Mirësevini në Zall-Bastar!-Ali Luca

in Në kohërat e kolerës by

Shtëpitë në formë kullash janë më hijerënda. Ngjajnë me poemat që lindin nga një plagë, por që shkaktojnë plagë. Një mbyllje brenda vetes dhe një hapje kërcënuese nga dritaret e ngushta që këtu u thonë “penxhere”.

        Ali Luca

Peizazhe katundi të Shqipnisë së Mesme

“…Lugati i Selitës dilte natën në Shkallë të Tujanit dhe trembte kuajt e katundarëve dhe hidhte njerëz në lumë…” – nga një tregim me titull:“Lugati i Selitës”, i shkruar nga një gazetar Italian (me pseudonim), që i vizitoi këto katunde në kohën e Mbretit Zog, që këtu quhet “Koha e Mretnisë”.

Kur e sheh këtë vend nga lart, nga maja e ndonjë kodre a mali, duket si një dhëmballë e gërryer nga kariesi. Boka grilli me shumë erozion. Por mund të shohësh ndonjë bllok pishash të izoluara, që këtu u thonë: “Pishat e Enverit”, që ngjajnë si nishane qimegjelbër në nofullën eshtake të malësorëve.

Katundi ka dy rrugë. Njëra është ajo automobilistike, që këtu i thonë “Xhadja e Maqinës.” Një zhaurimë çakulle e pluhuri. Tjetra është rrugë ujore, që këtu i thonë “të dalësh me skaf”. Skafi është një varkë pa motor, që shtyhet nga i zoti i skafit nëpërmjet lopatave. Këtu i thonë “Skaf me Palla”.
Shtëpitë e katundit janë të ndërtuara me gurë. Janë në formë kullash dhe shtëpi me ballkone druri, që këtu u thonë “Shtëpi me Divanhane”.
Shtëpitë në formë kullash janë më hijerënda. Ngjajnë me poemat që lindin nga një plagë, por që shkaktojnë plagë. Një mbyllje brenda vetes dhe një hapje kërcënuese nga dritaret e ngushta që këtu u thonë “penxhere”.
“Shtëpitë me Divanhane” kanë një karakter më të butë. Pema shekullore e manit në oborr hedh një hije melankolike.
Shtëpitë kanë dhomën e miqve, që këtu i thonë “çardak”, kanë kuzhinën, gjithmonë të ndarë nga dhoma e miqve, që këtu i thonë “shpija e punëve” dhe “odën e nuses.” “Oda e nuses” është dhoma ku flenë djemtë e shtëpisë me nuset e tyre. Pjesa me erogjene e shtëpisë. Rri e kyçur. Me perde të trasha, që këtu u thonë “kundratyl”. Fsheh ojna, aromë njeriu dhe parfumi. Kjo aromë e veçantë e odës është menjëherë e dallueshme dhe është aq prezente, sa gati tenton të kthehet në një mobilje me konture fizike.
Në fund të oborrit ndodhet VC-ja, që ndonjëherë këtu i thonë “hale” dhe ndonjëherë e quajnë “zyrë”. VC-ja është më e madhe se koteci i pulave dhe më e vogël se koteci i misrit. Nëse është me dërrasa; çfarë bëhet brenda shihet jashtë. Koteci i pulave është më i fortifikuar për shkak të dhelprës, që këtu e quajnë “skile”. Ndërtimi më i vogël është steli i qenit. I shtruar me byk. Qeni përgjumet para stelit, i lidhur me zinxhirë, që këtu i quajnë “hallka qeni”. Kap ndonjë mizë në ajer dhe leh sa për të mos harruar huqin.
Të dielave, një ditë para shkollës, fëmijët, që këtu quhen “kalamaj”, lahen dhe pastaj dalin në divanhane për t’u tharë duke mbajtur era sapun. Krihen nga nënat me një krehër me thekë të imët, që këtu i thonë “krehër morrash”. Kur mbarojnë së krehuri, floket u mbulojnë gjysmën e veshëve. Nuk qethen aq shpesh për mungesë të një “berberhanie”.
Të gjitha shtëpite në Bajrame (Bajram, fytyra Perse e Islamit mozaik në Shqipëri), që këtu u thonë “Bajrami i Madh dhe i Vogël” mbajnë era hallvë.

Fshati ka shkollën. Një godinë me një kat, gjysma me gurë dhe gjysma me tulla të kuqe. Në pjesën me tulla të kuqe ka zyren drejtori. Zyra e drejtorit është e vetmja me një dritare me kangjella hekuri, që këtu i quajnë “penxhere me hekura” dhe një perde të hollë, që këtu e quajnë “tyl” ose “tenten”. Me shumë pak nxënës që luajnë topadjegsi në oborr. Duket sikur bëhet gjithë kohën vetëm fizkulturë.
Mësuesi i ciklit të ulët është në prag pensioni. Mbas mësimit, sapo lë stilolapsin, merr shatin që po e pret si një paralitik ndanë derës së shtëpisë dhe prashit me të të mbjellat me perime, që këtu u thonë në shumës “kopshtijet”.
Kur bën ecejaket në korridorin e shkollës fishkëllen gjithmonë këngën:“bukur qenke bojatis moj tranofile”.
Fshati ka varrezën që prehet në një kodrinë të veshur me gjineshtra, që bëjnë një lule të verdhë, që këtu i thonë “lule-hone”. Mespërmes varrezës kalon një rrugicë. Në cep të varrezës jane dy vodha të mëdha. Nëse duan të të mallkojnë, të thonë:“të çofsha tek vodha”. Gurët e varreve janë të vjetër, të anuar, veshur me myshk. Ngjajnë me dhëmbët e një kafshe prehistorike, që ka rëne nga sqepi i një sorre po aq prehistorike, dhe është ngulur rrëmujshëm aty. Varri më i spikatur është më i lartë se të gjithë. Me një gur, shkruar në osmanisht. Është i atij që zgjeroi prestigjin luftarak të katundit drejt katundesh të tjera, pasi vrau shtatë veta mbas një gostie. Ka edhe varre të tjera, që këtu u thonë “Vorri i kaurrit dhe vorri i jevgut”, por nuk janë këtu.
Katundi pa një budalla nuk quhet katund. Budallai i katundit nuk mban aq erë të keqe sa një i pastrehë në qytet. Por është ai që nuk e pranuan ushtar. Jo për shkak të ndonjë anomalie në veglen mashkullore, që siç thonë dëshmitarët; gati i tromaksi anëtarët e komisionit ushtarak kur uli pantollonat dhe nxorri një gëmushë leshi. Ngjante me një dac të zi thanë deshmitarët. Kryetarja e Komisionit tha që ta nxirrnin jashtë e ta çonin në shtëpi këtë budalla. Nga atëherë konsiderohet budalla dhe është i pamartuar. Ka vetëm rrënjët e dhëmbëve .
Këtu i thonë “shejtonbudalla”, që është një gradë më lart se ai që ka kaluar meningjitin.
Fshati ka kurvën e vetë, që këtu, sidomos nga gratë, quhet “bolba e zeze”. Ajo shihet nga gratë siç sheh Izraeli Iranin, si një rrezik i përhershëm. Një gropë septike dhe e pabesë që nëse burri fut pak këmbët nuk del më së andejmi dhe shkatërron familjen e tij, që këtu i thonë “nxjerrja e shtëpisë në rrugë të madhe.” Kurva e fshatit ka moshën e një tezeje.
Katundi ka të bukurën e tij. Një gjimnaziste që kryen gjimnazin në Tiranë, që këtu i thonë “bën shkollën n’Tiron. Një vetull pahequr, shumë e freskët, që lyen buzët vetëm me shkëlqyes. Me vështrimin prej mjegullash të largëta dhe të lagështa. E bukura e katundit ulet në një sedilje pranë xhamit dhe pret orën e nisjes. Shoferi i linjës, që ka qenë emigrant, që këtu i thonë “ka qen jasht”, ka një furgon benz, të llangosur me baltë a pluhur deri tek xhamat. Ulet, drejton pasqyrën e brendshme, që këtu i thonë “pasqyrë për isharet”, në mënyrë që të përfshijë në retrospektivë të bukurën e katundit dhe më pas ndez kasetofonin. Muzika turbofolk këtu quhet aheng dhe ndonjëherë thjeshtë “Sinan Hoxhë”. Kur dy njerez fejohen këtu thonë:”kan pi kavet”. Por nëse shihen bashkë dhe janë të pafejuar, këtu quhet “filani *** fisteken”.

Në kodrën më të lartë është xhamia. E ndërtuar nga gruaja e një tregtari krutan, që fshati i hapi dyert kur ky doli kaçak. Në komunizëm, që këtu i thonë “në kohë të Enverit” u shndërrua në magazinë dhe aksionistët i shembën minaren. Xhamia ka imamin e vet, që këtu i thonë “hoxhë”. Një hafiz i ri, që po të mos ishte për çallmën që vendos ditën e premte, që këtu i thonë “dita exhumo” nuk do dallohej fare nga nënpunësit e komunës çfarëdo. Ca thonë se është i ditur, që këtu i thonë “i knushëm” dhe ca thonë se “të lë xhenazen në derë”.
Fshati e ka qendrën tek komuna ose tek “zyrat”. Qendra e komunës është një minimum ndërtesash me profil publik. Tre kafene, gjimnazi, një që quhet spitali, që në fakt është një ambulancë dhe nje tjetër godinë që quhet “komuna.” Në kafene shihen të gjithë. Katundarët me fytyra të kuqe, sikur të kenë pirë raki thane në një ditë dimri në mëngjes, me mësuesit e gjimnazit, ndonjëherë polici, që këtu i thonë “i platfuqishmi i zonës” dhe kryetari i njësisë administrative, që këtu i thonë “kryetari”. Të gjithë flasin për politikë. Kryetari është i majtë, që këtu i thonë “i Erjonit”. Të gjithë qeshin nga ndonjë rromuz. Pastaj mund të heshtin të gjithë, duke u tërhequr brenda krizalidës së tyre me halle. Halli është domate e pashitur, shira të munguar, koshere me bletë që pakësohen sepse kullosin në lule hashashi. Dhe kafeneja, që këtu i thonë “klubi”, merr menjëherë çehren e ndonjë dhome ku ruhet një i vdekur.
Ika duke parë një burrë që priste furgonin në sheshin kryesor, me këpuceë të stërlyera, me një xhaketë të përhime dhe një shtresë zbokthi mbi jakë si shall.
Mirëserdhët në Zall-Bastar! Në njësinë Administrative më të re të Bashkisë së Tiranës, Kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë!
Dola nga Zall-Bastari në rrugë automobilistike dhe kalova Shkallën e Tujanit. Qielli me smog, që hapej nga gryka e malit, ishte si fasada e një azili pleqsh, pa asnjë saksi në dritare. Më priste Tirana…

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Në kohërat e kolerës

Go to Top