Author

Admin - page 114

Admin has 1899 articles published.

Katia-Anita Zela

in Letërsi by

Anita Zela

Emrin e Katias ma tregoi shitësja e panineve në atë kioskën përballë stacionit të trenit. Nuk e pyeta për të. Ndalova aty të marr një panine me djathë për stomakun që më ishte trazuar keqas nga shtatzania me binjakët. Goja më rrinte e mbushur me ujë dhe tesionin duhej ta kisha shumë të ulët, ndaj, pasi pagova u mbështeta në drunjtë e kioskës të haja pak në këmbë. Katia m’u shfaq si hije anash meje dhe më foli.

– Ke një beb aty? – duke bërë me gisht nga barku im.

Unë ndalova së përtypuri e zënë në befasi nga gjithçka e saj, që nga pamja, deri tek zëri i butë si kadife. Tunda kokën në shenjë pohuese.

– Mos e dhëntë Zoti të jetë vajzë, – tha ajo dhe iku drejt shkallëve të stacionit. Stomaku m’u mblodh e m’u mpi. Kishte qënë dëshira ime për të mos e njohur gjininë e fëmijëve para se të lindja, por atë çast u pendova e s’doja gjë tjetër veç të dija nëse kisha një vajzë brenda meje. Trupi i dobët i gruas që më foli, fshehur nën fustanin e gjerë e të gjatë deri në tokë, ruante ecjen e një kokete, megjithëse zbathur. Një kapele strehëgjerë dhe vëthët e gjatë e bënin të dukej si aktore të filmave të shtatëdhjetës. Kaloi ngadalë sheshpushimin dhe u ul në shkallët e pista, vuri në mes të këmbëve çantën e vjetër dhe afroi një karton para vetes. Pastaj filloi të këndonte. Më ndali fryma për të dytën herë. Aq sa dhe buka më mbeti në gojë. Gruaja e kioskës u mbështet në dritaren ku shërbente duke parë herë atë e herë mua. Njerëz të nxituar kalonin për të hyrë a dalë nga stacioni, ndonjëri ndalonte e linte diçka mbi kartonin që kishte para këmbëve, por ajo as nuk i ulte sytë e as nuk e ndalonte këngën. Dukej sikur një soprano e Operës së Vjenës po luante aty një film. Nuk e besoje dot. Zëri i saj vinte nga shumë nga larg dhe hynte nëpër poret e gjithçkaje duke e pushtuar. Asgjë s’mund të dëgjoje më. As hapat që ngadalësoheshin afër saj, as bisedat e kalimtarëve, madje as dhe zhurmën e taksive që kalonin në rrugë. Këndonte duke kontrolluar me sy njerëzit që hynin në stacion.

 “Kudo që të shkosh, çfarëdo që të bësh, unë do të jem këtu, duke të pritur ty”.

Vetëm kur kënga mbaroi, u përcolla. Bukën dhe lotët. Katia shikoi përsëri nga unë dhe s’di pse ula sytë. M’u duk sikur e kisha përgjuar. U ktheva nga shitësja që më zgjati disa peceta letre, ndërkohë që fshinte sytë e saj.

– A do edhe pak ujë? – më pyeti.

– Po, të lutem. Kush është kjo grua? -shtova pastaj me gjysmë zëri.

Shitësja vuri një shishe mbi banak dhe filloi:

– Quhet Katia, – tha. – Ka rreth pesë vjet që jeton këtej rrotull, s’e di ku. Mbase jashtë. Thotë se ka ardhur këtu nga Kana, por nuk e besoj.

– Mbase është e vërtetë, – thashë unë duke vështruar Katian. Kishte hedhur në një anë flokët e gjatë e i thurte gërshet, duke pëshpëritur diçka.

– Ndonjëherë më duket krejt normale, – vazhdoi shitësja, – vjen e larë dhe me këpucë. Të njëjtën gjë bën, ulet aty, rri disa orë duke vështruar njerëzit dhe herë pas here këndon. Një ditë më tregoi se është duke kërkuar një burrë, po mbase mendja e saj e ka sajuar këtë.

– Çfarë e kishte burrin që kërkon?

Shitësja ngriti supet para se të merrte porosinë e dy vajzave që u afruan. Lashë paratë e ujit dhe u drejtova nga shkallët. Mbi karton lëshova një kartmonedhë pa e vështruar në sy dhe bëra të largohem. Katia mblodhi shpejt paratë, mori çantën dhe erdhi të ecte anash meje.

– Mos e ke parë Tonin?

– Jo, e dashur, nuk e kam parë. Heshta pak pastaj shtova:

– Kush është Toni?

– Vëllai im, – tha ajo dhe nxitoi para meje të ulej në një stol anës rrugës. Desha të iki, por kur u afrova aty u ndjeva shumë e lodhur. Këmbët më ishin enjtur dhe nuk e di pse doja të rrija dhe ca me Katian.

– Toni është babai im, – tha sapo u ula. – Ai thotë se unë kam zërin më të bukur në botë. Çdo natë i këndoja me zë të ulët, duke i përkëdhelur kokën që ta zinte gjumi.

– Ti këndon shumë bukur, – i thashë. Qeshi me një të qeshur si gurgullimë uji në përrua dhe iku duke tundur çantën si fëmijë. E ndoqa me sy deri sa humbi pas një pallati. Atë natë fjeta pak dhe keq. Zëri i Katias më përndoqi sa herë mbylla sytë. Të nesërmen dola përsëri deri tek stacioni, por nuk ishte aty. As shitësja nuk e kishte parë. Sa herë shkoja në stacion e kërkoja me sy, por nuk e pashë deri disa ditë para se të lindja.

Ishte fillim maji. Desha vetëm të bëj një shëtitje, por kur po afrohesha tek stacioni i dëgjova zërin. Ca nga ditët e fundit të shtatzanisë e ca nga emocioni, m’u morën mendtë e gati u rrëzova. Mblodha të gjithë fuqinë e eca ngadalë deri tek një shtyllë për t’u mbështetur. Kishte të njëtën kapelë, por një fustan tjetër të gjatë. Zëri i ëmbël deri në dhimbje më hynte thellë brenda shpirtit e më mblidhte lotë, më zinte fytin, e më përcillte një ndjenjë të madhe humbjeje pakuptuar. Kur mbaroi këngën ajo erdhi drejt meje. Në sy i ndrinin lotë. Dukej e kthjellët dhe e pastër. Më kapi për dore duke thënë:

– Shkojmë të ulemi në një stol, do të të tregoj një përrallë. E ndoqa pafolur.

– Unë isha një vajzë e lirë, soprano,  – filloi duke kryqëzuar duart mbi prehër. Kam qënë gjithnjë e vetme. Histori e gjatë, – tha duke ngritur kokën. – Derisa njoha Tonin. Ai është burri më i bukur që kam parë mbi dhé. Që kur e pashë për herë të parë e kuptova se do të ishte e vetmja familje për mua deri në fund. E kisha vëlla, shoqe, baba, motër, e kisha burrë, të dashur, shok pijeje… unë mbase isha një njeri i botës për të, por ai ishte e gjithë bota ime. E dinte sa shumë e doja, por një ditë vendosi të ikte. Ishim në Kanë. Më tha se kishte punë në Torino, por kur e përqafova në stacion e kuptova se më gënjeu. Mbeta përsëri vetëm. Më ka premtuar se një ditë do të më dërgojë një biletë të shkoj atje ku të jetë ai. E di që do e bëjë. Lotët i shndritën përsëri në sy.

– Jam lodhur, – tha pas pak duke më parë në sy.

Ngrita dorën dhe i përkëdhela faqen.

Ma puthi dorën dhe u ngrit.

– Nesër do iki përsëri në Kanë, mbase është duke më kërkuar atje.

Nuk munda të flas.

Linda pas tre ditësh. Mjekët thanë se vajza kishte vdekur disa ditë më parë. Sa herë shkoj me tim bir tek Katia jonë e vogël në varrezën e qytetit, më duket sikur dëgjoj zërin e ëmbël të një sopranoje…

Maj, 2020

Të kujtohet sigurisht-Dahlia Ravikovitch

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Të kujtohet sigurisht-Dahlia Ravikovitch

 

Kur të gjithë largohen
mbetem vetëm me poemat,
e mia,
dhe të tjerëve.
Preferoj poemat e shkruara nga të tjerët.
Qëndroj në heshtje
dhe ndihem e çliruar.
Qëndroj.
Ndonjëherë dua që të gjithë të largohen.
Të shkruash poema është ndoshta diçka e këndshme.
Ti je gjithashtu në dhomë dhe muret bëhen më të lartë.
Ngjyrat më agresive.
Një shami blu transformohet në një pus të thellë.
Ti do që të gjithë të largohen.
Nuk e di ç’po të ndodh.
Mendo më mirë diçka tjetër, dhe gjithçka do kalojë, do të jesh i qartë dhe i pastër pas dashurisë.

Narcizi ishte aq i dashuruar me pamjen e tij.
Idiot ai që nuk e kupton që donte po aq dhe lumin.
Ti mbetesh vetëm.
Zemra të dhëmb, por nuk do të thyhet.
Pak nga pak figurat fashiten,
lëndimet zhduken.
Dielli e ndan mesin e natës.
Ty të kujtohen lulet e zeza.
Do të doje të ishe i gjallë apo i vdekur, apo dikush tjetër.
Nuk ekziston vallë një vend që ti e do,
një fjalë e vetme?
Të kujtohet sigurisht.
Vetëm një idiot e imagjinon diellin të perëndojë sipas dëshirës.
Ai nxiton gjithmonë drejt perëndimit sipër ishujve.
Diell e hënë, verë e dimër, do të vijnë drejt teje.
Thesare pafund.

 

Përktheu: Ledia Kushova

DASHURIA ËSHTË NJË SËMUNDJE-Eduardo Galeano

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

EDUARDO GALEANO

Montevideo 1940 – 2015

Dashuria është një sëmundje nga më të rrezikshmet dhe më ngjitëset. Ne të sëmurëve nga dashuria, na dallon kushdo.
Sy, thellësisht të mavijosur, kallëzojnë se kurrë nuk flemë, të pagjumë natë pas nate prej përqafimeve ose prej mungesës së tyre, vuajmë prej ethesh dërrmuese dhe ndiejmë një nevojë të papërmbajtshme për të thënë marrëzira.
Dashuria mund të shfaqet, kur, ashtu rastësisht, tek supa apo tek pija, lëshon nga dora një grusht me pluhur “dashuromë”.
Dashuria mund të të zërë, ama nuk mund të parandalohet dot.
Nuk e parandalon dot uji i bekuar, nuk e parandalon as gjaku i kurbanit; as kokrra e hudhrës që s’vlen për asgjë.
Dashuria është e shurdhër ndaj Fjalës se shenjtë dhe përbetimit të shtrigave.
Nuk ka dekret qeveritar që mund ta ndalojë, as bar mjekësor që ta evitojë, edhe pse shitëset vënë tellallin nëpër tezga për barëra shëruese të garantuara e gjithçka tjetër.

Përktheu: Erion Karabolli

Patat e egra-Mary Oliver

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Patat e egra-Mary Oliver

 

Ty nuk të duhet të jesh njeri i mirë

nuk të duhet të ecësh në gjunjë

me qindra kilometra në shkretëtirë, për pendesë.

Ti vetëm duhet të lësh atë kafshën e butë brënda teje

të bëjë atë që pëlqen më shumë.

Më trego për dëshpërimin, atë tëndin, dhe unë

do të tregoj për timin.

Ndërkohe bota le të vazhdojë të rrotullohet

Ndërkohë dielli dhe guralecët e tejdukshëm të shiut

le të udhëtojnë përmbi peizazh

përmbi preritë dhe pyjet e errët,

malet dhe lumejtë.

Ndërkohë patat e egra, lart në ajrin e pastër blu

le të fluturojnë në udhën e kthimit në shtëpi.

Kushdo që je, s’ka rëndësi sesa i vetmuar je,

bota hap veten para imagjinatës tënde

të thërret të vësh re patat e egra, të serta dhe provokuese

përsëri dhe përsëri, duke të shpallur vendin tënd

midis familjes së gjërave.

 

Përktheu: Merita Paparisto

Zanafilla e romanit “Kështjella” të Kafkës/Maurice Blanchot

in Letërsi/Përkthim by

Maurice Blanchot

Do të rezervohesha të futesha sërish në glosa për të shpjeguar Kështjellën. Megjithatë duhet shënuar se, nëse të gjitha interpretimet janë të justifikuara (më shumë, ose më pak), ata mund të jenë të tillë veçse nëse mbështeten në atë nivel ku i ka vendosur metoda që përdorin, duke i mbetur asaj besnikë, pra, me fjalë të tjera, nëse tregojnë se s’mund ta bëjnë këtë. Po ashtu, mund të kërkohen të gjithë paraprijësit e veprës, të gjitha mitet që përsërit, të gjithë librat së cilëve iu referohet. Por kjo përsëritje – e vërtetë në vetvete dhe po e tillë për ne që po e lexojmë – s’mund të jetë e tillë nëse vendosim ta bëjmë të vërtetën e librit, të tillë siç e mendoi Kafka për vete këtë të vërtetë, pra, në njëfarë mënyre, si të ardhmen e tij. Në realitet, ne e dimë shumë mirë se Kafka e huazoi historinë e Kështjellës prej një romani që e kishte magjepsur në adoleshencë. Ky roman, i titulluar «Gjyshja», i shkruar nga romancierja çeke Bozena Nemcova, tregon marrëdhëniet e vështira midis Kështjellës dhe fshatit, i cili është nën varësinë e saj. Në fshat flitet çekisht, kurse në Kështjellë gjermanisht – shenja e parë e distancimit; Kështjella qeveriset prej një princeshe, një qenie shumë e dashur, por që është e pamundur t’i afrohesh; midis saj dhe fshatarëve qëndron një urdi e tërë me shërbëtorë rrenacakë, zyrtarë xhagajdhurë, burokratë hipokritë. Dhe ja një episod i thukët: një oborrtar i ri italian i qepet Christelit, vajzës së bukur të hanxhiut, dhe i bën propozime të pacipa. Christeli ndihet e humbur: babai i saj është një burrë i mirë, por i ndrojtur; e ç’mund të bënte ai kundër njerëzve të Kështjellës? Princesha është e drejtë, por vajza s’ka si ta informojë; për më tepër, ajo më së shumti është e larguar dhe askush s’e di ku ndodhet. Kësisoj, vajza fillon të ndihet fajtore, e prekur prej gabimit, i cili e kërkon dhe e lakmon. E vetmja shpresë mbeten funksionarët e tjerë, me kushtin që të arrijë t’iu zgjojë interesin. «Është e vetmja shpresë, thotë ajo. Nëse ata e pyesin atë, mund të ndodhë që ta ndihmojnë. Por shpesh ndodh vetëm ta kundrosh një çështje, pa dhënë ndihmë në zgjidhjen e saj. Thjesht sa konstaton se s’është as e mundur, as e kënaqshme, ta zgjidhësh atë. Po cili është emri i kurtizanit imoral në romanin e Nemcova-s? Këtu qëndron edhe çudia. Ai quhet Sortini. Është e dukshme se këtu kemi njëherazi edhe të dhënat e para për Kështjellën, por edhe skicën e parë të sjelljes së çuditshme të Amalisë; është e dukshme, gjithashtu, se Kafka, duke e ruajtur emrin Sortini, ka kërkuar të na ndërmendë modelin e vet. Natyrisht ndryshimi midis dy veprave është i madh. Tregimi çek është një tregim idilik: gjyshja, personazhi kryesor i librit, e prish magjinë, triumfon mbi vështirësitë, arrin gjer tek princesha, e cila vendos drejtësi dhe ujdis dëmet e të persekutuarës. Përgjithësisht ajo ia del mbanë aty ku K. dështon, duke luajtur kështu (ashtu siç vëren Max Brod-i, prej të cilit e kemi këtë informacion) rolin e rregullimit të gabimeve, rol që K. e refuzon, ngaqë ndihet i paaftë ta marrë përsipër. Mendoj se krahasimi midis të dy veprave na ndihmon të kuptojmë këtë; tek vepra e Kafkës, sajimi më vendimtar dhe më enigmatik, nuk qëndon tek Kështjella, por tek fshati. Nëse K, ashtu si gjyshja, do të ishte prej fshatit, roli i tij do të ishte i qartë, si personazh do të ishte transparent, edhe kur do të ishte i revoltuar, edhe kur do të ishte i vendosur t’iu jepte fund padrejtësive të klasës së lartë, apo kur do të kërkonte shpëtimin, i vendosur të vinte simbolikisht në provë largësinë midis botës së këtushme dhe botës së epërme. Po K. vjen prej një bote të tretë. Ajo është dyfish dhe trefish më e çuditshme: e çuditshme për çuditshmërinë e Kështjellës, për fshatin dhe për atë vetë, sepse, në mënyrë krejt të pakuptueshme, ai ka vendosur t’i ndërpresë marrëdhëniet e afërta me të, a thua është i joshur qysh më parë prej këtyre vendeve pa bukuri, i joshur përmes një kërkese për të cilën s’mund të japë shpjegime. Në këtë perspektivë do të rrekeshim të thoshim se i gjithë kuptimi i librit, dhënë tek paragrafi i parë,
qëndron tek ura e drunjtë që çonte nga rruga kryesore në fshat, mbi të cilën «K. mbeti duke vështruar përpjetë drejt asaj që dukej si zbrazëti.»

Pērktheu: Balil Gjini

UTOPIA-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

UTOPIA-Wislawa Szymborska

 

Ishulli ku më në fund gjithçka bëhet e qartë.

Truall i qëndrueshëm nën këmbët e tua.

S’ka rrugë të tjera veç atyre që shpien drejt e në shenjë.

Gjithë gëmushat përkulen nën peshën e provave.

Këtu rritet pema e Hipotezës së Saktë
me degët përjetësisht të shpleksura.

Pema e Mirëkuptimit, ndritshmërisht e thjeshtë
ngrihet pranë një kroi të quajtur Kjo Qenka!

Sa më shumë përparojmë, aq më e gjerë çelet
Lugina e Faktit.

Nëse mbijeton ndonjë dyshim, era sakaq e dëbon.

Jehona merr fjalën pa ia kërkuar kush
duke shpjeguar furishëm të fshehtat e botës.

Në të djathtë, shpella ku shtrihet Kuptimi.

Në të majtë, laguna e Bindjes së Thellë.
E vërteta ngjitet pa mundim në sipërfaqe.

Mbi luginë, Mali i Sigurive.
Nga maja e tij shtrihet pamja e Thelbit të Gjërave.

Me gjithë këto sharme, ishulli është i pabanuar.
Dhe gjurmët e hapave të vogla në breg
shkojnë pa përjashtim drejt detit.

Sikur të mos bëje gjë tjetër veçse të ikje që këtej
për t’u zhytur pa kthim në thellësitë e detit.

Në jetën e pakapshme.

 

Përktheu: Alket Çani

Fjalimi i shkrimtares Olga Tokarczuk me rastin e marrjes së Çmimit Nobel

in A(rt)ktivizëm/Feminizëm/Letërsi/Përkthim by

Olga Tokarczuk 

10 Dhjetor, 2019

Lartësia Juaj, Shkëlqesitë Tuaja, miqtë e mi laureatë,
Zonja dhe Zotërinj:

Më lejoni të ofroj falënderimet e mia më të përzemërta për Akademinë Suedeze dhe Fondacionin Nobel, për këtë nder të jashtëzakonshëm.

Para se të merrja udhën për në Stokholm, bëra çmos për të përfytyruar sesi do të ishte kjo javë speciale dhe ceremonia e Çmimit Nobel. Dhe ndala te filmi “Gruaja”. Skena ime e preferuar në film është ajo kur shkrimtari dhe gruaja e tij sapo kanë marrë telefonatën nga Akademia Nobel dhe ata hidhen lart e poshtë në shtratin e tyre si fëmijë, duke bërtitur: “Ne kemi fituar Nobelin!” Por përtej këtij rreshti, atmosfera e tregimit bëhet edhe më e errët, pasi dalëngadalë zbulohet se sekreti i suksesit të shkrimtarit është gruaja e tij – dhe se ajo është autorja e vërtetë e romanit të tij. Jo, jo, ju lutem mos u shqetësoni – Unë deklaroj solemnisht se i kam shkruar vetë të gjithë librat e mi.

Por filmi demonstron një fenomen të veçantë, që do të thotë se çmimet i trajtojnë laureatët e tyre si individë, duke u atribuar njëqind për qind të meritave atyre. Kur në fakt ka gjithmonë shumë njerëz të tjerë pas suksesit të tyre – ata që mbështesin, ndihmojnë dhe frymëzojnë.

Kështu që falënderimet e mia shkojnë për të gjithë ata që janë kujdesur për mua gjatë kohës që shkruaja, të cilët kanë bërë hulumtimin, kanë redaktuar tekstet dhe që më kanë përkrahur kur rrugëtimi bëhej i vështirë.

Njerëzit që kishin mendime të ndryshme nga të miat dhe kurrë nuk hezituan t’i thoshin ato. Dhe për ata që lehtësuan me vajra qetësues pjesën e prapme të qafës sime të ngurtësuar.

Unë gjithashtu u kam borxh shumë përkthyesve të mi. Ata do të vazhdojnë të jenë lexuesit më të vëmendshëm të gjithçkaje që unë shkruaj, ata do kapin çdo mospërputhje të vogël dhe do fillojnë të bëjnë shumë bujë për çdo gabim që bëj.

Unë jam gjithashtu e nderuar që e marr këtë çmim së bashku me përfaqësuesit më të shquar të botës të shkencës. Ne mendojmë se ka një hendek të pafund, që ndan shkencëtarët dhe artistët, por thjesht nuk është e vërtetë. Unë i konsideroj disiplinat eksploruese, ato të ndryshmet nga e imja, se janë një burim jashtëzakonisht frymëzues i ideve më të mira.

Dhe në fund: Sot bëhen saktësisht njëqind e dhjetë vjet që kur gruaja e parë fitoi Çmimin Nobel në Letërsi – Selma Lagerlöf. I përkulem asaj përgjatë kohës dhe të gjitha grave të tjera, të gjitha krijueseve femra që tejkaluan me guxim rolet kufizuese që u impononte shoqëria, dhe patën guximin t’i tregonin botës me zë të lartë dhe të qartë historinë e tyre. Unë i ndiej ato teksa qëndrojnë prapa meje. Ne me të vërtetë e kemi fituar Nobelin!

Përktheu: Arlinda Guma

Kur ikëm-Edvin Thomollari

in Letërsi/Përkthim by

Kur ikëm-Edvin Thomollari

Kur ikëm,
Lamë korridoret me erë kanelle
Dhe jastëkët me përralla.
Lamë festën e Shën Mërisë
Dhe gurin e kripës,
Lamë fundin e gushtit
Dhe shumë stinë të tjera.
Lamë hijen e lajthive
Dhe qershitë e qershorit.
Lamë copën e qiellit
Me gjithë yjet dhe manushaqet pa erë.
Lamë malin, malet nuk ikin.
Kur u kthyem,
Gjetëm malin, malet nuk ikin.
Gjetëm murin e rënë të shtëpisë
Dhe arrën e madhe me hijen e saj.
Gjetëm bredhin e gjatë të rrëzuar nga frika
Dhe rrufetë që ai kurrë nuk i tërhoqi.
Gjetëm blirin e pambledhur
Dhe manat e pjekur të rënë në tokë.
Gjetëm shenjtorët brenda kishës
Dhe partizanët në gurin e lapidarit.
Në fund gjetëm dhe një burrë që qante
Se nuk kishte më frymë për klarinetën e tij.
Ikëm prapë.

VETMI-PEDRO DE MIGUEL

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

PEDRO DE MIGUEL

Spanjë, 1956- 2007

Ia hoqa një fill të kuq, si një nepërkëz, që kishte në supin e xhaketës. Buzëqeshi, zgjati dorën dhe e mori nga dora ime.
– Faleminderit shumë! – më tha. – Jeni shumë i sjellshëm. Nga ju kemi?
Dhe ia nisëm një bisede zbavitëse, plot dredha dhe gazmore ekzotike, sepse të dy paskëshim udhëtuar e vuajtur shumë. Shpejt u ndava me të, duke i premtuar se do ta takoja, nëse do ta shikoja herë tjetër, dhe, nëse do të donte, mund të pinim një kafe e të vazhdonim bisedën.
Nuk di pse e ktheva kokën, pasi bëra nja dy hapa, dhe pashë se, gjithë kujdes, po e vendoste përsëri fillin e kuq mbi supin e xhaketës. Pa dyshim, që të mund të kapte një viktimë tjetër dhe të mbushte kështu, për disa minuta, pusin e thellë të vetmisë së tij.

Përktheu: Bajram Karabolli

ELEGJI-Jorge Luis Borges

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

ELEGJI-Jorge Luis Borges

O fat i Borgesit!

Të kesh lundruar në detet e ndryshëm të botës,

apo në të vetmin det vetmitar me emra të ndryshëm,

të kesh qenë pjesë e Edinburgut, Zyrihut, dy Kordovave,

e Kolumbisë dhe Teksasit,

të jesh kthyer, përmes lojës së ndërrimit të breznive,

në tokat e lashta të racës sate:

Andaluzi, Portugali dhe në ato vise

ku lufta trazoi gjakun e saksonit dhe danezit,

të kesh bredhur në labirintin e kuq e të qetë të Londrës,

të jesh plakur brenda kaq e kaq pasqyrash,

të kesh këqyrur më kot vështrimin e mermertë të statujave,

të kesh shqyrtuar litografi, enciklopedi, atlase,

të kesh parë gjërat që shohin njerëzit,

vdekjen, agun e vështirë, fushën

dhe yjet e brishtë,

dhe të mos kesh parë asgjë a pothuajse asgjë

veç fytyrës së një vajze nga Buenos Ajresi,

një fytyrë që nuk ka dëshirë ta kujtosh.

O fat i Borgesit,

ndoshta jo më i huaj se fati yt.

Përktheu: Alket Çani

1 112 113 114 115 116 190
Go to Top