Ç’do t’i thoshit ju Gjergj Kastriotit? DITA E TRETЁ-Kujtim Drishti

in Në kohërat e kolerës by

Bisedë mbi alibinë e Tolerancës

   Kujtim Drishti

Arritëm përpara skenës së vendit, Gjergj, aty ku shikohet vepra.

Vështroje Tiranën, Kryeqytetin tonë të sotshëm. Ajo është bërë e bukur.

Bukurinë Gjergj ia ka dhënë Lulja egoiste e fëmijërisë së shqiptarëvë, ajo për të cilën sfida është vetëm individuale. Tirana është bukur më kulla e më të papunë, me kulla e me lypësa.Ti  qëndron mbi kalë.

Ti reziston mbi kalë nga thellësitë e subkoshiencës së kombit. Këtë unë e them më vete, për njerëzit që kujtojnë se ti ke mbetur i vetëm në këtë shesh.

Deri dje prapa teje ngriheshin në ekuilibër dy simbole të historisë së shpirtit të shqiptarëvë, ai më i  riu, i Lindjes, më një minare që na lanë turqit dhe ai më i vjetri, i Perëndimit, me orën e stilit venecian. Pak më larg, në sfond, ky ekuilibër sa shpirtëror, aq edhe gjeografik, u prish. Tani janë ngritur edhe katër minare të tjera që ndriçojnë, aq të mëdha sa do kujtojnë 500 vjet të pushtimit marrafrymës që na i la këto minare. Edhe ato të ortodoksisë, edhe ato të krishtërimit, janë të zvenitura përpara minareve të Sulltanit të ri.

Sigurisht ato u futën në skenën tonë ashtu siç nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës.

Popujt e tjerë i kanë ndërtuar vetë kishat dhe xhamitë, ndërsa ne na i sollën  si dhuratë. Disa janë dhurata Sulltani, disa janë dhurata Uliksi.

Pushtetmarrësit tanë u justifikuan me nevojën për ushqimin e shpirtit, sipas formulës:«Ne jemi gati të hamë bar, veç shpirtin të mos e lëmë pa ushqim.» Dhe ushqimi i fesë u paraqit në radhë të parë si mësim i tolerancës. Dhe «ushqimi» u erdhi si dhuratë më lejën e tyre, shpërblimin e së cilës vëtëm disa xhepa e njohin.

Toleranca? A ka mësim më të parë, më të përhershëm, që shqiptari ka mësuar gjatë historisë së jetës së tij? Feja do të na edukonte tolerancën? Neve që i kemi toleruar fetë e pushtuesit  duke i dhënë vetë fesë mesimin më të mirë të tolerancës?

Pasi populli kish dhënë provat më të larta të njerëzimit në tolerancë, gjatë pushtimit otoman dhe gjatë diktaturës komuniste, cila do te ishte toleranca që kish mbetur  e panjohur  nga ky popull, kampion i tolerancës?

Vështroje Gjergj dekorin e Shqipërisë! Vështroji Gjergj fushat e lëna djerrë, pyjet e prerë dhe pyjet e djegur! Kullat e larta të qyteteve, ndërkohë që njerëzit nuk kanë punë e rrinë gjithë ditën në kafene, ndërkohë që qytetet mbushen me lypësa dhe pushtetmarrësit e pasuruar me politikë të tregtueshme sepse janë bërë “Prijësa”, ndërkohë që në jetën e përditshme nuk kishte ujë ose drita dhe spitalet vuanin më shumë së të sëmurët,  u ndërtuan kishat e xhamitë. Këtu duhej edukuar tolerancë e re, e huazuar nga toleranca e mrekullueshme e popullit midis feve. Toleranca e re ishte ulja e kokës përpara padrejtësisë  së pushtetmarrësve.

Të besosh tek Zoti, Gjergj, ose tek Zotë të ndryshëm, është një nëvojë e natyrshmë, e pazëvendësueshme, e patundshme në lirinë e njeriut. Por për sa kohë që një popull i ndërton kishat e xhamitë me vullnetin dhe djersën e ballit të tij, për sa kohë që midis njeriut dhe Zotit nuk futen ndërmjetësit, çdo gjë shkon mirë. Çfarë më shqetëson janë pikërisht ndërmjetësit, sepse ata janë njerëz me po aq mëkate sa edhe ato të popullit, e ndonjëherë më shumë akoma përballë këtij kombi.

Ti i ke njohur shumë mirë ndërmjetësit. Mëkati kryesor i tyre është politika në emër të Zotit. Politika që vendos fenë mbi kombin. Politika që frymëzoi serbët e grekët kundra shiqiptarëve  si popull mysliman.

Pushtimi i shpirtit realizohet tek popuj naivë ose tepër tolerantë.

Shqiptarët nuk janë naivë. Nuk mund të jetë naiv ai që ka vuajtur, ashtu siç nuk ka vuajtur asnjë popull tjetër në Europë. Ata nuk janë naive, as përpara ish-armiqve, as përpara pushtetmarrësve të tyre.

Ata janë thjështë tepër tolerantë, tolerantë ndaj padrejtësisë, ashtu si dikur i ka dashur otomani dhe diktatori, por në tolerancën e tyre populli pëson ndryshimin që nuk e pret as vetë; Tirana zgjohet çdo mëngjes nën lutjen arabisht, Gjergj!

Ti qëndron mbi kalë i heshtur dhe na vështron me rreptësi.

– Ndal! Nuk kam nevojë të di më shumë!

 – Më thuaj si ia tregon ti historinë e shqiptarëve nipit tënd?

Ah, Gjergj! Më në fund ti fole… Sepse kuptove në pak kohë, atë   që mua më është dashur një jetë për ta kuptuar, e kjo më gëzon.

Ti nuk më pyet për fëmijët e mi. Ti më pyet për nipërit. Sepse ti e di se gabimet që bën babai tek fëmijët, do t’i korrigjojë tek nipërit.

Aq sa e zgjuar është pyetja jote, po aq ajo më befason, Gjergj!

Unë të fola për punë burrash, por ti, që e di se burri mban brenda vetes fëmijën që ka qenë, kërkon të hedhësh vështrimin më thellë, për të parë më larg, shumë më larg.

Arsyeja e pyetjes tënde do më lërë në mendim për kohë të gjatë…

Historia e shqiptarëve?

Historia e shqiptarëve është historia jote pa lavdinë tënde.

Është historia e mbretërve, midis mbretërve të përçarë, në  hapësirat midis të cilave është futur gjithnjë armiku, në luftë dhe në paqe, e pasojat mbeten të njëjta.

Rinia, duan akoma të ikin, sepse në ëndrrat e tyre nuk po shikojnë më shpresë në vend. E kjo më dëshpëron, po aq sa ata janë të dëshpëruar. Largimi e nënshtrimi me dhembje ka qenë pjesa më e madhe e historise së tyre, ashtu siç ishte pjesa e parë  e jetes tënde. Në këtë etapë të pjesës së parë të jetës tënde kanë mbetur akoma shqiptarët. Fitorja e tyre nuk eshte e sigurt sepse nuk është e përbashkët.

Ata shpesh herë u revoltuan, shpërthyen zemërimin e tyre, deri sa shkuan e i vunë  gjoksin topit të armikut në një heroizëm vetmohues. Ata mbrojtën veten, por ata nuk u bashkuan kurrë si në kohën tënde, sepse u mungoi përunjësia e pjekurisë dhe shkolla e saj. Ata  kujtuan se fitorja jote erdhi vetëm nga forca e strategut ushtarak. Ata nuk e kanë kuptuar akoma se forca më e madhe e jotja ishte forca e zgjuarsisë dhe e pjekurisë për të bashkuar shqiptarët rreth një qëllimi, një qëllimi të përbashkët.

Shqiptaret kur u tregojnë fëmijëve për historinë e tyre, e fillojnë nga ty, por nuk e mbarojnë me ty, sepse e vërteta i pengon, sepse fëmijët duan të dinë gjithçka, edhe për të sotmen; pse po lënë vendin? Pse kanë lënë gjyshërit? Pse po u iken vëllai dhe motra?

Këtë të vërtetë shpesh ne ia fshehim fëmijëve tanë për t’u evituar plagën, për të evituar që të jetojnë plagën që ti njohe që në fëmijëri. Dhe në vend të tyre ne u mësojmë të vërteta që nuk u prekin zemrën. E pastaj ata krenohen se njohin shumë të vërteta.

Por asnjë e vërtetë nuk mund të përvetësohet pa kaluar nga zemra. Kështu njeriu bëhet i pavërtetë. Prandaj shumë prej nesh nuk mund të jenë të vërtetë.

Kur u ndava nga Gjergji, me mbeti në mendje pyetja mbi nipin, Ai foli vetëm një herë. Edhe atëherë foli vetëm për fëmijën. A thua se sekreti i githçkaje vjen nga fëmija? E pse jo?

Ai kishte të drejtë sepse tek fëmija ndodhet fillimi i çdo historie njerëzore. Një histori e e madhe fillon tek plaga e thellë e një  gjeniu të vogël. Kjo është e vërteta që përçmon të gjithë  historianët që e fillojnë studimin e historisë nga fundi i saj.

Pa e kuptuar fillova të imagjinoj çastet kur atë fëmijë e morën për ta çuar larg, shumë larg, në dhé të huaj, në mes atyre që kishin vrarë e prerë vendin. Ata qëndronin para tij dhe përreth ishin të gjithë; prindërit e tij, gjyshërit, të afërmit, por askush nuk bënte gjë për ta ndalur largimin e tij. Askush nuk mund ta shpëtonte.

Imagjinova lotët e tyre dhe fëmijën që shikonte nënën dhe babain, turbullt nëpërmjet lotëve të tij, e nuk dinte çfarë duhej të bënte, çfarë mund të bënte. Imagjinova zemrën e tij të vogël që po shkundej e ndrydhej nga ngashërimi si kurre deri atë ditë. Imagjinova tërheqjen e tij me forcë prej duarsh të huaja. Imagjinova pikërisht këtë çast fëminor si fillimin e historisë së tij sekrete, fillimin e planit të heshtur për arratisjen më të bujshme e më të zgjuar të historisë. Besova që ai fëmijë në ato çaste i  betohej vetes, ashtu siç do bënte një i rritur, sepse e kuptoi që vetëm vetvetja i kish mbetur. Vetja si rrugëzgjidhje, të mund ta shpëtonte atë, njerëzit e tij dhe tokën e njerëzve të tij. Çmimi i  burrit është përgjegjësia. Ky ishte zbulimi i parë i tij; vetja ishte kondita e parë dhe e vetme për të dalë në liri. Burrëria e tij po hidhte hapat e para që në moshën 12 vjeçare.

Ai fëmijë iu betua vetes në heshtje, pa fjalë, se do të bënte gjithçka që të kthehej përsëri tek mali i tij i Krujës dhe fusha e saj. Asgjë nuk do ta ndalte dot kthimin e tij në një ditë të ardhme. Ai ndoshta mendoi se kjo ditë do të vinte shpejt, edhe pse me kohë kuptoi se do t’i duhej shumë më tepër derisa të vinte ora për ta përjetuar çlirimin. Ёshtë e rrallë që një fëmijë të ketë aq forcë sa t’i mbajë fjalën vetes deri në realizimin e saj të plotë. Duhej që e vërteta të mbahej nga zemra për të shpërthyer një ditë në atë histori që tronditi Perandorinë Osmane dhe Europën. Duhej që zemra të ruante në heshtje e brenda lotëve, vetëm e vetëm një të vërtetë; lirinë fitmitare të popullit të tij, që  ajo të dilte e pastër e të ndriste kombin në shekuj.

E vërteta  e fëmijës që ne e harrojmë, por që zemra tij nuk e harroi kurrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Në kohërat e kolerës

Go to Top