Author

Admin - page 72

Admin has 1899 articles published.

Duke mbajtur një sy tek ata në pushtet/Niels Hav

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Kam thënë shpesh se poezia është politike. Kjo sepse poezitë e vërteta merren me reagimin njerëzor ndaj realitetit dhe politika është pjesë e realitetit dhe historisë në ndryshim e sipër. Edhe nëse një poet shkruan i futur në një shtëpi xhami duke pirë çaj, kjo reflekton politikë-Yehuda Amichai

 Niels Hav (Danimarkë)

20, Dhjetor, 2021

Kur Joe Biden u inagurua si President në SHBA, poeti Amanda Gorman lexoi në ceremoninë e tij. Poeti mund të marrë një rol të ngjashëm në kultura të ndryshme. Por në jetën e përditshme, dhe shumicën e kohës, poeti është një i jashtëm. Një bandit i vetëm në shkretëtirë. Ja kështu është në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës gjithashtu.

Ne shkrimtarët jemi si muzikantët solo. Ngremë lart të njëjtat virtyte si beduinët: këmbënguljen dhe bujarinë. Disa poetë nga kolegët tanë më të mirë e njohin urinë dhe etjen, varfërinë heroike dhe mallin. Ka vlera të tjera të ndryshme nga materialja dhe ruajtja e këtyre vlerave është një prej detyrave të poezisë.

Kurrë më parë në historinë e botës nuk kanë jetuar kaq shumë njerëz në ekzil; luftërat, zija e urisë dhe ndryshimi i klimës po i shtyjnë njerëzit të ikin- sot jemi të gjithë një lloj nomadësh. Është një paradoks që nacionalizmi lulëzon në të njëjtën kohë. Ne jemi poetë dhe banojmë në republikën letrare. Fizikisht jemi në Shangai, Bogota, Stamboll apo Kopenhagë por poezia është vendlindja jonë mendore dhe shpirtërore.

Poezia nuk është për çamarrokët. Detyra jonë është të mbajmë një sy nga ata në pushtet dhe të flasim për gjërat siç janë. Kur e padrejta shtyp të vërtetën, poetët janë të parët që burgosen dhe kjo është logjike. Por poezia është e afërt me muzikën dhe kur një poezi është e suksesshme, fjalët kanë një rezonancë të thellë në mendje dhe në shpirt. Poezia e mirë është magjike.

Poezia duhet të angazhohet në bukurinë dhe madhështinë e jetës- dhe në problemet e jetës së përditshme të njeriut të zakonshëm. Të kërkosh të vërtetën është si të gjuash hardhuca në errësirë dhe s’ka rëndësi si hidhemi e përdridhemi, vithet ngelen prapa. Duhet të jemi të ndershëm për çregullimin tonë. Arti është në kërkim të një vërtete më të thellë sesa zgjidhjet politike por prapë poezia do gjithnjë të jetë një shembull kritik me detyrën shtesë të thënies së të vërtetës rreth problemeve reale në botën reale.

Ne jemi pjesë e një dhe të vetmit qytetërim universal dhe kemi një fat të përbashkët pavarësisht nga alfabeti që përdorim. Le të punojmë për një lulëzim të ri të artit dhe poezisë në një botë paqësore. Poezia mund të kontribuojë në mirëkuptimin ndërmjet popujve dhe kulturave të botës, të kontribuojë në respektin për individin dhe ëndrrën e tij personale për një jetë në lumturi dhe harmoni. Ne të gjithë kemi atë ëndërr.

 

Poezia-Niels Hav

A nuk e vini kështu poezinë

nën vargonj – ti je nën arrest!

Poezia nuk u bindet urdhërave

Poezia nuk bëhet e mirë në qelitë e izolimit,

Ajo endet në lagjet e periferive,

rrëmon në hedhurinat e njerëzve

Poezia është armë.

Poezia është mosbesuese ndaj ligjit dhe gjykatave,

ajo beson në një drejtësi më të lartë.

Ajo hyn në debat me çdo kalimtar,

i ndërhyn bosit të një kompanie

duke i bërë akuza të rënda.

Nuk tregon respekt. Ka erë të keqe

(mut & trëndafila)

Poezia pret me kënaqësi në radhë për një bubullimë.

Poezia e kalon natën në vetmi

dhe ekstazë të egër

poezia sillet vërdallë në aeroporte

dhe në bordet e tejmbushura të trageteve

poezia është më së shumti politike

por e urren politikën

poezia është nevrike,

por flet vetëm në raste të rralla.

Poezia e prish festën

Poezia është gati të heqë xhaketën

dhe t’ju takojë jashtë

Poezisë gjithnjë

i hipin kacabunjtë.

Niels Hav është një poet danez dhe prozator i tregimeve të shkurtra, autor i shtatë përmbledhjeve me poezi dhe tre librave me tregime.

Marrë nga “Culture Matters” portal i një grupi shkrimtarësh, artistësh dhe aktivistësh. 

Përktheu: Kujtim Morina

Shpata-Franz Kafka

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Franz Kafka

Bashkë me dy shokë kishim vendosur që të dielën të bënim një shëtitje, por nuk më doli gjumi fare; ora kaloi dhe kjo është kundër zakoneve të mia. Shokët, të cilët njohnin përpikmërinë time, u habitën nga vonesa. Ata erdhën para shtëpisë, pritën pak aty, pastaj ngjitën shkallët dhe trokitën në derë. Kërceva përpjetë dhe brofa nga shtrati, duke u munduar që të bëhesha gati sa më parë. U vesha e hapa derën, po shokët shtangën kur më panë. Dukeshin të trembur.
– Çfarë ke pas koke? – thirrën ata.
Unë vetë sapo isha zgjuar, kisha vënë re se diçka më pengonte ta përkulja kokën prapa. Preka zverkun. Atë hop, shokët që e kishin marrë veten, thirrën:
– Kujdes! Mos plagosesh!
Pas koke preka dorezën e një shpate! Shokët m’u afruan, më vrojtuan e më çuan në dhomë, para raftit me pasqyrë; aty më zhveshën deri në bel. Një shpatë e madhe dhe e vjetër kalorësie, me një dorezë në trajtë kryqi, ishte ngulur me tërë tehun në shpinën time. Po tehu i futur me kujdes nuk më kishte shkaktuar asnjë plagë, ngaqë ishte futur në mes të mishit dhe lëkurës. Edhe te pika e qafës ku ishte futur, nuk kishte ndonjë shenjë dhe qafa ishte e thatë dhe e paprekur; shokët më siguruan se vrima e nevojshme për të hyrë shpata ishte hapur pa shkaktuar asnjë pikë gjaku. Pastaj ata hipën në kolltuk dhe pak nga pak e nxorën shpatën, edhe kësaj here nuk doli asnjë pikë gjaku dhe vrima në qafë u mbyll, veç nje blanë shumë e vogël mbeti mbi lëkurë.
– Ja shpata jote! – thirrën shokët dhe ma zgjatën duke qeshur.
E peshova me të dyja duart: ishte një armë shunë e çmuar dhe mbase e kishin përdorur ushtarët e kryqëzatave.
Kush i lejon kalorësit e lashtë të enden në ëndrrat tona duke vringëlluar shpatat e tyre dhe të përshkojnë me to njerëzit që flenë të qetë? Nëse ata nuk plagosin rëndë, kjo vjen se patjetër armët e tyre vetëm rrëshqasin te të gjallët… dhe pas dere gjenden shokë besnikë, që trokasin të shtyrë nga mëshira.

Përkthyer nga: Gjergj Vlashi

Po të ishte bota për së mbari-Nuhi Sadiku

in Letërsi/Tharm by

Po të ishte bota për së mbari-Nuhi Sadiku

 

Po të ishte bota për së mbari
nuk do të isha ky që jam
Bie fjala:
Kurrë nuk do të bija në gjumë në orën 3,
as do të zgjohesha në orën 6
Do të urreja shiun,
do të dashuroja diellin
tmerrësisht,
por më pak sesa e dashurova atë.
Do të më pëlqente të flisja me njerëz
dhe nuk do të mendoja se njerëzit
në parim janë krijesa të këqija
që vrapojnë të shërojnë egon e vet.
As njerëzit nuk do të mendonin për mua
se jam arrogant dhe mendjemadh,
por do të më njihnin vërtet siç jam:
një vetmitar i pashërueshëm
një vdekatar i zakonshëm që e adhuron
vetminë.
Mbase po të mos ishte bota kaq e përçudshme:
do t’i besoja një Zoti,
do t’i bashkohesha një turme,
do të isha kapitalist,
do të besoja në demokraci,
do të isha nacionalist,
edhe më keq, do të isha shovinist,
nuk do të dëgjoja kurrë muzikë,
do të urreja Pink Floyd,
nuk do të lexoja asnjëherë një varg,
as që më vjen në mendje se do të shkruaja
ndonjëherë poezi,
nuk do të bleja libra si i marrë,
nuk do ta doja filozofinë,
nuk do të rrezikoja të lexoja
librat e Michel Houellebecq-ut
dhe të Emil Cioran-it.
Mbi të gjitha,
po të ishte bota për së mbari,
unë s’do të isha i burgosur
brenda kësaj lirie që më privon të shkoj te Ajo.

Po të ishte bota për së mbari,
kurrë nuk do të isha ky që jam.

Këtë e kuptova sot,
më 6 janar,
kur pasi e përpiva një espresso,
me një sandwich të ftohtë në dorë,
m’u desh të kthehem në zyrë,
duke i numëruar hapat e mi të ngadaltë,
e duke shikuar lart në qiell.

Meqë ra fjala,
dita duket sikur do t’ia krisë vajit.

Kthimi në shtëpi-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Kthimi në shtëpi-Wislawa Szymborska

 

Ai u kthye në shtëpi. Nuk tha asgjë. Megjithëse, ishte e qartë se diçka kishte shkuar keq.
U shtri, ashtu i veshur.
Mbuloi kokën me batanije.
Mblodhi gjunjët.
Është gati dyzet vjeç, por jo në këtë çast.
Ekziston ashtu siç dikur brenda barkut të nënës së tij,
veshur me shtatë mure lëkure, nën strehën e errësirës.
Nesër ai do të mbajë një leksion
mbi homeostazën në kozmonautikën metagalaktike.
Megjithëse, tani për tani, e ka zënë gjumi, ashtu të mbledhur kruspull.

 

Përktheu: Arlinda Guma

Fragment nga një intervistë e Janis Ricos-it

in Letërsi by

Janis Ricos

Poeti i beson gjithmonë vlerës së jetës, sepse, po ta quante këtë me të vërtetë të kotë, nuk do të kishte arsye pse të shkruante. Madje edhe mohimi i jetës, kur bëhet art, shndërrohet në pohim të saj. Kjo është arsyeja që, kur përballemi me vlera dekadente, përjetojmë një ndjenjë ngazëllimi. Poezia dhe mbarë arti në përgjithësi luajnë rol spastrues. Besoj se do t’ju ketë ndodhur edhe juve që, duke përjetuar një çast dëshpërimi, të shkruani një poezi që pasqyron këtë gjendje. Porse vetë procesi i shkrimit ju ka falur ngazëllim e gjallëri. Shkenca ngulmon se nuk ka ndonjë vatër të veçantë në psikikën njerëzore, ku regjistrohen emocionet e cilësisë estetike. Veprimi i estetikës kufizohet te krijimi i ndjenjës së ngazëllimit. Ky ngazëllim funksionon në mënyrë “shëruese” edhe për ne edhe për të tjerët, na premton pavdekësinë. Ashtu siç përpiqet mjekësia të mposhtë mikrobin (atë, pra, çka e bën jetën të shkurtër), ashtu përpiqet edhe poezia të mposhtë vdekjen. Nevoja e njerëzve për poetin vjen nga mirënjohja që ushqejnë kundrejt tij, pse u fal pavdekësinë, pse shpreh – dhe deri në njëfarë pike, njëmendëson – nevojën e tyre për pavdekësi, pse i shpëton, si individë dhe si popull, nga koha. Kështu që edhe artisti ndihet i dobishëm për veten dhe për ata që e rrethojnë. Eluard-i thotë: “Në qoftë se arti ka me të vërtetë ndonjë qëllim, atëherë ky nuk është gjë tjetër veçse të krijojë krijues.” Kurse Erenburgu: “Shkenca zhvillon anën intelektuale të njeriut, kurse arti i laton ndjeshmërinë.” Zakonisht fillojmë të shkruajmë për t’u bërë të njohur, për t’u dalluar nga të tjerët. Mandej, të shkruarit bëhet një akt vetënjohjeje e vetëshërimi; në vazhdim, ajo çka na intereson është shërimi i të tjerëve, në mënyrë që të arrijmë, më në fund, tek paqëllimshmëria e madhe, që është liria e plotë. Paqëllimshmëri kjo që bëhet një qëllimshmëri e gjerë, ngaqë shpërnjeh elementin kohor, paçka se e përmban atë. Paqëllimshmëri që përfshin gjithë qëllimin, ndonëse të panjohur, të krijimit, prirjen biologjike, natyrore e të vetvetishme të njeriut për komunikim dhe unitet – një prirje kjo që do të mund ta quanim erotike, prirje dhe kontakt dashurie, kënaqësie, jetëgjatësie; jetëgjatësi e racës njerëzore dhe e veprave të njeriut, pra vazhdimësi jete dhe qytetërimi shpirtëror.

Përkthyer nga: Romeo Çollaku

Shkëputur nga libri “Greqinë mos e vajto“.

Buzuku

PËR KULTIN E LIBRIT-JORGE LUIS BORGES

in Letërsi by

JORGE LUIS BORGES

Në librin e tetë të “Odisesë” thuhet se perënditë endin fatkeqësi që brezat e ardhshëm të kenë për çfarë të këndojnë; në deklaratën e Malarmesë, tridhjetë shekuj më vonë: “Bota ekziston për t’u shkruar në një libër”, duket se përsëritet i njëjti koncept për një përligjie estetike të së keqes. Megjithatë, të dyja teleologjitë nuk përkojnë tërësisht; ajo e grekut i takon epokës së fjalës së thënë, ndërsa ajo e francezit i takon epokës së fjalës së shkruar. Te njëra flitet me këngë, te tjetra flitet me libër. Një libër, çfarëdo lloj libri, është për ne një objekt i shenjtë; Servantesi, i cili ndoshta nuk i dëgjonte të gjitha ato që thoshin njerëzit, lexonte edhe «letrat e grisura që gjente rrugës». Zjarri, në një nga komeditë e Bernard Shout, kërcënon bibliotekën e Aleksandrisë; dikush bërtet se do të digjet kujtesa e njerëzimit, dhe Çezari thotë: “Lëreni të digjet. Është një memorie turpesh”. Çezari historik, sipas mendimit tim, mund ta miratonte apo jo mendimin që i jep autori, por nuk do ta gjykonte, ashtu si ne, si një shaka sakrilegj. Arsyeja është e qartë: për të lashtët fjala e shkruar nuk ishte gjë tjetër veçse zëvendësuese e fjalës së thënë.
Është e famshme që Pitagora nuk shkroi; Gomperz (Griechische Denker, 1, 3) thotë që veproi ashtu ngaqë kishte më shumë besim te virtyti i mësimit të folur. Me forcë më të madhe se abstenimi i thjeshtë i Pitagorës është dëshmia e qartë e Platonit. Ky, te “Timeo”, pohon: «Është e rëndë detyra për të zbuluar bërësin dhe atin e këtij universi, por, edhe po ta zbulosh, është e pamundur t’ua thuash të gjithë njerëzve», ndërsa te “Fedro” na rrëfen një fabul egjiptiane kundër shkrimit (mësimi i të cilit bën që njerëzit të lënë pas dore ushtrimin e kujtesës dhe kjo të varet prej simboleve), dhe thotë se librat janë si figura të pikturuara, «që duken të gjalla, por nuk i përgjigjen me asnjë fjalë pyetjeve që mund t’u bësh». Për ta zvogëluar apo për ta eliminuar këtë vështirësi mendoi dialogun filozofik. Mësuesi e zgjedh nxënësin, por libri nuk i zgjedh dot lexuesit e vet, se mund të jenë të këqij apo budallenj; ky dyshim platonik gjendet edhe te fjalët e Klementit të Aleksandrisë, njeri i kulturës pagane: «Më e arsyeshme është të mos shkruash, por të nxësh vetë dhe t’i mësosh të tjerët me gojë, sepse e shkruara mbetet» (Stromateis), dhe në të njëjtin traktat: «Të shkruash në një libër të gjitha gjërat është njësoj si të lësh një shpatë në duart e një fëmije», që vjen gjithashtu nga evangjelistët: «Mos u jepni qenve për ushqim gjëra të shenjta! Mos ua hidhni derrave margaritarët tuaj, sepse ata vetëm do t’i shkelin me këmbë, e pastaj do të hidhen kundër jush për t’ju sulmuar!» (Mateu, 8:6).
Klementi i Aleksandrisë ka shfaqur dyshimin e tij për shkrimin në fund të shekullit II; në fund të shekullit IV nisi procesi mendor që, me kalimin e shumë brezave, do të kulmonte me mbizotërimin e fjalës së shkruar mbi atë të folur, me epërsinë e penës mbi zërin. Një rastësi e admirueshme ka bërë që një shkrimtar të fiksojë çastin (gati e teproj kur e quaj çast) kur filloi ky proces i madh. Në librin e tij “Rrëfime”, Shën Agustini tregon: «Kur Ambrosini lexonte, e kalonte vështrimin mbi faqet e librit dhe kuptimi depërtonte në shpirtin e tij, pa shprehur asnjë fjalë e pa lëvizur fare gjuhën. Shpesh – sepse askujt nuk i ndalohej të hynte, madje pa pasur as zakonin për të njoftuar se kush ishte, – e shikonim të lexonte ashtu në heshtje të plotë, asnjëherë ndryshe, dhe atëherë, pas disa çasteve, iknim duke marrë me mend se ai interval i shkurtër që i jepej për të ripërtërirë shpirtin e tij të lirë nga rrëmuja e çështjeve të tjera, nuk donte të merrej me gjë tjetër, ndoshta mosbesues se një dëgjues, i ndërgjegjshëm për vështirësitë e tekstit, do t’i kërkonte shpjegim për çka nuk kuptonte, apo do të donte të diskutonte me të, sepse nuk mund të lexonte dot gjithë ata vëllime, siç dëshironte. Unë them se lexonte në atë mënyrë për të ruajtur zërin që i kapej me lehtësi. Gjithsesi, cilido të ishte qëllimi i atij njeriu, padyshim qe i mirë». Shën Agustini ishte dishepull i Shën Ambrosinit, peshkopi i Milanos deri në vitin 384; tridhjetë vjet më vonë, në Numidi, hartoi “Rrëfimet” e tij dhe ende e shqetësonte ajo pamje e veçantë: një njeri në një dhomë, me libër në dorë, duke lexuar, pa shqiptuar fjalët*.
Ai njeri, duke mos i përfillur shenjat zanore, kalonte drejtpërdrejt nga shenja e shkrimit tek intuita; arti i çuditshëm që po fillonte, arti i të lexuarit me zë të ulët, do ta çonte drejt pasojave të mrekullueshme. Pas shumë vitesh, do ta çonte te koncepti i librit si qëllim dhe jo si instrument i një qëllimi. (Ky koncept mistik, i transferuar në letërsinë profane, do të përcaktonte destinacionet e jashtëzakonshme të Floberit dhe të Malarmesë, të Henri Xhejmsit dhe Xhejms Xhojsit). Në nocionin e një Zoti që flet me njerëzit për t’i urdhëruar për diçka apo për t’i ndaluar për diçka, duke u vënë përpara Librin Absolut, Shkrimin e Shenjtë. Për myslimanët, “Kurani” (ose Libri Qitap), nuk është një vepër e thjeshtë e Zotit, si amshimi i Tij apo zemërimi i Tij. Në kapitullin XIII lexojmë se teksti origjinal, Nëna e Librit, është e depozituar në Qiell. Muhamed-al-Gazali, Algazeli i skolastikëve, ka deklaruar: «Kurani riprodhohet në një libër, shqiptohet në një gjuhë, ruhet në zemër e, megjithatë, vazhdon të rrojë pranë Zotit dhe nuk e ndryshon pamjen e vet në faqet e shkruara dhe në gjykimet humane». Zhorzh Salle vë re se ky Kuran i pakrijuar nuk është gjë tjetër veçse ideja apo arketipi i tij platonik; është e mundshme që Algazeli t’u drejtonte arketipëve njoftime të Islamit nëpërmjet Enciklopedisë së Vëllezërve të Pastërtisë* dhe Avisenës, për të përligjur nocionin e Nënës së Librit.
Edhe më ekstravagantë se myslimanët qenë hebrenjtë. Në kapitullin e parë të Biblës së tyre gjendet sentenca e famshme: «Dhe Zoti tha: të ketë dritë; dhe u bë dritë»; kabalistët arsyetuan se virtyti i këtij urdhri të Zotit erdhi përmes shkronjave të fjalëve. Traktati “Safer Yetsirah” (Libri i Edukimit), i botuar në Siri ose në Palestinë, aty nga shekulli VI, zbulon se Jehovai i Ushtrive, Perëndia e Izraelit dhe Zoti i Gjithëfuqishëm, krijoi universin me anë të numrave themelorë që fillojnë nga një deri në dhjetë, po ashtu edhe njëzet e dy shkronjat e alfabetit. Që numrat të jenë instrumente apo elemente është dogmë e Pitagorës dhe e Jamblikos; që të jenë edhe shkronjat është tregues i qartë i kultit të ri të shkrimit. Paragrafi i dytë i kapitullit të dytë lut: «Njëzet e dy shkronja themelore: Zoti i vizatoi, i skaliti, i kombinoi, i peshoi, i shkëmbeu, dhe me to bëri gjithçka që është dhe gjithçka që do të jetë.» Pastaj u zbulua se cila shkronjë ka fuqi mbi ajrin dhe cila mbi ujin, cila mbi zjarrin dhe cila mbi diturinë, cila mbi paqen dhe cila mbi hirin, cila mbi gjumin dhe cila mbi zemërimin, u zbulua se si (për shembull) shkronja “kaf”, që ka fuqi mbi jetën, ka shërbyer për të formuar diellin në botë, të mërkurën në vit dhe veshin e majtë në trup.
Të krishterët shkuan më tutje. Mendimi se hyjnia kishte shkruar një libër i bëri të imagjinojnë se kishte shkruar dy, dhe se tjetri ishte universi. Në fillimet e shekullit XVII, Franc Bekoni deklaroi te “Advancement of Learning” e tij se Zoti na ofronte dy libra që të mos bënim gabim: i pari, vëllimi i Shkrimeve që tregon vullnetin e Tij; i dyti, vëllimi i krijesave që tregon fuqinë e Tij dhe se ky është çelësi për të. Bekoni kishte ndërmend të bënte shumë më tepër se një metaforë; mendonte se bota mund të reduktohej në forma thelbësore (në temperatura, dendësi, pesha, ngjyra), që përbënin, në numër të kufizuar, një “abecedarium naturae” apo seri shkronjash me të cilat shkruhet teksti universal*. Sir Tomas Broun, aty nga viti 1642, konfirmoi: «Dy janë librat në të cilët mësoj teologjinë: Shkrimi i Shenjtë dhe ai dorëshkrim universal e publik që është i qartë për të gjithë sytë. Ata që nuk e panë dot tek i pari, e gjetën te i dyti» (Religio Medici, I, 16). Në të njëjtin paragraf lexojmë: «Gjithë gjërat duken artificiale, sepse Natyra është Arti i Zotit.» Kaluan dyqind vjet dhe skocezi Karlajl, në vende të ndryshme pune dhe veçanërisht në esenë mbi Kaliostron, e kapërceu hamendjen e Bekonit; ai vulosi që historia universale është Shkrim i Shenjtë që deshifrojmë dhe shkruajmë në mënyrë të pasigurt dhe në të cilën na shkruajnë. Më vonë, Leon Bloi ka shkruar: «Nuk ka mbi tokë një qenie humane të aftë që të pohojë se cili është. Askush nuk e di se çfarë ka ardhur të bëjë në këtë botë, kujt i takojnë veprimet e tij, ndjenjat e tij, idetë e tij, as cili është emri i tij i vërtetë, i pavdekshmi Emër i tij, në regjistrin e Dritës. Historia është tekst liturgjik i pafund, ku “jotat” dhe pikat nuk vlejnë më pak se versët apo kapitujt e plotë por rëndësia e njërit apo tjetrit është e papërcaktueshme dhe ndodhet thellësisht e fshehur» (“L’âme de Napoleón”, 1912). Sipas Malarmesë, bota ekziston për një libër, sipas Bloit, jemi verse, fjalë apo shkronja të një libri magjik, dhe ky libër që s’mbaron kurrë është e vetmja gjë që ka kjo botë: «më mirë të thuash se është vetë bota.»

Buenos Aires, 1951
—————-
* Komentatorët na thonë se në atë kohë ishte zakon të lexohej me zë të lartë, për ta kapur më mirë kuptimin, sepse nuk kishte shenja pikësimi e as ndarje fjalësh, po ashtu lexohej së bashku për të zbutur apo kapërcyer vështirësitë e mungesës së kodikëve. Dialogu i Luçiano Samosatës, “Kundër një blerësi të paditur librash”, përmban një dëshmi të atij zakoni të shekullit II. (Shënimi i autorit).
* Në veprat e Galileut sundon koncepti i universit si libër. Seksioni i dytë i antologjisë së Favaros (Galileo Galileo: “Pensieri, motti e sentence”, Firence, 1949) titullohet “Il libro della Natura”. Po kopjoj paragrafin në vazhdim: “Filozofia është shkruar në atë libër shumë të madh, i cili përherë është i hapur para syve tanë (dua të them, universi), por që nuk kuptohet, nëse nuk studiohet më përpara gjuha në të cilën është shkruar. Gjuha e këtij libri është matematika dhe germat janë trekëndëshat, rrathët dhe figurat e tjera gjeometrike. (Shënimi i autorit).
* Vëllezërit e Pastërtisë apo Vëllezërit e Sinqeritetit ose Miqtë Besnikë – një grup filozofësh arabë në Basra të shekullit X, të cilët shkruan një vepër filozofike, e njohur si “Letra të Vëllezërve të Pastërtisë apo Enciklopedia e Vëllezërve të Pastërtisë”, dhe që përbën një nga veprat më të shquara të prodhimit filozofik mysliman mesjetar.

Përktheu: Bajram Karabolli

Etyd-Frederik Rreshpja

in Letërsi/Tharm by

Etyd-Frederik Rreshpja

 

Degët e drurëve lëkunden fluror
Mbi ballin e pjerrët të çative,
S’ka gjë në mos rëntë kësaj nate dëborë
Do bjerë në kujtesën e fëmijëve!

Leximet poetike-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Tharm by

Leximet poetike-Wislawa Szymborska

 

Të jesh boksier, apo të mos jesh fare aty. O Muzë, ku janë turmat tona të vrullshme që ngjishen e shtyhen?
Gjithë-gjithë; dymbëdhjetë persona në dhomë; tetë karrige
bosh
erdhi koha ta fillojmë këtë çështjen kulturore.

Gjysma hyri brenda se filloi të binte shi, pjesa tjetër janë kushërinj. O Muzë.
Gratë e pranishme këtu do të donin të shanin dhe të përdhosnin,
por në boks ndodh kjo. Këtu ato duhet të sillen mirë.

Ferri i Dantes është rreshti i parë në ditët e sotme.
Po kështu edhe Parajsa e tij. O Muzë.
Oh, të mos jesh boksier, por poet,
i dënuar përjetë me shpërfillje të rënda,
për mungesë muskujsh, i detyruar t’i tregosh botës
sonetet që renditen në listat e leximit të shkollave të mesme
dhe kjo, nëse je me fat. O muzë,
O Pegasus, ti engjëll bishtprerë.

Në rreshtin e parë, gërhitja e butë e një plaku të lezetshëm:
ai sheh në ëndërr sikur gruaja e tij është gjallë sërish. Dhe për më
tepër, ajo po i gatuan atë tartën që piqte zakonisht.
Të përndezur, por me kujdes – të mos e djegim tartën e tij!
ne fillojmë të lexojmë. O Muzë.

Përktheu: Arlinda Guma

SOFIA COPPOLA: “FILMI ËSHTË ÇËSHTJE FAMILJARE”

in Kinema by

Zonja Coppola, Michael Douglas ka thënë njëherë se për pesëmbëdhjetë vitet e para të karrierës së tij ai ndihej sikur të ishte “i mallkuar për të qenë suksesshëm” vetëm për shkak të babait të tij. A është kjo një ndjenjë që ju e kuptoni ndërsa ndiqni gjurmët e babait tuaj si regjisore?

Sofia Coppola: Unë mendoj se si bijë nuk ndjen shumë presion, sepse, në njëfarë mënyre, pritet më pak nga ti. Nuk ndjeva presion aspak dhe e zhvillova zërin tim shumë herët. Sigurisht që jam krenare për babain tim dhe prej nga vij, por unë kam mënyrën time të punës, stilin tim.

A ju ka dhënë mësime babai?

Sofia Coppola: Jo. Dua të them që ai gjithmonë më fliste për reaizimin e filmave dhe skenarin, që në moshë të re, por mendoj se kjo për të ishte më tepër emocionuese sesa të ishte dëshira për t’ua mësuar fëmijëve të tij.

Si e gjetët rrugën tuaj?

Sofia Coppola: M’u desh pak kohë; Unë thjesht provova gjëra të ndryshme. U largova nga shtëpia, shkova në kolegj dhe, madje themelova kompaninë time të veshjeve që kishte partnerë në Japoni, por sapo bëra filmin tim të parë të shkurtër, e gjeta se çfarë doja. Dhe hasja e librit “Vetëvrasjet e Virgjëreshës” ishte pika e kthesës në fakt, sepse e doja atë libër dhe ndihesha paksa mbrojtëse ndaj tij.

 

 

Fragment nga filmi “Të humbur në përkthim”.

Babai juaj ju shtyu disi të zëvendësonit Winona Ryder-in dhe të merrnit një rol në filmin “Kumbari 3”. Ishte kjo një përvojë traumatike?

Soffia Coppola: Ishte e vështirë sepse isha 18 vjeç dhe gjëja e fundit që dëshiron të bësh në atë moshë është të dëgjosh se çfarë të thonë prindërit. Babai im ishte regjisor në filmin ku unë luaja, kështu që ishte e sikletshme sepse unë nuk jam natyrshëm aktore, por thjesht doja të provoja gjithçka dhe nuk prisja që ta shikonin kaq shumë njerëz. Unë u rrita me “Kumbarin” si një gjë e njohur, por për mua nuk ishte kjo kryevepër ikonë. Ishte një përvojë që të mësonte, por duke qenë se nuk doja kurrë të bëhesha aktore, nuk ishte shkatërrues për mua fakti që njerëzit në përgjithësi nuk e pëlqenin shumë që unë të isha në të. Në fund të fundit ishte diçka e mirë sepse këto lloj përvojash të bëjnë më të fortë.

Pra, edhe pasi ishit pjesë e një film aq të madh nuk ju shkoi kurrë në mendje të vazhdonit me filmin si karrierë? Ndoshta do të kishte qenë shumë e lehtë…

Soffia Coppola: Nuk e doja kurrë, as më parë dhe as më pas, ndërkohë kisha planifikuar të shkoja në shkollën e artit. Por përvoja e ndihmon tani punën time me aktorët. Të paktën e kam pak idenë se çfarë po kalojnë qëkur babai im ishte regjisor në filmin kur unë luajta.

Kur doktori u tha atyre se unë isha vajzë, babai im hodhi kamerën sepse ishte shumë i befasuar.”

A është e vërtetë që babai juaj e ka filmuar lindjen tuaj?

Sofia Coppola: Po, babai im e ka filmuar lindjen time. Sot shumë njerëz po e bëjnë këtë gjë, por mendoj se atëherë ishte pak më e pazakontë. Unë në fakt e kam parë lindjen time dhe për fat është xhiruar në mënyrë mjaft diskrete. Në fakt është vërtet qesharake. Kur doktori u tha se isha vajzë, babait e hoqi kamerën sepse ishte shumë i befasuar. Filmi është çështja jonë familjare.

Sa e rëndësishme është familja për ju në ditët e sotme, pasi jeni rritur me kaq shumë të afërm?

Sofia Coppola: Shumë e rëndësishme. Të gjithë jemi rritur me idenë që familja është shumë e rëndësishme. Është ndoshta një gjë italiane nga ana e babait tim.

Pra, është e natyrshme që të punoni me vëllain tuaj si producent?

Sofia Coppola: Më pëlqen të punoj me vëllain tim dhe është gjithashtu ai që e drejton kompaninë e produksionit të familjes sonë. Jemi shumë me fat që mund të punojmë së bashku edhe pse jemi vëlla e motër dhe është vërtet e mrekullueshme të kesh vëllain tënd të madh në xhirime.

A ka një mirëkuptim mes jush që vetëm vëlla dhe motër mund të kenë?

Sofia Coppola: Po, ai më njeh aq mirë saqë mund të marrë vendime në emrin tim, sepse ai e di se çfarë më pëlqen.

Si e ndryshoi mëmësia jetën tuaj?

Sofia Coppola: Fillimisht mora një vit pushim pasi lindi vajza dhe kur fillova të shkruaja, kuptova se gjërat kishin ndryshuar sepse dikur rrija zgjuar gjithë natën duke shkruar dhe papritmas m’u desh ta ndryshoja këtë me një orar të ngjeshur. Tani ata thjesht vijnë me ne.

Regjisorët thonë shpesh se të realizosh një film tëndin është sikur të rritësh një fëmijë. A jeni dakord me këtë?

Sofia Coppola: Unë mendoj se çdo proces krijues mund të lidhet me këtë. Por prapë është shumë e vështirë t’i krahasosh njëri me tjetrin.

Jeni më e rreptë si regjisore apo si nënë?

Soffia Coppola: Unë jam e rreptë në të dyja rrethanat. Regjisorët janë zakonisht të çuditshëm e kontrollues dhe duan që gjithçka të ndodhë sipas mendimit të tyre, por personaliteti im nuk ndryshon. Unë nuk jam tip që bërtas, por megjithatë e di sesi dua të jenë gjërat dhe sigurohem që të kem rreth meje njerëz që mund ta bëjnë këtë. Mësova të ndjek intuitën time dhe përpiqem t’i bindem.

Përktheu: Arlinda Guma

Për Antonin Artaud-në/Grafia e klithmës-Paskal Raux

in Letërsi by

ANTONIN ARTAUD  (1896 – 1948)      

Dua që të gjitha qëniet para meje të ndihen të çmendura, delirante, fajtore, të gjymtuara, të plagosura, të sëmura dhe veçanërisht të vdekura, fizikisht dhe trupërisht të vdekura.

Njeriu që ka shqiptuar fjalët e mësipërme quhet Antonin Artaud dhe vlerësohet si gjeni, martir, shenjt, profet, i çmendur (ka qëndruar nëntë vjet në një spital për të sëmurët mendorë). Është ai për të cilin Andre Bretoni ka thënë: Rinia do ta njohë si të sajin këtë flamur të kalçinuar.

Këto ditë është botuar vepra e tij e plotë prej njëzetë e gjashtë vëllimesh dhe pothuajse i gjithë shtypi parizian ka shkruar për të. “Diamante në hi”, “Artaud-ja rebel”, e me dhjetëra tituj të tjerë, janë disa orvatje për të ftilluar veprën e tij, fjala, kjo shumë e paaftë për të shprehur intensitetin e asaj që shkruhet nën penë, në kërkim të një Arti Total.

Dorëshkrimet e tij janë të nxirë nga shenjat, janë të grisur, duke qëmtuar aty trajta magjish të zeza, gjen në ta sintagmën obseduese: ãtonέ aRto. Kur lexon Artaud-në s’ke si të mos falenderosh Zotin e lumë që ende ka në botë një letërsi të tillë që të shkakton kënaqësi, përqethje dhe mornica.

Shkrimi i mëposhtëm është shkëputur nga një essé e gjatë e Paskal Raux-së për veprën e Artaud-së.

Grafia e klithmës-Paskal Raux

– Shkronjat furracake: rasti i k-së-

Shkronja k, që në veçoritë e shtypura grafikisht nuk është e formuar veçse prej vizash dhe nuk zotëron asnjë kurbë, bën pjesë tek shkronjat e larta dhe të majëzuara përpara. Shenja k është e formuar prej thyerjesh tipografike të mprehta si tehe, ka një formë të ngjashme me gërshërët, (ashtu si kappa greqisht shenjon pëllëmbën dhe kaf  fenikisht paraqet parakrahun), pra, është fjala për një shkronjë tredhëse, prerëse, mprehëse. K-ja glosolalike do të presë kuptimin në gjuhë, do të këputë kordonin kërthizor të mbjellë tek shenja, po ashtu dhe trupin e tekstit, dhe, në një masë tjetër, prania e saj tekstuale, do ta plagosë lexuesin. Duke e prerë atë që tejkalohet dhe duke ndarë organin edhe një herë (ashtu si ai ndan le cul/de cul), Artaud-ja imponohet me figurën e tredhësit, por për një çlirim, për një lindje të re. Për Artaud-në privimi është fillimi i kësaj vdekjeje që gjakon. Po çfarë imazhi të bukur ka një tredhës. Dhe, veç të tjerave, si mund të tridhet më mirë një fjalë përveçse me k-në:

Armatosem

I zgjuari e braktis problemin

dhe thërras (invoque)

( n’ évok)

mosekzistues

K-ja si satër pret zgjatimin e jashtëm gjenital “que“, ose bishtin (queue), shkakton çfjalëzimin, çkryefjalëzimin, e zhvesh nga gjithçka organin e fjalës, ose ajo që mbetet nga fjala “n’évok” bëhet e parrezikshme, e padepërdueshme, “mosekzistuese”.

Në ringjalljen e trupit tjetër, k-ja do të jetë sinjal i cullakësisë, i shqyrtimit organik/tekstual. Në Lettrat e Rodezit, të shkruara për Jean Paulhan-in, Artaud-ja e këput një vazhdimësi organesh, ai grumbullon pjesët e trupit për të denoncuar “urinë greminore të qenies që nuk mëton ngjitjen e saj, por  seksin anal, kraumatiquen, chromatiquen e thellë”. Kalimi i “krau” në “chro” ilustron funksionin e “k”-së, një këputje me enumeracionin organik që e paraprin, për të riintegruar grafinë korrekte të termit “chromatique“, fshirëse e mutit të saj. Sepse fjala e saktë përpara “kraumatique” është “bythë”. Dhe s’mund të flasim për shkronjën k pa përmendur shqiptimin e saj “ka” që është gjysma e fjalës “kaka”.

Duke qenë e formuar prej subjektit mut, k-ja e zhvendos shkrimin, e identifikohet atë gjatë udhëtimit nëpër rropulli, në ravgimin trupor në një trup që s’ mëton tjetër veçse të jetë një, k- ja mbyll baxhatë e trupit. Shkrimi “kaka” përfaqëson derdhjen që lejon trupi të zbrazet për shfaqjen e “ka-ka”-së, Kutisë së vjetër të dashurisë ka-ka:

             dëshira e magmës: ka-ka

Dhe duhma e ka-së në ka mbaron me mbytjen e virgjëreshës.

Pas kësaj do të shikohet.

Duhma e  /ka/-së në /ka/s’ është gjë tjetër veç lirimi i ajrit të ujdisur nga muskujt grykorë dhe analë. Kthehemi një çast drejt fonimit të k-së. Fonegi shpjegon që “mbyllja grykore lejon të ushtrohet një presion i fortë mbi diafragmën dhe, thërthorazi, edhe mbi ropullitë. Vuajtësit nga laringu në fillim kanë shumë vështirësi në evakuimin dhe duhet t’ iu shërbejë një pllakë për zevëndësimin e muskujve zanorë.

Shumë herë jashtëqitja është e shoqëruar me emetime tingullorë që i korrespondojnë tingujve laringitalë shpërthyes, ose  fërkues. (Analogjia biologjike ftillon përse libidoja anale zhvendoset lehtësisht tek muskujt analë, ose tek muskujt grykorë”.)

Por “ka”-ja është edhe një fjalë fetare egjiptiane që dikur ishte përkthyer “dyfish”, ajo dëfton pushtetin përftues që tek njeriu është mbështetja jetësore. Në kërkimin e amshuar drejt një shfaqjeje të re, k-ja, në këtë rast, mund të identifikohet në “qendër-nyje”. Ndërtimi i saj nuklear që shtëllitet përmes ka-ve të shumta, do të mbartë shenjën e kryefjalës. Dhe nuk mund të mos përmendim ka-në e Neneka, “njëra nga të gjashtë vajzat e gjakueshme për t’ u lindur. (ashtu si edhe Catherine-a), as atë të Kabul-it, të cilën Elah Catto do ta kishte përkthyer Arti dhe Vdekja në Afgan. Analogji biologjike, biografike, fetare, semantike, fonetike k, ka,/ka/, ka-ka, zgjatimi i rrugëtimit nëpër rropulli nga shkruesi. Shtriqja e caca-së në ka-ka është bërë pafundësisht udha e Historisë, kthim i ka-së së fundit në ka-në e fillimtë dhe e kundërta. Kësaj i thonë të bëhesh zot i Historisë, zot i rrjedhjeve fekale, për të mos iu përkitur dhe për të mos qenë trup i rrezikuar

Përktheu nga origjinali: Balil Gjini

balilgjini@yahoo.com

1 70 71 72 73 74 190
Go to Top