Probleme brisku-Ali Luca
Po rruaja mjekrën për herë të parë,
isha diku te të tetëmbëdhjetat dhe
mjekra nuk ishte kushedi se çfarë.
Derën e banjës e harrova hapur
në dyzet e pesë gradë,
si në ato skicat e arkitekturës,
në të cilat dyert janë gjithmonë kështu.
Kisha mbaruar punë me njërën faqe,
kur im atë erdhi për punët e tij në banjë
dhe më pa duke u rruajtur.
Po buzëqeshte si një sarhosh paqësor.
Babai im i jetoi të dyja epokat
para dhe pas rënies së Murit të Berlinit,
duke kaluar nëpër to thjesht si një figurant.
Pastaj u afrua tek unë dhe me tha:
“Po rruhesh, ë?
dëgjomë mua,
ka dy shkolla rrojeje;
njëra është shkolla ruse, e cila
i bie mjekrës nga ana e kundërt e qimëve,
dhe tjetra është shkolla amerikane, e cila i bie mjekrës në drejtim të rritjes së qimëve.”
Pastaj iku duke tërhequr derën,
pa ndonjë vërejtje se unë po përdorja
veglat e tij personale të rrojes.
Unë, i zënë ngushtë nga këto dy shkolla
kaq të mëdha,
si brenda një argumenti filozofik,
vendosa, jo që të mos e rruaja mjekrën,
por të llogaris edhe variablin brisk brenda kësaj
historie.
Kjo, mendoj, më ka bërë joparimor në jetë.
Mirësevini në Zall-Bastar!-Ali Luca
Shtëpitë në formë kullash janë më hijerënda. Ngjajnë me poemat që lindin nga një plagë, por