WELCOME TO ROSKOVEC INTERNATIONAL UNIVERSITY-Granit Zela

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Bar Kafe “Doktoratura”

   Granit Zela

E di se të gjithë herët a vonë, do të më pyesin se si është e mundur që unë, një kamerier i thjeshtë isha “doktor shkencash” dhe duhej me durim të nisja e t’u rrëfeja për Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatrën, shkakun e vetëm pse i hyra kësaj valle dhe pse lokali ku unë shërbej mban një emër të tillë. Shemson e kisha patur dikur në lagje. Atëherë ai nuk shquhej për ndonjë gjë, për të mos thënë se ishte gjithmonë në hije, edhe në lagje, edhe në familjen e tij, edhe në shkollë ku nuk para njihej si nga ata që lexonin libra. Mirëpo, kjo periudhë e “errët” në biografinë e tij mori fund aty nga vitet dymijë, në të kthyer të shekullit njëzetë, kohë kur ai mori me radhë të gjithë titujt shkencorë dhe një ditë të bukur u shfaq në lokalin tim.

– Mirë se erdhe Shemso! – I thashë me mirësjellje por pashë se nuk u kënaq nga ajo që i thashë.

– Ti more djalë, – m’u kthye vëngër, – duhet ta dish se unë i kam disa tituj shkencorë, dhe etika akademike e kërkon që kur të më adresohesh mua t’i përdorësh ato tituj që i kam fituar me djersën e ballit duke lëçitur libra ditën dhe natën – tha ai gjithë pathos.

Nga sa kuptova nga ligjërata e tij ai donte që unë t’i thosha, “Mirëserdhe i nderuar Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatra – por megjithëse një përshëndetje e thjeshtë nuk ishte mirë të më merrte kaq shumë kohë, nuk ia prisha. Sa herë e pyesja nëse donte kafe, i thoja: -Mos deshët të porositni kafe i nderuar Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatra? – dhe ai shumë i kënaqur më përgjigjej me  një “po” shkencore duke nënkuptuar tashmë që ajo duhej të shoqërohej gjithmomë me një dopio raki.

Pasi zinte vend në cep të lokalit, akademik Shemsoja e mbulonte tavolinën dhe karriget me shumë libra, blloqe, shënime, dhe një lap-top nga këta të fundit që ia kishte sjellë djali emigrant në Greqi. Nuk e di se si po i shpjegoja një ditë se sa mbrapsht dukeshin nganjëherë gjërat në Shqipërinë e kësaj kohe dhe shtova përvajshëm: – Ah more profesor, jemi bërë si këmbët e dhisë!” – kur akademik Shemsoja brofi nga karrigia sikur ta kishte pickuar gjarpri.

– Çfarë the? – më pyeti, – çfarë the?

– Si këmbët e dhi… së, – thashë unë me gjysmë zëri.

– Hajde të të puth në ballë, more djalë, – bërtiti ai, ndoshta pak edhe nga përndezja që i shkaktonte dopjoja e tretë e rakisë.

– Si këmbët e dhisë!”thuaje, thuaje pa drojën se po bën gabim shkencor. ‘Si këmbët e dhisë”- thotë populli, “si këmbët e dhisë” -thua edhe ti, se edhe ti je bir i këtij populli, dhe mëkohesh nga gurra e pashtershme e pasurisë sonë folklorike.

– Po dëgjo, tashti more djalë, – më tha. – Po presim një lajm të madh, ta dish. Sapo të miratohet nga Ministria ti do të nisësh doktoraturën në degën e folklorit. Dukesh që ke kënduar shumë libra dhe ke frazeologji të pasur kur llafosesh me njerëzit. Të kam ndjekur me vëmendje gjatë bisedave që bën me klientët. Madje kam mbajtur edhe shënime të shprehjeve popullore që t’i përdor, si të themi, kështu, duke shënuar idiomat që njerëzit thonë, edhe pi kafe e raki e duke bërë punë shkencore.

Nuk po u besoja veshëve. Shemsoja mbante shënim bisedat e mia e thoshte se bënte punë shkencore… Po ky është spiunllëk… desha t‘i them, por ai ma preu hovin sepse më shpjegoi se çfarë është metodologjia e kërkimit shkencor dhe se si mund të përdoreshin njerëzit si “kampionë” studimi. Ky paska shkalluar, thashë me vete por dhe nuk isha shumë i bindur. Akademik Shemsoja mbante në një çantë goxha të madhe shumë libra dhe dukej se lexonte. I hapte tre katër libra njëherësh dhe lexonte diçka te njëri, diçka te tjetri dhe mbante shënime. Po mirë, le të bëjë ç’të dojë, thosha me vete, po me mua çfarë ka, mua pse më spiunon?

Ashtu vazhdoi ato muaj akademik Shemsoja kur një ditë e pashë duke ardhur me vrap drejt lokalit. More, thashë me veten, larg qoftë po u pengua kund ka për të rënë si balenë në mes të lokalit por për fat të mirë nuk ndodhi gjë, por kur mbërriti në lokal, erdhi me vrap drejt meje për të më puthur në ballë.

– U miratua, u miratua! – bërtiste si i marrë Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatra. Bërtiste e më përqafonte duke më penguar t’u shërbej klientëve por dhe ata u habitën nga kjo skenë dhe dukej se ishin më të interesuar të merrnin vesh se çfarë ishte miratuar sesa për kryerjen e porosisë së tyre.

Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatra mori frymë thellë. U ul diku në një karrige që gjeti bosh dhe na dha sihariqin për miratimin e doktoraturave për “RIU”, një universitet që ishte hapur asokohe kur në Shqipëri u hapën universitete private në çdo qytet dhe qytezë, madje edhe në zona deri diku të izoluara dhe me jo shumë banorë.

– Është një fitore historike, – tha i ngazëllyer Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatra, duke fshirë djersën e ballit. Pastaj Akademiku nisu të shpjegojë të gjithëve në lokal se si në Shqipërinë tonë kishte ardhur më në fund koha dhe ishte realizuar më në fund profecia e imzot Nolit për universitetin e Reskovecit, një nga universitet lider në lëmën e arsimit të lartë, ligjëroi ai, ndërkohë që unë nuk u besoja veshëve.

Ore, thashë me vete, është në vete ky apo, jo? S’ka mundësi që të jetë hapur një universitet në Roskovec? Kisha dëgjuar që në Tiranë ishin hapur rreth tridhjetë universitete por Tirana i kishte kapur një million banorët dhe hajde po themi se ka studentë që vijnë edhe nga qytezat e tjera, por në Reskovec s’ka mundësi. Jo më shumë se dy ditë më parë në gazeta kishte pasur një debat nëse duhet të hapet një universitet në krahinën e Medetit, kur dihej se të gjithë të rinjtë e kësaj krahine kishin emigruar në Angli. Gjithë mëdyshje shova tek banaku dhe në kompjuterin e lokalit shtypa “RIU” duke besuar që Akademik Shemso përfundimisht kishte rrjedhur nga trutë dhe nuk dinte çfarë fliste por….

Ja, para meje u shfaq “WELCOME TO ROSKOVEC INTERNATIONAL UNIVERSITY” (RIU). Po ç’të lexoj…

Megjithëse kishte një vit që ishte hapur, RIU kishte organizuar pesë konferenca ndërkombëtare shkencore me pjesëmarrës nga e gjithë bota. Ata ofronin diploma “Bachelor”, “Master professional” “Master shkencor” si dhe studimet e doktoraturës. RIU ishte e lidhur direkt me tregun e punës dhe nëntëdhjetë e pesë përqind e të diplomuarve aty ishte puënsuar. RIU kishte tre fakultete, tetë departamenete, një qendër të kërkimit shencor, tre cikle studimi, 13 programe studimi “Bachelor”, 24 programe studimi Master, tre programe studimi doktorature, një shtëpie botuese. RIU kishte njëqind e gjashtëdhjetë anëtarët të personelit akademik, tetëdhjetë profesorë me kohë të plotë, tetëdhjetë e shtatë profesorë me kohë të pjesshme, nëntëmbëdhjetë profesorë doktorë, tetëmbëdhjetë me gradën doktor, tetëdhjetë e dy lektorë, katër kërkues shkencorë, njëzet klasa me tridhjetë e pesë karrige, dhjetë salla leksionesh me njëqind e tridhjetë e pesë karrige, një sallë opere me dyqind karrige, një librari me njëqind karrige dhe një biblotekë me mbi një mijë tituj… Kurse tek fjala e rektorit e cila ishte në anglisht “Rector’s Word” mu shfaq fotoja mbresëlënëse e vetë Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatrës…..

Mbeta i pataksuar. Mos isha në ëndërr?…

Gjithë ai rektor dhe vinte si njeri i thjeshtë në lokalin tim? Si i zënë në faj, shkova kokulur drejt tij, si cjapi te kasapi siç thotë populli, dhe ai pasi më qortoi që kur i adresohesha nuk e përdorja edhe titullin “Rektor”, më parashtroi mikrotezën e kërkimit shkencor që duhej të kryeja në RIU ku ai më kishte regjistruar tashmë dhe unë thjesht duhej të paguaja këstet, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë.

– Nuk është puna tek paratë, – i thashë po a e kryej dot unë një studime në nivel doktorature?

– E kryen, – ma përplasi ai në fytyrë menjëherë përgjigjen. – E kryen sepse do të kesh një udhëheqës që të të udhëheqë në çeljen e udhëve dhe hullive në kërkimin tënd shkencor. Unë do të jem udhëheqësi yt shkencor more djalë, më tha ai duke më zgjatur mikrotezën. E mora me mosbesim. Thashë se po bënte shaka kur ç’të lexoj….

Universiteti Ndërkombëtar i Roskovecit

Mikrotezë doktorature.

Tema: Për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me mullixhinë!

Ore mendova, është në rregull ky apo jo? Si mund të shkruaj një studim shkencor për këtë… por ai vijonte më tej me arguentimin shkencor të tezës së doktoraturës, duke u ndalur kryesisht tek frazeologjia e cila shihej si krijim kryesisht popullor e historik e si e tillë ajo mbartte tregues të psikologjisë e të mendësisë së popullit, të historisë e të kulturës së tij. Njësia frazeologjike, si një shndërrim i figurshëm i sintagmave të lira sillte pasurim e zgjerim të mjeteve të shprehjes, por edhe vlera më të mëdha në përmbajtje e në ngjyrimin emocionues, sillte nuanca të holla kuptimesh e përdorimesh, gjykimin e popullit për gjërat e për njerëzit.

Sipas Rektor Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatrës kishte studiues që frazeologjinë e shihnin si atë fushë të studimeve gjuhësore që në një shkallë më të lartë shprehte lidhjen mes gjuhës e kulturës. Kjo për arsye se njësitë frazeologjike lidheshin me imazhe, tradita, zakone, të cilat janë karakteristike për një kulturë të caktuar. Më pas ai kalonte tek diskutimi shkencor i proverbave, fjalëve popullore, dhe idiomave. Pastaj hidhej tek “Për inat të sime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë” si pikënisje e e një studimi të gjatë ku hidhej dritë në të gjitha aspektet e kësaj idiome. Përballë saj, shtonte ai, duhet të rrimë shtrembër e të flasim drejt, pasi inati i kësaj nuseje ngjan me inatin e Akilit të Homerit dhe akti i saj rebelues ndaj figurës së pushtetit (vjehrrës) na lejon të heqim paralele me kryengritjen e engjëllit Luçifer ndaj Krijuesit të botës…

I shushatur, lashë diku mikrotezën e kërkimit shkencor dhe u mora me klientët e lokalit. Vendosa ta heq mendjen nga kto marrëzira. Në djall të vente Rektor Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatra, Universiteti Ndërkombëtar i Roskovecit, nusja, vjehrra dhe të gjitha ato gjëra që nuk lidheshin me punën time të kamerierit të thjeshtë në një lokal të Tiranës.

Çuditërisht, pronari i lokalit më kishte thënë se klientela ishte shtuar pasi në lokalin tonë ishte shfaqur Shemsoja. – Njerëzve u duket tip i çuditshëm, tërheqës, si një kafshë prehistorike e cila të vjen në lokal duke të kursyer vajtjen tek muzeu – më tha ai me ton këshillues duke më lënë porosi që të miqësohesha me Akademik Shemson dhe mundësitë që ai të kalonte sa më shumë kohë në lokalin tonë për hir të mbarëvajtjes së biznesit. Sigurisht që në fund do të kisha ngritje rroge.

– Ashtu? – pyeta i habitur. Kjo do të thotë që duhet ta shkruaj atë punimin…

– Cilin punim? – pyeti pa më kuptuar pronari.

– Ah, asgë, asgjë, do ta kem parasysh atë që më the. Patjetër! – e sigurova dhe ika në shtëpi.

Në studion time modeste, ku kisha shumë libra, sidomos letërsi artistike. Hapa kompjuterin dhe pasi bëra një kafe në kuzhinë, thashë te shtiresha sikur unë isha Rektor Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatra dhe po shkruaja një punim shkencor. Për ta bërë sa më të vërtetë atmosferën mora dhe një dopjo raki dhe solla ndërmend gjithë kohën kur Akademiku  rrinte në lokalin tim; çfarë bënte, çfarë fliste mbyturazi ose me zë të lartë, referencat ndaj librave që kishte lexuar, stilin e paragrafëve që më lexonte serioz me zë të lartë, lexime që ishin vëret argëtuese për klientelën e lokalit dhe për pronarin.

I zhytur në këto përsiatje nisa të shkruaj…

Është një luftë e cila nuk ishte regjistruar nga kronikanët e historisë nëpër shekuj, nuk ishte shfaqur aq sa duhej në letërsnë e kultivuar aq sa në atë popullore dhe nuk ishte qëmtuar sa duhej nga shkenca. Nuk kishte patur një luftë të parë, të dytë po të tretë botërore të kësaj lufte, ajo ishte luftë e gjithkohshme, e pandalshme, me rrënjë në antikitet dhe me vazhdimësi në bashkëkohësi, lufta nuse-vjehërr… Sa net janë derdhur lot në heshtje, dhe sa mallkime janë shqiptuar po në heshtje nga të dyja palët ndërluftuese, natën ndërkohë që të dyja marrin pjesë në një shfaqje ku secila luan rolin e të lumturës në një familje ku mbizotëron harmonia… Sa herë kanë menduar të hakmerren ndaj njëra-tjetrës, të nxjerrin shigjetën nga harku… për të goditur mu në zemër të kundërshtarit të përjetshëm, kur ja… për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me mullixhinë! Jehona e këtij kumti kalon shekull pas shekulli si një dilemë e pashkoqitshme… Kujt po ia thotë këto fjalë nusja? Fshatit? Vetes? Enigma është e plotë. Dhe ja… nusja që ngrihet nga shtrati… shfaqet para syve të vjehrrës për t’i dhënë të kuptojë hakmarrjen e saj të pakthyeshme, hap derën dhe niset me rroba nate drejt mullirit të fshatit… Ka një dramë që ndodh në këtë copë kohe. Vjehrra e di ku po shkon nusja por ajo s’flet dot. Ajo nuk mundet të shkojë e t’i tregoj të birit sepse nusja di për të një sekret rrënues që ia lidh gojën. Aq rrënues është ai sekret sa vjehrra mbetet si mumje përballë deklaratës arrogante të nuses se po shkon të flejë me një burrë që nuk është djali i saj? Cili është ky sekret? Mos vallë vjehrra, pikërisht ajo, në të ritë e saj ka shkuar me mullixhinë ose me të atin e tij dhe i biri ndoshta hedhim argumentin shkencor është vëllai i mullixhiut?… Dramë.

Por ja, kemi në këtë dramë, një personazh pa asnjë lloj ngarkese dramatike, porse fund e krye erotike, mullixhiu, ky fatlum të cilit i vjen një dhuratë nga qielli, apo le të jemi më të saktë në përdorimnin e termave shkencorë, nga vjehrra, flaka e inatit që ajo ka ndezur tek ajo… Roli që ka mullixhiu është i thjeshtë në dukje, ai duhet të flejë me një nuse e cila është shumë e inatosur me vjehrrën. Për të, në apsektin erotik kjo s’përbën ndonjë ndryshim të madh, mendon ai. Ai kishte fjetur me femra të inatosura më parë por ato të gjitha kishin qenë të inatosura me burrat, me mungesën e vëmendjes së duhur ndaj nevojave të tyre fizike, kurse kjo nuse, kishte një inat tjetër, ajo ishte inatosur me vjehrrën dhe ua thoshte të gjithëve që do të flinte me mullixhiun. Po këta ‘të gjithë” kush ishin? A ishin ato të gjitha nuset e fshatit që ndoshta kishin ëndërruar të flinin qoftë edhe një herë me mullixhiun dhe shihnin tek ky veprim i nuses realizmin e dëshirës së tyre të kahershme?  Dhjetëra nuse që ëndërrojnë të flenë me një mullixhi dhe një nuse që faqe botës niset t’ia japë trupin e saj për ta përmbushur këtë dëshirë. Një mullixhi që pret në heshtje në ritmin e trokashkës së mullirit që një nuse ta shpjerë në parajsën e kënaqësisë poshtë të cilës gugullon një lum urrejtjeje për një grua tjetër që është nëna e burrit me të cilin ajo zakonisht fle.

Nëse një kapitull i punimit do të ishte për nusen, një do të ishte për vjehrrën, një për fshatin dhe kontekstin e marrëdhënieve bashkëshortore në aspektin historik, ndërsa një kapitull i takonte mullixhiut. Një kapitull do ta shkruaja për erotizmin në këngët folklorike por nuk isha i sigurtë nëse duhej t’i kushtoja një kapitull të veçantë burrit të nuses tradhëtare? Burri, gruaja e të cilit kryente një akt seksual me një burrë tjetër, në dijeninë e të ëmës dhe disa njerëzve të tjerë, përveçse ishte zhytur në injorancë totale, ai nuk shfaqej fare, sikur të kishte vdekur. Me besim të plotë tek nëna, burri ishte rënë në një letargji të thellë, ishte kthyer në një i verbër që nuk shihte luftën që kryhej ditë pas dite mes të ëmës dhe nuses mu para syve të tij. Si i verbër, ai vente sa tek nëna – sa tek nusja, duke mos kuptuar asgjë për pragun e tragjedisë që pritej të ndodhte. Ndoshta ai po luante kumar, si gjithmonë.

Por ja, nusja i afrohet mullirit… Mullixhiu del tek pragu… Nusja hyn brenda… Ajo e sheh në sy… Sytë e nuses shkëndijojnë… Kam ardhur të fle me ty… belbëzon ajo… sepse kam një inat… brenda… Do të fle me ty për inat të sime vjehrre…

Ka dy skenarë si mund të ketë ndodhur ngjarja.

Versioni i parë i historisë mund të jetë që mullixhiu nuk e ka mendjen fare tek fjalët që i thotë nusja. I frikësuar se mos nuses i bie inati ai nis menjeherë “e  fle” me të. Natyrisht këtë ngutje ai e paraqet si dëshirë njerëzore për ta ndihmuar nusen të hakmerret ndaj vjehrrës. Madje që kjo hakmarrje të jetë e plotë ai i propozon nuses që të flejë me të gjatë gjithë natës në mulli dhe vetëm të nesërmen në mëngjes të kthehet në shtëpinë e saj. Nusja është e turbullt. Ajo i jepet duke menduar për vjehrrën, tmerrin që ajo po përjeton në ato çaste kur ajo është lakuriq me mullixhiun.

Po të ishim në kohën tonë, në kohën e portaleve elektronike, fshatarët, të pajisur të gjithë me smartphone, do të lexonin këto tituj:

“Nusja: Ju rrëfej natën time me mullixhiun”

“Seks me mullixhiun si ndëshkim për vjehrrën”

 “Mullixhiu: Një Kamasutër në mullirin tim!”

Ndërsa shkruaja këto, ndieja që fryma e Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatrës po hynte plotësisht në trupin tim. Shkruajta si i marrë deri në mëngjes, dhe pastaj më zuri një gjumë i thellë. Të nesërmen shkova në punë si një qen i rrahur dhe ia rrëfeva të gjitha Rektorit të RIU-së.

– Eh more bir – më tha ai gjithë dhembshuri. – I ka shkenca këto… Por një pyetje kam: Kur ti po shkruaje studimin tënd shkencor, a i kërkove ndihmë Doktor Gugëllit?

– Doktor Gugëllit? – përsërita i habitur.

– Po pra. – Doktor Gugëlli i ka dhënë një hov të madh shkencor dijes njerëzore në epokën tonë të informacionit. Përdor “Gugëll”, referoju Uikipodias… Ka disa rryma mendimi sot që duan të vendosin kufij. Unë i quaj “pranga shkencore”, të cilat thonë mos cito këtë, por cito atë. Asnjë prangë se pranojmë! Citim! Citim! Më në fund të citojmë të lirë! Shkenca s’njeh tabu…

Kështu, Rektori i RIU-s më udhëhoqi në shigjet e punimit tim shkencor, që unë e shkruaja si i marrë darkave në shtëpinë time. Ai ishte i kënaqur sidomos me qasjen time krijuese ndaj fakteve shkencore. Më sugjeroi që pyetja shkencore e këtij punimi të ishte: – A pati orgazëm gjatë aktit seksual të nuses me mullixhiun? Sipas Rektorit të RIU-së, përgjigja duhej të dilte në fund të punimit. Nëse kishte patur, atëherë inati i nuses ndaj vjehhrës kishte qenë alibi që ajo të bënte seks më mullixhiun, i cili duhej të kishte qenë dashnori i saj. Nusja e kishte kthyer në këtë mënyrë një çështje vejtjake, intime mes saj dhe një burri, në çështje sociale, duke bërë pjesë të kësaj historie vjehrrën dhe njerëz të tjerë. Nëse nuk kishte pasur, atëherë konflikti nuse-vjehër ishte një konflikt social dhe ishte shoqëria, mendësia, kultura materiale dhe shpiërtërore e asaj epoke ajo e cila shpjegonte engimën. Shkurt, nusja dhe vjehrra nuk duhej të jetonin në të njëjtën shtëpi. Nuses duhej t’i ofrohej ndihma e një psikologu dhe një banesë nga komuna. Po burri i nuses dhe djali i vjehrrës a është dakord? Si e përjetoi ai gjithë këtë histori dhe a ndikoi ai në marrëdhënien e tij me këto dy gra të rëndësishme të jetës së tij? Nga anoi peshorja e tij emocionale? A pati dëbim të nuses apo jeta e tyre bashkëshortore në përgjithësi, dhe seksuale në veçanti, vazhdoi sikur asgjë të mos kishte ndodhur? Po nusja, a pati ndonjëherë tundimin të shkonte përsëri tek mullixhiu edhe pse inati për vjehrrën u fshi dhe ato bënë armëpushim? Po mullixhiu, a pati ngjasjen që duke pirë raki me shokët t’u tregonte atyre një histori që kishte përjetuar një natë kur një nuse e inatosur sikur të kishin hipur xhindet i kishte kërkuar t’ia hipte…? Ja, në vërshimin e këtyre pyetjeve shkencore isha, kur unë, një cope kamarieri, u përballa me Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatrën, Rektorin e RIU-s i cili ishte gjithë ngutje.

– Dëgjo, – më tha,- më jep një kafe e një raki, se nuk kam kohë. Punimin duhet ta mbarosh këtë muaj që muajin tjetër të bësh mbrojtjen e doktoraturës.

– Mbrojtjen e kujt…? – pyeta i habitur.

– Të doktoraturës, pra, – më tha duke më parë në sy. – Të punimit shkencor që ke bërë mor djalë. Printoje dhe ma sill në lokal që t’ia paraqes Këshillit të Profesorëve. Do të kesh edhe një Oponent që do të kundërshtojë atë që ke bërë, por ti mos ke merak se të gjithë janë shokë të mi. Pastaj unë kam besim tek aftësitë e tua shkencore. Me pagesat ke qenë shumë korrekt, ndaj mos më zhgënje!

– Po kaq shpejt? – iu ankova.

– Po kaq shpejt, – ma preu shkurt. – Paraqitu para Komisionit Shkencor dhe mbrohu mor djalë! Mbroje punën që ke bërë… Normal që do të kesh sulme nga Oponenti. Ay atë punë ka por ti vazhdo në tënden se kështu e kanë këto punë….

Një muaj më pas, i mora borxh një kostum një shokut tim të fëmjërisë që kishte qenë dikur emigrat në Itali dhe u paraqita në mjediset akademike të RIU-së. Ishin disa magazina që dikur kishin shërbyer për kooperativën e Roskovecit, por tani ishin lyer e ngjyer sa nuk i njihje fare. Kishte shumë studentë kudo, hynin e dilnin nëpër klasa pa teklif, një zhurmë e paparë andej e këndej e s’e merrte vesh qeni të zonë si i thonë, por udhëheqësi im shkencor e përligji këtë kaos me lirinë akademike që RIU e kishte të shenjtë. Udhëheqësi im lexoi një referat për vlerat e punimit tim shkencor, kurse unë bëra një prezantim të shkurtër të linjave kryesore të studimit.

Pastaj foli Oponenti, i cili vuri në dukje vlerat e studimit tim shkencor, qasjen risuese, siç e quajti ai, për një temë e cila me thënë të drejtën nuk është cekur nga studimet tona folklorike. Ai ishte një studim që më nderonte mua, nderonte udhëheqësin tim shekncor që ishte edhe Rektor i nderuar i këtij universiteti, por kishte vlera që shkonin edhe më tej në nivel ndërkombëtar. Megjithëse kjo nuse, kjo vjehrrë, dhe ky mullixhi, nuk njihen me emër theksoi ai, përgjatë këtij studimi ata bëhen kaq të afërt për lexuesin, sa thua se janë njerëz me të cilët ne kuvendojmë përditë. Kjo është meritë e këtij studimi por unë desha të shtoj, shtoi Oponenti im shkencor, që meritë tjetër është edhe guximi shkencor që ky shkencëtar i ri ka shfaqur due thyer çdo tabu, duke u përqendruar tek pika kryesore e marrëdhënies mashkull-femër, siç është orgazma, si çelësin e pyetjeve shkencore të ngritura në këtë hulumtim. Në fund të kumtesës sime, përfundoi ai, më lejoni që të bëj një gjest aspak akademik, ta përqafoj këtë djalë dhe ta falënderoj për kontributin e tij shkencor për pasurimin e fondit të artë shkencor të IRU-së. Kur Oponenti u sul drejt meje, e dija se do të më puthte në ballë, siç kishte bërë shumë herë udhëheqësi im shkencor, dhe ndoshta mendova puthja në ballë është një standard që këta e kanë vendosur, por urova që të mos më puthin të gjithë anëtarët e Komisionit Shkencor, lutje e cila për fatin tim të keq nuk u pranua nga Botëkrijuesi.

Kur dola jashtë për të ikur, udhëheqësi më kapi për krahu dhe nuk më lëshoi.

– Dëgjo mor bir, – më tha ai si me lutje. – Ti sot more titullin “Doktor i shkencave”. – Nuk është detyrim, por nëse ti ke dëshirë që tek lokali jot të vijë Komisioni Shkencor dhe ti t’u japësh një drekë unë nuk jam kondra… Jo po që ta dish, asnjë kundërshtim s’ke nga ana ime si udhëheqës shkecnor. Kjo nuk e cenon integritetin akademik, por është një gjest njerëzor nga ana jote si shkencëtar i ri…

U zura gafil. Nuk e  kisha menduar këtë.

– Po le të vijnë, – i thashë. – Në gjashtë pasdite kam turnin. – Le të vijnë atëherë.

– Mirë, po dua t’u shërbesh për merak… siç di ti, – më porositi ai duke më shkelur syrin. Unë u largova i kënaqur që s’më puthi në ballë. Po ia bëj hallall të gjitha thashë me vete, vetëm të mos më puthte mor aman se e kisha bezdi.

Në gjashtë pasdite Komisioni Shkencor zuri vend në lokal dhe porositi një menu të bollshme, për t’u patur zili. Ia shtruan për shtatë palë qejfe, por të rrimë shtrembër e të flasim drejt, ata më uronin gjithë dashuri për arritjet e mia akademike dhe njëri prej tyre pati idenë gjeniale që diplomën e doktoraturës ta varja në lolkal dhe lokalit t’ia voja emrin Bar-Kafe “Doktoratura”. – Do të jetë tërheqëse për njerëzit, dëgjomë mua, – këmbëngulte ai. – Një pjesë e madhe e populllatës e ka marrë këtë titull dhe ti do të jesh përfaqësuesi i tyre në biznesin e vogël, dëgjomë mua, – më porositi ai.

Pronari qe dakord dhe ashtu u bë. Pas kësaj, klientela e lokalit u shtua. Sipas pronarit, janë njerëz që kanë qejf të duken intelektualë, ndaj në lokailn tonë vijnë nga të gjitha shtresat shoqërore, porosisin një kafe e raki dhe nisin diskutimet për çështjet globale. Por bumi ekonomik që patëm ne si lokal e kishte një disavantazh të vogël: të gjithë herët e vonë do të më pyesnin se si kishte mundësi që isha “doktor shkencash” dhe unë duhej me durim të nisja e t’u rrëfeja për Akademik Profesor Doktor Shemsedin Shatrapatrën., udhëheqësin tim shkencor që e kishte tavolinën e tij gjithmonë të rezervuar. Aty ai linte herë pas here botime të reja që bënte në fushën e shkencës dhe një ditë hapa pa lejen e tij një libër që kishte lënë mbi tavolinë. Ishte një studim i frazeologjizmave popullore që Akademiku kishte qëmtuar në lidhje me gomarin, këtë kafshë punëtore dhe të dashur për fshatarin tonë, siç shprehej ai në parathënie. Në ballinën e librit, ishte shkruar si moto e studimit thënia: JEPI GOMARIT ATË QË I TAKON GOMARIT” dhe unë gjithmonë lexoja aty-këtu ndonjë gjë që kishte shkruar me pasion akademiku, ndërsa prisja ardhjen e tij që unë t’i jepja më në fund kafen dhe rakinë e përhershme, të cilat, sipas porosisë së pronarit, për arsye biznesi, duhej të paguheshin gjithmonë me bujari nga Bar-Kafe “Doktoratura.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top