NOBELISTI OCTAVIO PAZ PËR JORGE LUIS BORGES
OCTACIO PAZ
Qysh kur lindim përherë presim vdekjen dhe përherë vdekja na zë në befasi. Ajo, e pritura e përhershme, përherë është e beftë dhe përherë e pamerituar. Nuk ka aspak rëndësi që Borhesi ka vdekur 86 vjeç: nuk ishte aq i madh sa për të vdekur. Askush nuk është për të vdekur, çfarëdo moshe që të ketë. Mund të përdorim frazën e filozofit dhe të themi se të gjithë – fëmija dhe plaku, adoleshenti dhe burri i pjekur – jemi fruta të këputura para kohe. Borhesi jetoi pak më shumë se dy shkrimtarët e tjerë argjentinas të dashur, Hulio Kortasari (Julio Cortázar) dhe Hose Bianko (Hosé Bianco), por vitet që mbijetoi nuk më ngushëllojnë për mungesën e tij përfundimtare. Sot, Borhesi është po ai që ishte para se unë ta njihja: një libër, një vepër. Kjo vepër është dhuruese jete. Tema e saj është unikale: koha dhe ato zbulime të kohës, të cilat i quajmë përjetësi. Parajsa dhe ndëshkime, vizione që janë më reale se realiteti. Tregimet, poezitë dhe esetë e Borhesit, përmes varianteve të mrekullueshme, përherë na eksplorojnë këtë temë unike: njeriu i humbur në labirintin e kohës, njeriu që vdirret, me t’u parë në pasqyrën e përjetësisë pa tipare, parajsa mizore e të pavdekshmëve që kanë mundur vdekjen, por jo kohën, as pleqërinë…
Një temë që përfundon në paradokse, po njëherazi edhe në realitete të pamohueshme: realiteti i Borhesit, poetit metafizik, dhe realiteti i veprës së tij. Në një kontinent të dhunshëm dhe aktiv, plot pasione të errëta, Borhesi është një mrekulli dhe njëherazi një qortim. Nuk e pushtoi kohën, por na dha transparencën dhe na bëri të shohim se nuk jemi veçse konfiguracione kohe. Prandaj, vepra e tij na jep jetë.
Përktheu: Bajram Karabolli