Author

Admin - page 166

Admin has 1899 articles published.

Një vështrim i shkurtër mbi krimin e organizuar-Woody Allen

in Letërsi/Përkthim by

Woody Allen

Askush nuk e mohon se në Amerikë krimi i organizuar arkëton më shumë se dyzet miliardë dollarë në vit. Është një shumë e lakmueshme, aq më tepër kur dihet se Mafia shpenzon fonde minimale për pajisjet e kancelarisë. Burime të besueshme na informojnë se vitin që shkoi Cosa Nostra nuk akordoi më shumë se gjashtëmijë dollarë për letrat me logo dhe për kapëset metalike të dokumentave. Për më tepër, organizata ka një sekretari të vetme dhe shtabi qendror e ka selinë në tri dhomëza të marra me qira të ndarë përgjysmë me Shkollën e Ballos të Fred Perskit. Vitin që shkoi, krimi i organizuar shkaktoi në mënyrë direkte më shumë se njëqind vrasje, ndërsa mafiozët morën pjesë tërthorazi në disa qindra vrasje të tjera, duke u blerë vrasësve biletën e autobusit apo duke u mbajtur atyre xhaketën ndërsa këta mbaronin punë. Aktivitetet e tjera ilegale në të cilat kanë gisht anëtarët e Cosa Nostra-s përfshijnë lojërat e fatit, trafikimin e drogës, prostitucionin, pengmarrjen, fajdet dhe transportin e harengave në shkallë të gjerë përtej kufirit për qëllime imorale. Tentakulat e kësaj perandorie të korruptuar kanë hyrë thellë edhe në aparatin qeveritar. Vetëm pak muaj më parë, dy kryegangsterë të shpallur nën hetim nga autoritetet federale kaluan natën në Shtëpinë e Bardhë dhe presidentit iu desh të flinte në divanin e sallës së pritjes.

Historiku i kriminalitetit të organizuar në Shtetet e Bashkuara

Në 1921 Thomas Covello (me nofkën Kasapi) dhe Ciro Santucci (me nofkën Rrobaqepsi) u përpoqën të përmblidhnin në një grusht të vetëm të gjithë grupet etnike të skenës së krimit për të shtënë në dorë Çikagon. Plani dështoi në çastin kur Albert Corillo (i njohur si Logjiku Pozitivist) vrau Kid Lipskin duke e mbyllur në një dollap prej të cilit thithi ajrin me anë të një pipe të vogël. Vëllai i Lipskit, Mendi, (alias Mendi Lewis, alias Mendi Larsen, alias Mendi Alias) u hakmor për vrasjen duke marrë peng vëllanë e Santuccit, Gaetanon (i njohur edhe si Litëll Toni apo si rabini Henri Sharpstajn), të cilin e ktheu disa javë më vonë në trajtën e njëzeteshtatë kutive konservash të madhësive të ndryshme. Kjo ngjarje shënoi fillimin e një kasaphane që Zot na ruaj.

Dominick Mione (i njohur si Erpetologu) qëlloi me armë zjarri mbi Laki Lorenzon (i njohur edhe si Fatmiri, për shkak të një bombe që i ra mbi kasketë pa arritur ta fshinte nga faqja e dheut) në dalje të një bari të Çikagos. Në përgjigjje të kësaj Corillo dhe grupi i tij e ndoqën Mionen deri në Newark, vend në të cilin ia bënë kokën satac. Këtu hyri në lojë banda Vitale, e drejtuar nga Giuseppe Vitale (emri i vërtetë i të cilit ishte Kuinci Baedeker), me synim të vetëm rrëmbimin e kontrollit mbi trafikun e pijeve alkoolike të Harlemit nga duart e Lerry Doyles, të quajtur Irlandezi –një element kriminal që dyshonte deri në atë pikë sa nuk i lejonte askujt t’i ecte pas shpine në New Jork, gjë që e shtynte të ecte nëpër rrugë duke bërë pirueta e duke u sjellë papushim rreth vetes. Doyle u vra pas vendimit të Ndërmarrjes Ndërtimore Squillante për ngritjen e bllokut të ri të godinave mbi urën që sapo i pati ndërtuar dentisti i tij personal. Komanda operative  i ra në dorë zagarit të Doyles, Litëll Peti Ross (të ashtuquajturit Peti Katallani); ai vendosi të mos i përulej pushtetit të Vitales dhe një mbrëmje e joshi në një garazh të braktisur nën pretekstin e një balloje me maska. Pa dyshuar aspak, Vitale hyri në garazh i maskuar si mi kanalesh dhe në çast u shndërrua në një përshesh të përgjakur nën breshërinë e një mitralozi. Në shenjë besnikërie ndaj bosit të ndjerë, njerëzit e Vitales u hodhën rrufeshëm në shërbim të Ross-it. Në të njejtën mënyrë veproi edhe e fejuara e Vitales, Bea Moretti, protagonistja e revistës së njohur muzikore të Brodueit “Erdhi koha të na lësh shëndenë” e cila më në fund u martua me Ross, megjithëse në vijim i ngriti padi civile me akuzën se ai nuk ishte në gjende të kryente raporte seksuale pa e spërkatur më parë me një pomadë që qelbej erë.

Duke nuhatur ndërhyrjen e afërt të autoriteteve federale, Vincent Columbraro, Mbreti i Tosteve me Gjalpë, bëri thirrje për armëpushim të përgjithshëm. (Columbraro kishte nën zotërim kaq të plotë lëvizjet e tosteve me gjalpë brenda dhe jashtë New Jersey-t, sa një fjalë e tij e vetme mund të linte barkthatë dy të tretat e kombit). Të gjithë elementët e krimit të organizuar u mblodhën për një drekë pajtimi tek Perth Amboy, gjatë së cilës Columbraro shpalli në sy të të gjithëve se kishte ardhur koha t’u jepej fund luftërave private, si edhe vërdallisjeve nëpër rrugë me fytyra të dyshimta. Letrat, të cilat deri atëherë nënshkruheshin me dorën e zezë, duhet të përmbylleshin siç qe e udhës, me frazën “Përshëndetje Miqësore” dhe sferat e ndikimit do të ndaheshin në pjesë të barabarta, përveç New Jersey-t që shkonte në favor të nënës së Columbraros. Ja, kështu lindi Mafia apo Cosa Nostra (fjalë për fjalë “Ai i Imi” ose “Ato Tonat”). Dy ditë pas kësaj Columbraro u zhduk ndërsa futej në një vaskë banjoje, dhe nuk u bë i gjallë gjatë dyzeteshtatë viteve në vijim.

Strukturat e krimit të organizuar

Cosa Nostra ka një skemë organizative të ngjashme me atë të një qeverie çfarëdo apo të një grupi të madh industrial-me fjalë të tjera, struktura e saj është analoge me atë të një grupi të mirëfilltë gangsterësh. Në krye të shkallës hierarkike qëndron bosi i bosave që është kreu i të gjithë krerëve. Mbledhjet e kupolës mbahen në shtëpinë e bosit dhe ai mban përgjegjësinë për furnizimin me sallata dhe kube akulli. Gabimet në përmbushjen e kësaj detyre dënohen me ekzekutim në vend. (Ekzekutimi, le ta sqarojmë njëherë e mirë, është njëra nga të këqijat më të mëdha që mund t’i ndodhin një anëtari në Cosa Nostra, për këtë arësye pjesa më e madhe parapëlqen të paguajë thjesht një gjobë). Nën komandën e kreut të krerëve qëndrojnë të plotfuqishmit e zonave, secili prej të cilëve qeveris një pjesë të qytetit me “familjen” e tij. Familjet mafioze nuk përbëhen aspak nga gra dhe fëmijë që vizitojnë rregullisht hipodromet dhe festat e famullisë: jo, ato janë grupime njerëzish seriozë, kënaqësia më e madhe për të cilët qëndron në soditjen e flluskave që dalin nga gurmazet e viktimave të zhytura në East River përpara se ato të japin shpirt.

Rituali i pranimit në qarqet mafioze është tepër i ndërlikuar. Si fillim, kandidatit të ri i lidhen sytë që të mos shikojë, më pas ai shoqërohet në një dhomë të errët. Pasi ia mbushin xhepat me thela shalqini, e urdhërojnë të kërcejë mbi një këmbë gjithandej me klithjen “Kuku, kuku!” Në vijim, të gjithë anëtarët e këshillit, apo komisioni, i tërheqin me radhë buzën e poshtme, dhe ia lëshojnë që t’i përplaset në fytyrë. Si përfundim, koka e kandidatit dovaritet me kokrriza thekre, dhe në rast proteste ai skualifikohet. Por, nga ana tjetër, nëse deklamon: “Oh, sa hir më ka thekra mbi kokë!” atij i urohet mirëseardhja në bashkësi. Mirëseardhja vuloset me një puthje në faqe dhe me një shtërngim dore. Që nga ky çast e më tutje, i sapopranuari e ka të ndaluar të hajë salcëra pikante, të zbavisë miqtë e shokët duke imituar kakërimën e pulës e të vrasë këdo që e ka emrin Vito.

Konkluzione

Krimi i organizuar është një plagë e hapur e vendit tonë. Edhe pse shumë të rinj amerikanë i hyjnë rrugës së krimit nën iluzionin e një jete më të mirë, pjesa më e madhe e gangsterëve është e detyruar të robëtohet me orë të tëra, shpeshherë nëpër dhoma e mjedise pa ajër të kondicionuar. Identifikimi i kriminelëve është një përgjegjësi që u përket të gjithëve. Në përgjithësi kriminelët njihen lehtë, pasi janë persona që mbajnë kapëse të mëdha në mëngët e këmishës dhe që kanë zakon të mos të pushojnë së ngrëni edhe kur personi i ulur pranë tyre goditet nga një farkë që i plaset mbi kokë nga një lartësi e madhe. Mënyrat më të mira për të luftuar krimin e organizuar janë këto:

  1. T’u bëhet e ditur kriminelëve se nuk ndodheni në shtëpi.
  2. Të lajmërohet policia sa herë që një numër çuditërisht i madh i Shoqërisë Siçiliane të Lavanderisë nis të këndojë në kor në paradhomën tuaj.
  3. Të lejohet përgjimi i telefonit.

Edhe pse përgjimi i telefonave është një metodë që nuk duhet të përdoret që në rastin më të parë, efikasiteti i tij dëshmohet nga regjistrimi i kësaj bisede mes dy gangsterëve të zonës së New Jork-ut, telefonat e të cilëve ishin vënë nën përgjim nga FBI:

Antoni:  Alo? Riko?

Riko:     Alo?

Antoni:  Riko, ti je? Nuk të dëgjoj.

Riko:     Nuk dëgjohesh hiç.

Antoni:  Riko?

Riko:     Çfarë?

Antoni:  A më dëgjon tani?

Riko:     Alo?

Antoni:  Riko?

Riko:      Linja është shumë e dobët.

Antoni:   Më dëgjon?

Riko:      Alo?

Antoni:   Riko?

Riko:      Alo?

Antoni:   Alo, centrali, linja është shumë e dobët.

Centrali: Ulni dëgjuesen dhe formoni edhe njëherë numrin, zotëri.

Riko:        Alo?

Mbështetur në këto prova, ndaj Antoni Rotunnos (i njohur si Peshku) dhe Riko Panzinit u mor masa e arrestit dhe aktualisht që të dy po vuajnë dënimin prej pesëmbëdhjetë vjetësh burg në Sing-Sing për mbajtje ilegale detersivi biologjik superzbardhues.

Përktheu:“Ivan Katastrofov”

JO, E KUNDËRTA E PAQES NUK ËSHTË VETËM LUFTA-MARIO LAMO JIMENEZ

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

JO, E KUNDËRTA E PAQES NUK ËSHTË VETËM LUFTA-MARIO LAMO JIMENEZ

Jo, e kundërta e paqes

nuk është vetëm lufta

Ka armë që qëllojnë

me plumba urie

pasigurie

e varfërie

Ka qenie që vrasin

iluzionet 

ëndrrat

shpresat e të tjerëve

e vrasin iluzionin 

para se të lulëzojë në një ëndërr shprese

Ka ura pa hyrje e as dalje

me ca gardhime të bardha

që të arsimohesh është një luks dhe jo e drejtë

na mbyllin të ardhmen

e na burgosin

në çdo cep të jetës

Ka fjalë që na shtrëngojnë

me mbiemra që plagosin

me goditje në vetëdije

Ka britma që na trembin

në oborrin e një shkolle

fraza të ashpra që fluturojnë

nëpër truallin e një shtëpie

Ka distanca shumë të shkurtra

që na ndajnë

si të qenkëshin humnera…

ngjyra e një lëkure

vendi ku lindëm

mënyra si flasim

apo vishemi

puna që bëjmë

Zoti të cilit i lutemi

ndërsa nën lëkurë

të gjithë jemi njësoj…

Jo, jo vetëm lufta

është e kundërt e paqes

braktisja, vetmia, harresa

të mos pasurit një udhë

me pemë dhe lule

por vetëm shtigje me gurë

që plagosin këmbët dhe pafajësinë

pamundësia për t’u ulur në tryezë

kur ca pakëve u shërbehet

dhe të tjerët shërbejnë

duke pështyrë djersën dhe zemërimin

apo pafuqinë e tyre

Të gjitha këto janë akte të vogla

akte të përditshme dhune…

Pra pa qenë nevoja për një luftë

po na mpijnë ndërgjegjen…

Përktheu: Bajram Karabolli 

JERUZALEM-Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

JERUZALEM-Yehuda Amichai

 

Rroba të varura

nën rrezet e pasdites së vonë

në një çati të Qytetit të Vjetër:

çarçafi i bardhë i një gruaje që armikja ime është,

i bardhi peshqir i një burri, që armiku im është

e që djersët fshin me të ballit.

Në qiellin e Qytetit të Vjetër:

një balonë.

Në anën tjetër të telit:

një fëmijë.

Nuk mund ta shoh,

prej murit lartuar.

Shumë flamuj ne i kemi ngritur.

Shumë flamuj ata i kanë ngritur.

Që të mendojnë se jemi të lumtur.

Që të mendojmë se edhe ata të lumtur janë.

 

Përktheu: Eraldo Hatija

Allen Wooody: An everyman for the happy few[1]/Umberto Eco

in Kinema/Letërsi by

Por Allen është loloja që e merr dënimin në pavetëdije, është një Id që pengohet në Mbiegon e vetë e që rrëzohet rregullisht mbi divan duke shkulur së qeshuri psikanalistin e tij. Humorizmi i këtij njeriu është i obsesionuar nga tragjedi metafizike: “Jo vetëm që nuk ka Zot, por provoni të gjeni një hidraulik gjatë fundjavës…”

  Umberto Eco

Një herë e një kohë Woody Allen njihej vetëm nga pak njerëz. Qe një elitë e vogël që e kishte parë në “Take the money and run” në SHBA, elitë e cila, ndërsa nga njëra anë ankohej se kinematë italiane nuk e mbanin në qarkullim, nga ana tjetër fshehtazi lumturohej me vetëdijen e të qenurit në dijeni të tërë këtij lezeti. I njëjtë kish qenë edhe fati i filmit “Bananas” i cili kaloi si meteor nëpër ekranet italiane, e që mundi të gjente strehë vetëm në kinematë e specializuara për zhvarrosjen e filmave të vjetër të Totò-së për kënaqësinë e një publiku të përbërë nga matematicienë, aktivistë të lëvizjes studentore, urbanistë, dhe ndonjë antropolog. Më eruditëve u kujtohej se e patën diktuar talentin komik të Woody Allen gjatë skenave të shkurtra në të cilat ai ishte shfaqur përkrah Peter Sellers (për të cilin shkruante dialogje dhe pjesë) apo në rolin që kish patur në “Casino Royal.” Së fundi, ca të tjerë e nuk e patën humbur nga sytë gjatë rolit më të fundit në skenën e filmit, më provincialët në New York, të tjerët në ndonjë qytezë kaliforniane, dhe fjala binte tek “Play it again, Sam” – ashtu si vetiu, sepse këtë të fundit të gjithë të mësipërmit e kishin parë, si të gjithë filmat e tjerë të tij, të paktën dy herë rresht. Pikërisht në këtë klimë të mugët përbetimi doli në dritë vepra e tij letrare – dhe vendimi për ta botuar. Por si do të ish e mundur që publikut italian t’i prezantohej sprova e parë letrare e një aktori i cili nuk njihej nga askush? Për këtë u fol e u stërfol derisa më në fund u arrit përfundimi se Fit e Fit[2], i përshtatur në italisht me titullin Saperla Lunga qe një libër i këndshëm, zbavitës, i lezetshëm për këdo që do ta lexonte, pavarësisht nga fakti nëse Woody Allen ishte i njohur si aktor apo jo. Dhe vendimi u mor; libri do të përkthehej. Në sfond mbetej një keqardhje e lehtë; ata që mbanin në dorë librin duke patur parasysh mimikën e Woody Allen-it në rolin e personazhit të mishëruar prej tij, do të kënaqeshin shumë më tepër.

Sidoqoftë – siç thuhet, – mirë me kaq.

Fatmirësisht, në sajë të një rrethane fatlume, ndërsa përkthimi qe gati i përfunduar dhe libri thuajse kishte dalë në shtyp, edhe në Itali shpërtheu suksesi i filmave të Woody Allen. Tani që po shkruaj, publiku ka përmbytur kinematë ku shfaqet “Luaje prapë, Sem”, distributorët kanë rivënë në qarkullim filmin “Merr paratë dhe mbathja”, ndërsa “Diktatori i Shtetit të Lirë të Bananes” është duke u shfaqur për herë të dytë dhe të tretë.

Fakti që Allen është një humorist i madh tashmë njihet nga të gjithë. Diskutohet vetëm nëse është vërtet shumë i madh, më i madh apo më pak i madh se humoristët e tjerë të mëdhenj të së shkuarës; krahasimet, siç e shihni, bëhen në këtë nivel.

Mendoj se tanimë është e udhës të njohim shkrimtarin humoristik Woody Allen: i mbështetur në penën e tij, ai mbetet i njëjti personazh që kemi njohur në ekran. Allen përshkruan thjesht veten. Dhe nuk mund të thuhet se është më pak profesionist si shkrimtar sesa si aktor, sepse debutimi i tij është kryer pikërisht nëpërmjet fjalës së shkruar.

Woody Allen është autori i dialogjeve dhe skenarit të filmit “Pussycat”; si aktor ai mori pjesë në të vetëm shkarazi, ashtu si dhe në filmin “007 Casino Royal”. Në Shtetet e Bashkuara Allen nisi të shkruajë batuta për kolosët e spektaklit si Ed Sullivan dhe Sid Caesar që në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare; vetëm kjo mund t’i mjaftonte për ta quajtur veten të pasur në prag të të njëzetave. Publiku i gjerë nisi ta njohë kur nisi të interpretonte rolet të cilat i kishte shkruar vetë si “Ujin mos e pi” dhe “Luaje prapë, Sem”, që të dyja suksese që i qëndruan kohës dhe Broadway-t që nga viti 1964. Që atëherë, Allen nisi të shfaqet gjithnjë e më tepër në televizion e të shkruajë pjesë për “New Yorker”, “Playboy” dhe “Evergreen Review”. Në vitin 1969 ai ishte regjisori, autori dhe aktori kryesor në prodhimin e parë që mbante firmën e tij “Merr paratë dhe mbathja”. Hilariteti që pasoi këtë sukses nuk ishte parë prej shumë vitesh. Dy vjet më vonë, Allen prodhoi filmin e tij të dytë “Bananet”.

Ata që e panë e kuptuan në çast se gjendeshin përpara një talenti të vërtetë komik, por askujt nuk i lindi dyshimi se “Bananet” ishin një nënprodukt i filmit të parë. “Luaje prapë, Sem” ka fituar popullaritet më të madh; në të mungon histeria surreale e dy filmave të parë, satira është më e drejtpërdrejtë dhe citimet më pak eliptike. Producentëve iu desh t’i bënin censurë aluzionit në titullin fillestar (“Luaje prapë, Sem” është lutja me të cilën Humphrey Bogart, i alkoolizuar në një tavernë të Kazablankës, i drejtohet Wilson-it që luan në piano pjesën “Time passing by”, këngën e dashurive të tij të humbura me të famshmen Ingrid Bergman), dhe kritikët u shprehën se filmi kishte patur një përfundim të lumtur dhe qëllime moraliste (heroi vendos t’ia lërë gruan e dëshiruar burrit të ligjshëm dhe largohet i vetëm nëpër natë) pa vënë re skenën e fillimit, të riprodhuar fizikisht nga “Kazablanka”: por atje, i sakrifikuari ishte Humphrey Bogart, i shoqëruar në muzg nga kapiteni francez Claude Rains, ndërsa këtu Allen vetësakrifikohet, i shoqëruar nga fantazma e Bogart. Këtu nuk ka asnjë fije dhembshurie apo moralizmi; e pranishme është thjesht ironia e qetë nëpërmjet së cilës shkrimtari Allen sheh personazhin Allen, të prangosur nën zinxhirët e miteve dhe të obsesioneve të veta intelektuale (të cilat arrijnë deri aty sa ta shtyjnë të jetojë gjithnjë brenda një citimi të vazhdueshëm).

Nën dritën e këtij interpretimi duket e papranueshme një akuzë e ngritur nga Moravia kundër Allen-it, sipas të cilës ky i fundit nuk arrin të jetë “njerëzor” siç qenë Chaplin apo Keaton, duke qenë se të qenurit artificial (duke vërejtur në këtë pikë se kjo e bënte atë njërin nga heronjtë më tipikë të kohës së tij), e shtynte të mos ndjente pasione të vërteta, por të ndiqte mitet e shpërfytyruara nga mass-mediat dhe modat intelektuale.

Allen është një personazh autentik pikërisht sepse përjeton dhe përfaqëson joautenticitetin e tij si banor i thjeshtë i “Fshatit Global”, kulturës masive. Dhe këtu neve na duhet të pyesim veten nëse Chaplin me dinjitetin, bastunin dhe kapelen e tij bombé ishte apo jo një tjetër riprodhim i një modeli po aq artificial të frymëzuar nga mitet mikroborgjeze të kohës së vet, ashtu siç riprodhon Keaton me panjollshmërinë e tij të lëmuar me brilantinë, me të qenurit dëshpërimisht dhe në mënyrë të shtirë një gentleman, sportsman, dandy, një i humbur mes dhomave të pasme të teatrove, shtëpive të patricëve, jahteve të të tjerëve dhe ambjenteve universitare që e shtyjnë tej.

Nuk mund të mos jetë kështu, sepse komiku lind edhe (por jo vetëm nga) evidentimi i mekanizmave që na shndërrojnë në jo-njerëz, në marioneta, makina, me një fjalë në qenie sociale, kukulla të kulturës së kohës (kafshët nuk janë komike, as Tarzani, as shimpanzeja Çita, sepse ata imitojnë njeriun e qytetëruar dhe luajnë me produktet e mekanikës).

Tani Allen ka nxjerrë në Shtetet e Bashkuara filmin e tij të ri, në të cilin flet për “gjithçka që do të donit të dinit mbi seksin”. Nuk e kam parë ende; por, sado që e pres me padurim, jam i sigurt se edhe në këtë film Allen do të interpretojë përsëri vetveten, njeriun që dëshpërimisht shtiret se di të dalë fit e fit, të goditurin hidhur nga jeta, por që më në fund arrin t’ia dalë mbanë si gjithnjë, me të paktën një grua që i fal një buzëqeshje, dhe e çon në shtrat. Në këtë mënyrë, Allen hakmerret ndaj kufizimeve të veta, del fit e fit, e lan të keqen, thotë fjalën e fundit – gjë që në njëfarë mënyre të jep kuptimin e një titulli kaq të vështirë për t’u përkthyer si Getting Even.

Woody Allen është shtatshkurtër, i ngathët, miop, i drojtur; ai është shprehja e gjallë e vuajtjeve të një fëmijërie të vështirë të kaluar në lagjet e varfra hebreje në New York, dhe e një kulture të përvetësuar thuajse kundra dëshirës (Allen citon i terrorizuar Kant, Kierkegaard, Leibnitz, nga mënyra se si i përdor si elementë komikë kuptohet qartë se i ka lexuar, por pastaj nuk ka arritur ta gëlltisë traumën). Ai njëkohësisht rrezaton një seksualitet të papërmbajtshëm, të vënë rregullisht nën fre (të gjitha filmat e Allen kanë temë kryesore kërkimin e gjatë, të vështirë dhe zhgënjyes të një vajze – e cila shfaqet më në fund, ashtu si në filmat e Chaplin-it, një tjetër hebre i vogël, i rraskapitur dhe njëkohësisht fitimtar).

Mekanizmi i qesharakes tek Allen mbështetet tek autonarrativa; i pasur dhe i famshëm, ai është thuajse identik me personazhet e tij (apo më mirë, personazhet e tij thuajse janë identikë me të) -, ai gjithnjë “do ta kapë veten”, por gjithnjë në vendin e gabuar. Në hyrjen që ka shkruar për librin e tij të fundit ai shprehet: “Një gjë e vetme më ka mbetur peng gjatë të gjithë jetës time; do të doja të kisha qenë dikush tjetër.”

Përshkrimi i humorizmit të Allen është një sipërmarrje e vështirë: është e vërtetë se ai ka shkruar skenare për Peter Sellers, por midis të dyve ndryshimi është i pamatshëm. Sellers është një krijesë komike mrekullisht e cekët; ai është, qoftë edhe në kuptimin modern të fjalës, loloja që ndëshkohet në fund me torta fytyrës. Por Allen është loloja që e merr dënimin në pavetëdije, është një Id që pengohet në Mbiegon e vetë e që rrëzohet rregullisht mbi divan duke shkulur së qeshuri psikanalistin e tij. Humorizmi i këtij njeriu është i obsesionuar nga tragjedi metafizike: “Jo vetëm që nuk ka Zot, po provoni të gjeni një hidraulik gjatë fundjavës…”

Ai kërkon shpëtim tek gratë, por martesa e parë i përfundon si mos më keq. Justifikohet: “Punët po shkonin mbrapsht, kisha nisur ta vija gruan nën piedestal… thuaj ç’të duash, kjo femër nuk pushon së qeni një çilimi: dje isha në vaskë kur ajo, pa pikën e arsyes hyri në banjë dhe m’i fundosi të gjitha varkat prej letre.”

Fëmijëria e tij qe e trishtë: “Shkoja në një shkollë për mësues me probleme psiqike… në shkollë më përjashtuan nga ekipi i shahut për shkak të shtatit tim të shkurtër… dëshiroja të bëhesha agjent në FBI, por standardet kërkonin një metër e tetëdhjetë gjatësi dhe vështrim shqiponje. Atëherë vendosa të bëhesha një keqbërës i famshëm. Por standardet kërkonin një metër e tetëdhjetë gjatësi dhe vështrim shqiponje.”

Humorizmi i tij lind gjithnjë brenda suazave të normales; por normalja është e kthyer përmbys. Është një mekanizëm jashtëzakonisht i thjeshtë, aq sa miqtë më të ngushtë e kanë pagëzuar me emrin Allen Woody: “Mbaja gjithnjë një fishek në xhep në lartësinë e zemrës. Njëherë dikush më qëlloi me një bibël dhe fisheku më shpëtoi jetën… Unë dhe ime shoqe nuk arrinim të mbanim veten me bukë kështu që ramë dakord: o t’i kalojmë pushimet sëbashku, o të divorcohemi; pastaj i ramë në të se udhëtimi në Bermudë mer fund pas pesëmbëdhjetë ditësh, ndërsa divorci është diçka që zgjat sa vetë jeta.”

Herë-herë mekanizmi funksionon me anë të ndërthurjes së papritur të elementëve të së përditshmes në vazhdën e një ligjërate të ngritur. Ja Woody Allen, në një sprovë metafizike: “Cili është objekti i njohjes? Pra, për çfarë jemi të sigurt se mund të njihet, apo lidhur me të cilën mund të mbështetemi mbi njohurinë se kemi mundur ta njohim, edhe nëse është e njohshme? A mund ta njohim gjithësinë? O Zot o perëndi, unë mezi gjej rrugën në Chinatown…”

Ose: “Atëherë shtrojmë çështjen: a ekziston diçka përtej nesh? Përse? Dhe përse duhet të bëjë tërë atë poterë?”

Mekanizmi i tretë lidhet me të përfytyruarit e një situate parimisht të besueshme prej së cilës reflektohen në mënyrë konseguente të gjitha pasojat e mundshme: Përshembull: në “Take the money…” Woody luan rolin e një kandidati-keqbërës që përfundon gjithnjë në pranga ngaqë asnjëherë nuk arrin të vjedhë siç është për t’u vjedhur… Pas arrestimit të radhës televizioni interviston prindërit e kriminelit, tashmë të famshëm. Si reagojnë prindërit e një rreziku publik kur gjenden për të satën herë përballë kureshtjes së përgjithshme? U vjen turp, sepse janë dy shitës të vegjël e të drojur hebrenj nga Low East. Për këtë arsye ata e japin intervistën me fytyrë të mbuluar. E pazakonta qëndron në faktin se që të dy, nëna dhe babai, fshihen nën maskën e Groucho Marx, me syzet xhamtrasha, hundën e madhe dhe mustaqet-fshesë: nga ana tjetër, dialogu i tyre është prekës dhe realist, i përshkruar nga të qara dhe ngashërime. Efekti është i papërshkrueshëm.

Të njejtët mekanizma rikthehen në imitimet e ndryshme të ndërthurura kudo në veprën e shkruar të Woody Allen. Në fund të fundit kemi të bëjmë me imitime, variacione “sipas stilit të” biografive frojdiane, sipas stilit të memuareve fitzxheraldiane mes Parisit dhe Kilimanxharos nga Mister Papa, sipas mënyrës të Mickey Spillane (por viktima e vrasjes është Zoti, dhe mbartësit e intrigës janë filozofitë antike dhe moderne), sipas mënyrës së shahistëve manikë, sipas mënyrës së – si gjithmonë – një tjetri. Sepse Woody na është rrëfyer; ëndrra është të mos jesh vetvetja.

Por, në të tjera raste ai u hap udhën shfrimeve “a là Hellzapoppin” përshkon surrealen, luan me ndryshime drastike të skenarit, ndryshme që arrijnë kufijtë e goliardikes. Por nga ana tjetër, është e udhës pikërisht kështu, sepse personazhi Woody asnjëherë nuk ka arritur moshën e pjekurisë. Nga ana tjetër do të doja të theksoja se edhe në faqet dhe batutat më pak të arrira të këtij libri (nuk mungojnë as këto) mjafton që lexuesi të sjellë ndërmend sadopak fytyrën e autorit që i ka shkruar teksa i interpreton në ndonjërin nga rolet e tij, që efekti komik të mos të mungojë.

Është e vërtetë që kjo nuk mjafton për të mbajtur ujin në çati atje ku pikon (apo atje ku përkthimi nuk është në gjendje të përçojë imtësitë verbale të humorit yiddish), por do të ishte diçka e tepruar të lexoje shkrimet e tij si të ishin një vepër (e cila do të mund të përkufizohej, ndoshta në mënyrë patetike si një vepër a là Woody Allen): para të gjithash kemi të bëjmë me shënimet e një banori të një metropoli, shënime që nuk bashkërenditen askund, kemi të bëjmë me një Leopold Bloom modest pa pretendime humoristike. Është një njeri i vënë përfund nga një pasion i kotë, shprehja e të cilit i përvidhet Allen-it në njërën nga frazat e tij  tashmë proverbiale:“Ndjej një dëshirë të zjarrtë të rikthehem në uterus…. të kujtdoqoftë.”

Janar 1973

Përktheu:“Ivan Katastrofov”

 

[1] Anglisht në origjinal

[2] Tituli i origjinalit Getting Even, New York 1966

Hëna-Jose Luis Borges

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Hëna-Jose Luis Borges

 

Kaq shumë vetmi në atë monedhë ari.

Hëna e netëve nuk është hëna

që pa Adami i parë. Shekujt e gjatë

të pagjumësisë njerëzore e kanë tejmbushur

me vaje të moçme. Këqyre. Është pasqyra jote.

 

Përktheu: Bajram Karabolli

Suljotët e Delacroix… dhe tabloja e gjymtuar/Luan Rama

in Pikturë by

Luan Rama

Në hyrje të kishës së madhe të Saint-Sulpice, në Saint-Germain-des-Près, aty ku ishte pagëzuar fëmija i quajtur Charles Baudelaire, gjenden afresket e fundit të Eugène Delacroix, pasi pikërisht aty ai u ftoh dhe shpejt sëmundja do ta mundë për ta çuar drejt vdekjes. Pothuajse njëqind metra më tutje, në «Place Furstenberg», ishte shtëpia dhe atelieri i tij ku do të mbeteshin dhe veprat e tij të fundit, mes të cilave dhe etydet mbi kostumet suljote.

Por atë vit të fundit, një nga tablotë e mjeshtrit kishte kohë që priste të përfundohej në kavaletin e tij dhe kjo ishte tabloja e sulmit të Marko Boçarit mbi kampin turk. Një tablo e madhe, dinamike, me shumë personazhe e ngjyra të ndezura, por që mjeshtri kërkonte që më së fundi ta mbaronte. Por ai nuk do të ngrihej dot për ta mbaruar atë edhe pse kishte premtuar se shumë shpejt ajo do të ishte gati. Pas vdekjes së tij, si shumë tablo të tjera, edhe ajo tablo u shit, por më pas, askush nuk e mori vesh se përse ajo tablo u pre në disa fragmente dhe u shit ndër koleksionistë të ndryshëm. Kjo do të mbetej një enigmë në historinë e artit francez. Cila ishte kjo pikturë dhe përse Delacroix iu drejtua heroit suljot Marko Boçari, për të cilin tashmë figura e tij ishte kthyer në një objekt frymëzimi ndër artistët e Europës, në pikturë, në letërsi, botime poezish të fuqishme (Orientalja e Hugo-së), në drama që shfaqeshin në teatrot e Parisit si në “Comedie Française” apo “Théâtre de l’Odeon”, në opera të kryeqyteteve të tjera europiane.

Eugene Delacroix ishte i ri kur shpërtheu Revolucioni Grek, ku morën pjesë dhe suljotët e prirë nga Boçarët e Xhavellat, por dhe kapedanët e ishujve, ata të Peloponezit, me në krye detarët e Hidrës e të Specaj, të Miaulis, Konduriotis, Bubulinës, Tombazi, Chamides, Kryezi, etj. Në vitin 1823, kur Misolongji ishte rrethuar nga ushtria turke, Boçari doli nga kështjella kur ishin futur banorët dhe mbrojtësit e qytetit dhe sulmoi në Karpenisi, ku ishin turqit dhe çadrat e pashait, duke mbetur më së fundi i vrarë. Trupin e tij e mori i vëllai i tij Kosta, bashkë me luftëtarët e tjerë dhe e sollën në kështjellë, ceremoni që i përshkruajnë kronikat e kohës dhe me shumë ngjyra, si edhe Dora d’Istria, e cila shkoi në Misolongj më vonë. Një vit më pas, më 1824, erdhi në Misolongj Bajroni (Byron), siç dhe i kishte premtuar përmes një letre dërguar Boçarit se do të vinte. Më së fundi erdhi, por aty gjeti veçse varrin e Markos… dy muaj më vonë Bajroni vdiq në ethe, po aty. Por ndërkohë veprat e tij për revolucionin grek, Child Haroldi dhe poemat e tjera për grekët e shqiptarët, e kishin ndezur dhe zemrën e piktorit të ri Delacroix që në ditar, pas vdekjes së shokut të tij, piktorit Géricault, autorit të Radoja e Meduzës, shkruante: “I mjeri Géricault, të pashë duke zbritur në atë banesë të fundit e të vogël, ku nuk ka më ëndrra. Sa do të doja të isha poet. A të kujtohen ato vargje të Bajronit që të ngrinin peshë e të frymëzonin përjetësisht?” Më pas, në Prill të vitit 1824, po në ditar ai shtonte: “Duhet bërë një vizatim i fuqishëm për Boçarin, një vizatim, ku turqit të tmerruar e të befasuar hidhen mbi njeri-tjetrin“.

Më 1822, 1823 e veçanërisht më 1824, shumë studime e punime në vizatim e në vaj tregojnë evolucionin e kërkimeve të tij piktorale me temën e suljotëve. Ai zbulonte me gëzim gjallërinë kromatike të veshjeve të tyre, të palikarëve me fustanella, të bardha dhe të ngritura në ajër… “Dy studime të një personazhi me kostum grek, 1822-1825, vaj, 35×46 cm, Musée du Louvre; etyd kostumesh suljote, 1824, vaj, 43×46 cm, Musée du Louvre; etyde sipas veshjeve suljote dhe figurave sipas Goya-s, vaj, 1822, Musée Delacroix, Paris.”[1]  Delacroix interesohej veçanërisht për Revolucionin Grek dhe Boçarin, siç tregohet edhe në një letër të tij drejtuar arkitektit Bénard që sapo ishte kthyer nga Greqia: «Njëmijë të falura zotëri për kërkesën time të përsëritur. Më ndjeni që po ju adresohem për tu kërkuar disa të dhëna dhe ngjarje nga më spikatëset që ju keni deklaruar rreth luftës aktuale në Greqi: sigurisht, ngjarje që ngacmojnë më shumë pikturën… Do më interesonte veçanërisht të dija ngjarje dhe fakte për devocionin e Boçarit në këtë luftë…»

Në përfytyrimet e piktorit francez shfaqej figura e Boçarit, e përshkruar në librat e Byron-it e poemat e Hugo-it, si vetë koha e revolucionit grek, kur suljotët dhe shqiptarët e tjerë të Shqipërisë së Jugut vrapuan për çlirimin e Greqisë nga zgjedha osmane. Ndërkohë ai kishte bërë edhe disa etyde tipash, kuajsh e skena për një tablo tjetër, ngjarje nga revolucioni grek. Në një akuarel me deçiturën Studim arvanitas duket figura e një shqiptari. Po kështu është një tjetër etyd, me një suljot në këmbë, me dorën e pështetur mbi pushkën që zgjatet gjer në tokë. Linja elegante, përsosmëri, vitalitet, pështjellim në një atmosferë romantike. Pikërisht në këtë periudhë, tablotë e fuqishme të këtij piktori përshëndeteshin me zjarr nga poeti Charles Baudelaire, i cili atë kohë shkruante kritika arti për sallonet e pikturës dhe ekspozitat e mëdha që hapeshin në Paris. Në një poezi të tij, duke iu referuar piktorit Delacroix, ai shkruante: “Delacroix, liqen gjaku i nëmur nga engjëj të këqinj / Rrethuar nga një pyll pishash gjithnjë të gjelbëruar”.[2]

Për Baudelaire, Delacroix ishte tipi i piktorit poet, një artist me një frymëmarrje e fuqi të jashtëzakonshme krijuese, i cili realizoi jo vetëm tablo të panumurta e vepra të përkryera të epokës së tij, por edhe shumë afreske të pallatit mbretëror, në Sallonin e Mbretit, Dhomën e Deputetëve, etj. Për Sallonin e Pikturës të vitit 1824 që do të hapej në Paris, Delacroix mendoi fillimisht për tablonë që kishte nisur para ca kohësh, të titulluar “Boçari në sulm”, por në Maj 1823 ai hezitoi ta prezantonte atë dhe iu përvesh një pune tjetër: përgatitjes së tablosë “Masakra e Scios”, kushtuar Bajronit të madh që kishte vdekur në krahët të kryengritësve heroikë. Sidoqoftë, kur shkruante për piktorin Delacroix, si një «liqen gjaku», për Baudelaire ishte ngjyra e kuqe që përdorte aq shpesh piktori dhe kur shtonte fjalët «ciel chagrin» (një qiell i hidhëruar) kishte parasysh thellësinë e sfondeve në tablotë e tij. Më 1825, kaloi në Paris konti Paliatino, një qytetar i Korfuzit dhe atëherë ishte modë që njerëz me emër të fotografoheshin dhe pozonin për portrete, veshur me kostume ekzotike, siç kishte ndodhur dhe me Byron-in, i cili ishte pikturuar me kostumin shqiptar nga Thomas Phillips. Një studiues francez thotë se Paliatino, dilte dhe në rrugët e Parisit i veshur me atë kostum suljoti. Atëherë edhe Delacroix e pëlqente shumë këtë lloj kostumi, edhe pse kur shkrimtari Alexandre Dumas organizonte ballot e tij, ai shkonte atje i veshur me një pelerinë si të Dante-s, meqë Dante-n dhe Byron-in ai i kishte idhujt të tij. Kështu, Paliatino shkoi në atelierin e Delacroix dhe pozoi për të, tablo që Delacroix donte ta paraqiste në sallonin e vitit 1827. Ishte një pikturë në vaj në dimensionet 41×33 cm, e ngjashme shumë me një akuarel që zoti Auguste, miku i tij piktor, i kishte bërë po këtij konti. Më pas, Delacroix do të vazhdonte me temën e tij orientale i frymëzuar gjithnjë nga poemat e Byron-it, veçanërisht dyluftimin e Xhahurit me Pashain në disa variante apo dhe “E fejuara e Abidos”, në disa variante, një histori tragjike, ku ati vret të birin, i cili kërkon të largohet i dashuruar me një skllave.

Shtëpia e Delacroix në “Rue des Martyrs” kishte plot kostume e objekte shqiptare. Aty mblidheshin Géricault, Delacroix, Merimée, Balzac, etj. Delacroix e vlerësonte shumë artistin D’Angers dhe shkonte shpesh në atelierin e tij në Paris. “Një artist i madh”, – thoshte ai, – elozhet e tij më japin gjallëri”. Në atë kohë Ballkani ziente nga lufta. Rënia e Mesallongjit  në duart e ushtrisë turke të Ibrahim Pashës gjeti një jehonë të madhe në Europë.

Në Paris, më 17 Maj 1826, në “Galerie Lebrun”, 4, “Rue Gros-Chenet”, u hap një ekspozitë me qëllim që me të ardhurat e fituara nga shitja e pikturave të ndihmoheshin grekët e hedhur ne revolucion. Delacroix paraqiti tablonë «Greqia jep shpirt mbi rrënojat e Mesallongjit», (La Grèce expirant sur les ruines de Missolongis). Ashtu siç shkruante Delacroix për Byron-in se “poezia e tij energjike ka lindur mes stuhisë“, ashtu po krijoheshin edhe tablotë e tij për Ballkanin, që reflektonin dhimbje dhe tragjedi. “Duke lexuar këtë mëngjes shënimin mbi Byron-in, ndiej të zgjohet te unë dëshira e pamatë për të krijuar. A do të jetë vallë një lumturi për mua? – shkruante Delacroix në ditarin e tij më 14 Maj 1823, kohë kur ai banonte në “Rue de Grenelle”, në Paris. – “Krijuesi duhet të jetë shumë i guximshëm. Pa një guxim ekstrem nuk mund të arrihet e bukura artistike“. Guxim ekstrem! Situatë ekstreme! Vallë pikërisht kjo i bënte patetike tablotë e tij? Ç’kishte ngjizur vallë ai nga shpirti i tij në ato tablo? I vetëm, në një gjendje të trazuar, Delacroix punonte deri natën vonë. Pak të bardhë për fustanellat, pak okër dhe të kuqërremtë për qiellin dhe betejën. Duket se qielli vetëtin, kuajt janë të hazdisur dhe turmat suljote me jataganë hidhen në sulm drejt kampit turk. Vizitori që ndodhet përballë tablosë mban frymën një çast. Eshtë magjia e artit të madh që e pushton dhe e merr ngadalë, si pakuptuar drejt asaj kohe epike dhe spektakli të zhurmshëm, gati mitik. Në librin Delacroix të A. D. Hureaut, tregohet një tablo e mrekullueshme me deçiturën “Marko Boçari i plagosur për vdekje gjatë një sulmi në kampin turk” (“Marcos Botzaris  mortellement blessé lors de l’attaque d’un camp turque“). Kjo figurë do të bëhet një figurë gati mitike për Delacroix dhe piktorët europiane të asaj kohe.

Për figurat e tablosë së tij, ishte miku i afërt, piktori Jules Robert Auguste apo Monsieur Auguste, siç e thërrisnin, i cili i solli mjaft kostume të suljotëve nga Ballkani, të mbledhura gjatë udhëtimeve të tij. Më 26 Qershor 1824, në ditarin e tij Delacroix shkruante për kostumet që i kishte sjellë Auguste. Më 7 Korrik ai shtonte po në ditar: «Sot, erdhi në atelier zoti Auguste. I pëlqeu shumë tabloja ime. Fjalët e tij më dhanë forca të mëtejshme…» Të nesërmen ai kishte shkuar të merrte kostumet suljote në atelierin e zotit Auguste.

Më 1832, Delacroix i rikthehet sërrish ngjarjeve në Ballkan, revolucionit grek dhe luftrave greko-turke. Një seri tablosh janë të lidhura me figurën e Xhahur Pashës. Kuajt e Delacroix-së padyshim janë kuajt më ekspresivë në botën e pikturës klasike. Në “Greqia jep shpirt mbi rrënojat e Mesalongjit”, duket një vajzë e re mbi gërmadha në një atmosferë të zymtë, pas beteje, me gjoks të hapur dhe një vështrim plot dhembje. Kjo tablo është padyshim pararendëse e asaj tabloje që ai do të krijojë më vonë me deçiturën “Liria ose Liria prin popullin”, (La liberté guidant le Peuple). Delacroix ishte një humanist që i përkrahu popujt që kërkonin të fitonin lirinë.

Vite të tjera do të kalonin. Delacroix udhëtoi drejt Marokut dhe u kthye që andej plot frymëzime për temën orientale, duke krijuar vepra të fuqishme, madje dhe shumë sensuale, çka bëri që ai të vihej në krye të plejadës së piktorëve francezë e europianë. Më 1863, tabloja “Marko Boçari sulmon papritur kampin turk” ende nuk kishte mbaruar. Mjeshtri nuk i lëshonte kollaj nga dora veprat e tij. Më 21 Qershor, Delacroix i shkruante agjentit të tregëtarit francez Rodoconachi, i cili priste tablonë: «Gjithë këtë dimër s’kam bërë asgjë dhe gjendja e rëndë më ka penguar për një kohë të gjatë për çdo lloj pune. Nuk dua të abuzoj në mirësinë e zotit Rodoconachi… por sigurojeni për përkujdesjen që do t’i kushtoj mbarimit të kësaj tabloje që për mua është një vepër e përzgjedhur». Në fakt, që në vitin 1860 Delacroix kishte nënshkruar një kontratë për këtë vepër me tregtarin marsejez Rodoconachi: «Zoti Eugene Delacroix angazhohet ndaj zotit Théodore Rodoconachi të bëjë një tablo në vaj për vdekjen e Boçarit. Nga ana e tij, zoti Rodoconachi dhe trashëgimtarët e tij angazhohen që me marrjen e tablosë t’i dorëzojnë zotit Delacroix shumën prej 8.000 frangash». Por pas premtimit se do ta mbaronte veprën, në muajin  Korrik, Delacroix vdiq. Më vonë, me prerjen dhe shitjen e pjesëve të tablosë, një fragment ra në duart e koleksionistit Johson, në Paris, ku ndodhet dhe sot dhe që është tabloja që kemi parë aq shpesh në botimet për veprat e Delacroix. «Një tablo me frymë epike ç’ka të habit për forcën e një artisti në fundin e jetës së tij», janë shprehur kritikët. Theophile Sylvestre për këtë tablo të pambaruar, është shprehur se «Tabloja e Boçarit që kap në befasi kampin turk, për dy javë punë u bë një tablo e mrekullueshme». Sylvestre në fakt ishte një nga miqtë e afërt të Delacroix-së, i cili e ka parë të punojë atë në kohën e një stërmundimi të madh kur pasioni për artin mbijetonte mbi rrënimin fizik.

Suljotët e Delacroix-së, të cilët ai i pandehte se ishin grekë, por që në fakt ishin shqiptarë ortodoksë të Epirit, gjenden sot në një sërë muzeumesh e koleksionesh private të dëgjuara si «Musée du Louvre», “Muse de Petit Palais”, “Muse de Bordeaux”, “Collection Jacques Dupont”, “Collection M. Guerin”, etj. Më pas, të tjerë piktorë franceze, duke iu referuar tablove të tij dhe historisë ballkanike trajtuan dhe temën shqiptare, siç ishin artistët e njohur J. L. Gérôme, A. Descamps, A. Scheffer, Th. Aligny, David, L. Dupré, etj. Vizatime, tablo, skulptura, dëshmi të një epoke heroike…

Shkëputur prej librit «Përballë tablosë”-Luan Rama

[1]Deux études d’un personage en costume grec, 1822-1825, huile, 35×46 cm, Musée du Louvre; étude de costumes souliotes, 1824-1825, huile, 43×46 cm, Musée du Louvre; études d’après de vetêments souliotes et des figures d’après Goya, huile, 1822, Musée Delacroix, Paris».

[2] “Delacroix, lac de sang hanté des mauvais anges / Ombragé par un bois de sapins toujours vert…”

Kronikat televizive të fundvitit-Ali Luca

in Letërsi by

Kronikat televizive të fundvitit-Ali Luca

Kronikat televizive të fundvitit
Radhisin ngjarjet e bujshme.
Kalojnë mbi ekranë 
Episode lufte,
Krerë shtetesh të ngrirë nga protokolli
Pas shpatullave presidenciale
Si një hënë e qeshur në cep të malit,
Fytyrat e grave të tyre
Buda femërore kauçuku.
Pasurojnë kronikën
Kortezhe arrogante te vdekurish të famshëm
Në të zeza
Hekurosur me muzikë klasike.
Zëri idiot i spikeres
Si xhin tonik 
Për muskujt e audiencës
Bën rrokopujën të durueshme.

Kronokat ngrihen si oxhaqe të lartë
Fillikatë, kryeneçë

E midis tyre 
-Si mbi fushat bosh të historisë-
Dergjen anonimët e botës,
Një prej të cilëve jam dhe vetë.

 

Bertolt Brecht – Lavdi të nxënit

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Bertolt Brecht – Lavdi të nxënit

 

“Mëso më të thjeshtën e gjërave! Ata,

Të cilëve u ka ardh’ dita,

S’janë kurrë tepër vonë!

Mëso ABC-në; s’mjafton, vërtet,

Megjithatë mësoje! Mos u pezmato!

Fillo! Gjithçka duhet të dish!

Ty të takon të jesh në krye.

 

Mëso, o njeri i bujtinës!

Mëso, o njeri në birucë!

Mëso, o grua tenxheresh!

Mëso, o shtatëdhjetëvjeçar! Ty të takon të jesh në krye!

Mos e braktis shkollën pa çati!

Fut ca dije në xhep, ti që ngrin në acar!

 I uritur, rrok një libër: është një pushkë.

Ty të takon të jesh në krye.

 

Shok, mos ki frikë të pyesësh.

Dëgjo njëqind vetë,

Por pastaj shih e bëj vetë!

Atë që s’e di,

S’e di, flije mendjen.

Por mos bëj hesape pa hanxhinë:

Ngase në fund të shkon ty fatura.

Vëre gishtin mbi çdo zë,

Pyet se për çfarë bëhet fjalë.

Ty të takon të jesh në krye”.

Shqipëroi: Edon Qesari

Një simotër për “Shqiptaren” e Camille Corot

in Pikturë by

Gjithçka po errësohet ende… Pellgu i ujit vezullon. Një mizëri yjesh. Eshtë iluzioni që krijohet kur dielli perëndon dhe dielli i brendshëm i shpirtit, dielli i artit, ngrihet… Po, tabloja ime u krijua!…  – Corot

Luan Rama

Le ta kundrojmë gjatë… Ёshtë « Shqiptarja » e Corot, një tablo mitike për ne shqiptarët. Çuditërisht jo në sfondin e një qielli blu apo të përflakur nga një perëndim dielli, as në sfondin e një pylli idilik, të një mjedisi familjar intim, apo siç qëndron e na sheh me sy lozonjarë zonja Foudras. Jo, “Shqiptarja” e piktorit francez Jean-Baptiste-Camille Corot është nëpër erë, hijerëndë, në ecje, e menduar, e vetëpërmbajtur ku edhe pse një çast duket se modeli pozon para piktorit, shpejt, figura e kapërcen cakun e modelit, bëhet personazh, merr tipare përfaqësuese, ashtu, me atë kostum kombëtar që i përket një kombi, një vendi, ku e kuqja dhe e zeza pleksen me të bardhën e një këmishe që ngrohin gjinjtë e një vajze të re, të një figure elegante dhe me hirësi që ke dëshirë ta kundrosh gjatë, duke kërkuar ta ndjekësh në atë rrugëtim apo udhë ku është nisur. Përse piktori e quajti “Shqiptarja”? Ёshtë vallë një shqiptare e ikur nga toka amtare e saj nga ku e mbajnë të lidhur veç etërit, këngët, gjuha, apo ai kostum që mban ende? Vallë Corot e piktakoi atë në udhëtimet e tij në Itali, poshtë jugut, atje ku shqiptarët tashmë kishin ngritur atdheun e tyre të dytë?

Kjo tablo e pikturuar në vitin 1872, shumë pak qëndroi në atelierin e piktorit, pasi atë kohë tablotë e tij shiteshin shumë. Për tregëtarët e pikturave, por dhe për kritikët, ai ishte nga piktorët më të parapëlqyer të gjeneratës së tij. Tre vjet më vonë, kavaleti i tij nuk do ta ndjente më penelin e mjeshtrit. Por edhe kur po shuhej atë mbrëmje të 22 Shkurtit të vitit 1875, fytyra e tij kishte një pamje të gëzuar. – Sa shumë gjëra kam për të pikturuar, sa shumë, – i thoshte ai mikut të tij Robout, që vinte puthuajse çdo ditë ta shikonte në atë prag-vdekjeje. – Shoh gjëra që kurrë s’i kam parë. Më duket se asnjëherë nuk kam ditur ta pikturoj qiellin… Ky qiell që kam përpara është më i thellë, më rozë, më transparent. Ah, sa do të doja t’ua tregoja këto horizonte të pafund»… I sëmurë nga një kancer në stomak, plaku Corot, (Koro), “artisti i vertetë”, siç e cilësonte Delacroix, piktori dhe një nga personalitetet me të shquara të shekullit të vetë, po shijonte atë botë të magjishme dhe enigmatike, që siç duket vdekja ia shpalos njeriut para se ta rrëmbejë. Atë mëngjes shërbyesja e dhomës i kërkoi t’i çonte mëngjesin, por ai i tha: – Sot baba Corot do të shtrohet për të ngrënë atje lart, – dhe i bëri shenjë nga qielli.

Camille Corot i lindur në Paris nga një familje pariziane, ishte një piktor romantik si dhe bashkëkohësit e vet Poussin apo Cezanne, me një prodhimtari të madhe artistike dhe gjithnjë në udhëtim e lëvizje. Në Louvre apo dhe në muzeun «Musée d’Orsay», kisha parë disa nga veprat e Corot, peizazhe këto të mrekullueshme. Corot vdiq në epokën kur po shfaqej impresionizmi dhe disa nga peizazhet e tij, me pemë nëpër erë, gjysmë flu, të ngjajnë si pararendëse të kësaj shkolle, që bëri emër të madh në historinë e pikturës botërore. Ai vdiq një vit pasi nxënësit e tij, mes të cilëve dhe Pisarro, hapën në “Boulevard  des Capucines”, në atelienë e fotografit të shquar Nadar, ekspozitën e tyre të parë. Revolucioni grek për pavarësi, ngjarjet nga Ballkani, suljotët, bëmat e Ali Pashë Tepelenës, etj, shumë piktorë i bënë që të kthenin sytë drejt një realiteti të stuhishëm. Shumë piktorë trajtuan dhe temën shqiptare, siç bëri Delacroix me Boçarin, Auguste Decamps me arvanitasit apo Louis Dupré me suljotët, etj, apo piktorët e skulptorët e tjerë francezë. Vetëm tri vjet para vdekjes, piktori Corot na la një tablo të mrekullueshme me temë shqiptare të titulluar Shqiptarja (L’Albanaise).

Pas atelierëve të tij në Paris, si në “Quai Voltaire”, “Rue Neuve des Petits-Champs” dhe “Rue des Beaux Arts”, ai punoi  së fundi në studion e rrugës “Rue Paradis-Poissoniere”, ku krijoi dhe tablonë «Shqiptarja». Kjo tablo është punuar nga Corot në dimensionet 83x65cm dhe sot ndodhet në muzeun e Bruklinit në New York, ashtu si dhe disa piktura të tjera të Corot që gjenden në këtë muze si, “Letra“, “Bakante në breg të detit“, etj. Në këtë tablo, si model ka shërbyer një vajzë 15 vjeçare, zonjusha Darmelas, e cila pozonte herë pas here në studion e tij, por që në këtë tablo duket më e rritur. Miku i tij Robout, e pa Corot duke e punuar këtë tablo në studion e tij më 9 Janar 1872, siç e dëshmon ai në librin e tij me kujtime për Corot. Piktori i madh, i shquar për peizazhet dhe portretet, kishte bërë së pari dy skica,“croquis”, të cilat u ruajtën me pas. Një vit më vonë, pas vdekjes së Corot, kur Robout e pa rastësisht këtë portret, të cunguar dhe të zvogëluar në dimensionet 74x65cm, aq sa ekziston dhe sot, u shqetësua dhe zbuloi se pas shitjes së këtij portreti, jo vetëm që ajo ishte cunguar dhe prerë nga ana e krahut, duke u retushuar me penel, por i ishte zhdukur edhe vula e shitjes, duke shtuar mbi tablo një firmë të huaj. Ndërhyrja e mikut të piktorit e shpëtoi këtë vepër që bashkë me disa tablo të tjera të Corot, punuar në vitet e fundit të jetës së tij, janë mjaft të njohura nga kritika e huaj, si “Zonja Foudras”, (që gjendet sot në “Art Gallery Museum” të Glascow), apo “Hebreja e Algjerit” dhe “Cigania me mandolinë” (“Museu de arte”, Sau Paolo), “Sibylle”, etj.

Në portretin “Shqiptarja“, – shkruan kritiku i veprës së Corot, Jean Selz, në librin e tij “Jeta dhe vepra e Camille Corot”, – është dhënë një meditim i padeshifrueshëm“… Ndërsa ne përsëri pyesim: përse vallë ai e krijoi këtë tablo? Në kujtim të kujt?… Tablotë e mjeshtërve klasikë ruajnë gjithnjë enigma e mistere rreth krijimit të tyre. Vallë përse ai portret i «Shqiptares» kishte atë vështrim aq të thellë, depërtues, të ngrohtë, atë vështrim që dhe pa folur, tregonte shumçka; ajo qetësi dhe paqe që lexohej në sytë e saj. Po, kjo «shqiptare», si një «xhakondë» klasike ishte jo vetëm përsosmëri e linjave dhe ngjyrave, por dhe botë njerëzore. A nuk thoshte Corot se «mua më duhet një model, një portret që vibron?» Kritiku dhe historiani i artit Vincent Pomarède, në librin e tij kushtuar Corot-së, «Corot, la mémoire du paysage»,[1] ndër të tjera shkruan se «Corot kishte sjellë nga udhëtimi i tij në Itali shumë kostume, të cilat i lejonin të vishte modelet gjatë seancave me ato. Dy nga kostumet origjinale që i pëlqenin më shumë ishin ato italiane dhe sigurisht shqiptare, apo me frymë orientale…»

Corot ishte një romantik dhe udhëtar i madh. Megjithëse gjithnjë mes njerëzve, ai jetoi e pikturoi i vetmuar, duke ia kushtuar gjithë jetën e tij artit, ngjyrave e për më tepër harmonisë pikturale. Ai ishte aq human e i brishtë, sa vdekja e mikut te tij, shkrimtarit Théofil Gauthier e trishtoi pa masë. Më 1825 ai udhëtoi në Itali dhe zbriti drejt jugut të saj, duke u ndalur në  fshatra që banoheshin nga arbëreshët shqiptarë, të ardhur aty para disa shekujsh. Ndaloi pikërisht në Civitta Castellana, e njohur për ngulimet e vjetra arbëreshe, ku ai krijoi një sërë tablosh, vizatimesh e peizazhesh. Më 1827, kur u kthye në Paris, ai u krenua para miqve të vet, duke u treguar peizazhin e punuar në vaj me shkëmbinjtë e kuq të Civitta Castellana, apo tablo te tjera në Narni, Terni apo Papigno. Një tjetër tablo e bukur në vaj është “La Cervara” e krijuar gjatë viteve 1825-1828. Dhjetra vite më pas, duke dëgjuar historitë e pashait rebel të Janinës dhe padyshim historinë e personazhit të Haide-së, vajzës së Ali Pashës, të krijuar nga Alexandre Dumas, histori këto që qarkullonin në sallonet letrare e artistike të Parisit (atë kohë arnautët e Gérôme ishin në modë), ai punoi tablonë “Haideja“, 1870-1872, sipas modelit të Emma Dobigny, veshur me një kostum të vajzave arvanitase të Athinës, me një këmishë të hapur “pankamiso” dhe një shami të lidhur në kokë, e cila në trisht, është ulur buzë detit dhe mban një mandolinë në duar. Në sfond duken disa anije me vela. Eshtë pikërisht Dobigny që pozon më pas për të dhe në disa “nudo” të tij.

Corot ishte një piktor që nuk u vlerësua aq nga zyrtarët e kohës së vet sesa nga artistët bashkëkohës si Baudelaire, Delacroix, etj. Në librin e tij Kuriozitete estetike, Baudelaire shkruante se “Corot pikturon si mjeshtërit e mëdhenj; ai është më shumë një harmonist sesa një kolorist… Pothuaj të gjitha veprat e tij kanë dhuntinë e veçantë të unitetit, që është nga gjërat esenciale të kujtesës. Ai është në krye të shkollës moderne të peizazhit“. Në disa nga tablotë e fundit të tij bien në sy peizazhet në erë e në kohë të vrenjtur. Piktura e tij të rrëmben me dinamikën e saj. Edhe pa e parë nënshkrimin e autorit, artëdashësi i apasionuar thotë: Ja një Corot!

Më 1873, dy vite para se të vdiste, atëherë kur ai nxitonte sa në Ardennes, Coubron e Rennes, «Academie des Arts», (Akademia e Artit në Paris), e vlerësoi me një Medalje të Artë për gjithë krijimtarinë e tij. Tri ditë para se të shuhej, ai ende punonte për tablotë që donte të ekspozonte në Sallonin e Artit që do të hapej në Paris. Atë mbrëmje të 22 Shkurtit 1875, pra pothuajse një shekull e gjysmë më parë, sytë e artistit të madh do të perëndonin vonë, në prag të mesnatës. Ishte zemra e një artisti humanist, që i prekur nga mjerimi ku jetonte miku i tij, piktori tjetër i madh, Honoré Domier, i bleu një shtëpi, që Domier të vdiste i qetë dhe i lumtur. Ashtu si Domier, në vetmi dhe në paqe me qiellin dhe njeriun, u shua ngadalë dhe drita e qirinjve të tij.

“Sa shumë gjëra kam për të pikturuar, sa shumë…“ – kishte pëshpëritur ai. Ndërsa ne, një shekull e gjysmë më pas, duke e parë këtë tablo, kemi dëshirë ta kemi të afërt, të prekshme, të pranishme, diku në një vend ku paraqitet historia shqiptare, në një muze, të kemi një “simotër” të kësaj tabloje, një lloj “xhakonde“ që të mund ta shohim gjithnjë, edhe pse një kopje…

Shkëputur prej librit “Përballe tablosë“- Luan Rama

[1]Corot dhe kujtesa e peizazhit”.

1 164 165 166 167 168 190
Go to Top