PSIKOLOGJIA E TË VARFRIT – Michel Tournier

in Letërsi/Në kohërat e kolerës by

      Michel Tournier

                Shkëputur  prej  librit “Meteorët”

  1. I varfri ha dy apo tri herë më shumë se i pasuri. Në fillim kam besuar se ishte fjala për të kompensuar energjitë e shumta të harxhuara  gjatë punëve të krahut ose punëve të rënda. Ndërkaq nuk ishte fjala këtu, sepse ky regjim çon tek një obezitet i përgjithshëm dhe unë jetoj i rrethuar nga femra trashaluqe dhe nga burra barkalecë dhe borrokoçë. E vërteta është se i varfri – edhe atëherë kur nuk ka asnjë kufizim lirie – nuk është i çliruar nga frika e zorrëve për mospasje, frikë që shekujt e kanë ngulitur tek njerëzimi. I lidhur ngushtë me të, i ka qëndruar besnik një estetike të varfërisë, e cila e bën t’i duken të bukura dhe të lakmueshme femrat e trasha, si dhe mashkullorë dhe të madhërishëm meshkujt me bark.
  2. I varfri vishet më trashë dhe më ngrohtë se i pasuri. I ftohti pas urisë është fatkeqësia më e tmerrshme e njerëzve. I varfri mbetet i nënshtruar ndaj frikës atavike të të ftohtit dhe sheh në të origjinën e një numri sëmundjesh (të ftohesh, të sëmuresh). Të ngrënit pak dhe të ndenjurit lakuriq janë privilegje të të pasurve.
  3. I varfri është një sedentary i lindur. Origjina fshatare e bën që ta shohë udhëtimin si një çrrënjim, një arratisje, një mërgim. Nuk di të udhëtojë me lehtësi. I duhet të rrethohet nga përgatitje dhe përkujdesje, të citoset me bagazhe të padobishme. Me të edhe zhvendosja më e vogël merr pamjen e një shpërnguljeje.
  4. I varfri është i lidhur, pa pra, me zilen e mjekut. Llahtara e tretë e pazotëruar prej tij; sëmundja. Mjekët e lagjeve popullore janë të bezdisur orë e çast nga njerëz me rrufë dhe të zënë kaps. I varfri pyet shpesh se si ja bën i pasuri që nuk sëmuret. Përgjigjia është e thjeshtë; s’mendon për të.
  5. I varfri, ngaqë puna e rraskapit dhe i neveritet, nuk mendon veçse për dy gjëra, që në thelb nuk janë veçse një; pushimet dhe pensioni. I duhet t’i përkasë kastës së zotërinjve për të shmangur këto dy mirazhe.
  6. I varfri ka etje për ndershmëri. S’është absolutisht i sigurt se i përket shoqërisë njerëzore. Po sikur të mos ishte gjë tjetër përpos një bishë? Prej këtej, edhe nevoja për t’u veshur me rrobat më të mira, të ketë një kapele, të zërë vend – sado modest –brenda trupit shoqëror. Prej këtej, gjithashtu, edhe cipa e namuzi i tij. Përcaktimi i ndershmërisë është i kollajtë; është degjenerimi i kodit të nderit që i zuri vendin moralit të aristokracisë. I treti, duke qenë pasues i fisnikërisë dhe duke u vendosur në krye të kombit në 1789 nderi ia la vendin ndershmërisë me të dyja shtyllat e saj, cipën dhe kultin e pasurisë, gjëra që aristokracia i mohonte në mënyrë madhështore.
  7. Duke e pranuar rendin shoqëror të tillë siç është, dhe duke mëtuar të zërë një vend sa më të madh në të, i varfri është një konservator i rrënjosur. Nuk sheh më tej se borgjezi i vogël, tek i cili shpreson të pranohet sa më shpejt. Rezulton se asnjë revolucion nuk është bërë ndonjëherë prej popullit. Fermentet e vetme revolucionare të një shoqërie gjenden në rininë studentore, domethënë midis fëmijëve të aristokracisë, dhe të borgjezisë së madhe. Historia ofron rregullisht shembullin e tronditjeve shoqërore brutale, të shkaktuara nga rinia e klasës më të favorizuar. Po revolucionit, duke qenë një karrem joshës, i jepet një dorë nga masat popullore, të cilat përfitojnë prej tij për të përmirësuar rrogat, për pakësimin e orëve të punës, për një pension më të parakohshëm, domethënë për të bërë një hap më shumë në drejtim të borgjezisë së vogël. Ato forcojnë dhe acarojnë sistemin shoqëror dhe ekonomik në një çast tronditjeje dhe i japin mbështjeje duke u futur brenda tij me më shumë intimitet. Sajë tyre qeveritë revolucionare u hapin rrugën rojeve tiranikë të sistemit  të vendosur. Bonaparti zë vendin e Mirabeau-së, Stalini të Leninit.

            Përktheu: Balil Gjini 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top