Një ekuipazh “trimash”-Mbi romanin “Tre vetë me biçikleta” Jerome K. Jerome

in Tirana Review by

Arlinda Guma

“Një gjë tjetër që nuk duhet të bësh në rrugët e Gjermanisë është të mos ushqesh kuajt, mushkat ose gomerët që i përkasin ndokujt tjetër. Po të hipi në kokë të ushqesh gomarin e ndokujt tjetër, duhet të lësh takim me kafshën dhe t’i japësh tagjinë në një vend të autorizuar”.

Këto janë disa rreshta, shkëputur prej romanit “Tre vetë me biçikleta”, një prej veprave më të mira të klasikut të humorit anglez Jerome K. Jerome.

E pamundur të mos qeshësh kur i lexon. Por edhe pasi kalojnë kohë dhe e shfleton sërish këtë libër, efekti është i njëjtë me atë të leximit tënd të parë.

Edhe më e pamundur është të besosh se janë shkruar prej një njeriu me natyrë të trishtë… Por tekefundit kjo është karakteristikë e shumicës së shkrimtarëve të humorit. Thellë-thellë ata janë depresivë… Humori nuk është gjë tjetër veçse një tentativë e shëndetshme për ta luftuar atë gjendje. Por në të shumtën e rasteve mbetet thjesht tentativë…

Romani “Tre vetë me biçikleta” u publikua gati dhjetë vjet pas romanit “Tre vetë në një barkë (pa përmendur qenin)”, i cili korri një sukses të jashtëzakonshëm. Për shkrimin e romanit “Tre vetë me biçikleta”, Jerome K. Jerome u frymëzua prej një qëndrimi të tij të shkurtër në Gjermani.

Përgjatë leximit, natyrshëm të lind një pyetje në mendje: -Çfarë kanë menduar gjermanët kur e kanë lexuar këtë roman? (Përveç faktit që e kanë përfshirë autorin e tij në tekstet mësimore…)

Jerome i bën një portret psikologjik mjaft interesant tipologjisë së gjermanit të zakonshëm, në veçanti atij me uniformë. Ai e fshikullon (me njëfarë dashamirësie sidoqoftë) figurën e policit të devotshëm gjerman, gërricet me rregullin e tepruar në një park, ku ka rrugë të veçanta për fëmijë, rrugë të veçanta për ata që ngasin biçikleta, rrugë të veçanta për makinat e rënda, rrugë të veçanta për “zonjat e vetmuara”, madje habitet se si gjermanët, aq të fiksuar pas rregullave, nuk kanë bërë ende rrugë të veçanta për qerosë apo për beqarë.

Tek “Tre vetë me biçikleta”, Jerome na prezanton sërish me personazhet e romanit të tij të mëparshëm “Tre vetë në një barkë (pa përmendur qenin)”, por episodet janë të reja dhe përgjatë gjithë romanit ai nuk bie aspak në përsëritje. Ndërsa stili është i njëjti; po ai i zhdërvjellët e fin.

“Unë me Harisin po flisnim për çmendinat private, që sipas tij në Angli kishin një organizim mjaft të dobët. Ai tha se një shoku i tij që ishte pacient në një çmendinë…

-Me ç’po shoh unë, ti paske shumë shokë nëpër çmendina,- e ndërpreu Xhorxhi.”

Pastaj Harisi i përgjigjet atij me qetësi se herët a vonë, një ditë, të gjithë përfundojnë atje.

Ndoshta i vetmi fragment në roman, ku nxjerr kokën natyra depresive e autorit…

Ka diçka profetike në këtë roman; zhbirimi i autorit mbi bindjen e verbër të gjermanit. Jerome është marrë përgjatë gjithë librit me këtë, dhe në mënyrë ndoshta të pavetëdijshme, ai sikur ka nuhatur apo ka paralajmëruar diçka të tmerrshme që do të shfaqej më pas tek ky komb. Nazizmin.

Ka një episod ku Jerome shpjegon plot humor atë rastin kur shteti do ta varë gjermanin, kështu i jep atij litarin, bashkë me një udhëzues, dhe gjermani shkon të varet i bindur në kuzhinën e tij.

Ai është aq i bindur ndaj shtetit të tij, asnjëherë nuk ia vë në dyshim vendimet. Shteti ka gjithmonë të drejtë. Edhe atëherë kur vendos ta varë.

Ndërsa në një fragment tjetër, autori na përshkruan atë kondradiktën e madhe që ka gjermani në dyzimin me uniformën; kur e vesh, ai di t’i japë drejtim çdo gjëje, por kur e heq, ai i ngjan një fëmije që ka humbur rrugën.

Dhe siç të gjithë e dimë, në vitet e mëpasme kombi gjerman do ta humbte vërtet rrugën me lindjen e nazizmit.

Jerome duket sikur i parashikoi të gjitha këto, në atë mënyrën e tij, në dukje moskokëçarëse, tipike prej anglezi.

Romani është sjellë në shqip, prej botimeve ABC. Viti i botimit 2007. Ndërsa përkthimi cilësor është i Artan Mirakës.

Stili hokatar i Jeromit ka ndikuar mjaft autorë të tjerë që do të shfaqeshin më vonë në letërsinë botërore.

“Tre vetë me biçikleta” nuk arriti të kapte majat si romani i mëparshëm i autorit, por cilësisht ai është po aq i denjë dhe i arrirë.

Çdo libër ka fatin e tij. Ёshtë si një fëmijë që duhet të mësojë të ngrihet në këmbë pa ndihmën e të tjerëve… dhe të ecë…

Dhe Jerome duket se ka ecur mjaft nëpër shekuj…

Ai tingëllon kaq i natyrshëm në ditët tona, shekuj prej kohës që shkroi.

Asgjë nuk i ka zbehur koha freskisë së stilit të tij.

Mos e humbisni këtë libër nëse doni të qesheni dhe të mendoni cilësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Tirana Review

Go to Top