokëverdha, melankolike dhe gazmore; të gjitha i vrojtova mirë me syzet e mia magjike dhe tek të gjitha pashë se vendi i zemrës ishte bosh, se aty mungonte organi i shtrenjtë, se ato nuk kishin pasur kurrë zemër, ose u kishte humbur kushedi që kur. Dhe që të gjitha, pa përjashtim, nuk donin ta merrnin zemrën që u mungonte, nuk e pranonin; ose besonin që e kishin, ose pa të ndiheshin mrekullisht mirë, madje ndiheshin të fyera kur ua ofroja unë. Asnjera nuk guxonte ta përballonte rrezikun për të pasur një zemër.
Duke mos gjetur një gjoks gruaje për të rivendosur zemrën e braktisur, ika e dëshpëruar. Ndërkohë aty kalon një vajzë e vogël, e zbehtë. Gjithmonë me ndihmën e syzeve magjike, në gjoksin e saj të vogël dallova një zemër të vërtetë prej mishi dhe gjaku, që rrihte, regëtinte dhe ndihej që ishte e gjallë. Nuk e di pse më shkoi në mendje – ishte vërtet e pakuptimtë t´i jepje zemrën dikujt që e kishte atë shumë të mirë e shumë të gjallë – të provoja e t´i ofroja asaj atë që nuk e kishin dashur gjithë të tjerat. Dhe ndodhi çudia e vërtetë: vajza e vogël, në vend që të më kundërshtonte, si të tjerat, hapi gjoksin dhe e mori zemrën, të cilën, tashmë e lodhur, unë do ta lija përsëri atje në rrugë, mbi gurë.
E pasuruar tashmë me dy zemra, vajza e vogël dhe e zbehtë u bë edhe më e zbehtë: emocionet, sado të parëndësishme, e dridhmuan dhe e rrëqethën deri në palcë; e prekën dhe drodhën atë, me një forcë mizore; miqësia, keqardhja, trishtimi, gëzimi, dashuria, xhelozia, gjithçka tek ajo ishte e thellë dhe e fuqishme; duke qenë budallaqe, në vend ta hidhte poshtë njërën zemër, ose që të dyja njëherazi, mendoi se do të ishte e lumtur po të bënte një jetë shpirtërore të dyfishtë, po të dashuronte, të gëzonte dhe të vuante dyfish, po të grumbullonte mbresa të tilla që mjaftojnë për ta shuar jetën. Ajo krijesë e vogël ishte si ai qiriri i ndezur nga të dy anët, që tretet menjëherë. Dhe ashtu ndodhi. Edhe ajo u tret né çast. E shtrirë në shtratin e vdekjes, e zverdhur, tejet e dobësuar dhe e ligështuar, ngjante si një zogëz. Erdhën mjekët dhe, të sigurt, thanë se atë po e rrëmbente nga kjo botë tortura e madhe e një aneurizmi. Asnjëri prej tyre (sa të trashë!) nuk arriti të gjente të vërtetën, asnjëri nuk kuptoi dot se vajza kishte vdekur ngaqë ishte treguar e pakujdesshme dhe i kishte hapur vend, në gjoksin e saj, një zemre të humbur në rrugë.

Përktheu: Bajram Karabolli

Pritja-Anita Zela

in Letërsi by

Anita Zela

Përroi që është në fund të parkut, matanë rrugës, kishte ngrirë i gjithë. Akulli nuk zbardhte vetëm mbi të, por edhe mes drurëve me pllaka në forma të ndryshme. Nuk kishte asnjë pellg, vetëm akull ngado ku ktheje kokën. Hapat e mi bënin një zhurmë kërcëllitëse si dhëmbët nga të ftohtët. Ecja ngadalë. Ndihesha bosh. Dridhesha. Parku vazdonte anash përroit dhe mbi pemë dukej sikur rrinte varur një qiell plumb i rëndë. Dëgjova një zhurmë nëpër degë mbas shpinës time, por nuk e ktheva kokën. E dija çfarë ishte. Zogu ndaloi në një degë gjysmë të rrëzuar. Ndalova dhe unë. Kishte syte e tim eti. Fytyra m’u ngroh nga lotët dhe eca drejt tij, por ai qëndroi derisa u afrova aq sa mund ta prekja dhe kur zgjata dorën fluturoi dhe iku tutje mbi një stol. E ndoqa ngadalë. Përsëri fluturoi kur arrita atje dhe më humbi nga sytë. Unë u ula mbi një copë akull. Një letër e vjetër ishte harruar aty. Duhej ta lexoja. U gris në vendet e palosjes teksa e hapja.

Akoma më merr malli për ty, ndonjëherë aq shumë sa më duket sikur ke vdekur. Akoma sillem rreth të kërkoj dikë si ti… e njoha shkrimin e tij, por nuk qava më. Do të doja të qaja. Nuk mundja.

U ngrita. Akulli kërciti. Pas disa drurësh me zunë sytë time motër. Kishte një foshnjë lakuriq në duar… Matanë përroit dallova disa burra të mbledhur kokë më kokë që pëshpërisnin. Foshnja më nguli sytë kur desha ta marr, por ime motër kishte nxjerr ndërkohë njërin gji dhe priste që foshnja ta vinte re. Shikova me radhë; gjirin e saj, e pastaj fytyrën e bebes. Ngjyrën e qumështit kishin edhe sytë e time motre. Më preku në krah duke kaluar dhe iku pa më folur. Bëra t’i them nga pas “vishi diçka vajzës”, por fjalët më mbeteshin brenda gjoksit si një nyje e fortë, e mbytesha me to.

U ktheva drejt përroit. Atëherë i pashë… Nuk ishin njolla akulli ato nëpër park por fletë libri. Aty kishte më shumë. Të gjitha të ngrira, të bëra pis, të grisura keq. Paragrafë që nuk përfundonin, fjali pa shenja pikësimi, fjalë të shkruara me gabime. E dija cili ishte. S’kisha gjetur kurrë kohë ta përfundoja. Koha ime kishte ngrirë në pritje për atë që vinte rreth të gjente dikë si unë!!!

I shihja vitet që iknin si fletë në fortune, e unë me krahët mbledhur në gjoks përpiqesha të pengoja dridhjen e shpatullave. Me njërën dorë i mora disa fletë e i futa poshtë krahut. Poshtë atij krahu që më dhimbte gjithnjë. Ia kisha vënë mbi gjoks atëherë. E kishte puthur dorën më pas…

Vazhdova të ec mbi akullin e përroit duke mbledhur fletë. Dy fëmijë qeshën diku në anën tjetër. Ime motër ishte pas tyre me gjirin ende të nxjerrë. Një erë e fortë më vuri në fytyrë një fletë akull të ftohtë dhe kur e hoqa askush nuk ishte më matanë. Ktheva kokën pas…

I pashë vetëm shpinën. E njoha nga hapat që hiqte zvarrë. Ndaloi dhe u kthye.  U shemba përdhe me gjunjët mbledhur poshtë vetes. Shtrëngova barkun me krahë. Më priti atje. Kishte marrë fytyrën e vdekjes time… Nuk kisha frikë. Vura kokën mbi gjunjët dhe prita… fjalët u mbytën brenda meje…

U zgjova…

Dhjetor, 2018

Stratioti Mërkur Bua Shpata në penelin e Lorenzo Lotto-s/Luan Rama

in Pikturë by

Luan Rama

Fytyra e vetme e Mërkur Bua Shpatës, por dhe e rrallë ndër stratiotët shqiptarë të shekullit XVI,[1] qëndron sot ballë nesh, shfaqur kështu pas thuajse pesë shekujsh, duke kapërcyer nëpër mjegullat e historisë. Eshtë një portret i fuqishëm e njëkohësisht melankolik, me një tis të lehtë trishti, çka në fillim studiuesit dhe historianët e artit nuk e kuptonin se i kujt ishte. Për më tepër që Lorenzo Lotto që e kishte pikturuar këtë portret, nuk e kishte shkruar emrin e stratiotit pas telajos, as datën apo emrin e tij si artist. Kështu, piktura me dimensionet 1,18mx1,05m dhe në bojë vaji, ishte anonime, me një titull galeristi: «Portret burri» apo «Ritratto di gentiluomo». Një dritë okër e ndriçon në veçanti fytyrën e stratiotit Mercurio Bua, me një beretë të zezë në kokë, portretin e këtij stratioti që edhe pse një figurë heroike e luftrave të Italisë, por dhe në luftrat e Europës, atë çast të jetës së tij kishte dy sy të paqtë, por gjithashtu të lodhur, ndoshta nga luftrat e gjata e të pambarimta. Mund të imagjinosh për një çast stratiotin që ka ardhur në atelierin e piktorit për të pozuar, duke i treguar njëkohësisht historinë e tij, siç ndodhte gjithnjë midis artistit dhe personazhit para tij. Dhe sigurisht ai duhet të ketë shkuar disa herë në atelierin e venecianit Lotto, një piktor që punonte shumë me metaforën, simbolin, siç vihet re edhe në këtë tablo.

Në fillimin e viteve 1500, në Itali apo vendet e tjera të Europës, portrete të tilla bënin mbretërit dhe princat e oborreve mbretërore e të perandorive, si ndodhte me portretet e François I, Louis XII, të Henri IV, Henri VIII, të dozhëve të Venedikut si Loredano, etj., të Papëve të Vatikanit apo mbretërve të Napolit, princave e markezëve të Milanos (Sforza), Firences, Pizës, etj., apo proveditorëve e “condotiere”- ve të principatave italiane, kalorës të mëdhenj, emrat e të cilëve hynë në historinë e madhe të Europës, siç ishte dhe ajo e Mikel Maruli nga Botticelli. E padyshim, një prej tyre ishte dhe Mërkur Bua Shpata (1478-1542), pinjoll i një familjeje të madhe, emrat e të cilëve historiani gjerman Carl Hopf i ka gjetur në librat kishtarë të kohës bizantine dhe ku në krye të dinastisë shqiptare Bua, ai ka vendosur N. N. Bua. Vallë një tjetër Nikolla?… Hopf shkruan se emri Spatas gjendet që në vitin 1304 ndërsa Bua në 1333. Bua kishte dy djem, Nikolla, “protovestiaire” (funksionar i lartë në oborrin perandorak bizantin) i Stefan Dushanit (më 1345-1349) dhe Mihali. Biri i Nikollës ishte Petro, zot i Angelocastro dhe i Delvinës, e kështu me rradhë te Gjin Bua Shpata, Zebenishti, etj. Dihet që Bizanci që sundonte edhe në shekujt XIII-XIV në Konstantinopojë, bëri zhvendosje popullate, ku mijra shqiptarë i dërgoi drejt Artës, Prevezës, Kretës dhe kryesisht Peloponezit. Sidoqoftë më vonë, emri i Mërcurio Bua-s do lidhej me bëmat e tij historike si kalorës i shquar në luftrat e More-së dhe veçanërisht nën flamurin e Venedikut, duke theksuar në veçanti dhe një nga betejat më të famshme siç ishte ajo e Marignano-s bashkë me “condotiere”-n venecian Bartolomeo d’Alviano. Por stratioti shqiptar kishte shërbyer edhe nën flamurin e mbretit të Francës, Henri II, edhe të perandorit të perandorisë romano-gjermanike Maksimiliani, të princit Ludovico Sforza të Milanos apo Republikës “Serenissima” të Venedikut ku pritej gjithnjë me nderet më të mëdha. Madje pikërisht në këtë periudhë, në 1523, ai ishte pritur në mënyrë të bujshme nga dozhi Gritti në Venecie. Bua kishte një trupë të vetën stratiotësh që e ndiqte nga një luftë në tjetrën.

Historianët e artit thonë që kjo pikturë është pikturuar nga Lotto në vitet 1530. Por kur saktësisht? Piktori nuk e ka shkruar prapa pëlhurës dhe mesa ngjan, letrat shoqëruese kanë humbur si nga librat e piktorit (“Libro di spese diverse”), të cilët në përgjithësi shënonin të gjitha shitjet e pikturave, por dhe në librat e atyre që e blejnë, dhe pikësëpari Bua. Por si duket pas vdekjes së Bua-s, e shoqja e tij e re dhe fisnike nga Treviso, e ka shitur si një punë të Lotto-s, i cili atë kohë vlerësohej shumë, krahas Tician-it, Boticcelli-it, Giorgione-s, etj.  Pra shumë detaje janë të errëta, por sidoqoftë mund të themi se kjo vepër e Lotto-s është ndoshta më e hershme se viti 1530. Pas betejës së Pavia-s, ku mbreti francez François I u mund dhe u kap rob, në Italinë e Veriut pati një lloj qetësie dhe ndoshta pikërisht atëherë duhet të jetë pikturuar dhe kjo tablo. Mërkurio ishte ende një “condotiere” me shumë emër në Venedik. I biri i tij kishte shkuar në shërbim të perandorit Maksimilian, ku dhe do të vritej vite më vonë në një nga betejat e famshme të perandorit.

Siç dihet, gruaja e parë e Mercurio-s, Maria Bokali (Boccali), vajza e bashkëpatriotit të tij Niko Bokali dhe e Catarina Arianitit, krushkë e Skënderbeut, vdiq papritmas në moshë të re në vitin 1524 në Venecie, dhe u varros në kishën e San Biagio-s të këtij qyteti. Ajo ishte vajza e miqve të tij Bokali, shqiptarë edhe ata të ikur nga luftrat në Moré, kundër osmanëve, kur më së fundi ranë dhe kështjellat veneciane të Greqisë si në Nafplio, apo më parë bastionet e fuqishme venedikase si në Qipro e Kretë. Një nga pinjollët e famshëm të Bokalëve vazhdonte të shërbente në gardën e afërt të mbretit francez François I. Pasi qëndroi pak kohë i ve, Mërkurio u martua me vajzën e një fisniku të pasur nga San Juliano, Alvise Balbi, çka tregohet dhe në unazën e dytë që ka vendosur në gisht. Dora e tij është vendosur në cepin e tavolinës, ku pranë qëndron një kafkë e vogël që të kujton gruan e tij të vdekur si dhe petalet e zbehta të trëndafilit përreth. Duket sikur ajo dorë i mban pranë ato.

Pikërisht në atë periudhë, nga Roma, Lotto kishte ardhur në Marches e pastaj në Bergamo dhe Treviso. Vallë tabloja është pikturuar në Marches apo në Treviso? Imazhi i Treviso-s në tablo të sugjeron se është pikturuar pikërisht atje, por nuk është e vështirë për një piktor ta bëjë ilustrimin e një qyteti edhe pa qenë konkretisht në atë vend, mjafton ta ketë skicuar më parë.

Po përse historiani i artit Humphrey e ka datuar këtë tablo në vitin 1535, ndërkohë që mendimi i mëparshëm unanim kishte qenë se Lotto e kishte punuar në vitin 1530? Mjafton të bëjmë një përafrim me tablonë tjetër të Lotto-s “Portreti i argjendarit, i parë në tri këndvështrime”, për të kuptuar se këto dy portrete janë pikturuar në të njëjtën kohë, me të njëjtat ngjyra dhe se janë tepër të ngjashëm. Mjekra e dy personazheve është e njëjtë, madje dhe hunda apo drita e portretit. Eshtë e habitshme të arësyetosh se nuk përkon ky portret me pikturat e tjera të kësaj periudhe. Por ç’janë 5 vjet në krijimtarinë e një piktori? A ndryshon vallë shumë stili i tij brenda pesë vjetëve? Sigurisht që jo, veçanërisht për piktorët e Renesansës…

I pari që shkroi për këtë portret ishte historiani Pordenone, i cili iu referua inventarit të galerisë Borghese në vitin 1790 në Romë. Por shumë më vonë, në vitin 1952, Della Pergola e identifikoi këtë portret të Lotto-s, duke cituar inventarin e fisnikes romane Olimpia Andobrandini, si «një tablo me pëlhurë e pikturuar nga Lorenzo Lotto dhe që vinte nga koleksioni i xhaxhait të saj, kardinalit Ipolitto Aldobrandini dhe që duhej të ishte një autoportret.” Kjo u pranua nga disa historianë, por historianë të tjerë qëndruan skeptikë dhe me rezerva ndaj këtij pohimi, meqë unazat në dorën e personazhit të pikturuar sugjerojnë se ai kishte qenë apo ishte i martuar. Pra pse ishte pronë e tij s’do të thoshte se në atë tablo ishte vetë ai. Më 1530, Lotto ishte 50 vjeç, por personazhi dukej i ri për këtë moshë. Kur shkruhej se është bërë nga “medessimo”, duhet kuptuar se është bërë nga vetë ai, dora e Lotto-s. Më 1981, historiani tjetër Puppi deklaroi se duhet të jetë portreti i një filozofi okulist e letrar venecian, por kjo dukej e pabazë, siç shkruan dhe studjuesi Peter Humphrey në librin Lorenzo Lotto. Kritiku tjetër i artit, Riccardi, në vitin 1989, deklaroi se ky portret ishte ai i stratiotit Mercurio Bua, “condottiere Albanese” në shërbim të Venedikut. Me këtë hipotezë u bashkuan dhe kritikë e historianë të tjerë arti të epokës së Rilindjes siç ishin Beguin (1993). Tri ishin argumentet e këtyre historianëve e kritikëve: Bua ishte një ushtar që vinte nga Ballkani, pra ai duhej ta kishte adhuruar Shën Gjergjin; se qyteti prapa i ngjan Treviso-s, ku Bua ka jetuar dhe ka ngritur madje një shapelë kushtuar Shën Gjergjit në kishën Santa Maria Maggiore, ku dhe u varros në vitin 1541, siç shënohet në pllakën e varrit monumental me një ansambël skulptural të skulptorit italian Agostino Busti. Aty ndodhej dhe mbishkrimi ku jepeshin shërbimet e tij ndaj Venedikut, mbretit të Francës, perandorit të Gjermanisë, etj: “MERCVRIO BVA COMITI E PRINCIBYS PELOPONESI, EPIROTARYM EQVITVM DVCTORI QUI GALUS IN ARAGONEOS DOMICANTIB…», duke vazhduar me shërbimet e tij ndaj pizianëve, Ludovico Sforza-s, Papës, perandorit Maximilian apo mbretit francez François I në betejën e Marignano-s.

Mërkurio Bua ishte një luftëtar që lufta e thërriste çdo çast dhe pak qëndronte në Venedik apo në Treviso e Bergamo, Verona, Milano, etj. Atdheu i tij i vërtetë ishin vendet ku luftonte. Disa herë ai kishte ndërmjetësuar pranë Venedikut të vinin forca të reja stratiotësh nga Morea dhe nga brigjet shqiptare. Dihet kërkesa këmbëngulëse e Bua-s ndaj dozhit të Venedikut që pas tërheqjes së forcave turke nga Korfuzi më 1537, të nisej në krye të një trupe të madhe stratiotësh dhe të çlironte Morea-n. Por Republika “Serenissima”, nuk donte të bënte luftë të hapur me perandorinë osmane. Kështu, Bua nuk do ta shikonte më vendlindjen e tij dhe atdheun e të parëve. E vetmja gjë që e lidhte me atdheun e tij ishte tashmë vetëm gjuha, besimi (kisha ortodokse) dhe miqtë e tij besnikë stratiotë.

Vitet e fundit Mërkur Bua kishte vazhduar luftrat kundër spanjollëve, madje dhe kundër gjermanëve apo trupave të Brunswick: në Nëntor të vitit 1526, ishte “condotiere” Francesco Maria Della Rovere (Tiziano i ka bërë ndërkohë atij një portret të mrekullueshëm) që i kërkon të luftojnë kundër gjermanëve në Frundsberg; më 1527, Bua shkoi të mbrojë Bergamon bashkë me proveditorin venecian Domenico Cantarini; në shtator të atij viti sulmon në Pavia; më 1529, «Consiglio des Savi» e emëroi Bua-n guvernator të Rovena-s: 250 stratiotët e tij Bua i çon të shlodhen në Treviso dhe 62 të tjerë në Padova; më 1531, Bua i kërkoi “Coollegio”-s së dozhit të Venedikut që nëse vdes, “trupa e tij t’i jepet ta komandojë i biri me të njëjtat ndere e shpërblime”; më 1532 e gjejmë të vendosur përfundimisht në Treviso dhe shtëpia e tij është pranë kishës San Nicolo.

Një nga takimet interesante dhe të fundit të Mërkur Bua-s, ishte dhe ajo e vitit 1541, kur ai priti dhe përcolli drejt Francës ambasadorin francez, që vinte nga Stambolli, fisnikun Antoine Rincon bashkë me ambasadorin tjetër të mbretit François I, Cesare Fergoso. Por kur ata të dy kishin kaluar lumin Po dhe ishin ndarë me Bua-n, më pas ishin vrarë pabesisht nga guvernatori i Milanos. Ishte fundi i vitit 1541. Tashmë Bua nuk ishte më në moshë të përdorë shpatën si dikur, nuk ishte në gjendje të rendë majë kalit e të luftonte në këmbë me heshtën e gjatë të tij.

Nga stratiotët e tjerë të familjes Bua, kronistët mesjetarë, veçanërisht ata të epokës së “Luftrave të Italisë”, përmendin dhe Alessio Bua-n apo stratiotin tjetër Pradano Bua, nipi i vet Mërkur Bua-s. Alessio apo Aleksi, kishte ardhur nga Nafplio e Moresë në Venedik në vitin 1509 dhe më vonë kishte luftuar në Veneto, në krye të 30 stratiotëve (1510); në Mestre, në krye të 130 stratiotëve, etj. Në Veneto, gjatë një beteje ai u kap rob, por shumë shpejt u shkëmbye me robin kundërshtar Francesco Maldonaldo. (1511). Alessio morri pjesë në mbrojtjen e Veneto-s në vitin 1514 dhe vdiq në vitin 1526. Lidhur me Prodano Bua-n, ai shërbeu në fillim në ushtrinë e Federico Gonzaga dhe më pas u bashkua me trupën e Mërkur Bua-s. Në fillim ai i printe një skuadre prej 15 stratiotësh, por në Crema, e gjejmë në krye të gjashtëdhjetë stratiotëve shqiptarë; mori pjesë në luftën për pushtimin e Pavias në vitin 1528 dhe vdiq në vitin 1540, pra para se të jepte frymën mbrojtësi dhe idhulli i tij Mërkur Bua, bëmat e të cilit do të përshkruhen nga shumë historianë të mesjetës italiane e frënge, veçanërisht për «Luftrat e Italisë» në fundin e shekullit XV dhe fillimin e shekullit XVI.

Lorenzo Lotto vdiq në vitin 1557, pra 15 vjet pas Bua-s, duke lënë pas tij vepra të jashtëzakonshme, tablo dhe afreske si Virgjëresha me fëmijët, Triumfi i Virgjërisë, San Jeronimi, Portreti i një gruaje me imazhin e Lucrece apo afreskun gjigand të vendosur në shapelën e Suardi-t në Trescore, «Krishti – hardhia e Zotit». Gjithashtu, një nga tablotë e tij Lucina Brembati (por edhe tri të tjera), gjendej në koleksionin tepër të pasur të familjes Albani me origjinë shqiptare në Urbino, të cilën zonja Grumelli Albani e kishte shitur në vitin 1882. I pari që tërhoqi vëmendjen ndaj pikturës së Lotto-s ishte specialist amerikan i “primitivëve italianë” Bernard Berenson. Pesëqind vjetori i lindjes së piktorit më 1980, dha mundësinë e një ekspozite të madhe retrospektive në Washington, Paris dhe Bergamo, ku u ekspozua dhe portreti i Mercurio Bua-s, stratiotit të famshëm shqiptar. Me interes do të ishte padyshim që ne shqiptarët të kishim një kopje të kësaj tabloje në Muzeun Historik Kombëtar, ku kontributi i stratiotëve shqiptarë më së fundi të gjente vendin e vet, pasi është pjesë e kontributit shqiptar në mbarë kontinentin europian. Dhe për këtë nuk mungojnë as dëshmitë historike, botimet, portretet, as emrat e imazhet e tyre, as bëmat e tyre të mëdha.

Shkëputur prej librit: «Përballë tablosë», 2016, Luan Rama

[1] Një tablo e bukur ekziston edhe mbi stratiotin tjetër të famshëm, Giorgio Manessi, duke ecur në një fushë beteje dhe duke tërhequr pas kalin e tij. Po kështu, së fundi janë gjetur edhe disa portrete stratiotësh në një muze të Londrës.

Fjetja-Raymond Carver

in Letërsi/Përkthim by

Fjetja-Raymond Carver

Ai fjeti me kokën mbi pëllëmbë.

Mbi një gur.

Në këmbë.

Mbi këmbët e tjetërkujt.

Ai fjeti nëpër autobusë, trena, nëpër avionë.

Fjeti në krye të detyrës

Fjeti në anë të rrugës.

Fjeti mbi një thes me mollë

Ai fjeti brenda WC-së me pagesë.

Brenda një plevice.

Në pallatin e sporteve.

Fjeti në një Jaguar dhe në cepin e një kamionçine.

Fjeti nëpër teatro.

Në burg.

Nëpër varka.

Fjeti nëpër kapanone, dhe njëherë, në një kështjellë

Fjeti nën shi.

Nën diellin përvëlues fjeti.

Në shalë të kalit.

Ai fjeti mbi karrike, në kisha, nëpër hotele luksi.

Fjeti poshtë çative të çuditshme një jetë të tërë.

Tani ai fle nën tokë.

Fle dhe fle.

Si një mbret i motshëm.

Përktheu: “Ivan Katastrofov”

Çmimet Kombëtare të Letërsisë si kulmi i marrëzisë/Granit Zela

in Letërsi/Prit deri në pranverë, Bandini! by

Dhe bash këtu qëndron edhe ironia e fundit e kortezhit të ceremonive zyrtare të këtij çmimi, thuajse të gjithë protagonistët e tij, personalitete të letrave të cilët kanë qenë anëtarë të jurisë së këtij konkursi, kanë qenë fitues të çmimeve të këtij konkursi, apo, në fillim kanë qenë denoncues të tij, më pas fitues, ose në fillim fitues e më pas diskretitues, ose i kanë pasur të dyja, hem denoncues, hem fitues dhe hem rrënues të mëpasshëm të tij, e kanë denoncuar si një ceremoni-farsë.

   Granit Zela

E sjellim në vëmendje këtë shkrim…. pasi sot është dita e ndarjes së çmimeve “Vepra letrare më e mirë e vitit” dhe “Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer”.

Në një tregim të shkrimtarit Ylljet Aliçkaj përshkruhet “ceremonia e thjeshtë” e vlerësimit të një nëpunësi që kishte mbështetur kulturën shqiptare. Ky nëpunës, pasi i ishte bërë rrodhe Ministrisë sonë të Kulturës që ai të vlerësohej publikisht për ndihmesën e “shquar”dhënë nga ai artit shqiptar, bëri gjithçka gati, madje deri edhe pergamenën me fjalët e zgjedhura vlerësuese për veten e vetë.

Ditën e dhënies së shpërblimit publik nga Ministria e Kulturës, në praninë e mediave dhe kamerave të porositura, “fituesi” dukej kaq i pafajshëm dhe i befasuar për këtë “surprizë” për të cilën ai asesi nuk kishte qenë kurrën e kurrës në dijeni, sa mallëngjehet e përlotet faqe njerëzve, duke lënë pështypje të pamatë tek të gjithë spektatorët, madje duke tejkaluar edhe parashikimet e vetë ministrit me aftësitë e tij prej aktori!  Kësisoj, një ceremoni e cila në fillim ishte menduar të ishte “e thjeshtë”, shndërrohet në një farsë të kurdisur me shumë marifet, farsë e cila merr përmasat e groteskut.

Sikurse tek tregimi i Aliçkajt, çmimet letrare të organizuara shtetërisht tash e sa kohë, pavarësisht nga ngjyra e qeverisësit, pavarësisht se kush ka mbartur “barrën” e kulturës në shpatulla, kanë ngjarë shumë me “ceremonitë e thjeshta” në dukje të pafajshme dhe spontane, në dukje të organizuara me paanësi dhe korrekte, në dukje me bujë të merituar dhe transparente, në dukje si festë e letrave, porse në të vërtetë, edhe sikur ato të mos kenë qenë të tilla vetëm në dukje, një gjë është e qartë kryekrejt, zhvlerësimi i plotë i tyre në sytë e publikut, mot pas moti, derisa erdhëm në motin 2013, kur abirtrariteti i formimit të jurive ndër vite, mungesae transparencës së punës së tyre, pamundësia për të qenë bindës kundrejt kontestimeve të përhershme për mbizotërimin e “tarafeve”, “klaneve” dhe “qokave” letrare që anëtarët e jurisë ia jepnin njëri-tjetrit apo vetes së tyre, bëri që ky konkurs, të ngjallte pakënaqësi masive nga shumë shkrimtarë e studiues të letërsisë, a thua se nuk bëhej fjalë për një konkurs letrar, por për transportimin e armëve kimike në Shqipëri.

Saga e vetë-denigrimit të Çmimeve Letrare Kombëtare të Letërsisë ka nisur më së paku qysh në vitin 2002, kur poeti Xhevahir Spahiu denoncoi në media një ditë para dhënies së çmimeve“Penda”, se i kishin fshehur librin e tij poetik “Rreziku”, pasi u përfshi në listën e konkurimit, por nuk iu dha jurisë për ta lexuar. Sipas prononcimit të atëhershëm të Spahiut në media, libri me poezi mbeti në sirtarët e Ministrisësë Kulturës që në momentin e parë. Emrat e fituesve të atij viti edhe mund të mos mbahen mend, por historia e një poeti të nderuar që i fshehin librin për të mos ia përfshirë në një konkurs letrar është e denjë për tregimet ironike tëAliçkës.

E pra, ky konkurs, shumëçka nuk e ka bërë mirë, por veç një gjë e ka kryer me një përsosmëri të hatashme, ai ka ndihmuar qysh prej krijimit si i tillë, për lëvrimin e eseistikës letrare, duke ofruar lëndë të parë të jashtëzakonshme me elementët e farsës që ka mbartur në rrugëtimin e vet sizifian drejt rrokullimës. Pos kësaj, vetë këto shkrime bëjnë një “skaner” të“sëmundjeve” që e kapën këtë konkurs, sëmundje që më pas u kthyen në një lëngatë, që edhe i solli fundin e padëshirueshëm.

Në shkrimin me titull “Një konkurs pa pikën e moralit”, studiuesi i letërsisë, Mark Marku, po në Dhjetor të vitit 2003 theksonte “nëse arbitrariteti është problemi i parë, shtetëzimi i vlerave është problemi i dytë, dhe të dy bashkë janë probleme organizative të konkursit, problemi i tretë është estetik dhe etik, pasi që në momentin kur ngremë shtetin në pozitën e gjykatësit estetik të krijimtarisë letrare, kemi bërë automatikisht gabimin më të madh. Për mënyrën e organizimit të konkursit zoti Marku shkruante asokohe se ky çmim ishte “pronë e shtetit”, dhe se ishte“çmim që jepet nga një konkurs që zhvillohet gati-gati në formë klandestine, dhe ku mungon transparenca minimale”. Juria “zgjidhet sipas interesit për të shpallur këtë apo atë autor fitues, nuk ka procedura transparente (nuk dihet cila vepër pranohet e cila jo, kush i dorëzon dhe kush mban përgjegjësi nëse ndonjë autor nuk e dorëzon veprën në ministri), as kritere transparente, shkurt, asgjë të dukshme për gjykimin e publikut.”

Po për çmimet e këtij viti shkrimtari Agron Tufa shkruante se “juria e Konkursit Kombëtar për librat më të mirë të vitit 2002, ishte juri e përzgjedhur privatisht katër vitet e fundit nga drejtori i atëhershëm i librit në MKRS në mënyrë arbitrare. Juria ishte mbledhur një muaj e gjysmë para shpalljes së fituesve, ishte denoncuar disa herë në shtyp si jo transparente, emrat e jurisë duhej të kishin qenë publikë, duhej të funksiononte dhe të ndiqte botimet e gjithë vitit, pasi ajo e kishte të pamundur të arrinte të lexonte shtatëdhjetë romane dhe qindra libra të zhanreve të tjera përgjatë një muaji e gjysmë. Pra, me pak fjalë, juria ishte ngritur në mënyrë arbitrare, nuk kishte lexuar fare të qindra libra në konkurrim, nuk ishte “kombëtare” se nuk kishte e pjesërmarrës autorë nga Kosova, Maqedonia, dhe nuk kishte qenë transparente, ishin disa nga argumentet e këtij shkrimi.

Ky përceptim negativ i publikut dhe shkrimtarëve për këtë konkurs vetëmse u forcua përgjatë gjithë dhjetëvjeçarit, dhe dëshmitarët më të mëdhenj të kësaj të vërtete, në mënyrë krejt groteske ishin shkrimtarët që qenë pjesë e jurisë së dhënies së këtij çmimi apo qenë fitues një herë apo të disahershëm të këtij konkursi letrar.

Përkthyesi Idlir Azizi, fitues në një nga konkurset letrare të Ministrisë së Kulturës, në shkrimin me titull “Falsiteti i çmimeve letrare” (2011) shprehet se “çmimi letrar në Shqipëri është thjesht një falsitet. Si një herë fitues i këtij çmimi, shkruan Azizi,  me qetësi mungesën e besueshmërisë së tij. Juritë e çmimeve letrare në Shqipëri janë edhe ato pjesë e një transparence të së keqes sonë shoqërore. Ne kemi një pasqyrë të futur në mish, shkruan Azizi, ne shëtisim me të, por nuk shihemi dot në këtë pasqyrë shoqërore. Ose kështu kemi zgjedhur të bëjmë. Në këtë tejdukshmëri, asnjë juri letrare shqiptare nuk e ndjen “logjike” të japë tregues se kur mblidhet, mbi ç’baza krijohet e mbi çfarë kriteresh jep çmime. Për të mos folur pastaj mbi cilësinë e besueshmërisë që ajo bart si juri. Kjo besueshmëri e jurisë së çmimeve letrare në Shqipëri do jetë false, kushdo qoftë ajo juri.” Azizi shkruan se “arsyeja letrare pse x apo y autor është fitues çmimi letrar në Shqipëri, as nuk është marrë vesh, dhe as do merret vesh kurrë, ndërkohë që dhënia e çmimeve letrare në Shqipëri në fakt nuk ka pikë kuptimi; dhe këtë e dimë të gjithë.” Azizi shkruan gjithashtu edhe se “natyrisht në një shoqëri pa “din e iman”, çmimet letrare bëhen thjesht parada të lavdive të  vockla klanore e joprofesionale, për një grusht të vockël me lekë.”

Ardian Vehbiu, fitues i një çmimi nga konkursi letrar i Ministrisë së Kulturës në shkrimin me titull “Hije esistemit të centralizuar” shkruan se “sot për sot, Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë mbetje ose hije e sistemit të centralizuar të djeshëm, të cilit vjen dhe i rritet vlera simbolike e nostalgjike në atë masë që ky i sotmi dështon në përpjekjet e veta për t’u organizuar sipas ritmeve dhe logjikave të tregut. Atyre çmimeve u ka humbur tashmë edhe kuptimi, edhe prestigji, edhe autoriteti që mund të kenë pasur në krye dhe janë katandisur në gjeste të dobëta vetë-sugjestionuese, të cilat nuk kanë rol tjetër, përveçse të përligjin arsyen e administrimit të një kulture të cilën e ka zëvendësuar boshllëku.”

Studiuesi Pirro Misha, nëshkrimin “Çmimet, jashtë ministrisë” (2011), shkruan se “forma e tashme e dhënies së çmimeve, ku është Ministria e Kulturës ajo që ngre Jurinë që jep çmimet, juri kjo që ndryshon për vit, në të vërtetë s’është veçse një vazhdimësi e praktikës që ndiqej në kohën e komunizmit. E them me siguri, shkruan Misha, që s’ekziston më vend në Europë ku të jetë Ministria ajo që merr përsipër detyrën e dhënies së çmimeve. Vetëm duke e nxjerrë dhënien e çmimeve jashtë Ministrisë, pra dhe jashtë perceptimit të politizimit të pashmangshëm që në një mënyrë a një tjetër ka karakterizuar çmimet gjatë këtyre 20 vjetëve, duke krijuar struktura të qëndrueshme dhe, ç’është më kryesorja të besueshme për pavarësinë e tyre në raport me shtetin dhe politikën e momentit, çmimet kombëtar do të mund të rifitojnë prestigjin e tyre të munguar.”

Poeti Petrit Nika, në shkrimin me titull “Çmimet letrare Kombëtare dhe kalvari i izolimit të ri” (2010) stigmatizon gjykimin publik të veprës letrare në Shqipëri, e cila lë mënjanë faktorët formësorë dhe përmbajtësorë, pasi primarë në gjykim bëhen faktorët socialë-jetësorë, marrëdhëniet midis autorëve, interesat imediate të palëve në proces për të dominuar në peisazhin e zymtë të pamjes në hapësirën e letërsisë kombëtare.” Kjo, vë spikamën krijuesi Nika “është një tejqyrë e mjegullt dhe e urryer përmes së cilës shikohen shkronjat shqipe sot, mesazhi i tyre, elementi estetik, elementi semantik, trajta e kërrusur e qenies së krijuesit që shkel mbi dheun e butë të atdheut, që falë sjelljes hipokrite apo triumfale të kolegjit gjyqësor letrar, sa vjen dhe tëhuajsohet, zbehet, zhvoshket nën regëtimat e shpirtit deri në thelb të ofenduar.” Ndërsa për sa u përket “gjykatësve letrarë” të letërsisë së botuar në vitin 2011, poeti Petrit Nika shkruan se “në vetëvete këta s’janë veçse ca persekutorë më shumë që të shtojnë dëshpërimin dhe shëmtinë e ditës. Me siguri dhe të vitit. Ndoshta edhe të jetës… Por nuk mund t’i asgjësojnë kurrë aurën, vlerën, letërsisë dhe dashurisë për artin.”

Në analizën e studiuesit Behar Gjoka (një herë fitues i konkursit të Ministrisë së Kulturës) të titulluar “Ndarja e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë; Një praktikë, ku ngihet prifti dhe ulet hoxha” (2013). Gjoka shkruan se ndër çmimdhënësit dhe çmimfituesit e vitit 2005 deri në vitin 2012, lista mbizotërohet nga mësimdhënës të filologjikut,duke i vënë vulën dështimit të gjithë praktikës së organizmit dhe realizimit të konkursit letrar të përvitshëm. Prandaj, shprehet Gjoka në këtë shkrim, “më tepër se sa dorovia e radhës, për fituesit e rastësishëm apo me vend, ka vend për të vënë piketat, se nuk ka kohë dhe hapësirë për shpërdorimin e parave të taksapaguesve, në mënyrë që të mbyllet periudha e dështimit të konkursit letrar, që udhëhiqet nga dëshirat e klaneve të ndryshme.”

Pas publikimit të autorëve kandidatë për “Çmimeve Kombëtare Letrare 2012” shkrimtari Kim Mehmeti iu kundërvu këtij shkrimi se Ministria e Kulturës stimulon copëzimin e letërsisë shqiptare, pasi “Juria e Ministrisë së Kulturës në Tiranë ka publikuar listën e veprave të autorëve shqiptarë, të botuara në vitin 2012 vetëm brenda Shqipërisë, e që do konkurrojnë për “Pendën e Argjendtë”. Ja pra, Ministria që do duhet t’i integrojë vlerat tona kulturore në ato mbarë evropianet, e investon dhe e stimulon copëzimin e letërsisë shqiptare!?” Duke i bërë jehonë një fakti trishtues që Tufa e kishte shprehur qysh në vitin 2003, gjë që herë u mor parasysh e herë u la në harresë, çka dëften se nuk pati “ndreqje gabimesh.”

Në mediet e shkruara kontestimete tyre kundër mënyrës së organizimit të këtij konkursi i shprehën edhe:

Shkrimtari Pandeli Koçi, duke i konsideruar ato si çmime letrare që shpërndahen mbi baza miqësie dhe klanore dhe për mungesën në jurinë që ndan çmimet të një speacialisti për letërsinë për fëmijë.

Shkrimtari Viktor Canosinaj (fitues në vitin 1996) shprehu shqetësimin për mosleximin nga ana e anëtarëvetë jurisë të të veprave të reja. Ai, njësoj si Spahiu para dhjetë vjetësh, kishte pyetur anëtarët e jurisë se a e kishin lexuar romanin e tij përfshirë në konkurrim, dhe anëtarët e jurisë, sikurse juria e para një dekade, i kishte thënë se nuk e kishte lexuar, madje kësohere kryetari i jurisë e kishte garantuar se jo vetëm nuk e kishte lexuar romanin, por as nuk e dinte fare se ky roman ishte në konkurrim, duke e betonizuar kësisoj klimën e mosbesimit ndaj këtyre çmimeve.

Po në vitin 2013, Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, bash në ditën që pritej të jepeshin nga Ministria e Kulturës “Pendat e argjendta” shprehej në median e shkruar se çmimet letrare e kanë humbur vlerën që duhet të kishin, kjo pasi “nuk mund tëjenë në jurinë shtetërore autorë apo botues apo përkthyes, sepse pavarësisht që ata mund të mos konkurrojnë me tituj të tyre, kanë interesa që i lidhin lehtazi me subjekte botuese apo autorë, etj. Ndërsa në lidhje me njoftimin nga Ministria e Kulturës, thuhet ndër të tjera se juria është këshilluar me botues, me panairin e librit… Ai shprehet se me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë nuk ka kontaktuar askush nga Ministria e Kulturës, as me Panairin e Librit (nënkuptojme organizatorët) dhe nuk mund të di me cilin nga botuesit. Mendoj se duhet të jetë një nga lapsuset e atyre që kanë hartuar njoftimin.”

Shkrimtari Kujtim Dashi, në Dhjetor, 2013 deklaroi se duhej një “moratorium për mos-ndarjen e Çmimeve Kombëtare Letrare” pasi ato ishin shndërruar tashmë në një përrallë të përvitshme të listës së kandidaturave për këto çmime. Shqetësimi i shkrimtarit vjen për faktin që s’ka ndryshuar asgjë në krahasim me vitet e tjera, ku dhe pse nuk kanë munguar kritika e vërejtje, që më pas janë mbyllur mjeshtërisht”, shprehet shkrimtari Dashi.

Pos kësaj, juria e çmimeve letarare2013, kishte si anëtare të re të jurisë shkrimtaren e nderuar Flutura Açka. Fenomeni i denoncimit të këtij konkursi dhe më pas bërja pjesë e tij, nuk është se gjen te shkrimtarja Açka shembullin e saj më tipik, por vetë kjo shkrimtare në vitin 2007, në një intervistë për një gazetë kulturore shprehej se “Çmimetnë Shqipëri janë për vajmedet, njëra dorë lan tjetrën. Më vër këtë vit anëtar jurie të jap çmim, këtë vit vit unë ty, anasjelltas vitin tjetër. Shpesh çmime politike. Duhet të jesh e një krahu, duhet të jesh e një klani. Juritë janë të dyshimta dhe nga njerëz joautoritarë. Më e keqja nuk lexojnë as veprat.” (Shkurt 2007.) Meqenëse kishte pasur “përvoja të shëmtuara” me konkurrimet kombëtare, kritikja, shkrimtarja dhe botuesja, Flutura Açka, shprehet edhe në vitin 2012, pas zvarritjes për disa muaj të dhënies së çmimeve kombëtare në shkrimin e një të përditshmeje se “vonesat në mbledhjen e jurisë janë të lidhura me kulturën e“punës së kryer” së gjyqtarëve, të cilët takohen në momentin e fundit për t’i rezervuar çmimet për miqtë e tyre. “Nëse e shikojmë me kujdes, do të shohim se personat e njëjtë që një vit ishin në juri, vitin e ardhshëm fitojnë çmime. Njëra dorë pastron tjetrën – dhe të dyja njollosin fytyrën e letërsisë shqiptare”, u shpreh ajo.

Por, pas kësaj vonese, pasi ia “kishte nxjerrë leskrat” këtij konkursi, shkrimtarja u bë vetë anëtare e jurisësë ngritur nga Ministria, sikurse kishin bërë aradha e madhe e shkrimtarëve para saj. Por risia e vitit 2013 ishte epilogu më në fund i një zhvlerësimi të vazhdueshëm dhe të trishtë të çmimeve letrare të fundvitit, gjë që u shpall nga Ministrja e Kulturës, dikur vetë anëtare e jurisë së çmimeve letrare, e cila deklaroi se vitin tjetër, nuk do të ketë kaq shumë çmime.

Ky kumtim publik, ishte le të themi“epitafi” që ky fenomen zhvlerësimi i çmimeve letrare të fundivitit mori dhé, vetë ministrja u duk sikur deshi të thoshte, “epo mjaft më me “ceremoni të thjeshta, mjaft!, Shqipëri nuk i ka kapacitetet për të mbajtur në supe “barrën”e një grotesku të tillë!

Dhe bash këtu qëndron edhe ironiae fundit e kortezhit të ceremonive zyrtare të këtij çmimi, thuajse të gjithë protagonistët e tij, personalitete të letrave të cilët kanë qenë anëtarë të jurisë së këtij konkursi, kanë qenë fitues të çmimeve të këtij konkursi, apo, në fillim kanë qenë denoncues të tij, më pas fitues, ose në fillim fitues e më pas diskretitues, ose i kanë pasur të dyja, hem denoncues, hem fitues dhe hem rrënues të mëpasshëm të tij, e kanë denoncuar si një ceremoni-farsë.

Dhe lista e shkrimtarëve që janë shprehur kundër mënyrës së papranueshme të organizimit të këtij konkursi nuk është shterruese dhe nuk mbaron këtu.

Kurorat letrare të shpërndara përgjatë më shumë se një dekade, tashti ngjajnë trishtueshëm si dafina të thara të një konkursi që është kritikuar më së paku në vite nga dhjetëra shkrimtarë, me shkrimet eseistike të të cilëve do të krijohej me të vërtetë një antologji eeseistikës shqiptare të fillimshekullit, antologji e frymëzuar nga grotesku i këtij konkursi, çmim që domosdo do t’u kushtohej protagonistëve të tyre me motivacion “Për ironinë e spikatur dhe përsosjen e saj deri në grotesk të konkursit letrar kombëtar.”

Kjo sepse krijuesit dhe rrënuesite këtij konkursi ndër vite, nuk kuptuan kurrë një gjë fare të thjeshtë, më shumë se emrat dhe veprat letrare që shquan një konkurs letrar, është procesi ai që ka rëndësi. Procesi i konkurrimit duhet me qenë i besueshëm,ç’ë nuk ka ndodhur, duhet me qenë transparent, çfarë nuk ka ndodhur, duhet mos me qenë pjesë e klaneve dhe tarafeve, çka nuk ka ndodhur, dhe nuk duhet të ketë dyshime për të gjithë procesin e konkurrimit dhe as për mënyrën e funksionimit të tij, gjë që është hedhur poshte prej vetë protagonistëve të këtyre konkursve, çka e ka rrënuar katërcipërisht këtë konkurs duke e kthyer në një farsë mediatike.

Veprat fituese të Konkurseve Letrare Kombëtare, megjithëse nuk kanë qenë kombëtare, duhej më së paku të ishin përkthyer në një gjuhë të rëndësishme të huaj me nismë të kësaj ministrie, në mos të gjitha, të paktën disa prej tyre. Kjo sa për t’u krahasuar me konkurset e përvitshme të këngës në RTSH, për shembull, ku kënga fituese matet me këngët e tjetra fituese në nivel evropian, çka është edhe një tregues i jetëgjatësisë së një krijimi artistik.

Autorët fitues debutues do të duhejtë ishin mbështetur për ta zhvilluar talentin e tyre krijues, pse jo me bursa studimi apo mënyra të tjera, për të mos i lënë në harresë, dhe për të mos i përdorur si alibi se talentet u mbështetën dhe politikat kulturore i shërbyen së ardhmes. Veprat fituese duhej më së paku të ishin futur automatikisht në listën e leximeve që sugjeron Ministria e Arsimit për brezat që ndjekin shkollat e mesme, si një mënyrë për të lënë një shenjë në ndërgjegjen e kohës, dhe në ndërgjegjen e këtyre brezave të rinj, në shijen e tyre estetike, gjë që nuk ka ndodhur, dhe le ta pranojmë, të gjithë fituesit e pendave të arta apo të argjenda, nuk njihen nga të rinjtë e sotëm më shumë se sa njihet një këngëtare e zakonshme si Tuna, dhe “zogu” i saj legjendar.

Kjo edhe për faktin se për këngën zhvillohen tre konkurse bujëmëdha dhe me ndikim të pamasë tek publiku, në TVSH,TV Klan dhe Top Channel, kurse konkurset letrare e kanë jetën të shkurtër dhe ndikimin të papërfillshëm. Por tani, pasi Ministrja e Kulturës i tha “jo”konkurseve letrare groteske, dhe të shtetëzuara si në kohën e komunizmit, duhet para së gjithash që të shterret burimi i “kuçedrës” që po e helmon letërsinë dhe gjuhën shqipe. Dhe kjo e keqe e ka “burimin” tek panairi i përvitshëm i librit, ku e nderuara Ministre mund të ketë parë fare mirë se si në emër të librit, kësaj mrekullie të njerëzimit, një grup i konsiderueshëm shtëpish botuese (në dukje) s’janë gjë tjetër veçse një çetë hajdutësh që vjedhin libra të letërsisë botërore dhe shqipe në mënyrë të paligjshme dhe arrogante dhe më pas, bëjnë krimin e dyfishtë, pa pasur askurrfarë personeli me përkthyes, korrektorë letrarë, recensues, redaktorë gjuhësorë etj, japin kontributin e tyre në rrënimin e gjithë sistemit të komunikimit shkrimtar/përkthyes, studies-botues-lexues, duke masakruar gjuhën shqipe dhe duke e shprishur shijen estetike të brezave të tanishëm dhe të mëpasshëm.

Pra, zonja ministre, mbyllini ju lutem të gjitha shtypshkronjat-shtëpi botuese dhe shtëpitë sabotuese që nuk kanë as standardin minimal të cilësisë. Duhet pasur parasysh që gjendja e procesit letrar në Shqipëri sot, njëzetë vjet pas shkëputje nga diktati i partisë-shtet, është shumë i ngjashëm me procesin letrar në SHBA në shekullin e tetëmbëdhjetë, kohë kur shkrimtarët në SHBA nuk paguheshin mirë dhe deri nëvitin 1825 shkrimtarët duhej të paguanin vetë për botimin e veprës së tyre, andaj dhe botimi ishte një pasion i të kamurve, sepse të talentuarit e skamur nuk e përballonin dot “luksin” e një botimi, ndërkohë që në Shqipëri shkrimtarët jo vetëm që nuk paguhen, por duhet të paguajnë.

Në Amerikën e shekullit 19-të, kishte shumë probleme në lidhje me botimin klandestin dhe piratesk të librave, gjë që i shkurajonte dhe i izolonte autorët, që ndodh edhe në Shqipërinë e fillimshekullit të XXI, dhe që u proklamua edhe në panairin e sivjetshëm të librit ku të gjithë thanë se pirataria po e vret librin, e askush nuk tha se si do të ndalohej kjo vrasje. E meqë duhen pastruar “Hauret e Avgjisë”, le të kthehet procesi letrar më së paku në gjendjen që ishte para dy shekujsh në SHBA, dhe le të kthehet gjendja e revistave dhe gazetave letrare në gjendjen e Shqipërisë së viteve 1930-të, pra në gjendjen e para një shekulli, dhe kjo do të jetë një arritje me njëmend e madhe.

_________

Shënim: Ky shkrim është botuar në gazetën “Standard”, më 15 Dhjetor, 2013, me titullin “Epilogu i Çmimeve “Kombëtare” dhe pastrimii “haurit të avgjisë” letrare”.

Titulli është redaksional.

ANATOMIA E NJË KRIMI PAQARTËSISHT E PARAMENDUAR-MARIO MELÉNDEZ

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

ANATOMIA E NJË KRIMI PAQARTËSISHT E PARAMENDUAR-MARIO MELÉNDEZ
(Kili, 1971)

Të vrasësh një turtulleshë pas shpine
është një veprim i urryer
Më mirë ta bësh me gjumëndjellës
më këshillon miku im më i mirë
Ashtu askush nuk do të dyshojë për asgjë
Por unë shikoj turtulleshën e shtrirë mbi një varr
dhe është pikërisht turtullesha që bredh shesheve
pas gjyshit të vdekur
Tani ka kohë për të trembur fëmijët
apo për të ngrënë insekte
Kushedi ç’ka ndër mend të bëjë, kushedi
Të vjedhë planin e harabelave
symbyllazi të bëjë kollotumba në ajër
të mbikëqyrë parakalimet
të dëgjojë meshën që nga çatia e kishës
etj. , etj.
Tani nuk dua më ta vras pas shpine
as me hape gjumëndjellëse, as me rrotat e trenit
as me kësi gjërash të tjera
Më mirë ta gëlltis të gjallë dhe pastaj të mendoj
Turtulleshë, të lutem, fluturo brenda meje 
Fluturo dhe shpjermë
drejt një kasaphane që të jetë sa më njerëzore.

Përktheu: Bajram Karabolli

Autorët shqiptarë që nuk promovohen i gërmojmë si urithët/Rozi Hysuka

in Letërsi/Libraria në rrugën 84 by

Libraria në rrugën 84

“Libraria në rrugën 84” do të jetë një rubrikë e re në defekt-teknik.com, ku librarë të ndryshëm të Tiranës do të pyeten për problemet me librin, parë nga këndvështrimi i tyre si kontakues të drejtperdrejtë me lexuesin.

Rozi Hysuka e Librari Ikra-s në Bulevardin Gjergj Fishta përgjigjet keshtu:

Arlinda Guma: Si reagojnë klientët e librarisë suaj kur ju u rekomandoni shkrimtarë shqiptarë?

Rozi Hysuka: Në bisedat paraprake që ndodhin zakonisht mes librarit dhe lexuesit, është ai momenti që të bën përshtypje; kur sapo nisin e të pyesin:“Çfarë më sugjeroni, por ama vetëm autorë shqiptarë jo, ju lutem!” Kjo është pothuaj diçka që e dëgjojmë shumë shpesh nga lexues të moshave të ndryshme, qoftë dhe nga lexuesit që le t’i quajmë fillestarë dhe që janë brumosur me idenë se letërsia shqipe nuk bën. Përpos dëshirës së mirë, si lexuese më së pari, për t’i orientuar drejt letërsisë së mirë shqipe, sidomos të këtij 10 vjeçari, ende ka punë për t’u bërë, pasi kam vënë re se letërsia shqipe nuk qaset mjaftueshëm nga lexuesi. Lexuesit fillestar edhe i falet, por për sa i përket lexuesit mesatar dhe elitar, më duket se ata kanë hequr dorë përfundimisht nga leximi letërsisë shqipe, madje ka edhe nga ata që thonë se autorët apo autoret që kanë botuar libra kohët e fundit nuk kanë sjellë ndonjë libër për të qenë. Është për të ardhur keq kur sheh se ne ende nuk kemi kulturën (po e tjerr mendimin diku tjetër tani) të blejmë librat e tyre, qoftë edhe për të dhënë kontribut modest ndaj autorëve shqiptarë, jo në kuptimin material të fjalës, por në kuptimin e mbështjes morale për ta dashur, dhe për të krijuar së bashku, modestisht, edhe letërsinë kombëtare, e cila duket se nuk është më e ndërtuar sa duhet. Është e vërtetë dhe duhet thënë se për promovimin e letërsisë shqipe nuk bëhet pothuajse asgjë, as nga instancat shtetërore. Ka libra të mirë, ka autorë të mire, por promovim të keq ose aspak promovim, dhe kështu autorët shqiptarë mbeten të “shiten” duke u sugjeruar mes njëri-tjetrit.

Mund të shtoj edhe diçka tjetër, që e kam dëgjuar edhe nga klientët shqiptarë, se profesioni i librarit duhet të jetë i plotësuar dhe jo vetëm ai i tregtarit që duhet të shesë të parin libër që lexuesi kërkon, pra, defekti për shitjen, edhe të librit të autorit shqiptar, ngec dhe te pjesa e librarit, nëse ai nuk e njeh letërsinë shqipe, më e vështirë bëhet edhe për lexuesin. Këtë e them për klientët, të cilët vërtet duan këshilla të vlefshme, qoftë edhe për letërsinë shqipe. Disa prej lexuesve atëherë mbeten ta marrin informacionin mbi librat shqip nga rrjetet sociale dhe vijnë me ide dhe pikëyetje si: – A duhet lexuar vërtet filan autore apo autor shqip?

Do veçoja lexuesit emgrantë, ata po që vërtet e duan letërsinë shqipe, për të ruajtur gjuhën, për të ruajtur nostalgjinë për autorët shqiptarë, për të ruajtur kulturën kontribuese ndaj letërsisë shqipe. Madje mund të përmend këtu bisedën me një lexuese që jeton jashtë prej vitesh, e cila m’u shpreh një ditë se kur shkonte në Francë, në libraritë franceze, edhe pse Kadarenë e kishte në shqip, e blinte në frëngjisht për të dhënë kontributin e saj si lexuese dhe njëkohësisht dhe si shqiptare.

Arlinda Guma: Ju keni marrëdhënie të drejtpërdrejtë me shtëpitë botuese. Nga sa keni parë, ç`lloj letërsie janë të interesuara të promovojnë ato?

Rozi Hysuka: Bashkëpunimi me shtëpitë botuese është një nga bashkëpunimet më të vlefshme për sa i takon pasionit për librin, duke qene se të dyja palët; si shtëpi botuese, si librari, duan të jenë protagonistë në fushën e shitjes së librit, me përgjegjësi të ndara në këtë lloj bashkëpunimi. E them këtë, pasi në forma të tjera aspekti material do ishte një rutinë e çdo produkti në treg, ndryshe nga shtëpitë botuese që në thelb kanë përveç pjesës fitimprurëse pasionin për letërsinë shqipe dhe të huaj, ashtu si dhe promovimin e çdo autori. Për të dhënë një përgjigje efikase më duhet të pranoj se shtëpitë botuese janë më të prirura drejt promovimit të letërsisë së huaj që marrin përsipër për ta sjellë në shqip. Kuptohet që përzgjedhja e tyre është pjesë e punës që bëjnë, ku besoj se edhe ne librarët luajmë rol të rëndësishëm për të nxjerrë në pah sa lexuesi është i prirur drejt letërsisë së huaj evropiane, amerikane, ispanike etj. Me anë të librarive ata kanë drejtpërdrejt matësit e autorëve që ata promovojnë. Sot lexuesi shqiptar është shumë i informuar, për çdo botim, falë edhe platformave dhe informacioneve që shkëmbehen në tregun online dhe jo vetëm. Në të vërtetë, shtëpitë botuese nuk i shoh që të bëjnë ndonjë promovim mbi autorët shqiptarë siç bëjnë për autorët e huaj. Ndoshta promovimi autorëve shqiptarë kërkon më shumë kohë, më shumë besim ndaj lexuesit, i cili dita-ditës po bëhet skeptik. Dua ta ripërmend se është i nevojshëm; institucionalizimi i letërsisë kombëtare, të marrë vendin e duhur autori shqiptar në logot e shtëpive botuese në mënyrë që qëllimi i promovimit të tij të mos të jetë vetëm aspekti material. Autorët shqiptarë e kanë të vështirë të kenë identitetin e tyre autorial si shkrimtarë, pasi problem nuk është vetëm promovimi nga shtëpitë botuese ose jo, por se në shumë raste letërsia shqipe promovohet mes qokash. Kjo është tepër e gabuar dhe aspak integruese, për vetë faktin se të bësh sot një libër si autor i vjetër por edhe si autor i ri, sidomos ky i fundit ka pikëpyetje të mëdha nëse duhet ta shkruajë një libër, për cilin lexues, ku ta botojë e shumë stisje të tjera që do t’i them pak më vonë. Për t’i lënë pak vërejtjet ndaj problemit në përgjithësi, gjykoj se në këtë promovim që ka nevojë urgjente letërsia shqipe, duhet të vërë dorë edhe Ministria e Kulturës, nisur ndoshta me krijimin e Konkurseve Kombëtare apo të një forme tjetër, etj. Në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tiranës dhe jo vetëm, të krijojnë një qytet më letrar nga aspekti estetik, të vendosen skulptura të fëmijës që lexon, të Kadaresë që lexon, të rinisë që është duke lexuar, pra, libri në disa pika kryesore të qytetit, estetikisht i vendosur aty ku imazhi i tij të shndërrohet në refleks, nisur ndoshta që në ambjentet e brendshme të shkollave. Kuptohet që edhe më bukur do të ishte komuniteti me prirje të kësaj estetike po të kishim autorët shqiptarë…  (Jo në bronz. Qesh) Këto janë pjesët e promovimit më afatgjatë të letërsisë shqipe dhe prandaj e përmend këtu, sepse dua që vërtet një nismë e tillë të përfundojë në projekt dhe të realizohet kjo ide. Guxojmë ta dëshirojmë këtë estetizëm! Promovimi është pjesë zinxhir, nuk është vetëm e imja, fjala bie si librare, apo i shtëpisë botuese, që nuk di të them në i ka hapësirat e mundshme për të bërë diçka më të mirë se sa vetëm botimi dhe shitja e librave. Këtë e them se më dhemb që letërsia shqipe mungon në promovime të herëpashershme.

Arlinda Guma: Cili është dallimi midis letërsisë që promovohet bujshëm nëpër televizione dhe asaj tjetrës; të heshturës, që nuk promovohet askund?

Rozi Hysuka: Dallimi midis letërsisë shqipe që promovohet bujshëm dhe asaj që nuk promovohet askund është i madh padyshim. Di të them se letërsia që promovohet bujshëm, përveç pjesës fitimprurëse ka edhe autorë të mirë që ia vlejnë t’i lexosh. Kjo nuk do të thotë se letërsia që nuk promovohet askund nuk ka autorë të mirë, me bindje them, si lexuese, jo si librare, se autorët shqiptarë që nuk promovohen i gërmojmë si urithët… (ne që e duam dhe kemi lexuar gjithnjë autorët shqiptarë dhe vazhdojmë kërkojmë të gjejmë të mirët e librit shqip). Kam një debulesë të madhe për letërsinë shqipe. Dhe çdo kohë jam duke bërë kërkimet e mia si lexuese edhe në faqet e shtëpive botuese për botimet në vite të autorëve shqiptarë, që të mos më ikë asnjë libër pa lexuar. Kjo më ka çuar që të gërmoj për letërsinë shqipe edhe ndër autorët kosovarë e më tej. Bujshëm do kisha dashur të promovohen shumë emra autorësh, të cilët meritojnë vendin e nderit ama! Si lexuese do veçoja Virion Graçin, e kam njohur si autor duke bërë hulumtimet e mia, juve Arlinda Guma për të dy librat tuaj që më kanë bërë të besoj se letërsia shqipe ka autorë që mund të shkruajnë me elegancë artistike. Arlinda Canaj po ashtu, më ka bërë shumë përshtypje me librin e saj të parë dhe mund të besoj se jam ndër të paktët lexues që e dinë se ka fituar çmimin”Zef Serembe “. Kam gjetur autorë të tjerë, që nuk janë pjesë e promovimit të bujshëm nëpër televizione dhe më kanë bërë të besoj se është më bukur, më e magjishme të gërmosh e të gjesh thesare që as në letërsinë e huaj nuk i gjen. Por kjo duhet të jetë edhe detyra e lexuesit, e atij lexuesi që sot për sot nuk është integruar aq shumë për shkak të bujës televizive e më gjerë. E them këtë pasi fitimi i kënaqësisë nuk është çështje triumfi, por diçka më e madhe për sa i përket kultivimit të të lexuarit. Më pas ne që bëjmë këto gërmime ua sugjerojmë miqve dhe ata mbeten të mahnitur nga libri, e kjo na bën edhe më të ndjeshëm ndaj shijes së leximit, pra që kemi gjetur thesaret që nuk i gjejnë të gjithë. Megjithatë unë jam pro promovimit të bujshëm të autorëve, kur është fjala për autorin shqiptar. Dallimin e bëjnë edhe kërkesat e lexuesve, që padyshim kërkojnë ato libra që edhe promovohen bujshëm dhe ka pasur momenteqë janë bërë edhe më shumë skeptikë ndaj autorëve të pabujshëm. Kjo mund të çojë në ndasi të këtillë saqë them se deri diku do të mbetemi lexues të letërsisë shqipe vetëm nga buja nëpër televizione. Ka autorë të cilët pasi lexohen nga lexuesit pikërisht prej promovimit të bujshëm, nuk tërhiqen më nga ata, duke i vënë në një përzgjedhje të vështirë nëse ua sugjeron. Pra, mes nesh ka lexues të mire, të cilët janë në kultivim e sipër të të lexuarit, dhe ky lloj zhgënjimi nga autorët që promovohen bujshëm i bën ata më të tërhequr edhe ndaj autorëve të cilët nuk promovohen askund. Mendoj se kjo është një fazë eksperimentale e kohës dhe besoj se lexuesi i mirë do përfundojë si një urith, po njësoj si unë e shumë lexues të tjerë që kemi gërmuar vetë pa u ndikuar asnga buja televizive as nga buja e rrjeteve sociale. Ndonëse vazhdoj të mendoj dhe të pranoj, edhe si librare, se buja nuk i bën dëm as librit, as autorit, skualifikimi që i bëhet autorit pikërisht nga buja është më e shpejtë nga ky fakt, kur libri në fjalë nuk është i mirëpritur nga lexuesit. Le të jetë një skaner për të filtruar autorët e mire, qoftë të bujshëm qoftë të pabujshëm. Më e vështirë bëhet kam përshtypjen për autorët e rinj, që promovojnë librat e tyre, qoftë edhe nëpërmjet rrjeteve sociale, të cilët, nuk kanë asnjë lloj mbështjetje, më së shumti edhe nga lexuesi dyshues për librin e ri shqip.

Arlinda Guma: Sa e vështirë ka qenë për ju t’i rekomandoni një klienti një shkrimtar të mirë shqiptar  të papromovuar?

Rozi Hysuka: Ndikime të kësaj natyre ka jo vetëm për letërsinë shqipe, por edhe ndaj asaj të huaj. Por duke qenë se letërsia shqipe ka vështirësitë e thëna më lart, ndikimi është edhe më i madh. Pavarësisht se interesi i lexuesit për të lexuar autorët shqiptarë është në rritje, rënia e të lexuarit të letërsisë shqipe vjen edhe nga ky ndikim promovimi. E them këtë siç e ceka pak më lart se lexojnë nga letërsia që promovohet bujshëm, zhgënjehen deri diku me autorët e famës dhe zor se mund t’u mbushet mendja për të lexuar autorë të papromovuar.
Këtë sërish e kemi ne librarët në dorë ta sistemojmë si fenomen, që të mos bëhet letërsia shqipe:“e bukur”, “yll”, “si shpirt” siç edhe i krahasojnë vetë lexuesit, sikur po blejnë këpucë, sandale apo çdo send tjetër.
Kur theksoj se e kemi në dorë edhe ne librarët që të orientojmë lexuesit për autorë me ose pa bujë, e kam fjalën që duhet t’i njohim mirë edhe t’i sugjerojmë që të lexojnë sipas stadit të lexuesve. Pa lexuar disa libra jo të mirë, asnjë lexues nuk mund të arrijë të njohë autorët e mirë, si të huajt, si autorët shqiptarë. Por kjo nuk do të thotë ama se të gjithë librat që promovohen me bujë nuk vlejnë. Ka shtëpi botuese që ecin me frymën e përkrahjes së autorit të mirë shqiptar dhe për këtë, si lexuese i vlerësoj me notën më të mirë. (Qesh)
Më ka ndodhur të sugjeroj autorë të papromovuar nëpër televizione, por që i kam nxitur t’i lexojnë duke e përshkruar librin në një bisedë krejt shoqërore, si lexuesi me lexuesin, dhe ia kam dalë mbanë, e në fund edhe kam marrë falënderime për librat e sugjeruar, që në të vërtetë do të doja t’i merrnin autorët nga vetë lexuesit.
Prandaj pak më lart jam shprehur se është i nevojshëm një konkurs kombëtar, konkurs i mirë-ideuar, pasi lexuesi gjithmonë shpreh dëshirën që t’i takojë nga afër shkrimtarët shqiptarë dhe kjo do ishte diçka shumë pozitive edhe për vetë autorin, të cilit, detyrat e shkrimtarit të mos t’i mbeten në kurriz vetëm librarëve, pra e kam fjalën tek bashkëbisedimi ndërmjet lexuesit dhe autorit, ku lexuesi ka gjithmonë kuriozitetin për ta pyetur autorin për librin, personazhet, kohën, subjektin e një libri dhe jo vetëm.

Arlinda Guma: Ju vetë si i keni zbuluar autorët shqiptarë që bëjnë letërsi të mirë?

Rozi Hysuka: Më kujtohet një shprehje që e kam lexuar diku, por që nuk më kujtohet autori që e ka thënë: “Kultura e një familjeje matet me madhësinë e bibliotekës që ka”. Kjo më ndërmend bibliotekën e gjyshit tim, të cilën në moshë të vogël e shihja si diçka që nuk mund ta prekja nga afër. Ende nuk isha njohur me librin si një lexuese, pavarësisht se nuk kemi shpëtuar pa lexuar libra për fëmijë, këtë e them për ndërgjegjësimin që vjen me moshën, pra rëndësinë që ka libri dhe magjinë që merr prej tij.

Ishte një ditë vere e zakonshme. Isha me pushime verore te shtëpia e gjyshit tim në fshat, e ndoshta si një fëmijë kurioz shkoja e ndiqja gjyshin nga pas kur ai zbriste shkallët e drunjta për të hyrë në dhomën e tij të bibliotekës, por që mua më intrigonte pa masë, sepse nuk na lejonte të hynim brenda pa lejen e tij. Atë ditë, si një fëmijë i zemëruar ndoshta, e ndjeja veten si “Beni ecën vetë” mes natryrës së jetës baritore, ku çdo kafshë e imët më ngjallte frikë. Kështu nisi në pavetëdijen time “gërmimi” për letërsinë shqipe, sugjeruar nga gjyshi im, i cili e mati zemërimin tim duke më dhururar librin e Haki Stërmillit “Sikur të isha djalë” për ta lexuar ato ditëvere.

Ishte kontakati i parë me një libër që mua do të më rriste po brenda atyre orëve që e lexova, e fshehur pas kanapeve, në heshtje të plotë, nën melodinë e cicërimave të kanarinave, blegërimave dhe qarjeve të fëmijëve të vegjël të komshinjve te shtëpia e gjyshit.

Kështu ka nisur magjia e parë e leximit të librave. Thellë-thellë, dhe sot e kuptoj më së miri që shtëpia e tij me bibliotekën (që mungon shumë nëpër shtëpitë të qyteteve e jo më në shtëpitë e fshatit), më bëri një kërkuese të autorëve shqiptarë.

Mbaj mend që në qytetin tim të lindjes, në mungesë të librarive, se nuk më kujtohet a funksononte edhe biblioteka, po flasim për vitet `95 e këtej, ishte një kioskë që shiste gazeta, dhe në vitrinën e saj të vogël gjeja edhe autorë shqiptarë, kryesisht poetë si Mimoza Ahmeti, Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, më vonë Petro Marko etj. Duke qënë se librat e vegjël të poetëve vinin jo shumë shpesh, unë kërkoja të lexoja edhe më shumë prej tyre. Kur vija në Tiranë me tim atë, ndalesa e parë për mua duhej të ishte gjithmonë nëpër librari. Kështu unë u njoha me shumë emra të tjerë, që nuk i mundësonte kioska e gazetave në qytetin tim. Padyshim Kadareja, Teodor Keko, Luljeta Danaj, Flutura Açka, Elvira Dones, Fatos Kongoli, Frederik Rreshpja, etj., derisa krijova një panoramë të dashur për atë që unë në botën time të vogël e quaja letërsia që unë pëlqej. Ky refleks gërmimi më ka ndjekur gjithmonë, dhe çdo herë më del përpara ndonjë talent që nuk e dëgjoj nëpër promovime televizive.

E bëra gjithë këtë zgjatje të përgjigjes, sepse ajo që më vjen keq që e kam humbur, ishte koha pra kur dëshiroja të lexoja edhe më shumë. Këtë e them për problematikën që haset edhe ndër ditët e sotme, mungesa e bibliotekave, librarive nëpër qytete më të vogla. Unë sot punoj me një target grup siç janë studentët dhe fakeqësisht ata janë krejt të painformuar me emrin bibliotekë e jo më të paramendosh se lexojnë. Nuk e njohin librin, nuk bëhet asgjë për librin në qytete, është e nevojshme me urgjencë të krijohen bibiliotekat nga e para edhe me furnizime të botimeve të reja. Këtë e nxjerr si problem nga ankesat e studentëve dhe droja e tyre para faktit që s`kanë mundur të lexojnë duke huazuar, e kanë menduar se libri gjithmonë duhet të blihet. Për të mos folur pastaj për pamundësitë ekonomike në disa qytete.

Kur them është urgjencë për t‘u mobilizuar, e kam fjalën te frika se po kthehemi në një shoqëri të fragmentarizuar për sa i takon çështjes së leximit, të atyre që kanë mundësitë të lexojnë kundrejt atyre që as ia kanë idenë fare autorëve shqiptarë, e pjesërisht atyre të huaj, që i bëjnë edhe në lëndë mësimore.

Këtu nuk di të them sepse ka kohë që jam shkëputur nga libri i leximit letrar, e nuk di të them nëse autorët shqiptarë janë mjaftueshëm nëpër të tilla tekste mësimore.

Gjithsesi, mendoj se po t‘i kushtohet vemendje serioze kësaj që ceka sadopak, do të arrijmë të kemi të rinj edhe më të kultivuar nga aspekti i të lexuarit, gjë që është e domosdoshme dhe e shëndetshme gjithashtu, edhe si psikologji e mirë, për të mos folur më gjatë për të mirat që sjell leximi në çdo aspekt.

Nuk doja të përmendja emra të autorëve shqiptarë, me idenë e vetme që t’u lija pak imagjinatë dhe kuriozitet për t’i nxitur drejt të gërmuarit, jo vetëm për letërsinë shqipe, por edhe për atë të huaj, por po përmend ndonjë si: Ndriçm Ademaj, Ag Apolloni, Musa Ramadani nga Kosova si dhe poeten Ardita Jatru.

Arlinda Guma: A janë çmimet e librave të lartë për nivelin ekonomik të jetesës në Shqipëri ?

RoziHysuka: Sigurisht që çmimet e librave janë të larta për nivelin ekonomik, ama duhet parë edhe nga një këndvështrim tjetër, jo si librare, as si bashkëpunëtore e shtëpive botuese sepse nuk ua njoh politikat e tyre të natyrës financiare etj, por po flas si një lexuese;  mua më është dashur të heq dorë nga disa qejfe le të themi, për të blerë një apo dy libra në muaj, kur nuk kisha mundësi do ta huazoja diku patjetër. Sot që jam pjesë e atij fitimi që vjen nga shitja  librit, mund të them se libri është një mall luksi për shumë lexues. Sikundër kemi hequr dorë nga disa gjëra të tjera, edhe leximi kërkon sakrificën e vetë.

Por meqë jemi te pyetja juaj për çmimin e librave, mendoj se janë disa efekte zinxhirë, që edhe çojnë në çmime jo fort të favorshme për xhepin e lexuesit. Megjithatë kjo nuk do të thotë që unë jam dakord me çmimet që kanë librat në përgjithësi, por është një pjesë që s`më takon mua ta perifrazoj dhe pikas problemin apo arsyen e saktë përse këto çmime. Për të mos i rënë në qafë askujt, është më mirë që kjo gjë të përsëitet së thëni nga ne lexuesit-librarë, nga lexues që e shohin dhe ndjejnë dretpërsëdrejti çmimin e lartë të një libri, sepse realisht është i lartë, sidomos kur flasim përlexuesit e mi që janë studentë. Duhen rregulluar shumë gjëra me kartën e studentit, çka mungon dhe i bën ata edhe më të larguar ndaj leximit në këto kushte ekzistuese. Por e kam menduar dhe po hartoj një tip interviste verbale, siç bëj çdo vit, për të parë sa libra kanë lexuar, sa u kanë kushtuar të gjithë librat së bashku, dhe a ka qenë një letërsi e mire për ta, që të justikojë edhe xhepin e tyre. Kështu më thanë vitin e kaluar, që disa libra janë thjesht libra që nuk na thonë ndonjë gjë të madhe përveçse bujës së marketimit. Siç ka edhe lexues që i duan librat, që nuk i kanë lexuar vetëm nga sugjerime të miat por edhe nga ato të librarëve të tjerë, dhe kanë mbetur të kënaqur me çka kanë marrë informacion në rrjete sociale për librin në fjalë.

Ka edhe nga ata lexues që i bezdis prania e stërgjatur e një teksti informues mbi librin dhe janë shprehur se kjo formë e të informuarit, subjektit, etj, na çon në rënie interesi për ta blerë. Ishte bukur koha kur shkonim në librari dhe unë praktikisht po e përdor punën e librarit si një bisedë të këndshme, t’i lë të shprehen me mënyrën e tyre se çfarë duan të lexojnë, të mos humbasë kontakti i drejpërdrejtë që vjen nga komunikimilexues-lexues-librar.

I them të gjitha këto, sepse janë një matës le të themi, që jo vetëm çmimi është i lartë, por edhe format si vjen libri në duart e lexuesit nuk jane fort të hijshme.

Arlinda Guma: A i favorizon shteti librarët?

Rozi Hysuka: Mendoj se pyetja e duhur do të ishte: A i favorizon shteti shtëpitë botuese? E them këtë sepse nëse shtëpitë botuese taksohen më shumë dhe nuk favorizohen, atëherë ka efekt zinxhir që çon në % fitmi më të ulët. Shteti nuk kam dëgjuar që të flasë për librin në forma të tjera dhe kjo është absurde për një shtet që pretendon intergime të mëtejshme gjeopolitike. Megjithëse shtëpitë botuese janë të orientura së fundmi, duke ndarë përqindjet e fitimit, jo në të drejtë si për çdo librari, por nga përshkëllëzimi mes librarive të mëdha dhe atyre të vogla, ku mendoj se nuk është e drejtë, por arrij të kuptoj se kanë problemet e tyre financiare rutinë dhe gjykoj se e kanë të nevojshme edhe këtë mosrakrodim të njëjtë.

Shteti nuk di ku është lexuesi, biblioteka, qytetet, mungesat, por favore për librarët; mjaftohet me mos taksimin e biznesit të vogël. Një mish-mash, nuk di të flas më gjatë, është një problematikë për të cilën duhet ta ngrenë zërin shtëpitë botuese, sepse ne varemi direkt prej tyre për sa i takon politikës së librit si mall apo subjekt në treg.

Arlinda Guma: Përveçse librare, ju jeni edhe një lexuese e pasionuar. Çfarë mendoni përgjithësisht për letërsinë shqipe të pas 90-ës?

Rozi Hysuka: Si lexuese e apasionuar, jo vetëm për letërsinë shqipe, por do të ndalem, meqë pyetja juaj më drejtohet mbi letërsinë shqipe. Përgjithësisht ka ecur mirë, por ka nevojë për më tepër “lobing” jashtë të qenurit letërsi lokale. Kur them letërsi lokale, e kam fjalën më së pari për ata autorë që nuk kanë sjellë më ndonjë të veçantë me librat e tyre, është sikur të lexosh në rutinë. Më së dyti do të thosha se të rinjtë nuk i shoh t’i përkrahin, dhe kam frikë se letërsia shqipe e të rinjve do zhvillohet si një letërsi mes qokash gjë që ka ndodhur dhe nuk do të doja që të ndodhte. Nuk them se të rinjtë e sotëm që shkruajnë janë më të mirët, apo kanë sjellë ndonjë libër të jashtëzakonshëm, por dëshira për të shkruar të bën talent dhe padyshim që duhen përkrahur për të ndërtuar një elitë të zëshme të shkrimtarev, por jo shkrimtarë të angazhuar, më duket sikur e humbet lexuesin nëse përfundon si shkrimtar i tillë.

Do dëshiroja shumë që lobingu të bënte bashkë të gjitha shtëpitë botuese për ta nxjerrë nga lokaliteti letërsinë shqipe. Dua të them, nëse Kadareja na përfaqëson si pretendent për çmimin Nobel , atëherë le ta duartorkasim, le ta lobojmë, ndonëse letërsia e tij nuk është më lokale, meqënesë është përkthyer kryesisht në Francë e jo vetëm. Nuk jam e mendimit se do të lexojmë gjithë jetën Kadarenë (të më mirëkuptojë lexuesi fanatik i tij), por që t’i hapim dyer edhe shumë autorëvë të tjerë, ku ka edhe të rinj që mund të jenë më të mirët.

Megjithatë mendoj se ne si shoqëri na mungon ai auditori i duartrokitjeve për njëri-tjetrin, sepse sa herë del një libër i ri në botim nga autorë, më së pari bëjmë kritikën pa e lexuar librin. Duhet ta heqim këtë mendësi dhe të kalojmë te ai auditor që e do kulturën e tij, letërsinë e tij, shkrimtarët e tij heronj, sepse mes nesh ka talente që kanë nevojë për duartrokitje.

MOSHA E QENIT APO DITËLINDJA-Martin Camaj

in Letërsi/Tharm by

MOSHA E QENIT APO DITËLINDJA-Martin Camaj

Kremtuem gjith natën i ri e i vjetër kohën

që vdiq e vrame në mue.

E thanë: askush s’do të lypi gjak

për të.

Ajo nuk ishte festë, por drekë!

Në mëngjes mbas dere qentë

me sy keqardhës e të butë

nuk pritshin eshtna, por mue

me u nisë me ta shtigjeve bri lumit

teposhtë.

1 166 167 168 169 170 191
Go to Top