Një vështrim i shkurtër mbi krimin e organizuar-Woody Allen

in Letërsi/Përkthim by

Woody Allen

Askush nuk e mohon se në Amerikë krimi i organizuar arkëton më shumë se dyzet miliardë dollarë në vit. Është një shumë e lakmueshme, aq më tepër kur dihet se Mafia shpenzon fonde minimale për pajisjet e kancelarisë. Burime të besueshme na informojnë se vitin që shkoi Cosa Nostra nuk akordoi më shumë se gjashtëmijë dollarë për letrat me logo dhe për kapëset metalike të dokumentave. Për më tepër, organizata ka një sekretari të vetme dhe shtabi qendror e ka selinë në tri dhomëza të marra me qira të ndarë përgjysmë me Shkollën e Ballos të Fred Perskit. Vitin që shkoi, krimi i organizuar shkaktoi në mënyrë direkte më shumë se njëqind vrasje, ndërsa mafiozët morën pjesë tërthorazi në disa qindra vrasje të tjera, duke u blerë vrasësve biletën e autobusit apo duke u mbajtur atyre xhaketën ndërsa këta mbaronin punë. Aktivitetet e tjera ilegale në të cilat kanë gisht anëtarët e Cosa Nostra-s përfshijnë lojërat e fatit, trafikimin e drogës, prostitucionin, pengmarrjen, fajdet dhe transportin e harengave në shkallë të gjerë përtej kufirit për qëllime imorale. Tentakulat e kësaj perandorie të korruptuar kanë hyrë thellë edhe në aparatin qeveritar. Vetëm pak muaj më parë, dy kryegangsterë të shpallur nën hetim nga autoritetet federale kaluan natën në Shtëpinë e Bardhë dhe presidentit iu desh të flinte në divanin e sallës së pritjes.

Historiku i kriminalitetit të organizuar në Shtetet e Bashkuara

Në 1921 Thomas Covello (me nofkën Kasapi) dhe Ciro Santucci (me nofkën Rrobaqepsi) u përpoqën të përmblidhnin në një grusht të vetëm të gjithë grupet etnike të skenës së krimit për të shtënë në dorë Çikagon. Plani dështoi në çastin kur Albert Corillo (i njohur si Logjiku Pozitivist) vrau Kid Lipskin duke e mbyllur në një dollap prej të cilit thithi ajrin me anë të një pipe të vogël. Vëllai i Lipskit, Mendi, (alias Mendi Lewis, alias Mendi Larsen, alias Mendi Alias) u hakmor për vrasjen duke marrë peng vëllanë e Santuccit, Gaetanon (i njohur edhe si Litëll Toni apo si rabini Henri Sharpstajn), të cilin e ktheu disa javë më vonë në trajtën e njëzeteshtatë kutive konservash të madhësive të ndryshme. Kjo ngjarje shënoi fillimin e një kasaphane që Zot na ruaj.

Dominick Mione (i njohur si Erpetologu) qëlloi me armë zjarri mbi Laki Lorenzon (i njohur edhe si Fatmiri, për shkak të një bombe që i ra mbi kasketë pa arritur ta fshinte nga faqja e dheut) në dalje të një bari të Çikagos. Në përgjigjje të kësaj Corillo dhe grupi i tij e ndoqën Mionen deri në Newark, vend në të cilin ia bënë kokën satac. Këtu hyri në lojë banda Vitale, e drejtuar nga Giuseppe Vitale (emri i vërtetë i të cilit ishte Kuinci Baedeker), me synim të vetëm rrëmbimin e kontrollit mbi trafikun e pijeve alkoolike të Harlemit nga duart e Lerry Doyles, të quajtur Irlandezi –një element kriminal që dyshonte deri në atë pikë sa nuk i lejonte askujt t’i ecte pas shpine në New Jork, gjë që e shtynte të ecte nëpër rrugë duke bërë pirueta e duke u sjellë papushim rreth vetes. Doyle u vra pas vendimit të Ndërmarrjes Ndërtimore Squillante për ngritjen e bllokut të ri të godinave mbi urën që sapo i pati ndërtuar dentisti i tij personal. Komanda operative  i ra në dorë zagarit të Doyles, Litëll Peti Ross (të ashtuquajturit Peti Katallani); ai vendosi të mos i përulej pushtetit të Vitales dhe një mbrëmje e joshi në një garazh të braktisur nën pretekstin e një balloje me maska. Pa dyshuar aspak, Vitale hyri në garazh i maskuar si mi kanalesh dhe në çast u shndërrua në një përshesh të përgjakur nën breshërinë e një mitralozi. Në shenjë besnikërie ndaj bosit të ndjerë, njerëzit e Vitales u hodhën rrufeshëm në shërbim të Ross-it. Në të njejtën mënyrë veproi edhe e fejuara e Vitales, Bea Moretti, protagonistja e revistës së njohur muzikore të Brodueit “Erdhi koha të na lësh shëndenë” e cila më në fund u martua me Ross, megjithëse në vijim i ngriti padi civile me akuzën se ai nuk ishte në gjende të kryente raporte seksuale pa e spërkatur më parë me një pomadë që qelbej erë.

Duke nuhatur ndërhyrjen e afërt të autoriteteve federale, Vincent Columbraro, Mbreti i Tosteve me Gjalpë, bëri thirrje për armëpushim të përgjithshëm. (Columbraro kishte nën zotërim kaq të plotë lëvizjet e tosteve me gjalpë brenda dhe jashtë New Jersey-t, sa një fjalë e tij e vetme mund të linte barkthatë dy të tretat e kombit). Të gjithë elementët e krimit të organizuar u mblodhën për një drekë pajtimi tek Perth Amboy, gjatë së cilës Columbraro shpalli në sy të të gjithëve se kishte ardhur koha t’u jepej fund luftërave private, si edhe vërdallisjeve nëpër rrugë me fytyra të dyshimta. Letrat, të cilat deri atëherë nënshkruheshin me dorën e zezë, duhet të përmbylleshin siç qe e udhës, me frazën “Përshëndetje Miqësore” dhe sferat e ndikimit do të ndaheshin në pjesë të barabarta, përveç New Jersey-t që shkonte në favor të nënës së Columbraros. Ja, kështu lindi Mafia apo Cosa Nostra (fjalë për fjalë “Ai i Imi” ose “Ato Tonat”). Dy ditë pas kësaj Columbraro u zhduk ndërsa futej në një vaskë banjoje, dhe nuk u bë i gjallë gjatë dyzeteshtatë viteve në vijim.

Strukturat e krimit të organizuar

Cosa Nostra ka një skemë organizative të ngjashme me atë të një qeverie çfarëdo apo të një grupi të madh industrial-me fjalë të tjera, struktura e saj është analoge me atë të një grupi të mirëfilltë gangsterësh. Në krye të shkallës hierarkike qëndron bosi i bosave që është kreu i të gjithë krerëve. Mbledhjet e kupolës mbahen në shtëpinë e bosit dhe ai mban përgjegjësinë për furnizimin me sallata dhe kube akulli. Gabimet në përmbushjen e kësaj detyre dënohen me ekzekutim në vend. (Ekzekutimi, le ta sqarojmë njëherë e mirë, është njëra nga të këqijat më të mëdha që mund t’i ndodhin një anëtari në Cosa Nostra, për këtë arësye pjesa më e madhe parapëlqen të paguajë thjesht një gjobë). Nën komandën e kreut të krerëve qëndrojnë të plotfuqishmit e zonave, secili prej të cilëve qeveris një pjesë të qytetit me “familjen” e tij. Familjet mafioze nuk përbëhen aspak nga gra dhe fëmijë që vizitojnë rregullisht hipodromet dhe festat e famullisë: jo, ato janë grupime njerëzish seriozë, kënaqësia më e madhe për të cilët qëndron në soditjen e flluskave që dalin nga gurmazet e viktimave të zhytura në East River përpara se ato të japin shpirt.

Rituali i pranimit në qarqet mafioze është tepër i ndërlikuar. Si fillim, kandidatit të ri i lidhen sytë që të mos shikojë, më pas ai shoqërohet në një dhomë të errët. Pasi ia mbushin xhepat me thela shalqini, e urdhërojnë të kërcejë mbi një këmbë gjithandej me klithjen “Kuku, kuku!” Në vijim, të gjithë anëtarët e këshillit, apo komisioni, i tërheqin me radhë buzën e poshtme, dhe ia lëshojnë që t’i përplaset në fytyrë. Si përfundim, koka e kandidatit dovaritet me kokrriza thekre, dhe në rast proteste ai skualifikohet. Por, nga ana tjetër, nëse deklamon: “Oh, sa hir më ka thekra mbi kokë!” atij i urohet mirëseardhja në bashkësi. Mirëseardhja vuloset me një puthje në faqe dhe me një shtërngim dore. Që nga ky çast e më tutje, i sapopranuari e ka të ndaluar të hajë salcëra pikante, të zbavisë miqtë e shokët duke imituar kakërimën e pulës e të vrasë këdo që e ka emrin Vito.

Konkluzione

Krimi i organizuar është një plagë e hapur e vendit tonë. Edhe pse shumë të rinj amerikanë i hyjnë rrugës së krimit nën iluzionin e një jete më të mirë, pjesa më e madhe e gangsterëve është e detyruar të robëtohet me orë të tëra, shpeshherë nëpër dhoma e mjedise pa ajër të kondicionuar. Identifikimi i kriminelëve është një përgjegjësi që u përket të gjithëve. Në përgjithësi kriminelët njihen lehtë, pasi janë persona që mbajnë kapëse të mëdha në mëngët e këmishës dhe që kanë zakon të mos të pushojnë së ngrëni edhe kur personi i ulur pranë tyre goditet nga një farkë që i plaset mbi kokë nga një lartësi e madhe. Mënyrat më të mira për të luftuar krimin e organizuar janë këto:

  1. T’u bëhet e ditur kriminelëve se nuk ndodheni në shtëpi.
  2. Të lajmërohet policia sa herë që një numër çuditërisht i madh i Shoqërisë Siçiliane të Lavanderisë nis të këndojë në kor në paradhomën tuaj.
  3. Të lejohet përgjimi i telefonit.

Edhe pse përgjimi i telefonave është një metodë që nuk duhet të përdoret që në rastin më të parë, efikasiteti i tij dëshmohet nga regjistrimi i kësaj bisede mes dy gangsterëve të zonës së New Jork-ut, telefonat e të cilëve ishin vënë nën përgjim nga FBI:

Antoni:  Alo? Riko?

Riko:     Alo?

Antoni:  Riko, ti je? Nuk të dëgjoj.

Riko:     Nuk dëgjohesh hiç.

Antoni:  Riko?

Riko:     Çfarë?

Antoni:  A më dëgjon tani?

Riko:     Alo?

Antoni:  Riko?

Riko:      Linja është shumë e dobët.

Antoni:   Më dëgjon?

Riko:      Alo?

Antoni:   Riko?

Riko:      Alo?

Antoni:   Alo, centrali, linja është shumë e dobët.

Centrali: Ulni dëgjuesen dhe formoni edhe njëherë numrin, zotëri.

Riko:        Alo?

Mbështetur në këto prova, ndaj Antoni Rotunnos (i njohur si Peshku) dhe Riko Panzinit u mor masa e arrestit dhe aktualisht që të dy po vuajnë dënimin prej pesëmbëdhjetë vjetësh burg në Sing-Sing për mbajtje ilegale detersivi biologjik superzbardhues.

Përktheu:“Ivan Katastrofov”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që
Go to Top