Author

Admin - page 165

Admin has 1899 articles published.

Ç’do t’i thoshit ju Gjergj Kastriotit? DITA E TRETЁ-Kujtim Drishti

in Në kohërat e kolerës by

Bisedë mbi alibinë e Tolerancës

   Kujtim Drishti

Arritëm përpara skenës së vendit, Gjergj, aty ku shikohet vepra.

Vështroje Tiranën, Kryeqytetin tonë të sotshëm. Ajo është bërë e bukur.

Bukurinë Gjergj ia ka dhënë Lulja egoiste e fëmijërisë së shqiptarëvë, ajo për të cilën sfida është vetëm individuale. Tirana është bukur më kulla e më të papunë, me kulla e me lypësa.Ti  qëndron mbi kalë.

Ti reziston mbi kalë nga thellësitë e subkoshiencës së kombit. Këtë unë e them më vete, për njerëzit që kujtojnë se ti ke mbetur i vetëm në këtë shesh.

Deri dje prapa teje ngriheshin në ekuilibër dy simbole të historisë së shpirtit të shqiptarëvë, ai më i  riu, i Lindjes, më një minare që na lanë turqit dhe ai më i vjetri, i Perëndimit, me orën e stilit venecian. Pak më larg, në sfond, ky ekuilibër sa shpirtëror, aq edhe gjeografik, u prish. Tani janë ngritur edhe katër minare të tjera që ndriçojnë, aq të mëdha sa do kujtojnë 500 vjet të pushtimit marrafrymës që na i la këto minare. Edhe ato të ortodoksisë, edhe ato të krishtërimit, janë të zvenitura përpara minareve të Sulltanit të ri.

Sigurisht ato u futën në skenën tonë ashtu siç nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës.

Popujt e tjerë i kanë ndërtuar vetë kishat dhe xhamitë, ndërsa ne na i sollën  si dhuratë. Disa janë dhurata Sulltani, disa janë dhurata Uliksi.

Pushtetmarrësit tanë u justifikuan me nevojën për ushqimin e shpirtit, sipas formulës:«Ne jemi gati të hamë bar, veç shpirtin të mos e lëmë pa ushqim.» Dhe ushqimi i fesë u paraqit në radhë të parë si mësim i tolerancës. Dhe «ushqimi» u erdhi si dhuratë më lejën e tyre, shpërblimin e së cilës vëtëm disa xhepa e njohin.

Toleranca? A ka mësim më të parë, më të përhershëm, që shqiptari ka mësuar gjatë historisë së jetës së tij? Feja do të na edukonte tolerancën? Neve që i kemi toleruar fetë e pushtuesit  duke i dhënë vetë fesë mesimin më të mirë të tolerancës?

Pasi populli kish dhënë provat më të larta të njerëzimit në tolerancë, gjatë pushtimit otoman dhe gjatë diktaturës komuniste, cila do te ishte toleranca që kish mbetur  e panjohur  nga ky popull, kampion i tolerancës?

Vështroje Gjergj dekorin e Shqipërisë! Vështroji Gjergj fushat e lëna djerrë, pyjet e prerë dhe pyjet e djegur! Kullat e larta të qyteteve, ndërkohë që njerëzit nuk kanë punë e rrinë gjithë ditën në kafene, ndërkohë që qytetet mbushen me lypësa dhe pushtetmarrësit e pasuruar me politikë të tregtueshme sepse janë bërë “Prijësa”, ndërkohë që në jetën e përditshme nuk kishte ujë ose drita dhe spitalet vuanin më shumë së të sëmurët,  u ndërtuan kishat e xhamitë. Këtu duhej edukuar tolerancë e re, e huazuar nga toleranca e mrekullueshme e popullit midis feve. Toleranca e re ishte ulja e kokës përpara padrejtësisë  së pushtetmarrësve.

Të besosh tek Zoti, Gjergj, ose tek Zotë të ndryshëm, është një nëvojë e natyrshmë, e pazëvendësueshme, e patundshme në lirinë e njeriut. Por për sa kohë që një popull i ndërton kishat e xhamitë me vullnetin dhe djersën e ballit të tij, për sa kohë që midis njeriut dhe Zotit nuk futen ndërmjetësit, çdo gjë shkon mirë. Çfarë më shqetëson janë pikërisht ndërmjetësit, sepse ata janë njerëz me po aq mëkate sa edhe ato të popullit, e ndonjëherë më shumë akoma përballë këtij kombi.

Ti i ke njohur shumë mirë ndërmjetësit. Mëkati kryesor i tyre është politika në emër të Zotit. Politika që vendos fenë mbi kombin. Politika që frymëzoi serbët e grekët kundra shiqiptarëve  si popull mysliman.

Pushtimi i shpirtit realizohet tek popuj naivë ose tepër tolerantë.

Shqiptarët nuk janë naivë. Nuk mund të jetë naiv ai që ka vuajtur, ashtu siç nuk ka vuajtur asnjë popull tjetër në Europë. Ata nuk janë naive, as përpara ish-armiqve, as përpara pushtetmarrësve të tyre.

Ata janë thjështë tepër tolerantë, tolerantë ndaj padrejtësisë, ashtu si dikur i ka dashur otomani dhe diktatori, por në tolerancën e tyre populli pëson ndryshimin që nuk e pret as vetë; Tirana zgjohet çdo mëngjes nën lutjen arabisht, Gjergj!

Ti qëndron mbi kalë i heshtur dhe na vështron me rreptësi.

– Ndal! Nuk kam nevojë të di më shumë!

 – Më thuaj si ia tregon ti historinë e shqiptarëve nipit tënd?

Ah, Gjergj! Më në fund ti fole… Sepse kuptove në pak kohë, atë   që mua më është dashur një jetë për ta kuptuar, e kjo më gëzon.

Ti nuk më pyet për fëmijët e mi. Ti më pyet për nipërit. Sepse ti e di se gabimet që bën babai tek fëmijët, do t’i korrigjojë tek nipërit.

Aq sa e zgjuar është pyetja jote, po aq ajo më befason, Gjergj!

Unë të fola për punë burrash, por ti, që e di se burri mban brenda vetes fëmijën që ka qenë, kërkon të hedhësh vështrimin më thellë, për të parë më larg, shumë më larg.

Arsyeja e pyetjes tënde do më lërë në mendim për kohë të gjatë…

Historia e shqiptarëve?

Historia e shqiptarëve është historia jote pa lavdinë tënde.

Është historia e mbretërve, midis mbretërve të përçarë, në  hapësirat midis të cilave është futur gjithnjë armiku, në luftë dhe në paqe, e pasojat mbeten të njëjta.

Rinia, duan akoma të ikin, sepse në ëndrrat e tyre nuk po shikojnë më shpresë në vend. E kjo më dëshpëron, po aq sa ata janë të dëshpëruar. Largimi e nënshtrimi me dhembje ka qenë pjesa më e madhe e historise së tyre, ashtu siç ishte pjesa e parë  e jetes tënde. Në këtë etapë të pjesës së parë të jetës tënde kanë mbetur akoma shqiptarët. Fitorja e tyre nuk eshte e sigurt sepse nuk është e përbashkët.

Ata shpesh herë u revoltuan, shpërthyen zemërimin e tyre, deri sa shkuan e i vunë  gjoksin topit të armikut në një heroizëm vetmohues. Ata mbrojtën veten, por ata nuk u bashkuan kurrë si në kohën tënde, sepse u mungoi përunjësia e pjekurisë dhe shkolla e saj. Ata  kujtuan se fitorja jote erdhi vetëm nga forca e strategut ushtarak. Ata nuk e kanë kuptuar akoma se forca më e madhe e jotja ishte forca e zgjuarsisë dhe e pjekurisë për të bashkuar shqiptarët rreth një qëllimi, një qëllimi të përbashkët.

Shqiptaret kur u tregojnë fëmijëve për historinë e tyre, e fillojnë nga ty, por nuk e mbarojnë me ty, sepse e vërteta i pengon, sepse fëmijët duan të dinë gjithçka, edhe për të sotmen; pse po lënë vendin? Pse kanë lënë gjyshërit? Pse po u iken vëllai dhe motra?

Këtë të vërtetë shpesh ne ia fshehim fëmijëve tanë për t’u evituar plagën, për të evituar që të jetojnë plagën që ti njohe që në fëmijëri. Dhe në vend të tyre ne u mësojmë të vërteta që nuk u prekin zemrën. E pastaj ata krenohen se njohin shumë të vërteta.

Por asnjë e vërtetë nuk mund të përvetësohet pa kaluar nga zemra. Kështu njeriu bëhet i pavërtetë. Prandaj shumë prej nesh nuk mund të jenë të vërtetë.

Kur u ndava nga Gjergji, me mbeti në mendje pyetja mbi nipin, Ai foli vetëm një herë. Edhe atëherë foli vetëm për fëmijën. A thua se sekreti i githçkaje vjen nga fëmija? E pse jo?

Ai kishte të drejtë sepse tek fëmija ndodhet fillimi i çdo historie njerëzore. Një histori e e madhe fillon tek plaga e thellë e një  gjeniu të vogël. Kjo është e vërteta që përçmon të gjithë  historianët që e fillojnë studimin e historisë nga fundi i saj.

Pa e kuptuar fillova të imagjinoj çastet kur atë fëmijë e morën për ta çuar larg, shumë larg, në dhé të huaj, në mes atyre që kishin vrarë e prerë vendin. Ata qëndronin para tij dhe përreth ishin të gjithë; prindërit e tij, gjyshërit, të afërmit, por askush nuk bënte gjë për ta ndalur largimin e tij. Askush nuk mund ta shpëtonte.

Imagjinova lotët e tyre dhe fëmijën që shikonte nënën dhe babain, turbullt nëpërmjet lotëve të tij, e nuk dinte çfarë duhej të bënte, çfarë mund të bënte. Imagjinova zemrën e tij të vogël që po shkundej e ndrydhej nga ngashërimi si kurre deri atë ditë. Imagjinova tërheqjen e tij me forcë prej duarsh të huaja. Imagjinova pikërisht këtë çast fëminor si fillimin e historisë së tij sekrete, fillimin e planit të heshtur për arratisjen më të bujshme e më të zgjuar të historisë. Besova që ai fëmijë në ato çaste i  betohej vetes, ashtu siç do bënte një i rritur, sepse e kuptoi që vetëm vetvetja i kish mbetur. Vetja si rrugëzgjidhje, të mund ta shpëtonte atë, njerëzit e tij dhe tokën e njerëzve të tij. Çmimi i  burrit është përgjegjësia. Ky ishte zbulimi i parë i tij; vetja ishte kondita e parë dhe e vetme për të dalë në liri. Burrëria e tij po hidhte hapat e para që në moshën 12 vjeçare.

Ai fëmijë iu betua vetes në heshtje, pa fjalë, se do të bënte gjithçka që të kthehej përsëri tek mali i tij i Krujës dhe fusha e saj. Asgjë nuk do ta ndalte dot kthimin e tij në një ditë të ardhme. Ai ndoshta mendoi se kjo ditë do të vinte shpejt, edhe pse me kohë kuptoi se do t’i duhej shumë më tepër derisa të vinte ora për ta përjetuar çlirimin. Ёshtë e rrallë që një fëmijë të ketë aq forcë sa t’i mbajë fjalën vetes deri në realizimin e saj të plotë. Duhej që e vërteta të mbahej nga zemra për të shpërthyer një ditë në atë histori që tronditi Perandorinë Osmane dhe Europën. Duhej që zemra të ruante në heshtje e brenda lotëve, vetëm e vetëm një të vërtetë; lirinë fitmitare të popullit të tij, që  ajo të dilte e pastër e të ndriste kombin në shekuj.

E vërteta  e fëmijës që ne e harrojmë, por që zemra tij nuk e harroi kurrë.

DALLËNDYSHET-ALFONSINA STORNI

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

DALLËNDYSHET-ALFONSINA STORNI

Lajmëtare të ëmbla të trishtimit janë…
janë zogëza të zeza, të zeza si nata.
Oh, të zeza, si vetë dhimbja!
Të ëmblat dallëndyshe që në vjeshtë ikin
që braktisin folenë, duke e lënë vetëm
për të kapërcyer detin!
Sa herë i shoh, ndiej një të ftohtë brisk…
Oh, të zezat zogëza, zogëzat me brengë,
dashnoret e prillit!
Oh, të shkretat dallëndyshe që si emigrantët
ikin e marrin dherat e huaj,
për një copë bukë!
Dallëndyshe ku jeni? Dallëndyshe, ejani!
Ejani ju pranverore, me krahë zije,
ejani vrap drejt meje!
Merrmëni në krah… Merrmëni dhe kapërceni
me një fluturim të vetëm, të pasosurën
pafundësi të detit…
E di si shkohet deri në vendin e diellit?…
E di ku gjendet pranvera e përjetshme,
burimi i dashurisë?…
Merrmëni, dallëndyshe! Merrmëni! Mos u trembni!
Edhe unë jam një boheme, një boheme e mjerë.
Çomëni aty ku shkoni!
Nuk e dini, dallëndyshe endacake, nuk e dini
që e kam shpirtin të sëmurë sepse s’mundem dot
të iki edhe unë duke fluturuar?
Dallëndyshe, ejani! Ku jeni, dallëndyshe?
Ejani ju pranverore! Me krah zije
Ejani pranë meje!
Mbërritët? Merrmëni dhe mua, fatin të provoj!…
Sa keq, vogëlushe, që nuk i keni krahët
të endura me të kaltër!

Përktheu: Bajram Karabolli

Ç’do t’i thoshit ju Gjergj Kastriotit? DITA E DYTЁ-Kujtim Drishti

in Në kohërat e kolerës by

Kujtim Drishti

DITA E DYTЁ

Bisedë mbi Lulen e fëmijërisë dhe çështjen kombëtare

Kur bëhet fjalë për papjekurinë e një njeriu, atë e pëson vetë njeriu ose rrethi tij i vogël.

Kur bëhet fjalë për papjekurinë e Prijësit atëhere atë e pëson kombi dhe shoqëria.

Për të struktuar këtë pjekuri të shoqërisë kish ekzistuar Gjergj shumë shekuj më parë, Kanuni, por ai  kufizohej në zgjidhjen individuale të problemeve shoqërore.

Kanuni mbështetej vetëm në autoritetin e Babait, të Fisit, të Besës dhe të Nderit, të cilën e gjykonte vetë burri ose plumbi mbi të. Në kanun nuk flitej për kombin.

Një shekull para se ti  Gjergj  të dilje në dritë, në vitet 1300, kish filluar të lindëte ajo që më vonë u quajt Europë. Europa po shkruante për qytetet Statuset, kushtetutat e saj të para. E ndër të parat në Europë ishin edhe ato të Shkodrës e Durrësit. Ndryshe nga kanuni që drejtonte shoqërinë nëpërmjet individit, Statuset  e qyteteve, të  dala si domosdoshmëri të jetës në bashkësi të mëdha njerëzish, drejtonin individin nëpërmjet shoqërisë. Këtë fat nuk e pati lulja e pjekurisë së shqiptarit. Qytetet e lindura po krijonin ligjet e qytetërimit.

Një javë para së ti të ngriheshe në qiell, u shkruan në Katedralen e Drishtit Statuset e fundit.

Të fundit Gjergj, sepse këto filiza të para të qyteterimit modern që do të zhvilloheshin më vonë nën idenë e shtetit-komb nuk mundën të përhapen. Ne nuk e patëm këtë fat sepse Ata erdhën Gjergj, dogjën çfarë gjetën përpara dhe vendosën organizimin e plaçkitjes në shekuj.

Në këto kondita të pushtimit otoman, shqiptarët vazhduan rregullimin e jetës së tyre me Kanunin që vinte nga thellësia e shekujve, por shtyllat e tij i përgjigjeshin vetmisë e izolimit të shqiptarit nëpër male, shtyllat e tij nuk u ngritën asnjëherë në nivelin e kombit dhe ligjit  të shtetit, sfidë të cilën e kishin filluar Statuset.

Për herë të parë, në fund të historisë 500 vjeçare të pushtimit otoman, ndërgjegjen kombëtare mbi bazën e gjuhës sonë e rilindën në një periudhë të lavdishmë Rilindasit tanë, të dalë nga mendimi i thellë që u kish dhënë shkolla dhe historia jonë. Kështu jehona e pushkëvë të tyre e çau heshtjen e shqiptarëve, dhe shumë më bukur akoma, jehona e shkrimeve të tyre zhveshi popullin nga harresa dhe i zgjoi idenë e kombit në zemrën e tij. Në saj të tyre kombi po shikont më në fund agimin e tij.

Por ata nuk arritën të ndërtonin shtetin shqiptar ende.

Shteti shqiptar u krijua vonë, pas shpalljes së pavarësisë nga turqit. Ai vuajti një shekull dhe po vuan ende për shkak të lules së fëmijërisë së prijësve. Ata nuk arritën të bashkojnë forcat e të gjithë shqiptarëve në interes rë kombit.

Gjatë 100 vjeçarit, pas fillimit të jetës në pavarësi, populli kaloi kryesisht në dy duar Pushtetmarrësish. Të dy patën të përbashkët faktin që i zhduknin kundërshtarët.

Por i dyti shkoi më larg akoma.

Lulja e fëmijërisë së tij ishte tepër e plagosur, prandaj ai dha shembullin e shkatërrimit në histori, që mund të sjellë kjo lule në jetën shpirtërorë dhë matëriale të një populli. Ai e fshehu lulen e fëmijërise së tij nën idenë e Kombit për ta mbrojtur më mirë. Dhe për të shëruar plagën e saj ai nisi të ndalonte çdo lule tjetër të lulëzonte e pavarur. Ai ndaloi fjalën e lirë. Fjala kundra tij kish marrë një peshë shumë të rëndë. Sa më e rëndë ishte ajo për të, aq më shumë burgosej apo vritej njeriu. Kjo kish ndodhur vetëm në kohën e inkuizicionit. Njerëzit mbetën të varfër. Ata ishin të ndaluar të dilnin e të shikonin Europën, sepse kështu do të konstatonin varfërinë e  tyre. Kur ai vdiq, njerëzit të uritur e të veshur keq lanë vendin në një numër më të madh se ata që ikën pasi ti ndërrrove jetë Gjergj. Ikën të tmerruar nga ideja e kthyer në fe, në fe të kombit, të cilën asnjeri nuk kishte të drejtë ta vinte në dyshim. Ata kishin marrë tmerr nga dogma e nuk donin më të binin në pushtetin e dogmës. Ikën dhe  drejtimin e morën jo nga Lindja, sepse e dinin se prej andej u kishin ardhur të gjitha fatkeqësitë. Ata morën  drejtimin e natyrshëm të Perëndimit, i cili kish krijuar sistemin ku të gjithë kundërshtarët duhej të mblidheshin në një kuvend për vendin e tyre.

Zgjedhja e Perëndimit ishte një Referendum de facto, politik dhe moral.

Ky ishte Referendumi i paguar me sakrificën e çrrënjosjes, referendumi më i dhimbshëm i historisë sonë dhe të Europës  që do t‘i rikthehrt mbi kokë prijësve që ëndërrojnë Lindjen, referendumi që bëri më shumë bujë së çdo referendum tjetër; ishte në favor të Europës, e cila për arsye të aleancave me kombe fqinje, nuk kishte asnjë ndjenjë respekti për ne. Por edhe Pushtetmarrësit e mbetur në vend, edhe  Europa që luante  qorren, nuk deshën të shikojnë sinjalin pozitiv të këtij Referendumi, sepse shkaku negativ i tij  i shërbente më mirë egoizmit të pushtetit të tyre.

Vetëm Ata,  vëtëm Ata  e kuptuan,  e u nxituan të vijnë e të ndryshojnë dekorin e skenës dhe prapaskënën sonë.

Kur ne kujtuam së Ata kishin ikur përgjithmonë, Ata erdhën përsëri.

Ata nuk kërkuan falje, por na dërguan si dhuratë xhamitë që ne të falim. Ose të kujtonim miqësinë e  vëllazërinë e tyre në 500 vjet robëri shkatërruese, gjakpirëse dhe zakonet e saj të vjetra, si një alibi që anullon këtë Referendum, që bota të mos mendonte se ne shqiptarët jemi europianë, e as të mos u shkojë mendja se ne kemi lidhje të ngushta me Homerin.

Ata erdhën pa kërkuar falje, e as ne, nuk e kërkuam një gjë të tillë. Pushtetmarrësi i asaj kohë, më keq akoma, sikur ne të mos kishim 100 vjet pavarësi, hoqi bustin tënd në vendin e takimit me delegacionin e tyre. Ata kishin mbjellë farën e tyre midis nesh.

Bashkë me ta erdhën dhe fqinjët tanë.

Ata, të cilët kanë urryer dëshminë e nëntokës dhe gjuhës sonë,  Ata, të cilët, të pangopur  me gjakun tonë e me tokat tona, erdhën për të ndyshuar dekorin e shpirtit tonë. Ata rifilluan  luftën e tyre, këtë herë në paqe, me ndihmën e Tregtarëve të tregtisë pa komb, të cilët përkëdhelën lulen egoiste të Pushtetmarrësvë tanë.

Kështu çështja kombëtare mbeti akoma e përsëri në dorën e një njeriu të vetëm dhe në qejfin e lulës së tij të fëminisë. Për shkak të pushtëtit të saj, sa të lavdishëm aq dhe mizor, lulja e pjekurisë nuk arriti akoma të krijojë Virtytin,  as për prijësit, as për kombin.

 Bisedë mbi Lirinë kaotike dhe përmbysjen e Vlerave.

«Virtyti nuk është fantazi» 

Kështu  Gjergj, u the ti trimave të tu përpara së të ndërrosh jetë. Dhe i lajmërove se tradhëtarët do të sulmojnë një ditë, pikërisht këtë ide dhe do të thonë që «virtyti është një fantazi».

Ti e kishe parashikuar këtë rrezik.

Dhe ne jemi futur sot në një pjesëz të historisë ku virtyti është deklaruar  de facto si fantazi. Ndërkohë që realiteti është lidhur pazgjithshmërisht  me paranë si virtyt, virtyti u sendëzua në pará. Influenca e Republikes së Romës Antike, ku nderi dhe fjala e dhënë përbënin bazën e atij civilizimi, po fiket ngadalë në të gjithë botën

30 vjetëve më parë, të dalë nga koha e ndalimit të fjalës së lirë, ne  iu gëzuam vetëm fjalës së lirë. Euforia që shkaktoi ajo luajti rolin e hipnozës, ku njerëzit të paralizuar nga fjalët shpresëdhënëse  të pushtetmarrësve pësuan operacione për së gjalli në shpirtin e tyre;  të cilat ndryshuan sitemin e vlerave…

Gjergj,  ti jetoje në një epokë lufte, e në kohëra lufte vlerat dhe kufijtë e tyre bëhen të qarta me shpejtësi. Në luftë koha  ngushtohet midis fjalës dhe veprës. Në kohë lufte dallohet shumë mirë kush i shërben kombit e kush nuk i shërben.

Në  këtë kohë paqeje, ideja e shërbimit të kombit e ka humbur  qartësinë e saj,  ashtu siç ka humbur kombi ushtrinë e tij.

Sot mbretëron ideja e lirë zyrtare se nuk kemi më armiq, se të gjithë ish-armiqtë na janë bërë miq dhe më shumë akoma, vllezër. E kjo shkon më larg; miqve dhe vëllezërve u kemi dhënë të përqendruara pikat strategjikë të ekonomisë sonë. Vendi po gatuan me miellin e huaj. Ky është mendimi i përgjithshëm, i paraqitur si e vetmja zgjidhje per shoqëritë moderne.

Por ndryshimi i vlerave shkoi akoma më larg;«ata që kanë  luftuar pushtuesit, kanë  ndihmuar në shkatërrimin e kombit», thotë një mendim i lirë, pra kanë qenë tradhëtarë, sepse i kanë dhënë mundësi armikut të na shkatërrojë. Ndërsa «ata që kanë bashkëpunuar më armiqtë paskan parë edhe interesat e largëta të vendit dhe kanë qënë patriotë të vërtëtë », dhe unë habitem përse ata akoma flasin shqip.

Po Skëndërbeu?

Edhe ai ka bërë gabim.

Këtu Gjergj u ça mali.

Mali që dikur ndante heronjtë nga antiheronjtë, lartësinë nga humnera, skllavin nga i liri, të mirën nga e këqja, të zezën nga e bardha, virtytin nga mëkati. Bota u bë shesh. Vorbulla që shkaktoi këtë shpërthim rrëmbeu e vuri në krye Pushtetmarrësit,  por me kokë poshtë e këmbë sipër. Kështu u përmbysën dhe vlerat për ata që kishin këmbët në tokë. Kështu dhe ideja për kombin dhe mbrojtjen e dinjitetit të tij u përmbysën. Kombi mbeti vetëm një fjalë. Një fjalë abstrakte pa objekt në kohën që çdokush ishte i zënë me shqetësimin e mbiekzistencës. Dhe në këtë garë, të parët  ishin pushtetmarresit tanë.

Bisedë  mbi Tregtinë e lirë dhe fjalën e lirë

Një erë e fortë dhe e egër tregtare po fryn sot mbi rruzull. Era e Tregtisë së Lirë.

Në ekstazën e fjalës dhe tregtisë së lirë, vetë fjala mori dy kuptimet e saj moderne; edhe në kuptimin politik, që askush nuk kishte të drejtë ta burgoste, edhe në kuptimin tregtar, nga fjala me çmim të shtrenjtë, deri tek çmimi i lirë i fjalës, madje deri tek fjala pa vlerë.

Fjala më çmim të lirë iu  la popullit e ky i la fjalën më çmim të shtrenjtë «prijësve».

Që fjala me çmim të shtrenjtë e Pushtëtmarrësvë të meritonte çmimin e saj, do të duhej të vendosej mbi dy këmbë; atë të Drejtësisë dhe atë të Punës për kombin, për t’i dhënë fund njëherë e pergjithmonë varfërisë së tij.

Por buqeta e shpirtit të tyre, pa lulen e pjekurisë, atë që pranon  përgjegjësinë e lartë përpara popullit dhe kombit, bëri që ata të merren më fjalë e të shajnë njëri-tjetrin ashtu si kurrë shqiptari nuk kish mundur të shante shqiptarin në një kuvend burrash.  Por ky akt i skenës fshehu veprën e tyre egoiste; kthimin e politikës në tregti.

Në mungesë të krijimit të punës me vlerë për popullin dhe kombin, fjala e pushtetmarrësve ra poshtë nën çmimin e fjalës së lirë të popullit, sepse pas sharjeve të rënda asgjë nuk ndodhte  në emër të lirisë së fjalës. Në emër të lirisë së fjalës, fjala u shumëzua në pafundësi e u bë e pavlerë.

Strategjia më e bukur për armikun tonë ishte zënia më fjalë dhe lënia e njerëzve pa punë e hambarëve bosh.

Para tridhjet vjetësh ne i kishim hambarët bosh. Me teknikën iluzore të së ardhmes, duke u marrë me të kaluarën, ne i kemi hambarët  më shumë se bosh, i kemi me borxhe, me miellin e huaj. Kështu perspektiva i ktheu kurrizin së ardhmes me metoden më dinake që ka prodhuar eksperienca e pushtetmarrësve egoistë në botë.

Paqja na solli epokën tregtare. Dhe tregtaret gjetën rastin më të bukur për të blerë, blerë e blerë gjithçka, e midis tyre dhe prijësit tanë të lirë. E me çmim akoma më të lirë.

Liria e të qenit burrë u kthye në lirinë e të qënit burrë i shitur ose i blerë.

Në kohën tënde fjala prodhontë vepër. Sot ajo prodhon ëndërr ose gënjeshtër; të dyja  blihen e shiten nëpërmjet fjalës së lirë.

Në epokën tënde  burrat mblidheshin për Besë, por fjala  Besë ishtë fjalë e shtrenjtë në vlerën e saj, sepse duhej të prodhonte medoemos veprën.

Por veprën e blenë tregtarët, përpara se te vendosej Drejtesia  e shtetit të së drejtës.

E ç’na duhet historia kur kemi tregtinë?

Ç’na duhet virtyti kur kemi paranë?

Kjo është era që fryn sot. Ndërgjegjia e kombit po na blihet nga tregtia nepërmjet lojës e qejfit të lules fëminore të tij.

KRYETAR BASHKIE- Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

KRYETAR BASHKIE- Yehuda Amichai  

 

E trishtë,

kryetari i Bashkisë së Jeruzalemit të jesh.

Është e tmerrshme.

E si mundet njeriu, një qytet të tillë të drejtojë?

Çfarë të bëjë ai me të?

Do të ndërtojë ai dhe do ndërtojë e ndërtojë.

Teksa natën

prej kodrave rrethuese, gurë

rrëshqanthi do të lëshohen tejposhtë,

drejt të shtëpive gurë,

porsi ujqër avitur

qenve për t’u ulërirë,

që në skllevër të njerëzve janë kthyer.

 

Përktheu: Eraldo Hatija

Mbase filozofia duhet të aspirojë që lumturisë t’i japë një konotacion të saktë, në mënyrë që ideologjitë sunduese të mos e përdorin më atë si mjet për t’i mbajtur njerëzit të nënshtruar/Bisedë me aktivistin Enriko Peçuli

in A(rt)ktivizëm/Biseda/Letërsi by

Bisedë me aktivistin Enriko Peçuli, mbi letërsinë, filozofinë dhe aktivizmin e tij në Lëvizjen Për Universitetin.

Ai e gjen poezinë edhe në Komisariatin nr. 2., nuk beson se lumturia ekziston (“filozofia e faktorizon menjëherë lumturinë si të rrejshme”, thote ai) ndërsa shton midis të tjerash se aktivizmi i ka formësuar jetën. Ne protestojmë për ata që na duan e na mbështesin, por edhe për ata që na urrejnë e na mallkojnë. Edhe atyre do t’u mësojmë se lufta më e madhe nuk bëhet mes popullit, por mes të shtypurve dhe shtypësve.”

Si student i filozofisë dhe si dikush që shkruan poezi, ai filozofinë dhe letërsinë i koncepton si të pandara dhe komplementare:

Hemingway dhe Petro Marko luftonin mes zjarreve të lumit Ebro në Spanjë, ndërsa Nicolas Sparks rri në kolltuk me lap top dhe pi “Starbucks”. E ç’është kjo letërsi kështu, pa i prekur skutat më të thella të natyrës njerëzore? Nëse me të shkruarit letërsi ti nuk rrezikon asgjë, nëse nuk e vë natyrën tënde në dyshim, vetë qenien tënde ta përplasësh nëpër beteja, dhe kjo nënkupton direkt të bërit filozofi, atëherë ti nuk po shkruan letërsi.

   Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Si ishte jeta juaj përpara se të takonit Lëvizjen për Universitetin? E qetë, e trazuar, indiferente? Si ndryshoi ajo pasi përqafuat aktivizmin?

Enriko Peçuli: Mbaj mend se kisha rreth një muaj që kisha ardhur në Tiranë. Qysh në takimet e para me këtë qytet, i gjithë iluzioni që kisha ndërtuar mbi jetën dhe gjallërinë e tij, ra siç kish rënë Roma shumë kohë më parë. Në ditët e para isha vetëm, vija rrotull në qytet me një palë kufje në vesh e me muzikë të tejkonsumuar që nga koha e gjimnazit. U ndodha në boshllëkun mes dy botëve; atë të periferisë, ku praktikisht nuk kisha asnjë përgjegjësi, dhe këtë metropolin e papërballueshëm, ku duhej të shndërroheshe në llogaritar preçiz të parasë, kohës midis dy semaforëve, apo rrugës nga konvikti deri në sallën e leksioneve, ku nuk kuptoja asgjë.
Nuk humba kohë dhe javën e dytë të vitit akademik u afrova në Lëvizjen për Universitetin. Aty gjeta shokë, prej të cilëve nuk të mjafton një jetë që të mësosh. Gjeta libra të harruar prej kohësh, dhe një botë, e cila lypej që të shpërthente edhe jashtë kufijve të asaj shtëpie modeste. Logu i Shkëndijës ishte paradhoma prej nga do filtronte shoqëria e re, dhe këtë e mendoj edhe sot, pas tre vitesh. Pa u bërë tepër patetik, po them vetëm se aktivizmi më ka formësuar jetën, me aksionet nëpër rrugë, librat e pafund, ndonjë natë në komisariat dhe përplasjet e ideve me studentë të tjerë nëpër auditore. Aktivizmi ka qenë ajo çka njeriu e kërkon me ngulm, një rrugë, të cilës nuk i dihen kufijtë dhe as fundi.

Arlinda Guma: Ju jeni student i filozofisë, por shkruani edhe poezi. Pse nuk i kam hasur askund poezitë tuaja?

Enriko Peçuli: Të shkruarit e poezive është pak më e hershme se fillimi i studimeve në filozofi. Kam qenë përherë i tërhequr kah letërsisë, dhe duhet ta them se filozofia nuk ka qenë një ndër zgjedhjet e para për të studiuar, por jetojmë brenda një sistemi, i cili të tregon qysh në fillim se duhet t’i nënshtrohesh pa kushte, dhe besoj se ideja që na serviret, e cila thotë se ti je i lirë të bësh çfarë të duash me jetën tënde, është një gënjeshtër e madhe. Lirinë nuk ta jep njeri si certifikatë një ditë të bukur. Ajo ndërtohet me përpjekje dhe dashuri të pakushtëzuar për jetën  si të tillë.
Deri tani nuk kam besuar se poezitë e mia janë në një nivel të tillë, që të përqafohen prej një publiku të gjerë, dhe ç’është e vërteta më pëlqen ky gjysmë anonimiteti, ku dikujt mund t’i bjerë ndonjë poezi e imja në dorë, pa iu dhënë mundësia për të më njohur. Poezitë i shpërndaj vetëm në rrethe të ngushta shoqërore, dhe tek-tuk e publikoj ndonjë në rrjetet sociale. Besoj se kam nevojë për një kritikë të mirëfilltë letrare të poezive të mia, në mënyrë që të mund të reflektoj mbi çka shkruaj dhe të përmirësoj ndonjë aspekt të shkrimit, sepse ndonjëherë më duket sikur shkruaj vazhdimisht të njëjtën gjë, duke ndryshuar veç fjalët.

Arlinda Guma: Mund të sillni këtu disa vargje prej tyre?

Enriko Peçuli: Po ndaj vetëm dy poezi, të cilat i kam shkruar se fundmi:

KARTOLINË.

Dielli po sillet prej vitesh i ndryshëm.

Ikën vitet, shokët nuk i gjen më si atëherë,
me mëngë të kthyera, nga bluzë e njollosur
me baltë topi,
e ikën edhe ata.
Ikën jeta, dhe rrugët janë po ato,
te njëjtët pallate, shkallë e mure.
Ikën valët, e deti u plak me të rrahur shuplaka mbi sqep të pulëbardhës,
që nuk di ç’kërkon,
se jeta u hodh matanë detit.
Mesuesit janë aty, por shkolla u shemb.
Fusha aty, po topi luhet tjetërkund.

Ika dhe unë, e megjithatë nuk ika!
Iku jeta , por jetë ka.
Vdiq jeta?
Epo, rroftë jeta o poet i valës!
Ti ike, dhe ja ku je;
shkëmb -o ré!

Himarë, 1998-2018.


* * *

Më vjen të qaj, se tim atë nuk e dua më,
dua atë dreq ideali, e prej tij i dua të gjithë etërit e varfër, si im atë.
Më vjen të plas, se keq nuk më vjen për nënën mbi varrin tim,
plas se varret u mbushën me eshtra bijsh që vdiqën me buzë në sisë të memes.

Oh, ndot më sjell, parfumi i tim vëllai te ngrehur prej dëshirash trupore,
e dua aromën e kurmit të vëllait Ardit, mbi mal plehrash,
që vdiq prej dëshirash për libra e këpucë.
Im vëlla vdiq!

Sytë në tjetër kah i kthej, e shokë të vjetër nuk dua.
Shokë të harruar kah parasë e mjekrave të krehura.
Shokun flokëlëshuar e shoh në sy, e vuaj me të burgjeve, rrugës e Logjeve.
I ri vjen ai çdo dite,
me bluzë të pandërruar e me poezi kuptimplota ndër xhepa.

Dashurinë e parë nuk e desha,
mëspari dua dashuritë e syve që ndesh në rruge, e ua njoh ndyrësitë e ndershme.
Revoltë ka në kokë, e flakë ndër shalë, kjo dashuria e përjetshme e idealit!

Dua, urrej, e vdes për ide, nga ide!
Dua, urrej, e vdes për dhunë, me dhunë!
Dua, vdes, e nuk do vdes kurrë, me poezi.

Arlinda Guma: Gjithmonë kam menduar se romani “Idioti” i Dostojevskit, u ka mësuar njerëzve mbi filozofinë shumë më shumë se vellime të tëra akademike të mbledhura bashkë. Si e mendoni ju këtë? Ku fiton epërsi letërsia mbi filozofinë? Dhe ku filozofia mbi letërsinë?…

Enriko Peçuli: Nuk jam vetëm unë që e them, por është një rreth i gjerë i filozofisë që pohon se Dostojevski është ndër themeluesit e ekzistencializmit në Rusi, dhe jo vetëm. Ai i ka dhënë letërsisë një natyrë të tillë filozofike, që shfaqte njeriun e mbërthyer në zinxhirë të dukshëm e të padukshëm. Megjithatë as ai nuk e kapërceu dot moralin e krishterë të të nënshtruarit, ku tek “Krim dhe Ndëshkim” e vë personazhin në pozita të tipit “kur të gjuajnë, kthe faqen tjetër”. Këtu unë nuk bie dakord me Dostojevskin, pasi mendoj se filozofia duhet të shërbejë për ta çliruar njeriun, me revoltë dhe jo me nënshtrim.
Për sa i përket lidhjes mes filozofisë dhe letërsisë, unë them se e vetmja ndarje që kanë është teknike apo stilistike, pasi në thelb, njëra nuk shkon pa tjetrën. Nëse më parë filozofinë e benin matematikanët dhe fizikantët, pamë se filozofia u bë më e prekshme për njerëzit atëherë kur letërsia mori barrën e të bërit filozofi. Nuk do kishte letërsi sot nëse Dante do të ishte bejtexhiu i hyjnores, apo Kamy-ja do të krijonte bestseller-a që lexohen nga adoleshentë të frustruar. Të bërit letërsi pa filozofuar, do të thotë të mos rrezikosh asgjë. Shkrimtarët e mëdhenj kanë kaluar, ca në turra të druve, e ca të tjerëve gjysmat e veprave ua kanë djegur a bërë karton. Hemingway dhe Petro Marko luftonin mes zjarreve të lumit Ebro në Spanjë, ndërsa Nicolas Sparks rri në kolltuk me lap top dhe pi “Starbucks”. E ç’është kjo letërsi kështu, pa i prekur skutat më të thella të natyrës njerëzore? Nëse me të shkruarit letërsi ti nuk rrezikon asgjë, nëse nuk e vë natyrën tënde në dyshim, vetë qenien tënde ta përplasësh nëpër beteja, dhe kjo nënkupton direkt të bërit filozofi, atëherë ti nuk po shkruan letërsi.
Mbase filozofia mban epërsinë e të qenit edhe pa letërsinë. D.m.th., se arrin të ekzistojë edhe pa letërsi, por letërsia është ajo që e bën filozofinë të prekshme për njeriun më të thjeshtë, dhe çfarë është filozofia pa njeriun?

Arlinda Guma: A i bën filozofia studiuesit e saj më pak të lumtur?

Enriko Peçuli: Së pari, nuk mendoj se ekziston diçka e tillë si lumturia. Të paktën si gjendje e qendrueshme apo koherente. Nëse ka lumturi, ajo është iluzion që krijohet nga qenia për ta ruajtur veten. Në psikologji do të interpretohej si mekanizëm mbrojtës, por për mua nuk bën sens fraza:“Jam i lumtur!”. Njeriu mund të jetë i kënaqur për sa i përket nevojave trupore ose i përmbushur për sa i përket nevojave intelektuale. Këtë bën filozofia, e faktorizon menjëherë lumturinë si të rrejshme. Nuk është se unë nuk e them kurrë frazën:“Jam i lumtur!”, pasi gjuha na ka krijuar ca kufizime, prej të cilave është e vështirë të dalësh, siç është fakti që thua:“O Zot!”, edhe pse ti nuk beson më në një Zot. Mbase filozofia duhet të aspirojë që lumturisë t’i japë një konotacion të saktë, në mënyrë që ideologjitë sunduese të mos e përdorin më lumturinë si mjet për t’i mbajtur njerëzit të nënshtruar. Lumturi ka kur ka injorancë, nënshtrim dhe dhunë të vazhdueshme.

Arlinda Guma: Mendoni se qëndresa juaj do ta rrëzojë ligjin mbi arsimin? Si e perceptoni solidarizimin në distancë të shqiptarëve? Jeni ndopak të zemëruar me ta që nuk janë të pranishëm edhe fizikisht me protestën tuaj?

Enriko Peçuli: Nuk mund ta them me bindje nëse qëndresa jonë do ta rrëzojë ligjin që e ka shkatërruar arsimin universitar, por kjo protestë vlen gjithashtu për të ngritur një kujtesë, një histori të shëndoshë revolte dhe reagimi ndaj kësi padrejtësish. Këto kohë kam njohur studentë që nuk kanë ndërmend ta braktisin këtë kauzë pa u rrëzuar ligji, dhe më beso se ata janë të shumtë në numër. Niveli i artikulimit gjithashtu ka qenë fantastik, dhe mund të pohoj se në kaq pak kohë proteste kemi mësuar më shumë se ç’mund të na mesonin tre vjet sorollatje nëpër salla leksionesh, duke mësuar përmendësh.
Sa për ata që nuk janë të pranishëm fizikisht në protestë, unë mund të them se kjo protestë nuk ka qenë vetëm e studentëve. Nuk ka qenë vetëm për universitetin gjithashtu. Ky ishte një leksion i fortë demokracie për këdo. Ne protestojmë për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë ta ngrenë zërin, për të gjithë ata që nuk u shkolluan dot. Ne protestojmë për ata që na duan e na mbështesin, por edhe për ata që na urrejnë e na mallkojnë. Edhe atyre do t’u mësojmë se lufta më e madhe nuk bëhet mes popullit, por mes të shtypurve dhe shtypësve.

Arlinda Guma: Jeni kërcënuar që t’i jepni fund protestës? Nëse po, nga kush?

Enriko Peçuli: Me sa di unë, nuk kemi marrë ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë nga persona fizikë. Por protesta e ka një kërcënim. Ne kërcënohemi nga mënyrat intimiduese të pushtetit, që kërkon ta devijojë apo ta shtypë forcën reaguese. Ne kërcënohemi nga skeptikët dhe indiferentët. Nga skeptikët sepse janë një potencial për t’u manipuluar nga pushteti, dhe nga indiferentët, sepse janë këta që qëndrojnë në “zonën gri”, pra që nuk kanë asnjë qëndrim për çështjen. Në një situatë të tillë, indiferenti është subjekti më parazitar, pasi ai kërkon të përfitojë nga të gjitha kahet, duke mos u pozicionuar kurrë. Kërcënimi është akut, por jo i drejtperdrejtë. Ne jemi shumë, dhe është e pamundur që dikush të përdorë forma të drejtperdrejta kërcënimi me një shumësi kaq të përbashkuar në qëllim.

Arlinda Guma: Cila është ajo gjëja që ju ka motivuar më shumë nga protesta dhe gjithashtu ajo që ju ka shkurajuar më shumë?

Enriko Peçuli: Duke e shmangur modestinë, unë jam ndër ata persona që i kam ndjerë krejt ato çka shkonin keq me universitetin kohë më parë, qysh prej kohës kur jam bërë pjesë e Lëvizjes Për Universitetin. Ka qenë e dukshme kohë më parë se universiteti në Shqipëri është i kalbur përmbajtësisht, dhe forcat që e udhëheqin atë nuk do të ishin kurrë të afta ta mbulonin këtë kalbësi, as me takime ekselentësh dhe as me fasada të tjera të këtij lloji. Kështu që, nuk ka asgjë nga kjo protestë që të më shkurajojë. Ajo çka ne kemi ndertuar është kurajoja e pamatë dhe përkushtim i pakushtëzuar për ta ndërtuar universitetin. Mbase një grimë shkurajimi e pata kur një pakicë e studentëve nuk e morën kurrë mundimin për të reflektuar mbi këtë gjendje, e as për të reaguar ndaj padrejtësive. Jam shkurajuar pakëz edhe nga zënkat e ashpra mes ne studentëve, atëkohë kur kishim të njëjtin hall, dhe përpiqeshim ta etiketonim shoshoqin si të X partie apo subjekti politik, pa e kuptuar kurrë se ne kemi më shumë gjëra të cilat na bashkojnë, se sa ato pak gjëra që na ndajnë. Megjithatë, aty ku nuk ka përplasje idesh, nuk ka as zhvillim, dhe kjo një ditë ka për t’u përkthyer në motivim akoma më të madh.

Arlinda Guma: A mund ta ndryshojë botën një njeri i lumtur?

Enriko Peçuli: Nëse bëhem cinik dhe e pranoj konceptin aktual të lumturisë, do ngre vetëm një pyetje, për t’iu përgjigjur po pyetjes: – A mund të jetë kush i lumtur, pa e ndryshuar më parë botën?

Arlinda Guma: Si do të ishte për ju një rend ideal politiko-social?

Enriko Peçuli: Në rendin aktual që mbizotëron botën e madhe e të rrëmujshme, ne kemi pabarazi të thella. Është një pakicë e vogël individësh, të cilët pasurohen në kurriz të shumicës së varfër. Janë një grusht tepër i vogël koorporatash, të cilat kontrollojnë gjithë tregun dhe krijojne iluzionin se tregu na qenka i lirë. Dhe është po ky treg i lirë, nga i cili janë të paktë ata që mbijetojnë pa dëme të mëdha financiare. Janë një pakicë njerëzish që kanë privatizuar të mira publike, deri në absurditetin e të privatizuarit të ajrit që thithim, dhe nga ana tjetër ka fshatarë pa tokë, të cilët vuajnë edhe për bukën e gojës. Ne kemi me miliarda vëllime librash, me miliona qendra mësimore, shkolla e universitete, por janë të paktë njerëzit të cilët kanë akses në këtë thesar dijesh, vetëm se nuk e kanë mundësinë ekonomike për këtë lloj aksesi. Monedha ka dy anë; është Rockfeleri që jeton 101 vite me aparatura të shtrenjta brenda vilash luksoze, jane edhe të rinjtë si Ardit Gjoklaj, që vdesin mbi male mbeturinash për të siguruar një çati dhe ca libra prej letre.
Prandaj unë dua dhe luftoj me aq mundësi sa kam si qenie mishtore, që njerëzit të mos ndahen në bazë të racës, kombit apo gjinisë. Luftoj që të gjithë fshatarët si gjyshi im të kenë tokë pjellore dhe të mos u duhet të flenë pa bukë netëve, vetëm se një feudal i zonës ka monopol mbi prodhimin bujqësor aty në fshat. Unë luftoj që minatori t’i gëzojë frytet e punës së vet, dhe askush të mos pasurohet në kurriz të tij. Unë luftoj që shokët e mi të kenë mundësi të arsimohen në bazë të meritës, dhe jo në bazë të xhepit të majmë. Unë luftoj që shoqet e mia të mos martirizohen vetëm sepse janë gra dhe vajza. Luftoj që çdo hapësirë që na i ka falur natyra të mos mbesë si pronë e një grushti njerëzish, por t’i gëzojë e gjithë popullsia. Luftoj që të mos kemi eprorë mbi kokë, por demokracia të funksionojë si pjesëmarrëse.
Them “luftoj”, sepse unë nuk jam askush që të ëndërroj një botë, pa luftuar për të më parë. Ka njerëz që thonë se jemi komunistë, e kësi gjërash. Po nëse komunizmi i përmbledh krejt ato për të cilat luftoj, atëherë qofsha komunist, se gjë më të bukur nuk paska.

Arlinda Guma: Nëse do të darkonit me një prej filozofëve apo shkrimtarëve më të mirë të botës, cilin do të zgjidhnit dhe ç’pyetje do t’i bënit?

Enriko Peçuli: Bota ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme që nga shekulli i XX, dhe këtë periudhë e kemi kapërcyer vetëm fizikisht, pa e kapërcyer dot konceptualisht. Ne nuk i kemi tejkaluar dot filozofët dhe shkrimtarët e shekullit të kaluar, dhe një prej tyre është dhe Erich Maria Remarque. Nëse ka njeri që do të doja ta takoja, është ai. Pikërisht sepse me Remarkun unë kam bërë kapërcimin nga letërsia limonatë, në letërsinë e thellë dhe të vërtetë. Remarku ka qenë ndër protagonistët e periudhës mes, dhe brenda dy luftërave botërore. E imagjinoj; unë me një dorëshkrim nga vepra e Petro Markos në xhep, ulem dhe i shtrëngoj dorën. Pyetjet: – Pse nuk e vrave Ludvigun, tek “Obelisku i Zi”? Kaq të vështirë e ka autori ta vrasë qenien e tij?
-Ti je i çmendur, i vrave gjithë dashuritë në kohë lufte. A ka mbetur njeri pa u dashuruar në luftë? -Tani vazhdo, më pyet ç’të duash…

Arlinda Guma: Keni ndonjë vend në qytetin tuaj të lindjes ku uleni dhe shkruani? Po këtu në Tiranë?

Enriko Peçuli: Kur rri vazhdimisht në një vend dhe shkruaj, më zë ankthi. Kam nevojë ta ndërroj përherë vendin ku shkruaj. Në Himarë kam një vend buzë detit, ku kryesisht verës ulem e shkruaj ose lexoj. E vështirë paksa, pasi ngado të kthehesh do gjesh horizonte të reja. Po iu drejtove detit, i ke kthyer kurrizin malit. Po iu drejtove malit, ke lënë pas detin me horizont të pamatë. Dhe më e keqja është kur rri kah qiellit, se toka ta përpin trupin. Natyra sa e bukur është, aq edhe ka nevojë për trupat tanë, ndryshe nuk mbijeton dot. Prandaj kur shkruaj nuk mendoj se i dhuroj diçka vetëm letrës, por i kam falur vetë natyrës një trup më shumë për të ngritur kujtesë historike.
Pak për Tiranën, pasi e kam me të lehtë të shkruaj kudo. Tirana është krejt njësoj, dhe mjafton frymëzimi, pa arrij të shkruaj edhe në ecje.

Arlinda Guma: A është poetike Tirana?

Enriko Peçuli: Aty ku ka jetë, ka edhe poezi. Këtu ka jetë, bashkë me gjithë rrëmujën dhe mish-mashin e njerëzve. Ka poezi brenda kabinave të urbanit, mbyllur në dhomat e ftohta të Komisariatit nr.2. Ka poezi në orët e vona kur dalin gratë që pastrojnë rrugët. Ka poezi në trishtimin e njerëzve që presin për punë te “Ushtari i Panjohur”. Ka poezi në thirrjen e kanaçembledhësit. Ka poezi Kombinati, Paskuqani, Lapraka, Sauku, dhe krejt periferia që po vdes duke jetuar. Edhe vdekja ka poezi në këtë qytet të qelbur. Po, ka jetë Tirana, dhe ka poezi gjithashtu.

GJYSMA E NJERËZVE NË BOTË-Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

GJYSMA E NJERËZVE NË BOTË-Yehuda Amichai

 

Gjysma e njerëzve në botë dashurojnë gjysmën tjetër,

gjysma e njerëzve urrejnë gjysmën tjetër.

Mos vallë, më duhet që prej kësaj dhe asaj gjysme

kuturu të endem, pafundësisht duke u shndërruar

si shiu në qarkullimin e vet,

midis shkëmbinjsh, mos duhet të fle, vallë

dhe i egjër porsi një pemë ulliri të zgjohem,

dhe hënën të ndiej të më lehë pas,

dhe timen dashuri nën shqetësime ta fsheh,

dhe si barishte e fishkur, ndër shufra hekurudhash të buis,

dhe nën tokë të rroj, si një molë,

dhe si rrënjë të gjalloj e jo si degë,

dhe faqen time me faqe engjëjsh të mos e prek,

dhe në më të parën shpellë të dashuroj,

dhe me time shoqe të martohem nën një perde rrezatimesh

që tokën kurojnë,

dhe timen vdekje përherë të luaj

deri në frymën dhe fjalën e fundit,

kurrë duke mos kuptuar,

dhe shtiza flamujsh, çatisë së shtëpisë të ngre

dhe një vendstrehim bombardimesh përfund. Dhe të largohem

rrugëve të ndërtuara vetëm për rikthime

dhe nëpër gjithë stacionet çmeritëse të kaloj –

mace, thupra, zjarr, ujë, kasap,

prej fëmijës dhe ëngjëllit të vdekjes?

 

Gjysma e njerëzve dashurojnë,

gjysma urrejnë.

Po vendin, ku e kam në këto gjysma kaq të mirëvendosura

e nëpër ç’hulli do t’i shoh

të bardhat projektime strehimesh, ëndrrave të mia

dhe vrapuesit këmbëzbathur të rërës

ose të paktën valëvitjen

e shamizës së një vajze bri kodrës së vjetër?

 

Përktheu: Eraldo Hatija

Taktikat e hyrjes pa ftesë në pritjet mondane në Paris-Ylljet Aliçka

in Letërsi/Tharm by

Ylljet Aliçka

Në pritjet mondane në Paris nuk ishte e lehtë të kuptoje që me herë të parë se sa nga të pranishëmit hynin me ftesë dhe sa ia dilnin të hynin pa ftesë.

Me kalimin e kohës, falë ngjashmërisë së marifeteve të hyrjes pa ftesë, apo me ftesë fallco, me fare pak vëmendje, ti mund të kuptoje se bëhej fjalë gati për një komunitet të qëndrueshëm, përbërë kryesisht nga aristokratë apo personalitete të rënë vafti, ish-nëpunës dalë në pension, apo gjithfarëlloj hallexhinjsh, të cilët, përveç ndjenjës së përjetshme njerëzore për protagonizëm që të ofron prania në qarqet mondane të kryeqytetit të dritave, kanë njëkohësisht mundësinë të ushqehen me bollëk e me cilësi.

Por pavarësisht ngjashmërisë së taktikave për hyrje pa ftesë, dukej qartë se ky komunitet mondan ishte i përçarë. Kjo buronte thjesht nga konkurrenca për të hyrë në pritje.

E përmbajtur në dukje, një konkurrencë jo më pak e ashpër niste që para hyrjes së jashtme të pritjes, pra aty ku bëhej dhe kontrolli i ftesave, ku një turmë modeste mondanësh hallexhinj, d.m.th., pa ftesë, bëjnë sikur presin dikë, por në të vërtetë rrinë aty për t’iu ngjitur, si rastësisht, dikujt me ftesë. Modalitetet e ngjitjes dikujt me ftesë janë pak a shumë të njëjta: ai, mondani pa ftesë pra, afishon në fytyrë një buzëqeshje të çiltër, i afrohet krejt

spontanisht dikujt që mban ftesë në dorë dhe, mu pranë hyrjes ku kontrollohen ftesat, i drejton bashkudhëtarit me ftesë ndonjë pyetje koti, bie fjala:«bah, pa të shohim se në ç’krah do e kenë vendosur garderobën kësaj radhe…», dhe kur i ftuari mund të përgjigjet me mirësjellje se «besoj do jetë në krahun e djathtë», atëherë mondani pa ftesë lëshon një të qeshur me zë të lartë dhe thotë, «bah, sinqerisht unë po mendoja se do ishte në të majtën», duke mos i lënë kështu asnjë dyshim rojave në hyrje se të dy zotërijtë kanë ardhur bashkë në këtë pritje mondane dhe s’ka pse t’u kërkohet të dyve ftesa, pasi në hyrjet e pritjeve mondane ka aq shumë njerëz që rrinë pranë e pranë, saqë i pajisuri me ftesë nuk ia del dot të shmanget dhe ndërkaq mondani nevojtar ka kohën e mjaftueshme të vërë buzën në gaz dhe të lëshojë pyetjen e tij të kotë mu pranë kontrollorit të ftesave.

Me individët pa ftesë të seksit femër, ndodhte ndryshe, ato jo vetëm toleroheshin nga konkurrentët për të shkelur radhën, porse edhe pa këtë privilegj, ato e kanë shumë më të lehtë për t’u futur drejtpërdrejt në sallë, pasi rojat e pritjeve e respektojnë zakonisht seksin e dobët, apo joshen nga veshja e tyre elegante dhe as u shkon ndërmend t’u kërkojnë ftesën.

Por ndodhte që, për të eliminuar krejtësisht konkurrencën, ndokush bënte edhe hile.

Me qëllim që t’i shmangej radhës së vendosur heshturazi në komunitet, hileqari avanconte dhjetra metra para hyrjes, për t’iu ngjitur si rastësisht cilitdo individi të veshur shik, përfshirë edhe atyre që s’mbajnë ftesë në dorë. Përveç pabesisë ndaj shokëve të tij, pra të shkeljes së radhës, kjo mënyrë veprimi mbartte në vetvete edhe rrezikun që ti mund t’i ngjiteshe dikujt kot, pra, që nuk kishte asnjë lidhje me pritjen dhe qëllonte t’i binte aty rruga rastësisht. Në këto raste, mondanit hileqar i dilte mundimi huq dhe mu para hyrjes së pritjes diplomatike, ashtu si pa rënë në sy, ai i shkëputej anonimit të veshur shik, duke u përpjekur t’u fshihej vështrimeve përçmuese të shokëve të tij pa ftesa. Dhe, së fundi, duhet thënë se kishte edhe një tjetër takëm hallexhinjsh që nuk e duronin dot hipokrizinë, d.m.th., ngjitjen gjoja spontane mbas të ftuarve, por, në mënyrë të hapur e të sinqertë, atyre që dilnin shpejt nga pritja, i pyesnin se mos kushedi, rastësisht, nuk e kishinë dorëzuar ftesën.

Kjo mënyrë e drejtëpërdrejtë i prekte ata që e kishin ende ftesën në xhep dhe pranonin me mirësjellje t’ia jepnin atë ftesë kërkuesit. Mondani hallexhi, me të marrë ftesën në dorë, merrte një pamje dinjitoze dhe hynte në pritje siç ka hije, gjë që i jepte atij më pas edhe sigurinë për të hyrë krejt i barabartë në bisedë me diplomatë apo personalitete të larta, që më vonë mund t’i krijonin mundësi për t’i dërguar ftesa të tjera.

Është e tepërt të thuhet që kjo konkurrencë fashitej krejtësisht kur bëhej fjalë për ndonjë të moshuar, që mezi mbahej në këmbë dhe që dukej sheshit se ishte i sëmurë. Në të tilla raste, të sëmurit i lihej hapësira e nevojshme, d.m.th., lejohej nga grupi të hynte pa radhë e, me t’u shfaqur dikush me ftesë në dorë, ai të kishte mundësi t’i ngjitej menjëherë mbrapa e të hynte spontanisht në bisedë me të. Këtë metodë e hasa që në pritjen time të parë në një ambasadë latino-amerikane, në hyrjen e së cilës m’u afrua një grua e moshuar kockë e lëkurë, me një fytyrë mbuluar nga një tepri kremërash mu drejtua me zë të njomë:

– Zotëri, më falni, por unë do desha të hyj në pritje në shoqërinë tuaj, pasi… pasi kam harruar ftesën time në shtëpi.

– Patjetër zonjë, – pranova unë menjëherë.

Por, papritmas, aty pranë kërceu një grua tjetër e moshuar:

– Bah, zotëri, zonjëza po shfrytëzon pa skrupull mungesën tuaj të përvojës në fushën e mashtrimit me ftesa. Çfarë harrese! Zhënevievë, pse s’thua të vërtetën?! Po kush i dërgon asaj ftesë, zotëri?!

Zonja, që sapo kishte hyrë në shoqërinë time, ia ktheu aty për aty:

– Mjaft tani, Bernadetë, nuk të takon ty të flasësh në këtë mënyrë. Unë thjesht po kërkoj një gjest  mirësjelljeje nga zotëria dhe ti s’ke pse përzihesh.

Tha kështu dhe më futi natyrshëm krahun e saj të hollë. Hymë brenda dhe unë nuk e mora vesh nëse zonja me emrin Zhënëvievë fliste me vete, apo e kishte me mua tek mërmëriste:

– Zot, sot ka humbur krejt mirësjellja… Në kohën tonë nuk ndodhte kurrsesi kjo gjë… – thoshte ajo dhe e revoltuar tundte kokën e saj të vogël.

Zonja nuk priti të miratoja ato që thoshte, por sapo hymë brenda, shkëputi krahun nga mua dhe pa asnjë hezitim u hodh e babëzitur në drejtim të tavolinave.

Në dalje mu afrua përsëri dhe më prezantoi me një burrë të shkurtër, veshur me kostum pritjeje mondane, i cili më buzëqeshi ngrohtë dhe tha:

– Zotëri, kam përshtypjen se njihemi apo se jemi takuar diku… le të prezantohemi, unë jam gazetar në profesion të lirë, dhe sot kam harruar…

– Ftesën? – e ndërpreva unë.

– Pikërisht – tha, gjithnjë i qeshur, – pra, ndoshta e keni ende me vete dhe…

Nuk e lashë të mbaronte, i dhashë ftesën time, ndërsa ai më falënderoi duke u përkulur thellësisht dhe më la në dorë një kartëvizitë, ku shkruhej emir Frank – gazetar i lirë.

Franku më telefonoi pas dy ditësh:

– Siç duhet të jeni në dijeni, sot e ka Spanja. Do vini besoj?

– Po, i thashë.

– Shihemi para pritjes dhe shkojmë bashkë, – tha ai krejt natyrshëm.

– Ftesa është personale – iu përgjigja menjëherë.

– S’ka problem, – tha, – edhe po më kthyen unë nuk kundërshtoj, dal vetë. Por e kam, si të themi, fiksim këtë ftesë. Dhe a e dini përse?

– Jo, – i thashë.

– Jam i detyruar t’ju them një intimitet, dua të kapërcej, si të thuash, rekordin e vjetshëm, ku munda të marr pjesë në 92 pritje.

– Po këtë vit ku jeni, d.m.th., sa keni kapur? – u bëra kureshtar.

– Aty te 72- shi, por ka ende kohë, deri në fund të vitit janë një sërë pritjesh ambasadash të vogla, të cilat mezi presin t’u shkojnë njerëz, pasi, të flasim hapur, nuk është se i përfill njeri. Veçse, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se aty ka më shumë bollëk.

U kujtova për një tjetër pritje të nesërmen në UNESCO, ku mund t’i jepja një ftesë, pasi kisha dy të tilla.

– Bah! – tha Franku, – UNESCO ka rënë mjaft.Vjet ishte diçka më ndryshe, por ka kohë që aty s’ia vlen mundimi i rrugës. Si është, tek apo çift?

– Cila? – i thashë.

– Ajo pra, ftesa e UNESCO- s?

I thashë çift dhe ai psherëtiu i lehtësuar.

Të nesërmen Franku më priste para pritjes së UNESCO- s në krah të një mesogruaje, të cilën ai ma prezantoi si një mikeshë të tij, dhe me të marrë ftesën u fut brenda duke e mbajtur atë në mënyrë demostrative.

– Oh, po ky është kulmi, – m’u afrua miku im Alber, – ky xhuxh, veçse po na hap probleme duke na sjellë çdo natë nga një zonjë, me shpresë se do gjejë grua duke e joshur me ftesa kallpe.

– Pse me ftesa kallpe? – u habita unë.

– Ka mbledhur në shtëpi një koleksion të tërë ftesash nga vitet e kaluara, – shpjegoi Alberi, – dhe hyn me to në dorë nëpër pritje festash, duke fshehur si rastësisht atë pjesë të ftesës ku duket viti dhe lë t’i duket vetëm pjesën ku duket flamuri kombëtar i vendit përkatës. Natyrisht që gratë nuk e dinë këtë marifet dhe me rrobat e tyre më të mira pranojnë shoqërinë e këtij buburreci, i cili bën karshillëk, sikur bën pjesë në listat e të ftuarve të vërtetë. Për ne që e dimë të vërtetën e ftesave të tij kallpe, ai pretendon se vjen nëpër pritje mondane për shkak se nuk e duron dot vetminë. Por të gjithë ne e dimë se ai thjesht kërkon të gjejë grua, duke dashur kësisoj t’u dëshmojë atyre klasin e tij të lartë. Veçse gratë ia pijnë menjëherë lëngun, sapo futen në pritje e, pasi dënden mirë, nisin e hargalisen me ndonjë mashkull simpatik, kurse Franku bën be e rrufe se nuk do i ftojë më.

Franku hante i vetmuar. Me të më pikasur, m’u afrua dhe tha:

– Ju pata thënë, pritjet e UNESCO- s janë ku e ku me ato të spanjollit.

I këtij mendimi ishte edhe Alberi, i cili, pasi u solidarizua me përfundimin e Frankut, më prezantoi një bullafiq, i cili, pas një bisede jo më të gjatë se dy minuta, mori një pamje konspirative dhe pyeti me zë të ulët:

– Zotëri, përfitoj nga rasti për t’ju pyetur nëse vendi juaj do ishte i interesuar për të blerë me çmim të arsyeshëm, për të mos thënë falas, disa armë të sofistikuara,

– Jo, faleminderit, – i thashë.

– Gjithsesi, nëse nuk jeni kundër, i shkëmbejmë kartëvizitat, nuk i dihet, – tha, – më vonë mund të ndryshoni mendim. Mori kartëvizitën dhe u largua me po atë pamje konspirative.

– Bah, tha Franku, – me t’u larguar zotëria, – s’hoqi që s’hoqi dorë nga ky marifet. Rropatet të lerë përshtypjen se është i shërbimeve të fshehta dhe të sigurojë ftesa pa hesap. I ka dalë boja, të gjithë e dinë se nuk ia var njeri, as shërbimet e fshehta, as ato jo të fshehta. Ç’nuk i pjell mendja qenies njerëzore për të kapur nje ftesë! – psherëtiu Franku.

Por unë nuk e pashë Frankun nëpër pritje për një kohë të gjatë.

Gati gjashtë muaj më pas m’u shfaq para hyrjes së një pritjeje kishtare. Ishte i vetmuar, me fytyrë të zbehtë. Më qeshi me dashamirësi, më futi krahun dhe ne hymë në pritje si dy miq të vjetër. Me të hyrë brenda, Franku i hodhi një sy të shpejtë tavolinave dhe, pasi më tha një falemnderit të thatë, u drejtua menjëherë nga tryeza me ushqime. Hante i uritur si një urith ndër pjatat e pakta dhe kthente me shumicë gotat me shampanjë.

Përballë zellit të tij të tepruar për alkool, famullitari i kishës që shërbente në pritje, tregoi kujdes të mos nxirrte më nga sirtaret shishe shampanje, dhe kur Franku iu shfaq me sy lutës, me gotën e boshatisur në dorë, famullitari shpalli gjithë keqardhje:

– Më vjen keq, shampanja mbaroi!

Iku pa folur më.

Atë mbrëmje vonë, më telefonoi Alberi. Pasi më dha lajmin e hidhur se Franku kish ndërruar jetë dhe se “kështu e ka jeta”, më kërkoi mos kisha ndonjë ftesë për pritjen e portugezit.

– Si na la Franku? Pse? – u befasova unë.

– Ndërroi jetë, pa njeri te koka. Megjithë ato favore që u kishte bërë grave, asnjëra për bé s’iu ndodh pranë… Iu prehtë shpirti asaj krijese të vetmuar! E pra, të thuash se i kishte munguar trajtimi i mirë.

– Ç’trajtim? – e pyeta.

– Po, trajtimi ushqimor cilësor, pra… Për atë e kam fjalën, pra nga pritja në pritje.

Në varrimin e Frankut kishte shumë pak njerëz. Nuk kish ardhur askush nga kominitetit i dashamirësve të pritjeve diplomatike.

Pas varrimit, Alberi më kërkoi ftesën dhe pasi ia dha dikujt, më mori për krahu dhe nuk ma shqiti, derisa kaluam hyrjen e pritjes portugeze, ndjekur nga vështrimet xheloze të grupit kundërshtar.

Me të hyrë brenda, Alberi mori shprehjen e atij që revoltohet thellësisht me disa njerëz dhe më pëshpëriti në vesh:“Bah, ç’qenie të çuditshme!

– Kush? – e pyeta.

– Ata tek hyrja, presin gjithë ditën para pritjeve të ambasadave, me shpresë të njohin dikë që do t’i fusë brenda, dhe kur nuk vjen njeri, kthehen në shtëpitë e tyre për të verifikuar festën kombëtare të radhës.

Tha kështu dhe tundte kokën i habitur me natyrën njerëzore.

Ç’do t’i thoshit ju Gjergj Kastriotit? DITA E PARЁ-Kujtim Drishti

in Në kohërat e kolerës by

Kujtim Drishti

Në qoftë se do t’ju ndodhte të binit ballë për ballë më Gjergj Kastriot Skënderbeun… E pse jo, në qoftë se ai është brenda vetes suaj, i tretur në një porosi, si një shqetësim për vendin, si një shqetësim i pakuptueshëm  e i përhershëm që vjen nga mosplotësimi i porosisë?
Sigurisht, unë e konsideroj këtë të pamundur jashtë vetes, por ballëpërballja mund të ndodhë brenda nesh, si mundësia më e bukur, sa herë që shikojmë vendin të merret nëpër këmbë. Në atë çast në lëshojmë një psherëtimë me zë të pakapshëm, që nuk është veçse një mesazh sublim, një mesazh gojëmbyllur, i cili pa e ditur as ne vetë, nisët lirshëm nga thellësia jonë, pa ndërhyrjen e asnjë mendjeje tjetër, për të shkuar drejtë një imazhi të zgjedhur, po nga kjo thellësi e ndërgjegjëshme ose e pandërgjegjëshme, një imazhi që lidh dëshirën me veprën, për vendin.

Ky imazh është Gjergj Kastrioti.

U takova me të në ndërgjegjen time. Diçka që pashë unë, do ta ketë parë edhe ai, prandaj u ndodhëm së bashku. E ai foli. Por çuditërisht, vetëm një herë.

Të gjitha grimcat e grumbulluara të psherëtimave të mia më dolën në fjalë. Unë fola, fola, fola…

Ai qëndroi pranë meje në të shtatë  bisedat e mia dhe më dëgjoi siç dëgjova unë veten.

DITA E PARЁ  

Është një mrekulli Gjergj!

Nuk e di nëse je ti që më gjete apo jam unë që të kërkova.

Mahnitem akoma përpara teje; edhe atëherë kur imagjinata njerëzore nuk e shikonte të mundur, ti nxore në dritë nga thellësitë e lashtësisë Emrin Tonë për ta futur me forcën tënde njerëzore në kujtesën e popullit dhe të kombeve të botës.

Të gjunjëzohem i mahnitur akoma, sepse kur të gjithë njerëzit lindin mbretër dhe vdesin në mërgimin e dëshiravë të tyre, ti linde princ dhe vdiqe në realitetin e ëndrrës tënde, jo vetëm i lirë midis të lirëve, por dhe i denjë midis të denjëvë; Gjergj Kastrioti, Prijësi i Prijësve, Kalorësi Europian, Miti i kombit tim!

Ti na e qetëson shpirtin kur ne pyesim veten «Cilët jemi ne?».

Por, Ti na e shkallmon atë shpirt, kur Arbëria jote, Shqipëria jonë, humb dinjitetin, sepse ne humbim dinjitetin.

Më të dobëtit prej nesh nuk e durojnë këtë shkallmim brenda ndërgjegjes së tyrë. Ata të kanë nxjerrë nga ndërgjegjia e tyre me justifikimin e ndryshimit të epokave, për ta lënë atë të qetë, e atëherë vendi ndihet keq, sidomos kur kjo ndodh tek prijësit tanë të spërdredhur nga egoizmi i tyre i fshehur.

Dua të të flas për  kombin, vendin tënd e timin Gjergj, sepse gjuha nuk mjaftoka për ta ruajtur dinjitetin e tij.

Unë e di Gjergj; Kombi nuk është një qëllim më vete në jetën e një njeriu, por ai është kuptimi që lidh gjuhën me njerëzit dhe tokën e tyre, zakonin me dinjitetin, lirinë në bashkësinë e njeriut me të ngjashmit e tij. Kur këto elementë kërcënohen, kuptimi vetë kërcënohet e atëherë ai kthehet në një qëllim.

Dua të të flas, sepse tymi dehës i paqes vjen e bie mbi ne për të na fshehur luftën për ekzistencë, na turbullon shikimin, na humb kufirin e kufijve. Ashtu siç forca fizike ishte akti përfundimtar  i luftës, kështu qenka edhe forca e pjekurisë dhe vullnetit, akti vendimtar i paqes. Por zemrat dhe mendjet tona depërtohen sot, edhe nga Zëri i Sirenave që njohu Odiseu në luftë, edhe nga arma e  tyre  fatale; Heshtja e Sirenave që njohu Kafka në paqe.

Më lejo Gjergj të ngrihem në këmbë e të tregoj ç’ka e ka kërcënuar dhe ç’e kërcënon akoma sot fatin e Shqipërisë tonë të vogël.

Falemnderit Zot!

I falemnderit Marin Barletit që i tregoi të gjithë botës e shqiptarëve bashkë, historinë tënde të lavdishme.

I falemnderit mendimtarëve, historianëve, poetëve dhe artistëve të Europës që e përçuan lavdinë tënde më tej, të Kalorësit  shqiptar, nga Ronsari e deri tek Volteri, nga Vivaldi e deri tek Longfellow. Të gjithë ishin të paktën… të paktën mirënjohës Gjergj… deri në pikën sa të mbetesh i paharruar edhe për kombet e tyre. Ata na ndihmuan për të mos na lënë të të hidhnim në harresë kur kujtesa jonë donte të flinte, siç po kërkon sot të flejë nën erërat antikomb.

Eja Gjergj, më jep dorën!

Eja të  vizitojmë shqiptarin dhe marrësit e pushtetit  në ndërgjegjen e tyre, që ti dhe unë të shikojmë  dobësinë që ndodhet  brenda nesh e që përbën armikun e bashkimit, sepse ajo, dobësia si armik, gjendet midis nesh ashtu siç gjendej liria midis shqiptarëve kur ti u ktheve në Atdhe.

Por Gjergj, në fillim do të na duhet të hyjmë në pjesën e errët të rrënjëve të ndërgjegjes sonë, aty ku drita nuk futet dot, aty ku kërkohet drita e mendjes, aty ku ndodhet e vërteta e dobësisë në karakterin tonë, e cila përbën kërcënimin e dinjitetit të kombit e më shumë akoma te pavarësisë së tij, por që ne nuk mund ta shikojmë, për sa kohë do të mendojmë se e keqja na vjen vetëm nga të huajt.

Kështu të zbulojmë në të njëjtën kohë arsyet e tragji-komedisë sonë, kur ne nuk pushojmë së shari vetë shqiptarin që ne jemi, pasi kemi sharë tjetrin prej nesh.

Bisedë gjatë rrugës në zbritje drejt rrënjëve të ndërgjegjes sonë…

Kur ti ike Gjergj, Ata erdhën, erdhën e përsëri erdhën.

Na vranë, na çnderuan, na grabitën pasuritë, na dogjën, na rrëmbyen tokat, na zhdukën kufijtë, na zhduken prijësat. E populli mbeti pa pasurinë e tij, pa udhëheqës e pa shtetin e tij-këtë  pasqyrë që bën të njohë veten çdo popull në çdo kohë. Europianët dhe të huaj të tjerë na quajtën turq. Dhe kështu për 500 vjet rresht…

Pasojat  e dhunës së tyre, të përqendruara në hapësirë e në kohë, ishin të rënda jashtë trupit të shqiptarit, por më të rënda akoma e më të  pashikueshme brenda shpirtit të tij.

Varfëria ! Më e thella… është e para…

Ndjenja e humbjes… e fshehur në mënyrë  të dhimbshme… është e dyta.

Pas pesë shekujsh  pushtimi, pasi na kishin zhvatur pasurinë ditë për ditë, ata na lanë në varfërinë ku njeriu nuk mendon më shumë se sa të shpëtojë veten, familjen dhe nderin e saj, në më të thellën varfëri nga të gjithë popujt e kontinentit.

Konditat e bashkimit midis shqiptarësh mbetën vëtëm vdekja dhe  dasma, rreth njeriut të ngelur nëpër male apo fusha.

Ata  na mohuan të drejtën e mësimit të gjuhës sonë, dritën  e diturisë, mjetin më të fuqishëm të kujtesës së një kombi. E pa kujtesë, nuk ka as ndërgjegje të kombit.

Ata mbollën tek ne Heshtjen përballë padrejtësisë, për të kultivuar Harresën deri tek Harresa e Harresës, krimin më të madh që çon një popull në zhdukje.

Por Gjergj, ne e ruajtëm shqipen, gjuhën që kish lindur përpara greqishtës e latinishtes, gjuhën që krijoi xhelozinë më të madhe e më të fshehtë në historinë e gjuhëve europiane. Kur të tjerët e shpallen gjuhën e tyre në shkrim, ne e ruajtëm në male më me besnikeri se sa me shkrim.

Nënat tona e ruajtën farën e gjuhës sonë dhe e mbollën tek biri, e nga biri tek vajza, e nga vajza tek biri. Ata e ruajtën shqipen në lutjen edhe  në betimin tonë: «Për këtë qiëll!”, “Për kët dhé!,” Për këtë gur!”, “Për kët pré!”»

Brenda farës së gjuhës, farës së kombit,  u strehua çdo gjë që Ata goditën; edhe krenaria, edhe besimi në vete, edhe ndërgjegjia e kombit, të mveshura me shtresa të trasha Heshtjeje dhe Harrese për të mos ndjerë dhimbjen e plagës që zgjontë kujtimin  e humbjes.

Vetëm Rilindasit nxorën nga fara e gjuhës Krenarinë, Besimin në vete, idenë e Kombit. I zhveshën nga shtresat e Heshtjes dhe Harresës e i shpalosën përpara popullit.

Por dëmi kish qenë shumë i rëndë. Aq sa edhe sot njerëzit tek ne i kërkojnë të vërtetat, madje dhe ato të origjinës dhe gjuhës sonë nga të huajt.

Për të fshehur varfërinë e madhe materiale, krenaria  e thyer dhe vetëbesimi i humbur ktheheshin e kthehen ende edhe sot në të kundërtat e tepruara  të tyre përballë të huajve; ose teper fodullë ose teper servilë.

Shqiptari u kthye në një qënie të plagosur që fsheh plagën e saj për shekuj. Dhe tek shpirti  i të plagosurit pa dije, bashkëkzistojnë   durimi  e toleranca tejskajore më dhunën më të egër e me ëndrrën më të bukur që prodhon  artin më të hollë.

Ja tek  jemi Gjergj, përballë rrënjëvë  të nën-ndërgjegjes sonë.

Vështro  trungun  e lules së UN-it shqiptar!

Si të gjithë njerëzit e kësaj toke, ky trung ka tre rrënjët që japin    tre lule brenda shpirtit të njeriut, për tre fazat kryesore të jetës së tij; fëmijërisë së mvarur, rinisë së pamvarur  dhë pjëkurisë së ndërvarur.

Le të njihemi më parë me këto tre lule të buqetës së shpirtit, pastaj të shikojmë së çfarë ka ndodhur me to tek shqiptari.

Lulja e Unit ose lulja e fëminisë është e para lule që lind. Ajo është Lulja e energjisë së jetës. Pa të buqëta nuk mund të bëjë deri në pleqëri e deri në vdekje.

Brenda saj lindin; perceptimi, ndjenja, frika, guximi, egoizmi, altruizmi, dashuria, urrejtja, intuita e rrezikut, forca e sulmit  dhe  forca e tërheqjes.

Kjo është lulja që ti, Gjergj, në ditën që le atdheun, fillove ta mbushësh me një energji aq të madhe, saqë shpirti i saj filloi të transformonte fatkeqësinë në fatmirësi, aq sa ti arrite të lindësh  mrekullinë, për vete, për njerëzit e tu, për kombin dhe gjithë Europën.

Veçoria e kësaj luleje është së ajo kërkon dashurinë pa konditë, ashtu siç ia jep nëna, pa konditë. Ajo ushqehet, së pari me dashurinë për veten, dhe vazhdon e kërkon të gjithë dashurinë dhe vëmendjen e të tjerëve, gjithnjë për vete. Ajo komandon edhe  lulen e pavarësisë edhe atë të pjekurisë, në mënyrë të hapur kur ka pushtetin e saj në fëmijëri e rini, dhe si roje me pushtet të padukshëm në pjekuri.

Për të zhvilluar veten ajo ka nevojë për dy lulet e tjera.

Lulja e pavarësisë mban në vete dëshirën për shkëputje nga vartësia e prindërve, por ajo lufton  gjithë jetën  për të ushqyer lulen e unit dhe ëndrrat e saj .

E lindur tepër herët tek ty Gjergj, ti dite ta ruash të paprekur nga ndjenja e nënshtrimit.

Lulja e pavarësisë, pasi realizon daljen nga varësia e prindërve  kërkon të eksplorojë e të dalë gjithnjë nga ambienti ose sistemi ku është rritur. Ajo lufton për të vërtetuar Unin në ambiente  e sisteme të reja. Është kjo lule që jo vetëm e çon njeriun deri në kufi, por e bën atë të kalojë kufijtë. Kjo lule s’ka të ndalur. Por kur rrezikohet Uni me jetë, ajo tërhiqet ose sulmon sipas raportit të forcave, informacionin që ajo merr nga dy lulet e tjera. Kështu ndodh me të gjithë pupujt nën robërinë ë pushtuësit osë të diktatorit.

Lulja e pjekurisë lind si gonxhe, shumë herët pas lules së fëminisë, sepse ka nevojë për degët e saja fiziologjike për të njohur të dhënat e realitetit të jashtëm.

Në qoftëse ajo qëndron gjatë në gjendje gonxheje tek disa njerëz (madje edhe gjithë jetën), tek ty nga gonxhe ajo filloi të hapë petalet si rrallë herë që në fëmijëri. Nga çasti që babai yt të murmuriti disa fjalë në vesh ditën që të rrëmbyen nga atdheu, ai të kish futur frymën e përgjegjësisë, substancën pa të cilën nuk mund të rritet lulja e pjëkurisë. Është përgjegjësia që i dha lules tënde të pjekurisë shtatin e lartë, aq sa të mbrojë nën krahët e saj edhe fëmijërinë edhe rininë.

Cilësia themelore e kësaj luleje është njohja dhe pranimi i  kontradiktës që sjell realiteti. Ёshtë njohja e ndërvartësisë së njeriut me natyrën dhe shoqërinë Ajo relativizon absolutizmin e lules së fëmijërisë, zbut egoizmin e saj. Duke i mësuar tolerancën dhe kufijtë e lirise, ajo kthen egoizmin në virtyt. E dalë nga kontradiktat e natyrës dhe shoqërisë, e pjekur nga shkenca dhe dituria,  ajo i ul kokat kryeneçe, edhe lules së Unit fëminor që kërkon dashuri pa konditë, edhe lules së pavarësisë që rebelohet përpara kufijve të ligjit të natyrës ose kufijve të shoqërisë.

Lulja më e vështirë për lulen e pjekurisë është  lulja e Unit ose e egoizmit të fëminisë, me të cilën ajo bën një betejë gjithë jetën.

Pati shqiptarë që lulen e fëmijerisë së tyre e vendosën në grykën e  topit armik, të tjerë që morën pushkën nuk e përfillën egoizmin e saj, jetuan vetëm nën komandën e dy luleve të tjera derisa i vranë nëpër male apo qytete të Europës

Njeriu do të jetë gjithnjë rezultat i raportit të këtyre dy luleve; kur mençuria i shërben vetëm egoizmit ky kthehet në ves. Kur egoizmi i shërben mençurisë  kjo transformohet në virtyt.

Ti Gjergj, që arrite t‘i zhvillosh të treja lulet të shëndetshme dhe në harmoni më njëra-tjetrën më kupton shumë bukur.

Por ja! Siç e shikon dhe vetë, buqeta me tre lulet e shpirtit të shumicës së shqiptarëvë përbëhet nga  dy lule të mëdha për veten, ajo e Fëmijërisë dhe ajo e Pavarësisë,  dhe një lule të tretë për botën,  më  e vogël dhe e brishtë,  ajo e Pjekurisë.

Përmasat  e secilës prej këtyre tre luleve, në më të shumtit prej nesh kanë mbetur që prej shekujsh të tilla, ashtu siç i shikojmë edhe sot e kësaj dite tek prijësit tanë.

Më shumë se fjalët,  janë sjelljet e njeriut që tregojnë se cila nga këto  lule dominon në shpirtin e tij. Kështu kuptohet që në shumicën e shqiptarëve mbretëron lulja ë fëmijërisë dhë ajo e rinisë, e midis të dyjave, është ajo e fëmijërisë që ka trupin më te hedhur, pavarësisht se fytyra e tij mund të ketë rrudha, mjekër apo thinja.

Pushtuesi otoman varfëroi jetën materiale, varfëroi marrëdhëniet ekonomike, nuk lejoi krijimin e qyteteve me marrëdhënie njerëzore më të dendura e me interesa më të shumëllojshme, me ligje, dhe shkollat shqiptare mbetën në strehën e tyre, në malet tona.

Prandaj lulja e pjekurisë së shqiptarit  mbeti e vogël e  u përqendrua  vetëm në dy detyra:

E para detyrë ishte ruajtja e jetës së Unit, ruajtja e  ekzistencës së vetë njeriut në mungësë të lirisë dhë pavarësisë së shqiptarëvë  të  shtypur nga thundra e egër e pushtuesit otoman.

E dyta detyrë e lules së pjekurisë ishte përgjegjësia e ruajtjes së kufijve që i vendoste atij Babai, Familja,  Nderi, Fisi dhe Besa. Në këtë rast, vërtet pjekuria nuk shkonte deri tek kombi, por përgjegjësia e saj për nderin ishte aq e fortë sa vepra që dilte prej saj i vuri gjoksin plumbit ose grykës së topit, duke i dhënë shumë forcë shqiptarit në njëjës se shqiptarëve në shumës.

E këta kufij mbetën në shekuj të njëjtë, larg qytetërimit që po zhvillohëj në Perndim.Vetë Atdheu kish humbur kufijtë dhe sfida e njeriut nën pushtimin otoman, nuk mund të ngrihej më lart.

Lulja egoiste e fëmijërisë, e shoqëruar nga pjekuria që nuk kalonte kufijtë e fshatit dhe kanunit, mbetej e vetmja në komandë. Ajo e ngushtonte njeriun në psikologjinë e vetmisë dhe vetmia prodhon mendimin absolut mbi të cilin hedh dyshimin lulja e pjekurisë.

Ndërkohë që në qytete kjo merr në përgjegjësi të kundërtat  e dëshirës së Lules së fëmijërisë, duke i kërkuar asaj të ndajë pushtetin e vetë me qytetarët e tjerë.

Por siç e shikon Gjergj, lulja e pjekurisë nuk arriti kurrë të zhvillohet në nivelin e marrëdhënieve qytetare, shumë më  komplekse se marrëdhëniet në fshatrat malore. Prandaj shqiptari kish mbetur në më të shumtën e kohës në sfidën individuale më shumë se në sfidën kolektive që ishte më e rrallë për të.

Në ditët e sotme regjimi politik i kopjuar nga Europa është shumë më i përparuar se sa vetë shqiptarët, të cilët po kalojnë vështirësitë  e  pranimit të ligjeve të qytetërimit  për shkak të dominimit në shpirtin e tyre të lules egoiste të fëmijerisë, sidomos tek pushtetmarrësit e tyre.

Por ç’mund të jetë qytetërimi pa artin e bashkimit?

Ç’mund të jetë bashkimi pa rritur lulen e tretë, atë të pjekurisë?

Shumë njerëz sot besojnë se fitorja jote mbi otomanët i dedikohet aftësisë tënde si strateg.

Ata harrojnë se pa përuljen e pjekurisë tënde që bashkoi forcat e prijësave shqiptarë nuk do të kishte fitore.

Vetëm për këtë arsye ti ishe shqiptari i parë dhe i vetëm që arrite sfidën tënde individuale midis vetë shqiptarëve. Më bukur akoma midis shqiptarëve që ti dite t’i bashkosh me lulen tënde të pjekurisë në shpirt.

Ndryshe nga ç’ndodhi më vonë.

Në mungesë të zhvillimit të kësaj luleje të shpirtit, lulja e Fëmijërisë bëri ligjin, sa të lavdishëm aq dhe mizor e absolut të sedrës së burrit shqiptar në histori. Prandaj ai mbeti mbret i vetes, midis mbretërvë të vetes. Por mbreti vetëm urdhëron dhe gjykon.

Kur dy shqiptarë diskutojnë mbi një të vërtetë, lulet  e tyrë të fëmijërisë, kur ndjejnë kundërshtinë e njëra-tjetrës, fillojnë së pari  të gjykojnë njëra-tjetrën duke lëshuar substanca të hidhura, dhë harrojnë të vërtetën mbi tryezë. Ato vihën më parë në raport forcash, cila  është mbretëresha më e fortë?

Edhe sot e kësaj dite në kuvendin e pushtetmarrësve, lulet mizore të fëmijërisë, të fyera se nuk kanë gjetur dashurinë e nënës në lavdet e tjetrit, shajnë rëndë njëra-tjetrën, e në këto çaste ne nuk shikojmë më burra, por fëmijë më fytyra burri.Tirania e emocionit fëminor mbizotëron midis tyre, e ajo mbyt mendimin, i cili mbetet i pashpresë në ankesën tragjike: «Ne nuk bëhemi, ne nuk do bëhemi kurrë». Shqiptarët nuk po e kuptojnë lojën që u bën lulja egoiste e fëminisë e mbetur  e vetme në komandë.

Kështu shqiptari nuk  pranoi sfidën kolektive midis shqiptarësh, sepse lulja e tij e fëminisë përballë kontradiktës që i krijon simotra,  lëshon  helmin e hidhur të zemërimit  dhe ata nuk merren vesh me njëri-tjetrin, as nën autoritetin  e nevojave të kombit.

Por në të njejtën kohë, është kjo lule që prodhon qeshjen, gëzimin dhe dritën e njeriut, pëlqimin  dhe dashurinë, që e lidhin atë me të tjerët, po aq sa dhe mërzitjen dhe dëshpërimin kur nuk gjen lehtësinë ose dashurinë e tjetrit, po aq sa helmin e hakmarrjes kur tjetri e kundërshton ose kërkon t’i zërë vendin në hapsirë.

Ajo është gjithnjë e dlirë si natyra. Primitive sa natyra.

Lulja e fëmijërisë, e mbetur vetëm në komandë, bëri që shqiptarit t’i pëlqente vetëm sfida vetjake. Prandaj fjala «shqiptarët» arrinte të merrte me shumë peshë se fjala «shqiptari».

Kështu  i vetëm, ai çau në botë, e u bë i lavdishëm, qoftë si perandor ose komandant luftrash jashtë vendit, qoftë si Papë apo dijetar, qoftë si artist apo arkitekt i famshëm i kishave e xhamive më të bukura të botës në Perëndim e në Lindje. Kështu ai mbeti i vetëm me sfidën egoiste.

I vetëm në botë, ndërkohë që njërëzit nuk ia njihnin vendin e origjinës, sepse dhe vendi i origjinës kish mbetur si dhe ai, i vetëm. Vendi ynë Gjergj, Arbëria jotë, Shqipëria ime!

Ndërsa grate, tek të cilat rritet çdo shqiptar, gratë e mençura e zemërgjera, mjaftohen me buzëqeshjen e përkëdheljen vetëm nga burrat e tyre, burrat e sotëm nuk mjaftohen pa buzqeshjen e të tjerëve, pa përkrahjen e përkëdheljen e lavdisë së tyre.

Kur nuk i ke plotësuar dëshirën  lulës së  tyre të fëmijërisë,  je bërë gati për armik.

Kur i je kundërvënë dëshirës së tij, je bërë tashmë armik.

Burrat tanë nuk janë rritur akoma.

Vendi i qejfit egoist është tepër i madh në shpirtin e tyre, ku nuk mbetet vend as për mendimin e ndryshëm as për kundërshtinë që  sjell tjetri. Mbretëria e egos se tij rrethohet ngadalë me një shtresë opake, për të krijuar pushtetin opak, pushtet i cili nuk i hap të vërtetën e tij popullit.

Ndërsa mbi gruan bënte pushtet burri, mbi burrin nuk bënte pushtet asgjë tjetër përveç kanunit ose plumbit.

Qejfi i lules së fëmijëisë është akoma atdheu i tyre i vogël.

Kjo është, o Prijesi im i çmuar, buqeta me tre lulet e shpirtit të më të shumtëvë midis nesh. Edhe pushtëtmarrësit kanë të njëjtën buqetë.

Sikur ndonjëri prej tyre të kishte lulen e tretë më të madhe, atëherë ai do të përjashtohej e përzihej nga vendi  ose do të vritej prej vetë nesh. Kështu ka ndodhur Gjergj që nga koha e marrjes së pavarësisë nga turqit e deri më sot.

Rregulli i pashkruar, në një botë parregulla të shkruara, pa institucione të dijes, ishte që prijësi duhej t’i ngjante popullit që e lindte.

E kur ai merr pushtetin, populli shikon tek ai pasqyrën dhe veten në pasqyrë. Atëherë pamja e vetes nuk i pëlqen.

Si duhet të të puth-Erich Fried

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Si duhet të të puth-Erich Fried

 1921-1988

 Kur të puth,

nuk është vetëm goja jote

nuk është vetëm kërthiza,

nuk është vetëm mitra që puth.

Unë puth dhe pyetjet e tua, dëshirat.

Puth të menduarit, dyshimet,

guximin tënd.

Dashurinë për mua,

lirinë nga unë.

Këmbën që të sjell

e sërish të merr.

Të puth ty

siç je

si do të jesh,

nesër e pasandaj

edhe kur koha ime të ketë perënduar.

Përktheu: Miranda Içi

 

1 163 164 165 166 167 190
Go to Top