Ç’do t’i thoshit ju Gjergj Kastriotit? DITA E PARЁ-Kujtim Drishti

in Në kohërat e kolerës by

Kujtim Drishti

Në qoftë se do t’ju ndodhte të binit ballë për ballë më Gjergj Kastriot Skënderbeun… E pse jo, në qoftë se ai është brenda vetes suaj, i tretur në një porosi, si një shqetësim për vendin, si një shqetësim i pakuptueshëm  e i përhershëm që vjen nga mosplotësimi i porosisë?
Sigurisht, unë e konsideroj këtë të pamundur jashtë vetes, por ballëpërballja mund të ndodhë brenda nesh, si mundësia më e bukur, sa herë që shikojmë vendin të merret nëpër këmbë. Në atë çast në lëshojmë një psherëtimë me zë të pakapshëm, që nuk është veçse një mesazh sublim, një mesazh gojëmbyllur, i cili pa e ditur as ne vetë, nisët lirshëm nga thellësia jonë, pa ndërhyrjen e asnjë mendjeje tjetër, për të shkuar drejtë një imazhi të zgjedhur, po nga kjo thellësi e ndërgjegjëshme ose e pandërgjegjëshme, një imazhi që lidh dëshirën me veprën, për vendin.

Ky imazh është Gjergj Kastrioti.

U takova me të në ndërgjegjen time. Diçka që pashë unë, do ta ketë parë edhe ai, prandaj u ndodhëm së bashku. E ai foli. Por çuditërisht, vetëm një herë.

Të gjitha grimcat e grumbulluara të psherëtimave të mia më dolën në fjalë. Unë fola, fola, fola…

Ai qëndroi pranë meje në të shtatë  bisedat e mia dhe më dëgjoi siç dëgjova unë veten.

DITA E PARЁ  

Është një mrekulli Gjergj!

Nuk e di nëse je ti që më gjete apo jam unë që të kërkova.

Mahnitem akoma përpara teje; edhe atëherë kur imagjinata njerëzore nuk e shikonte të mundur, ti nxore në dritë nga thellësitë e lashtësisë Emrin Tonë për ta futur me forcën tënde njerëzore në kujtesën e popullit dhe të kombeve të botës.

Të gjunjëzohem i mahnitur akoma, sepse kur të gjithë njerëzit lindin mbretër dhe vdesin në mërgimin e dëshiravë të tyre, ti linde princ dhe vdiqe në realitetin e ëndrrës tënde, jo vetëm i lirë midis të lirëve, por dhe i denjë midis të denjëvë; Gjergj Kastrioti, Prijësi i Prijësve, Kalorësi Europian, Miti i kombit tim!

Ti na e qetëson shpirtin kur ne pyesim veten «Cilët jemi ne?».

Por, Ti na e shkallmon atë shpirt, kur Arbëria jote, Shqipëria jonë, humb dinjitetin, sepse ne humbim dinjitetin.

Më të dobëtit prej nesh nuk e durojnë këtë shkallmim brenda ndërgjegjes së tyrë. Ata të kanë nxjerrë nga ndërgjegjia e tyre me justifikimin e ndryshimit të epokave, për ta lënë atë të qetë, e atëherë vendi ndihet keq, sidomos kur kjo ndodh tek prijësit tanë të spërdredhur nga egoizmi i tyre i fshehur.

Dua të të flas për  kombin, vendin tënd e timin Gjergj, sepse gjuha nuk mjaftoka për ta ruajtur dinjitetin e tij.

Unë e di Gjergj; Kombi nuk është një qëllim më vete në jetën e një njeriu, por ai është kuptimi që lidh gjuhën me njerëzit dhe tokën e tyre, zakonin me dinjitetin, lirinë në bashkësinë e njeriut me të ngjashmit e tij. Kur këto elementë kërcënohen, kuptimi vetë kërcënohet e atëherë ai kthehet në një qëllim.

Dua të të flas, sepse tymi dehës i paqes vjen e bie mbi ne për të na fshehur luftën për ekzistencë, na turbullon shikimin, na humb kufirin e kufijve. Ashtu siç forca fizike ishte akti përfundimtar  i luftës, kështu qenka edhe forca e pjekurisë dhe vullnetit, akti vendimtar i paqes. Por zemrat dhe mendjet tona depërtohen sot, edhe nga Zëri i Sirenave që njohu Odiseu në luftë, edhe nga arma e  tyre  fatale; Heshtja e Sirenave që njohu Kafka në paqe.

Më lejo Gjergj të ngrihem në këmbë e të tregoj ç’ka e ka kërcënuar dhe ç’e kërcënon akoma sot fatin e Shqipërisë tonë të vogël.

Falemnderit Zot!

I falemnderit Marin Barletit që i tregoi të gjithë botës e shqiptarëve bashkë, historinë tënde të lavdishme.

I falemnderit mendimtarëve, historianëve, poetëve dhe artistëve të Europës që e përçuan lavdinë tënde më tej, të Kalorësit  shqiptar, nga Ronsari e deri tek Volteri, nga Vivaldi e deri tek Longfellow. Të gjithë ishin të paktën… të paktën mirënjohës Gjergj… deri në pikën sa të mbetesh i paharruar edhe për kombet e tyre. Ata na ndihmuan për të mos na lënë të të hidhnim në harresë kur kujtesa jonë donte të flinte, siç po kërkon sot të flejë nën erërat antikomb.

Eja Gjergj, më jep dorën!

Eja të  vizitojmë shqiptarin dhe marrësit e pushtetit  në ndërgjegjen e tyre, që ti dhe unë të shikojmë  dobësinë që ndodhet  brenda nesh e që përbën armikun e bashkimit, sepse ajo, dobësia si armik, gjendet midis nesh ashtu siç gjendej liria midis shqiptarëve kur ti u ktheve në Atdhe.

Por Gjergj, në fillim do të na duhet të hyjmë në pjesën e errët të rrënjëve të ndërgjegjes sonë, aty ku drita nuk futet dot, aty ku kërkohet drita e mendjes, aty ku ndodhet e vërteta e dobësisë në karakterin tonë, e cila përbën kërcënimin e dinjitetit të kombit e më shumë akoma te pavarësisë së tij, por që ne nuk mund ta shikojmë, për sa kohë do të mendojmë se e keqja na vjen vetëm nga të huajt.

Kështu të zbulojmë në të njëjtën kohë arsyet e tragji-komedisë sonë, kur ne nuk pushojmë së shari vetë shqiptarin që ne jemi, pasi kemi sharë tjetrin prej nesh.

Bisedë gjatë rrugës në zbritje drejt rrënjëve të ndërgjegjes sonë…

Kur ti ike Gjergj, Ata erdhën, erdhën e përsëri erdhën.

Na vranë, na çnderuan, na grabitën pasuritë, na dogjën, na rrëmbyen tokat, na zhdukën kufijtë, na zhduken prijësat. E populli mbeti pa pasurinë e tij, pa udhëheqës e pa shtetin e tij-këtë  pasqyrë që bën të njohë veten çdo popull në çdo kohë. Europianët dhe të huaj të tjerë na quajtën turq. Dhe kështu për 500 vjet rresht…

Pasojat  e dhunës së tyre, të përqendruara në hapësirë e në kohë, ishin të rënda jashtë trupit të shqiptarit, por më të rënda akoma e më të  pashikueshme brenda shpirtit të tij.

Varfëria ! Më e thella… është e para…

Ndjenja e humbjes… e fshehur në mënyrë  të dhimbshme… është e dyta.

Pas pesë shekujsh  pushtimi, pasi na kishin zhvatur pasurinë ditë për ditë, ata na lanë në varfërinë ku njeriu nuk mendon më shumë se sa të shpëtojë veten, familjen dhe nderin e saj, në më të thellën varfëri nga të gjithë popujt e kontinentit.

Konditat e bashkimit midis shqiptarësh mbetën vëtëm vdekja dhe  dasma, rreth njeriut të ngelur nëpër male apo fusha.

Ata  na mohuan të drejtën e mësimit të gjuhës sonë, dritën  e diturisë, mjetin më të fuqishëm të kujtesës së një kombi. E pa kujtesë, nuk ka as ndërgjegje të kombit.

Ata mbollën tek ne Heshtjen përballë padrejtësisë, për të kultivuar Harresën deri tek Harresa e Harresës, krimin më të madh që çon një popull në zhdukje.

Por Gjergj, ne e ruajtëm shqipen, gjuhën që kish lindur përpara greqishtës e latinishtes, gjuhën që krijoi xhelozinë më të madhe e më të fshehtë në historinë e gjuhëve europiane. Kur të tjerët e shpallen gjuhën e tyre në shkrim, ne e ruajtëm në male më me besnikeri se sa me shkrim.

Nënat tona e ruajtën farën e gjuhës sonë dhe e mbollën tek biri, e nga biri tek vajza, e nga vajza tek biri. Ata e ruajtën shqipen në lutjen edhe  në betimin tonë: «Për këtë qiëll!”, “Për kët dhé!,” Për këtë gur!”, “Për kët pré!”»

Brenda farës së gjuhës, farës së kombit,  u strehua çdo gjë që Ata goditën; edhe krenaria, edhe besimi në vete, edhe ndërgjegjia e kombit, të mveshura me shtresa të trasha Heshtjeje dhe Harrese për të mos ndjerë dhimbjen e plagës që zgjontë kujtimin  e humbjes.

Vetëm Rilindasit nxorën nga fara e gjuhës Krenarinë, Besimin në vete, idenë e Kombit. I zhveshën nga shtresat e Heshtjes dhe Harresës e i shpalosën përpara popullit.

Por dëmi kish qenë shumë i rëndë. Aq sa edhe sot njerëzit tek ne i kërkojnë të vërtetat, madje dhe ato të origjinës dhe gjuhës sonë nga të huajt.

Për të fshehur varfërinë e madhe materiale, krenaria  e thyer dhe vetëbesimi i humbur ktheheshin e kthehen ende edhe sot në të kundërtat e tepruara  të tyre përballë të huajve; ose teper fodullë ose teper servilë.

Shqiptari u kthye në një qënie të plagosur që fsheh plagën e saj për shekuj. Dhe tek shpirti  i të plagosurit pa dije, bashkëkzistojnë   durimi  e toleranca tejskajore më dhunën më të egër e me ëndrrën më të bukur që prodhon  artin më të hollë.

Ja tek  jemi Gjergj, përballë rrënjëvë  të nën-ndërgjegjes sonë.

Vështro  trungun  e lules së UN-it shqiptar!

Si të gjithë njerëzit e kësaj toke, ky trung ka tre rrënjët që japin    tre lule brenda shpirtit të njeriut, për tre fazat kryesore të jetës së tij; fëmijërisë së mvarur, rinisë së pamvarur  dhë pjëkurisë së ndërvarur.

Le të njihemi më parë me këto tre lule të buqetës së shpirtit, pastaj të shikojmë së çfarë ka ndodhur me to tek shqiptari.

Lulja e Unit ose lulja e fëminisë është e para lule që lind. Ajo është Lulja e energjisë së jetës. Pa të buqëta nuk mund të bëjë deri në pleqëri e deri në vdekje.

Brenda saj lindin; perceptimi, ndjenja, frika, guximi, egoizmi, altruizmi, dashuria, urrejtja, intuita e rrezikut, forca e sulmit  dhe  forca e tërheqjes.

Kjo është lulja që ti, Gjergj, në ditën që le atdheun, fillove ta mbushësh me një energji aq të madhe, saqë shpirti i saj filloi të transformonte fatkeqësinë në fatmirësi, aq sa ti arrite të lindësh  mrekullinë, për vete, për njerëzit e tu, për kombin dhe gjithë Europën.

Veçoria e kësaj luleje është së ajo kërkon dashurinë pa konditë, ashtu siç ia jep nëna, pa konditë. Ajo ushqehet, së pari me dashurinë për veten, dhe vazhdon e kërkon të gjithë dashurinë dhe vëmendjen e të tjerëve, gjithnjë për vete. Ajo komandon edhe  lulen e pavarësisë edhe atë të pjekurisë, në mënyrë të hapur kur ka pushtetin e saj në fëmijëri e rini, dhe si roje me pushtet të padukshëm në pjekuri.

Për të zhvilluar veten ajo ka nevojë për dy lulet e tjera.

Lulja e pavarësisë mban në vete dëshirën për shkëputje nga vartësia e prindërve, por ajo lufton  gjithë jetën  për të ushqyer lulen e unit dhe ëndrrat e saj .

E lindur tepër herët tek ty Gjergj, ti dite ta ruash të paprekur nga ndjenja e nënshtrimit.

Lulja e pavarësisë, pasi realizon daljen nga varësia e prindërve  kërkon të eksplorojë e të dalë gjithnjë nga ambienti ose sistemi ku është rritur. Ajo lufton për të vërtetuar Unin në ambiente  e sisteme të reja. Është kjo lule që jo vetëm e çon njeriun deri në kufi, por e bën atë të kalojë kufijtë. Kjo lule s’ka të ndalur. Por kur rrezikohet Uni me jetë, ajo tërhiqet ose sulmon sipas raportit të forcave, informacionin që ajo merr nga dy lulet e tjera. Kështu ndodh me të gjithë pupujt nën robërinë ë pushtuësit osë të diktatorit.

Lulja e pjekurisë lind si gonxhe, shumë herët pas lules së fëminisë, sepse ka nevojë për degët e saja fiziologjike për të njohur të dhënat e realitetit të jashtëm.

Në qoftëse ajo qëndron gjatë në gjendje gonxheje tek disa njerëz (madje edhe gjithë jetën), tek ty nga gonxhe ajo filloi të hapë petalet si rrallë herë që në fëmijëri. Nga çasti që babai yt të murmuriti disa fjalë në vesh ditën që të rrëmbyen nga atdheu, ai të kish futur frymën e përgjegjësisë, substancën pa të cilën nuk mund të rritet lulja e pjëkurisë. Është përgjegjësia që i dha lules tënde të pjekurisë shtatin e lartë, aq sa të mbrojë nën krahët e saj edhe fëmijërinë edhe rininë.

Cilësia themelore e kësaj luleje është njohja dhe pranimi i  kontradiktës që sjell realiteti. Ёshtë njohja e ndërvartësisë së njeriut me natyrën dhe shoqërinë Ajo relativizon absolutizmin e lules së fëmijërisë, zbut egoizmin e saj. Duke i mësuar tolerancën dhe kufijtë e lirise, ajo kthen egoizmin në virtyt. E dalë nga kontradiktat e natyrës dhe shoqërisë, e pjekur nga shkenca dhe dituria,  ajo i ul kokat kryeneçe, edhe lules së Unit fëminor që kërkon dashuri pa konditë, edhe lules së pavarësisë që rebelohet përpara kufijve të ligjit të natyrës ose kufijve të shoqërisë.

Lulja më e vështirë për lulen e pjekurisë është  lulja e Unit ose e egoizmit të fëminisë, me të cilën ajo bën një betejë gjithë jetën.

Pati shqiptarë që lulen e fëmijerisë së tyre e vendosën në grykën e  topit armik, të tjerë që morën pushkën nuk e përfillën egoizmin e saj, jetuan vetëm nën komandën e dy luleve të tjera derisa i vranë nëpër male apo qytete të Europës

Njeriu do të jetë gjithnjë rezultat i raportit të këtyre dy luleve; kur mençuria i shërben vetëm egoizmit ky kthehet në ves. Kur egoizmi i shërben mençurisë  kjo transformohet në virtyt.

Ti Gjergj, që arrite t‘i zhvillosh të treja lulet të shëndetshme dhe në harmoni më njëra-tjetrën më kupton shumë bukur.

Por ja! Siç e shikon dhe vetë, buqeta me tre lulet e shpirtit të shumicës së shqiptarëvë përbëhet nga  dy lule të mëdha për veten, ajo e Fëmijërisë dhe ajo e Pavarësisë,  dhe një lule të tretë për botën,  më  e vogël dhe e brishtë,  ajo e Pjekurisë.

Përmasat  e secilës prej këtyre tre luleve, në më të shumtit prej nesh kanë mbetur që prej shekujsh të tilla, ashtu siç i shikojmë edhe sot e kësaj dite tek prijësit tanë.

Më shumë se fjalët,  janë sjelljet e njeriut që tregojnë se cila nga këto  lule dominon në shpirtin e tij. Kështu kuptohet që në shumicën e shqiptarëve mbretëron lulja ë fëmijërisë dhë ajo e rinisë, e midis të dyjave, është ajo e fëmijërisë që ka trupin më te hedhur, pavarësisht se fytyra e tij mund të ketë rrudha, mjekër apo thinja.

Pushtuesi otoman varfëroi jetën materiale, varfëroi marrëdhëniet ekonomike, nuk lejoi krijimin e qyteteve me marrëdhënie njerëzore më të dendura e me interesa më të shumëllojshme, me ligje, dhe shkollat shqiptare mbetën në strehën e tyre, në malet tona.

Prandaj lulja e pjekurisë së shqiptarit  mbeti e vogël e  u përqendrua  vetëm në dy detyra:

E para detyrë ishte ruajtja e jetës së Unit, ruajtja e  ekzistencës së vetë njeriut në mungësë të lirisë dhë pavarësisë së shqiptarëvë  të  shtypur nga thundra e egër e pushtuesit otoman.

E dyta detyrë e lules së pjekurisë ishte përgjegjësia e ruajtjes së kufijve që i vendoste atij Babai, Familja,  Nderi, Fisi dhe Besa. Në këtë rast, vërtet pjekuria nuk shkonte deri tek kombi, por përgjegjësia e saj për nderin ishte aq e fortë sa vepra që dilte prej saj i vuri gjoksin plumbit ose grykës së topit, duke i dhënë shumë forcë shqiptarit në njëjës se shqiptarëve në shumës.

E këta kufij mbetën në shekuj të njëjtë, larg qytetërimit që po zhvillohëj në Perndim.Vetë Atdheu kish humbur kufijtë dhe sfida e njeriut nën pushtimin otoman, nuk mund të ngrihej më lart.

Lulja egoiste e fëmijërisë, e shoqëruar nga pjekuria që nuk kalonte kufijtë e fshatit dhe kanunit, mbetej e vetmja në komandë. Ajo e ngushtonte njeriun në psikologjinë e vetmisë dhe vetmia prodhon mendimin absolut mbi të cilin hedh dyshimin lulja e pjekurisë.

Ndërkohë që në qytete kjo merr në përgjegjësi të kundërtat  e dëshirës së Lules së fëmijërisë, duke i kërkuar asaj të ndajë pushtetin e vetë me qytetarët e tjerë.

Por siç e shikon Gjergj, lulja e pjekurisë nuk arriti kurrë të zhvillohet në nivelin e marrëdhënieve qytetare, shumë më  komplekse se marrëdhëniet në fshatrat malore. Prandaj shqiptari kish mbetur në më të shumtën e kohës në sfidën individuale më shumë se në sfidën kolektive që ishte më e rrallë për të.

Në ditët e sotme regjimi politik i kopjuar nga Europa është shumë më i përparuar se sa vetë shqiptarët, të cilët po kalojnë vështirësitë  e  pranimit të ligjeve të qytetërimit  për shkak të dominimit në shpirtin e tyre të lules egoiste të fëmijerisë, sidomos tek pushtetmarrësit e tyre.

Por ç’mund të jetë qytetërimi pa artin e bashkimit?

Ç’mund të jetë bashkimi pa rritur lulen e tretë, atë të pjekurisë?

Shumë njerëz sot besojnë se fitorja jote mbi otomanët i dedikohet aftësisë tënde si strateg.

Ata harrojnë se pa përuljen e pjekurisë tënde që bashkoi forcat e prijësave shqiptarë nuk do të kishte fitore.

Vetëm për këtë arsye ti ishe shqiptari i parë dhe i vetëm që arrite sfidën tënde individuale midis vetë shqiptarëve. Më bukur akoma midis shqiptarëve që ti dite t’i bashkosh me lulen tënde të pjekurisë në shpirt.

Ndryshe nga ç’ndodhi më vonë.

Në mungesë të zhvillimit të kësaj luleje të shpirtit, lulja e Fëmijërisë bëri ligjin, sa të lavdishëm aq dhe mizor e absolut të sedrës së burrit shqiptar në histori. Prandaj ai mbeti mbret i vetes, midis mbretërvë të vetes. Por mbreti vetëm urdhëron dhe gjykon.

Kur dy shqiptarë diskutojnë mbi një të vërtetë, lulet  e tyrë të fëmijërisë, kur ndjejnë kundërshtinë e njëra-tjetrës, fillojnë së pari  të gjykojnë njëra-tjetrën duke lëshuar substanca të hidhura, dhë harrojnë të vërtetën mbi tryezë. Ato vihën më parë në raport forcash, cila  është mbretëresha më e fortë?

Edhe sot e kësaj dite në kuvendin e pushtetmarrësve, lulet mizore të fëmijërisë, të fyera se nuk kanë gjetur dashurinë e nënës në lavdet e tjetrit, shajnë rëndë njëra-tjetrën, e në këto çaste ne nuk shikojmë më burra, por fëmijë më fytyra burri.Tirania e emocionit fëminor mbizotëron midis tyre, e ajo mbyt mendimin, i cili mbetet i pashpresë në ankesën tragjike: «Ne nuk bëhemi, ne nuk do bëhemi kurrë». Shqiptarët nuk po e kuptojnë lojën që u bën lulja egoiste e fëminisë e mbetur  e vetme në komandë.

Kështu shqiptari nuk  pranoi sfidën kolektive midis shqiptarësh, sepse lulja e tij e fëminisë përballë kontradiktës që i krijon simotra,  lëshon  helmin e hidhur të zemërimit  dhe ata nuk merren vesh me njëri-tjetrin, as nën autoritetin  e nevojave të kombit.

Por në të njejtën kohë, është kjo lule që prodhon qeshjen, gëzimin dhe dritën e njeriut, pëlqimin  dhe dashurinë, që e lidhin atë me të tjerët, po aq sa dhe mërzitjen dhe dëshpërimin kur nuk gjen lehtësinë ose dashurinë e tjetrit, po aq sa helmin e hakmarrjes kur tjetri e kundërshton ose kërkon t’i zërë vendin në hapsirë.

Ajo është gjithnjë e dlirë si natyra. Primitive sa natyra.

Lulja e fëmijërisë, e mbetur vetëm në komandë, bëri që shqiptarit t’i pëlqente vetëm sfida vetjake. Prandaj fjala «shqiptarët» arrinte të merrte me shumë peshë se fjala «shqiptari».

Kështu  i vetëm, ai çau në botë, e u bë i lavdishëm, qoftë si perandor ose komandant luftrash jashtë vendit, qoftë si Papë apo dijetar, qoftë si artist apo arkitekt i famshëm i kishave e xhamive më të bukura të botës në Perëndim e në Lindje. Kështu ai mbeti i vetëm me sfidën egoiste.

I vetëm në botë, ndërkohë që njërëzit nuk ia njihnin vendin e origjinës, sepse dhe vendi i origjinës kish mbetur si dhe ai, i vetëm. Vendi ynë Gjergj, Arbëria jotë, Shqipëria ime!

Ndërsa grate, tek të cilat rritet çdo shqiptar, gratë e mençura e zemërgjera, mjaftohen me buzëqeshjen e përkëdheljen vetëm nga burrat e tyre, burrat e sotëm nuk mjaftohen pa buzqeshjen e të tjerëve, pa përkrahjen e përkëdheljen e lavdisë së tyre.

Kur nuk i ke plotësuar dëshirën  lulës së  tyre të fëmijërisë,  je bërë gati për armik.

Kur i je kundërvënë dëshirës së tij, je bërë tashmë armik.

Burrat tanë nuk janë rritur akoma.

Vendi i qejfit egoist është tepër i madh në shpirtin e tyre, ku nuk mbetet vend as për mendimin e ndryshëm as për kundërshtinë që  sjell tjetri. Mbretëria e egos se tij rrethohet ngadalë me një shtresë opake, për të krijuar pushtetin opak, pushtet i cili nuk i hap të vërtetën e tij popullit.

Ndërsa mbi gruan bënte pushtet burri, mbi burrin nuk bënte pushtet asgjë tjetër përveç kanunit ose plumbit.

Qejfi i lules së fëmijëisë është akoma atdheu i tyre i vogël.

Kjo është, o Prijesi im i çmuar, buqeta me tre lulet e shpirtit të më të shumtëvë midis nesh. Edhe pushtëtmarrësit kanë të njëjtën buqetë.

Sikur ndonjëri prej tyre të kishte lulen e tretë më të madhe, atëherë ai do të përjashtohej e përzihej nga vendi  ose do të vritej prej vetë nesh. Kështu ka ndodhur Gjergj që nga koha e marrjes së pavarësisë nga turqit e deri më sot.

Rregulli i pashkruar, në një botë parregulla të shkruara, pa institucione të dijes, ishte që prijësi duhej t’i ngjante popullit që e lindte.

E kur ai merr pushtetin, populli shikon tek ai pasqyrën dhe veten në pasqyrë. Atëherë pamja e vetes nuk i pëlqen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Në kohërat e kolerës

Go to Top