Author

Admin - page 115

Admin has 1899 articles published.

Fragment nga libri “Asgjë s’është e vërtetë dhe çdo gjë është e mundur”/Peter Pomerantsev

in A(rt)ktivizëm by

Peter Pomerantsev

Fragment

Në cep të Pakrovkës, tri gra në moshë, që duket sikur janë mësuese apo mjeke, patrullojnë një bllok apartamentesh të stilit art-nouveau, rrethuar nga labradorët e tyre. Ato reagojnë me agresivitet kur ne afrohemi, pastaj çlirohen dhe përshëndesin Mozhajevin, të cilin e njohin. Këto banda të vogla vigjilentësh janë bërë të zakonshme në Moskë. Ato nuk janë aty për t’u mbrojtur nga hajdutët, por nga ndërtuesit, të cilët dërgojnë banditë për t’u vënë flakën ndërtesave dhe pastaj përdorin zjarrin si justifikim për të përzënë pronarët, duke pretenduar se shtëpitë janë rrezik zjarri. Motivimi është i madh; çmimet e pronave u rritën me mbi 400 për qind në dekadën e parë pas vitit 2000. Kështu që këto zjarre janë bërë të zakonshme në Moskë. Moskovitët tashmë e kanë bërë zakon të bëjnë roje te ndërtesat e tyre natën; banda me mjekë, mësues, gjyshe dhe gra shtëpiake, shikojnë ngultazi çdo kalimtar, a thua se të gjithë janë zjarrvënës. Është pa kuptim të thuash se ata duhet të marrin në telefon policinë; grupi më i madh i ndërtuesve janë miq dhe kushërinj të kryebashkiakut dhe anëtarë të qeverisë. Gruaja e kryebashkiakut është më e madhja prej tyre. Klasa e mesme ruse, e cila është pothuajse mitike, papritur ka zbuluar se nuk ka të drejta reale mbi pronën e vet dhe mund të nxirret jashtë dhe t’i vihet shkelmi si të ishte bujkrob në kohën e feudalëve.

Ne ndjekim Mozhajevin, ndërsa ai ngjitet te mbeturinat e një rezidence të rrënuar prej druri, e cila u dogj së fundmi nga një nga këto zjarret misterioze. Në pallat dëbora ka mbuluar trarët e djegur të çatisë dhe dhomat, ndërsa letra e murit që është në ngjyrë të kaltër qielli dhe mbetjet e një vatre jashtë janë mbuluar nga akulli. Mes të çarave në dyshemenë poshtë këmbëve tona, ne shohim endacakë që po flenë në bodrum. Mozhajevi gjen një ditar të vjetër nga njerëzit që dikur jetuan këtu. Ai fillon të tregojë historinë e ndërtesës dhe ata që jetuan këtu e çfarë pune bënin. Audienca e tij e vogël dëgjon me vëmendje. Ka diçka pothuajse haluçinante te kjo rrëfenjë; çatia e shtëpisë duket sikur rikthehet në vend dhe zjarri ndizet sërish në vatër, ndërsa ne dëgjojmë këmbët e aristokracisë së humbur dhe bisedat e vogla të shërbëtorëve të tyre, dhe pastaj sesi shtëpia u rrëmbye nga komunistët më 1917, dëgjojmë të shtënat e ekzekutimit të pronarëve të vjetër dhe shohim se si pallati i vogël kthehet në shtëpi komunale – në të cilën të gjithë u arrestuan gjatë terrorit të Stalinit – e më pas bëhet spital i vogël gjatë luftës. “Muret e vjetër dhe dyert dinë diçka që ne nuk arrijmë ta kuptojmë”, shkroi Mozhajevi në një nga esetë e tij, “natyrën e vërtetë të kohës. Drama e jetëve njerëzore është shkruar në ndërtesa. Ne të gjithë do të vdesim; vetëm vendet mbeten”.

“Mozhajevi është kujtesa e qytetit”, më thotë një vajzë me bishtalecë portokalli, kur e pyes se çfarë e shtyu të vinte. “Më herët nuk ia kisha idenë qytetit në të cilin jam rritur”.

Por Rusia ka probleme me kujtimet e saj. Nuk ka asnjë ndërtesë në të cilën të mos ketë pasur ndonjë skenë me skuadra pushkatimi, vrasje masive, tradhëti. Oborret më simpatike zbulojnë sekretet më të tmerrshme. Në cep të Potapofskajas është një bllok me apartamente, ku secila prej familjeve pati së paku një anëtar të arrestuar gjatë terrorit të Stalinit. Në bodrumin e asaj që tashmë është një qendër tregtare krejt e re, ishte dikur një gjykatë, ku një i pafajshëm pas tjetrit u dënuan me punë të detyruar, ku gjykatat punonin aq shpejt sa mund të kalonin dy çështje brenda një minute.

“Çdo regjim i ri rindërton të shkuarën në mënyrë radikale”, thotë Mozhajevi, ndërsa ne kthehemi drejt rrugës Barrikadnaja. “Lenini dhe Trocki gërryen kujtesën e carëve, Stalini gërreu kujtesën e Trockit, Hrushovi të Stalinit, Brezhnjevi të Hrushovit; Perestrojka u përpoq të spastronte një shekull të tërë komunist… dhe çdo herë që heronjtë kthehen në keqbërës, shpëtimtarët rishkruhen si djaj, emrat e rrugëve ndryshohen, fytyrat retushohen në fotografi, enciklopeditë riredaktohen. Dhe kështu çdo regjim shkatërron dhe rindërton qytetin e mëparshëm”.

Në cep të rrugës Barrikadnaja, një shtëpi e vogël barok shtyhet jashtë nga një bllok apartamentesh konstruktivist i viteve 1920, i cili nga ana e tij dominohet nga një qiellgërvishtës i epokës së Stalinit, që tashmë ka rënë nën hijen e tullave të errëta me shkëlqim të një qendre tregtare të stërmadhe me kupola, që i ngjan tendave dhe ushtave të një kampi beteje mongolez. Dhe të gjitha këto ndërtesa duket sikur shtyjnë dhe godasin njëra-tjetrën për ta nxjerrë nga vendi. Nëse zona të Londrës apo Parisit ndërtohen në një stil të ngjashëm – në kërkim të ndonjë lloji harmonie, kujtese, identiteti, këtu secila ndërtesë duket si vulë neverie ndaj të mëparshmes, ashtu si çdo regjim diskretiton të mëparshmin.

Sa herë që kultura ruse e shekullit të njëzetë e një kërkon për një themel, mbi të cilin të mund të ndërtojë veten të shëndetshme dhe të lumtur, ajo zbulon se dyshemeja zhduket dhe e varros atë në dhè dhe gjak. Kur kanalet e Ostankinos nisin versionin rus të spektaklit televiziv britanik Britanikët, rititulluar Emri i Rusisë, ai synohej të bëhej drejtpërsëdrejti një projekt PiaRi për të fuqizuar patriotizmin në vend. Audiencat nga të katërta anët e kombit duhet të votojnë për heronjtë më të mëdhenj të Rusisë. Por, ndërsa vendi fillon të shikojë pas te modelet frymëzuese; baballarët themelues, rezulton se secili prej kandidatëve është një tiran: Ivani i Tmerrshëm, themelues i vërtetë i Rusisë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë dhe cari i parë: Pjetri i Madh, Lenini, Stalini. Vendi duket i ngrirë para adhurimit të udhëheqësve abuzivë. Kur votimi popullor mbërrin te Emri i Rusisë, producentët vihen në siklet kur shohin sesi Stalini del fitimtar. Atyre u duhet të manipulojnë rezultatin e votimit, në mënyrë që Aleksandër Nevski, një mbret luftëtar thuajse mitik i mesjetës, që besohet se ka lindur diku rreth vitit 1220, mund të shpallet fitimtar. Ai ka lindur aq kohë më parë, kur Rusia ishte ende një koloni e perandorisë Mongole, mes shekujve të trembëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë, sa duket një zgjidhje neutrale. Rusia duhet të shkojë pas deri përtej historisë së vet si shtet, për të gjetur një figurë atërore. Por megjithëse kjo nuk u përmend kurrë në program, ato pak gjëra që dihen nga karriera e tij, tregojnë se Nevski bëri emër duke mbledhur taksa dhe duke mposhtur e vrarë princër të tjerë rebelë rusë për kryezotin e tij mongol.

Si mund të ndërtosh një histori të përbërë nga vetëmasakrime dhe tradhëti të pafundme? E mohon? E harron? Por pas kësaj ti mbetesh jetim. Kështu historia rishkruhet për t’i shërbyer të tashmes. Ndërsa residenti kërkon një mënyrë për të vleftësuar autoritarizmin e vet, Stalini lavdërohet si udhëheqës i madh, i cili fitoi luftën për Bashkimin Sovjetik. Në TV përpjekjet e para për të eksploruar të shkuarën, dramatizimet e bëra me kujdes mbi Terrorin e Stalinit të viteve 1930, hiqen nga transmetimi dhe zëvendësohen me lavde për Luftën e Dytë Botërore. (Por, ndërsa është fitorja e Stalinit ajo që festohet publikisht dhe me zhurmë, rikthimi i tij në heshtje ringre dhe frikëra të vjetra; Stalini është kthyer! Duhet të kesh frikë!)

Arkitektura reflekton këto agoni. Qyteti përpëlitet ndërsa Rusia e shekullit të njëzet e një kërkon, pastaj ikën me vrap, rikthehet, mohon dhe rishpik veten.

“Moska është qyteti i vetëm ku ndërtesat e vjetra rrëzohen”, vijon Mozhajevi, “dhe pastaj rindërtohen sërish si replika të vetes, me linja të drejta, pleksiglas, xham i dyfishtë”.

Hotel Moskva përballë Kremlinit, një gur varri i zymtë i epokës së Stalinit, fillimisht shkallmohet dhe më tej, pas shumë debatesh mbi atë se çfarë duhet ta zëvendësojë, rindërtohet në një version të vetes me ngjyra lehtësisht më të ndezura. Dhe ky do të jetë edhe fati i Gnezdnikovskit, shkatërruar dhe më pas rindërtuar për të bërë restorante në stilin e Carit në butafori, ku kamarierët flasin rusishte të pararevolucionit, menutë ofrojnë pelmeni kotoletë me tru, ndërsa turistët kënaqen shumë pasi po takojnë “Rusinë e vërtetë”. Dhe kështu shëtitjet e Mozhajevit janë bërë më shumë sesa vetëm mbi arkitekturën dhe tregojnë për mënyrën sesi qeveriset e gjithë shoqëria. Revistat e modës në Moskë, të cilat nuk guxojnë kurrë të prekin politikën e madhe, shkruajnë për politikën urbane si një metaforë: “Na ktheni pas qytetin tonë”, shkruajnë ato, a thua se po shprehin një pakënaqësi shumë të madhe.

Këmbanat po bien. Mozhajevi ndalon dhe thotë një lutje të shkurtër. Ai është ortodoks; gjithmonë thotë një falënderim fetar para çdo gllënjke. Ai na dërgon te një kishë. Ka një turmë përreth hyrjes, që të gjithë duke mbajtur një qiri që reflektohet në dëborë, i cili e bën këtë cep të rrugës të duket sikur është pikturuar me ar. Nga brenda lutjet vijnë të trasha, pothuajse si këngë budiste, ka një erë të fortë të temjanit dhe njerëzit po mblidhen përreth ikonave duke ndezur qirinj. Zemra jote nuk bën dot ndryshe veçse gufon, ndërsa lëkura të bëhet me kokrra. Ka diçka shumë të vërtetë në pretentimin e ortodoksëve se versioni i tyre i besimit është më pranë origjinalit, më pak racional dhe më shumë emocional dhe eksperimental. Çdo gjë të ngjeshet, të kënduarit, njerëzit, drita, që të gjitha të shtyjnë drejt ikonës. Dhe duke qenë, në fund të fundit, dikush që punon në televizion, unë e vërej sesi eksperienca ndjek logjikën emocionale dhe vizuale të profesionit tim; ti shikon thellë te ikona e Krishtit duke vuajtur, duke identifikuar eksperiencën tënde me të tijën, ashtu si shikuesi i televizionit apo i një filmi identifikon veten me heroin që i shfaqet në ekran. Dhe unë mbaj mend diçka që dikur më ka treguar artisti emigrant rus, Ticali Komar, se gjenialiteti i prezantimit të Krishtit si heroi kryesor i një drame hyjnore, ishte hera e parë kur një shikues kishte një Zot me të cilin mund të identifikonte me të vërtetë veten.

“Krishti është pararendësi i Çaplinit dhe i të gjithë heronjve të tjerë të mëdhenj të kinemasë dhe televizionit”, tha Komar. “Para Krishtit, të gjitha zotat ishin ose perfekte, aspirante të Apollos ose të padukshme; por ky këtu është i dobët dhe i varfër. Njësoj si ti”. (Në pikturat e tij, Komari fillimisht satirizoi ikonografinë sovjetike me përshkrime të Stalinit, të mbivendosura mbi muza greke dhe më pas, pasi emigroi, kërkoi për një simbolizëm të ri hyjnor.)

Dhe ndërsa ti qëndron në kishë, duke zbuluar te imazhi i Krishtit duke vuajtur, pasqyrën ngushëlluese të dështimeve të tua, kthen kokën dhe sheh imazhin e një foshnje të sapolindur  dhe të nënës së tij, e emicionet e tua zhvendosen nga ato të një humbamenoje të ngushëlluar, te një nisje e re plot mundësi.

Shëtitja e Mozhajevit vijon, nëpër bulevardet e përqafuar nga dëbora dhe pranë ndërtesave të mbluara me një tis të trashë të jeshiltë; kjo është shenja se ato janë pranë shkatërrimit. Dhe përgjatë të gjithë rrugës, Mozhajevi është duke folur dhe pirë gllënjka të mëdha, duke rigjallëruar rrugicat e ngushta dhe shtëpitë, aq sa ato duket se po bashkohen me fantazma. Ka diçka mistike në këtë psiko-gjeografinë e tij, këtë kërkim të tij mbi Moskën e Vjetër të Shenjtë, një qytet që në të vërtetë nuk ekziston, një kërkim për diçka imagjinare më të mirë.

Pasi nata ka mbërritur me forcë, Mozhajevi dhe unë kthehemi pas, drejt Gnezdnikovskit. Ekskavatorët kanë rënë në heshtje. Mozhajevi ndalon për të hequr shtresën e sipërme të dëborës. Nën dritën e një llambe mund të shohësh sesi shtresa e mëparshme është ngjyrë tulle të kuqe nga pluhuri i shembjeve të ditës së mëparshme: “Kur ne të mbërrijmë te barrikadat”, bën shaka Mozhajevi, “kjo do të jetë ngjyra e gjakut tonë”.

Shëtitjes i ka ardhur fundi. Ne ndahemi dhe Mozhajevi kap një taksi të vjetëruar për në shtëpi. Unë kisha hamendësuar gjithmonë se ai jetonte diku nëpër rrugicat e Moskës së Vjetër. Në vend të kësaj makina e dërgon atë thellë në lagjet e periferisë. Në radion e taksisë luhet Shanson.. Ai na shpie shumë larg magjisë së Mozhajevlandit, përtej hordhive të blloqeve katrore të apartamenteve, drejtpërsëdrejti te MKAD, unaza e fundit dhe më e largët e Moskës.

Pallati i pamirëmbajtur njëzet-katësh i Mozhajevit, i ndërtuar në vitet 1980, bie drejtpërsëdrejti në unazë. Ashensori nuk punon dhe ai ngjit shkallët duke kaluar grafitët e rrjepur dhe kanaçet përplot me bishta cigaresh. Ngjitja e shkallëve të bën esëll. Ai gulçon. Shtëpia e tij u shkatërrua disa vjet më parë, e u zëvendësua me pallate. Ai tashmë është një emigrant në qytetin e vet.

Përktheu: Gjergj Erebara

E gjeni te Shtëpia e Librit

https://www.shtepiaelibrit.com/store/sq/

Unë dua të gjej rima në Tiranë-Edvin Thomollari

in Letërsi/Tharm by

Unë dua të gjej rima në Tiranë-Edvin Thomollari

 

Unë dua të gjej rima në Tiranë.

Me rimat të thur shporta për mollë.

Mollë të kuqe dhe me nishane.

Nishane që kanë edhe njerëzit.

Njerëzit që janë josimetrikë.

Josimetrikë si mollët e tokës.

Toka që është njësoj për të gjithë.

Të gjithë që panë horizontin.

Horizontin e detit ku ndalen fotonet.

Fotonet që janë edhe grimca, edhe valë.

Valët që s’dimë, por që fillojnë diku.

Diku që është ndajfolje rrethane.

Rrethanat që janë jashtë meje.

Unë që (s)gjej rima në Tiranë.

Në Tiranën që je dhe ti.

Fjalimi i shkrimtarit Thomas Mann, me rastin e marrjes së Çmimit Nobel

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Përkthim by

Thomas Mann

Stockholm, 10 Dhjetor, 1929

Tani është radha ime për t’ju falënderuar dhe nuk është e nevojshme t’ju tregoj se me sa padurim e kam pritur. Por mjerisht, në këtë çast të së vërtetës kam frikë se fjalët do dështojnë ta shprehin atë që ndiej, siç ndodh shpesh me jo-oratorët e lindur.
Të gjithë shkrimtarët i përkasin klasës së jo-oratorëve. Shkrimtari dhe oratori nuk janë vetëm të ndryshëm, por ata janë edhe në kundërshti, sepse puna e tyre dhe arritja e efekteve të tyre ndjek mënyra të ndryshme. Në veçanti, shkrimtari i përkushtuar është instiktivisht i zmbrapsur, nga një këndvështrim letrar, nga karakteri i improvizuar dhe jopërfshirës i të gjithë fjalimeve, po aq sa nga ai parimi i ekonomisë i cili lë boshllëqe të shumta dhe vërtet vendimtare, që duhet të plotësohen nga efektet e personalitetit të folësit. Por çështja ime është e ndërlikuar nga vështirësitë e përkohshme që praktikisht kanë paracaktuar oratorinë time të improvizuar.

Po u referohem natyrisht rrethanave në të cilat unë jam vënë nga ju, zotërinj të Akademisë Suedeze, rrethana konfuzioni dhe ekzaltimi të mrekullueshëm. Me të vërtetë, nuk e kisha idenë e nderimeve kaq të stuhishme, dhuruar nga ana juaj! Unë kam një natyrë epike, e jo dramatike. Prirjet dhe dëshirat e mia kërkojnë paqe për të endur fijen dhe një ritëm të qëndrueshëm në jetë dhe në art. Nuk është çudi që fishekzjarret dramatikë që janë hedhur nga Veriu nën këtë ritëm të qëndrueshëm, të kenë zvogëluar aftësitë e mia retorike, madje edhe nën limitet e tyre të zakonshme.

Që kur Akademia Suedeze bëri publike vendimin e saj, unë kam jetuar në një intoksikim festiv, një trullosje magjepsëse dhe nuk mund t’i ilustroj pasojat e saj në mendjen dhe shpirtin tim më mirë se duke iu drejtuar një poezie dashurie të bukur dhe kërshërindjellëse nga Goethe. I drejtohet vetë Cupidit dhe vargu që kam në mendje vazhdon: «Du hast mir mein Gerät verstellt dhe verschoben.» (M’i ke çmontuar pjesët e m’i ke shitur nën dorë.) Në këtë mënyrë Çmimi Nobel ka shkaktuar një konfuzion dramatik midis gjërave në vatrën time epike, dhe me siguri nuk jam duke u mburrur nëse krahasoj efektet e Çmimit Nobel tek unë, me ato ku pasioni funksionon në një jetë njerëzore të mirë-organizuar.
E megjithatë, sa e vështirë është për një artist të pranojë pa mëdyshje nderime të tilla, siç janë tani këto që më kushtohen mua! A ka ndonjë artist të denjë dhe vetëkritik që nuk do të kishte ndërgjegje të parehatshme në lidhje me to? Vetëm një këndvështrim tejpersonal, tejindividual do ndihmonte në një dilemë të tillë. Gjithmonë është më mirë ta heqësh qafe individin, veçanërisht në një rast të tillë. Goethe tha dikur me krenari, “Vetëm rrufjanët janë modestë.” Dhe kjo është aq shumë fjala e një zotërie të madh që deshi të shkëputet nga morali i lakenjve dhe hipokritëve.
Por, zonja dhe zotërinj, vështirë se është e gjithë e vërteta. Ka mençuri dhe inteligjencë në modesti dhe do të ishte një budalla pa mend, ai i cili do të gjente një burim mendjemadhësie dhe arrogance në nderime të tilla si këto që më janë dhuruar. Unë bëj mirë që këtë çmim ndërkombëtar i cili m’u dha përmes disa shanseve, ta vë në këmbët e vendit dhe të popullit tim, të këtij vendi dhe të atyre njerëzve, ndaj të të cilëve shkrimtarët si unë sot ndihen më afër seç ishin në zenitin e perandorisë së tij të rreptë
Pas shumë vitesh, çmimi ndërkombëtar i Stokholmit i është akorduar edhe një herë mendjes dhe prozës gjermane në veçanti, dhe ju mund ta keni të vështirë të vlerësoni ndjeshmërinë me të cilën pranohen shenja të tilla simpatie botërore në vendin tim të plagosur dhe shpesh të keqkuptuar .
Mund të supozoj ta interpretoj më ngushtë kuptimin e kësaj simpatie? Arritjet intelektuale dhe artistike gjermane gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit nuk kanë ndodhur në kushte të favorshme për trupin dhe shpirtin. Asnjë punë nuk pati shansin të rritet dhe të piqet në një siguri të rehatshme, por artit dhe intelektit iu është dashur të ekzistojnë në kushte intensive dhe përgjithësisht problematike, në kushte mjerimi, trazirash dhe vuajtjesh, një kaos gati lindor dhe rus pasionesh, në të cilin mendja gjermane ka ruajtur parimin evropian perëndimor të dinjitetit të formës.
Për evropianin, forma është një pikë nderi, a nuk është kështu? Unë nuk jam katolik, zonja dhe zotërinj; tradita ime është si ajo e të gjithë juve; Unë mbështes menjëhershmërinë protestane ndaj Zotit. Sidoqoftë, unë kam një shenjt të preferuar. Do t’jua tregoj emrin e tij. Ai është Shën Sebastiani, ai i riu në kulm te rinisë, shpuar nga shpatat dhe shigjetat nga të gjitha anët, që buzëqesh mes agonisë së tij. Hijeshia në vuajtje: ky është heroizmi i simbolizuar nga Shën Sebastiani
Imazhi mund të jetë i guximshëm, por unë tundohem ta pretendoj këtë heroizëm për mendjen dhe për artin gjerman, dhe të supozoj se nderimi ndërkombëtar kundrejt arritjes letrare të Gjermanisë u dha me këtë heroizëm sublim në mendje. Përmes poezisë së saj Gjermania ka shfaqur hijeshinë në vuajtje. Ajo e ka ruajtur nderin e saj, politikisht duke mos iu dhënë anarkisë së pikëllimit, por duke e mbajtur unitetin e saj; shpirtërisht duke bashkuar parimin lindor të vuajtjes me parimin perëndimor të formës – duke krijuar bukuri nga vuajtja. Më lejoni që në fund të bëhem vetjak.
Unë u kam thënë madje edhe delegatëve të parë që erdhën tek unë pas vendimit, sesa i prekur dhe sesa i kënaqur isha të merrja një nderim të tillë nga Veriu, nga ajo sferë skandinave, me të cilën si bir i Lübeck-ut, që nga fëmijëria, kam qenë i lidhur nga kaq shumë ngjashmëri në mënyrat tona të jetesës, dhe si shkrimtar nga aq shumë simpati letrare dhe admirim për mendimin dhe atmosferën e veriore.
Kur isha i ri, unë shkrova një tregim që të rinjtë e pëlqejnë ende: Tonio Kröger. Bëhet fjalë për Jugun dhe Veriun dhe përzierjen e tyre në një person, një përzierje problematike dhe produktive. Jugu në atë histori është thelbi i aventurës sensuale, intelektuale, thelbi i pasionit të ftohtë të artit. Veriu, nga ana tjetër, ka vlerë për zemrën, shtëpinë borgjeze, emocionin thellësisht të rrënjosur dhe humanizmin intim.
Tani kjo shtëpi e zemrës, Veriu, më mirëpret dhe më mbështjell në një ceremoni të shkëlqyer. Është një ditë e bukur dhe domethënëse në jetën time, një festë e vërtetë e jetës, një “högtidsdag”, siç e quan gjuha suedeze çdo ditë të gëzimit. Më lejoni ta lidh kërkesën time të fundit me këtë fjalë kaq të huazuar nga Suedishtja: Le të bashkohemi, zonja dhe zotërinj, në mirënjohje dhe urime për Fondacionin, aq të dobishëm dhe të rëndësishëm në mbarë botën, të cilit i detyrohemi për këtë mbrëmje madhështore.
Sipas zakoneve të mira suedeze, bashkohuni me mua në një Urra për Fondacionin Nobel!
_____
Para fjalimit, profesori J. E. Johansson bëri komentet e mëposhtme:
«Thomas Mann ka përshkruar fenomene të cilat janë të arritshme për ne pa ndihmën e modeleve të elektroneve dhe atomeve. Investigimet e tij kanë të bëjnë me natyrën njerëzore ashtu siç ne kemi mësuar ta njohim atë nën dritën e ndërgjegjes. Kështu fusha e tij është shumë shekuj e vjetër; por Thomas Mann ka treguar se nuk ofron më pak probleme të reja me interes të madh sot. Unë mendoj që ai nuk ndihet i huaj në një grup, ku, siç bëri Alfred Nobel, të gjithë e nderojnë përpjekjen njerëzore për studimin e marrëdhënieve midis fenomeneve, si bazë të të gjithë civilizimit, dhe unë jam plotësisht i sigurt se ai nuk do të ndihet si alien në një vend kaq pranë tij.»

Përktheu: Arlinda Guma 

TË MJERAT DELE-JORGE BUCAY

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

JORGE BUCAY
(Buenos Aires, 1949)

Na ishte një familje blegtorësh. Ata kishin një kope me dhen që i mbanin të gjitha bashkë të futura në një vathë. I ruanin, i kullosnin, kujdeseshin për to dhe i milnin. Herë pas here dhentë tentonin të dilnin nga vatha dhe të iknin. Atëherë, dilte, kryebariu, çobani më i vjetër, dhe u thoshte dhenve:
– Dëgjoni o dhen të pandërgjegjshme dhe mendjemëdha. Ju nuk e dini se vendi këtu është plot me rreziqe për ju. Vetëm këtu në vathë apo edhe jashtë vathës, por gjithmonë nën kujdesin tonë, ju do të keni ujë, ushqim dhe, mbi të gjitha mbrojtje që të mos ju hanë ujqit.
Përgjithësisht, kjo mjaftonte për t’i frenuar dhentë nga “ëndja e lirisë”. Një ditë lindi një qengj që ndryshonte nga kopeja, le të themi i zi. Dhe u rrit e u bë një dele e zezë. Kjo ishte shpirt-rebele dhe i nxiste shoqet të iknin nëpër livadhe dhe të gëzonin lirinë. Kontrollet dhe fjalët e bariut mjekërbardhë për t’i bindur dhentë për rrezikun e jashtëm, bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Megjithatë, dhentë bëheshin më xanxare dhe, sa herë që dilnin nga vatha për të kullotur, çobanët mundoheshin shumë për t’i mbledhur e për t’i bërë bashkë si kope.
Një natë, delja e zezë i bindi shoqet që të çanin vathën dhe t’ia mbathnin. Barinjtë nuk i vunë re. Vetëm kur u gdhi, panë që vatha qe prishur dhe kishte mbetur e zbrazët. Atëherë, ata shkuan te kryebariu, që ishte edhe kryetari i familjes dhe, duke qarë, i thanë:
– Kanë ikur, kanë ikur.
– Të mjerat ato…
– Si do bëjnë për të ngrënë?
– Po ujë kush do t’u japë?
– Po nga ujku kush do t’i mbrojë?
– Të shkretat ato, si do t’ia dalin pa ne?
Kryebariu u koll, thithi çibukun fort dhe tha:
– Vërtet, si do të bëjnë ato pa ne? Ama, më e keqja është se si do të bëjmë ne pa ato?!

Përktheu: Bajram Karabolli

Vjen në shqip libri “Asgjë s’është e vërtetë dhe çdo gjë është e mundur”/Peter Pomerantsev

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Në kohërat e kolerës/Tirana Review by

Mirësevini brenda zemrës surreale të diktaturës së shekullit të njëzetë e një.

Libri Asgjë s’është e vërtetë dhe çdo gjë është e mundur fillon si një libër hokatar, përshkruan ngjarje thellësisht ironike dhe përfundon në një libër neurotik. Ai na paraqet një botë shumë të ngjashme me Shqipërinë dhe përmes shembujve dhe vëzhgimeve të mprehta na mëson teknikat që përdorin teknologët politikë, që ushqehen nga korrupsioni dhe grabitja e pronës publike në shkallë të paimagjinueshme, për ta mbajtur popullin të nënshtruar, të hutuar, të lodhur apo nën një ndjesi të rreme pasigurie, në të cilën, vetëm një diktator i ndritur është në gjendje të ofrojë siguri.

Shtëpia e Librit

Zbulimi i këtij libri nisi nga një bisedë mes disa europiano-lindorëve, të cilët po shpjegonin situatat në vendet e tyre, shpëlarjen e trurit të popullsisë nga një përzierje helmuese e lajmeve soft-porno të llojit Nuk do ta besoni se çfarë i ndodhi modeles së famshme ndërsa bënte selfie në dush, me deklarata politikanësh, të transmetuara të plota, pa kontekst e pa reflektim gazetaresk, pa vlerësim të përmbajtjes së deklaratës dhe pa shtruar pyetjen nëse ajo mbart ndonjë informacion që ia vlen t’i kalohet publikut (deklarata për të cilat gazetarët shqiptarë kanë krijuar termin “silazh”) dhe me bjerrjen e aftësisë së popullsisë për t’u skandalizuar nga skandalet.

Peter Pomerantsev është fëmija i dy refugjatëve rusë, që u arratisën nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1970 për të jetuar në Londër. I joshur nga ideja e një vendi që po përjetonte ndryshime drastike, Pomerantsev vendos të bëjë të kundërtën, të kthehet në Rusinë e vitit 2000 për të kërkuar fatin në një varietet punësh; nga ekspert për ndërkombëtarët – te ndihmës për ekipe gazetarësh perëndimorë në kërkim të gjërave të çuditshme nga fundi i botës – te puna si producent në emisione nga më të larmishmet nëpër televizionet kryesore të këtij vendi.

Pomerantsev fillon të na përshkruajë një dekadë punë në Rusi, duke depërtuar në shoqërinë ruse nga këndvështrime të ndryshme, nga bota e tetëmbëdhjetë vjeçareve që gjejnë dashnorë pasunarët e rinj dhe që recitojnë Pushkinin si pjesë e recetës së joshjes, te gangsterë nga Siberia që vendosin të shkruajnë libra dhe të xhirojnë filma mbi bëmat e tyre. Por ndërsa vitet e tij në Rusi kalojnë, Pomerantsev fillon të vërejë se edhe Rusia po ndryshon, dhe jo për mirë.

Turma vajzash të panumërta, që përleshen me njëra-tjetrën për të kapur vëmendjen e pak personave të bërë milionerë brenda natës dhe një industri e tërë e krijuar për ta ndërmjetësuar procesin.

Pará nafte, korrupsion dhe oligarkë që vrasin shansin për një shtet të së drejtës dhe krijojnë një vend të keq për të jetuar. Një popullsi që ushqehet me një recetë të bollshme propagande dhe dizinformimi, të përzier me emisione cilësore, art modern, spektakle banale dhe një botë teknologësh politikë, që janë në gjendje të krijojnë një realitet joekzistues përmes kontrollit të televizioneve.

Nis fillimisht si një libër argëtues. Ka shumë për të qeshur nga situatat me gangsterë që bëhen regjisorë filmash dhe që paguajnë shkrimtarë dytësorë për libra aventureskë mbi veten apo nga trafikantë qeniesh njerëzore që paguhen me dhjetëramijëra dollarë për të gjetur vajza të njoma, nga ku miliarderët e rinj post-komunistë mund të zgjedhin sa të duan e çfarë të duan.

Por sa më shumë ngjarje kalojnë, aq më shumë libri i largohet hokatarisë… Papritur komedia kthehet në dramë, drama në tragjedi. Ndërsa Rusia e viteve 2000 përfitoi nga çmimet e larta të naftës dhe paratë ishin të bollshme për të financuar shpenzime të panevojshme, që gjithsesi e mbanin popullin urtë, me rënien e krizës ekonomike të vitit 2008 dhe rënien e çmimit të naftës, teknologët politikë e zhvendosën punën te përpunimi i opinionit publik me një recetë hutimi të përzier me frikë, nacionalizëm ekstrem e fanatizëm fetar, e gjithë kjo e përçuar përmes një game të gjerë mjetesh, nga humori, te arti modern, te motoristët shenjtorë.

Ndërsa udhëtimi i Pomerantsevit i afrohet fundit, libri bëhet më neurotik dhe më informues për publikun, veçanërisht për lexuesin e Europës Lindore, që me gjasa, ka eksperiencë të dorës së parë me shumë nga temat e librit.

Kur libri u botua për herë të parë në vitin 2015, Lufta në Ukrainë sapo kishte nisur. U deshën edhe tre vjet të tjerë para se bota perëndimore të fillonte të ndiente se rrëshqitja e Rusisë në autoritarizëm nuk është një problem që i përket vetëm Rusisë.

Modeli Putinit, i kontrollit të vendit përmes oligarkëve që kontrollojnë ekonominë dhe rrjedhimisht ndihmojnë partinë të fitojë zgjedhjet, me opozita ekstremiste të mbajtura në këmbë me mbështetjen e vetë Kremlinit, me parti politike false të krijuara brenda natës nga Kremlini dhe shpërbërë po prej Kremlinit sipas nevojës, si dhe katastrofat e shkaktuara nga ky model sundimi për burimet natyrore, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore. Të gjitha këto nuk janë teknika që po përdoren vetëm në Rusi. Përkundrazi, rrëshqitja e Rusisë drejt autoritarizmit po shërben si një model pune për shumë shtetarë të tjerë të Europës Lindore.

Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, dizinformimi u bë pjesë e fjalorit të përditshëm në perëndim ndërsa pak u kujtuan se rrënja e kësaj fjale vjen nga rusishtja dhe është përdorur fillimisht nga Stalini. Dizinformimi është një teknikë e çorientimit të përgjithshëm të opinionit publik për t’ia pamundësuar popullsisë reagimin ndaj padrejtësive apo problemeve.

Si një njohës i thellë i Rusisë, Pomerantsev na rikujton se ky ishte vendi i Konstantin Stanislavskit, gjeniut të teatrit, i cili hartoi metodën e aktrimit, instrumentin standard të përgatitjes së aktorëve që nga ajo kohë. Pomerantsev na shpjegon gjithashtu sesi, saktësisht kjo metodë e Stanislavskit përdoret nga presidenti dhe shpura e tij për të kapërcyer nga një rol në tjetrin, nga ai i artistit, te gangsteri, gjuetari maço dhe te njeriu delikat me sy të zënë në faj që kërkojnë ndjesë, në një spektakël televiziv që nuk mbaron kurrë dhe në një vend ku Asgjë s’është e vërtetë dhe çdo gjë është e mundshme.

Pasi lexon këtë libër, ndien se diktaturat e shekullit të njëzetë, me metodat e tyre të vrasjes dhe burgosjes në masë të popullsisë, ishin në fund fare, banale. Autoritaristët e shekullit të njëzetë e një janë shumë më tepër të rafinuar dhe kanë konsulencë të dorës së parë nga shkollat e shkencave politike më të mira që bota ka krijuar si dhe kanë një infrastrukturë financiare globale në ndihmë për të pastruar paratë që përfitohen dhe përdoren për dhunimin e popujve.

Libri Asgjë s’është e vërtetë dhe çdo gjë është e mundur, brenda zemrës sureale të Rusisë, vjen në gjuhën shqipe nga Shtëpia e Librit.

Përkthyer nga Gjergj Erebara 

Zog i vogël-Frederik Rreshpja

in Letërsi by

Zog i vogël-Frederik Rreshpja

 

Tani ti do të ikësh qiejve

Por akoma fluturimi yt rri në duart e mia.

Mos i harro duart e mia:

Në një  çerdhe të tillë njerëzore s’ke për t’u prehur kurrë më!

 

Shko, të presin qiejt!

Kam pasur shumë gjëra që i kam lëshuar me duart e mia,

Kam pasur shumë dashuri që ikën një nga një.

 

Eh, fluturoi dhe ky gëzim i fundit

Hija e tij u bë hënë dhe ra në det.

1979

I dashuri im i karantinës humbi gjithçka (por më gjeti mua)/Sarah Rutledge

in Meqë ra fjala by

Sarah Rutledge

Modern Love

Nëse kjo do të ishte jeta e vërtetë, do t’i kisha dhënë fund. Por kjo nuk ishte më jeta e vërtetë.

E takova të dashurin tim të karantinës në fillim të marsit, pikërisht pak para se gjithçka të mbyllej në New York City. Ose ndoshta jemi takuar edhe vite më parë, kur fëmijët tanë shkonin në të njëjtën kopsht dhe luanin bashkë të gëzuar ose ndoshta dhe jo aq shumë me njëri-tjetrin, siç ndodh rëndom me fëmijët e vegjël.

Kisha biseduar disa herë me gruan e tij të atëhershme, kur merrnim fëmijët nga kopshti, gjatë kohës që ata vishnin xhupat e këpucët dhe nga bisedat e vogla kisha mësuar që ajo njësoj si unë, ishte martuar vonë në jetë dhe ishte bërë menjëherë me një fëmijë, dhe që përpiqej shumë të menazhonte edhe karrierën edhe familjen.

“Çfarë pune bën yt shoq?” E kisha pyetar.

“Është muzikant dhe është pothuaj gjithë kohën nëpër turnera,” më kishte thënë ajo me krenari.

Në ditët e mia të rinisë kisha takuar shumë muzikantë, ndaj tani i ndihesha mirënjohëse profesionit me orar fiks 9 – 5 të bashkëshortit tim, por asaj i buzëqesha me miratim.

Pas dy vjetësh u takuam sërish në klasën e notit. Fëmija i saj zhytej pa pikë frike deri në fund të pishinës, ndërsa imi ngrinte në majë të trampolinës, duke shtrënguar hekurat fort me të dy durët. Ajo i thoshte fjalë inkurajuese, ndërsa unë mendoja se ishte gjë e kotë dhe se çdo minutë më shumë aty ishte veçse humbje parash.

Nuk mbaj mend të jemi prezantuar zyrtarisht në ato vite, po unë gjithsesi kam një kujtim të mjegullt të të dashurit tim të karantinës, duke u vërdallisur me një xhaketë të zezë në ca ambiente të përbashkëta, por mund të jetë edhe kujtim i fabrikuar i mendjes sime. Shumë vite më pas, pas dy martesash të dështuara, kur e kaloja kohën duke parë profilet e meshkujve në Tinder, u ndesha në të tijin. Emri, po edhe fytyra mu dukën të njohura, prandaj ia studiova profilin. Dukej person i zgjuar dhe me humor, kështu që i dërgova një mesazh.

Takimi ynë i parë ishte në një kafene dhe zgjati më pak se një orë. Bëmë goxha muhabet, por patëm vështirësi në kontaktin me sy. Kur ia thashë këtë shoqes sime Rakelës, ajo fajësoi nervat dhe më sugjeroi t’i jepja një shans tjetër.

Të nesërmen ai më dërgoi një mesazh, ku më pyeste nëse do të takoheshim përsëri. U takuam për një pije dhe këtë herë ai ishte më i qetë. Më tregoi histori interesante, më bëri të qeshja dhe kur mbërritëm tek dera e apartamentin tim më vështroi ngultazi. Heshtja u zgjat ca si shumë dhe unë u përkula drejt tij.

“U bë vonë,” i thashë. “Nuk dua t’ju mbaj më. Po një pjesë e imja nuk do që të ikni.”

Ai u skuq dhe pas pak minutash ne po putheshim me pasion.

Përgjatë fundjavës, ndërsa ai kujdesej për fëmijën e tij dhe unë përgatitesha për një udhëtim në perëndim, shkëmbyem mesazhe të shurtra, po gjithë kohës. Kur njerëzit në New York filluan të sëmuren, gjendja jonë ishte akoma statukuo, e pandryshueshme. Pasi avioni im zbarkoi, hapa telefonin dhe pashë që ai akoma ishte zgjuar edhe pse atje ora ishte 1 e mëngjesit.

“Si shkoi dita sot? Mirë?” I shkrova.

“Jo dhe aq,” mu përgjigj. “Po nuk kemi pse të flasim për këtë tani.”

Ai kishte më pak se një vit që ishte ndarë dhe akoma ishte i lënduar e i hutuar. Vazhdonte të përdorte përemrin “ne” dhe pse vazhdonte të ishte shumë i zemëruar me ish-in.

Përgjatë javës shkëmbyem shumë mesazhe. Mesazhe seksi, mesazhe me humor apo edhe thjesht informacion. Po që natën e dytë, ngaqë ishte i zemëruar me ish-gruan më pyeti nëse mund të më telefononte. Biseduam për gati një orë dhe unë i dhashë gjithë këshillat që mundesha, shumica e të cilave fillonte me: “Nuk do të jetë gjithmonë kështu.”

Të nesërmen më falënderoi që e dëgjova duke më thënë që ishte e lehtë të bisedoje me mua.

Shkëmbyem mesazhe, biseduam, i treguam njëri-tjetrit historitë e fëmijëve tanë. Ai shkoi në Boston për t’i ikur virusit, unë u ktheva në shtëpinë time pak më herët, por u takuam shpejt dhe ishim si të trallisur nga gjithë ato mesazhe spekulative, pasi e dimin që jeta reale, si gjithmonë, është shumë më e vështirë.

Kur mes nesh ra heshtja, ai tha: “Dalim, bëjmë diçka.” I kaluam 7 orët e ardhshme duke ecur, duke folur dhe duke ngrënë ushqim italian goxha të shijshëm.

Pastaj qyteti dhe bota u mbyll, dhe i dashuri im i karantinës humbi gjithçka.

Humbja filloi me ish-gruan e tij që e njoftoi se do qëndronte në Boston, derisa të ndihej e sigurt që të kthehej. Ai u xhindos se donte të shihte fëmijën e tij, por nuk mund të bënte asgjë, pasi avokati i tha që asnjë gjyqtar nuk do të vendoste në favor të kthimit të fëmijës në epiqendrën e virusit. Pas kësaj puna e tij me regjistrimet u shty, koncertet e pranverës dhe verës u anuluan, madje edhe një turne i madh në vjeshtë zor se mund të ndodhte. Si shumë muzikantë të tjerë, papritmas ai u gjend pa pará dhe pa perspektivë se mund të kishte shpejt, po kohë kishte plot.

Plus këtyre, atij nuk i lejohej më të vizitonte mamanë e tij dhe shëndeti i saj filloi të ligështohej. Po ashtu një shok i bandës, pati ethe dhe u shtrua në spital. I dashuri im i karantinës bëri parashikime të zymta për humbjen e mamasë dhe shokut në të njëjtën kohë. U përpoq shumë ta zinte veten me punë, po duke parë pakësimin e kursimeve, kohën e kalonte duke u shqetësuar se mund të humbte apartamentin e tij dhe duke u grindur me ish-gruan pasi e digjte malli të shihte fëmijën.

Si rezultat i gjithë këtyre, ai nuk ishte në formën e tij më mirë për të qenë i dashuri im. Ishte i tronditur dhe i frikësuar. Po unë kisha një rreth të vogël të sigurt, ku përfshihej fëmija im, ishi im dhe i dashuri im i karantinës dhe, duke qenë sa më të kujdesshëm që ishte e mundur, dy herë në javë shkoja në shtëpinë e tij, ku të ulur gju më gju në tryezën e kuzhinës, bisedonim duke ngrënë dhe duke pirë,  kryesisht ai fliste, ndërsa unë dëgjoja.

Pak javë në këtë situate dhe një mbasdite, veçanërisht të trishtueshme, ai më tha se ishte në dijeni të kufizimeve të tij dhe se i vinte keq që nuk mund të ishte më i disponueshëm emocionalisht. Më tha se në kushte normale marrëdhënia jonë do të shkonte ndryshe, por ai nuk mund ta lejonte veten ta bënte këtë, kur gjithçka ishte aq e tensionuar dhe e pasigurt.

“Nëse do të ishim në jetën reale, unë do të thosha se ne thjesht po takoheshim,” i thashë.” Ti nuk do ishe i dashuri im.”

Ai ra dakord.

“Pra meqë ne po takohemi,” i thashë. “Le të shohim se çfarë do ndodhë. Nuk ka pse të jetë kaq dramatike.”

Në brendësi, ndihesha pa shpresa, ndoshta edhe e lënduar. Nëse kjo do të ndodhte në jetën e vërtetë, do t’i kisha dhënë fund kësaj lidhjeje dhe më e pakta do filloja direkt të kërkoja dikë tjetër. Por vendosa të provoj diçka të re; do të bëhesha e durueshme dhe do të prisja të shihja se çfarë do të ndodhte. Nëse kohët ishin të pashembullta, ashtu do të bëhesha edhe unë.

I dashuri im i karantinës dhe unë jemi karaktere shumë të ndryshëm. Ai i shpenzon paratë për mallra cilësorë dhe unë jam e kënaqur me miksimin e mobiljeve të përdorura antike me ato prej tallashi. Ai dëshiron ushqime dhe pije të shtrenjta, ndërsa baza kryesore e dietës sime janë biskotat e lira. Shtëpia e tij është plot me tone të qeta dhe enë porcelani të bardha, e imja është një përzierje marramendëse ngjyrash dhe modelesh. Ai sheh televizor, ndërsa unë e lashë timin në divorc dhe nuk bleva më një të ri. Unë nuk pi alkool prej gati 7 vjetësh, ai shijon një apo dy kokteje çdo natë.

Po ne e bëjmë njëri-tjetrin të qeshë. Ai më luan muzikë dhe unë i huazoj libra. Unë i ofroj këshilla gatimi, i bleva edhe një gërshërë të mirë kuzhine, ndërsa ai më përgatit mezera të vogla dhe më mbush gotën me ujë të gazuar me shije frutash. Të dy jemi prindër paksa pedantë, por të dashur. Puthemi shumë dhe ma përkëdhel fytyrën kur e bëjmë. Më thotë se është shumë falënderues që më takoi, që më pëlqen shumë dhe që unë e bëj të lumtur.

Pavarësisht insistimit të tij që ka pak për të dhënë, i dashuri im i karantinës dhe unë sa vjen e po lidhemi më shumë. Edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar, ai po mësohet me rrethanat e tij të padëshiruara dhe ankthi po i lehtësohet. Shkoj në shtëpinë e tij rreth dy herë në javë dhe të ulur gju më gju në tryezën e kuzhinës, hamë, pimë, flasim e dëgjojmë. Puthemi dhe ndiej flutura në stomak. Më pas, ai luan disa akorde ndërsa unë shikoj duart e tij. Të dy i mbajmë sytë dhe i buzëqeshim njëri-tjetrit. Kemi filluar të duhemi.

E nesërmja nuk premtohet dhe nuk kam asnjë ide se çfarë do të sjellë. Kjo kurrë nuk ka ndodhur më parë, por pandemia më ka hequr çdo iluzion të mbetur rreth kontrollit dhe stabilitetit. I dashuri im i karantinës dhe unë mund të mos vazhdojmë për shumë gjatë ose mund të ndahemi sapo të na lejohet të dalim përsëri lirisht në botë.

Po ashtu, logjistika mund të ndërhyjë, oraret e punës dhe prindërimit mund të mos na përputhen ose ndoshta ai do të vazdojë të jetë i dashuri im edhe përtej kësaj krize. Por ndoshta ai dhe unë do të jemi veçse bashkëudhëtarë për pandeminë. Po çfarëdo qoftë kjo, do kemi shumë për të treguar; ushqimet dhe pijet e përbashkëta, puthjet dhe shoqërinë, mirëkuptimin dhe të qeshurat.

Dua që i dashuri im i karantinës t’i kthehet jetës së mëparshme apo të jetë në gjendje ta fillojë atë përsëri. Po bëhet vonë. Nuk dua ta mbaj më, por një pjesë e imja do që ta mbajë.

Përktheu: Meli Ajazi

Marrë nga: The New York Times

Qyteti-Jazra Khaleed

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Jazra Khaleed

Qyteti më rrëmben poezitë nga teli i rrobave, i shet në tregun e zi dhe më dërgon me postë thika të vulosura me inicialet e tij. Më lë mesazhe zanore, më kërcënon që do zbulojë gjithë sekretet që ruaj poshtë dyshekut ose në pikëpresjet e mia, nëqoftëse nuk vras spiunët që e përgjojnë fshehurazi nga të çarëzat urbanistike gjatë kohës që bën dush, nëse nuk anulloj planet e riprojektimit të tij ose nëse nuk ruaj për të rimat e mia më të mira; çfarëdo që të bëj nuk do më dojë kurrë, por ndjek gjithmonë koordinatat e kyçeve të këmbëve të tij, pasi e di që kur të më kërkojnë për të hedhur predha nga grykët e topave, do fshihem në një qoshe të sigurt të qepjes së brendshme të fundkëmishës së tij. Disa herë më flet për gjeografinë e luftës së klasave, tensionin përçarës që ndizet në lagjet e tij, luftrat e vogla civile që shpërthejnë nga brazdat e ballit, sa herë që ngryset në fytyrë për njerëzit e tij të dashur që u vranë nga një plumb polici, thikë fashisti ose që vuajtën gjatë gjithë jetës, nga refuzimet e tyre, uritë dhe llogoret, gjithë ata që i ka varrosur thellë brenda vetes; për dhimbjen që i kap gjithë nyjëzimet, sa herë që prishet koha. Më rrëfen për dashuritë e tij të fshehta, më thotë që vetëm prostitutat dhe fallxhoret e letrave e kuptojnë, më flet për dashnoret e tij, antifashistët, emigrantët që rrinë në sheshet e lagjeve, atyre u përket qyteti dhe rrugët e tij, atyre do u lërë prikën e vet, pasi vetëm mes tyre ndihet i lirë.

Përktheu: Eleana Zhako

Martin Camaj ende i pazbuluem (fragment)/Hans Joachim-Lanksch

in Letërsi by

Hans Joachim-Lanksch

Nji kapitull më vete qe e vetmja mbrëmje letrare e Martin Camajt në Gjermani. Botimi i parë i poezive të Camajt në gjermanisht âsht bâ me 1990 te revista letrare “Sirena”. Redaktorët e revistës kuptuen se po botojshin një poet të madh dhe organizuen nji takim të autorit me publikun gjerman. Martin Camaj kundërshtohej fort. “Nuk di me recitue”, ngulte këmbë, “unë lexoj dobët”. Mbas nji lufte të gjatë e të randë, mâ në fund ai pranoi me u shfaqë para publikut dhe me lexue nji cikël poezish shqip (versionet gjermanisht i lexoi nji aktore teatri) dhe – ai lexoi për mrekulli. Për fat të mirë në të vërtetë nuk dinte me “recitue”.

Leximi i tij bani përshtypje të thellë mbi të pranishmit. Camaj i lexoi poezitë fort natyrshëm dhe me thjeshtësi të përsosun të kombinueme me ekspresivitet të jashtëzakonshëm. Thjeshtësia e leximit të Camajt, larg çdo bombastike recitimi poezivrasës, ishte simptomatike: si vetja e tij ashtu edhe vepra e tij ndërthuren prej kompleksivitetit dhe thellësisë që manifestoheshin me thjeshtësinë e madhe të shprehjes dhe dukjes së tyne të jashtme.

Martin Camaj nuk ishte shkrimtar që prodhonte rregullisht një sasi të rregullt krijimesh letrare.

Në vjetët e 50-të, si student i albanologjisë në universitetin e Romës dhe kryeredaktor i revistës “Shêjzat”, si autor poezish dhe autor i romanit poetik “Djella”, Camajt iu dha mundësia me bâ karrierë në letërsi. Ish profesorët e tij të Kolegjit Saverian të Shkodrës kishin lidhje të firta me një revistë të rëndësishme kulturore letrare të “Milanos”: “La Fiera Letteraria”, dhe i ofronin Camajt me e afirmue atë si shkrimtar me anë të atij organi kulturor. Me nji kusht: me shkrue çdo vjet nga nji libër. Camaj refuzoi: “Nuk mund të shkruej me porosi”, tha. Ishte ende polt revoltë dhe indinjatë kur ma tregoi këtë episod, mâ shumë se 25 vjet mâ vonë.

Filmi “Kumbari” dhe shkrimtari që u kërcënua se do t’i thyenin këmbët

in Kinema by

Mafiozët vendosën kushte të rrepta për ta lejuar filmin “Kumbari”. Karakteri i “kumbarit” u bazua në nënën e shkrimtarit Mario Puzo, i cili mori kërcënime se do t’i thyenin këmbët.

Një familjeje mafioze italiane, që jeton në Amerikë, është objekt i filmit “Kumbari”.
Vito Corleone, i ashtuquajturi “Kumbari” dhe kryetari i familjes, emigroi nga Italia në New York dhe shumë shpejt u bë udhëheqësi i mafies italiane.

Filmi është bazuar në romanin e Mario Puzo-s, i cili u frymëzua nga aktiviteti i mafiozëve të vërtetë.
Në fakt, u përfol se personazhi i këngëtarit Johnny Fontaine u bazua te Frank Sinatra.
Kur e kuptoi këtë këngëtari, e kërcënoi shkrimtarin se do t’i thyente këmbët.
Sidoqoftë, nuk ishte vetëm Sinatra që u zemërua nga filmi i ardhshëm. Joseph Colombo, i përzier me mafien amerikane, kur mësoi për skenarin, filloi të kërcënonte producentët.
Ndiqte makinat e tyre dhe u linte shënime paralajmëruese për të ndërprerë xhirimet.

Përfundimisht, pas shumë presioneve, një nga producentët u takua me Colombo-n në një hotel të njohur dhe ranë dakord të mos e përmendnin fjalën “mafioz” dhe “Coza Nostra” në skenar.
Në të vërtetë, në të tre filmat fjala “mafioz” nuk përmendet kurrë nga personazhet.
Në fakt, Colombo kishte vizituar sheshxhirimet shumë herë dhe një nga truprojat e tij, Lenny Montana, kishte luajtur rolin e të besuarit të Vito Corleone-s, Luca Brasi në film. Megjithë shqetësimet fillestare, regjia u mor nga Francis Ford Coppola.
Producentët menduan se origjina e tij nga Italia do ta ndihmonte të skiconte Corleone-n në mënyrën më të mirë.
Xhirimet u kryen në New York dhe zgjatën dy muaj.
Para se të përfundonin, producentët tashmë po përgatitnin pjesën e dytë, pasi ishin të sigurt për suksesin e tij.
Dhe vërtet, “Kumbari” mbeti në historinë e kinematografisë.
Kontributi i Coppola-s ishte shumë i madh.
Falë këmbënguljes së tij, Al Pacino mori rolin e Michael Corleone, djali më i vogël i familjes.
Michael ishte fëmija i preferuar i Vito Corleone-s i cili mori përsipër “biznesin” e familjes pas vdekjes së babait të tij. Siç deklaroi vetë aktori, askush nuk e dëshironte për rolin e Michael-it.
Pacino ishte ende i panjohur në studiot kinematografike.
Kur u shfaq në një provë, menduan se fytyra e tij ishte e zbehtë dhe nuk i përshtatej rolit të një mafiozi. Megjithatë, arriti ta fitojë rolin dhe pas filmit, të ndërtojë një karrierë të rëndësishme.
Rastësisht, Pacino gjithashtu kishte një të përbashkët me karakterin e Michael-it, pasi e ka origjinën nga qyteti italian i Corleone-s.

Coppola luajti gjithashtu një rol katalitik në zgjedhjen e vështirë të aktorit që do të luante patriarkun dhe drejtuesin e mafies, Vito Corleone.
Roli i “Kumbarit” ishte mjaft i kërkuar dhe shumë aktorë u vetëpropozuan.
Siç kishte deklaruar Puzo, ai ishte frymëzuar nga personaliteti i nënës së tij!
Coppola ishte i prerë dhe donte që të ishte Marlon Brando ai që do ta mishëronte.
Producentët fillimisht ishin të shqetësuar me zgjedhjen e tij, sepse konsiderohej kapriçoz dhe do të shkaktonte telashe me kërkesat e tij.
Coppola shkoi në shtëpinë e tij me kamera, sepse e dinte që Brando nuk do kalonte kurrë në provat e zakonshme. Brando hapi derën veshur me një kimono.
I lyeu flokët e tij të zeza me një vernik këpucësh dhe vuri pambuk në faqe për t’u dukur si bulldog.
Më pas ndezi një cigare dhe filloi t’i thoshte fjalët me zërin e tij të qetë.
Coppola kishte përpara Vito Corleone-n e pamëshirshëm, roli ishte i tij.

Transformimi i Brando-s në Vito Corleone.

Aktorët studiuan shumë para se të fillonin xhirimet.
Vizituan emigrantë në New York dhe u takuan me mafiozë të vërtetë.
Brando ndoqi fjalime të kryemafiozit Frank Costello, nga i cili frymëzoi zërin e ngjitur pëshpëritës të Vito-s.
U deshën tri orë për t’u shndërruar në Vito Corleone.
Grimi i rëndë i aktorit ishte arsyeja që pjesa më e madhe e skenave të tij ishte aq e errët, pasi Brando ishte 47 vjeç dhe duhej të dukej më i vjetër.
Brando gjithashtu dëshironte që fytyra e tij të dukej e egër dhe të të kujtonte bulldogun.
Për këtë arsye, vendosi pambuk në faqe, që ato të ishin të fryra dhe një protezë të veçantë.

Skena me kokën e kalit dhe reagimet

Skena ku Jack Walsh zgjohet i mbuluar në gjak dhe sheh kokën e një kali në shtratin e tij, provokoi reagime nga organizatat e mbrojtjes së kafshëve.
Kafsha ishte e vërtetë dhe ishte porositur nga një fabrikë për ushqim qensh që therte 200 kuaj në ditë.
Xhirimi që kushtoi më shumë dhe zgjati tri ditë ishte vrasja e Sonny Corleone-s.
Coppola dëshironte një vdekje mbresëlënëse për Sonny-n.
Shkrimtari u frymëzua për emrin e tij nga djali i Al Capone-s.
Sonny del nga makina e tij dhe qindra plumba e godasin. I duheshin gjithsej 127 qese gjaku të rremë, të cilat ishin fshehur nën xhaketë.
Vrasjet origjinale të kundërshtarëve të familjes nuk ishin skenar fantastik, por frymëzoheshin nga vrasje të vërteta.

Përktheu: Shpendi Shakaj

1 113 114 115 116 117 190
Go to Top