Ç’do t’i thoshit ju Gjergj Kastriotit? DITA E DYTЁ-Kujtim Drishti

in Në kohërat e kolerës by

Kujtim Drishti

DITA E DYTЁ

Bisedë mbi Lulen e fëmijërisë dhe çështjen kombëtare

Kur bëhet fjalë për papjekurinë e një njeriu, atë e pëson vetë njeriu ose rrethi tij i vogël.

Kur bëhet fjalë për papjekurinë e Prijësit atëhere atë e pëson kombi dhe shoqëria.

Për të struktuar këtë pjekuri të shoqërisë kish ekzistuar Gjergj shumë shekuj më parë, Kanuni, por ai  kufizohej në zgjidhjen individuale të problemeve shoqërore.

Kanuni mbështetej vetëm në autoritetin e Babait, të Fisit, të Besës dhe të Nderit, të cilën e gjykonte vetë burri ose plumbi mbi të. Në kanun nuk flitej për kombin.

Një shekull para se ti  Gjergj  të dilje në dritë, në vitet 1300, kish filluar të lindëte ajo që më vonë u quajt Europë. Europa po shkruante për qytetet Statuset, kushtetutat e saj të para. E ndër të parat në Europë ishin edhe ato të Shkodrës e Durrësit. Ndryshe nga kanuni që drejtonte shoqërinë nëpërmjet individit, Statuset  e qyteteve, të  dala si domosdoshmëri të jetës në bashkësi të mëdha njerëzish, drejtonin individin nëpërmjet shoqërisë. Këtë fat nuk e pati lulja e pjekurisë së shqiptarit. Qytetet e lindura po krijonin ligjet e qytetërimit.

Një javë para së ti të ngriheshe në qiell, u shkruan në Katedralen e Drishtit Statuset e fundit.

Të fundit Gjergj, sepse këto filiza të para të qyteterimit modern që do të zhvilloheshin më vonë nën idenë e shtetit-komb nuk mundën të përhapen. Ne nuk e patëm këtë fat sepse Ata erdhën Gjergj, dogjën çfarë gjetën përpara dhe vendosën organizimin e plaçkitjes në shekuj.

Në këto kondita të pushtimit otoman, shqiptarët vazhduan rregullimin e jetës së tyre me Kanunin që vinte nga thellësia e shekujve, por shtyllat e tij i përgjigjeshin vetmisë e izolimit të shqiptarit nëpër male, shtyllat e tij nuk u ngritën asnjëherë në nivelin e kombit dhe ligjit  të shtetit, sfidë të cilën e kishin filluar Statuset.

Për herë të parë, në fund të historisë 500 vjeçare të pushtimit otoman, ndërgjegjen kombëtare mbi bazën e gjuhës sonë e rilindën në një periudhë të lavdishmë Rilindasit tanë, të dalë nga mendimi i thellë që u kish dhënë shkolla dhe historia jonë. Kështu jehona e pushkëvë të tyre e çau heshtjen e shqiptarëve, dhe shumë më bukur akoma, jehona e shkrimeve të tyre zhveshi popullin nga harresa dhe i zgjoi idenë e kombit në zemrën e tij. Në saj të tyre kombi po shikont më në fund agimin e tij.

Por ata nuk arritën të ndërtonin shtetin shqiptar ende.

Shteti shqiptar u krijua vonë, pas shpalljes së pavarësisë nga turqit. Ai vuajti një shekull dhe po vuan ende për shkak të lules së fëmijërisë së prijësve. Ata nuk arritën të bashkojnë forcat e të gjithë shqiptarëve në interes rë kombit.

Gjatë 100 vjeçarit, pas fillimit të jetës në pavarësi, populli kaloi kryesisht në dy duar Pushtetmarrësish. Të dy patën të përbashkët faktin që i zhduknin kundërshtarët.

Por i dyti shkoi më larg akoma.

Lulja e fëmijërisë së tij ishte tepër e plagosur, prandaj ai dha shembullin e shkatërrimit në histori, që mund të sjellë kjo lule në jetën shpirtërorë dhë matëriale të një populli. Ai e fshehu lulen e fëmijërise së tij nën idenë e Kombit për ta mbrojtur më mirë. Dhe për të shëruar plagën e saj ai nisi të ndalonte çdo lule tjetër të lulëzonte e pavarur. Ai ndaloi fjalën e lirë. Fjala kundra tij kish marrë një peshë shumë të rëndë. Sa më e rëndë ishte ajo për të, aq më shumë burgosej apo vritej njeriu. Kjo kish ndodhur vetëm në kohën e inkuizicionit. Njerëzit mbetën të varfër. Ata ishin të ndaluar të dilnin e të shikonin Europën, sepse kështu do të konstatonin varfërinë e  tyre. Kur ai vdiq, njerëzit të uritur e të veshur keq lanë vendin në një numër më të madh se ata që ikën pasi ti ndërrrove jetë Gjergj. Ikën të tmerruar nga ideja e kthyer në fe, në fe të kombit, të cilën asnjeri nuk kishte të drejtë ta vinte në dyshim. Ata kishin marrë tmerr nga dogma e nuk donin më të binin në pushtetin e dogmës. Ikën dhe  drejtimin e morën jo nga Lindja, sepse e dinin se prej andej u kishin ardhur të gjitha fatkeqësitë. Ata morën  drejtimin e natyrshëm të Perëndimit, i cili kish krijuar sistemin ku të gjithë kundërshtarët duhej të mblidheshin në një kuvend për vendin e tyre.

Zgjedhja e Perëndimit ishte një Referendum de facto, politik dhe moral.

Ky ishte Referendumi i paguar me sakrificën e çrrënjosjes, referendumi më i dhimbshëm i historisë sonë dhe të Europës  që do t‘i rikthehrt mbi kokë prijësve që ëndërrojnë Lindjen, referendumi që bëri më shumë bujë së çdo referendum tjetër; ishte në favor të Europës, e cila për arsye të aleancave me kombe fqinje, nuk kishte asnjë ndjenjë respekti për ne. Por edhe Pushtetmarrësit e mbetur në vend, edhe  Europa që luante  qorren, nuk deshën të shikojnë sinjalin pozitiv të këtij Referendumi, sepse shkaku negativ i tij  i shërbente më mirë egoizmit të pushtetit të tyre.

Vetëm Ata,  vëtëm Ata  e kuptuan,  e u nxituan të vijnë e të ndryshojnë dekorin e skenës dhe prapaskënën sonë.

Kur ne kujtuam së Ata kishin ikur përgjithmonë, Ata erdhën përsëri.

Ata nuk kërkuan falje, por na dërguan si dhuratë xhamitë që ne të falim. Ose të kujtonim miqësinë e  vëllazërinë e tyre në 500 vjet robëri shkatërruese, gjakpirëse dhe zakonet e saj të vjetra, si një alibi që anullon këtë Referendum, që bota të mos mendonte se ne shqiptarët jemi europianë, e as të mos u shkojë mendja se ne kemi lidhje të ngushta me Homerin.

Ata erdhën pa kërkuar falje, e as ne, nuk e kërkuam një gjë të tillë. Pushtetmarrësi i asaj kohë, më keq akoma, sikur ne të mos kishim 100 vjet pavarësi, hoqi bustin tënd në vendin e takimit me delegacionin e tyre. Ata kishin mbjellë farën e tyre midis nesh.

Bashkë me ta erdhën dhe fqinjët tanë.

Ata, të cilët kanë urryer dëshminë e nëntokës dhe gjuhës sonë,  Ata, të cilët, të pangopur  me gjakun tonë e me tokat tona, erdhën për të ndyshuar dekorin e shpirtit tonë. Ata rifilluan  luftën e tyre, këtë herë në paqe, me ndihmën e Tregtarëve të tregtisë pa komb, të cilët përkëdhelën lulen egoiste të Pushtetmarrësvë tanë.

Kështu çështja kombëtare mbeti akoma e përsëri në dorën e një njeriu të vetëm dhe në qejfin e lulës së tij të fëminisë. Për shkak të pushtëtit të saj, sa të lavdishëm aq dhe mizor, lulja e pjekurisë nuk arriti akoma të krijojë Virtytin,  as për prijësit, as për kombin.

 Bisedë mbi Lirinë kaotike dhe përmbysjen e Vlerave.

«Virtyti nuk është fantazi» 

Kështu  Gjergj, u the ti trimave të tu përpara së të ndërrosh jetë. Dhe i lajmërove se tradhëtarët do të sulmojnë një ditë, pikërisht këtë ide dhe do të thonë që «virtyti është një fantazi».

Ti e kishe parashikuar këtë rrezik.

Dhe ne jemi futur sot në një pjesëz të historisë ku virtyti është deklaruar  de facto si fantazi. Ndërkohë që realiteti është lidhur pazgjithshmërisht  me paranë si virtyt, virtyti u sendëzua në pará. Influenca e Republikes së Romës Antike, ku nderi dhe fjala e dhënë përbënin bazën e atij civilizimi, po fiket ngadalë në të gjithë botën

30 vjetëve më parë, të dalë nga koha e ndalimit të fjalës së lirë, ne  iu gëzuam vetëm fjalës së lirë. Euforia që shkaktoi ajo luajti rolin e hipnozës, ku njerëzit të paralizuar nga fjalët shpresëdhënëse  të pushtetmarrësve pësuan operacione për së gjalli në shpirtin e tyre;  të cilat ndryshuan sitemin e vlerave…

Gjergj,  ti jetoje në një epokë lufte, e në kohëra lufte vlerat dhe kufijtë e tyre bëhen të qarta me shpejtësi. Në luftë koha  ngushtohet midis fjalës dhe veprës. Në kohë lufte dallohet shumë mirë kush i shërben kombit e kush nuk i shërben.

Në  këtë kohë paqeje, ideja e shërbimit të kombit e ka humbur  qartësinë e saj,  ashtu siç ka humbur kombi ushtrinë e tij.

Sot mbretëron ideja e lirë zyrtare se nuk kemi më armiq, se të gjithë ish-armiqtë na janë bërë miq dhe më shumë akoma, vllezër. E kjo shkon më larg; miqve dhe vëllezërve u kemi dhënë të përqendruara pikat strategjikë të ekonomisë sonë. Vendi po gatuan me miellin e huaj. Ky është mendimi i përgjithshëm, i paraqitur si e vetmja zgjidhje per shoqëritë moderne.

Por ndryshimi i vlerave shkoi akoma më larg;«ata që kanë  luftuar pushtuesit, kanë  ndihmuar në shkatërrimin e kombit», thotë një mendim i lirë, pra kanë qenë tradhëtarë, sepse i kanë dhënë mundësi armikut të na shkatërrojë. Ndërsa «ata që kanë bashkëpunuar më armiqtë paskan parë edhe interesat e largëta të vendit dhe kanë qënë patriotë të vërtëtë », dhe unë habitem përse ata akoma flasin shqip.

Po Skëndërbeu?

Edhe ai ka bërë gabim.

Këtu Gjergj u ça mali.

Mali që dikur ndante heronjtë nga antiheronjtë, lartësinë nga humnera, skllavin nga i liri, të mirën nga e këqja, të zezën nga e bardha, virtytin nga mëkati. Bota u bë shesh. Vorbulla që shkaktoi këtë shpërthim rrëmbeu e vuri në krye Pushtetmarrësit,  por me kokë poshtë e këmbë sipër. Kështu u përmbysën dhe vlerat për ata që kishin këmbët në tokë. Kështu dhe ideja për kombin dhe mbrojtjen e dinjitetit të tij u përmbysën. Kombi mbeti vetëm një fjalë. Një fjalë abstrakte pa objekt në kohën që çdokush ishte i zënë me shqetësimin e mbiekzistencës. Dhe në këtë garë, të parët  ishin pushtetmarresit tanë.

Bisedë  mbi Tregtinë e lirë dhe fjalën e lirë

Një erë e fortë dhe e egër tregtare po fryn sot mbi rruzull. Era e Tregtisë së Lirë.

Në ekstazën e fjalës dhe tregtisë së lirë, vetë fjala mori dy kuptimet e saj moderne; edhe në kuptimin politik, që askush nuk kishte të drejtë ta burgoste, edhe në kuptimin tregtar, nga fjala me çmim të shtrenjtë, deri tek çmimi i lirë i fjalës, madje deri tek fjala pa vlerë.

Fjala më çmim të lirë iu  la popullit e ky i la fjalën më çmim të shtrenjtë «prijësve».

Që fjala me çmim të shtrenjtë e Pushtëtmarrësvë të meritonte çmimin e saj, do të duhej të vendosej mbi dy këmbë; atë të Drejtësisë dhe atë të Punës për kombin, për t’i dhënë fund njëherë e pergjithmonë varfërisë së tij.

Por buqeta e shpirtit të tyre, pa lulen e pjekurisë, atë që pranon  përgjegjësinë e lartë përpara popullit dhe kombit, bëri që ata të merren më fjalë e të shajnë njëri-tjetrin ashtu si kurrë shqiptari nuk kish mundur të shante shqiptarin në një kuvend burrash.  Por ky akt i skenës fshehu veprën e tyre egoiste; kthimin e politikës në tregti.

Në mungesë të krijimit të punës me vlerë për popullin dhe kombin, fjala e pushtetmarrësve ra poshtë nën çmimin e fjalës së lirë të popullit, sepse pas sharjeve të rënda asgjë nuk ndodhte  në emër të lirisë së fjalës. Në emër të lirisë së fjalës, fjala u shumëzua në pafundësi e u bë e pavlerë.

Strategjia më e bukur për armikun tonë ishte zënia më fjalë dhe lënia e njerëzve pa punë e hambarëve bosh.

Para tridhjet vjetësh ne i kishim hambarët bosh. Me teknikën iluzore të së ardhmes, duke u marrë me të kaluarën, ne i kemi hambarët  më shumë se bosh, i kemi me borxhe, me miellin e huaj. Kështu perspektiva i ktheu kurrizin së ardhmes me metoden më dinake që ka prodhuar eksperienca e pushtetmarrësve egoistë në botë.

Paqja na solli epokën tregtare. Dhe tregtaret gjetën rastin më të bukur për të blerë, blerë e blerë gjithçka, e midis tyre dhe prijësit tanë të lirë. E me çmim akoma më të lirë.

Liria e të qenit burrë u kthye në lirinë e të qënit burrë i shitur ose i blerë.

Në kohën tënde fjala prodhontë vepër. Sot ajo prodhon ëndërr ose gënjeshtër; të dyja  blihen e shiten nëpërmjet fjalës së lirë.

Në epokën tënde  burrat mblidheshin për Besë, por fjala  Besë ishtë fjalë e shtrenjtë në vlerën e saj, sepse duhej të prodhonte medoemos veprën.

Por veprën e blenë tregtarët, përpara se te vendosej Drejtesia  e shtetit të së drejtës.

E ç’na duhet historia kur kemi tregtinë?

Ç’na duhet virtyti kur kemi paranë?

Kjo është era që fryn sot. Ndërgjegjia e kombit po na blihet nga tregtia nepërmjet lojës e qejfit të lules fëminore të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Në kohërat e kolerës

Go to Top