Jerome.K.Jerome
Ne ishim katër shokë: Xhorxhi, Uilliam Samuel Harrisi, unë dhe Montmorensi. Po pinim duhan në dhomën time dhe po flisnim për gjendjen tonë copë e çikë, dua të them përtokë nga pikëpamja mjekësore, merret vesh.
Ishim të gjithë zemërlëshuar dhe kjo gjendje kishte filluar të më cyste nervat. Harrisi po thoshte që hera-herës i merrej aq shumë mendja sa thuajse nuk merrte vesh ç’bënte, dhe Xhorxhi tha se edhe atij i vinin mendtë rrotull e se edhe ai zëre se nuk merrte vesh ç’bënte. Ndërsa unë kisha melçinë copë-copë dhe e dija që ishte punë mëlçie, sepse kisha lexuar kohët e fundit fletushkën e ilustruar të disa hapjeve për mëlçinë, ku përshkruheshin hollësisht shenjat nga të cilat njeriu mund ta kuptonte në e kishte të sëmurë mëlçinë apo jo. Unë i kisha të gjitha.
Është një gjë e jashtëzakonshme, por nuk ka qëlluar kurrë të lexoj reklamën e një prodhimi farmaceutik dhe të mos më mbushet mendja se vuaj nga një semundje në trajtën e saj më virulante.
Më kujtohet që një ditë shkova në Muzeun Britanik se mos gjeja derman për një sëmundje që sapo më kishte çikur, një rrufë alergjike nga bari (kështu më duket se quhet) e mora librin nga anëcaku dhe e gjeta atë që po kërkoja; por pastaj, duke mos e patur mendjen aty, e shfletova dhe u hodha një sy si kot sëmundjeve të ndryshme. Nuk më kujtohet për cilin shqetësim nisa të lexoja së pari, ishte një sëmundje e tmerrshme që bënte kërdine, por para se të mbërrija në gjysmë të shenjave paralajmëruese, më ishte mbushur mendja top se më qe ngjitur.
Ndenja njëfarë kohe ulur i ngrirë nga llahtaria, pastaj si një njeri që e ka bjerrur vetëdijen nga dëshpërimi, ktheva edhe një faqe tjetër, mbërrita te kapitulli “ethe tifoide”, lexova shenjat e tyre; mora vesh se më kishin mbërthyer, se kisha një muaj që më kishin mberthyer pa e ditur unë dhe vrava mendjen se mos kisha dhe ndonjë sëmundje tjetër; shkova te pjesa që fliste për sëmundjen e tokës, dhe, siç parashikohej, mora vesh se e kisha dhe atë. Nisa të shqetësohesha për gjendjen time dhe t’u hidhja një sy të gjithë zërave, nga i pari tek i fundit. Fillova t’i këqyrja simbas radhës së alfabetit, lexova ç’thuhej për malarjen dhe mësova se më kishte mbërthyer vendçe dhe se faza e saj më e acaruar do më fillonte mbas nja dy javësh. Ndjeva një lehtësim në shpirt kur mësova se semundjen e Brajtit e kisha kaluar të lehtë dhe se, për atë sëmundje mund të jetoja sa të duash. Murtajën e kisha, me ndërlikime serioze, dhe sa për skarlatinën, duhej të kisha lindur me të. Vijova me zell e me vëmendje nëpër të njëzet e gjashtë germat e alfabetit dhe mbërrita në përfundimin se e vetmja sëmundje që nuk më kishte zënë ishte gjuri me kallo.
Në fillim nuk më ardhi mirë; deri-diku më dukej si një fyerje. Pse të më ndodhte ky përjashtim i padëshiruar? Por mbas do kohe e fituan davanë ndjenja më pak lakmitare. Meqë i kisha të gjitha sëmundjet e tjera që njiheshin nga farmokologjia, mund edhe të isha më pak makut dhe i dhashë karar se mund të jetoja edhe pa kallo në gju. Me sa merrej vesh, cerma, në trajtën e saj më të ligë më kishte mësyrë dhe unë nuk isha kujtuar; dhe nga Zimoza vuaja qysh në kohë të adoleshencës. Mbas Zimozës nuk kishte më sëmundje të tjera dhe e mblodha mendjen se nuk kisha gjë tjetër.
Ndenja ulur dhe u mendova. Sa rast interesant duhej të isha nga pikëpamja mjekësore! Studentët nuk do të kishin me nevojë për praktikë nëpër spitale po të më kishin mua në dispozicion. Unë isha një spital lëvizës. Ata nuk duhej të bënin gjë tjetër veçse të më vinin rrotull dhe të diplomoheshin.
Pastaj desha të dija dhe sa kohë do jetoja. U përpoqa t‘i bëja një kontroll mjekësor vetes. Mata pulsin. Në të parë nuk ia dilja të dëgjoja asnjë rrahje, pastaj papritmas u duk sikur nisi të punonte. Nxora sahatin nga xhepi i vogël dhe kronometrova të rrahurat. Njëqind e dyzet e shtatë rrahje në minutë. U përpoqa të mbaja vesh rrahjet e zemrës. Nuk më rrihte. Më vonë u binda se edhe asaj dite kishte qenë në vend të vetë dhe punonte, por për këtë nuk mund të dëshmoj prerazi. Shkova duke prekur gjithë të përparmen e trupit, që nga ajo pjesa e vogël që quhej bel, deri te koka dhe u shtyva pak anash, madje pak edhe në pjesën e poshtme. Por nuk ia dola as të ndiej dhe as të dëgjoja gjë prej gjëje. Desha të këqyrja gjuhën, e nxora sa më shumë që pata mundësi, mbylla një sy dhe vërejta me syrin tjetër. Munda t’i shihja vetëm majën dhe nuk u binda në e kisha apo jo skarlatinën.
Në atë sallë leximi kisha hyrë si njeri i shëndoshë dhe i lumtur. Po dilja duke zvarritur mbas vetes një rrëzall të kalbur.
Shkova te mjeku im, e kam mik të vjetër dhe më kontrollon pulsin, pa më sheh gjuhën dhe më flet për kohën, të gjitha xhaba dhe pa pagesë, në një kohë që unë mendoj se jam i sëmurë; mendova se do t’i bëja një nder të madh po të shkoja tek ai në gjendjen në të cilën ndodhesha. Mjekët kanë nevojë për praktikë, mendova. Ja ku më ka. Do të ketë rast të bëjë më shumë praktikë me mua sesa me një mijë e shtatqind të sëmurë të zakonshëm çfarëdo, gjithsecili me disa sëmundje në trup. Prandaj s’e bëra të gjatë dhe u sula në studion e tij.
– Pa me thuaj çfarë ndjen? – Më pyeti ai.
– Nuk dua të të bëj të humbasësh kohë, mik i dashur, – i thashë, – duke të të rrëfej se çfarë ndiej, jeta është e shkurtër dhe mund ta dredhim e të degdisemi në botën tjetër, para se unë të kem mbaruar, por do të të them çfarë nuk kam. Nuk kam gjurin me kallo. Nuk di të ta them pse nuk e kam, por puna është që s’e kam. Ndërsa gjithë sëmundjet e tjera i kam.
Atëherë më kontrolloi me vesh dhe me këqyri grykën, pastaj më mbërtheu kyçin e dorës dhe, kur unë nuk e prisja aspak – poshtërsisht them unë – më sëlloi në kraharor, dhe fill pas kësaj më goditi në kokë. Pastaj u ul dhe shkroi një recetë, e palosi dhe ma zgjati. Unë e rrasa në xhep dhe dola.
Pa e hapur për të parë ç’kishte shkruar shkova te farmacisti dhe ia dorëzova.
Më tha se nuk i kishte ato artikuj.
E pyeta: – Pse nuk jeni farmacist ju?
– Jam farmacist. Po të kisha një dyqan bakalli dhe një pension të vogël për familjen edhe mund t‘ua kisha plotësuar kërkesën. Po s’kam ç’t’ju bëj; jam vetëm një farmacist.
Lexova receten. Ishte shkruar:
1 bërxollë treqindgrameshe me
1 bardhak birre gjysmëlitersh çdo gjashtë orë
1 shëtitje dhjetëmiljesh çdo mëngjes
1 gjumë të thellë çdo mbrëmje në orën 11fiks.
Dhe mos mbush kokën me gjera që nuk i merr vesh.
I zbatova këto udhëzime dhe nga pikepamja ime ua pashë hairin, sepse e shpëtova jetën dhe çaj përpara dhe sot e kësaj dite.
Përktheu: Amik Kasoruho