Rreziku-Toni Morrison

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Historia e shkrimtarëve të persekutuar është po aq e gjatë sa historia e vetë letërsisë. Dhe përpjekjet për të na censuruar, për të na lënë të vdesim urie, për të na displinuar dhe për të na asgjësuar përbëjnë shenja të qarta se diçka e rëndësishme ka ndodhur.

         Toni Morrison

Regjimet autoritare, diktatorët, despotët janë shpesh, por jo gjithmonë, budallenj. Por asnjëri prej tyre nuk është aq budalla sa t’u lërë shkrimtarëve largpamës, disidentë, dorë të lirë për të botuar gjykimet e tyre apo për t’iu bindur instinkteve krijuese. Ata e dinë këtë e bëjnë duke marrë rrezikun në sy. Nuk janë aq budallenj sa të heqin dorë nga kontrolli (i hapur ose i fshehtë) i medias. Metodat e tyre përfshijnë mbikëqyrjen, censurën, arrestimin, madje edhe vrasjen e atyre shkrimtarëve që e informojnë dhe e shqetësojnë publikun. Shkrimtarët e trazuar, ata që bëjnë pyetje duke dyshuar, duke i parë gjërat në një këndvështrim më të gjerë, gazetarët, eseistët, shkruesit në blogje, poetët, dramaturgët, mund t’i hapin punë shtypjes sociale që funksionon si një gjendje kome për popullatën, një gjendje kome të cilën despotët e quajnë paqe dhe këta janë ata që ndërpresin hemoragjinë e gjakut të luftës, i cili shndërrohet në ushqim për përkrahësit e politikës së forcës dhe spekulatorët që fërkojnë duart.

Ky është rrezik i tyre. I yni është i një lloji tjetër lloji. Sa e zymtë, e padurueshme, e urryer bëhet ekzistenca kur nuk na lejohet krijimi i veprës së artit. Fakti që jeta dhe vepra e shkrimtarëve të cilët përballen me rrezikun duhet të mbrohet është nevojë e ngutshme, por bashkë me këtë ngut, duhet të sjellim në kujtesë se mungesa e tyre, bllokimi i punës së shkrimtarit, zhdukja e tij mizore, është një rrezik po aq real edhe për ne. Shpëtimi që duam për ta është një bujari për veten. Ne të gjithë e dimë që kombet mund të identifikohen me shkrimtarët e arratisur nga brigjet e vendeve të tyre. Këto janë regjime që përligjin frikën e shkrimit të pambikqyrur ngaqë e vërteta i shqetëson. Është shqetësim për luftënxitësin, torturuesin, hajdutin e korporatave, kalemnxhijtë e politikës, sistemin e korruptuar të drejtësisë, si dhe për një publik në gjendje kome. Shkrimtarët e papersekutuar, të paburgosur, shkrimtarët e bezdisshëm janë shqetësues për injorantin mujshar, racistin tinëzar dhe grabitqarët që ushqehen nga burimet e botës.

Alarmi, ky shqetësim për ngritjen e problemeve nga shkrimtarët është iluminues për shkak se ky veprim është i hapur dhe i pambrojtur, por nëse nuk mbikqyret nga policia është kërcënues. Rrjedhimisht shtypja historike e shkrimtarëve është shenjë e hershme paralajmëruese e zhdukjes së të drejtave dhe lirive të tjera që pasojnë. Historia e shkrimtarëve të persekutuar është po aq e gjatë sa historia e vetë letërsisë. Dhe përpjekjet për të na censuruar, për të na lënë të vdesim urie, për të na displinuar dhe për të na asgjësuar përbëjnë shenja të qarta se diçka e rëndësishme ka ndodhur. Forcat kulturore dhe politike mund të rrafshojnë të gjithë llojet a arteve, përveç “të sigurtit”, të gjitha llojet a arteve  përveç atyre të miratuara nga shteti.

Më kanë thënë që ekzistojnë dy reagime njerëzore ndaj perceptimit të kaosit:  ndërrimi i emrave dhe dhuna. Kur kaosi është thjesht e panjohura, ndërrimi mund të arrihet pa asnjë përpjekje – një specje, yll, formulë, barazim, prognozë e re. Ndodh gjithashtu edhe krijimi i një harte, katagolizimi i gjithçkaje, ose krjimi i emrave të rinj për zona gjeografike që mungojnë, për peizazhe dhe popullsi. Kur kaosi bën qëndresë, ose duke e reformuar veten ose duke u rebeluar kundër një rendi të imponuar, dhuna shihet si reagimi më i shpeshtë dhe më racionali në përballjen me të panjohurën, të kobshmen, të egrën, të paarsyeshmen dhe të pakorrigjueshmen.

Reagime racionale mund të jenë; censura, internimi në kampe, burgjet, ose vdekja, vetëm për ty ose bashkë me të tjerët në luftë. Nuk ka megjithatë një reagim të tretë ndaj kaosit, i cili është heshtja. Një heshtje e tillë mund të jetë pasiviteti dhe mosdëgjimi. Mund të jetë frika paralizuese. Por mund të jetë edhe arti. Ata shkrimtarë që e ushtrojnë zejen e tyre afër ose larg fronit të pushtetit politik, atij ushtarak, në ndërtesën shtetërore perandorake apo në shtëpizë, mund të krijojnë një kuptim përballë fytyrës së kaosit, dhe ata duhet të mbështeten, të mbrohen. Dhe është e drejtë që një mbrojtje e tillë të nisë nga shkrimtarët e tjerë. Dhe është e domosdoshme jo vetëm për të shpëtuar shkrimtarët e rrethuar, por për të shpëtuar veten tonë.

Mendimi që më bën të sjell në kujtesë me tmerr fshirjen e zërave të tjerë, të romaneve të pashkruara, poezive të pëshpëritura ose të gëlltitura nga frika e përgjimit nga njerëz të këqinj, metoda të jashtëligjshme, gjuhë të nxjerra jashtë përdorimit që fliten nëpër kthina nëntokësore, pyetjet e  eseistëve që sfidojnë autoritetin që nuk janë bërë kurrë, drama të pavëna në skenë, filma që nuk janë shfaqur-ky mendim më kthehet në makth. Është sikur një univers i tërë ngjyroset me bojë të zezë. Disa lloje traumash tek disa popuj janë aq të mëdha, në mënyrë mizore, sa ndryshe nga paraja, ndryshe nga hakmarrja, dhe madje ndryshe edhe nga drejtësia, apo vullneti i mirë i të tjerëve, vetëm shkrimtarët mund t’i përkthejnë këto trauma, ta kthejnë dhimbjen në kuptim, duke e forcuar përfytyrimin për të moralshmen. Jeta dhe verpa e shkrimtarit nuk janë një dhuratë për njerëzimin; ato janë domosdoshmëri.

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.