Fragment nga dorëshkrimi i romanit: “Ç’ka pas dashurise, shpirt?”/Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Dhe të gjithë njerëzit që posedojnë atdhe janë të gjorë

            Shpëtim Selmani 

A dëshironi ta kuptoni atdheun tuaj? Hipni në avion, mundësisht uluni në business class. Pini sa më shumë venë të bardhë dhe silluni mirë me stjuardesën, është e rëndësishme për atdheun. Pastaj silluni mirë me njerëzit që kanë frikë nga fluturimi me avion. Bëjuani me dije se çdo gjë do të jetë në rregull. Pastaj bëjeni një sy gjumë në Zurich. Në një hotel të braktisur mundësisht. Është mirë për reflektim. Një hotel i braktisur. Shihni nga dritarja tramvajet dhe mendojeni atdheun, njerëzit tuaj, ëndrrat aty, të kaluarën tuaj nëse e keni dhe pini pak ujë. Pastaj shkoni në banjën zviceriane dhe lahuni e fërkojeni trupin tuaj, të gërvishtur nga thonjtë e atdheut. Këndojeni një këngë. Është mirë kur këndojmë diçka të pacaktuar. Merrni trenin e këndshëm Zurich-Berlin dhe mos harroni biletën. Rregulli është rregull. Shihni peizazhet, shtëpitë e bukura, njerëzit që luajnë golf, pleqtë që jetojnë në male, lepujt në vrapim e sipër, arat e punuara mirë, mungesën e bërllogut dhe mendojeni atdheun tuaj.
Hani në tren një sanduiç dhe mos flisni me askënd, edhe nëse pranë jush qëndon një vashë e bukur që dashuron Red Hot Chili Peppers-at. Mos e ngacmoni vetminë evropiane. Mos e trazoni qetësinë dhe individualitetin alpin apo atë bavarez. Trishtimi i tyre le të rrjedhë kudo mbi Bavari, mos e trazoni. Ju keni atdheun tuaj të përvuajtur. Mendojeni atë. Silluni mirë në tren dhe lexojeni Joseph Brodsky–n, edhe ai ka pasur të njëjtat halle sikurse ju. Pastaj, kur të mbërrini në Berlin, hipni në taksi dhe mos ndërroni asnjë fjalë me iranianin në timon. Edhe ai ka hallet e tij. Një të kaluar. Një atdhe. Nuk ka ardhur kot në Berlin para shumë vitesh dhe kot nuk dëshiron të mos e përmendë emrin e vendit të tij. Pastaj shoferi sudanez. Skllavëria i qëndron varur në fshirëset e xhamave që bëjnë tik-tik-tik, ndërsa në Berlin bie shi. Sudanezi i gjorë. Dhe të gjithë njerëzit që posedojnë atdhe janë të gjorë. Aq më keq për ata që vijnë nga vende të vogla. Që rrotullohen e rrotullohen në duart e kombeve të mëdha. A dëshironi ta kuptoni atdheun tuaj? Shkoni në Hotel Grimm’sPotsdamer Platz. Hani tri vakte të shijshme në emër të letërsisë. Dhe mos e mundoni me pyetje kamarierin boshnjak. Mos ja teshni k****. Edhe ai ka hallet e tij.  A mendoni se nuk është lodhur duke përsëritur një milion herë në ditë, “yes sir”, “no sir”, “yes sir”, “no sir“. Fajet i ka atdheu i tij. Fqinjët e atdheut të tij. Dhe ajo pako që i ka rënë në duar nga qielli. Çdo qenie njerëzore është fillimisht jashtë vullnetit të tij. Pastaj, ta hajë dreqi! Kur nis kështu. Që ta kuptoni atdheun tuaj, shkoni në dhomën 107, në këtë hotel dhe rrini aty vetëm, duke parë nga jashtë fëmijët gjermanë se si rrëzohen me skateboard. Pastaj thonë “shit“. Dhe valëvisin ata flokë të bukur arianë. Atdheu i tyre i fuqishëm! Mbizotërues! Ia kam lakmi. Tërë ato që u përkasin. Që ta kuptoni atdheun tuaj, merrni rrugën për në Alexander Platz dhe shihni rrugët e mëdha gjermane, studentët se si shtrihen livadheve, dhelprat e tyre nëpër parqe, kaprojtë që nuk i tremb askush. Shkoni në portën triumfale të Bradenburg-ut. Shkoni në memorialin e krimeve gjermane mbi romët. Shihni ujin aty dhe qiellin e pasqyruar, e rrjedhimisht veten tuaj në të. Dhe mendojeni. Atdheu është një tokë ku pranohen gabimet. Ku ndëshkohet vetja dhe e kaluara është ashtu sikurse është, e vërtetë, e ashpër dhe vështirë e kundërshtueshme. Sa më shumë të pranojmë të kaluarën, aq më shumë të ardhme do të kemi. Në këtë pikë mendojeni atdheun tuaj.
Bëjeni një shëtitje vetëm, pa asnjë ngarkesë. Dhe mendoje mirë, atë atdhe, të cilit i takon një vietnameze që ta jep një sanduiç, të mbushur më gjithë ato gjëra në të. Pastaj kur të qesh. Nuk është një qeshje e njëmendtë, ju e dini. Është një qeshje e cila përmbledh ne vete të gjitha arsyet e ardhjes së saj në Berlinin e madh. Shkoni në një park të madh dhe mos e refuzoni plakun gjerman kur ju ofron të luani një lojë ping-pong, pavarësisht se dëshiron me çdo kusht që të fitojë. Natyrisht këtë dhunti e kanë fituar nga atdheu i tyre, ty të takon ta pranosh humbjen. Gjithnjë duke e falëndëruar fituesin. E rëndësishme është që ke kapur raketin e vogël në duar. Kaq mjafton për ty. Pastaj ec. Dhe pije një birrë gjermane. Mendo se çfarë birre pin në vendin tënd. Krahaso birrat. Shijet, efektet e saj, stomakun, si ndihet ai pas dy birrave gjermane Berliner Pils dhe pas dy birrave Peja. Natyrisht më e mira e të mirave është Peja. Krenar për këtë. Rekomandojeni dhe hapni dyert tuaja për të mirën e Birrës Peja. Stomaku le të lulëzojë me Berliner Pils dhe të ulërijë sa të dojë nga Birra Peja. E rëndësishme është ta shohësh perëndimin e diellit dhe fëmijët e bukur gjermanë ndërsa kërcejnë dhe bërtasin. Një pamje idilike që e kanë në saje të atdheut të tyre të fuqishëm. Fëmijet e atdheut tënd le të kenë kujdes sa më shumë dhe lë të mendojnë më shumë sesa duhet. U ka rënë në hise të jenë pesëqindfish më të mprehtë. Natyra është barbare në selektim. Shtrihuni në livadh ose shkoni në Leipzig, dëgjojini preokupimet letrare të ballkanasve, gjermanëve. Punk dhe gjak. Pastaj është një hotel në qendër të Leipzig-ut. Kur të futeni aty, në dhomën 232, shihni në ekranin televiziv thellësinë e detit dhe lëvizjen e peshqve. Do të shoqëroheni nga një muzikë meditative. Dhe shihni mirë lëvizjen e pshqeve e mendojeni atdheun tuaj, njerëzit, fatet, luftën, kurreshtjen, dijen, dashuritë, frikën, pasigurinë, mllefin, ambiciet, ëndrrat e tyre. Dhe futeni kokën nën jorgan. Aty bëni ç’ka të doni. Në daç mos mendoni më asgjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top