Taktikat e hyrjes pa ftesë në pritjet mondane në Paris-Ylljet Aliçka

in Letërsi/Tharm by

Ylljet Aliçka

Në pritjet mondane në Paris nuk ishte e lehtë të kuptoje që me herë të parë se sa nga të pranishëmit hynin me ftesë dhe sa ia dilnin të hynin pa ftesë.

Me kalimin e kohës, falë ngjashmërisë së marifeteve të hyrjes pa ftesë, apo me ftesë fallco, me fare pak vëmendje, ti mund të kuptoje se bëhej fjalë gati për një komunitet të qëndrueshëm, përbërë kryesisht nga aristokratë apo personalitete të rënë vafti, ish-nëpunës dalë në pension, apo gjithfarëlloj hallexhinjsh, të cilët, përveç ndjenjës së përjetshme njerëzore për protagonizëm që të ofron prania në qarqet mondane të kryeqytetit të dritave, kanë njëkohësisht mundësinë të ushqehen me bollëk e me cilësi.

Por pavarësisht ngjashmërisë së taktikave për hyrje pa ftesë, dukej qartë se ky komunitet mondan ishte i përçarë. Kjo buronte thjesht nga konkurrenca për të hyrë në pritje.

E përmbajtur në dukje, një konkurrencë jo më pak e ashpër niste që para hyrjes së jashtme të pritjes, pra aty ku bëhej dhe kontrolli i ftesave, ku një turmë modeste mondanësh hallexhinj, d.m.th., pa ftesë, bëjnë sikur presin dikë, por në të vërtetë rrinë aty për t’iu ngjitur, si rastësisht, dikujt me ftesë. Modalitetet e ngjitjes dikujt me ftesë janë pak a shumë të njëjta: ai, mondani pa ftesë pra, afishon në fytyrë një buzëqeshje të çiltër, i afrohet krejt

spontanisht dikujt që mban ftesë në dorë dhe, mu pranë hyrjes ku kontrollohen ftesat, i drejton bashkudhëtarit me ftesë ndonjë pyetje koti, bie fjala:«bah, pa të shohim se në ç’krah do e kenë vendosur garderobën kësaj radhe…», dhe kur i ftuari mund të përgjigjet me mirësjellje se «besoj do jetë në krahun e djathtë», atëherë mondani pa ftesë lëshon një të qeshur me zë të lartë dhe thotë, «bah, sinqerisht unë po mendoja se do ishte në të majtën», duke mos i lënë kështu asnjë dyshim rojave në hyrje se të dy zotërijtë kanë ardhur bashkë në këtë pritje mondane dhe s’ka pse t’u kërkohet të dyve ftesa, pasi në hyrjet e pritjeve mondane ka aq shumë njerëz që rrinë pranë e pranë, saqë i pajisuri me ftesë nuk ia del dot të shmanget dhe ndërkaq mondani nevojtar ka kohën e mjaftueshme të vërë buzën në gaz dhe të lëshojë pyetjen e tij të kotë mu pranë kontrollorit të ftesave.

Me individët pa ftesë të seksit femër, ndodhte ndryshe, ato jo vetëm toleroheshin nga konkurrentët për të shkelur radhën, porse edhe pa këtë privilegj, ato e kanë shumë më të lehtë për t’u futur drejtpërdrejt në sallë, pasi rojat e pritjeve e respektojnë zakonisht seksin e dobët, apo joshen nga veshja e tyre elegante dhe as u shkon ndërmend t’u kërkojnë ftesën.

Por ndodhte që, për të eliminuar krejtësisht konkurrencën, ndokush bënte edhe hile.

Me qëllim që t’i shmangej radhës së vendosur heshturazi në komunitet, hileqari avanconte dhjetra metra para hyrjes, për t’iu ngjitur si rastësisht cilitdo individi të veshur shik, përfshirë edhe atyre që s’mbajnë ftesë në dorë. Përveç pabesisë ndaj shokëve të tij, pra të shkeljes së radhës, kjo mënyrë veprimi mbartte në vetvete edhe rrezikun që ti mund t’i ngjiteshe dikujt kot, pra, që nuk kishte asnjë lidhje me pritjen dhe qëllonte t’i binte aty rruga rastësisht. Në këto raste, mondanit hileqar i dilte mundimi huq dhe mu para hyrjes së pritjes diplomatike, ashtu si pa rënë në sy, ai i shkëputej anonimit të veshur shik, duke u përpjekur t’u fshihej vështrimeve përçmuese të shokëve të tij pa ftesa. Dhe, së fundi, duhet thënë se kishte edhe një tjetër takëm hallexhinjsh që nuk e duronin dot hipokrizinë, d.m.th., ngjitjen gjoja spontane mbas të ftuarve, por, në mënyrë të hapur e të sinqertë, atyre që dilnin shpejt nga pritja, i pyesnin se mos kushedi, rastësisht, nuk e kishinë dorëzuar ftesën.

Kjo mënyrë e drejtëpërdrejtë i prekte ata që e kishin ende ftesën në xhep dhe pranonin me mirësjellje t’ia jepnin atë ftesë kërkuesit. Mondani hallexhi, me të marrë ftesën në dorë, merrte një pamje dinjitoze dhe hynte në pritje siç ka hije, gjë që i jepte atij më pas edhe sigurinë për të hyrë krejt i barabartë në bisedë me diplomatë apo personalitete të larta, që më vonë mund t’i krijonin mundësi për t’i dërguar ftesa të tjera.

Është e tepërt të thuhet që kjo konkurrencë fashitej krejtësisht kur bëhej fjalë për ndonjë të moshuar, që mezi mbahej në këmbë dhe që dukej sheshit se ishte i sëmurë. Në të tilla raste, të sëmurit i lihej hapësira e nevojshme, d.m.th., lejohej nga grupi të hynte pa radhë e, me t’u shfaqur dikush me ftesë në dorë, ai të kishte mundësi t’i ngjitej menjëherë mbrapa e të hynte spontanisht në bisedë me të. Këtë metodë e hasa që në pritjen time të parë në një ambasadë latino-amerikane, në hyrjen e së cilës m’u afrua një grua e moshuar kockë e lëkurë, me një fytyrë mbuluar nga një tepri kremërash mu drejtua me zë të njomë:

– Zotëri, më falni, por unë do desha të hyj në pritje në shoqërinë tuaj, pasi… pasi kam harruar ftesën time në shtëpi.

– Patjetër zonjë, – pranova unë menjëherë.

Por, papritmas, aty pranë kërceu një grua tjetër e moshuar:

– Bah, zotëri, zonjëza po shfrytëzon pa skrupull mungesën tuaj të përvojës në fushën e mashtrimit me ftesa. Çfarë harrese! Zhënevievë, pse s’thua të vërtetën?! Po kush i dërgon asaj ftesë, zotëri?!

Zonja, që sapo kishte hyrë në shoqërinë time, ia ktheu aty për aty:

– Mjaft tani, Bernadetë, nuk të takon ty të flasësh në këtë mënyrë. Unë thjesht po kërkoj një gjest  mirësjelljeje nga zotëria dhe ti s’ke pse përzihesh.

Tha kështu dhe më futi natyrshëm krahun e saj të hollë. Hymë brenda dhe unë nuk e mora vesh nëse zonja me emrin Zhënëvievë fliste me vete, apo e kishte me mua tek mërmëriste:

– Zot, sot ka humbur krejt mirësjellja… Në kohën tonë nuk ndodhte kurrsesi kjo gjë… – thoshte ajo dhe e revoltuar tundte kokën e saj të vogël.

Zonja nuk priti të miratoja ato që thoshte, por sapo hymë brenda, shkëputi krahun nga mua dhe pa asnjë hezitim u hodh e babëzitur në drejtim të tavolinave.

Në dalje mu afrua përsëri dhe më prezantoi me një burrë të shkurtër, veshur me kostum pritjeje mondane, i cili më buzëqeshi ngrohtë dhe tha:

– Zotëri, kam përshtypjen se njihemi apo se jemi takuar diku… le të prezantohemi, unë jam gazetar në profesion të lirë, dhe sot kam harruar…

– Ftesën? – e ndërpreva unë.

– Pikërisht – tha, gjithnjë i qeshur, – pra, ndoshta e keni ende me vete dhe…

Nuk e lashë të mbaronte, i dhashë ftesën time, ndërsa ai më falënderoi duke u përkulur thellësisht dhe më la në dorë një kartëvizitë, ku shkruhej emir Frank – gazetar i lirë.

Franku më telefonoi pas dy ditësh:

– Siç duhet të jeni në dijeni, sot e ka Spanja. Do vini besoj?

– Po, i thashë.

– Shihemi para pritjes dhe shkojmë bashkë, – tha ai krejt natyrshëm.

– Ftesa është personale – iu përgjigja menjëherë.

– S’ka problem, – tha, – edhe po më kthyen unë nuk kundërshtoj, dal vetë. Por e kam, si të themi, fiksim këtë ftesë. Dhe a e dini përse?

– Jo, – i thashë.

– Jam i detyruar t’ju them një intimitet, dua të kapërcej, si të thuash, rekordin e vjetshëm, ku munda të marr pjesë në 92 pritje.

– Po këtë vit ku jeni, d.m.th., sa keni kapur? – u bëra kureshtar.

– Aty te 72- shi, por ka ende kohë, deri në fund të vitit janë një sërë pritjesh ambasadash të vogla, të cilat mezi presin t’u shkojnë njerëz, pasi, të flasim hapur, nuk është se i përfill njeri. Veçse, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se aty ka më shumë bollëk.

U kujtova për një tjetër pritje të nesërmen në UNESCO, ku mund t’i jepja një ftesë, pasi kisha dy të tilla.

– Bah! – tha Franku, – UNESCO ka rënë mjaft.Vjet ishte diçka më ndryshe, por ka kohë që aty s’ia vlen mundimi i rrugës. Si është, tek apo çift?

– Cila? – i thashë.

– Ajo pra, ftesa e UNESCO- s?

I thashë çift dhe ai psherëtiu i lehtësuar.

Të nesërmen Franku më priste para pritjes së UNESCO- s në krah të një mesogruaje, të cilën ai ma prezantoi si një mikeshë të tij, dhe me të marrë ftesën u fut brenda duke e mbajtur atë në mënyrë demostrative.

– Oh, po ky është kulmi, – m’u afrua miku im Alber, – ky xhuxh, veçse po na hap probleme duke na sjellë çdo natë nga një zonjë, me shpresë se do gjejë grua duke e joshur me ftesa kallpe.

– Pse me ftesa kallpe? – u habita unë.

– Ka mbledhur në shtëpi një koleksion të tërë ftesash nga vitet e kaluara, – shpjegoi Alberi, – dhe hyn me to në dorë nëpër pritje festash, duke fshehur si rastësisht atë pjesë të ftesës ku duket viti dhe lë t’i duket vetëm pjesën ku duket flamuri kombëtar i vendit përkatës. Natyrisht që gratë nuk e dinë këtë marifet dhe me rrobat e tyre më të mira pranojnë shoqërinë e këtij buburreci, i cili bën karshillëk, sikur bën pjesë në listat e të ftuarve të vërtetë. Për ne që e dimë të vërtetën e ftesave të tij kallpe, ai pretendon se vjen nëpër pritje mondane për shkak se nuk e duron dot vetminë. Por të gjithë ne e dimë se ai thjesht kërkon të gjejë grua, duke dashur kësisoj t’u dëshmojë atyre klasin e tij të lartë. Veçse gratë ia pijnë menjëherë lëngun, sapo futen në pritje e, pasi dënden mirë, nisin e hargalisen me ndonjë mashkull simpatik, kurse Franku bën be e rrufe se nuk do i ftojë më.

Franku hante i vetmuar. Me të më pikasur, m’u afrua dhe tha:

– Ju pata thënë, pritjet e UNESCO- s janë ku e ku me ato të spanjollit.

I këtij mendimi ishte edhe Alberi, i cili, pasi u solidarizua me përfundimin e Frankut, më prezantoi një bullafiq, i cili, pas një bisede jo më të gjatë se dy minuta, mori një pamje konspirative dhe pyeti me zë të ulët:

– Zotëri, përfitoj nga rasti për t’ju pyetur nëse vendi juaj do ishte i interesuar për të blerë me çmim të arsyeshëm, për të mos thënë falas, disa armë të sofistikuara,

– Jo, faleminderit, – i thashë.

– Gjithsesi, nëse nuk jeni kundër, i shkëmbejmë kartëvizitat, nuk i dihet, – tha, – më vonë mund të ndryshoni mendim. Mori kartëvizitën dhe u largua me po atë pamje konspirative.

– Bah, tha Franku, – me t’u larguar zotëria, – s’hoqi që s’hoqi dorë nga ky marifet. Rropatet të lerë përshtypjen se është i shërbimeve të fshehta dhe të sigurojë ftesa pa hesap. I ka dalë boja, të gjithë e dinë se nuk ia var njeri, as shërbimet e fshehta, as ato jo të fshehta. Ç’nuk i pjell mendja qenies njerëzore për të kapur nje ftesë! – psherëtiu Franku.

Por unë nuk e pashë Frankun nëpër pritje për një kohë të gjatë.

Gati gjashtë muaj më pas m’u shfaq para hyrjes së një pritjeje kishtare. Ishte i vetmuar, me fytyrë të zbehtë. Më qeshi me dashamirësi, më futi krahun dhe ne hymë në pritje si dy miq të vjetër. Me të hyrë brenda, Franku i hodhi një sy të shpejtë tavolinave dhe, pasi më tha një falemnderit të thatë, u drejtua menjëherë nga tryeza me ushqime. Hante i uritur si një urith ndër pjatat e pakta dhe kthente me shumicë gotat me shampanjë.

Përballë zellit të tij të tepruar për alkool, famullitari i kishës që shërbente në pritje, tregoi kujdes të mos nxirrte më nga sirtaret shishe shampanje, dhe kur Franku iu shfaq me sy lutës, me gotën e boshatisur në dorë, famullitari shpalli gjithë keqardhje:

– Më vjen keq, shampanja mbaroi!

Iku pa folur më.

Atë mbrëmje vonë, më telefonoi Alberi. Pasi më dha lajmin e hidhur se Franku kish ndërruar jetë dhe se “kështu e ka jeta”, më kërkoi mos kisha ndonjë ftesë për pritjen e portugezit.

– Si na la Franku? Pse? – u befasova unë.

– Ndërroi jetë, pa njeri te koka. Megjithë ato favore që u kishte bërë grave, asnjëra për bé s’iu ndodh pranë… Iu prehtë shpirti asaj krijese të vetmuar! E pra, të thuash se i kishte munguar trajtimi i mirë.

– Ç’trajtim? – e pyeta.

– Po, trajtimi ushqimor cilësor, pra… Për atë e kam fjalën, pra nga pritja në pritje.

Në varrimin e Frankut kishte shumë pak njerëz. Nuk kish ardhur askush nga kominitetit i dashamirësve të pritjeve diplomatike.

Pas varrimit, Alberi më kërkoi ftesën dhe pasi ia dha dikujt, më mori për krahu dhe nuk ma shqiti, derisa kaluam hyrjen e pritjes portugeze, ndjekur nga vështrimet xheloze të grupit kundërshtar.

Me të hyrë brenda, Alberi mori shprehjen e atij që revoltohet thellësisht me disa njerëz dhe më pëshpëriti në vesh:“Bah, ç’qenie të çuditshme!

– Kush? – e pyeta.

– Ata tek hyrja, presin gjithë ditën para pritjeve të ambasadave, me shpresë të njohin dikë që do t’i fusë brenda, dhe kur nuk vjen njeri, kthehen në shtëpitë e tyre për të verifikuar festën kombëtare të radhës.

Tha kështu dhe tundte kokën i habitur me natyrën njerëzore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top