Author

Admin - page 167

Admin has 1904 articles published.

Suljotët e Delacroix… dhe tabloja e gjymtuar/Luan Rama

in Pikturë by

Luan Rama

Në hyrje të kishës së madhe të Saint-Sulpice, në Saint-Germain-des-Près, aty ku ishte pagëzuar fëmija i quajtur Charles Baudelaire, gjenden afresket e fundit të Eugène Delacroix, pasi pikërisht aty ai u ftoh dhe shpejt sëmundja do ta mundë për ta çuar drejt vdekjes. Pothuajse njëqind metra më tutje, në «Place Furstenberg», ishte shtëpia dhe atelieri i tij ku do të mbeteshin dhe veprat e tij të fundit, mes të cilave dhe etydet mbi kostumet suljote.

Por atë vit të fundit, një nga tablotë e mjeshtrit kishte kohë që priste të përfundohej në kavaletin e tij dhe kjo ishte tabloja e sulmit të Marko Boçarit mbi kampin turk. Një tablo e madhe, dinamike, me shumë personazhe e ngjyra të ndezura, por që mjeshtri kërkonte që më së fundi ta mbaronte. Por ai nuk do të ngrihej dot për ta mbaruar atë edhe pse kishte premtuar se shumë shpejt ajo do të ishte gati. Pas vdekjes së tij, si shumë tablo të tjera, edhe ajo tablo u shit, por më pas, askush nuk e mori vesh se përse ajo tablo u pre në disa fragmente dhe u shit ndër koleksionistë të ndryshëm. Kjo do të mbetej një enigmë në historinë e artit francez. Cila ishte kjo pikturë dhe përse Delacroix iu drejtua heroit suljot Marko Boçari, për të cilin tashmë figura e tij ishte kthyer në një objekt frymëzimi ndër artistët e Europës, në pikturë, në letërsi, botime poezish të fuqishme (Orientalja e Hugo-së), në drama që shfaqeshin në teatrot e Parisit si në “Comedie Française” apo “Théâtre de l’Odeon”, në opera të kryeqyteteve të tjera europiane.

Eugene Delacroix ishte i ri kur shpërtheu Revolucioni Grek, ku morën pjesë dhe suljotët e prirë nga Boçarët e Xhavellat, por dhe kapedanët e ishujve, ata të Peloponezit, me në krye detarët e Hidrës e të Specaj, të Miaulis, Konduriotis, Bubulinës, Tombazi, Chamides, Kryezi, etj. Në vitin 1823, kur Misolongji ishte rrethuar nga ushtria turke, Boçari doli nga kështjella kur ishin futur banorët dhe mbrojtësit e qytetit dhe sulmoi në Karpenisi, ku ishin turqit dhe çadrat e pashait, duke mbetur më së fundi i vrarë. Trupin e tij e mori i vëllai i tij Kosta, bashkë me luftëtarët e tjerë dhe e sollën në kështjellë, ceremoni që i përshkruajnë kronikat e kohës dhe me shumë ngjyra, si edhe Dora d’Istria, e cila shkoi në Misolongj më vonë. Një vit më pas, më 1824, erdhi në Misolongj Bajroni (Byron), siç dhe i kishte premtuar përmes një letre dërguar Boçarit se do të vinte. Më së fundi erdhi, por aty gjeti veçse varrin e Markos… dy muaj më vonë Bajroni vdiq në ethe, po aty. Por ndërkohë veprat e tij për revolucionin grek, Child Haroldi dhe poemat e tjera për grekët e shqiptarët, e kishin ndezur dhe zemrën e piktorit të ri Delacroix që në ditar, pas vdekjes së shokut të tij, piktorit Géricault, autorit të Radoja e Meduzës, shkruante: “I mjeri Géricault, të pashë duke zbritur në atë banesë të fundit e të vogël, ku nuk ka më ëndrra. Sa do të doja të isha poet. A të kujtohen ato vargje të Bajronit që të ngrinin peshë e të frymëzonin përjetësisht?” Më pas, në Prill të vitit 1824, po në ditar ai shtonte: “Duhet bërë një vizatim i fuqishëm për Boçarin, një vizatim, ku turqit të tmerruar e të befasuar hidhen mbi njeri-tjetrin“.

Më 1822, 1823 e veçanërisht më 1824, shumë studime e punime në vizatim e në vaj tregojnë evolucionin e kërkimeve të tij piktorale me temën e suljotëve. Ai zbulonte me gëzim gjallërinë kromatike të veshjeve të tyre, të palikarëve me fustanella, të bardha dhe të ngritura në ajër… “Dy studime të një personazhi me kostum grek, 1822-1825, vaj, 35×46 cm, Musée du Louvre; etyd kostumesh suljote, 1824, vaj, 43×46 cm, Musée du Louvre; etyde sipas veshjeve suljote dhe figurave sipas Goya-s, vaj, 1822, Musée Delacroix, Paris.”[1]  Delacroix interesohej veçanërisht për Revolucionin Grek dhe Boçarin, siç tregohet edhe në një letër të tij drejtuar arkitektit Bénard që sapo ishte kthyer nga Greqia: «Njëmijë të falura zotëri për kërkesën time të përsëritur. Më ndjeni që po ju adresohem për tu kërkuar disa të dhëna dhe ngjarje nga më spikatëset që ju keni deklaruar rreth luftës aktuale në Greqi: sigurisht, ngjarje që ngacmojnë më shumë pikturën… Do më interesonte veçanërisht të dija ngjarje dhe fakte për devocionin e Boçarit në këtë luftë…»

Në përfytyrimet e piktorit francez shfaqej figura e Boçarit, e përshkruar në librat e Byron-it e poemat e Hugo-it, si vetë koha e revolucionit grek, kur suljotët dhe shqiptarët e tjerë të Shqipërisë së Jugut vrapuan për çlirimin e Greqisë nga zgjedha osmane. Ndërkohë ai kishte bërë edhe disa etyde tipash, kuajsh e skena për një tablo tjetër, ngjarje nga revolucioni grek. Në një akuarel me deçiturën Studim arvanitas duket figura e një shqiptari. Po kështu është një tjetër etyd, me një suljot në këmbë, me dorën e pështetur mbi pushkën që zgjatet gjer në tokë. Linja elegante, përsosmëri, vitalitet, pështjellim në një atmosferë romantike. Pikërisht në këtë periudhë, tablotë e fuqishme të këtij piktori përshëndeteshin me zjarr nga poeti Charles Baudelaire, i cili atë kohë shkruante kritika arti për sallonet e pikturës dhe ekspozitat e mëdha që hapeshin në Paris. Në një poezi të tij, duke iu referuar piktorit Delacroix, ai shkruante: “Delacroix, liqen gjaku i nëmur nga engjëj të këqinj / Rrethuar nga një pyll pishash gjithnjë të gjelbëruar”.[2]

Për Baudelaire, Delacroix ishte tipi i piktorit poet, një artist me një frymëmarrje e fuqi të jashtëzakonshme krijuese, i cili realizoi jo vetëm tablo të panumurta e vepra të përkryera të epokës së tij, por edhe shumë afreske të pallatit mbretëror, në Sallonin e Mbretit, Dhomën e Deputetëve, etj. Për Sallonin e Pikturës të vitit 1824 që do të hapej në Paris, Delacroix mendoi fillimisht për tablonë që kishte nisur para ca kohësh, të titulluar “Boçari në sulm”, por në Maj 1823 ai hezitoi ta prezantonte atë dhe iu përvesh një pune tjetër: përgatitjes së tablosë “Masakra e Scios”, kushtuar Bajronit të madh që kishte vdekur në krahët të kryengritësve heroikë. Sidoqoftë, kur shkruante për piktorin Delacroix, si një «liqen gjaku», për Baudelaire ishte ngjyra e kuqe që përdorte aq shpesh piktori dhe kur shtonte fjalët «ciel chagrin» (një qiell i hidhëruar) kishte parasysh thellësinë e sfondeve në tablotë e tij. Më 1825, kaloi në Paris konti Paliatino, një qytetar i Korfuzit dhe atëherë ishte modë që njerëz me emër të fotografoheshin dhe pozonin për portrete, veshur me kostume ekzotike, siç kishte ndodhur dhe me Byron-in, i cili ishte pikturuar me kostumin shqiptar nga Thomas Phillips. Një studiues francez thotë se Paliatino, dilte dhe në rrugët e Parisit i veshur me atë kostum suljoti. Atëherë edhe Delacroix e pëlqente shumë këtë lloj kostumi, edhe pse kur shkrimtari Alexandre Dumas organizonte ballot e tij, ai shkonte atje i veshur me një pelerinë si të Dante-s, meqë Dante-n dhe Byron-in ai i kishte idhujt të tij. Kështu, Paliatino shkoi në atelierin e Delacroix dhe pozoi për të, tablo që Delacroix donte ta paraqiste në sallonin e vitit 1827. Ishte një pikturë në vaj në dimensionet 41×33 cm, e ngjashme shumë me një akuarel që zoti Auguste, miku i tij piktor, i kishte bërë po këtij konti. Më pas, Delacroix do të vazhdonte me temën e tij orientale i frymëzuar gjithnjë nga poemat e Byron-it, veçanërisht dyluftimin e Xhahurit me Pashain në disa variante apo dhe “E fejuara e Abidos”, në disa variante, një histori tragjike, ku ati vret të birin, i cili kërkon të largohet i dashuruar me një skllave.

Shtëpia e Delacroix në “Rue des Martyrs” kishte plot kostume e objekte shqiptare. Aty mblidheshin Géricault, Delacroix, Merimée, Balzac, etj. Delacroix e vlerësonte shumë artistin D’Angers dhe shkonte shpesh në atelierin e tij në Paris. “Një artist i madh”, – thoshte ai, – elozhet e tij më japin gjallëri”. Në atë kohë Ballkani ziente nga lufta. Rënia e Mesallongjit  në duart e ushtrisë turke të Ibrahim Pashës gjeti një jehonë të madhe në Europë.

Në Paris, më 17 Maj 1826, në “Galerie Lebrun”, 4, “Rue Gros-Chenet”, u hap një ekspozitë me qëllim që me të ardhurat e fituara nga shitja e pikturave të ndihmoheshin grekët e hedhur ne revolucion. Delacroix paraqiti tablonë «Greqia jep shpirt mbi rrënojat e Mesallongjit», (La Grèce expirant sur les ruines de Missolongis). Ashtu siç shkruante Delacroix për Byron-in se “poezia e tij energjike ka lindur mes stuhisë“, ashtu po krijoheshin edhe tablotë e tij për Ballkanin, që reflektonin dhimbje dhe tragjedi. “Duke lexuar këtë mëngjes shënimin mbi Byron-in, ndiej të zgjohet te unë dëshira e pamatë për të krijuar. A do të jetë vallë një lumturi për mua? – shkruante Delacroix në ditarin e tij më 14 Maj 1823, kohë kur ai banonte në “Rue de Grenelle”, në Paris. – “Krijuesi duhet të jetë shumë i guximshëm. Pa një guxim ekstrem nuk mund të arrihet e bukura artistike“. Guxim ekstrem! Situatë ekstreme! Vallë pikërisht kjo i bënte patetike tablotë e tij? Ç’kishte ngjizur vallë ai nga shpirti i tij në ato tablo? I vetëm, në një gjendje të trazuar, Delacroix punonte deri natën vonë. Pak të bardhë për fustanellat, pak okër dhe të kuqërremtë për qiellin dhe betejën. Duket se qielli vetëtin, kuajt janë të hazdisur dhe turmat suljote me jataganë hidhen në sulm drejt kampit turk. Vizitori që ndodhet përballë tablosë mban frymën një çast. Eshtë magjia e artit të madh që e pushton dhe e merr ngadalë, si pakuptuar drejt asaj kohe epike dhe spektakli të zhurmshëm, gati mitik. Në librin Delacroix të A. D. Hureaut, tregohet një tablo e mrekullueshme me deçiturën “Marko Boçari i plagosur për vdekje gjatë një sulmi në kampin turk” (“Marcos Botzaris  mortellement blessé lors de l’attaque d’un camp turque“). Kjo figurë do të bëhet një figurë gati mitike për Delacroix dhe piktorët europiane të asaj kohe.

Për figurat e tablosë së tij, ishte miku i afërt, piktori Jules Robert Auguste apo Monsieur Auguste, siç e thërrisnin, i cili i solli mjaft kostume të suljotëve nga Ballkani, të mbledhura gjatë udhëtimeve të tij. Më 26 Qershor 1824, në ditarin e tij Delacroix shkruante për kostumet që i kishte sjellë Auguste. Më 7 Korrik ai shtonte po në ditar: «Sot, erdhi në atelier zoti Auguste. I pëlqeu shumë tabloja ime. Fjalët e tij më dhanë forca të mëtejshme…» Të nesërmen ai kishte shkuar të merrte kostumet suljote në atelierin e zotit Auguste.

Më 1832, Delacroix i rikthehet sërrish ngjarjeve në Ballkan, revolucionit grek dhe luftrave greko-turke. Një seri tablosh janë të lidhura me figurën e Xhahur Pashës. Kuajt e Delacroix-së padyshim janë kuajt më ekspresivë në botën e pikturës klasike. Në “Greqia jep shpirt mbi rrënojat e Mesalongjit”, duket një vajzë e re mbi gërmadha në një atmosferë të zymtë, pas beteje, me gjoks të hapur dhe një vështrim plot dhembje. Kjo tablo është padyshim pararendëse e asaj tabloje që ai do të krijojë më vonë me deçiturën “Liria ose Liria prin popullin”, (La liberté guidant le Peuple). Delacroix ishte një humanist që i përkrahu popujt që kërkonin të fitonin lirinë.

Vite të tjera do të kalonin. Delacroix udhëtoi drejt Marokut dhe u kthye që andej plot frymëzime për temën orientale, duke krijuar vepra të fuqishme, madje dhe shumë sensuale, çka bëri që ai të vihej në krye të plejadës së piktorëve francezë e europianë. Më 1863, tabloja “Marko Boçari sulmon papritur kampin turk” ende nuk kishte mbaruar. Mjeshtri nuk i lëshonte kollaj nga dora veprat e tij. Më 21 Qershor, Delacroix i shkruante agjentit të tregëtarit francez Rodoconachi, i cili priste tablonë: «Gjithë këtë dimër s’kam bërë asgjë dhe gjendja e rëndë më ka penguar për një kohë të gjatë për çdo lloj pune. Nuk dua të abuzoj në mirësinë e zotit Rodoconachi… por sigurojeni për përkujdesjen që do t’i kushtoj mbarimit të kësaj tabloje që për mua është një vepër e përzgjedhur». Në fakt, që në vitin 1860 Delacroix kishte nënshkruar një kontratë për këtë vepër me tregtarin marsejez Rodoconachi: «Zoti Eugene Delacroix angazhohet ndaj zotit Théodore Rodoconachi të bëjë një tablo në vaj për vdekjen e Boçarit. Nga ana e tij, zoti Rodoconachi dhe trashëgimtarët e tij angazhohen që me marrjen e tablosë t’i dorëzojnë zotit Delacroix shumën prej 8.000 frangash». Por pas premtimit se do ta mbaronte veprën, në muajin  Korrik, Delacroix vdiq. Më vonë, me prerjen dhe shitjen e pjesëve të tablosë, një fragment ra në duart e koleksionistit Johson, në Paris, ku ndodhet dhe sot dhe që është tabloja që kemi parë aq shpesh në botimet për veprat e Delacroix. «Një tablo me frymë epike ç’ka të habit për forcën e një artisti në fundin e jetës së tij», janë shprehur kritikët. Theophile Sylvestre për këtë tablo të pambaruar, është shprehur se «Tabloja e Boçarit që kap në befasi kampin turk, për dy javë punë u bë një tablo e mrekullueshme». Sylvestre në fakt ishte një nga miqtë e afërt të Delacroix-së, i cili e ka parë të punojë atë në kohën e një stërmundimi të madh kur pasioni për artin mbijetonte mbi rrënimin fizik.

Suljotët e Delacroix-së, të cilët ai i pandehte se ishin grekë, por që në fakt ishin shqiptarë ortodoksë të Epirit, gjenden sot në një sërë muzeumesh e koleksionesh private të dëgjuara si «Musée du Louvre», “Muse de Petit Palais”, “Muse de Bordeaux”, “Collection Jacques Dupont”, “Collection M. Guerin”, etj. Më pas, të tjerë piktorë franceze, duke iu referuar tablove të tij dhe historisë ballkanike trajtuan dhe temën shqiptare, siç ishin artistët e njohur J. L. Gérôme, A. Descamps, A. Scheffer, Th. Aligny, David, L. Dupré, etj. Vizatime, tablo, skulptura, dëshmi të një epoke heroike…

Shkëputur prej librit «Përballë tablosë”-Luan Rama

[1]Deux études d’un personage en costume grec, 1822-1825, huile, 35×46 cm, Musée du Louvre; étude de costumes souliotes, 1824-1825, huile, 43×46 cm, Musée du Louvre; études d’après de vetêments souliotes et des figures d’après Goya, huile, 1822, Musée Delacroix, Paris».

[2] “Delacroix, lac de sang hanté des mauvais anges / Ombragé par un bois de sapins toujours vert…”

Kronikat televizive të fundvitit-Ali Luca

in Letërsi by

Kronikat televizive të fundvitit-Ali Luca

Kronikat televizive të fundvitit
Radhisin ngjarjet e bujshme.
Kalojnë mbi ekranë 
Episode lufte,
Krerë shtetesh të ngrirë nga protokolli
Pas shpatullave presidenciale
Si një hënë e qeshur në cep të malit,
Fytyrat e grave të tyre
Buda femërore kauçuku.
Pasurojnë kronikën
Kortezhe arrogante te vdekurish të famshëm
Në të zeza
Hekurosur me muzikë klasike.
Zëri idiot i spikeres
Si xhin tonik 
Për muskujt e audiencës
Bën rrokopujën të durueshme.

Kronokat ngrihen si oxhaqe të lartë
Fillikatë, kryeneçë

E midis tyre 
-Si mbi fushat bosh të historisë-
Dergjen anonimët e botës,
Një prej të cilëve jam dhe vetë.

 

Bertolt Brecht – Lavdi të nxënit

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Bertolt Brecht – Lavdi të nxënit

 

“Mëso më të thjeshtën e gjërave! Ata,

Të cilëve u ka ardh’ dita,

S’janë kurrë tepër vonë!

Mëso ABC-në; s’mjafton, vërtet,

Megjithatë mësoje! Mos u pezmato!

Fillo! Gjithçka duhet të dish!

Ty të takon të jesh në krye.

 

Mëso, o njeri i bujtinës!

Mëso, o njeri në birucë!

Mëso, o grua tenxheresh!

Mëso, o shtatëdhjetëvjeçar! Ty të takon të jesh në krye!

Mos e braktis shkollën pa çati!

Fut ca dije në xhep, ti që ngrin në acar!

 I uritur, rrok një libër: është një pushkë.

Ty të takon të jesh në krye.

 

Shok, mos ki frikë të pyesësh.

Dëgjo njëqind vetë,

Por pastaj shih e bëj vetë!

Atë që s’e di,

S’e di, flije mendjen.

Por mos bëj hesape pa hanxhinë:

Ngase në fund të shkon ty fatura.

Vëre gishtin mbi çdo zë,

Pyet se për çfarë bëhet fjalë.

Ty të takon të jesh në krye”.

Shqipëroi: Edon Qesari

Një simotër për “Shqiptaren” e Camille Corot

in Pikturë by

Gjithçka po errësohet ende… Pellgu i ujit vezullon. Një mizëri yjesh. Eshtë iluzioni që krijohet kur dielli perëndon dhe dielli i brendshëm i shpirtit, dielli i artit, ngrihet… Po, tabloja ime u krijua!…  – Corot

Luan Rama

Le ta kundrojmë gjatë… Ёshtë « Shqiptarja » e Corot, një tablo mitike për ne shqiptarët. Çuditërisht jo në sfondin e një qielli blu apo të përflakur nga një perëndim dielli, as në sfondin e një pylli idilik, të një mjedisi familjar intim, apo siç qëndron e na sheh me sy lozonjarë zonja Foudras. Jo, “Shqiptarja” e piktorit francez Jean-Baptiste-Camille Corot është nëpër erë, hijerëndë, në ecje, e menduar, e vetëpërmbajtur ku edhe pse një çast duket se modeli pozon para piktorit, shpejt, figura e kapërcen cakun e modelit, bëhet personazh, merr tipare përfaqësuese, ashtu, me atë kostum kombëtar që i përket një kombi, një vendi, ku e kuqja dhe e zeza pleksen me të bardhën e një këmishe që ngrohin gjinjtë e një vajze të re, të një figure elegante dhe me hirësi që ke dëshirë ta kundrosh gjatë, duke kërkuar ta ndjekësh në atë rrugëtim apo udhë ku është nisur. Përse piktori e quajti “Shqiptarja”? Ёshtë vallë një shqiptare e ikur nga toka amtare e saj nga ku e mbajnë të lidhur veç etërit, këngët, gjuha, apo ai kostum që mban ende? Vallë Corot e piktakoi atë në udhëtimet e tij në Itali, poshtë jugut, atje ku shqiptarët tashmë kishin ngritur atdheun e tyre të dytë?

Kjo tablo e pikturuar në vitin 1872, shumë pak qëndroi në atelierin e piktorit, pasi atë kohë tablotë e tij shiteshin shumë. Për tregëtarët e pikturave, por dhe për kritikët, ai ishte nga piktorët më të parapëlqyer të gjeneratës së tij. Tre vjet më vonë, kavaleti i tij nuk do ta ndjente më penelin e mjeshtrit. Por edhe kur po shuhej atë mbrëmje të 22 Shkurtit të vitit 1875, fytyra e tij kishte një pamje të gëzuar. – Sa shumë gjëra kam për të pikturuar, sa shumë, – i thoshte ai mikut të tij Robout, që vinte puthuajse çdo ditë ta shikonte në atë prag-vdekjeje. – Shoh gjëra që kurrë s’i kam parë. Më duket se asnjëherë nuk kam ditur ta pikturoj qiellin… Ky qiell që kam përpara është më i thellë, më rozë, më transparent. Ah, sa do të doja t’ua tregoja këto horizonte të pafund»… I sëmurë nga një kancer në stomak, plaku Corot, (Koro), “artisti i vertetë”, siç e cilësonte Delacroix, piktori dhe një nga personalitetet me të shquara të shekullit të vetë, po shijonte atë botë të magjishme dhe enigmatike, që siç duket vdekja ia shpalos njeriut para se ta rrëmbejë. Atë mëngjes shërbyesja e dhomës i kërkoi t’i çonte mëngjesin, por ai i tha: – Sot baba Corot do të shtrohet për të ngrënë atje lart, – dhe i bëri shenjë nga qielli.

Camille Corot i lindur në Paris nga një familje pariziane, ishte një piktor romantik si dhe bashkëkohësit e vet Poussin apo Cezanne, me një prodhimtari të madhe artistike dhe gjithnjë në udhëtim e lëvizje. Në Louvre apo dhe në muzeun «Musée d’Orsay», kisha parë disa nga veprat e Corot, peizazhe këto të mrekullueshme. Corot vdiq në epokën kur po shfaqej impresionizmi dhe disa nga peizazhet e tij, me pemë nëpër erë, gjysmë flu, të ngjajnë si pararendëse të kësaj shkolle, që bëri emër të madh në historinë e pikturës botërore. Ai vdiq një vit pasi nxënësit e tij, mes të cilëve dhe Pisarro, hapën në “Boulevard  des Capucines”, në atelienë e fotografit të shquar Nadar, ekspozitën e tyre të parë. Revolucioni grek për pavarësi, ngjarjet nga Ballkani, suljotët, bëmat e Ali Pashë Tepelenës, etj, shumë piktorë i bënë që të kthenin sytë drejt një realiteti të stuhishëm. Shumë piktorë trajtuan dhe temën shqiptare, siç bëri Delacroix me Boçarin, Auguste Decamps me arvanitasit apo Louis Dupré me suljotët, etj, apo piktorët e skulptorët e tjerë francezë. Vetëm tri vjet para vdekjes, piktori Corot na la një tablo të mrekullueshme me temë shqiptare të titulluar Shqiptarja (L’Albanaise).

Pas atelierëve të tij në Paris, si në “Quai Voltaire”, “Rue Neuve des Petits-Champs” dhe “Rue des Beaux Arts”, ai punoi  së fundi në studion e rrugës “Rue Paradis-Poissoniere”, ku krijoi dhe tablonë «Shqiptarja». Kjo tablo është punuar nga Corot në dimensionet 83x65cm dhe sot ndodhet në muzeun e Bruklinit në New York, ashtu si dhe disa piktura të tjera të Corot që gjenden në këtë muze si, “Letra“, “Bakante në breg të detit“, etj. Në këtë tablo, si model ka shërbyer një vajzë 15 vjeçare, zonjusha Darmelas, e cila pozonte herë pas here në studion e tij, por që në këtë tablo duket më e rritur. Miku i tij Robout, e pa Corot duke e punuar këtë tablo në studion e tij më 9 Janar 1872, siç e dëshmon ai në librin e tij me kujtime për Corot. Piktori i madh, i shquar për peizazhet dhe portretet, kishte bërë së pari dy skica,“croquis”, të cilat u ruajtën me pas. Një vit më vonë, pas vdekjes së Corot, kur Robout e pa rastësisht këtë portret, të cunguar dhe të zvogëluar në dimensionet 74x65cm, aq sa ekziston dhe sot, u shqetësua dhe zbuloi se pas shitjes së këtij portreti, jo vetëm që ajo ishte cunguar dhe prerë nga ana e krahut, duke u retushuar me penel, por i ishte zhdukur edhe vula e shitjes, duke shtuar mbi tablo një firmë të huaj. Ndërhyrja e mikut të piktorit e shpëtoi këtë vepër që bashkë me disa tablo të tjera të Corot, punuar në vitet e fundit të jetës së tij, janë mjaft të njohura nga kritika e huaj, si “Zonja Foudras”, (që gjendet sot në “Art Gallery Museum” të Glascow), apo “Hebreja e Algjerit” dhe “Cigania me mandolinë” (“Museu de arte”, Sau Paolo), “Sibylle”, etj.

Në portretin “Shqiptarja“, – shkruan kritiku i veprës së Corot, Jean Selz, në librin e tij “Jeta dhe vepra e Camille Corot”, – është dhënë një meditim i padeshifrueshëm“… Ndërsa ne përsëri pyesim: përse vallë ai e krijoi këtë tablo? Në kujtim të kujt?… Tablotë e mjeshtërve klasikë ruajnë gjithnjë enigma e mistere rreth krijimit të tyre. Vallë përse ai portret i «Shqiptares» kishte atë vështrim aq të thellë, depërtues, të ngrohtë, atë vështrim që dhe pa folur, tregonte shumçka; ajo qetësi dhe paqe që lexohej në sytë e saj. Po, kjo «shqiptare», si një «xhakondë» klasike ishte jo vetëm përsosmëri e linjave dhe ngjyrave, por dhe botë njerëzore. A nuk thoshte Corot se «mua më duhet një model, një portret që vibron?» Kritiku dhe historiani i artit Vincent Pomarède, në librin e tij kushtuar Corot-së, «Corot, la mémoire du paysage»,[1] ndër të tjera shkruan se «Corot kishte sjellë nga udhëtimi i tij në Itali shumë kostume, të cilat i lejonin të vishte modelet gjatë seancave me ato. Dy nga kostumet origjinale që i pëlqenin më shumë ishin ato italiane dhe sigurisht shqiptare, apo me frymë orientale…»

Corot ishte një romantik dhe udhëtar i madh. Megjithëse gjithnjë mes njerëzve, ai jetoi e pikturoi i vetmuar, duke ia kushtuar gjithë jetën e tij artit, ngjyrave e për më tepër harmonisë pikturale. Ai ishte aq human e i brishtë, sa vdekja e mikut te tij, shkrimtarit Théofil Gauthier e trishtoi pa masë. Më 1825 ai udhëtoi në Itali dhe zbriti drejt jugut të saj, duke u ndalur në  fshatra që banoheshin nga arbëreshët shqiptarë, të ardhur aty para disa shekujsh. Ndaloi pikërisht në Civitta Castellana, e njohur për ngulimet e vjetra arbëreshe, ku ai krijoi një sërë tablosh, vizatimesh e peizazhesh. Më 1827, kur u kthye në Paris, ai u krenua para miqve të vet, duke u treguar peizazhin e punuar në vaj me shkëmbinjtë e kuq të Civitta Castellana, apo tablo te tjera në Narni, Terni apo Papigno. Një tjetër tablo e bukur në vaj është “La Cervara” e krijuar gjatë viteve 1825-1828. Dhjetra vite më pas, duke dëgjuar historitë e pashait rebel të Janinës dhe padyshim historinë e personazhit të Haide-së, vajzës së Ali Pashës, të krijuar nga Alexandre Dumas, histori këto që qarkullonin në sallonet letrare e artistike të Parisit (atë kohë arnautët e Gérôme ishin në modë), ai punoi tablonë “Haideja“, 1870-1872, sipas modelit të Emma Dobigny, veshur me një kostum të vajzave arvanitase të Athinës, me një këmishë të hapur “pankamiso” dhe një shami të lidhur në kokë, e cila në trisht, është ulur buzë detit dhe mban një mandolinë në duar. Në sfond duken disa anije me vela. Eshtë pikërisht Dobigny që pozon më pas për të dhe në disa “nudo” të tij.

Corot ishte një piktor që nuk u vlerësua aq nga zyrtarët e kohës së vet sesa nga artistët bashkëkohës si Baudelaire, Delacroix, etj. Në librin e tij Kuriozitete estetike, Baudelaire shkruante se “Corot pikturon si mjeshtërit e mëdhenj; ai është më shumë një harmonist sesa një kolorist… Pothuaj të gjitha veprat e tij kanë dhuntinë e veçantë të unitetit, që është nga gjërat esenciale të kujtesës. Ai është në krye të shkollës moderne të peizazhit“. Në disa nga tablotë e fundit të tij bien në sy peizazhet në erë e në kohë të vrenjtur. Piktura e tij të rrëmben me dinamikën e saj. Edhe pa e parë nënshkrimin e autorit, artëdashësi i apasionuar thotë: Ja një Corot!

Më 1873, dy vite para se të vdiste, atëherë kur ai nxitonte sa në Ardennes, Coubron e Rennes, «Academie des Arts», (Akademia e Artit në Paris), e vlerësoi me një Medalje të Artë për gjithë krijimtarinë e tij. Tri ditë para se të shuhej, ai ende punonte për tablotë që donte të ekspozonte në Sallonin e Artit që do të hapej në Paris. Atë mbrëmje të 22 Shkurtit 1875, pra pothuajse një shekull e gjysmë më parë, sytë e artistit të madh do të perëndonin vonë, në prag të mesnatës. Ishte zemra e një artisti humanist, që i prekur nga mjerimi ku jetonte miku i tij, piktori tjetër i madh, Honoré Domier, i bleu një shtëpi, që Domier të vdiste i qetë dhe i lumtur. Ashtu si Domier, në vetmi dhe në paqe me qiellin dhe njeriun, u shua ngadalë dhe drita e qirinjve të tij.

“Sa shumë gjëra kam për të pikturuar, sa shumë…“ – kishte pëshpëritur ai. Ndërsa ne, një shekull e gjysmë më pas, duke e parë këtë tablo, kemi dëshirë ta kemi të afërt, të prekshme, të pranishme, diku në një vend ku paraqitet historia shqiptare, në një muze, të kemi një “simotër” të kësaj tabloje, një lloj “xhakonde“ që të mund ta shohim gjithnjë, edhe pse një kopje…

Shkëputur prej librit “Përballe tablosë“- Luan Rama

[1]Corot dhe kujtesa e peizazhit”.

Kam të vdekurit e mi-Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Kam të vdekurit e mi-Yehuda Amichai

Kam të vdekurit e mi varrosur në ajër, 
Kam nënë, që qan për mua, edhe pse jam ende gjallë.

Unë ngjaj me tokën
Që përleshet me kohën.

Dikur drita e gjelbër ish e lumtur
Pranë fytyrës tënde në kornizën e dritares.

Tash vetëm n’ëndrra mund të dua ende fort.

Përktheu: Lazër Stani

SA PAK-MARIO BENEDETTI

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

SA PAK-MARIO BENEDETTI 

(Montevideo, 1920 – 2009)

Sa pak 
është ajo që ti di
ajo që di
për mua
ajo që sheh
janë retë e mia
janë heshtjet e mia
janë gjestet e mia
ajo që di
për mua
ajo që njeh
është trishtimi
i shtëpisë sime parë nga jashtë
janë kanatat e trishtimit tim
zilja e derës së trishtimit tim

Por nuk di 
asgjë
e shumta
ndonjëherë mendon
se sa pak është
ajo që unë di
ajo që di
për ty
ajo që shoh
domethënë retë e tua
apo heshtjet e tua
apo gjestet e tua
ajo që njoh
është trishtimi
i shtëpisë tënde parë nga jashtë
janë kanatat e trishtimit tënd
zilja e derës së trishtimit tënd.

Por nuk thërret.
Por nuk thërras.

Përktheu: Bajram Karabolli

Një mbrëmje/Samuel Beckett

in Letërsi/Përkthim by

  Samuel Beckett

Ai u gjet përtokë. Një rastësi. Nuk i mungonte askujt. Askush s’e kërkonte. E gjeti një plakë. Është e paqartë. Faktet janë kaq të vjetra. Ajo po endej në kërkim lulesh të egra. Vetëm të verdha. Duke pasur sy veçse për to ajo u pengua pas të shtririt. Ai prehej me fytyrën nga toka dhe me krahët e hapur. Pavarësisht nga stina kish veshur një pallto dimri. Fshehur poshtë trupit një radhë e gjatë kopsash të cunguara e mbyllte nga lart poshtë. I ngritur në këmbë kindet çiknin tokën. Kjo duket se qëndron. Pranë kokës një kapelë mbështetej për së kithi. Edhe mbi strehë edhe mbi tegel. Ngjyra e gjelbëreme e palltos bënte që të mos e tërhiqte aspak vështrimin. E vetmja gjë që së largu do t’u dukej sheshit syve kërkues ishte koka me thinja. A mund ta kish parë tashmë diku? Në këmbë diku? Kujdes. Ajo ishte në të zeza. Anët e fundit të saj të gjatë e të zi zvarriteshin nëpër bar. Ishte fundi i ditës. Po të nisej drejt lindjes do ishte në ndjekje të hijes së vet. Të gjatës hije të zezë. Ishte koha e qengjave. Por s’kish asnjë. Ajo nuk shihte asnjë. Po t’ia behte një i tretë s’do shihte tjetër trup veç atyre të dyve. Në fillim plaka në këmbë. Pastaj duke u afruar trupi i shtrirë. Kjo duket se qëndron. Livadhi i shkretuar. Plaka në të zeza e palëvizshme në këmbë. Trupi i palëvizshëm përtokë. E verdhë në skaj të krahut të zi. Flokët e bardhë në bar. Dielli duke u zhytur në natë. Kujdes. Koha. Qiell i mbyllur gjer në mbrëmje. Në perëndim-veri-perëndim pranë horizontit tashmë ylli më në fund shfaqet. Shi? Disa pika po të duam. Disa pika në mëngjes po të duam. Tani për t’i dhënë fund. Faktet janë kaq të vjetra. E mbyllur në shtëpi gjatë gjithë ditës ajo del në të njëjtën kohë me diellin. Nxiton të mbërrijë te livadhi. E befasuar që s’sheh askënd ajo endet ethshëm në kërkim të luleve të egra. Ethshëm duke parë afrimin e natës. Ajo vëren me habi mungesën e qengjave të shumtë gjatë kësaj stine në këtë vend. Ka veshur të zezat që veshi vejushë e re. Për të zbukuruar varrin kërkon lulet që ai kish dashur. Sikur të mos  i duhej e verdha në skaj të krahut të zi s’do kish asnjë. Ka aq pak sa s’bëhet. Kjo është për të e treta befasi që kur doli. Sepse ato janë me tepri gjatë kësaj stine në këtë vend. Mike e përhershme hija e bezdisë. Gjer në atë pikë sa i del përballë diellit. Sikur një lule të shfaqet tej trajektores së saj ajo shkon tërthorazi ta mbledhë. Perëndimi i diellit vonohet që ajo të endet sërish lirisht në dritën e muzgut të gjatë. I shtohet turbullimit të saj fëshfërima e njohur e të gjatit fund të zi në takim me barin. Ajo ecën me sytë gjysmë të mbyllur si e thithur nga zjarri. Mund të thotë me vete se ka shumë gjëra të çuditshme për një mbrëmje të vetme Marsi a Prilli. S’ka këmbë njeriu. As edhe një qengj i vetëm. Pothuajse asnjë lule. Armike hija dhe fëshfërima. Dhe kulmi i kulmeve përplasja e këmbës së saj me trupin. Një rastësi. Ai s’i mungonte askujt. Askush s’e kërkonte. Të zeza dhe të gjelbra teshat që prekin njëra-tjetrën. Pranë flokëve të bardhë e verdha e luleve të mbledhura. E vjetra fytyrë e përdielluar. Tablo e gjallë siç thuhet. Tash e tutje është qetësia. Për aq sa rri ende atje. Dielli më në fund zhduket dhe bashkë me të çdo hije. Në atë vend. Rënie e ngadaltë e muzgut. Natë pa hënë e pa yje. E gjitha kjo duket se qëndron. Por pa thënë më shumë.

Përktheu: Alket Çani

Po ti akoma beson te muri?-Disa komente në faqen e “The Guardian” për bisedën telefonike të Trump-it me një djalë 7 vjeç  

in Meqë ra fjala/Në kohërat e kolerës by

Beson akoma te Babagjyshi i Vitit të Ri?

I ndjek me vëmendje faqet e gazetave angleze në facebook, jo vetëm për cilësinë e lartë të shkrimeve, por edhe për cilësinë e lartë të komenteve. (gjë që; sipas meje; shpreh nivelin e lartë intelektual të një vendi.)

Ja disa komente brilante në lidhje me bisedën telefonike të Donald Trump-it me një fëmijë shtatë vjeç, ku midis të tjerash presidenti i thotë se në moshën 7 vjeç, të besosh ende te Babagjyshi i Vitit të Ri është “marginal”(e pavlerë.)

Filipe Brizida: Një fëmijë që beson te Babagjyshi i Vitit të Ri meriton më shume respekt se një i rritur që beson te Trump-i.

Lee Whelchel: Jam impresionuar prej faktit që ai e njeh fjalën “marginal” dhe duket se e ka përdorur në mënyrë korrekte.

Michael Edward: Po ti akoma beson te muri? (fjala është për murin ndarës me Meksikën.)

Shim Amabel: A nuk është “marginal” të besosh në një mur kufitar kur je në moshën 72 vjeç?

Helen Veronica Brannigan: I paskan dhënë një telefon prej vërteti????????

Kaarlo Moran: Po e interviston për pozicionin vakant të Shefit të Kabinetit.

Reza Kargar: Unë mendoj se thjesht u mbrojt ngaqë fëmija e pyeti nëse ai është një president prej vërteti apo jo…

Glenn Colotti: Unë lutem përditë për Presidentin Trump; por ai është ende gjallë.

Peter Diaz: Një i rritur që beson në një burrë të padukshëm pyet një fëmijë që beson te një burrë i padukshëm.

Ray Stash: E kuptova, e kuptova. Ai i flet një fëmije 7 vjeç në gjuhën e të rriturve dhe u flet të rriturve me gjuhën e një fëmije 7 vjeç.

Neil Phillip: Përkrahësit e Trump-it janë edhe më “marginal” (të pavlerë) mendërisht se ai.

Dave Ole: Perpara se të qeshni, kujtohuni që ca të rritur akoma besojnë te EU-ja.

Përktheu: Arlinda Guma

Bisedën e ndiqni këtu:

 

Teoria e të mbajturit distancë-Izet Sarajlić

in Letërsi/Tharm by

Teoria e të mbajturit distancë-Izet Sarajlić

 

Teoria e të mbajturit distancë
Është zbuluar nga shkrimtarët e “post-script”-it,
Të cilët nuk duan të rrezikojnë diç.

Për vete u përkas atyre
Që besojnë se
Te hënën duhet të flasësh mbi Të Hënën
Sepse E Premtja mund të jetë tepër vonë.

Është e vështirë, sigurisht,

Të shkruash poezi në bodrum.
Kur murtajat shpërthejnë sipër kokës.

Por është veçanërisht më e vështirë
Të mos i shkruash.

 

Përktheu: Ali Luca

1 165 166 167 168 169 191
Go to Top