Anita Zela
Ka ardhur vjeshta edhe këtu, në qytetin që numëron ditët e pritjes për ty me gjethe. Ka ndalur kudo; në pemë, në rrugë e nën hapa. Ti e di, Nju Jorku s’më ka dhënë asgjë, asnjëherë, por tani më jep pritjen të vij tek ti, të kthehesh, të më shkruash, të tregoj ditët e mia, të kuptoj grinë tënde… Jam veshur gri, brenda syve, brenda barkut. Kishte gjethe, aq shumë, rruga ku më përcolle atë mbrëmje e kur gënjenim njëri-tjetrin nën të qeshura të lehta marrinash pa shkak, e të lusja më përqafo…
Unë doja foto ku dilnim ne dhe vjeshta, ne dhe vetmia, ne dhe kujtimet, dhe grija jonë… Ti nuk i do kujtimet me mua, nuk i ruan më fotot, nuk të duhen plagë të reja… Unë s’kam arsye pa plagë. Mes tyre ndiej se jetoj. Ti nuk më pret, por ti s’më lë asnjëherë vetëm kur iki…Vjeshtë e gri u bëmë nga përcjelljet në stacione pa njerëz, e përsëri i numëroj me gjethe fjalët që s’më thua, por i ëndërroj të jenë aty, brenda gjoksit tënd, si fëmijë jetim që ëndërron zanën e Hirushes me shkop magjik. Mbetëm përqafuar përkohësisht si stinët. Ëndërroj si fëmijë se aty brenda krahëve të tu e mbush me sythe të reja lodhjen tënde, me tinguj baladash dashurie t’i lëpij vrajat e kujtimeve… Në atë që është bosh, në grinë tënde, ndiej se ti më vendos mua, me ngjyrat e mia të tokës, me fjalët e dashurisë si gjethe, kaq shumë, me kaq shumë ngjyra… Ti më puth ballin, e pastaj më lë sërish, brenda teje, brenda grisë tonë për të ikur e kthyer përsëri… Unë mbetem fëmija në lumturinë e thjeshtë të të ndenjurit përkrah teje në rrugë, si drurët duke pritur diellin që sjell çdo fjalë e jotja, deri në fund, njësoj. Gri brenda përqafimit me lutje, më duaj, më gënje, më mbaj e ndërto me mua kujtime stacionesh pa njerëz, por me ne të dy që qeshim me marrina të lehta për të fshehur lotët e ndarjeve…
Je streha ku dua të lë çdo kujtim, të shkrova, e unë, përveçse e jotja gjithmonë… jam numër gjethesh, që numërojnë pritjen në qytete që s’kanë asgjë tjetër ç’të bëjnë…
Nëntor 2019