Author

Admin - page 79

Admin has 1813 articles published.

Jeta e shkurtër e paraardhësve tanë-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Jeta e shkurtër e paraardhësve tanë-Wislawa Szymborska

 

Nuk qenë shumë ata që i arritën të tridhjetat.
Pleqëria ishte privilegj i pemëve dhe gurëve.
Fëmijëria zgjaste aq sa ajo e këlyshëve të ujkut.
U desh të nguteshin, të ishin në kohë për të jetuar
para se të perëndonte dielli,
para se të shtronte dëbora.

Trembëdhjetë vjeçarë prindër,
katërvjeçarë gjurmues folesh mes kallamishtesh,
njëzet vjeçarë gjuetarë –
një çast më parë nuk ekzistonin, tani nuk janë më.
Udhëheqësit e pafundësisë bashkoheshin nxitimthi.
Magjistaret mërmëritnin ekzorcizmat ende me të gjithë dhëmbët e rinisë.
Djali bëhej burrë nën sytë e të atit.
Nipi lindte nën shikimin e gjyshit.

Dhe për më tepër, ata nuk i numëronin vitet.
Numëronin rrjetat, tenxheret, kasollet, sëpatat.
Koha, aq dorëlëshuar me çdo yll në qiell,
u zgjaste atyre një dorë pothuajse të zbrazët
dhe e tërhiqte shpejt, sikur të ishte penduar.
Ja dhe një hap, edhe dy
përgjatë lumit xixëllitës
që nga errësira lind dhe në errësirë zhduket.

Nuk kishte asnjë çast për t’u humbur, pyetje për t’u ribërë dhe përndritje të vonuara
po të mos i kishe pasur në kohë.
Mençuria nuk do të priste shfaqjen e flokëve të bardhë.
Duhej të shihte qartë, para se pamja të qartësohej
dhe të dëgjonte çdo zë, para se të kumbonte.

E mira dhe e keqja –
dinin pak, por gjithçka:
kur e keqja triumfon, e mira fshihet;
kur e mira shfaqet, e keqja gërmuqet.
Asnjëra prej tyre nuk e lë tjetrën të fitojë apo të largohet në një distancë të përcaktuar.
Ja dhe përseja e një hereje gjithmonë të ngjyrosur me frikë,
e një dëshpërimi asnjëherë të shkëputur nga shpresa e heshtur.
Jeta, sado e gjatë, do të jetë gjithmonë e shkurtër.
Tepër e shkurtër për të shtuar diçka.

Përktheu: Arlinda Guma

GOTAN-JUAN GELMAN

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

GOTAN*-JUAN GELMAN

 

(Argjentinë, 1930 – 2014)

Ajo grua i ngjante fjalës “kurrë”,
që nga paskoka i ngjitej një magjepsje e veçantë,
një lloj harrimi ku të ormisësh sytë,
ajo grua më ngulej në brinjën e majtë.
Kujdes, kujdes, bërtisja unë, kujdes
por ajo pushtonte njësoj si dashuria, njësoj si nata,
shenjat e fundit që dhashë aty nga vjeshta
u nderën të qeta nën valëzimin e duarve të saj.
Brenda meje shpërthyen rrapëllima të thata,
copë-copë binte tërbimi, trishtimi,
ajo rigonte ëmbëlsisht
mbi kockat e mia të pingulta në vetmi.
Kur ajo iku unë purtekesha si i mallkuar,
me një thikë të dhunshme jetës i dhashë fund
dhe tërë vdekjen do ta shkoj i nderur me emrin e saj,
me atë që buzët e mia do t’i lëvizë për herë të fundit.

__________
*Tango (shkruar rrokjet mbrapsht: go-tan)

Përktheu: Erion Karabolli

Klubi i Librit: Letërsia lind nga humbja, nga mungesa dhe jo nga plotësia/Arlinda Guma me lexuesit e romanit “Bob Legjenda”

in A(rt)ktivizëm/Biseda/Letërsi by

Klubi i Librit do të jetë një rubrikë e re në revistën defekt-teknik, ku lexues të ndryshëm, pasi kanë lexuar një roman, i drejtojnë pyetjet e tyre autorit/es të tij. 

Sot kjo rubrikë fillon me romanin “Bob Legjenda”, shkruar nga Arlinda Guma. 

Lexuesit që ndërtuan pyetjet janë:

Eva D., Enkelejd Lamaj, Eleana Zhako, Blerta Derhemi, Gentiana Kokthi, Arkid Avdullai. 

Ata patën mirësinë të dërgonin edhe një foto të tyre me romanin. 

Letërsia mund t’u bëjë ballë me sukses forcave shkatërruese, është “specialiteti” i saj, ajo mëkohet nga ato, por jo gjithmonë arrin t’u bëjë ballë forcave vetëshkatërruese. Ndodh shpesh që këto të fundit ta asgjësojnë -Arlinda Guma

  Foto nga Libraria “Riletra”, Kosovë

Eva D.: Përse ambienti është kaq toksik saqë e detyron njeriun e vërtetë ta fshehë veten, ndërsa vlerësohen çapaçulët kopjacë dhe të rremë… Jemi shoqëri butaforike? Vetëm formë e gënjeshtërt dhe brenda një boshllëk i madh?

Arlinda Guma: Kjo pyetje kërkon vëllime të tëra me analiza sociologjike si përgjigje për mënyrën sesi është ndërtuar rendi global. Kemi ndërtuar një shoqëri, e cila nuk na pranon nëse nuk i vëmë filtra trupit dhe shpirtit. Kemi ndërtuar një shoqëri, e cila nuk na pranon po nuk qemë fitimtarë në çdo gjë. Por fitimtarë për çfarë dhe ndaj kujt? (Sepse për të qenë fitimtarë duhet të ketë patjetër humbës nga ana tjetër, apo jo?) Besoj se e dini sesa shpesh anglishtfolësit e përdorin në bisedë epitetin “loser“, që në shqip përkthehet “dështak”, “humbës”. Për standardet e këtij civilizmi nuk ka disfatë më të madhe sesa të jesh “loser“- “humbës”, “dështak”, ndërkohë që paradoksalisht kësaj, vetë letërsia është produkt i humbjes. Letërsia lind nga humbja, nga mungesa dhe jo nga plotësia. Kështu, nëse do të vlerësonim sipas këtyre standardeve, të gjithë shkrimtarët e mëdhenj të botës do të quheshin “loser-at” – humbësit, dështakët më të mëdhenj të njerëzimit.
Por ekuilibrat e universit janë të mahnitshëm. Universi ta përcjell këtë humbje, këtë joplotësi, këtë mungesë, dhe pret se çfarë do të bësh ti me të. Sepse gjithçka në të ndodh për një qëllim. Dhe ata shkrimtarë me humbjen ndërtuan dritën e i ndriçuan rrugën njerëzimit në kohë të errëta. Atëherë, cilët ishin humbësit, dështakët e vërtetë dhe cilët fitimtarët e vërtetë? Balzac-u pinte 40 kafe në ditë dhe ndiqej nga fajdexhinjtë, të tjerë vdiqën në varfëri dhe bënë një jetë të trazuar. Të gjitha këto janë tepër larg nga standardet e fitimtarit “prosperoz” – imazhit të njeriut të suksesshëm global.
Ndërkohë që ai universi i mençur me njërën dorë të hedh e me tjetrën të pret. Ai të detyron të vrasësh gjunjët nga njëra humbje në tjetrën, në mënyrë që të arrish në një stad tjetër, më të lartë, të pasurimit shpirtëror. (Sepse ndonjëherë humbja tek njeriu është shumë më e dobishme se fitorja.) Dhe nuk është problem i tij fakti që standardet konsumeriste nuk i japin rëndësi pasurisë shpirtërore. Universi e ka bërë detyrën e tij, të ka pasuruar, ndërkohë që “civilizimi” tokësor të detyron që ta fshehësh gjithë këtë pasuri.
Ndoshta ka ardhur koha për të ndërtuar standarde të tjera dhe një rend të ri: një civilizim më të drejtë, të pashtirur dhe pa filtra, një civilizim më shpirtëror.

Në foto Eleana Zhako

Eleana Zhako: Fundi eksentrik i librit tuaj, në njërën dorë hardhucën, në tjetrën çokollatën kinder (që më sjell ndërmend fjalën “kindle”, një lojë fjalësh e imja, frymëzuar nga fantazia juaj), më kujtoi parrullën “në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, në formën e saj më të rafinuar dhe sarkastike. Procesi i shkrimit, i ngjan më tepër ndjesisë së shijimit gastronomik apo fenomenit të vetëgjymtimit të hardhucës, që këput bishtin e saj për t’i shpëtuar sulmimit dhe rigjenerohet sërish, duke u strehuar në një vend të mbrojtur?

Arlinda Guma: Fragmenti të cilin përmendni, ku personazhi mban me njërën dorë “hardhucën aventuriere” dhe me tjetrën çokollatën “kinder” është thjesht një autoironi e personazhit (dhe imja) për mënyrën sesi shkojnë gjërat në këtë botë dhe për mënyrën sesi kalon nëpër të një shkrimtar. Herë si meteor, herë si yll i shndritshëm e shpesh herë i padukshëm dhe krejt i pakuptuar, edhe pse mund të jetë i madhërishëm në atë që bën.
Sa për procesin e shkrimit të këtij romani, ka qenë thjesht një lumturi e pastër, një lumturi e plotë. Quajeni po deshët edhe lumturi gastronomike.
Lumturia ime më e madhe është procesi i shkrimit dhe jo publikimi, gjë që më frikëson paksa, sepse kam përshtypjen se kjo ndodh vetëm me shkrimtarët e mirëfilltë, dhe unë herë pas here e ndiej të nevojshme t’ia vë në dyshim vetes këtë gjë, sepse mendoj se kështu jetohet më shëndetshëm. (Dhe e gjithë kjo “frikë” amplifikohet më tej prej faktit se, kur publikohet libri, nuk më entuziazmojnë fare lëvdatat, por më entuziazmojnë zbërthimet e sakta që lexues të ndryshëm i bëjnë romanit.)
Ndërkohë që tani jam në një fazë disi të ndërlikuar, kur duhet të largoj hirin e këtij romani për t’i bërë vend romanit të ri. Është një proces… rigjenerues paksa… (Ndoshta si ai shembulli i hardhucës që përmendët… dhe unë nuk e kuptoj pse të gjithë e keni marrë kaq seriozisht personazhin e saj… Qesh.) Është pak a shumë si ajo parapërgatitja që bën natyra përpara se të bjerë dëborë. Në fillim bën të fryjë shumë erë, një erë e thëllimtë, pastaj gjithçka sikur ndalet, gjithçka mban frymën, gjithçka mbetet pezull, asgjë s’pipëtin, deri kur në skenë ia behin flokët e para të dëborës; deri kur në fletë ia behin flokëzat e para të romanit.

Në foto Enkelejd Lamaj

Enkelejd Lamaj: “Humori është pothuajse zemërim që ka vënë makijazh”, thotë personazhi i një libri të Stephen King-ut, i cili gjithashtu është një shkrimtar, si Bobi. Unë do të doja të dija se çfarë do të thoshte vetë Bobi, nëse do të pyetej se sa makijazh ka vënë ai në humorin e tij?

Arlinda Guma: Bobi do t’i thoshte Stephen King-ut që të gjente ndonjë fjalë tjetër (me burrërore) për fjalën “makijazh” (qesh). Natyrisht që ka zemërim. Një zemërim, simpatik le të themi, i mbështjellë vazhdimisht me autoironi dhe humor. Humori, ironia, dhe mbi të gjitha, autoironia, janë armët e protestës së këtij personazhi ndaj gjërave që nuk shkojnë.
Ka diçka timen, personale, që ia kam përcjellë Bobit. Kur ndodh që të prekem apo të lëndohem nga dikush që e vlerësoj, instiktivisht i përgjigjem nëpërmjet humorit dhe ironisë. Dhe në të gjitha rastet, kjo përpjekje për ta ndërgjegjësuar rezulton aq “e suksesshme”, saqë personi zbavitet shumë me këtë mënyrë “të lezetshme” me të cilën unë e shpreh, sa e harron fare thelbin e saj, e harron faktin që, unë, pavarësisht gjithë kësaj mbështjelljeje “të këndshme” humori, në të vërtetë nuk jam aspak në humor. Nuk di sa duhet të vazhdoj t’i them në mënyrë kaq “argëtuese” gjërat, sepse kjo u sfumon njerëzve qëllimin e vërtetë se përse i them. Kohët moderne janë kaq frenetike… njerëzit nuk kanë kohë të shpështjellin paketime…
Por besoj shumë se lexuesit e “Bob Legjendës” ia arrijnë.

Në foto Gentiana Kokthi 

Gentiana Kokthi: Si është lidhja shpirtërore mes jush si autore dhe personazheve?

Arlinda Guma: E përhershme. E pazgjidhshme. Emocionale. Mbrojtëse. Si nëna me fëmijët. Nuk shkëputem kurrë prej personazheve të mi, edhe atëherë kur, si të thuash, i nxjerr ata në jetë. Janë krijesat e mia. Kam vuajtur dhe kam gëzuar bashkë me ta gjatë zhvillimit të romaneve. Kushedi sa herë i kam përqafuar dhe i kam qetësuar duke u thënë se gjithçka do të shkojë mirë, ashtu siç edhe ata ma kanë kthyer përqafimin sa herë që më shihnin që nuk përqëndrohesha dot, sa herë kur i kthehesha të njëjtës fjalie disa herë, pa mundur ta mbaroja deri në fund për shkak të ndonjë shqetësimi që mund të kisha në jetën reale.
Kam qarë kur e “vrava” Maksin te romani “Bulevardi i Yjeve”. (Në të vërtetë pyetja: “Pse e vrave Maksin?”- është pyetja më e shpeshtë që më bëjnë lexuesit.) Kam qarë edhe kur shkrova tregimin “Këpucët“, tregimin “Hieroglifet e Providencës“, e disa tregime të tjera të papublikuara, që ndoshta do t’i botoj në ndonjë përmbledhje vitet e ardhshme.
Kam qeshur bashkë me Bobin kur ai papritur thoshte ndonjë batutë të mprehtë dhe çarmatosëse nga ato të tijat. Kam patur të njëjtën ndjesi pafuqie me personazhin tim H., gjatë shkrimit të romanit “Terma humanitarë si fjala bombardim”, dhe vazhdimisht ato kohë sikur më shoqëronte edhe në jetën reale ai trishtimi i tij i hijshëm dhe aq dinjitoz.
I kam deri në inde të gjithë…

Eva D.: Përse Bobi e afron vajzën e vogël që gatuante dhé? Sheh te ajo veten? I vërtetë, i sinqertë, plot brumë të mirë. Sheh të ardhmen që ndërton? E josh liria e vajzës që luan me dhé (dheu është jetë, toka), që ndërton me dhé? E kupton, e di që kjo vlerë e vogël është e ardhmja, e pashtrembëruar, e pastër…

Arlinda Guma: Është e vështirë të zbërthesh disa kode në të pandërgjegjshmen e punës së shkrimtarit. Ato qëndrojnë si të fshehura brenda një guaske të fortë mermeri, të cilën as qysqia më e mprehtë nuk do të mundte ta hapte dot. Por do përpiqem t’ju jap një përgjigje të prekshme. Bobi dhe Ema e shprehin veten në mënyrë të pazakontë. E shpërfillin botën në mënyrë të pazakontë; Ema duke luajtur me dhé dhe Bobi duke mos marrë pjesë në evente letrare. Përfytyrojini me mendjen tuaj këto skena; ata të dy në botën e tyre të lirë, ndërsa ajo bota tjetër vazhdon jetën e saj të kornizuar brenda klisheve të përcaktuara. Të dy ata janë të pastër dhe të adhurueshëm. Fragmentet ku ai njihet me Emën, “vogëlushen me shikim prej vrasëseje seriale”, siç e quan (sepse kështu di të bëjë komplimente Bobi), janë ato kur ai i shpërfaq më shumë prej shpirtit të tij lexuesit.
Ju pyesni nëse ai sheh veten tek vogëlushja. E dini? Shkrimtari nuk i ka të gjitha përgjigjet kur ndërton një personazh. Ndoshta mund të jetë edhe kështu. Ndoshta ai sheh veten te vogëlushja. Ndoshta edhe unë shoh veten tek ajo. (Kur isha fëmijë aroma e dheut në pranverë më trulloste.) Siç lartpërmenda, gjithçka qëndron fshehur brenda asaj guaskës së mermerit, të cilën unë nuk mundem ta hap.

Në foto Blerta Derhemi

Blerta Derhemi: A keni menduar ndonjëherë që dy librat tuaj: “Bulevardi i Yjeve” dhe “Terma humanitarë si fjala bombardim” të ishin filma? Në ç’ngasje mund të ishte regjisori/ja per realizimin e tyre?!

Arlinda Guma: Është një pyetje që ma bëjnë të gjithë. Ma kanë bërë këtë pyetje studentët e Universitetit të Durrësit, regjisori i një emisioni në Televizionin Shqiptar ku isha ftuar të flisja për romanin “Bob Legjenda“, (emision në të cilin më morën pothuajse “zvarrë”, sepse une nuk para shkoj neper emisione televizive), e shumë e shumë të tjerë. Tani po më pyesni dhe ju. Ndoshta lexuesit shohin në këta libra afrinë time me kinemanë, me atë cerebralen dua të them, sepse ndaj saj tërhiqem më shumë.
Mendoj se romani “Bulevardi i Yjeve” do përshtatej më lehtë si film, “është si një dhomë plot me kamera, ku çdonjëra prej tyre shpërfaq një anë të re të ngjarjes, pikërisht atë që kamera tjetër nuk e ka kapur, dhe të gjitha këto pamje të panjohura e ndërtojnë romanin në një kompozicion krejt të pazakonte“, kam thënë në një intervistë, dhënë në vitin 2014. (Dikur kam patur ca ide rinore për të realizuar dokumentarë provokativë me analiza sociologjike për realitetin kondradiktor shqiptar, dhe kjo mund të jetë arsyeja pse shembujt nëpër intervista shpesh i pasqyroj me mjete filmike.) Ndërsa romani “Terma humanitarë si fjala bombardim” do të ishte disi më i vështirë të përshtatej. Është shumë i vagullt në imazheri. Druaj se kompozicioni i tij kompleks do të ishte i papërkthyeshëm në gjuhën e kinemasë, edhe pse në këtë drejtim ai është arritja ime më e madhe.
Sa për nënpyetjen e dytë se ç’ngasje mund të ketë një regjisor për realizimin e tyre, nuk e di se ç’prirje mund të ketë një regjisor për t’i realizuar, sepse çdo artist ka stilin e tij, por them se duhet ta dojë letërsinë.
Megjithatë unë nuk kam patur kurrë pretendime të tilla, çdo element filmik në faqet e librave të mi është krejt i pandërgjegjshëm, mua më mjafton fakti që lexuesit të më lexojnë. Kaq. Pastaj, nuk është dhe aq e lehtë të punosh me një perfeksioniste si puna ime. Druaj se do përfundoja duke marrë kamerën në krah dhe duke e xhiruar vetë filmin. (qesh.)

Enkelejd Lamaj: A ka ndonjë personazh nga libri juaj, të cilin/cilën e keni urryer ndërkohë që e shkruanit?

Arlinda Guma: (Jam e sigurt se ju tani prisni të përmend një personazh, me mënyrat e të cilit Bobi nuk pajtohet: mikun e tij Rod, që shkruan artikuj me lëvdata stratosferike për librat që ka shkruar vetë, që është aq i mirë në marketingun e veprave të tij dhe aq mediokër, aq i patalentuar, aq përllogaritës, aq plagjiator, në shkrimin e tyre. Por edhe pse me gjithë këto mynxyra, Bobi im prapë nuk e urren.) Sa për mua, jo, nuk kam urryer kurrë asnjë prej personazheve të mi. Përkundrazi, u kam dhënë shumë dashuri teksa i sillja në jetë. Unë nuk shkruaj dot po nuk i desha personazhet e mi, po nuk e desha ngjarjen. Ka disa shkrimtarë që i urrejnë personazhet e tyre apo që i paragjykojnë, dallohet me kilometra larg se kë kanë caktuar ta duan dhe kë ta urrejnë.
Në librat e mi nuk ka personazhe negativë apo pozitivë, në librat e mi ka vetëm personazhe. Kur ulem të shkruaj unë largoj prej vetes çdo lloj ndjesie antipatie. Mendoj se letërsia e mirë nuk mund të shkruhet duke urryer, por duke dashur. Dhe jo vetëm letërsia. Kujtoj çastin kur personi që punonte me kopertinën e këtij romani, Vlash Papa, i cili ka nje studio dizajni të tijën, më dërgoi katër versione të saj, dhe mua më mbetën sytë tek versioni të cilin më pas zgjodha. Shikoja atë imazh dhe ndieja zemrën të më rrihte. E shihja dhe e rishihja. Ai version e plotësonte aq shumë romanin, deri para se të realizohej më dukej sikur diçka mungonte. Dhe ja, kjo është ajo dashuria për të cilën ju fola (që nis që te lloji i germës së librit) dhe që, pa të cilën nuk shkruaj dot.

Në foto Arkid Avdullai

Arkid Avdullai: Në romanet tuaja vërehet një “përmbysje” e lidhjes së elementëve paratekstualë (titulli versus kopertina). Së fundmi, në romanin e ri keni zgjedhur një titull komik/ironizues, me nënkuptim të dyjësuar (Bob Legjenda) dhe paraqisni në kopertinë një helmetë (simbol i luftës, ftohtësisë). A është kjo diçka e qëllimshme (paralajmërim për stilin e gjuhës me të cilën shkruani romanin) ? Çfarë ka gri në roman?

Arlinda Guma: Në roman nuk ka asnjë gjë gri. Personazhi im është një djalosh me një shpirt plot ngjyra, por që rezervohet t’i shfaqë. Helmeta ishte një gjetja ime, një mjet për të përcjellë idenë e njeriut modern që vazhdimisht mbrohet prej sentimenteve, që nuk i shfaq ato, sepse shoqëria të pranon më lehtësisht po ishe cinik. Personazhi e sheh dashurinë si një luftë llogoresh dhe doja ta paraqesja të gjithë këtë koncept si një lloj street art-i. Ky ishte shpjegimi që i dhashë realizuesit të kopertinës Vlash Papa, i cili e kuptoi menjëherë dhe e realizoi në mënyrën më mjeshtërore të mundshme. Pra, ai muri i vjetër në kopertinë nuk është atje pa shkak. Por nuk e shoh aspak si një përmbysje, për mua titulli është në harmoni të plotë me imazhin në kopertinë.

Gentiana Kokthi: Kë kishit në mendje, ose kush ju frymëzoi për të krijuar një personazh si Bobi?

Arlinda Guma: Nuk kisha në mendje asnjë person real. Nuk ma dikton realiteti krijimtarinë. Edhe pse personazhit të Bobit i kam përcjellë disa nuanca prej personalitetit tim, ai mbetet një personazh fiction. Nuk më pelqen t’i marr nga realiteti ngjarjet apo personazhet, përndryshe ku do të ishte puna ime? Po t’i merrja të gatshme nuk do të quhej krijim dhe unë nuk do quhesha autorja e tij, por thjesht një kroniste.

Arkid Avdullai: Duke njohur profilin tuaj si autore e cila punon fort që të sjellë të palexuarën, atë që nuk është në masë dhe që nuk lexohet zakonisht, cilat janë tre fjalë të shkurtra që do ta përshkruanin krejt romanin?

Arlinda Guma: Më vutë në vështirësi me këtë pyetje. Nuk e di sa mund ta përmbledh me tri fjalë diçka që e kam shkruar për katër vjet.
Por… prisni të mendohem pak…
Unë mund ta quaja këtë roman… rebel, ndoshta? (Njëlloj si autorje e tij… qesh).
Ndoshta… I pangjashëm? (I pangjashëm me romane të tjerë të mitë dhe me ata të autorëve të tjerë).
Dhe… (këtu do ta heq ndajfoljen “ndoshta”)… I pashtirur…

  Foto nga Booklovers_ Albania

Gentiana Kokthi: A mund “të mbahet me hatër” një personazh, pa dalë nga konteksti i ngjarjes?

Arlinda Guma: Kurrë! Asnjëherë! Do të ishte fatale. Për shkrimin e një romani duhet shumë ndershmëri. Një fije e hollë pandershmërie do ta hidhte në erë të gjithë punën, do ta shkatërronte romanin. Nuk kam mbajtur kurrë ndonjë personazh “me hatër”. Në artin tim më ndihmon shumë liria ime e mendimit, pavarësia, mosndikimi ndaj opinioneve të të tjerëve, (të qenit “kokë më vete”, siç ma theksojnë ndonjëherë, çuditërisht me qortim), ndaj kam eksperimentuar lirisht gati në çdo gjë që kam krijuar. Kur shkruaj unë nuk mendoj sesi do t’i duket filanit apo fistekut. Të gjitha trajtesat kanë një baraslargim të ndershëm, të paanshëm. Ka patur herë që si individ nuk kam dashur t’i hyja dhe aq thellë përshkrimit të ndonjë personazhi, por si autore duhej ta bëja patjetër, dhe e kam bërë. Është ashtu siç thotë Bobi, personazhi im:
Nuk mund ta humbasësh mendjen në diçka kalimtare, pa u hedhur me kokë atje brenda, pa ia nxjerrë gjithë fijet jashtë si një elektricist që përpiqet të gjejë me çdo kusht vendin ku ato “bëjnë masë”. Pa ia nxjerrë zorrët si një kirurg me përvojë. Pa ia provuar gjithë tastet si një klarinetist virtuoz”.
Disa shkrimtarë vënë veten në qendër të ngjarjes dhe i thurin lavde në gjithë librin. Pra, siç shpreheni ju, “e mbajnë me hatër” personazhin-vete. Po si është e mundur që ajo vetja e tyre nuk paska asnjë cen? Që këtu fillon e shkatërrohet vepra. Që këtu ata fillojnë të mos jenë të vërtetë. Që këtu autori e ka lënë veprën në mëshirë të fatit dhe fillon t’i bërtasë lexuesit me duar e këmbë: “Më sheh? Jam këtu. Shiko sa i bukur që jam!” Autorë të tillë, që vënë interesin e cekët të dukjes, të imazhit të tyre, përpara interesit të vetë veprës, janë të destinuar të dështojnë. Pavarësisht se në Shqipërinë, primitive institucionalisht, ata mund të marrin edhe çmime (sepse dihet sesi jepen çmimet këtu; juritë mediokre, nderet që autorët i bëjnë njëri-tjetrit sikur janë duke ngrënë qofte në ndonjë qebaptore, etj), ata mbeten autorë të dështuar. Për mua ndershmëria është kriteri më i rëndësishëm në të bërit letërsi.

   Foto nga Booklovers_ Albania

Arkid Avdullai: Në ndryshim nga dy romanet e parë, të cilët janë ndërtuar në vetën e tretë dhe ngjarjen, si të thuash, e keni ju në dorë që ta drejtoni, ky roman vjen në vetën e parë. Sa e vështirë është të “veshësh” profilin e personazhit dhe të kontrollosh “projektin” që keni për ngjarjen?

Arlinda Guma: Shumë më e vështirë se të rrëfesh në vetën e tretë, në të cilën kam shkruar dy romanet e mëparshëm. Kjo ishte hera e parë që eksperimentova me vetën e parë, pra, nuk kisha dhe aq eksperiencë (me përjashtim të nja dy tregimeve në këtë regjistër) dhe jam treguar shumë e kujdesshme.
Rrëfimi në vetën e parë ka një përparësi të madhe sepse të afron me lexuesin më shume sesa rrëfimi në vetën e tretë ku ke një lloj distance me personazhet, por ka vështirësinë sepse personazhi është edhe aktor edhe narrator. Është ai “palaçoja” që duhet ta mbajë në këmbë ngjarjen duke “aktruar”. Ndaj kërkon vëmendje të madhe e të hollësishme ndaj gjithçkaje.

Blerta Derhemi: Nëse “Bobi” do të përkthehej në një gjuhë tjetër, sa i vështirë do të ishte përkthimi i tij, në mënyrë që të mos humbte asnjë nga “ojnat e fistonit” që keni thurur. A do mundej të përcillte të njëjtat mesazhe që jep për realitetin letrar shqiptar?

Arlinda Guma: Nuk mendoj se do të ishte i vështirë përkthimi. Sepse në këtë roman unë kam sjellë atë më të ndërlikuarën me fjali të thjeshta dhe të shkurtra. Përkthyesi do ta kishte shumë më të lehtë se me dy romanet e tjerë, gjuha e të cilëve është shumë më komplekse dhe më e vështirë.
Sa për nënpyetjen se nëse do të arrihej të përcilleshin të njëjtat mesazhe që ky roman përcjell në realitetin shqiptar, e them me bindje që po. Do përcilleshin të gjithë dhe asgjë nuk do “fironte” rrugës. Tutto il mondo è paese, thonë italianët. (E gjithë bota është fshat.) Dhe me globalizmin, këtë fshatin e madh, shkrimtarët në gjithë botën kanë vazhdimisht të njëjtat probleme.
Ne kemi gjithmonë këtë frikën e çuditshme se të huajt nuk na kuptojnë, por në të vërtetë ata na kuptojnë më mirë se ç’kujtojmë ne. Dy romanet e mi të mëparshëm i kanë lexuar disa akademikë të huaj dhe nga përshtypjet që më kanë shkruar kam kuptuar se perceptimi ka qenë i njëjtë si ai i lexuesit shqiptar.
Megjithatë, druaj se përkthimi i tyre nuk do të ndodhë kurrë. Sepse jam e ndërgjegjshme se natyra ime e pakorruptuar ia vështirëson rrugën librave të mi. Bobi, personazhi im, thotë midis të tjerash se në këtë vend fjalinë: “Je njeri i mirë” ta thonë me keqardhje, sikur të kesh ndonjë sëmundje të pashërueshme. Por ja që unë kështu jam gatuar. Me këtë sëmundjen “e pashërueshme” të ndershmërisë. E ç’kuptim do të kishte letërsia ime nëse ndryshe do të shkruaja nëpër libra dhe ndryshe do të sillesha në jetë?

     Faqja 5 e romanit “Bob Legjenda”

Eleana Zhako: Në hyrjen e librit ka një dedikim kushtuar qenit tuaj të fëmijërisë, “i cili u përpoq, sa mundi, të më largonte nga rruga e artit, duke më ngrënë fletoret..” Edhe personazhi juaj, “Bob Legjenda”, u përpoq sa mundi të largohej nga arti “i rretheve letrare të kryeqyetit”, duke “ngrënë”, shkrimet e tij. A ndiheni në njëfarë mënyre në rolin e shpëtimtares së Bobit dhe përçueses së frymës që letërsia arrin t’u bëjë ballë forcave shkatërruese dhe vetëshkatërruese?

Arlinda Guma: Nuk e di nëse kam qenë unë që e kam shpëtuar Bobin apo nëse ka qenë ai që më ka shpëtuar mua. (Siç e shihni, për çdo pyetje duket se kam më shumë se një version të përgjigjes.)
Letërsia mund t’u bëjë ballë me sukses forcave shkatërruese, është specialiteti i saj, ajo mëkohet nga ato, por jo gjithmonë arrin t’u bëjë ballë forcave vetëshkatërruese. Ndodh shpesh që këto të fundit ta asgjësojnë. Dhe kjo ndodh vetëm me shkrimtarët skrupulozë. Sa më skrupuloz dhe i talentuar është një shkrimtar, aq më e madhe është forca e tij vetëshkatërruese.
Më duhet të bëj një korrigjim në citimin tuaj: “Nga arti i rretheve letrare të qytetit”, jo të kryeqytetit. Kam krijuar thjesht një qytet ku kam vendosur ngjarjet, jo një kryeqytet. Nuk ka kryeqytete në romanet e mi. Nuk më tërheqin hierarkitë. Madje më vjen të qesh kur disa njerëz përpiqen me çdo kusht të shohin Tiranën në atë qytet. Ai është një qytet i krijuar, ashtu si ngjarja dhe personazhi, ndërsa me personazhin e qenit unë i kam përcjellë romanit diçka tepër personale. Unë jam rritur me një qen. Dhe nuk do gjeni vend në krijimtarinë time ku nuk ka si personazh një qen. Janë kafshë të dashura, aq fisnike, që kanë shenjuar fëmijërinë time dhe them se kam kaluar një fëmijëri të lumtur edhe për shkak të pranisë së tyre. Duhet të kem qenë 5 vjeç atëherë kur ime më më thoshte vazhdimisht: “Mos e puth qenin se të ngjit ndonjë semundje”, por kur ajo ikte unë e puthja dhe e përqafoja. E kisha shokun tim të lojërave.
Tani që kam kuptuar se rruga e letërsisë është shumë e vështirë në një vend si Shqipëria, ku nuk ka rëndësi fare sesa cilësisht shkruan, por se kujt i fshin këpucët, ka herë që do të kisha dashur vërtet që ai qen të kishte këmbëngulur pak më shumë me asgjësimin e fletoreve të mia. Tekefundit çdo shkrimtar e ka një “Maks Brod*” dhe “Maks Brod-i” im ishte qeni im i fëmijërisë. (Qesh…)

___________

Maks Brod ishte miku dhe biografi i shkrimtarit Franz Kafka, të cilit ai i la porosi që pas vdekjes t’ia digjte dorëshkrimet.

NË ISHULLIN E TË MOSHUARËVE-Julia Gjika

in Letërsi/Tharm by

NË ISHULLIN E TË MOSHUARVE-Julia Gjika

 

Të moshuarit vijnë çdo mëngjes,
në ishullin e tyre,
lozin të shkujdesur,
të bindur se një ditë do t’i lënë të gjitha.
U pëlqen të ecin në këmbë,
dikush mbështetur në bastun,
dikush me nipin përdore.
Kafeja e Lencit me dashuri i pret,
u servir kafe turke, expres,
amerikane, ëmbëlsira, akullore.

– Babai i Lencit iku, – thotë Vangjeli,
u kthye në vendlindje.
Kështu bëri dhe i jati i Nasit,
vite më parë, e la Amerikën.
Nëna e tij e thirri për ta martuar.
Ishte 16 kur erdhi e iku 27 vjeç.
– Sa të thahet pështyma ime, – i tha ajo,
– të vish, këtu tek pragu të pres!
Ai u kthye ne Shqiperi, por udhët u mbyllën!
Sot nga ne të riardhurit, rrallë kthehen,
kjo është shpërngulje për ne,
jo si kurbeti i atyre një shekull më parë.

– Na ka ikur gjumi, – i ankohen njëri-tjetrit.
Natën, në pasqyrën e hënës,
fytyrat vështrojnë të moshuarit,
qeshin aty për aty me pleqërinë e bardhë.
Secili me vetminë e vet,
së bashku janë në garë.
Me kokën pas, shpirti s’u ka qetësi të moshuarëve,
në një kohë flasin, nuk presin dot radhën.
Të moshuarit që emigruan në moshë të thyer.

– Para se të dorëzohem, – thotë Vangjeli,
– do t’ua lë amanet djemve të më shpien në Korçën time,
të më rehatohet trupi, aty pranë të mijve.
Dhe me krenari, në një gojë, ata flasin
rreth mbesave dhe niperve, për sukseset që Amerika u dha atyre.
Ata e duan Lorencin, janë shokët e të jatit,
Ah, vdekje të kishte, pleqëri të mos kishte,
udhën mes resh nis psherëtima e lashtë.
Të lehtësuar kthehen në shtëpitë e djemve dhe vajzave,
duke besuar se në fund do të bëhet më e mira për ta.

Shkëputur nga vëllimi: “Kujtimet bëjnë sikur flenë”, përkthyer në anglisht nga Ani Gjika, botuar në USA, Viti 2020.

Kur mbyllet e vetmja librari në qytet/Florian Vlashi

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Libraritë janë vende të shenjta, katedrale të mendimit, shenja më e sigurt që Zoti nuk e ka braktisur atë vend

      Florian Vlashi

Mbyllja e një librarie është një ditë zie. Por kur mbyllet libraria e vetme e qytetit, atëherë kjo është tjetër gjë… është një requiem pafund.

Këtë po mendoja kur më lajmëruan verën që shkoi se Libraria Toena po mbyllej përfundimisht.

Im atë, si ata “njerëzit-libër” tek Fahrenheit 451, ishte personi i fundit që pashë të dilte nga andej me një çantë mbushur me libra.

Kishte qenë pikërisht babai që më kishte sjellë për herë të parë këtu. Çdo verë e vizitonim bashkë Librarinë Toena, ku më fliste për librat dhe botimet e reja. Aty takonim dhe mjaft miq, lexues e shkrimtarë sepse, një librari është më shumë se një dyqan ku shiten libra. Libraritë janë vende të shenjta, katedrale të mendimit, shenja me e sigurt që Zoti nuk e ka braktisur atë vend.

Dal nga rrugica e librarisë, “rrugica e portës së madhe” siç e quajmë ne durrsakët, dhe eci kot nepër qytet. Shikoj njerëzit me habi dhe pyes me vete se a dinë ata se u mbyll dhe libraria e fundit? A e dinë ata se një qytet pa librari nuk është më qytet? A i njohin ata fjalët e Shën Terezës, 500 vjet më parë: “Lexo dhe do të drejtosh. Mos lexo dhe do të të drejtojnë” ?

Pas shëtitjes bosh, kthehem përsëri tek rrugica e “portës së madhe”. Ndaloj për herë të fundit para librarisë. Qepenat e hekurta e bëjnë të duket si një fytyrë e trishtuar me sytë mbyllur, ndërsa unë rri mbështetur tek qerpikët e saj si një pikë loti…

Nga sheshi vijnë zhurmat e përgatitjes së një koncerti festiv. Përballë janë dy kazanë të mbëdhenj plehrash, ndërsa tek muri në krah dikush ka shkruar me të zeza: “Ho voglia di te“.

Iki… Pas disa orësh më niset trageti. E di që do më marrë malli për Durrësin tim, qytetin ku mësova të lexoj.

Nëntor, 2015

????????????-?????? ?????????

in Letërsi by

????????????-?????? ?????????

 

Nuk gjen kurrë vetëvrasës në çerekun e të njohurve të dikujt
Asnjë vetëvrasës që t’ia ketë dalë.
Një djalosh kinez vret veten dhe vdes.
(ata vazhdojnë t’ia shpien postën tek rafti i letrave në Dôme*)
Një djalosh norvegjez vret veten dhe vdes.
(kurrkush s’di se ku shkoi djaloshi tjetër norvegjez)
Ata gjejnë një modele të vdekur
në shtrat fillikat, fare të vdekur.
(çka sjell telashe gati të papërballueshme për derëtarin)
Vaji i ullirit, e bardha e vezëve, mustarda dhe uji, shkuma e sapunit
dhe pompa e klizmës shpëtojnë të njohurit e dikujt.
Çdo pasdite të njohurit e dikujt mund t’i gjesh në kafene.

1923

Përktheu: Edon Qesari

* Le Dôme Café është një restorant historik në lagjen Montparnasse të Parisit, i njohur që në fillim të shek. XX si pikë takimi mes intelektualësh. Më vonë do të lakohet edhe si “kafeneja e anglo-amerikanëve”, për shkak të frekuentimit të ngjeshur nga expat-ët anglo-amerikanë, të cilët bënë bujë si shkrimtarë e artistë të të ashtuquajturit “brez i humbur” (lost generation).

LIBRI I PASHKRUAR – Kushtuar shkrimtarit Petro Marko/Lazër Stani

in Letërsi by

Shkrimtarit Petro Marko

  Lazër Stani

Jeta e shkrimtarit është një libër i mbyllur. Një libër i mbyllur, i pahapur dhe i palexuar kurrë, qe edhe jeta e shkrimtarit Petro Marko, më shkrimtari nga të gjithë shkrimtarët që pata fatin të njoh në rininë time. E kisha parë disa herë pasditeve vonë tek shëtiste i vetëm në bulevard, të shumtën e herëve me një cigare në gojë, me trupin e drejtë e kryet lart, sikur e tërhiqte qielli sipër nesh dhe me atë pallton e gjatë e të zezë, që më duket se i arrinte deri poshtë kërcinjve, afër nyjeve të këmbëve. Lëvizte ngadalë, i përhumbur në mendimet e tij, as i kënaqur, as i dëshpëruar, pothuajse mospërfillës për gjithçka ndodhte. Nganjëherë ndalej e përshëndetej me ndonjë të njohur, shkrimtar apo lexues, shkëmbente disa fjalë shkurt dhe prapë largohej, vazhdonte ecjen e tij, i vetëmjaftueshëm në vetminë që e rrethonte. E ndiqja me sy lëvizjen e tij të ngadaltë, si të një njeriu që do të bëjë të pandjeshme kohën, ndërsa pret të ndodhë diçka e rëndësishme: një takim me gruan e dashur a një grusht shteti në Pallatin Qeveritar. Petro, me siguri nuk priste as njërin e as tjetrin dhe unë vrisja mendjen se çfarë bluante me vete në ato shëtitje pragmbrëmjeve, ndërsa muzgu përpëlitej rrugicave anësore të ndriçuara keq. Veçse kryet hijshëm ia rrethonte një aureolë trishtimi, si ato aureolat që rrethojnë fytyrat e shenjtorëve nëpër afresket e Mesjetës. Një kurorë trishtimi, që mua nganjëherë më dukej si kurorë gjembash. Edhe mua në atë moshë të re, siç ngjet me shumë prej lexuesve, më mundonte misteri i autorit që qëndron pas librave të dashur.
Ndodhte që pasditeve të shkoja në Kafenenë e Gazetarëve që gjendej në katin përdhes të ndërtesës së gazetës “Bashkimi”, një godinë e vjetër në shëtitoren me emër përbindëshi, që tani quhet bulevardi “Zogu i Parë”. Gjithmonë aty rreth orës shtatë pasdite këmbët më shpinin vetvetiu te kjo kafene ku takohesha me të njohurit, ose ndodhte që edhe merrja një kafe vetëm e ulesha diku në një qoshe, pasi shkëmbeja disa fjalë e ndonjë buzëqeshje me banakieren simpatike, gjithmonë duke piketuar në mendje ngjashmëritë e tmerrshme të kësaj kafeneje me kafenenë “Fitorja” të përshkruar nga George Orwell, në romanin e tij të famshëm “Viti 1984”. Aty shpesh shikoja edhe Petro Markon, të ulur vetëm, me filxhanin me kafe të zezë përpara, por asnjëherë nuk kisha guxuar t’i flisja. Unë, atëherë isha një djalë i ri, i diplomuar para pak vitesh: shkruaja artikuj në gazeta, përktheja ndonjë gjë nga letërsia e huaj, po kurrë nuk kisha botuar një krijim timin dhe as që mendoja se do të botoja ndonjë ditë. Tregimet e mi më dukeshin të pabotueshëm dhe unë as që bëja përpjekje të bëhesha shkrimtar i botueshëm. Shkruaja thjesht për vete. Një miku im shkrimtar, autor i disa librave, që kishte lexuar disa prej tregimeve të mi, ma kishte thënë troç, edhe pse gjysmë me shaka: “Nuk do të bëhesh kurrë shkrimtar, sepse nuk do të botosh kurrë.” Kështu që me gjithë dëshirën, pothuajse e kisha të pamundur të njihesha me Petro Markon, shkrimtarin e madh, “Hasta la vista”–n e të cilit e kisha lexuar në rininë e hershme dhe më kishte magjepsur, me atë rrëfim dhe histori të jashtëzakonshme.
Një të shtunë tetori, pasi u ktheva me trenin e mëngjesit nga Shkodra, ndalova në kafenë time “Fitorja”, që të merrja një kafe e të çlirohesha nga përgjumja dhe plogështia e udhëtimit. Kafeneja ishte pothuajse e zbrazët, sepse në atë orë gazetarët gjendeshin në mbledhjet e redaksive, që zgjatnin të paktën dy orë. Vajza pas banakut më priti me një buzëqeshje që i çeli fytyrën dhe shprehu habinë e saj që unë gjendesha aty në atë orë.
“Tashti u ktheva nga Shkodra”, i thashë dhe porosita kafenë, duke pritur në këmbë pranë banakut. Sapo mora kafenë i hodha një sy kafenesë, si për të zgjedhur tryezën ku do të ulesha. Petro kishte ngritur kryet dhe po më vështronte me dashamirësi. Buzëqeshi dhe më ftoi të ulesha në tryezën e tij. Ai më foli me emër dhe kjo më befasoi. Nuk e dija se më njihte.
Shkova i ndruajtur drejt tij dhe, pasi vura kafen në tryezë, i zgjata dorën që më dridhej.
“Kam vënë re se vajzës i ndritin sytë sa herë ti hyn këtu”, tha dhe buzëqeshi. Dhe Tolstoi më duket e ka thënë se “femrat kanë një nuhatje për njeriun e mirë, si të qenit”.
Unë buzëqesha dhe nuk dija ç’t’i thosha. Po ai zuri të fliste me mua si me një mik të vjetër, sikur njiheshim prej vitesh. Unë i tregova anekdotën e fundit që kisha dëgjuar në Shkodër për një gjahtar gënjeshtar dhe ai qeshi me shpirt. Pastaj ai më tregoi për rrënjët e tij të lashta, që duhej të ishin diku nga Veriu. Nga një fis i Arbërit me siguri, se prej andej janë rrënjët ilire të shqiptarëve. “Dhe shtatin e lartë e sytë blu prej andej i kam,” tha me shpoti.
Qëndruam pothuajse një orë duke biseduar, por letërsinë, të shkruarit, nuk e zumë me gojë. Ai më tregoi një anekdotë të vjetër, që e kishte lexuar diku në një revistë franceze të viteve ’30, por që kurrë nuk kishte mundur ta harronte.
Një amerikan, atëherë djalë i ri, po udhëtonte me tren diku në një provincë jugore të Francës. Kur po kalonin pranë një fshati përmes kodrave, shikon nga dritarja një vajzë bythëjashtë që po urinonte pas një ferre. Amerikani shtyp sinjalin e alarmit, ndalon trenin, paguan gjobën dhe zbret, gjen vajzën dhe martohet me të. Pas njëzet vitesh amerikani me të shoqen, vendosin të bëjnë të njejtin udhëtim. Kur mbërrijnë te vendi ku ishin njohur perdet e trenit mbyllen menjëherë dhe konduktorët urdhërojnë që askush të mos i hapë perdet.
I çuditur amerikani pyet se përse i mbyllën perdet. Eshtë histori e gjatë i thotë njëri nga udhëtarët e vjetër që e bënte shpesh atë rrugë.
Këtu e njëzet vjet më parë kaloi këndej pari një amerikan budalla, pa një vajzë bythëjashtë që urinonte pas një ferre, ndaloi trenin, zbriti dhe u martua me të. Që prej asaj kohe nja treqind vajza nga fshatrat rreth e rrotull presin bythëjashtë pas ferrave në po këtë vend se mos kalon ndonjë amerikan tjetër.
Nuk e mbajta dot të qeshurën. I përfytyroja vajzat e shkreta të fshatit, me fytyra të fshehura pas shkurreve dhe me bythët përjashta, me shpresë se mos ndonjë amerikan tjetër i pikaste nga dritarja e trenit, dhe e qeshura nuk më ndalej. U ndamë me Petron aty rreth orës dhjetë. Ai humbi në rrugicën e ngushtë dhe të zbrazët duke tërhequr mbrapa hijen e errët të teshave të tij.
Unë u ktheva në redaksinë e gazetës ku punoja, po mendjen e kisha gjithnjë te Petroja, te shkrimtari Petro Marko. Përtej bisedave të gjalla dhe pothuajse të gëzueshme, përtej humorit dhe dritës vezulluese që i buronte prej syve, fshihej një errësirë dhe një mister i parrokshëm, ndihej një brengë dhe një vuajte pothuajse tragjike, sikur ngrihej e dilte në sipërfaqe nga fundi i dheut. Në portretin e tij shpërfillës, si të gdhendur nga një gjeni i lashtë, ndiheshin në të njejtën kohë rrënimi dhe sfida, mospërfillja dhe dhembja, kryelartësia dhe ligështimi, prania dhe ikja. Një mijë pyetje pa përgjigje më vinin në mendje, por më kryesorja, më ngulmuesja dhe më tunduesja, që nuk më shqitej nga mendja, formulohej me fjalë të thjeshta, gati naive: cili është libri i mbyllur i shkrimtarit Petro Marko? Ai libër që nuk gjendej i shkruar në romanet e tij, të cilët i kisha lexuar, ai libër që nuk rrëfehej në biseda, në shkrime, në intervista? Ajo që është e pamundur ta shkulësh nga vetja nëpërmjet fjalëve, ta shprehësh nëpërmjet tingujve apo ngjyrave. Nuk e di shkakun, po pikërisht praninë e këtij libri të mbyllur ndjeva në takimin tim të parë me Petro Markon, prani që nuk e kisha ndjerë në takimet me shkrimtarët e tjerë, edhe pse, i njihja pothuajse të gjithë emrat e njohur të letërsisë shqipe.
Ndoshta ishte kjo arsyeja, që për një javë të tërë, nuk shkela më në kafenenë “Fitorja” ose Kafeneja e Gazetarëve, siç njihej në zhargonin e asaj kohe. Por pas një jave a dhjetë ditësh, një pasdite me shi, këmbët më çuan vetvetiu te dera e kafenesë, shkunda shiun, duke përplasur shojet e këpucëve te pragu dhe shtyva derën, duke u ndalur para banakut, ku si gjithnjë vajza më priti e buzëqeshur dhe me një vështrim pyetës që sikur më thoshte: “Ku dreqin ke qenë gjithë këto ditë?”
Te tryeza në qoshen gjysmë të errët më zunë sytë Petron që po rrëmonte në xhepin anësorë të palltos së vjetër prej ku nxorri një kartmonedhë të zhubrosur një lekëshe, që të paguante kafenë, tashmë të pirë.
Ngriti kryet dhe vështrimet tona u kryqëzuan. Shkova drejt tij pa pritur të merrja kafenë që po më përgatiste vajza.
“S’ke dalë“, tha pikëllueshëm duke më zgjatur dorën dhe më bëri shenjë të ulesha. Vajza erdhi e më solli kafen, ndërsa Petroja po më qortonte.
“Duhet të dalësh më shpesh, tha. Ti më sjell gaz, më bën të qeshur”.
Dhe si u mendua një grimë shtoi, sikur fliste me veten, jo me mua:
“Është sevap ti bësh pleqtë të qeshin.”
“Ti nuk je plak, nuk do të jesh kurrë plak”, thashë unë i zënë ngushtë.
“Ah, tha, tashmë jam më shumë andej se këtej. Po shkoj dhe nuk mund të bëj asgjë që ta ndal.”
Fliste ngadalë, përhumbshëm, por edhe me një farë lehtësimi të brendshëm, sikur nuk fliste për jetën e tij, po të ndonjërit prej personazhëve të krijuar po prej tij. Aty për aty m’u kujtua një varg i Pablo Nerudës, që e kisha lexuar së fundmi “Sonte mund të shkruaj vargje të trishtuar”.
“Ah, këta janë terroristë, tha, ruaje veten”.
Më tregoi për burgosjet e tij, për burgosjen në Korçë, pas një urdhri të ardhur telegrafisht nga Tirana.
“Më arrestuan në kinema “Majestik”. Dy xhandarë më hodhën prangat e më çuan te prefekti. Prefekti më tha se nuk do të më çonte postë më postë të lidhur po të shoqëruar nga korrieri, një civil. U nisa nga Korça duke u paraqitur nga një postë xhandarmërie të tjetra dhe pas dy javësh mbërrita në Tiranë. Kur mbërrita në Tiranë më thanë se më kërkonte mbreti. “Kësaj radhe e pësova”, thashë me vete i trembur. Por mbreti më priti me buzëqeshje. Më tha: “Ti Petro je djalë i ri, i talentuar, i mençur dhe mbi të gjitha je shqiptar, e do Shqipërinë. Por ka edhe njerëz që duke e dashur i bëjnë keq vendit të vet. Atdheu është si gruaja: duhet të dish ta duash”. Heshti një grimë herë, pastaj sikur u kujtua për diçka të gëzueshme, tha me të qeshur. “Po a sulmohet mbreti mor Petro?! Sikur kemi shumë. Një kemi”. U ndjeva ngushtë dhe nuk po dija si t’i përgjigjesha. E dija se në ligjin e shtypit shkruhej se “nuk përmendet për keq Mbreti, familja mbretnore”. Nuk përmendi as pse më kishin arrestuar dhe as nëse më priste ndonjë ndëshkim. Tha diçka për punët e rënda të shtetit dhe vështirësitë e paimagjinueshme të mëkëmbjes së Shqipërisë, pas asaj lëngate të gjatë shekullore. “Ti je i ri, tha, po më vonë do ta kuptosh se çfarë barre e rëndë është ta kthesh në binarë këtë vend”.
U ngrit në këmbë dhe tha: “Je i lirë të shkruash çka të duash”.
Më përcolli deri te dera dhe më porositi që për çfarëdo problemi që të kisha mund të shkoja e ta takoja. Nuk e takova më kurrë.
Kur dola po mendoja se isha i lirë të shkruaja ç’të doja e për gjithkënd me përjashtim të mbretit. E provova lirinë time ato ditë me një shkrim kundër kryeministrit, por askush nuk më shqetësoi. Ishim të lirë atëherë, jo si tani.”
Heshti një copë herë dhe pastaj, si të ishte zgjuar nga një ëndërr e keqe më përsëriti: “Ruaje veten! Të gjithë janë spiunë, edhe ata që të shtiren si miqtë më të ngushtë”.
Unë i tregova se sapo kisha lexuar romanin e Xhorxh Oruellit “1984” të përkthyer nga Ramiz Kelmendi dhe të botuar në Prishtinë. Ai roman sikur është shkruar për Shqipërinë e sotme. Edhe pse është botuar pothuajse 40 vjet më parë, ai parashikoi se si do të ishte Shqipëria. Dhe kjo kafe ku po rrimë, është njëlloj si kafe “Fitorja”, që përshkruhet në roman, dhe udhëheqësi, dhe rinia që ishte përfshirë në lëvizjen antiseks.
Më dëgjonte me vëmendje, por nuk më pyeti se nga e kisha gjetur romanin që kisha lexuar. Veç shtoi mendueshëm se anglosaksonët bëjnë letërsi të zgjuar. Pastaj folëm për librat që kisha lexuar së fundmi dhe unë ndër të tjera i tregova se rusët kishin botuar së fundmi “Kështjellën” e Kafkës në “Inostrannaya Literatura”, me vazhdime. Folëm pastaj diçka për autorët modernë të cilët Shqipëria i kishte futur në rreth të kuq.
“Ah, këta!” psherëtiu.
E dija se me “këta” kishte parasysh njerëzit e pushtetit.
“Ma pati thënë mirë Sejfulla Malëshova: Kjo është parti e krijuar nga dy serbë dhe është parti terroristësh. Ashtu mbeti, parti terroristësh.”
U përhumb disa çaste midis kujtimeve të tij të largëta dhe të trishtuara, sikur kërkonte në një sënduk të vjetër një testament të humbur.
E di, kur punoja si kryeredaktor në gazetën “Bashkimi”, një natë vjen vëllai për vizitë në shtëpi. Unë isha në një mbrëmje të organizuar në hotel “Dajti” me të mëdhenjtë e vendit dhe miqtë tanë të asaj kohe. Kur u ktheva në mesnatë në shtëpi e gjeta vëllain të shtrirë në dysheme mbi gunën e tij, pranë shtratit ku i kishte shtruar ime shoqe.
Ngrihu e fli në shtrat, i thashë, ç’bën në dërrasa?!
Petro, tha, për këtë luftuat ju komunistët, që të zdërhalleni me pije, ballo e kurva deri pas mesnate, ndërsa nga ne njerëzit po vdesin për bukë. Nuk e dua as shtratin as bukën tende.
“Nuk jam ndjerë kurrë më ngushtë”, tha pikëllueshëm, sikur të ishte rrëfyer për një ngjarje të sapondodhur.
Dolëm nga kafeneja dhe u ndamë në mbrëmje vonë. Asokohe e dija se Petroja ishte arrestuar tri herë, në të trija regjimet që kishin sunduar mbi Shqipëri, por nuk i dija vuajtjet e tij të pafundme. Rebel, i panënshtruar, i lirë në shpirt dhe i shkatërruar, ëndërrkëputur, si gjithë njerëzit e lirë që ende kishin mbetur gjallë në Shqipëri. Ky ishte Petroja. Fati trillan dhe rastësia, e kishin ndihmuar të mbetej gjallë që të shihte me sytë e vet shkatërrimin një mbas një të të gjitha ëndrrave, të të gjitha iluzioneve si dhe shkatërrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve gjithashtu. Ndërsa po kthehesha në qoshkun tim ku flija, një dhomë në konviktin e pedagogëve në qytetin “Studenti”, mendova se të gjitha ligjet që prej Dhjetë Urdhërimeve, ishin bërë për ta frenuar të keqen brenda njeriut dhe për të mbrojtur të mirën. E liga te njeriu, e keqja, nuk ka nevojë të mbështetet. Ajo rritet e shtohet vetë brenda njeriut, nëse nuk ekziston frika e ligjit dhe frika e Zotit. Kishte të drejtë Dostojevski kur shkruante: “Nëse Zoti nuk ekziston, atëherë gjithçka është e lejuar”. Ne e kishim tejkaluar çdo parashikim: E keqja jo vetëm ishte e lejuar, por ishte shndërruar në sistem sundues. Ajo ishte energjia e pashterrshme që mbante në këmbë regjimin, lubrifikanti që vajiste ingranazhet e ndryshkur të makinës shtypëse.
Dy ose tre javë nuk e takova më Petron edhe pse dilja pothuajse çdo mbrëmje nga Kafeneja e Gazetarëve. Nuk e pashë as në bulevard ku bënte shëtitjen e tij të zakonshme. Mendova i shqetësuar se mos ishte i sëmurë, por aty për aty e ngushëllova veten: ndoshta është ulur e po shkruan, mendova. Kur e pashë një të shtunë në bulevard, më mbetën sytë te kaçurrelat e thinjur e të pakrehur. Palltoja që mbante veshur m’u duk më e vjetër se kurrë. I lodhur, i drobitur, hapat i hidhte ngadalë, po trupin e mbante drejtë dhe nuk shihte as majtas as djathtas. Nuk pata guxim t’i flisja. M’u duk sikur do t’ia prishja atë udhëtim të vetmuar drejt askundit. Shkova dhe u ula në kafene, duke pritur se mos kthehej aty dhe ai me të vërtetë u kthye. U ngrita në këmbë sapo u fut në kafe dhe e përshëndeta. Erdhi drejt meje dhe më përqafoi si një bir të humbur. U ul në kolltukun e vjetër, ndërsa unë i bëra shenjë vajzës që t’i sillte kafenë.
“Lazër, nuk e marr vesh njeriun,” më tha. Humbi në mendime, pastaj nxorri paketën dhe ndezi një cigare. Unë në atë kohë nuk e pija duhanin. Ndiqja me sy currilin e hollë të tymit që dilte nga cigarja, bënte disa spërdredhje të mundimshme në ajrin e ndenjur dhe humbiste në asgjë. “Si jetët tona,” mendova.
“Dua të shkruaj një roman, më tha. Retë dhe Gurët. Gurët nuk lëvizin, qëndrojnë aty ku ishin përjetësisht, ndërsa retë vijnë dhe shkojnë, ikin dhe kthehen, duke derdhur lotët e të ikurve në gjollat e gurëve…”
Kapi mjekrën me dorën e majtë dhe e shtrëngoi mes gishtërinjve.
“Ja, tha, ta zëmë se janë dy vëllezër: njëri sa rritet merr rrugët e botës, ia mbath nga sytë këmbët, u bjen kryq e tërthor shteteve, shkollohet, dashuron, harbon, kurse vëllai tjetër, nuk shkulet nga fshati, kullot bagëtitë në mal, punon tokën, mban nënën dhe familjen. Po çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, sytë i shkojnë nga deti, sheh renë që vjen prej andej, sjell shiun që derdhet mbi gurë. Atij ky shi i ngjan me lotët e dhimbjes së vëllait mërgimtar. Po jeta e cilit vëlla ka më kuptim? Nuk e marr vesh. Gjithmonë, edhe kam dashur edhe të ik, edhe të rri…”
U kthye nga unë dhe më pyeti se a shkruaja.
“Shkruaj, i thashë, po nuk kam botuar asnjë gjë. Dhe nuk besoj se do m’i botojnë ndonjëherë”.
“Shkruaj, tha, shkruaj sa të mundesh. Unë nuk kam shkruar as pesë përqind të atyre që kam menduar”. I shqiptoi këto fjalë me një zë të shuar, të pikëlluar, të pashpresë, sikur pas këtyre fjalëve pritej shkatërrimi, rrënimi, asgjëja.
“Na thuaj ndonjë gjë për të qeshur, m’u drejtua papritmas. Dhe unë i tregova historinë e sekretarit të parë dhe të kurvës që kërkonte shtëpi, që e kisha dëgjuar ato ditë. Qeshëm të dy, por Petro më fort. “I zgjuar kopili”, tha dhe vazhdonte të qeshte.
Pasi u ndamë, unë mendjen e kisha te librat e tij të pashkruar, librat që do të mbeteshin përjetësisht të mbyllur në kafkën e tij. I imagjinoja në radhë njëri pas tjetrit, të vendosur në bibliotekën time; të rinj, të sapodalë nga shtypi, me kundërmimin e fortë të letrës. A do t’i shkruante ndonjëherë ata libra, a do t’i lexoja unë ndonjëherë?! E dija se, në atë moshë që ishte, nuk do t’ia dilte kurrë t’i shkruante, por të paktën atë romanin “Retë dhe Gurët”, kisha përshtypjen se do ta lexoja ndonjë ditë. Ai me siguri po shkruante këtë roman, mendoja. Aty për aty u kujtova për të gjithë librat e mi që kisha në kokë dhe me marrëzinë e një të riu, mendova i ngazëllyer se kisha gjithë kohën e botës për t’i shkruar. Atëkohë nuk e dija se shkrimtari nuk arrin ta shkruajë kurrë librin e tij më të mirë dhe ai, libri më i mirë, si një vrimë e zezë gëlltit edhe shumë libra të tjerë rreth vetes. Librat më të mirë të shkrimtarit mbeten gjithmonë të pashkruar, misteret më të thella të pashprehura, ndjenjat më intime të ngujuara.
Kur u botuan kujtimet e Petros, pas vdekjes, nxitova të shkoj në librari e ta blej, sepse mbi kopertinë ishte dhe titulli i romanit të munguar “Retë dhe Gurët”. Ishte një intervistë e gjatë, me vetveten, një rrëfim për të trija kohët e jetës së tij, por jo libri i pashkruar i Petro Markos. Shkrimtari librin më të mirë të tij, atë të pashkruarin e kishte marrë me vete, si një libër të mbyllur që ne nuk do ta lexonim kurrë.

Thirrje telefonike-Roberto Bolanjo

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Roberto Bolanjo

B-ja është dashuruar me X-in. Është dashuri fatkeqe. Në atë kohë B-ja ishte i gatshëm të bënte gjithçka për X-in, ashtu siç mendojnë e thonë gjithë të dashuruarit. X-i e preu dashurinë. X-i këtë e bëri me telefon. Natyrisht B-ja në fillim vuajti, po me kalimin e kohës e kapi veten. Jeta, siç thuhet nëpër telenovela, vijon.
Kaluan disa vjet.
Një natë nuk kishte çfarë të bënte. B-ja, pas dy thirrjesh telefonike, mundi të lidhej me X-in. Asnjëri nuk ishte më i ri dhe kjo kuptohej nga zërat e tyre që përshkonin Spanjën nga njëri cep në tjetrin. U lidhën prapë fijet e miqësisë së tyre dhe pas disa ditësh vendosën të takohen. Të dyja palët kishin vuajtur shkurorëzime, sëmundje, dështime. Kur B-ja hipi në trenin që do ta çonte në qytetin e X-it, ende nuk e ndiente veten të dashuruar. Ditën e parë e kaluan të mbyllur në shtëpinë e X-it, duke folur për jetët e tyre (në të vërtetë foli X-i), kurse B-ja e dëgjoi dhe nganjëherë i bënte pyetje, atë natë X-i e grishi që të flinin në një shtrat. B-ja, në të vërtetë, diku thellë, nuk ka dëshirë të flejë me X-in, por pranon. Kur u zgjua në mëngjes, e ndjeu veten prapë të dashuruar. A është i dashuruar me X-in, apo është i dashuruar pas mendimit se është i dashuruar? Marrëdhënia e tyre është problem i ngjeshur: X-i çdo ditë është në prag të vetëvrasjes, mjekohet nga ana psikiatrike (pi hapa, shumë hapa, që në të vërtetë nuk e ndihmojnë), qan shpesh pa ndonjë arsye të dukshme. Kështu që B-ja nis të kujdeset për X-in. Tregohet i dashur, i vëmendshëm, por i ngathët. Kujdesi i tij është më shumë shkërbim i një dashnori të mirëfilltë. B-ja e kupton këtë. Përpiqet ta shpëtojë nga depresioni, por e fut në një rrugicë të verbër apo në atë që X-i e quan të tillë. Nganjëherë, kur është vetëm apo vrojton X-in duke fjetur, vetë B-ja mendon se ajo është në rrugicë të verbër. Mundohet të sjellë ndër mend dashuritë e humbura, si njëfarë antidoti, mundohet t’i mbushë mendjen vetes se mund të jetojë pa X-in, se ajo mund të shpëtojë vetë. Një natë X-i i kërkon që ai të largohet dhe B-ja pret biletën për të udhëtuar në një tren që do ta çojë jashtë qytetit. X-i shkon në stacion që ta përcjellë. Ndarja është e përzemërt, por plot pikëllim. B-ja udhëton në vagon me shtrat, po për shumë kohë nuk e zë gjumi. Tekembramja, kur e zë gjumi, ëndërron një majmun prej dëbore duke ecur në shkretëtirë. Majmuni ecën me ngathtësi dhe është në prag të dështimit. Por majmuni nuk do ta pranojë dhe përdor dredhinë: ecën natën, kur yjet e akullta e ftohin shkretëtirën. Pasi zgjohet (ndodhet në stacionin Sants në Barcelonë), B-së i duket se mund ta zbërthejë kuptimin e ëndrrës (nëse ka) e merr rrugën e shtëpisë disi i ngushëlluar. Po atë natë merr në telefon X-in dhe i tregon ëndrrën. X-i nuk thotë gjë. E thërret në telefon edhe të nesërmen. Edhe pas një dite. Qëndrimi i X-it bëhej për çdo ditë më i ftohtë, a thua se B-ja pas çdo thirrjeje largohej gjithnjë edhe më shumë. Pak nga pak po vjen duke u zhdukur, mendon B-ja. Ajo po më fshin dhe e di çfarë bën dhe pse e bën. Një natë B-ja e kërcënoi X-in se do të hipte në tren dhe të nesërmen do të ndodhej në shtëpinë e saj.
– As mos e mendo këtë gjë, – thotë X-i.
– Do të vij, – thotë B-ja, – se nuk i duroj më këto thirrje telefonike. Kur flet dua të ta shoh fytyrën.
– Nuk do ta hap derën, – thotë X-i dhe ia mbyll telefonin.
B-ja nuk kupton gjë. Mendohet gjatë se si një qenie njerëzore kalon nga një cep në tjetrin me ndjesitë e veta. Pastaj pi, dehet dhe kërkon ngushëllim tek një libër. Kalojnë ditët.
Një mbrëmje, pas gjashtë muajsh, B-ja thërret në telefon X-in që mezi ia njeh zërin.
– Ah, ti qenke?
Ajo tregohet shumë e ftohtë, aq e ftohtë, sa të trondit. Megjithatë B-së i duket sikur X-i do t’i thotë dicka. Po e dëgjon sikur të mos kishte kaluar kaq kohë, a thua se kishin folur para një dite.
– Si je? – e pyet B-ja, – tregomë ndonjë gjë.
X-i i përgjigjet me fjalë njërrokëshe dhe pas pak mbyll telefonin. B-ja habitet dhe formon prapë numrin e saj. Kur përgjigjet, B-ja parapëlqen të qëndrojë i heshtur. Në anën tjetër të fillit, zëri i X-it thotë:
– Hë, kush është? – Heshtje. Pastaj thotë: – Urdhëro. Dhe hesht.
Koha-koha që e ndante B-në nga X-i dhe që B-ja nuk e kuptonte-kalon nëpër fillin e telefonit, ngjeshet, nderet, zbulon një pjesë të natyrës së tij. B-ja, pa e kuptuar, nis të qajë. E di që është X-i që e ka kërkuar. Pastaj, heshtazi, e mbyll telefonin.
Deri këtu historia është e rëndomtë, prekëse por e rëndomtë. B-ja e kupton se nuk duhet t’i telefonojë më X-it.
Një ditë troket dera dhe shfaqen A-ja dhe Z-ja. Janë dy policë që duan ta marrin në pyetje. B-ja kërkon arsyen. A-ja lëkundet. Z-ja i sjell fjalën rrotull, pastaj i thotë. – Para tri ditësh, në cepin tjetër të Spanjës, dikush ka vrarë X-in. Në fillim B-ja e humb toruan, pastaj e kupton se ai është në mes të të dyshuarve dhe instikti i vetëmbrojtjes e shtyn të mbrohet. Policët e pyesin për dy ditë të veçanta. B-së nuk i kujtohet fare çfarë ka bërë ato dy ditë. Vetëm e di se nuk ka lëvizur nga Barcelona, madje as nga lagjia, as nga shtëpia, vetëm se nuk mundet ta provojë. Policët e marrin me vete. B-ja kalon natën në komisariat. Një çast, gjatë pyetjeve, mendon se do ta çojnë në qytetin e X-it dhe kjo gjë çuditërisht e josh, por tekembramja kjo nuk ndodh. I marrin gjurmët e gishtave dhe i marrin leje që t’i bëjnë një analizë gjaku. B-ja pranon. Të nesërmen e lënë të kthehet në shtëpi. Zyrtarisht B-në nuk e arrestuan, vetëm se kërkuan që të ndihmojë në zbardhjen e asaj vrasjeje.
Kur kthehet në shtëpi, B-ja shtrihet në shtrat dhe e zë gjumi menjëherë. Sheh në ëndërr një shkretëtirë dhe fytyrën e X-it, dhe, para se të zgjohet, e kupton se të dyja janë po ajo gjë. Nuk është nevoja ta vrasë shumë mendjen se ai është i humbur në shkretëtirë.
Në darkë fut disa plaçka në çantë dhe merr rrugën për te stacioni. Aty hipën në trenin që do ta çojë në qytetin e X-it. Gjatë udhëtimit, që zgjat gjithë natën se shkon nga njëri cep i Spanjës në tjetrin, nuk e zë gjumi dhe vret mendjen rreth asaj që mund të kishte bërë dhe nuk e bëri, rreth asaj që mund t’i kishte dhënë X-it e nuk ia dha. Gjithashtu mendon: po të isha unë i vdekuri, do të bëhej ai udhëtim në kahe të kundërta. Mendon: por jam pikërisht unë që jam gjallë. Gjatë udhëtimit, për herë të parë e këqyr X-in në madhësinë e saj të vërtetë, ndien prapë dashuri për të dhe e përbuz veten me hidhërim.
Mbërrin dhe shkon menjëherë drejt e në shtëpinë e të vëllait të X-it. Ky turbullohet dhe befasohet, e fton të hyjë brenda dhe i bën një kafe. Vëllai i X-it e ka fytyrën të larë dhe është përgjysmë i veshur. Nuk ka bërë dush, vë re B-ja. Vetëm ka larë fytyrën dhe ka lagur flokët. B-ja e merr kafenë, pastaj i thotë se kishte marrë vesh vrasjen e X-it, se policia e ka marrë në pyetje dhe se kërkon të dijë si ndodhi.
– Qe diçka shunë e trishtuar, – thotë vëllai i X-it ndërsa përgatiste kafenë në kuzhinë, – por nuk e marr vesh ç’lidhje ke ti me këtë çështje.
– Policia dyshon se mund të jem vrasësi, – thotë B-ja.
Vëllai i X-it qesh.
– Ti gjithnjë ke qenë njeri fatkeq, – i thotë.
– Çudi si po ma thotë këtë, – mendon B-ja, kur jam unë ai që ka mbetur gjallë. Por megjithatë i është mirënjohës që ai nuk dyshon për pafajësinë e tij. Pastaj vëllai i X-it shkon të punojë, kurse B-ja mbetet në shtëpi. I kapitur bie në gjumë të thellë. Siç merret me mend, në ëndërr i shfaqet X-i.
Pasi zgjohet, i duket se e di kush është vrasësi. E ka parë fytyrën e tij. Atë natë del me të vëllanë e X-it, hyn në bar e flasin për gjëra të rëndomta dhe sado që mundohen të dehen, nuk ia dalin dot. Ndërsa po ktheheshin në shtëpi nëpër rrugët e zbrazura, B-ja i thotë se njëherë e pati thirrur në telefon X-in e nuk i foli.
– Cfarë marrëzie, – thotë vëllai i X-it.
– Një herë e bëra, po atëherë e kuptova se X-it i ndodhnin kësi marrjesh në telefon. Dhe ajo kujtonte se isha unë. E kupton? – pyeti B-ja.
– Vrasësi është tipi i thirrjeve anonime në telefon? – pyeti i vëllai.
– Pikërisht këtë dua të them, – thotë B-ja. – kurse X-i pandehte se isha unë.
Vëllai i X-it ngërthen vetullat.
– Unë besoj, – thotë, – se vrasësi është një nga ish dashnorët e saj, mbasi ime motër kishte shumë të tillë.
B-ja parapëlqeu të mos i përgjigjej (me gjasë vëllai i X-it nuk ka kuptuar gjë) dhe të dy nuk e hapin më gojën derisa mbërrijnë në shtëpi.
Në ashensor B-së i vjen për të vjellë. Thotë:
– Më vjen për të vjellë.
– Mbaje veten, – thotë vëllai i X-it.
Përshkojnë me nxitim rruginën, vëllai i X-it hap derën dhe B-ja hyn shpejt dhe drejtohet në banjë. Por, sapo mbërrin aty nuk i vjen më për të vjellë. Djersin, i dhemb stomaku, por nuk vjell dot. WC-ja, me kapakun e ngritur i ngjan një gojë pa dhëmbë që tallet me të. Ose me dikë tjetër. Pasi lan fytyrën këqyret në pasqyrë, fytyrën e ka të bardhë si fije letre. Atë që kishte mbetur nga nata, e kalon pa gjumë, por lexon dhe dëgjon gërhitjen e vëllait të X-it. Të nesërmen, sapo zgjohet, B-ja kthehet në Barcelonë, kurrë nuk do ta vizitojë më këtë qytet, pasi X-i nuk jeton më.
Pas një jave, vëllai i X-it e merr në telefon dhe i thotë se policia kishte gjetur vrasësin.
– Ai tipi i mbetej në qafë sime motre, – thotë vëllai me anë të thirrjeve telefonike.
B-ja nuk përgjigjet.
– Ishte një dashnor i vjetër, – thotë vëllai i X-it.
– Gëzohem që e mora vesh këtë gjë, – thotë B-ja. – Faleminderit që më more në telefon.
Pastaj vëllai i X-it ul receptorin dhe ai ngelet vetëm.

Përktheu: Gjergj Vlashi

Filmi Nomadland-Ç’është liria?/Ballsor Hoxha

in Kinema by

Filmi “Nomadland”, ftues i Oscar, 2021, me regjisore Chloe Zhao dhe aktore kryesore Frances McDormand

   Ballsor Hoxha

Filmi “Nodmadland” është film i cili zbulon dhe vëzhgon një komunitet në lindje. Një mënyrë jete të të shkëputurve. Një jetesë e cila rikrijon ligjet dhe normat e saj në një univers të tyre personal dhe të pacenueshëm nga normat e shoqërisë sonë.
Në të vërtetë filmi bën fjalë për Nomadët e Rinj në botë, të cilët, të shkëputur nga jeta  fillojnë dhe jetojnë një jetë të tërë jashtë dhe të ikur nga zakonshmëria, atashimet e vazhdimësia e qeniesimit.
Filmi “Nomadland” është film mbi një pjesë të shoqërisë amerikane (por edhe ndërkombëtare). Shoqëri që shkëputen, braktisin dhe ikin nga jeta e zakonshme, për të jetuar në komunitete në natyrën e egër dhe në furgonat e tyre. Janë shoqëri që jetojnê diku mes jetës së të pastrehëve dhe të të arratisurve.
Personazhja kryesore e filmit, Fern-i, e quajtur shkurt dhe thjesht, ka humbur burrin e saj. Në vazhdim është zhdukur adimistrativisht qyteti ku ka jetuar, fjalë për fjalë, qyteza ku ka jetuar është fshirë nga ekzistenca administrative, duke qenë e braktisur në prag të ekzistencës dhe e pa banorë.
Por gjatë filmit mësojmë se është pikërisht kjo qytezë e cila e ka tërhequr atë, Fern-in dhe bashkëshortin e saj të ndjerë, që të jetojnë atje.
“Prapa shtëpisë sime është një hapësirë e pafund, që nuk çon askund!”, i tregon Fern-i një personazhi tjetër.
Fern-i nis jetën e saj si nomade dhe për më shumë, tërë filmi është rrugë, të braktisura, të largëta, të vetmuara, të papopulluara, pa trafik.
Ajo  u bashkëngjitet këtyre komuniteteve të nomadëve. Komunitete që jetojnë jashtë normave të mirëqenies amerikane. Komunitete që jetojnë në natyrën e egër dhe në lokacione të lëna pas dore. Punojnë në punët më painteres në tërë Amerikën gjigande.
I tërë ky rrëfim, kjo hapësirë brenda Amerikës, e huaj për njeriun bashkëkohor, e braktisur nga jeta dhe e lirë si në ujëvarat, pyjet, shkretëtirat dhe në natyrën e egër të saj, është rrëfim që e bart personazhi Fern. Një grua, e cila sapo ka humbur burrin, ka braktisur vendbanimin e saj për liri të pakufishme, të paatashuar, pa obligime dhe si nomade origjinare e shkretëtirave të Saharës e të Afrikës, është vazhdimisht në lëvizje, në dyndje dhe në lëvizje.
Por, pikërisht kjo jetë, kjo lëvizje nomade, krijon edhe magjepsjen dhe provokimin kinematografik. Si mund të merret një jetë e tillë:
– Mospërgjegjësi – ndaj të afërmve, duke qenë se Fern,-i i braktis të gjithë. Në të vërtetë, në një nga dialogjet e Fern-it me motrën e saj, ajo dëgjon motrën e saj më të vogël duke i treguar se Fern-i ka qenë për atë modeli i sjelljes dhe projektimi i arritjes së saj. Se me braktisjen e saj, Fern-i ka lënë te motra e saj një mungesë të thellë.
A mos kjo lëvizje, kjo lëvizje nomade, në magjepsjen dhe provokimin që na krijon, është në të vërtetë – ikje -. braktisje nga ankthi ekzistencial. Në të vërtetë të gjithë nomadët, në grupet dhe në socializimet e tyre, gjithnjë tregojnë për persona të dashur, të afërm të cilët u kanë vdekur.
A mos, po e njëjta magjepsje dhe provokim i krijuar në shprehjen kinematografike është në të vërtetë natyra primare, instinktive dhe primordiale për njeriun që të jetojë i lirë.
Në të vërtetë, duke u nisur nga e fundit, liria, si primodriale brenda njeriut, shtytja dhe fiksimi për të qenë i lirë, është edhe mallkim edhe përmbushje e këtij komuniteti. Liria si mallkim për të gjetur një hapësirë për veten, për të gjetur një shoqëri, për të gjetur një paqe me veten më shumë se me të tjerët.
Por kjo përmbushje është e ndërthurur me dhembjen ndaj të të afërmve. Është e dhembshme në braktisjen e pashpjegim, në pamundësinë e mishërimit të bashkëjetesës, në vetminë që i përcjell këta persona në gjithë jetët e tyre.
Por mbi të gjitha është kriza ekzistenciale e këtyre personave. Mospajtimi me jetën, pajtimi me ikjen. Pamundësia për të gjetur lidhjen dhe atashimin me të tjerët. Pamundësia për të krijuar një vazhdimësi dhe një konsistencë të jetës.
Në të vërtetë, prej personazhit që shërben si guru për komunitetin e tyre, i cili tregon për vdekjen e djalit të tij, e deri tek Fern-i e cila e humb personin e vetëm të afërm të saj – bashkëshortin e saj, të gjithë këta kanë humbur personin më të dashur në jetët e tyre.
Fenomeni që krijon humbja e personit më të dashur te disa persona, është një tronditje e pakalueshme në personat e mbetur dhe me këtë, në njërën anë i shkëput ata nga lidhja dhe atashimi dhe në anën tjetër u mbjell ankthin e ekzistencës dhe të të atashuarit. Frikën e vdekjes, e cila bëhet e pakalueshme dhe motiv nxitjeje për të braktisur çfarëdo lidhje me jetën shoqërore dhe me jetën sociale.
Ankthi ekzistencial në të vërtet është fenomen i cili përhapet edhe në kohëra të krizave shoqërore dhe, edhe të kalimeve epokale. Njeriu e gjen veten të pandihmë dhe të pashpjegim ndaj vogëlsisë së tij dhe ndaj pandihmshmërisë së tij. Aq më shumë vdekja bëhet e patejkalueshme dhe dhembje e frikshme, e cila shkëput tërë sistemin social dhe vullnetin e njeriut që ka qenë në afërsi të vdekjes.
Dhe të dyja së bashku, jeta e vëzhguar në filmin “Nomadland” të regjisores Chloe Zhao, e nomadëve të rinj, sidomos në vendet e zhvilluara dhe në anën tjetër, fenomeni i ndërrimti dhe i kalimit të epokave që ka krijuar dhe ka krisur ankthin ekzistencial, janë filmi i momentit, i cili përmes këtyre të dyjave krijon një udhë të përvijimit të këtij ankthi ekzistencial global dhe këtë e provokon në pyetjen: Ç’është liria?

Fragment nga dorëshkrimi i romanit: “Ç’ka pas dashurise, shpirt?”/Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Dhe të gjithë njerëzit që posedojnë atdhe janë të gjorë

            Shpëtim Selmani 

A dëshironi ta kuptoni atdheun tuaj? Hipni në avion, mundësisht uluni në business class. Pini sa më shumë venë të bardhë dhe silluni mirë me stjuardesën, është e rëndësishme për atdheun. Pastaj silluni mirë me njerëzit që kanë frikë nga fluturimi me avion. Bëjuani me dije se çdo gjë do të jetë në rregull. Pastaj bëjeni një sy gjumë në Zurich. Në një hotel të braktisur mundësisht. Është mirë për reflektim. Një hotel i braktisur. Shihni nga dritarja tramvajet dhe mendojeni atdheun, njerëzit tuaj, ëndrrat aty, të kaluarën tuaj nëse e keni dhe pini pak ujë. Pastaj shkoni në banjën zviceriane dhe lahuni e fërkojeni trupin tuaj, të gërvishtur nga thonjtë e atdheut. Këndojeni një këngë. Është mirë kur këndojmë diçka të pacaktuar. Merrni trenin e këndshëm Zurich-Berlin dhe mos harroni biletën. Rregulli është rregull. Shihni peizazhet, shtëpitë e bukura, njerëzit që luajnë golf, pleqtë që jetojnë në male, lepujt në vrapim e sipër, arat e punuara mirë, mungesën e bërllogut dhe mendojeni atdheun tuaj.
Hani në tren një sanduiç dhe mos flisni me askënd, edhe nëse pranë jush qëndon një vashë e bukur që dashuron Red Hot Chili Peppers-at. Mos e ngacmoni vetminë evropiane. Mos e trazoni qetësinë dhe individualitetin alpin apo atë bavarez. Trishtimi i tyre le të rrjedhë kudo mbi Bavari, mos e trazoni. Ju keni atdheun tuaj të përvuajtur. Mendojeni atë. Silluni mirë në tren dhe lexojeni Joseph Brodsky–n, edhe ai ka pasur të njëjtat halle sikurse ju. Pastaj, kur të mbërrini në Berlin, hipni në taksi dhe mos ndërroni asnjë fjalë me iranianin në timon. Edhe ai ka hallet e tij. Një të kaluar. Një atdhe. Nuk ka ardhur kot në Berlin para shumë vitesh dhe kot nuk dëshiron të mos e përmendë emrin e vendit të tij. Pastaj shoferi sudanez. Skllavëria i qëndron varur në fshirëset e xhamave që bëjnë tik-tik-tik, ndërsa në Berlin bie shi. Sudanezi i gjorë. Dhe të gjithë njerëzit që posedojnë atdhe janë të gjorë. Aq më keq për ata që vijnë nga vende të vogla. Që rrotullohen e rrotullohen në duart e kombeve të mëdha. A dëshironi ta kuptoni atdheun tuaj? Shkoni në Hotel Grimm’sPotsdamer Platz. Hani tri vakte të shijshme në emër të letërsisë. Dhe mos e mundoni me pyetje kamarierin boshnjak. Mos ja teshni k****. Edhe ai ka hallet e tij.  A mendoni se nuk është lodhur duke përsëritur një milion herë në ditë, “yes sir”, “no sir”, “yes sir”, “no sir“. Fajet i ka atdheu i tij. Fqinjët e atdheut të tij. Dhe ajo pako që i ka rënë në duar nga qielli. Çdo qenie njerëzore është fillimisht jashtë vullnetit të tij. Pastaj, ta hajë dreqi! Kur nis kështu. Që ta kuptoni atdheun tuaj, shkoni në dhomën 107, në këtë hotel dhe rrini aty vetëm, duke parë nga jashtë fëmijët gjermanë se si rrëzohen me skateboard. Pastaj thonë “shit“. Dhe valëvisin ata flokë të bukur arianë. Atdheu i tyre i fuqishëm! Mbizotërues! Ia kam lakmi. Tërë ato që u përkasin. Që ta kuptoni atdheun tuaj, merrni rrugën për në Alexander Platz dhe shihni rrugët e mëdha gjermane, studentët se si shtrihen livadheve, dhelprat e tyre nëpër parqe, kaprojtë që nuk i tremb askush. Shkoni në portën triumfale të Bradenburg-ut. Shkoni në memorialin e krimeve gjermane mbi romët. Shihni ujin aty dhe qiellin e pasqyruar, e rrjedhimisht veten tuaj në të. Dhe mendojeni. Atdheu është një tokë ku pranohen gabimet. Ku ndëshkohet vetja dhe e kaluara është ashtu sikurse është, e vërtetë, e ashpër dhe vështirë e kundërshtueshme. Sa më shumë të pranojmë të kaluarën, aq më shumë të ardhme do të kemi. Në këtë pikë mendojeni atdheun tuaj.
Bëjeni një shëtitje vetëm, pa asnjë ngarkesë. Dhe mendoje mirë, atë atdhe, të cilit i takon një vietnameze që ta jep një sanduiç, të mbushur më gjithë ato gjëra në të. Pastaj kur të qesh. Nuk është një qeshje e njëmendtë, ju e dini. Është një qeshje e cila përmbledh ne vete të gjitha arsyet e ardhjes së saj në Berlinin e madh. Shkoni në një park të madh dhe mos e refuzoni plakun gjerman kur ju ofron të luani një lojë ping-pong, pavarësisht se dëshiron me çdo kusht që të fitojë. Natyrisht këtë dhunti e kanë fituar nga atdheu i tyre, ty të takon ta pranosh humbjen. Gjithnjë duke e falëndëruar fituesin. E rëndësishme është që ke kapur raketin e vogël në duar. Kaq mjafton për ty. Pastaj ec. Dhe pije një birrë gjermane. Mendo se çfarë birre pin në vendin tënd. Krahaso birrat. Shijet, efektet e saj, stomakun, si ndihet ai pas dy birrave gjermane Berliner Pils dhe pas dy birrave Peja. Natyrisht më e mira e të mirave është Peja. Krenar për këtë. Rekomandojeni dhe hapni dyert tuaja për të mirën e Birrës Peja. Stomaku le të lulëzojë me Berliner Pils dhe të ulërijë sa të dojë nga Birra Peja. E rëndësishme është ta shohësh perëndimin e diellit dhe fëmijët e bukur gjermanë ndërsa kërcejnë dhe bërtasin. Një pamje idilike që e kanë në saje të atdheut të tyre të fuqishëm. Fëmijet e atdheut tënd le të kenë kujdes sa më shumë dhe lë të mendojnë më shumë sesa duhet. U ka rënë në hise të jenë pesëqindfish më të mprehtë. Natyra është barbare në selektim. Shtrihuni në livadh ose shkoni në Leipzig, dëgjojini preokupimet letrare të ballkanasve, gjermanëve. Punk dhe gjak. Pastaj është një hotel në qendër të Leipzig-ut. Kur të futeni aty, në dhomën 232, shihni në ekranin televiziv thellësinë e detit dhe lëvizjen e peshqve. Do të shoqëroheni nga një muzikë meditative. Dhe shihni mirë lëvizjen e pshqeve e mendojeni atdheun tuaj, njerëzit, fatet, luftën, kurreshtjen, dijen, dashuritë, frikën, pasigurinë, mllefin, ambiciet, ëndrrat e tyre. Dhe futeni kokën nën jorgan. Aty bëni ç’ka të doni. Në daç mos mendoni më asgjë.

1 77 78 79 80 81 182
Go to Top